ATV

Category: Lajme

  • ​Dënohet sulmi në Banjskë, Parlamenti britanik miraton mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

    ​Dënohet sulmi në Banjskë, Parlamenti britanik miraton mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

    Dhoma e Ulët e Parlamentit të Britanisë së Madhe ka miratuar një mocion për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën të propozuar nga deputetja Alicia Kearns, me të cilën Britania mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe dënon sulmin në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës. Ky mocion u propozua nga Kearns pas një debati që u zhvillua mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor raporton TopChannel.

    Ndwrkaq, deputetja Alicia Kearns në fjalimin e saj gjatë debatit mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor në Parlamentin britanik ka pwrmendur sulmin në Banjska, anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, asociacionin dhe kërcënimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

    Kearns kishte bërë të ditur se SHBA ka përfunduar një raport mbi përgjegjësit e sulmit në Banjska, i cili ende nuk është publikuar.

    Ajo tha se ky raport duhet të publikohet për t’u ditur e vërteta rreth sulmit për të cilin përgjegjësinë e mori Milan Radojçiq, i kërkuar tashmë nga Interpoli dhe i cili sipas saj gjendet i lirë në Serbi.

  • ​KMShK shpreh shqetësim për përkeqësimin e lirisë së medias në Kosovë

    ​KMShK shpreh shqetësim për përkeqësimin e lirisë së medias në Kosovë

    Me rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës vlerëson se liria e medias është pjesë thelbësore e një shoqërie demokratike.

    KMShK ka shprehur shqetësimin për përkeqësimin e lirisë së medias në Kosovë, gjegjësisht regresin që ka shënuar Kosova në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij, duke rënë për 19 vende – nga pozita 56 në 75.

    KMShK bën thirrje që mediat dhe gazetarët të mos pengohen gjatë punës së tyre.

    “Sulmet politike ndaj mediave dhe gazetarëve, si dhe fushatat linçuese ndaj tyre janë kërcënim serioz për një gazetari të pavarur dhe profesionale, si dhe për integritetin dhe jetën e gazetarëve”, thuhet në njoftim.

    KMShK i vlerëson të dëmshme dhe të papranueshme përpjekjet e autoriteteve për kontroll mbi mediat dhe cenimin e fjalës së lirë.

  • Rama paralajmëron: Spitali i Kryeqytetit po bëhet

    Rama paralajmëron: Spitali i Kryeqytetit po bëhet

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar se sot kanë diskutuar për detajet finale të projektit të Spitalit të Kryeqytetit.

    Ai ka shkruar në Facebook se Spitali i Kryeqytetit, një projekt i shumëpritur do të bëj më të lehtë qasjen në shërbimet shëndetësore dytësore për qytetarët e Prishtinës.

    “Spitali i Kryeqytetit po bëhet. Sot diskutuam detajet finale të projektit të Spitalit të Kryeqytetit. Një projekt i shumëpritur që do të bëj më të lehtë qasjen në shërbimet shëndetësore dytësore për qytetarët e Prishtinës. Kardiologji, pediatri, gjinekologji e shumë reparte të tjera me kushte e standarde të nivelit evropian. Shumë shpejt projekti do të tenderohet dhe do të filloj ndërtimi”, shkruan Rama.

  • ​Beaux Arts: Ish-vila e diktatorit Hoxha shndërrohet në rezidencë artistësh

    ​Beaux Arts: Ish-vila e diktatorit Hoxha shndërrohet në rezidencë artistësh

    Ish-vila e diktatorit Enver Hoxha do të shndërrohet në një rezidencë artistësh, shkruan Florelle Guillaume në një artikull të botuar në revistën franceze “Beaux Arts”.

    Ky është projekti i ri i fondacionit “Art Explora”, i cili nuk pushon së habituri me nismat e tij origjinale në favor të krijimit dhe demokratizimit kulturor.

