ATV

Category: Lajme

  • As gjysma e planit të tenderimit s’u realizua nga qeveria për vitin 2023

    As gjysma e planit të tenderimit s’u realizua nga qeveria për vitin 2023

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit nuk e kanë përmbushur as gjysmën e planit të prokurimit për vitin 2023. Nga 935 aktivitete të tenderimit të planifikuara, vetëm 336 janë realizuar, sipas një raporti të Iniciativës për Progres.

    “Për nga vlera, këto 935 aktivitete kanë pasur vlerë të përbashkët 442 milionë euro, ndërsa kontratat të cilat janë nënshkruar e kanë vlerën afro 84 milionë euro, apo 19 %”, tha Arbër Kabashi, hulumtues në INPO.

    Krahas kësaj, nga 952 kontrata, 463 janë nënshkruar pa qenë fare të planifikuara nga Autoritetet Kontraktuese.

    “Për nga vlera nga 112 milionë euro, 83 milionë euro është vlera e kontratave të planifikuara, ndërkohë 28 milionë euro është vlera e kontratave të cilat nuk kanë qenë të planifikuara”, tha Kabashi.

    Këto statistika, sipas Albulena Nrecaj nga INPO, tregojnë për keqplanifikim nga Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit.

    “Në atë plan të prokurimit nuk janë parapa nevojat dhe shërbimet reale që ata kanë nevojë t’i kontraktojnë, në mënyrë që të ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët. Në anën tjetër, flet për një mungesë të gatishmërisë për t’i adresuar problemet që paraqiten gjatë vitit, brenda aktiviteteve të prokurimit”, tha Nrecaj.

    Derisa Qeveria e ka realizuar vetëm 35% planin e prokurimit, vlerësohet se më së shumti e pësojnë qytetarët.

    “Anomalia më e madhe është mosrealizimi i investimeve kapitale ku dihet se këto investime luajnë rol kyç në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha Nrecaj.

    Ministria e Drejtësisë e ka tejkaluar planin e prokurimit për 311% ngase ka planifikuar vetëm 700.000 mijë euro, ndërsa ka nënshkruar kontrata në vlerë 2.6 milionë euro.

    Kurse, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e ka realizuar vetëm 4.17% të planit. MINT-i kishte planifikuar 18 milionë euro, teksa 14 milionë i takojnë rezervës shtetërore.

  • 25 vjet burgim për Enver Sekiraqa

    25 vjet burgim për Enver Sekiraqa

    Përgatiti: Nora Luta

    Për herë të tretë, Enver Sekiraqa është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

    Sekiraqa është dënuar me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, dhjetë më pak se Arben Berisha, i dënuar për vrasjen e ish-policit.

    Por, plotfuqishmërinë e vendimit të paktën deri në një vendim tjetër, Sekiraqa do ta presë në liri, pasi gjykata ia ndërpreu masën e arrestit shtëpiak.

    I zhgënjyer me vendimin e gjykatës është shprehur babai i Triumfit, Shefqet Riza.

    Në shpalljen e aktgjykimit nuk ishte i pranishëm Sekiraqa, e as avokatja Kosovare Kelmendi.

    Pjesëtari i Njësisë Speciale të Kosovës, Triumf Riza, është vrarë 17 vjet më parë, në moshën 27-vjeçare.

    Për vrasjen e tij është dënuar Arben Berisha me 35 vjet burgim, i cili e ka pranuar se e kreu veprën penale.

    Ndërkohë, gjykimi maratonik ndaj Sekiraqës, kishte nisur në vitin 2014.

    Në gjykimin e parë i ishte shqiptuar dënim unik prej 37 vjetësh burgim, por rasti ishte kthyer në rigjykim nga Apeli.

    Apeli e ktheu në rigjykim edhe në vitin 2020, një vit pasi ishte dënuar me 30 vjet burgim.

    Ndërkaq, në gjykimin e tretë u dëgjuan dy dëshmitarë për herë të parë. Arben Selmanaj, shok dhe koleg i Triumift, u dëgjua përmes video-lidhjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai gjatë dëshmisë kishte shprehur bindjen se Sekiraqa e kishte orkestruar vrasjen.

    Pas propozimit të PSRK-së që Selmanaj të dëgjohet, mbrojtja kishte propozuar Gjon Kqirën, i cili kryesisht paraqiti versionin e tij rreth incidentit në “Swiss Casino”.

    Gjatë këtij procesi dëshmoi edhe këngëtarja Adelina Ismajli dhe familjarë të saj, por seancat ishin të mbyllura për publikun.

