ATV

Category: Lajme

  • ​Beteja e fundit e gjysmëfinales së “Play-offit” mes Pejës dhe Yllit

    ​Beteja e fundit e gjysmëfinales së “Play-offit” mes Pejës dhe Yllit

    Nesër (e shtune) do të zhvillohet ndeshja e pestë dhe vendimtare e serisë gjysmëfinale të “Play-offit” të Superligës së Kosovës në basketboll mes KB Pejës dhe KB Golden Eagle Yllit.

    Cilado skuadër që e gjen fitoren nesër do t’i bashkohet në finale të “Play-offit” KB Trepçës, raporton KosovaPress.

    Rezultati aktual i serisë gjysmëfinale është 2:2. Therandasit fituan dy ndeshjet e para, 84:87 dhe 92:86, por kampionët iu kundërpërgjigjën në dy sfidat e radhës, 98:86 dhe 80:81.

    Pejanët kërkojnë finalen dhe të mbrojnë titullin e kampionit, kurse therandasit për të depërtuar në finale dhe për të rikthyer titullin e kampionit në Therandë.

    Gjysmëfinalja V

    E shtunë

    19:00 Peja – Golden Eagle Ylli

  • Kolegji AAB nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Ferizajt

    Kolegji AAB nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Ferizajt

    Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri i shoqëruar nga prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Bashkëpunim Venera Llunji dhe dekani i Fakultetit Ekonomik Medain Hashani, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e komunës të Ferizajt Agim Aliu.

    Palët gjatë nënshkrimit të marrëveshjes biseduan për fushën e arsimit dhe mundësitë e shumta të bashkëpunimit mes komunës së Ferizajt dhe Kolegjit AAB.

    Marrëveshja përfshin realizim të praktikës të studentëve në këtë komunë, aktivitete të përbashkëta, tryeza, konferenca, seminare, vizita dhe angazhim rreth hulumtimeve e studimeve të ndryshme, si dhe lloje tjera bashkëpunimi që ndërlidhen me pjesëmarrjen e dy palëve nënshkruese.

  • Hovenier me stafin e Ambasadës, një minutë heshtje për kolegët që ranë gjatë shërbimit jashtë vendit

    Hovenier me stafin e Ambasadës, një minutë heshtje për kolegët që ranë gjatë shërbimit jashtë vendit

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, bashkë me kolegët e tij nga ambasada sot kanë mbajtur një minutë heshtje përpara hyrjes së ambasadës.

    Hovenier tha se sot ambasada e ShBA-së në Prishtinë iu bashkua kolegëve nga e gjithë bota për të mbajtur një minutë heshtjeje në nderim të kolegëve të tyre të Shërbimit të jashtëm që humbën jetën gjatë shërbimit jashtë vendit.

    “Sot Ambasada në Prishtinë iu bashkua kolegëve në mbarë botën për të mbajtur një moment heshtjeje për të nderuar kujtimet e kolegëve tanë të Shërbimit të Jashtëm që humbën jetën gjatë shërbimit për Shteteve të Bashkuara jashtë vendit. I jemi mirënjohës për shërbimin dhe sakrificën e tyre dhe i kujtojmë me krenari në këtë Ditë të Punëve të Jashtme”, shkroi Hovenier.

    Po ashtu, gjatë ditës ambasada amerikane bëri të ditur se i kanë emërtuar tri salla të konferencave për nder të ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, nënoficerit të lartë, David Gibbs dhe nënoficerit tjetër të lartë, Kevin Reichert.

    Në njoftimin e ambasadës së ShBA-së në Kosovë, thuhet se emërtimi i këtyre sallave të konferencave shprehet mirënjohje për kontributin e tri figurave për avancimin e përpjekjeve të qeverisë amerikane për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik në Kosovë nga Sllobodan Millosheviqi.

  • “19 vende më poshtë sesa në vitin e kaluar” – Qeveria e pranon se ka pasur përkeqësim në fushën e lirisë së medias

    “19 vende më poshtë sesa në vitin e kaluar” – Qeveria e pranon se ka pasur përkeqësim në fushën e lirisë së medias

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Indeksit për Liri të Shtypit nga organizata joqeveritare, Reporterët pa Kufij, ku Kosova u rendit në vendin e 75-të, apo 19 vende më poshtë sesa vitin paraprak.

    Kryeziu ka bërë thirrje për mosdekurajim, pasi thotë se ky nuk ka qenë vit i lehtë. Madje ai thotë se janë dy çështje kryesore që kanë diktuar renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Mediave këtë vit.

    Rënia e nivelit të lirisë së mediave sipas tij ka ndodhur për shkak të ngjarjeve në veri dhe rastit Kan Kosova.