    “Vila 31”, e vendosur në zemër të kryeqytetit të Tiranës, është shtëpia e dikurshme e ish-kryeministrit shqiptar Enver Hoxha, stalinist i egër që sundoi vendin për katër dekada të shënuara nga shtypja e përgjakshme dhe izolimi, por edhe nga dhuna e madhe ndaj artistëve.

    “Që nga vdekja e diktatorit në vitin 1985, ky vend historik kishte mbetur një vilë fantazmë e ngrirë në kohë, me dekorin e saj të stilit hollivudian të viteve 1970”, sipas drejtorit të përgjithshëm të “Art Explora”, Bruno Julliard.

    Tunelet e fshehura, dritat e zbehta neoni, mobiljet prej kadifeje, pishina e pashfrytëzuar dhe bunkerët e fshehtë kontribuojnë në atmosferën e çuditshme dhe të modës së vjetër të kësaj vile, sa të frikshme aq edhe të admiruar nga banorët.

    Në kërkim të një “fati të ri” prej disa vitesh, kryeministri aktual Edi Rama, vetë artist, i shkolluar në Ecole des Beaux-Arts në Paris në vitet 1980, nuk kishte se si të mos e vlerësonte projektin kulturor të Frédéric Jousset, atë të shndërrimit të një meke të intolerancës në një parajsë krijimi për artistë nga e gjithë bota. Një përbuzje e bukur ndaj historisë!

    Rinovimi i “Vilës 31” do t’i besohet kompanisë arkitekturore NeM, e cila realizoi transformimin spektakolar të “Bursës së Tregtisë” në Paris.

    “Qëllim është që as të mos bëhet një muze i diktaturës dhe as të shkelet trashëgimia e saj historike”, tha Bruno Julliard.

    Pjesërisht e hapur vjeshtën e ardhshme, rezidenca prej 4000 metrash katrorë me tetë studio rezidenciale do të mirëpresë që nga dhjetori një valë të parë artistësh dhe krijuesish ndërkombëtarë dhe nga Ballkani.

    “Objektivi është zhvillimi i një programi afatgjatë të kërkimit dhe eksperimentimit artistik, i hapur ndaj botës, por edhe duke nxjerrë në pah dinamizmin e jashtëzakonshëm artistik të Ballkanit”, tha Blanche de Lestrange, drejtoresha artistike e “Art Explora”, shkruan ATSh, transmeton KosovaPress.

    “Vila 31” do të jetë e hapur për publikun përmes seminareve, shfaqjeve të filmave dhe festivaleve.

  • ​Aksident në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

    ​Aksident në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

    Në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, ka ndodhur një aksident trafiku.

    Sipas dëshmitarëve, në vendin ku është bërë aksidentit ka dal Policia e Kosovës dhe ekipi mjekësor.

    Ende nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e të lënduarve dhe dëmeve materiale.

  • Parashikimi i motit për sot, temperaturat pësojnë ulje – pritet reshje shiu

    Parashikimi i motit për sot, temperaturat pësojnë ulje – pritet reshje shiu

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell.

    Fillimisht gjatë orëve të para të 24-orëshit priten reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me pak vetëtimë dhe bubullimë, njofton Meteo Kosova.

    Era do fryjë nga drejtimi i jugperëndimit, e cila në momente të veçanta pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-61 km/h, transmeton Sinjali.

    Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 8 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 17.

  • Ambasadori finlandez: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do bëhet realitet

    Ambasadori finlandez: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do bëhet realitet

    Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, beson shumë se edhe Kosova do të jetë pjesë e aleancës euroatlantike, NATO.