    Ndërkohë, Sekiraqës iu ndryshua masa e sigurisë edhe më 9 shkurt të këtij viti, duke iu caktuar vetëm masa e paraqitjes në stacionin policor, por në fund të muajit Apeli e ktheu në arrest shtëpiak.

    Ai ishte në arrati për rreth pesë vjet.

    Në arrati ishte deri në korrik të vitit të kaluar edhe i dyshuari tjetër Ilir Abdullahu, kur edhe u arrestua, por ndaj tij aktualisht nuk ka aktakuzë.

  • “Reporterët pa kufij” Kosova shënon regres në lirinë e medias

    “Reporterët pa kufij” Kosova shënon regres në lirinë e medias

    Përgatiti: Sara Shehu

    Kosova është renditur 19 vende më poshtë në Indeksin vjetor të Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij. Këtë vit Kosova u rendit në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar kur ishte në vendin e 56-të.

    Raporti, sipas kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, duhet të jetë sinjal për Qeverinë.

    Në raportin e organizatës Reporterët pa Kufij, gazetarët në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, vazhdojnë të jenë “cak edhe i sulmeve politike”. Por pavarësisht rënies në indeks, Kosova qëndron më mirë se mediat në rajon.

    Derisa AGK-ja bashkë me misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Këshillin e Mediave të Shkruara organizuan një diskutim rreth sfidave të ruajtjes së standardeve profesionale dhe kodit të etikës gjatë raportimit, theksuan se Qeveria duhet të bëjë veprime konkrete në përmirësimin e situatës aktuale.

    “Sot është dita për ta festuar rolin vital të mediave në demokraci, për ta informuar publik dhe për t’i mbajtur autoritetet përgjegjëse. Nuk është keq që të kujtojmë sot që gazetarët duhet të ndihen në gjendje të mirë dhe të fortë, për ta bërë punën e tyre të lirë së pari. Raporti i Reporterëve pa Kufij e ka vendosur Kosovën në vendin e 75-të dhe nuk ka dyshim që në 12 muajt e fundit kemi pasur rritje të dhunës ndaj gazetarëve”, tha shefi i misionit të OSBE-së, Michael Davenport.

    Ndryshe, gazetarët e Kosovës vitin e shkuar ishin edhe cak i sulmeve fizike gjatë raportimeve nga veriu.

  • Faturat e KEDS-it tashmë mund t’i paguani edhe përmes platformës eKosova

    Faturat e KEDS-it tashmë mund t’i paguani edhe përmes platformës eKosova

    KESCO në bashkëpunim me platformën shtetërore eKosova, kanë krijuar mundësinë e pagesave të energjisë elektrike, por edhe për ta shikuar atë në mënyrë digjitale.

    Nga kjo kompani bëjnë të ditur se përpos pagesave në arkat e tyre, institucioneve financiare bankare dhe jobankare, si dhe aplikacionit eKesco, qytetarët e Kosovës dhe bashkëqytetarët nga diaspora mund të kryejnë pagesat shpejt dhe lehtë edhe përmes kësaj platforme.

    “Vlen të theksohet që për ta realizuar pagesën e energjisë elektrike në eKosova, secili konsumator fillimisht duhet ta përzgjedhë distriktin, varësisht regjionit, dhe më pas ta shkruajnë edhe shifrën e konsumatorit e cila është e veçantë dhe individuale për secilin. Psh: DPR 1234”, thuhet në njoftim.

    Tutje bëhet e ditur se pavarësisht se në cilën bankë jeni klientë, mjafton të keni një kartelë VISA ose MasterCard, për të vazhduar me hapat që u kërkohen për ta kryer pagesën. Banka që ju shfaqet gjatë kryerjes së pagesës është vetëm ndërmjetësuese, dhe transaksioni juaj realizohet në kohë reale, pa tarifë shtesë.

  • MPJD-ja konfirmon se Petkoviqit iu refuzua vizita në Kosovë

    MPJD-ja konfirmon se Petkoviqit iu refuzua vizita në Kosovë

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i është refuzuar vizita në Kosovë.

    Nga kjo ministri nuk treguan arsyet e refuzimit të kërkesës për vizitë.

    Më herët gjatë 3 majit, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se Petkoviqi kishte kërkuar që të vizitonte Kosovën për Pashkët Ortodokse gjatë fundjavës.

    Sipas një njoftimi të kësaj zyreje, Petkoviq gjatë kësaj vizite ishte paraparë të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.

