ATV

Category: Lajme

  • IKSHPK bën thirrje: Pastroni duart, shpëtoni jetë

    IKSHPK bën thirrje: Pastroni duart, shpëtoni jetë

    Sot më 5 maj shënohet Dita Botërore e Higjienës së Duarve.

    Me këtë rast, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, bën thirrje që t’i kushtohet rëndësi kësaj.

    IKSHPK i fton sidomos punëtorët shëndetësor për ta rritur sigurinë e pacientëve.

    “A e dini? Shumë objekteve të kujdesit shëndetësor u mungojnë shërbimet elementare të higjienës së duarve. Këtë #DitëBotëroretëHigjienëssëDuarve, le të angazhohemi të përshpejtojmë veprimet duke investuar në shërbimet e ujit, kanalizimeve dhe higjienës”, thekson Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

  • Axhanqiq: Unë takohem me Kurtin hapur, të tjerët fshihen

    Axhanqiq: Unë takohem me Kurtin hapur, të tjerët fshihen

    Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës Veriore, Katarina Axhanqiq, ka thënë se gjatë 15 ditëve të fundit është takuar dy herë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa për dallim nga shumë politikanë serbë të veriut dhe pjesëve tjera të vendit, të cilët siç u shpreh, takohen fshehurazi me të, ajo tha se një gjë të tillë e bënë hapur dhe publikisht.

    Ajo gjatë një interviste për KosovaPress, bëri të ditur se me kryeministrin Kurti përveç anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KE), kanë biseduar edhe për tema të ndryshme të cilat ndikojnë në përmirësimin e standardit jetësorë të qytetarëve të veriut.

    Axhanqiq peticionin e suksesshëm për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore dhe pastaj dështimin e referendumit në veri, i quajti politika të larta.

    Sipas saj, komunikimi në mes të institucioneve lokale dhe atyre qendrore është i pashmangshëm dhe duhet të ekzistojë për të mirën e qytetarëve.

    Në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në KE, ajo tha se është një gjë e duhur që duhet të kryhet sa më parë.

    Nënkryetarja e Mitrovicës Veriore, theksoi se deri tani nuk është sulmuar asnjëherë nga askush për shkak të bashkëpunimit të saj me institucionet e Republikës së Kosovës, ndonëse nuk e përjashton një gjë të tillë në të ardhmen.

    Duke folur për procesin e regjistrimit të popullsisë, ajo tha se statistika është shkencë e pamëshirshme dhe se numrat tregojnë gjithçka, andaj ka ftuar qytetarët serbë të veriut t’i përgjigjen pozitivisht këtij procesi.

  • Osmani uron Pashkët ortodokse: Të mbizotërojë paqja dhe respekti në mbarë botën

    Osmani uron Pashkët ortodokse: Të mbizotërojë paqja dhe respekti në mbarë botën

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u ka uruar festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve ortodoksë.

    Osmani ka thënë se kjo festë le të sjellë gëzim te besimtarët ortodoksë dhe shpresë për paqe e harmoni mes njerëzve në mbarë botën.

    “Sot besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët. Kjo festë le të sjellë gëzim te besimtarët ortodoksë dhe shpresë për paqe e harmoni mes njerëzve në mbarë botën. Pashkët ortodokse janë pjesë e traditës së Kosovës për kremtimin e festave në frymën e mirëkuptimit, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë. Shpresa, besimi dhe optimizmi për paqe, harmoni dhe shëndet e përcjellshin këtë festë në secilën familje të besimtarëve ortodoksë. Për shumë mote, gëzuar Pashkët ortodokse”, citohet Osmani në urimin e Zyrës së Presidentes.

    Besimtarët ortodoksë sot kremtojnë ngjalljen e Jezu Krishtit në meshën e pashkëve, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq. Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve.