    Madje Nissinen ka thënë se Finlanda do të përkrahë aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

    ”Në këndvështrimin afatgjatë mendoj që kjo sigurisht do të ndodhë dhe kjo është nënvizuar vazhdimisht nga liderët e mi politikë. Finlanda do të përkrahë të gjitha aspiratat ndërkombëtare që Kosova ka, dhe kjo përfshinë anëtarësimin në organizata të ndryshme. Besoj që kjo do të bëhet realitet një ditë, por e kam të pamundur të jap afat kohor. Por në aspektin afatgjatë, kam shumë besim që kjo do të ndodhë”, ka thënë Nissinen në tëvë 1.

    Finlanda u bë anëtare e NATO-s në prill të vitit 2023. Ky shtet aplikoi për anëtarësim pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës.

  • BBC: Netanyahu potencialisht pjesë e listës së urdhër-arresteve

    BBC: Netanyahu potencialisht pjesë e listës së urdhër-arresteve

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mund të jetë në mesin e listës për urdhër-arrest nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, shkruan BBC, sipas raportimeve, mes një shqetësimi izraelit për veprime ligjore në Gaza, nga ICC

    Zyrtarët izraelitë janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar se gjykata e lartë penale e OKB-së po planifikon të kërkojë urdhër-arreste për udhëheqësit e tyre ushtarakë dhe politikë nën dyshimin për krime lufte,

    Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka hetuar veprimet e Izraelit në territoret e pushtuara për tre vitet e fundit – dhe së fundmi edhe veprimet e Hamasit. Ajo ka fuqinë për të akuzuar dhe gjykuar individë për krimet më të rënda sipas ligjit ndërkombëtar.

    Ajo ka lëshuar më parë urdhër-arreste për liderët, duke përfshirë Vladimir Putin të Rusisë, Muammar Gaddafi të Libisë dhe kryekomandantin e Ugandës, Joseph Kony.

    Netanyahu e ka quajtur mundësinë që figura të larta izraelite t’i bashkohen listës së të kërkuarve “një fyerje me përmasa historike”, duke akuzuar ICC-në se po përpiqet të paralizojë aftësinë e Izraelit për t’u mbrojtur.

    Ndërsa ICC nuk i ka konfirmuar pretendimet izraelite, kur kryeprokurori Karim Khan KC vizitoi Izraelin dhe Bregun Perëndimor të pushtuar dhjetorin e kaluar mesazhi i tij ishte i qartë.

    Fakti që ai është zgjedhur për të bërë komente kaq të ashpra publike sugjeron se në prapaskenë, një skenar i tillë po diskutohet në mënyrë aktive.

  • Arrestohen mbi 2 mijë studentë në ShBA pas protestave pro-palestineze

    Arrestohen mbi 2 mijë studentë në ShBA pas protestave pro-palestineze

    Portland police officers stand still as Pro-Palestinian students demonstrate on the campus of Portland State University in Portland, Oregon on May 2, 2024. Police deployed a heavy presence on US university campuses on May 1 after forcibly clearing away some weeks-long protests against Israel’s war with Hamas. (Photo by John Rudoff / AFP) (Photo by JOHN RUDOFF/AFP via Getty Images)

    Mbi 2 mijë studentë janë arrestuar në kolegjet dhe universitetet amerikane që nga 18 prilli, pas protestave protestave pro-palestineze të cilat kanë shpërthyer në të gjithë ShBA-të.

    Studentët protestues kryesisht kanë kërkuar nga kolegjet dhe universitetet e tyre që të largohen nga kompanitë që mbështesin Izraelin dhe luftën në Gaza, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

    Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka thënë se mospajtimet për luftën në Gaza s’duhet të çojnë në trazira, teksa shtoi se mbështetja e ShBA-së për Izraelin mbetet e palëkundur.

  • Kosova bie 19 vende më poshtë për lirinë e medieve, në raportin e “Reporterëve pa Kufij”

    Kosova bie 19 vende më poshtë për lirinë e medieve, në raportin e “Reporterëve pa Kufij”

    Organizata “Reporterët Pa Kufij” shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike.

    Në Indeksin i fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit hartuar nga kjo organizatë, vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias po përshpejton rënien e lirisë së saj.