    “Ndonëse vizita ishte ekskluzivisht e karakterit fetar dhe përfshinte ekskluzivisht vizita në manastire dhe në vendet e shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe për serbët, pa qëllime politike, autoritetet në Prishtinë e ndaluan vizitën e tij pa asnjë shpjegim”, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

    Kjo zyrë tha se për më shumë se një vit, Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po e pengon Petkoviqin që të vizitojë serbët në Kosovë.

    “Këto ndalime [të vizitave] jo që janë të pabaza, por paraqesin edhe shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe atë për vizita zyrtare, veçmas kur bëhet fjalë për kryenegociatorin në dialog nga pala serbe”.

    Edhe në të kaluarën, Kosova ka refuzuar kërkesat e parashtruara nga Petkoviq për të zhvilluar vizita, duke thënë se refuzimi ishte për shkak të “deklaratave provokuese”.

    Ndërkaq, në janar të këtij viti, Serbia ia refuzoi kërkesën për vizitë ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Ai kishte planifikuar që të vizitonte komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë të banuara me shqiptarë.

    Çështja e vizitave zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë rregullohet përmes një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë ato./REL/

  • ​Këto dy ministri nënshkruan marrëveshje për energji më të pastër me MCA-Kosova

    ​Këto dy ministri nënshkruan marrëveshje për energji më të pastër me MCA-Kosova

    Një hap i rëndësishëm në peizazhin energjetik të Kosovës është shënuar, pasi u nënshkruan marrëveshjet kyçe ndërmjet Qeverisë dhe MCA-Kosova. Ministria e Ekonomisë nënshkroi Marrëveshjen e Entit Zbatues (IEA) me MCA-Kosova për Aktivitetin Multifunksional të Ruajtjes së Energjisë (MFES), ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me (Millenium Challenge Acount – Kosova) MCA-Kosova për Energjinë dhe Aktivitetin e Mbështetjes së Politikave Klimatike në kuadër të Programit Kompakt.

    Në njoftim thuhet se këto marrëveshje janë thelbësore për zbatimin e suksesshëm të aktiviteteve të Kompaktit, të cilat janë komponentë integrale të strategjisë së Kosovës për rritjen e sigurisë energjetike dhe kalimin në burime më të pastra të energjisë.

    “Pothuajse 2 milionë njerëz do të përfitojnë nga Programi Kompakt, investim ky në energji, më i madhi në 50 vitet e fundit. Deri në përfundim, Kosova pritet të ketë më së shumti ruajtje të baterive për kokë banori në botë”, citohet Florina Duli – Sefaj, kryeshefe ekzekutive e MCA-Kosova.

    Më tej thuhet se në mënyrë të veçantë, aktiviteti i MFES-it synon të mbështesë sigurinë energjetike të Kosovës dhe tranzicionin në një të ardhme me energji më të pastër, duke përdorur sistemet e ruajtjes së energjisë për rezerva, duke siguruar disponueshmërinë e sistemeve të magazinimit dhe duke reduktuar kostot për të siguruar energji adekuate për Kosovën.

    “Programi është hartuar dhe negociuar në një mënyrë që e vendos pronësinë e shtetit në qendër, një vlerë thelbësore e MCC-së që ne e vlerësojmë shumë. Ne jemi të përkushtuar që ta implementojmë programin me sukses dhe në kohë, e që Kosova të merret si shembull i suksesit kur flitet për programet e MCC-së”, citohet ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në komunikatë.

    Sipas njoftimit, në mars të vitit 2024, Qeveria e Kosovës ndërmori një hap të rëndësishëm duke krijuar strukturën e pronësisë së Ndërmarrjes Publike “Korporata për Ruajtjen e Energjisë” (KRE). KRE është vendosur të zotërojë dhe operojë rreth 125 MË për dy orë (ekuivalente me 250 MËh) të një ose më shumë sistemeve të ruajtjes së energjisë së baterive dhe sistemeve të tjera potenciale të ruajtjes së energjisë elektrike.

    Ministri Liburn Aliu ka theksuar se bashkë me Ministrinë e Ekonomisë dhe MCC-në, po fillojmë bashkëpunimin për një qasje sistematike për llogaritjen e gazrave serrë, kështu për të ndihmuar për Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe sektorin e tyre të ri për inventarin e GS.

    “Gjithashtu, do të ketë ndihmë për Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, për të trajnuar dhe rritur kapacitetet e stafit përkatës, për të kuptuar më mirë teknologjitë e ruajtjes së baterive dhe mënyrën e trajtimit të anës së vlerësimit të ndikimit mjedisor të këtyre projekteve”, ka pohuar Aliu, thuhet në njoftim.