  • Nderohen dëshmorët, Ramosaj: Deçani dha djem e vajza të devotshëm për lirinë e Kosovës

    Nderohen dëshmorët, Ramosaj: Deçani dha djem e vajza të devotshëm për lirinë e Kosovës

    Nderohen dëshmorët, Ramosaj: Deçani dha djem e vajza të devotshëm për lirinë e Kosovës

    Në kuadër të Ditës së dëshmorëve dhe martirëve të kombit në Komunën e Deçanit, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë kjo komunë dha njerëz të devotshëm për lirinë e Kosovës, prandaj sipas tij, është obligim i yni për një zhvillim ekonomik të Deçanit dhe Kosovës.

    Në seancën solemne në përkujtim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit nga kjo komunë, kryetari Ramosaj, është shprehur se pa sakrificën e dëshmorëve, Kosova nuk do ta kishte lirinë dhe nuk do të ishte shtet.

    “Ne na bënë shumë nder, sepse jemi të kësaj komune, e kjo komunë ka pasur shumë njerëz të devotshëm në këtë përkushtim, dhe ka pasur njerëz të gatshëm për të vdekur për këtë vend. Pa këto rënie heroike, pa këtë çmim, nuk kishim ardhur deri tek liria, nuk kishim mundur as me e pas shtetin. Nderi për neve është edhe obligim, edhe krenaria duhet të jetë obligim. Obligimi më i madh që ne sot e kemi brezi jonë, që dikur i kemi pasur bashkëluftëtarë që i kujtojmë sot, është obligimi për një zhvillim ekonomik të këtij qyteti e shteti. Unë jam i sigurt, që kjo trashëgimi, përpos brezit tonë, do të respektohet dhe nderohet përjetësisht nga të gjithë pasardhësit derisa kjo botë të ekzistojë”, ka thënë Ramosaj.

    Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se e vetmja mënyrë që të garantojmë ekzistencën tonë të paprekshme është që Kosova të hyjë në NATO.

    “Në hartën e lirisë së kombit tonë, për fat të mirë ne e zëmë një vend të ndritur si Deçan, si qytetarë të kësaj pjese të hartës së kombit. Ne duhet të dimë se cilat do të jenë fitoret tona të ardhshme, duhet të kemi një qëllim apo fitore që synojmë. E vetmja mënyrë që të garantojmë ekzistencën tonë të paprekshme është të hymë në NATO, nuk ka të bëjë vetëm me i servuar dikujt, nuk ka të bëjë me fitua ndonjë vend politik dhe me kundërshtuar dikë por ka të bëjë të sigurojë sakrificën, gjakun e gjithë atyre brezave. Duhet të hymë në NATO, të gjitha të tjerat janë gënjeshtra, mashtrime, na marrin në qafë”, është shprehur Haradinaj.

    Po ashtu, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Deçanit, Hajdar Sutaj ka shtuar se shtimi i dhunës mbi shqiptarët gjatë viteve 80-ta dhe 90-ta, nxjerrin në pah një brez i cili ishte i bindur që mënyra e vetme që do ta dërgonte vendin tonë tek liria dhe pavarësia është lufta e armatosur, e cila njihet si Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

    “Sot dhe asnjëherë, nuk harrojmë dhe nderojmë me respekt familjet e të zhdukurve, të cilët edhe 24 vjet pas lufte ende nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre. Pas shumë përpjekjeve të rezistencës në forma të ndryshme të popullit tonë, shtimi i dhunës mbi shqiptarët gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta nxjerrin në pah një brez i cili me të drejtë ishte i bindur që vetëm lufta e armatosur do ta dërgonte vendin tonë tek liria dhe pavarësia e që më vonë do të njihej si Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka shtuar ai.

    Pas përfundimit të seancës së Kuvendit, drejtues të komunës kanë bërë homazhe tek shtatoret e dëshmorëve, Luan Haradinaj, Mentor Tolaj, Sali Çeku e Beg Rizaj.

  • Serwer: Zyrtarët në ShBA dhe Evropë janë të përgatitur ta tolerojnë dhe ta shpërblejnë Vuçiqin

    Serwer: Zyrtarët në ShBA dhe Evropë janë të përgatitur ta tolerojnë dhe ta shpërblejnë Vuçiqin

    Analisti i njohur amerikan, Daniel Serwer ka akuzuar qeverinë e re të Serbisë për përfshirje në radhët e saj të ministrave të sanksionuar nga ShBA për korrupsion dhe pro-rus, teksa për kryeministrin e ri rikujtoi se udhëhoqi ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë kur ajo ishte bashkëpunëtore në sulmin terrorist në Banjskë.