    Gjetjet e Indeksit mbështeten në faktin se nga pesë treguesit e përdorur për të bërë renditjen përkatëse, më shumë ka rënë treguesi politik, duke regjistruar një rënie mesatare vjetore globale prej 7.6 pikë.

    “Një numër shtetesh dhe autoritetesh politike në rritje nuk po e pëmbushin rolin e tyre si garant të mjedisit më të mirë të mundshëm për gazetarët si edhe të së drejtës së opinionit publik për të marrë informacion të besueshëm, të pavarur dhe të larmishëm. Organizata ‘Reporterët pa Kufij’ vëren një rënie shqetësuese të mbështetjes dhe respektimit të pavarësisë së media dhe rritje të trysnisë nga shteti ose aktorë të tjerë politikë”, thuhet në Indeksin e bërë publik në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

    Indeksi e klasifikon nivelin e shtypit si “të mirë”, “të kënaqshëm”, “problematik”, “të vështirë” ose “shumë të rrezikshëm”.

    Kosovë, shtimi i tensioneve me Serbinë përkeqësoi sigurinë e gazetarëve

    Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.

    “Këtë rënie ne duhet ta shohim në kontekstin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, në këtë kontekst, gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre. Janë me dhjetra sulme të tilla, ndërkohë që Partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur. Ka patur dhe një lloj përndjekjeje administrative ndaj stacionit privat televiziv ‘Klan Kosova’. Nga ana tjetër, u bë zgjedhja e drejtorit të televizionit publik, i cili është i lidhur me kampin qeveritar. Pra, janë këto rreziqe të sigurisë dhe rreziqe politike, të cilat ju e dini se kanë patur pasoja të rënda mbi lirinë e shtypit në Kosovë”, thotë për Zërin e Amerikës, Pavol Szalai, i “Reporterëve pa Kufij”.

    Liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor

    Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me rënie të lirisë së shtypit, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila ka shënuar përmirësim duke u renditur e 36-ta.

    Serbia është radhitur e 98-ta, renditja e saj më e keqe në 22 vitet e fundit, që kur “Reporterët Pa Kufij” nisën publikimin e Indeksit Botëror mbi Lirinë e Shtypit.

    “Gazetaria cilësore dhe fituese e çmimeve, e cila investigon krimin dhe korrupsionin, ndodhet e kapur mes lajmeve të rreme jashtë çdo kontrolli dhe propagandës. Ndonëse korniza ligjore është e fortë, gazetarët kërcënohen nga trysnitë politike dhe mosndëshkimi i krimeve të kryera ndaj tyre”, thuhet në raport.

    Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi vlerësohen si vende ku gjendja e lirisë së shtypit është e “kënaqshme’. Maqedonia është përmirësuar me dy vende nga viti i kaluar, kur u rendit e 38-ta.

    Mali i Zi radhitet në vend të 40, nga 39 që ishte vjet.

    Bosnje Hercegovina listohet e 81-ta, 17 vende më poshtë se vitin e shkuar.

    Norvegjia renditet e para për të tetin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë janë Afganistani, Siria dhe Eritrea.

    Në raport vërehet se “interesat politike krijojnë një atmosferë mbytëse për gazetarët në shumë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, si Bosnje-Herzegovinë (renditur e 81-ta), Serbia (e 98-ta) dhe Shqipëria (e 99-ta). Turqia (e 158-ta) vazhdon të burgosë gazetarë dhe të minojë median nëpërmjet censurës në median on line dhe kontrollit mbi pushtetin gjyqësor”.

    Rënie e mëtejshme është shënuar në Europën Lindore dhe në Azinë Qendrore, ku liria e shtypit nuk është e garantuar dhe ku mediat përdoren gjithnjë e më shumë në fushata dezinformimi.

