Një burrë në Gjakovë ka raportuar në Polici se e ka gjetur të vdekur djalin e tij, dje në orët e pasdites.
Lidhur me rastin Policia ka nisur hetime, derisa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“HETIM I VDEKJES – Gjakovë / 02.05.2024 – 16:25. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se ka gjetur djalin e tij viktimën mashkull kosovar dyshohet pa shenja jete. Ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Mbrëmë në Gjilan është arrestuar një shtetas i Serbisë, pasi që nuk ka respektuar zyrtarin policor për të ndaluar veturën e tij.
I njëjti pasi është ndalur me veturë ka nisur veturën vrullshëm në drejtim të policit, ku polici ka arritur përmes xhamit të hapur t’ia marrë çelësat e veturës dhe ta fikë veturën.
Rasti është cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar.
“Gjilan / 02.05.2024 – 17:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Serbisë, pasi që nuk ka respektuar zyrtarin policor për të ndaluar veturën e tij dhe i njëjti pasi është ndalur me veturë ka nisur veturën vrullshëm në drejtim të policit, ku polici ka arritur përmes xhamit të hapur t’ia marrë çelësat e veturës dhe të fikë veturën. Zyrtari policor dhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.
Agim Aliu kryetar i komunës së Ferizajt ka takuar strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë.
Aliu ka thënë se janë takuar edhe me kolegët drejtues të nivelit qendror të PDK-së me të cilët kanë biseduar rreth mobilizimit dhe angazhimit për alternativën e qeverisjes me vendin.
“Në takim me strukturat drejtuese të familjes sonë politike – Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, ku mirëpritëm kolegët drejtues të nivelit qendror të Partisë e bashkëbiseduam për mobilizimin, angazhimin tonë të drejtpërdrejt për alternativën e qeverisjes me vendin”, ka shkruar kryetari Aliu.
3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Me këtë rast Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bashkë me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur për Medie, do të mbajë një diskutim për sfidat e ruajtjes së standardeve profesionale dhe kodit të etikës gjatë raportimit duke filluar nga ora 11:00.
Diskutimi mbahet në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar, ku aktualisht është edhe e hapur ekspozita e karikaturave për Lirinë e Medias të Ambasadës holandeze në Kosovë.
Në raportin vjetor të Organizatës Botërore “Reporterët pa Kufij” për vitin 2023, Kosova është ngritur për pesë vende (56) në krahasim me vitin 2022, kur renditej në pozitën 61.
Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier i ka shkuar sot në zyre presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, shkruan Periskopi.
Siç thuhet në njoftimin e Presidencës në takim u diskutua për procesin e votimit në katër komunat veriore.
Ndërsa presidentja Osmani ia përmendi Hovenierit masat e BE-së.
Njoftimi i plotë:
Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin Hovenier
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Zhvillimet e fundit në vend ishin në fokus të diskutimit, me ç’rast theks i veçantë është vënë tek rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Tutje, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për procesin e votimit në katër komunat veriore, me ç’rast Presidentja Osmani ripotencoi se vazhdimi i masave është i padrejtë dhe se Kosova i ka plotësuar kushtet që përfundimisht të largohen ato.
Në takim u diskutua edhe për një sërë të arriturash dhe projektesh të përbashkëta, në mesin e të cilave edhe fillimi zyrtar i Programit Kompakt të MCC-së në Kosovë, i cili projekt pritet ta transformojë sektorin e energjisë.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh i bindur se Bashkimi Evropian nuk ka më asnjë arsye që t’i mbajë në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, kryeministri vlerësoi se ato përbëjnë pengesë në rrugën evropiane të Kosovës.
“Masat që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian, sidomos edhe në planin e rritjes e me qëllimin e tij. Në anën tjetër, po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave në BE, në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha Kurti.
Edhe pse konfirmoi se ka diskutime, Bashkimi Evropian njoftoi se për vendimmarrje duhet pajtim i gjerë – nëse, kur dhe si mund të hiqen masat.