    Serwer në një shkrim autorial në ‘Peacefare’ ka thënë se Qeveria e re e Serbisë përfaqëson një kthesë të mëtejshme drejt së djathtës etno-nacionaliste, anti BE.

    Megjithatë, sipas tij zyrtarët në SHBA dhe Evropë janë të përgatitur ta tolerojnë dhe madje ta shpërblejnë Vuçiqin.

    “Disa kanë frikë se çdo alternativë mund të jetë më e keqe. Të tjerët nuk duan të pranojnë dështimin e tre viteve të ecjes së lehtë ndaj Vuçiqit. Të tjerë ende imagjinojnë se thërrimet që ai shpërndan në drejtimin perëndimor, serbët që përdorin targa dhe dokumente identiteti të Kosovës – mund të parashikojnë përmirësim për çështje më të mëdha. Predhat dhe plumbat që Serbia lejon për të arritur në Ukrainë mund të ndikojnë në disa, ndonëse me siguri sasi të ngjashme – nëse jo më shumë – arrijnë në Rusi”, tha ai. Profesori amerikan Daniel Server, thotë se vetëmashtrimi është një pjesë e madhe e kësaj historie. “Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do të zbatojë marrëveshjet që SHBA dhe BE i konsiderojnë si ligjërisht të detyrueshme. Beogradi e ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo përkundër kualifikimeve të tij dhe përfitimeve që mund të kenë prej tyre serbët e Kosovës. Me siguri amerikanët dhe evropianët inteligjentë e kuptojnë se pjesëmarrja serbe në stërvitjet e NATO-s gjeneron një rrjedhë të konsiderueshme të inteligjencës në Rusi”, tha ai.

  • Knaus: Kemi një zonë lufte – ne duhet të zgjerohemi në paqe, Kosova sa më shpejt duhet të anëtarësohet në KiE

    Knaus: Kemi një zonë lufte – ne duhet të zgjerohemi në paqe, Kosova sa më shpejt duhet të anëtarësohet në KiE

    Eksperti evropian që udhëheq Nismën Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus thotë se kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës me krijimin e Asociacionit, do të ishte gabim dhe do të bënte të pamundur realizimin e asnjërit prej tyre, raporton Sinjali.

    Gjithashtu, Knaus përmend faktin se në Evropë në 30 vitet e fundit ka qenë zonë lufte në vendet e Ballkanit, dhe thotë se duhet ta zgjerojnë zonën e paqes për këtë është më rëndësi që edhe Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

    “Duhet të argumentojmë për këtë gjë, është çështje lufte ose paqeje. Nëse e sheh Evropën, nëse i shikon 50 shtetet që i kemi sot në Evropë, atëherë secili shtet që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian apo në NATO, ka patur konflikt në 30 vitet e fundit. Luftë, kolaps të shtetit si në rastin e Shqipërisë gjatë viteve të ’90, represion të shkallës së gjerë, si në Bjellorusi, ose luftë, luftë civile dhe pushtim. Secili shtet, përveç Mali të Zi, ka patur luftë në territorin e vet. Kemi një zonë lufte dhe një zonë paqe në Evropë në 30 vitet e fundit, në periudhën e pas Luftës së Ftoftë, dhe na duhet ta zgjerojmë zonën e paqes. Kosova dhe Ballkani duhet të bëhen pjesë e kësaj zone të paqes demokratike sa më parë dhe hapi i parë konkret për këtë, prandaj është me kaq rëndësi, është që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës”, tha ai për VOA.

  • Sulmohet anketuesi i ASK-së gjatë regjistrimit të popullsisë, arrestohen tre të dyshuar

    Sulmohet anketuesi i ASK-së gjatë regjistrimit të popullsisë, arrestohen tre të dyshuar

    Një zyrtar i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është sulmuar dje gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë në Pejë. Sipas Policisë së Kosovës viktima ka marrë trajtim mjekësor dhe janë arrestuar të tre të dyshuar.