    Shteti rus (renditet i 162-ti) ka vazhduar sulmin kundër gazetarisë së pavarur, ndërsa mbi 1,500 gazetarë janë larguar jashtë vendit pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

    Shqipëri, konflikti i interesit dhe ndërhyrja e pronarëve pengojnë pavarësinë e medias

    Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian.

    Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-ta.

    Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.

    “Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre”.

    Së bashku me Serbinë, Shqipëria përballet me rënien më të madhe në Indeks në shtetet e të Ballkanit Perëndimor.

    Pavol Szalai, redaktor i Raportit të “Reporterëve pa Kufij” për BE-në dhe Ballkanin thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se krahasuar me standardet evropiane, gjendja për gazetarët në Shqipëri është jashtëzakonisht e vështirë. “Vitin e kaluar një punonjës i sigurisë u vra si pasojë e të shtënave ndaj godinës së televizionit ‘Top Channel’. Në vlerësimin për Shqipërinë, kjo pasqyrohet në një tregues më të ulët të sigurisë. Por dhe 4 treguesit e tjerë të lirisë së shtypit kanë shënuar rënie – mjedisi ekonomik, mjedisi politik, kuadri ligjor dhe treguesi i jetës shoqërore”, shprehet ai.

    Sipas zotit Szalai gjatë vitit të kaluar problemet e vazhdueshme të Shqipërisë janë thelluar. “Problemi më i madh është konflikti i interesit dhe ndërhyrja e pronarëve të medias mbi pavarësinë editoriale. Një tjetër problem është niveli i ulët i zhvillimit të qëndrueshëm afat-gjatë të medias në Shqipëri, që ndërlikohet më tej nga censura në median online, në rrjetet sociale, diçka e zakonshme atje dhe nga sulmet verbale politike kundër gazetarëve, të cilat bëhen nga të dyja palët, qeveria dhe opozita”, shprehet ai.

    Sa i përket sigurisë së gazetarëve ai vë në dukje “problemin e krimit të organizuar, si dhe të fushatave online në media të caktuara, me shumë urrejtje dhe shpifje kundër gazetarëve”.

    Sipas tij,”kjo nuk është diçka e re, por problemet në Shqipëri janë akoma më të mëdha, ndaj ajo renditet e fundit në rajon”.

    Gazetaria përballë dezinformimit

    Organizata thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale për përhapjen e dezinformimit për qëllime politike është shqetësues, duke theksuar se lajmet e rreme po zënë një rol të rëndësishëm në ndikimin e procesit zgjedhor.

    Sipas saj, grupet politike shpesh shërbejnë si kanale për përhapjen e dezinformimit apo edhe nxitjen e tij. Në 138 vende nga 180 që vlerësohen në Indeks, të anketuarit e pyetuar kanë pohuar se aktorët politikë shpesh përfshihen në përhapjen e propagandës ose fushatat e dezinformimit.

    Në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, veçanërisht në Bjellorusi, Gjeorgji, Kirgistan dhe Azerbajxhan është forcuar ndjeshëm censura mbi median, duke imituar metodat shtypëse të Rusisë, thuhet në raport. “Ndikimi i Kremlinit ka arritur deri në Serbi, ku mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse dhe autoritetet kërcënojnë gazetarët rusë në mërgim”, thuhet në raport.

    Gjendja e shtypit në botë

    Vendet ku gjendja e lirisë së shtypit është “e mirë” ndodhen të gjitha në Evropë dhe më konkretisht brenda Bashkimit Europian.

    Për të tetin vit radhazi, vendin e parë e zë Norvegjia, e ndjekur nga Danimarka dhe Suedia. Organizata vëren se politikanët në Evropë po përpiqen të ngushtojnë hapësirën për gazetari të pavarur. “Në krye të kësaj prirjeje të rrezikshme janë kryeministri i Hungarisë që mbështet Kremlinin, Viktor Orban dhe homologu i tij sllovak Robert Fico”.

