ATV

Category: Lajme

  • Tahiri: Qeveria Kurti më e dobëta në trajtimin e mirëqenies së qytetarëve

    Tahiri: Qeveria Kurti më e dobëta në trajtimin e mirëqenies së qytetarëve

    Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar për Ekonomia Online se Qeveria Kurti ka dëmtuar mirëqenien e qytetarëve dhe ka dëmtuar raportet me faktorin ndërkombëtar.

    Tahiri thotë se për fajin e Qeverisë, qytetarët janë më të varfër dhe ballafaqohen me probleme seroze. Theks të veçantë i jep mungesës së mirëqenies së qytetarëve.
    Tahiri ka përmendur pagat e ulëta, çmimet e larta e mungesën e sigurimeve shëndetësore.

    “Problemi themelor i kësaj qeverie në këto tri vite ka qenë defokusimi total i problemeve që ndërlidhen me politikat e brendshme. Kosova është sot më e varfër, Kosova sot ballafaqohet me probleme serioze që lidhen me mirëqenien e qytetarëve. Pensionet janë të njëjta, pagat janë të njëjta, kushtet veçse janë vështirësuar, ndërsa çmimet janë rritë në çdo aspekt. Në rrafshin e brendshëm ka një dështim total të menaxhimit të politikave të brendshme. Paramendo për tri vjet nuk kanë arritur me sjell një ligj që kanë pas kauzë, ligjin për sigurime shëndetësore. Është vendi i vetëm pa sigurime shëndetësore. Në rrafshin ndërkombëtar, Kosova vazhdon të jetë në sanksionet e Bashkimit Evropian. Në rrafshin e marrëdhënieve bilaterale me Amerikën kurrë s’kanë qenë më të dobëta, përderisa ardhmëria jonë po shihet që është pikëpyetje, po shihet edhe vetë qasja e qeverisë që e kanë raport me Këshillin e Evropës”.

    Tahiri ka fajësuar pushtetin edhe për migrimin e të rinjve, ndërsa thotë se Kosova rrezikohet nga ekzistenca e njerëzve për shkak të mungesës së perspektivës.

    “Kjo qeveri është Qeveria më e dobët në trajtimin e mirëqenieve qytetarëve. Pra qytetari Kosovës është më i varfër me më pak shpresë dhe kurrë s’ka qenë migrimi i të rinjve nga Kosova për vendet perëndimore më shumë se tash. Është ka rrezikohet do të thotë më të madhe ekzistenca e njerëzve në Kosovë për shkak të mungesës së perspektivës dhe shpresës”, u shpreh Tahiri.

  • Vitia: Pas gjysmës së dytë të këtij viti fillon implementimi i Ligjit për çmimin e produkteve medicinale

    Vitia: Pas gjysmës së dytë të këtij viti fillon implementimi i Ligjit për çmimin e produkteve medicinale

    Ligji për çmimin e produkteve medicinale nuk ka filluar së zbatuari ende në Kosovë. Ai ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2023 ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë për Ekonomia Online se ky Ligj është në fazën e implementimit.

    Vitia ka theksuar se deri më 16 maj do të bëhen paraqitjet e të gjitha çmimeve ashtu siç e parasheh Ligji dhe se janë formuar dy mekanizma të filtrit që mos të abuzohet me çmimin.

    “Vitin e kaluar në parlamentin e Republikës së Kosovës ka kaluar Ligji për nivelizimin e çmimit të barnave. Ky Ligj është në fazën e implementimit. Deri më datën 16 maj do të bëhen paraqitjet e të gjitha çmimeve ashtu siç e parasheh ligji por në këtë drejtim, kemi formuar dy mekanizma të filtrit që mos të abuzohet me çmimin. Përveç çmimeve që vijnë nga prodhuesi i kemi edhe çmimet referente nga rajoni dhe me implementimin e këtij ligji që do të ndodh gjatë këtij viti jo vetëm farmacistët që do të jenë të lumtur në këtë drejtim por të gjithë qytetarët e Republikës do të jenë zakonisht të lumtur sepse do ti themi njëherë e mirë stop por në mënyrë ligjore abuzimeve që kanë ndodhur me çmimet e barnave”, ka thënë ministri Vitia për Ekonomia Online.

    Ministri Vitia ka thënë se ka pasur raste kur një medikament në vendet tjera ka pasur një shumë të caktuar e te ne është shitur me dyfishin ose trefishin e çmimit e ku shpesh herë, sipas tij, pa të drejtë janë akuzuar farmacistët.

