Të premten në Prishtinë, dy persona të maskuar kanë tentuar të hedhin lëndë djegëse në një shkollë të Prishtinës, për t’ia vënë zjarrin.
Të dyshuarit të maskuar kanë thyer dritaren e objektit të shkollës.
Pasi janë hetuar nga personeli i shkollës, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur.
“Raportohet se dy persona të panjohur, të maskuar, duke thyer dritaren e objektit të shkollës, kanë hedhur lëndë djegëse-benzinë dhe kanë tentuar t’ia vunë zjarrin, por pasi janë diktuar nga personeli i shkollës të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Është njoftuar prokurori, rasti vazhdon të hetohet”, shkruhet në raportin e Policisë.
Policia e Kosovës bën të ditur se rasti po vazhdon të hetohet.
Për zhdukjen e vajzës, në Polici ka raportuar babai i saj, i cili ka bërë të ditur se nuk e di vendndodhjen e vajzës së tij që nga data 1 maj.
Rasti është në procedurë hetimore.
“Me 03.05.2024 një mashkull kosovar ka raportuar se vajza e tij (16 vjeç) ishte larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj. Rasti në procedurë hetimore”, njofton Policia e Kosovës.
Një grua ka vdekur dje në repartin e Gjinekologjisë në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Lidhur me rastin, Policia tashmë ka nisur hetimet.
Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se, sipas mjekëve, viktima ishte pranuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
“HETIM I VDEKJES – Spitali Rajonal, Prizren 03.05.2024 – 07:46. Në repartin e Gjinekologjisë të Spitalit Rajonal Prizren, ka ndërruar jetë viktima femër. Sipas mjekëve viktima ishte pranuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, do të vizitojë Evropën javën e ardhshme për herë të parë në pesë vjet.
Ai do të vizitojë Serbinë, Francën, dhe Hungarinë.
Vizita vjen pasi Kina po përpiqet të shmangë një luftë tregtare me BE-në, ndërsa qëndrimet ndaj Pekinit në bllok po forcohen pas skandaleve të shumta të spiunazhit dhe mbështetjes së vazhdueshme të Kinës për Rusinë në luftën në Ukrainë.
Vizita e parë e Xi do të jetë Parisi, raporton The Guardian.
Të hënën ai do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Zyra për Media e Qeverisë së Kosovës ka njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Gjermani për të marrë pjesë në konferencën e Partisë së Socialistëve Evropianë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar sot për në Berlin të Gjermanisë ku do të marrë pjesë në konferencën e nivelit të lartë të Partisë së Socialistëve Evropianë (PES) me titull “Qëndrojmë bashkë – për Evropën tonë” (We stand together – for our Europe)”, thuhet në njofitmin e ZKM-së.
Kjo konferencë e radhës e PES po organizohet në kuadër të përgatitjeve të partive socialiste për zgjedhjet evropiane të qershorit.
Një grua dogji një kopje të Kuranit në qytetin suedez të Malmos, një javë para fillimit të Eurovizionit.
Një video që tregon një grua duke mbajtur një kryq në njërën dorë dhe në tjetrën kishte librin e shenjtë të myslimanëve duke u djegur është transmetuar drejtpërdrejt në TikTok.
Gjatë incidentit jo shumë larg dy sallave ku do të mbahet festivali evropian i muzikës është djegur edhe flamuri palestinez, shkruajnë mediat.
Kujtojmë se edhe javën e kaluar, po e njëjta grua, gati në të njëjtën mënyrë ka vepruar në zonën Skarholmen në periferi të kryeqytetit suedez, Stokholm.
Rreth 300 qyetatarë dhe dhjetëra oficerë policie ishin në vennngjarje përpara djegies së Kuranit.
Djegia e Kuranit në Danimarkë dhe Suedi vitin e kaluar shkaktoi reagime të zemëruara dhe nganjëherë protesta të dhunshme në vendet me shumicë myslimane, por në Suedi akti bie nën ligjin për lirinë e fjalës dhe është i ligjshëm.
Duke filluar nga nesër, një javë me koncerte dhe festa të shumta do të mbahet në këtë qytet jugor, duke kulmuar në finalen e madhe të Eurovizionit më 11 maj.
Mbi 100 mijë njerëz pritet të vizitojnë Malmon gjatë javës së Eurovizionit.
Për të shtunën parashikohet fillimisht të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu të intensitetit të ndryshueshëm, të pranishme në pjesën dërrmuese të Kosovës që nga orët e para të 24-orëshit e deri në orët e mëngjesit.