    “Pas dy viteve progres të theksuar në Indeksin e Lirisë të Mediave të RSF, renditja e sivjetme nuk duhet të na dekurajoj sepse nuk ka qenë një vit i lehtë, sidomos në aspektin e sigurisë marrë parasysh ngjarjet në veri. Përkundrazi, përballë një rreziku global të cenimit të lirisë së shtypit, besueshmërisë dhe pavarësisë së saj, është koha e duhur për të rikujtuar dhe ushtruar rolin që secili ka në mbrojtjen dhe fuqizimin e mediave të pavarura dhe profesionale, si një prej shtyllave kryesore të shoqërive demokratike”, shkroi Kryeziu në Facebook.

    Ai tha se në krahasim me raportin e vitit të kaluar, duket që janë dy çështje kryesore që kanë diktuar renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Mediave këtë vit.

    “E para, sulmet ndaj gazetareve e gazetarëve nga bandat kriminale të strukturave paralele të Serbisë në katër komunat në veri në mes muajve maj-korrik 2023, e që në raport qenkan përshkruar me një gjuhë neutrale: “sulmet ndaj gazetarëve janë rritur gjatë tensioneve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka shkruar tutje ai.

  • Babai i Triumf Rizës reagon pas verdiktit të Gjykatës ndaj Sekiraqës

    Babai i Triumf Rizës reagon pas verdiktit të Gjykatës ndaj Sekiraqës

    Gjykata Themelore e Prishtinës sot ka marrë vendim ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për shtytje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza, vrasje që ka ndodhur në vitin 2007.

    Në seancën e sotme, autoritetet e drejtësisë kanë vendosur që Sekiraqa të dënohet me 25 vjet burgim.

    Por me këtë dënim nuk është i kënaqur babai i policit të ndjerë Triumf Rizës. Ai ka thënë se nuk po mund të kuptoj se si në shoqërinë tonë janë më të vlefshëm kriminelet se sa një polic i cili ishte shpallur hero, pikërisht për luftën kundër bandave kriminale.

    “Është një gjykim që ka zgjatur më së shumti në historinë e Gjykatave të Kosovës për 17 vjet. Nuk po kuptoj qysh është e mundur me qenë në shoqërinë tonë me të vlefshëm kriminelet, se sa një polic që është në mbrotjen e ligjit dhe shtetit. Një polic që është shpallur hero pikërisht për luftën kundër bandave krininale. Denimi është i ulët. Se ky është vrasës kryesor. Nuk janë të tjerët, të tjerët i ka nxitur ky”, ka thënë ai.

  • Dënohet me 24 vjet burgim i akuzuari për dhunimin e dy vajzave të mitura në Prizren

    Dënohet me 24 vjet burgim i akuzuari për dhunimin e dy vajzave të mitura në Prizren

    Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj E.G., i akuzuar për veprën penale “Dhunimi”, duke e dënuar me burgim unik në kohëzgjatje prej 24 vitesh, raporton Gazeta Sinjali.

    Në njoftim e gjykatës bëhet e ditur se i njëjti akuzohej se i ka dhunuar dy vajza, nën moshën 14-vjeçare, njërën nga muaji nëntor 2023 e deri në mars 2024, kurse tjetrën nga një kohë e pacaktuar e deri në mars.

    “Nga muaji nëntor 2023, deri në 1 mars 2024, e detyron personin tjetër për të kryer aktin seksual të dëmtuarën (I) – nën moshën 14 vjeç,

    Me këto veprime kryen veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 8 dhe 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.9 lidhur me nenin 77 të KP-së.

    Nga koha e pavërtetuar deri në 1 mars 2024, e detyron personin tjetër për të kryer aktin seksual të dëmtuarën (II) – nën moshën 14 vjeç.

    Me këto veprime kryen veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 8 dhe 7 lidhur me paragrafin 4 pika 4.9 lidhur me nenin 77 të KP-së.”

    Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit E.G., e GJYKON:

    – DENIM UNIK ME BURGIM në kohëzgjatje prej 24 vitesh (në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01 mars 2024.

    – Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e Aktgjykimit.

    Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.” – thuhet në njoftim.

    Kundër këtij aktgjykimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

  • AGK fajëson Qeverinë se bëri fushatë denigruese kundër medieve në Kosovë

    AGK fajëson Qeverinë se bëri fushatë denigruese kundër medieve në Kosovë

    Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka ndikuar që raporti i “Reporterëve pa Kufij”, ta renditë Kosovën 19 pozita më poshtë sa i përket lirisë së medieve.

    Në një konferencë për media, Rexha tha se raporti në fjalë e identifikon fushatën denigruese të Qeverisë kundër medieve dhe gazetarëve.

    Kjo fushatë sipas tij është bërë për ta ulur nivelin e besimit të publikut në media.