    “Pejë / 04.05.2024 – 17:30. Ankuesi m/kosovar, anketues i Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë regjistrimit të popullsisë është sulmuar fizikisht nga tre të dyshuar kosovar. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë së Kosovës për 24 orët e fundit. Motivet e këtij rasti nuk janë bërë të ditura deri më tani.

    Regjistrimi i popullsisë ka filluar me datën 5 prill dhe pritet të zgjasë deri me 17 maj në të gjithë vendin.

  • Besimtarët ortodoksë kremtojnë pashkët

    Besimtarët ortodoksë kremtojnë pashkët

    Besimtarët ortodoksë sot kremtojnë ngjalljen e Jezu Krishtit në meshën e pashkëve, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq. Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve.

    Festimet e pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës. “Krishti u ngjall”, është “refreni” i kësaj dite festive i cili shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët duke trokitur vezën e kuqe të pashkëve që simbolizon gjakun e Krishtit.

    Festa e pashkëve ortodokse gjithashtu shoqërohet me bukën e ëmbël, flakën e shenjtë dhe mishin e qengjit.

    Vezët janë simbol i jetës, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon sakrificën e Jezu Krishtit, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.

  • Përkujtohet Dita e Dëshmorëve në Shqipëri

    Përkujtohet Dita e Dëshmorëve në Shqipëri

    Sot shënohet Dita e Dëshmorëve të Atdheut në Shqipëri dhe si çdo vit tjetër, pritet të zhvillohet ceremonia zyrtare e homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

    Zyrtarë të shtetit dhe politikës do të vendosin kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën antifashiste.

    Pritet që sot paradite, Varrezat e Dëshmorëve të vizitohen nga kreu i qeverisë Edi Rama. Ndërkohë që edhe strukturat e larta të opozitës me në krye Lulzim Bashën pritet të kryejnë homazhe për nder të dëshmorëve.

    Dita e Dëshmorëve u vendos të jetë 5 Maji 1942, dita kur u vra nga fashistët, Qemal Stafa, i ri komunist aktivist i luftës Nacional Çlirimtare.

    Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli shqiptar i kujtonte dëshmorët e tij dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.

    Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Në vitin 1923 ligjërohet vetëm pensioni për familjen e tij, si pjesë e ligjit për pensionet e ushtarakëve

    Gjate luftës nacional çlirimtare, fillojnë përpjekjet e para për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Të rënët i bënë simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të dëshmorëve reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi partizan ceremonial, ndihma për familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit.

    Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.

    Ne vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”

    Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. Me një vendim të qeverisë Meksi, ende i pa publikuar, iu hoqën përfitimet familjeve të dëshmorëve.

    Ne vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës. /kp/

  • Këshilli i Evropës mbush 75 vjet

    Këshilli i Evropës mbush 75 vjet

    Këshilli i Evropës, një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë me seli në Strasburg të Francës, u themelua më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike.

    Ideologët më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin Winston Churchill, Robert Shuman dhe Konrad Adenauer.

    Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare. Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

    Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

    Grupi i saj i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

    Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

    Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare. Këshilli i Evropës është një vëzhgues zyrtar i Kombeve të Bashkuara.

    Ndryshe nga BE, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje detyruese, por ka fuqinë për të zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare të përzgjedhura e të arritura nga shtetet evropiane për tema të ndryshme.

    Trupi më i njohur i Këshillit të Evropës është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbaton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Anglishtja dhe frëngjishtja janë dy gjuhët zyrtare të saj.

    Komiteti i Ministrave, Asambleja Parlamentare dhe Kongresi gjithashtu përdorin gjuhën gjermane, italiane, ruse dhe turke për disa nga puna e tyre. Kosova ka aplikuar në këtë organizatë të rëndësishme evropiane, për votimin final të së cilës do të vendoset më 16 ose 17 maj 2024.