    Po ashtu në njoftim thuhet se të dyja ministritë po shërbejnë si partnerë qeveritarë në zbatimin e asistencës teknike të financuar nga Kompakti.

    Marrëveshja e Entit Zbatues dhe Memorandumi i Mirëkuptimit janë pjesë e Programit Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Programi Kompakt MCC prej 202 milionë dollarësh, së bashku me një kontribut prej 34.6 milionë dollarësh nga Qeveria e Kosovës, e çon totalin në 236.6 milionë dollarë.

    “Kjo iniciativë adreson sfidën e furnizimit jo të besueshëm me energji elektrike në Kosovë, përputhet me prioritetet e zhvillimit kombëtar dhe energjetik të qeverisë, dhe synon të ulë varfërinë dhe të nxisë rritjen e qëndrueshme ekonomike në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

  • Begaj, “Qytetar Nderi” i arbëreshëve të Kalabrisë

    Begaj, “Qytetar Nderi” i arbëreshëve të Kalabrisë

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj nga dita e sotme është “Qytetar Nderi” i arbëreshëve të Kalabrisë.

    Këtë titull, të parit të shtetit, ia dhuroi Pallagorio, komunë në Provincën e Krotones.

    Këshilli i kësaj komune i drejtuar nga kryebashkiaku Umberto Lorecchio, vendosi me unanimet të plotë të nderojë Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, me titullin “Qytetar Nderi”, i Pallagorios.

    Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen e tij më të thellë duke theksuar se, e çmon jashtëzakonisht respektin dhe vlerësimin e tyre. “Ju siguroj, – u shpreh Presidenti Begaj, – që do të vijoj angazhimin tim e të institucionit që drejtoj, për të zhvilluar më tej marrëdhëniet midis arbëreshëve dhe shqiptarëve.”

    Kryetari i Shtetit e cilësoi nderimin e sotëm nga arbëreshët e Pallagorios, “si një nga momentet në jetë që të shënjon shumë fort, të lë mbresa të pashlyeshme, por edhe është një përgjegjësi dhe angazhim për të vijuar nismat për Arbërinë.”

  • Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për veprën penale “Dhunimi”

    Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për veprën penale “Dhunimi”

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me iniciale Xh.D., nga fshati Dubravë – komuna e Ferizajt, për shkak të dyshimit të veprës penale “Dhunimi” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 01 dhe 02 Maj të vitit 2024, saktësisht në motelin “XXL”, i pandehuri Xh.D., me dashje e detyron të dëmtuarën- si viktimë e ndjeshme për shkak të aftësive të kufizuara mendore, të kryej akt seksual dhe për ta bindur që të kryej akt seksual, i pandehuri ndaj saj ushtron edhe dhunë fizike dhe në fund pas dy dite, i pandehuri me të njëjtën veturë që kishte marr të dëmtuarën e dërgon në të njëjtin vend ku e kishte marr dhe e lë në rrugë, me çka ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.7 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    I pandehuri, me vendim të Prokurorit të Shtetit, që nga data 03 Maj 2024, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.

  • Policia: Kujdes nga mashtrimi përmes investimeve të dyshuara online

    Policia: Kujdes nga mashtrimi përmes investimeve të dyshuara online

    Çdo ditë keqbërësit kibernetikë tentojnë të kryejnë sulme kibernetike të llojeve të ndryshme, duke shpresuar apo duke synuar që të gjejnë një viktimë të radhës, që mund të jetë secili prej nesh. Viktima të krimit kibernetik mund të jenë të gjitha shtresat e shoqërisë, dhe pasojat në shumë raste mund të jenë mjaft të mëdha si në aspektin psikologjik, fizik por edhe në aspektin material.

    Policia e Kosovës ka kërkuar që të ngritet vigjilenca te popullata karshi këtyre fenomeneve.

    Së fundi, keqbërësit kibernetikë janë duke aplikuar një formë mashtrimi përmes së cilës i joshin përdoruesit e internetit që të investojnë në platforma të ndryshme online.

    Kjo formë e mashtrimit përfshin investimin në kinse kriptovaluta përmes platformave të ndryshme fiktive që dyshohen se janë skema piramidale.

    Me qëllim që të minimizojmë kërcënimet kibernetike dhe qytetarët të mos bien viktimë e tyre, Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes nga investime në platforma të panjohura të internetit.