    “Ka ndodh një bari që ka kushtuar në vendet e tjera me një shumë të caktuar të ne është shitur me dyfishin ose trefishin ku shpesh herë pa të drejtë janë akuzuar farmacistët për këtë fenomen dhe prandaj në koordinim edhe me ta, në koordinim me gjithë faktorët tjerë është ka bëhet dhe është në fazat finale paraqitja e këtyre çmimeve për tu implementuar. Ky Ligj është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë Vitia.
    Ministri i Shëndetësisë ka thënë se grupet punuese janë duke punuar me intensitet të plotë në këtë drejtim dhe se presin që diku pas gjysmës së dytë të këtij viti të fillojë edhe me implementimi.

    “Kemi pasur disa vonesa sa i përket komisionit dhe disa procedurave administrative që kanë zgjatur pak muaj dhe tani me intensitet të plotë grupet punuese janë duke punuar në këtë drejtim. Atë që e thash me datën 16 maj pritet që të publikohen të dorëzohen të gjitha çmimet dhe pastaj do të fillojë në bazë të Ligjit me afate kohore që i ka Ligji afatet e ankesave dhe afatet tjera të cilat presim që diku pas gjysmës së dytë të këtij viti të fillojë edhe me implementimin. Kurse sa i përket qytetarëve janë me qindra mijëra euro që qytetarët e Republikës së Kosovës do t’ i kursejnë për shkak se do të jetë tavani i këtyre çmimeve dhe më nuk mund të luhet më me çmime siç është bërë më herët”, ka thënë Vitia.

  • Balje zotohet për ta kundërshtuar sërish Kodin Civil – Klinaku s’e sheh si kusht për anëtarësim në KiE

    Balje zotohet për ta kundërshtuar sërish Kodin Civil – Klinaku s’e sheh si kusht për anëtarësim në KiE

    Përpjekjet e pushtetit për ta kaluar Kodin Civil nuk do të jenë edhe të lehta, pasi kundërshtitë që do të hasë Qeveria për këtë Projektligj janë të mëdha. E deputetët që kanë votuar kundër herën e parë, zotohen se do ta bëjnë të njëjtën sa herë se sillet për votim në Kuvend, raporton EO.

    Një ndër deputetet që konsiderohet më e ashpër në këtë drejtim, Duda Balje, thotë për Ekonomia Online se një projektligj të tillë nuk do ta votojë asnjë herë. Ndërsa teologu thotë se Kosova nuk është e gatshme ta bëjë një kapërcim të tillë, teksa s’pranojnë ta ndërlidhin këtë çështje me anëtarësim në Këshill të Evropës.

    Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje, thotë për Ekonomia Online se kundër do të votojë saherë që sjellët në Kuvend ky projektligj.Madje, beson se të njëjtën do ta bëjnë edhe deputetët që kundërshtuan herën e parë.

    “Shpresoj se jo se unë mendoj se është, shumë herë kam fol për këtë dhe vërtetë unë nuk e ndryshoj qëndrimin tim prej fillimit kam thënë se ne nuk jemi gati për këtë dhe tash mendoj njëjtë. Nuk e votoj këtë. Asnjë fe nuk e lejon këtë, vërtetë është se shumica janë me fe islame dhe unë nuk e besoj se asnjë që ka fe si mysliman nuk ka me e leju këtë dhe nuk ka me marr më të mirë por prapë se prapë ne si politikanë, unë duhet me fol se ne jemi shtet laik pa marr parasysh fenë e cila është për mua shumë e rëndësishme unë edhe me e lënë fenë anash unë prapë mendoj se nuk është mirë dhe unë mendoj e kryeministri nëse ka vendos tash me e bë këtë mendoj se është gabim sepse nuk jemi gati as nuk besoj se kemi vota të mjaftueshme brenda sallës dhe unë mendoj se ne deputetë të cilët kemi qenë kundër herën e parë nuk e besoj se asnjë deputet ka ndryshu qëndrim”, u shpreh Balje, teksa nuk e sheh si kushtin kryesor që Kosova të anëtarësohet në Bashkim Evropian.

    “Nuk e di por duhet me këqyr si je brenda shtetit, qysh është disponimi brenda shtëpisë, pastaj me këqyr edhe jashtë shtëpisë edhe nëse është kusht ne kemi shumë kushte me qenë pjesë e Evropës dhe unë nuk besoj se është kushti kryesor sepse shumica e shteteve në Evropë nuk e kanë pranuar këtë në mënyrën e qysh na po dojmë me e bë”, Duda Balje.