“Masat do të hiqen në momentin që shtetet anëtare vendosin. Kur shtetet anëtare vendosin, e jo politikanët e Kosovës. Pra, kur shtetet anëtare vendosin që nuk ka më arsye për t’i mbajtur masat në fuqi. Kjo nuk ka ndodhur deri tani, shtetet anëtare po vazhdojnë diskutimet dhe këto janë procese të brendshme. I kemi parë zgjedhjet në katër komunat në veri si një prej elementeve, por u takon shteteve anëtare, siç edhe thuhet në konkluzat e Këshillit të Punëve të Përgjithshme nga viti i kaluar. U takon shteteve anëtare të rivlerësojnë situatën dhe më pas me institucionet evropiane të vendosin nëse duhet hequr masat ose jo”, tha zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.
Referuar votimit për shkarkimin e kryetarëve, si formë e shkaktimit të zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri, zëdhënësi i bllokut 27-anëtarësh tha se problemi përbëhet nga një mori elementesh.
“Kur BE-ja vendosi masat, nuk ishte vetëm për një çështje të vetme, por kishte disa çështje, hapa, vendime dhe elemente që çuan BE-në te ky hap i vështirë, sigurisht. Kështu që nuk është vetëm për atë se çka është bërë për një çështje për heqjen e masave, ose se një masë është vendosur për një çështje të vetme nga këto zhvillime negative. Ka të bëjë me gjithë situatën, duam ta shohim të zgjidhur në tërësi. Të dyja palët kanë detyra që duhet t’i kryejnë, por në rastin e Kosovës, përfaqësuesit e Kosovës kanë qenë të informuar qartazi dhe në vazhdimësi se cilat janë pritjet e BE-së”, tha Stano.
Në qershor të vitit të kaluar, pas përshkallëzimit të situatës në veri – kur pas zgjedhjeve të bojkotuara nga Lista Serbe, kryetarë shqiptarë morën udhëheqjen e komunave me shumicë serbe – BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Masat përfshijnë pezullimin e projekteve të BE-së në Kosovë, kryesisht nëpërmjet fondeve IPA, derisa vlera e përgjithshme e mjeteve të bllokuara ose humbura vlerësohet të jetë rreth 300 milionë euro.
Menaxhmenti i “Telekomit” të Kosovës, dyshon në paanshmërinë e ekspertëve të caktuar nga shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale, për të bërë ekspertizën financiare në kontestin me kompaninë “Dardafon”.
Në seancën e shqyrtimit gjyqësor për lëndën përmbarimore, përfaqësuesi ligjor i ndërmarrjes publike, kërkoi shkarkimin e ekspertëve financiarë.
“Kërkojmë shkarkimin e ekspertëve për shkak të anshmërisë së tyre në këtë proces… eksperti financiar, Bashkim Uka ka lidhje të ngushta familjare me Ilir Ibrahimin, i cili është bashkëshorti i vajzës së zotëriut Bashkim Uka. I njëjti është ortak në biznes me Blerim Devollin”, tha Durim Ahmetaj nga përfaqësues ligjor i “Telekomit”.
Eksperti financiar, Bashkim Uka, tha se lidhja e tij familjare me aksionarin e një biznesi ku ka hise edhe Blerim Devolli, nuk përbën konflikt interesi.
“Nuk është ortak siç po deklaron përfaqësuesi i debitorit dhe nuk ka të bëjë asgjë me “Dardafonin”, unë kam qenë i bindur se nuk ka konflikt interesi, sepse nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë”, tha Uka.
Kërkesa e menaxhmentit të “Telekomit”, nuk u aprovua nga gjyqtari Dren Rugova.
Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i ndërmarrjes kërkoi nga gjykatësi i çështjes, që në ekspertizën financiare të përfshihen edhe numrat dhe shërbimet 3 dhe 4G, të cilat ishin shfrytëzuar nga “Dardafoni”, bazuar në një marrëveshje të vitit 2017.
Vlera e këtyre shërbimeve, sipas përfaqësuesve të ndërmarrjes është mbi 10 milionë euro.
“Kërkojmë nga gjykata që në këtë plotësim konkluzioni, për të mundur të vijmë deri te një pretendim i drejtë dhe i ligjshëm të përfshihet dhënia e 90 mijë numrave shtesë dhe shërbimet 3 dhe 4G, të hyrat financiare që ka gjeneru kreditori nga këto shërbime e cila nuk është kontestuese mes palëve”, tha Ahmetaj.