Gjatë ditës priten vranësira të pjesshme, përderisa reshjet do të reduktohen, duke mbetur të pranishme vetëm në zona të caktuara, kryesisht në formë të rrebesheve kalimtare, të shoqëruara me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.
Era do fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, e cila në momente të veçanta pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-50 km/h!
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 8 deri në 10°C, ndërsa ato maksimale prej 15 deri në 19°C.
Që nga sot, rastet sociale të kryeqytetit mund të pajisjen me produkte të ndryshme nga ky dyqan.
Dyqani i parë social bamirës, i cili u hap të premten, përmban produktet esenciale, nga ato ushqimore e deri tek ato higjienike.
Në hapjen e dyqanit i pranishëm ishte edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj. Ai tha se familjet nevojtare mund të vijnë pa hezitim, madje kishte menduar edhe për ata që nuk kanë mundësi transporti.
Hapja e dyqanit u bë në bashkëpunim me shoqatën “Bereqeti”.
Ndërkaq, një familje nevojtare do të ketë një shumë të caktuar brenda muajit, të cilën mund ta shfrytëzojë në këtë dyqan.
Mësimdhënësit që tashmë mbushin 7 vjet përvojë pune, së shpejti gjatë këtij viti do të kenë mundësi të aplikojnë për licencën e avancuar.
Licenca, sipas Ministrisë së Arsimit, do t’iu mundësojë edhe rritje të pagës.
“Nënkupton dy pjesë të provimit, atë me shkrim dhe e dyta nga inspektorati. Për këtë licencë mësimdhënësit do të kenë ngritje të pagës dhe kemi mendu që të jetë 1.2 e vlerës së koeficientit, që nëse e shohim me koeficientin që është sivjet, i bie diku 140 euro shtesë për mësimdhënësit e dalluar”, ka thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Mundësinë e licencimit e ka mirëpritur Sindikata e Bashkuar e Arsimit, pasi deri më tani një licencë të tillë nuk e posedon asnjë nga mësimdhënësit.
Ndërkohë, në nivel vendi, sipas Ministrisë së Arsimit, janë 750 mësimdhënës që kanë mundësi t’i nënshtrohen këtij provimi.
Ndërkohë, MASHTI është në fazën finale të përgatitjes së platformës digjitale për procesin e aplikimit dhe pajisjen me licencë të mësimdhënësve, platformë e cila do të lansohet në e-Kosova.
Errësimit të xhamave me letër ngjitëse ua panë sherrin qindra qytetarë në Ferizaj.
Vetëm gjatë muajit prill, Policia në këtë qytet gjobiti plot 222 qytetarë që errësuan xhamat e automjeteve.
Por nuk dihet se mbi cilin nen u bazuan policët kur shqiptuan gjobat, meqë ligji i ri i cili hyri në fuqi më 3 prill nuk parasheh gjobë për këtë kundërvajtje.
Polica tha shkurt se u bazua në ligj.
“Ju njoftojmë se edhe me Ligjin e ri Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve rregullohet përdorimi i xhamave të errët në mjet, andaj bazuar në këto akte ligjore dhe nënligjore, policia do të shqiptojë gjobë ndaj kundërvajtësve që bëjnë shkelje të këtyre ligjeve”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Por ligjet e aktet nënligjore që i përmendi policia, në asnjë rast nuk i specifikojnë gjobat. Derisa ligji për trafikun rrugor nuk përmend askund decidivisht errësimin e xhamave, ai për automjete rregullimin e kësaj çështjeje e parasheh me akt nënligjor.
Por as udhëzimi administrativ të cilit i referohet policia nuk specifikon dënim, vetëm se parasheh mënyrën e përdorimit.
Andaj juristët konsiderojnë se këto gjoba janë të jashtëligjshme.
“Natyrisht gjobat janë të paarsyeshme, të padrejta dhe të paligjshme, sepse asnjë kundërvajtje dhe asnjë dënim tjetër nuk mund të shqiptohet pa ekzistimin e bazës ligjore, në këtë rast ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor nuk e ka parapa si dënim të veçantë, apo gjobë të veçantë specifike errësimin e xhamave”, tha Visar Rrecaj, avokat.
Errësimi i xhamave ishte i rregulluar me ligjin paraprak, por sipas Rrecajt, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, i vjetri shfuqizohet. Sidoqoftë, me a pa të drejtë, policia tha se do të vazhdojë me shqiptimin e gjobave për këto kundërvajtje.