    Kundër Kodit Civil ka dalë edhe Avdullah Klinaku, kryetar i Demokracisë Konservarore. Ai për Ekonomia Online, ka hedhur kritika në adresë të kryeministrit Albin Kurti, që Kodin Civil ta dërgojë përpara.
    Madje, Klinaku thotë se shqiptarët më shumë e duan familjen se sa “dëshirën e Kurtit për të realizuar një synim të tillë”.

    “Madje si rezultat i tendencës së tij dhe insistimit të tij për të kaluar këtë kod civil ka bërë një premtim publik në forumet e partisë së majtë gjermane dhe si rezultat i kësaj përpjekjet që t’i merr përsipër disa ose jep premtime që në një moment të caktuar kthehen dhe obligime për Kosovën prej faktori ose BE-së. Kështu që në këtë kontekst Kurti ka pas shumë gabim që e ka përmend ose e ka potencuar ose që ka marrë zotimin që unë do angazhohem personalisht për krijimin e një shumicë për krijimin e një shumice të tillë për kalimin e kodit civil që nënkupton lejimin e martesave njëgjinore tekstualisht siç e ka cituar dhe unë besoj që megjithatë shqiptarët janë ata që e duan më shumë babën, nënën, fëmijët dhe familjen në përgjithësi së sa dëshirën e Kurtit për të realizuar një synim apo qëllim të tillë”, u shpreh Klinaku.
    Klinaku ka mohuar pretendimet se Kodi Civil është kusht për anëtarësim në Këshill të Evropës. Thotë se bartja e pronës Manastirit të Deçanit ishte kushti i fundit.

    “Shumë mirë e përmende idenë dhe krahasimin e idesë së kushteve nga Këshilli i Evropës për tu anëtarësuar dhe Kodin Civil. Zakonisht politikat kur kanë deshtë me i shty disa ambicie të veta personale ose partiake ose politike qytetarët e vendit tonë i kanë mashtruar duke thënë se po e lyp faktori ndërkombëtar po e lyp Evropa e Amerika. Një gjë që duhet më e pas të qartë qytetarët e këtij vendi që miratimi i Kodit Civil nuk është kusht për anëtarësim në KiE, madje vetë Qeveria ka deklaruar kur i ka fal tokën Manastirit të Deçanit, ka thënë se ky është premtimi jonë i fundit sa i përket kësaj çështje dhe nuk ka kusht tjetër për anëtarësim në KiE, pas kësaj del vetë kryeministri Kurti që deklarohet se unë do përpjekem për me e realizu Kodin Civil dhe në këtë rast e përmend aty edhe pse aktgjykimet e gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut nuk obligojnë”, thotë Klinaku.

    “Ne do jemi një prej shteteve të para në Ballkan, i dyti që do ta aprovojmë ose legjitimojmë martesën njëgjinore, rrjedhimisht ne nuk kemi asnjë kusht për anëtarësim në KE sa i përket miratimit të kodit civil, qeveria jonë ka deklaruar se pas faljes së tokës manastirit të Deçanit nuk ka kusht tjetër dhe është jo logjike dhe as jo politike e të njëjtën kohë as morale me marr obligime tjera karshi BE-së në procesin e anëtarësimit në KiE”, u shpreh tutje Klinaku.

  • VV-ja e sheh të pamundur marrëveshjen me Serbinë – PDK e AAK fajësojnë pushtetin

    VV-ja e sheh të pamundur marrëveshjen me Serbinë – PDK e AAK fajësojnë pushtetin

    Lëvizja Vetëvendosje e konsideron të pamundur arritjen e marrëveshjes për dinarin serb, marrë parasysh fushatën e egër dhe qasjes “dekonstruktive” të Serbisë. Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e shohin të paarsyeshëm dialogimin në Bruksel për çështje të brendshme, raporton Ekonomia Online.

    PDK e AAK thonë për Ekonomia Online se dinari serb nuk është dashur të futet në agjendën e dialogut dhe si e tillë e shohin gabim.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, tha se dialogu me Serbinë është i vështirë, marrë parasysh sjelljen e Serbisë e pengesat drejtë anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    “Nuk mund të ketë dialog me një Serbi për mënyrën së si sillet. Ne kemi pas një marrëveshje të dakorduar e cila ka përmbajt disa pika, ndër to ka qenë zotimi i dy palëve tjetër në anëtarësime në organizma ndërkombëtarë, ndërkohë në anën tjetër kemi pa pra se me çfarë gjuhe me çfarë ashpërsie Serbia është munduar ta ndalojë Kosovën në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Rexhaj, teksa përmend edhe tentimin e Serbisë për ta aneksuar veriun me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

    “Në anën tjetër ka pas një sulm terrorist me motive që të aneksojë një pjesë të Republikës së Kosovës në këtë rast veriut dhe natyrisht në situata të tilla dialogu nuk mund të vazhdojë. Pra duhet të rimodelohet dhe pastaj keni parë edhe idenë kur ndërmjetësit tentojnë t’i gjejnë faj, pra në këtë rast të hedhin faj nga vetvetja ndonëse mendoj se qasja që nga fillimi ka qenë jo e mirë”, tha Rexhaj.
    Ndërsa, sa i përket qasjes së Kosovës në dialog, Rexhaj tha se vendi ynë e ka treguar vetën në aspektin pozitiv duke propozuar edhe marrëveshje.