Gjykatësi i çështjes refuzoi që në detyrat e ekspertëve të përfshihet llogaritja e mbi 10 milionëshit.
Referuar vendimit të shkurtit të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, “Telekomi” i detyrohet “Dardafonit” edhe 5.7 milionë euro në emër të vendimit të arbitrazhit të viti 2016.
Llogaritë e ndërmarrjes publike janë të bllokuara që nga muaji shkurt, rrjedhimisht nuk mund të ekzekutohen as pagat e rreth 1800 punëtorëve.
Deri më tani nga llogaritë e ndërmarrjes janë tërhequr 2.1 milion euro.
Meqë nuk iu dha fjala grupit parlamentar të Partisë Demokratike, deputeti Ferat Shala nuk deshi ta lërë të flasë as Mimoza Kusari-Lilën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Për veprimin e opozitarit, u desh ndërhyrja e nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Thirrja e saj nuk pati efekt. Andaj mori vendim tjetër.
Krejt kjo ngjau në seancën e së enjtes, ku po diskutohej për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën.
Të dhënat nga ky raport, sipas opozitës, tregojnë për korrupsionin prezent në qeveri.
Qasje krejt tjetër pati shefja e deputetëve të pushtetit.
Ndërsa, anëtarë të qeverisë thonë se raporti ka mangësi.
Problemet serioze në pavarësinë e gjyqësorit, moszbatimi i ligjit në mënyrë efektive për korrupsionin e mosndëshkimi i disa zyrtarëve, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, dhuna me bazë gjinore, janë disa prej problemeve që janë përmendur e që vazhdon të përballet Kosova, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, për vitin 2023.
Derisa po dëboheshin nga shtëpitë e tyre për në Shqipëri, në Studime të Vushtrrisë, ushtria serbe i nxori nga kolonat 116 civilë, të cilët i vrau e i masakroi.
Në mesin e viktimave pati fëmijë, gra shtatzëna e burra, për të cilët gjatë të enjtes, krerët e shtetit kërkuan drejtësi.
“Këtë të vërtetë do ta mbrojmë kudo e kurdo, sepse lufta jonë ishte e drejtë për mbrojtjen e shtëpisë sonë siç bëri secili hero, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Jemi në përkrahje të familjarëve të dëshmorëve për t’iu siguruar drejtësi. 2 maji ishte i kobshëm, Serbia ekzekutoi shqiptarë nga gjakftohtësia. Liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, Studimja është ringritur përderisa banorët me drejtësi shikojnë nga e ardhmja dhe punojnë për Kosovën. Studimja dhe e gjithë Kosova e mbajnë dhimbjen të përbashkët”, tha presidentja Vjosa Osmani.
“Krahas sakrificës së të rënëve e çmojmë qëndresën e popullit. I përulemi popullit të Kosovës që nuk iu përkul kurrë Serbisë. Vrasjet janë kryer nga ushtria e rregullt serbe. Dëshmitarët thonë, duke i dëgjuar në radio-lidhje thoshin se “pak është”, sa janë vrarë. Këta muaj u përkushtohemi viktimave të masakrës së Izbicës, familjes Berisha e Korenicës”, tha kryeministri Albin Kurti.
Në fshatin Studime, përveç martirëve e dëshmorëve, kryetari i komunës së Vushtrrisë e kujtoi edhe Afrim Bunjakun.
“Për të gjithë që na ndihmuan për lirinë dhe pavarësinë u jemi mirënjohës, miqve dhe aleatëve. Derisa sot po përkujtojmë masakrën, kriminelët enden të lirë. Sot jemi me ju, sepse ky gjak u derdh për liri dhe ky vend është i të gjithëve. Ne s’i kem rendet të flemë dhe të kotemi sepse e kemi hasmin kojshi. Këtë na e rikujton edhe shtatori i vitit të kaluar kur bandat serbe na sulmuan dhe ra dëshmor heroi, Afrim Bunjaku”, tha kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Ndërkaq, duke kujtuar Masakrën e Studimes, kryetarët e partive politike, thanë se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet gjenocidale, të kryera ndaj popullit të Kosovës.
Këtë të enjte, po ashtu, është bërë një vit prej kur është nënshkruar deklarata për të pagjeturit mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Brukselit.
Mirëpo, ajo ende s’ka filluar të zbatohet.