    Liria e shtypit është vënë në provë nga partitë në pushtet në Hungari, (vendi 67), Maltë (vendi 73) dhe Greqi (vendi 88), vendet europiane me renditjen më të ulët. Edhe Italia që drejtohet nga kryeministrja Giorgia Meloni ka zbritur me tre vende duke u renditur në vendin e 46. Dhe në Evropën Lindore kushtet për të bërë gazetari po përkeqësohen për shkak të dezinformimit dhe censurës mediatike, nëpërmjet ngritjes së akuzave të pavërteta për terrorizëm ose për dëmtim të sigurisë kombëtare.

    Kështu po ndodh në Rusi (vendi 162), në Bjellorusi (vendi 167) dhe në Turkmenistan (i 175-ti), ndërkohë që në Gjeorgji, e cila ka zbritur 26 vende, duke u renditur e 103-ta, partia në pushtet po nxit politikën e afrimit me Moskën.

    Falë përmirësimit të treguesit të saj të sigurisë – më pak gazetarë të vrarë dhe treguesit politik, Ukraina është ngjitur 18 vende, duke u renditur e 61-ta.

    Afganistani, që përndjek pa rreshtur gazetarët qëkurse talebanët morën kontrollin në vend, Siria dhe Eritrea renditen në tre vendet e fundit, ku gjendja për gazetarët është “shumë e rrezikshme”.

    Indeksi i rendit Shtetet e Bashkuara në vendin e 55, me një rënie prej 10 vendesh, duke zbritur nga shtetet me gjendje “të kënaqshme” në ato “problematike” për lirinë e shtypit.

    “SHBA-të zbresin me 10 vende ndërsa përgatiten për zgjedhjet presidenciale 2024 mes rritjes së mosbesimit në media, e nxitur pjesërisht dhe nga antagonizmi i hapur dashakeq i zyrtarëve politikë ndaj saj, përfshirë dhe thirrjet për burgosjen e gazetarëve”, vëren Organizata “Reporterët Pa Kufij”. “Në disa raste të profilit të lartë, organet ligjzbatuese vendore kanë kryer veprime frikësimi, përfshirë bastisjen në redaksi dhe arrestimin e gazetarëve”.

    Në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, gjendja është “shumë e rrezikshme” në afro gjysmën e shteteve. Gjatë këtij viti, 8 vendeve të tjera – Jemenit, Arabisë Saudite, Iranit, Palestinës, Irakut, Bahreinit, Sirisë dhe Egjiptit, të shënuara me të kuqe në hartë, i janë bashkuar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Territoret palestineze, më vdekjeprurësit për gazetarët, renditen gjithashtu afër fundit të Indeksit. Katari është vendi i vetëm në këtë rajon, ku gjendja nuk cilësohet as “e vështirë” dhe as “shumë rrezikshme”.

    Organizata vlerëson se prej tetorit të vitit 2023, lufta në Gazë ka shënuar një numër rekord sulmesh kundër medias dhe gazetarëve. Mbi 100 reporterë palestinezë janë vrarë nga forcat e mbrojtjes izraelite, përfshirë të paktën 22 gazetarë të vrarë ndërsa ishin në punë.

    Përveç se është vendi me numrin më të lartë të gazetarëve të arrestuar në botë, qeveria e Kinës (e renditur në vendin e 172) vazhdon të ushtrojë kontroll të rreptë mbi kanalet e informacionit, me politika censuruese dhe kontrolluese, duke bërë rregullime të përmbajtjes në internet dhe duke kufizuar përhapjen e informacionit që konsiderohet i ndjeshëm ose në kundërshtim me linjën e partisë.

    Turqia ka vijuar të humbasë pikë në Indeks, duke u renditur në vendin e 158. “Reporterët Pa Kufij” vërejnë se burim për një farë shqetësimi përbën dhe rizgjedhja e Presidentit Recep Tayyip Erdogan. (VOA)