    Në vijim janë disa metoda të cilat përdoren nga keqbërësit për të joshur viktimat të investojnë në skema mashtrimi përmes internetit:

    Fitim i shpejtë dhe i garantuar;Fitim në vlera joproporcionale dhe i pabazuar në trendin e kriptovalutave; Ftesa për regjistrime në platforma përmes linqeve të ndryshme, përfshirë një kod personal përmes të cilit ju jeni ftuar për t’u regjistruar në platformë dhe ju mund të ftoni persona tjerë të investojnë dhe për secilin person të regjistruar ju merrni një shumë nga investimi; Me qëllim të “bindjes” së përdoruesve se këto platforma janë gjoja të vërteta, në raste shumë të rralla disa persona shpërblehen duke iu kthyer mjetet;Prezantim i rrejshëm i certifikatave të ndryshme për t’u dukur kinse janë platforma investimi të vërteta; Platformat e investimeve janë të thjeshta, nuk kërkojnë shumë të dhëna për t’u regjistruar;Platformat nuk janë të regjistruara në institucione financiare;Njoftimi se e-mail adresa e juaj, numri i telefonit apo llogaria në rrjete sociale është përzgjedhur fituese;Investimi tingëllon shumë i mirë për të qenë i vërtetë (p.sh.: Investo 200 euro për të marrë 400 euro brenda tri ditëve);

    Si të mbroheni:

    Kërkoni në burime të hapura për platformën e caktuar dhe shikoni vlerësimet e bëra në internet; Hulumtoni nëpër forume online dhe informohuni për platformën apo për projektin; Nëse investimi është për kriptovaluta të reja shikoni dhe vlerësoni projektin e valutës; Kontrolloni nëse kriptovaluta dhe projekti janë të regjistruara dhe janë të rregulluara nga institucione përkatëse financiare; Analizoni dhe vlerësoni rrezikun e kthimit në fitim! Nëse fitimi është joproporcional dhe nuk është e qartë se si funksionon kthimi i fitimit konsideroni se kjo mund të jetë skemë piramidale; Skemat piramidale mbështeten në një fluks të vazhdueshëm investitorësh të rinj, për të paguar kthime për investitorët e mëparshëm. Ata mund të përdorin metoda të ndryshme referimi ose taktika marketingu, për të nxitur investitorët ekzistues për të rekrutuar të rinj. Konsultohuni me profesionistë që i njihni;Nëse jeni viktimë e këtyre mashtrimeve, i raportoni ato në stacionin më të afërt policor; Kujdes nga MASHTRIMET ME INVESTIME ONLINE!!! Mendoni dy herë para se të investoni online!

  • Avokati i Popullit dhe institucionet e vendit diskutojnë për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga CPT

    Avokati i Popullit dhe institucionet e vendit diskutojnë për zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga CPT

    Avokati i Popullit në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, mbajti tryezën e rrumbullakët me qëllim të diskutimit për zotimet që kanë dhënë Institucionet e Republikës së Kosovës për përmbushjen e rekomandimeve të dhëna nga Komiteti për Parandalimin e Torturës (CPT) i Këshillit të Evropës, pas vizitës së realizuar në tetor të vitit 2020.

    Pas kësaj vizite, CPT-ja ka dhënë 100 rekomandime dhe 14 kërkesa për informata nga autoritetet relevante, si Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Ministria e Drejtësisë (MD), Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Ministria e Financave dhe Transfereve.

    Takimi u mirëprit nga pjesëmarrësit të cilët edhe ishin përgjigjur në rekomandimet dhe kërkesat e CPT-së, si dhe njoftuan se nga koha e dhënies se këtyre përgjigjeve, ka zhvillime të reja por edhe ngecje në disa rekomandime.

    Në takim morën pjesë përfaqësues nga MPB, MD, MSH, Policia e Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Institucionet e Shëndetit Mendor, Inspektorati Policor i Kosovës, Këshilli Prokurorial, Instituti i Mjekësisë Ligjore, si dhe nga zyra e zëvendës Kryeministres.

    Të pranishmit u pajtuan që informatat plotësuese do të përcillen tek Zyra për Qeverisje të Mirë deri më 20 maj, ndërsa më 28 maj planifikohet të mbahet takimi i radhës, ku do të jenë të ftuar edhe autoritetet mbikëqyrëse dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

    Avokati i Popullit tha se është e rëndësishme zbatimi i rekomandimeve sepse ndikon në imazhin e Kosovës dhe në vlerësim të progresit nga institucionet ndërkombëtare që vendi ka arritur në rrugën e integrimeve dhe synimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, e që ndërlidhen me përparimin e respektimit të të drejtave të njeriut.