    “Në vitet e fundit tregon regresin më të madh, për 19 pozita. Kjo renditje mund të mos jetë befasi për gazetarët e media për atë çka kemi përjetuar në vitin e fundit, por duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar. Më së shumti e kam fjalën për Qeverinë e Kosovës. Raporti i reporterëve pa kufi, identifikon fushatën denigruese të Qeverisë kundër medieve dhe gazetarëve për ta minimizuar efektin e punës së tyre dhe për ta ulur nivelin e besimit të publikut në media”, tha ai.

    Rexhaj tha se një nga arsyet e regresit është edhe përpjekja e Qeverisë së Kosovës për ta mbyllur mediumin Klan Kosova. Ai u shpreh se është në dorën e Qeverisë që të bëjë përpjekje ta përmirësojë këtë renditje.

    “Siguria e gazetarëve ka qenë shqetësim dhe këtë vit. Ka pasur 30 sulme ndaj gazetarëve në veri, ka cenu integritetin fizik të gazetarëve. Kemi pasur sulme fizike edhe në Prishtinë ndaj gazetarëve gra… Është në dorë të qeverisë ta përmirësojë këtë renditje duke mos e dërguar në miratim ligjin e ri të KPM-së, por duke u angazhuar në një angazhim serioz, me shoqërinë civile duke marrë parasysh vërejtjet”, tha ai.

  • Petkoviq thotë se iu ndalua vizita në Kosovë

    Petkoviq thotë se iu ndalua vizita në Kosovë

    Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se autoritetet në Kosovë ia kanë refuzuar kërkesën që të zhvillojë një vizitë në Kosovë për Pashkët Ortodokse gjatë fundjavës.

    Sipas një njoftimi të kësaj zyreje, Petkoviq gjatë kësaj vizite ishte parparë të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.

    “Ndonëse vizita ishte ekskluzivisht e karakterit fetar dhe përfshinte ekskluzivisht vizita në manastire dhe në vendet e shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe për serbët, pa qëllime politike, autoritetet në Prishtinë e ndaluan vizitën e tij pa asnjë shpjegim”, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

    Kjo zyrë tha se për më shumë se një vit, Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po e pengon Petkoviqin që të vizitojë serbët në Kosovë.

    “Këto ndalime [të vizitave] jo që janë të pabaza, por paraqesin edhe shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe atë për vizita zyrtare, veçmas kur bëhet fjalë për kryenegociatorin në dialog nga pala serbe”.

    Në të kaluarën, Kosova ka refuzuar kërkesat e parashtruara nga Petkoviq për të zhvilluar vizita, duke thënë se refuzimi ishte për shkak të “deklaratave provokuese”, raporton rel.

  • Enver Sekiraqa dënohet me 25 vite burgim

    Enver Sekiraqa dënohet me 25 vite burgim

    Gjykata e ka dënuar Enver Sekiraqën me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, , por ai lihet ne liri deri ne plotfuqishmërinë e vendimit. Gjykata ia ndërprenë masën e arrestit shtëpiak.

    Në seancën e fundit, më 29 prill, Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Sekiraqës derisa ky i fundit kishte deklaruar se me ish-policin s’kishte pasur probleme më herët.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

    Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

    Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

    Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

    Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

    Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthejë në paraburgim Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

    Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

    Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

    E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

    Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

    Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

    Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

    Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

    Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim. /BetimipërDrejtësi

  • ​Hoti: Në tri vitet e fundit shënohet regres në zhvillimin ekonomik e social

    ​Hoti: Në tri vitet e fundit shënohet regres në zhvillimin ekonomik e social

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se lufta e Qeverisë në tri vitet e fundit ndaj mediave, sindikatave, bizneseve dhe ndaj çdokujt që ka qenë kritik ka degraduar demokracinë në vend, zhvillimin ekonomik dhe për barazinë sociale.

    Reagimi i Hotit, vjen pasi Organizata “Reporterët Pa Kufij” ka publikuar Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit me ç’rast Kosova ka zënë vendin e 75 për dallim nga viti i kaluar që ishte në të 56-të, duke shënuar kështu rënie për 19 vende.

    “E kemi ngritur këtë shqetësim në vazhdimësi. Tani po dëshmohet nga tri raporte ndërkombëtare, të cilat i pranuam këto ditë: nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nga Freedom House dhe së fundmi nga “Reporterët pa Kufij”. Secili raport më negativ se tjetri. Ky i fundit, që merret me lirinë e mediave, na rendit për 19 pozita më poshtë. E vërteta është se që nga shpallja e pavarësisë, Kosova është ballafaquar me sfida në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, në luftimin e korrupsionit, në fuqizimin e mediave dhe shoqërisë civile dhe në avancimin e dialogut social”, ka shkruar Hoti.

    Sipas tij nga viti në vit është shënuar progres dhe Kosova ka qenë e renditur ndër vendet me demokracinë më funksionale në rajon. Derisa sipas Hotit në tri vitet e fundit, është shënuar regres në çdo dimension të zhvillimit ekonomik e social.