    “Në raport me dialogun, në aspektin e palës së Kosovës mendoj se Kosova e ka treguar vetën sepse disa herë ka propozuar nënshkrim të marrëveshjes dikush ka thënë ndonëse edhe faktori ndërkombëtar kanë thënë se kur marrëveshja është e dakorduar nuk ka nevojë për nënshkrim por me qenë së ne e njohim pra se me kë kemi të bëjmë pra me një Serbi e cila përherë i ka shkelur marrëveshjet ne kemi 3 marrëveshje të dakorduara me Serbinë zbatimi i tyre dhe pse kanë qenë të dakordum si ajo e targave dhe tjera ka qenë vështirë e implementueshme edhe pse ka pas dakordim ne gjithmonë kemi insistu në nënshkrimin e saj madje edhe në Këshillin e Sigurimit ku kryeministri i Kosovës i drejtohet pra Vuçiqit dhe i thotë eja ta nënshkruajmë mendoj që megjithatë dialogu duhet të rimodelohet dhe shihet në një formë tjetër”, tha ai.
    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e konsideron çështjen e dinarit si e tillë që nuk do duhej të diskutohej në dialog, për faktin se është problem i brendshëm.

    “Problematika dhe negociatat për dinarin nuk do duhet të fillonin fare, kjo është improvizim i institucioneve shtetërore qeveritare të nivelit më të lartë sepse `dinari është problem i brendshëm i Kosovës i rregulluar me ligj, problem të cilin nuk do duhej fare ta nxjerrim në arenën ndërkombëtare”, tha ai për Ekonomia Online.

    I njëjti, shtoi se situata për dinarin ka degraduar dhe tashmë ka sjellë pasoja të mëdha politike dhe ekonomike për vendin tonë.

    “Fatkeqësisht tashmë kjo situatë ka degraduar dhe çështje të brendshme po kalojnë në agjenda ndërkombëtare e që kjo ka pasoja të madhe politike dhe ekonomike për vendin tonë. Pra kemi qenë dhe jemi që çështjet e brendshme të diskutohen brenda por fatkeqësisht qeveria po nxjerr pothuajse çso muaj nga një aferë të paarsyeshme të panevojshme për t’i ikur gjendjes reale në të cilën e ka pruar vendin. Krejtësisht politike krejtësisht për konsum ditor të brendshëm ditor të saj krejtësisht jashtë ligjore krejtësisht të panevojshme. Për mua është e përfunduar sepse ligji është i qartë kompetencat janë të qarta veprimet operacionale që ka ndërmarrë qeveria me ose pa koordinimin e faktorit ndërkombëtar ato janë përgjegjësi direkte e kryeministrit dhe atyre që merren me këtë punë”, tha Shala.

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha për Ekonomia Online se nuk ka pas përparim sa i përket çështjes së dinarit pavarësisht takimeve të shpeshta mes dy palëve.

    “Keni të drejtë kur e thoni sepse në ditët e para kur është marrë vendimi në bazë të rregullores të BQK-së, që kanë pas të drejtë dhe ne e kemi përshëndetur këta janë ndalur dhe kanë përvetësuar për vete ia që ne e ndalem dinarin ja që kjo është çështje kushtetuese e vendit dhe që nuk do të vazhdohet nuk do ketë dialog sa i përket çështjes së dinarit në Bruksel por dul e kundërta dhe pesë takime që i kanë pas, nuk ka pas të themi përparim sa i përket çështjes së dinarit”, tha Lekaj.

    Ai tha se Qeveria po del jo serioze ndaj ndërkombëtarëve dhe qytetarëve të saj në mënyrën së si po e trajton çështjen e dinarit.

    “Qeveria po del shumë jo serioze ndaj institucioneve ndërkombëtare e sidomos ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës që është zotuar që nuk do ta diskutoj çështjen e dinarit në Bruksel por ja që po diskutohet ja që e ka ngrit në nivelin politik dhe në nivelin e dialogut”, tha ai.

  • Vdes një burrë në Prishtinë, rasti po hetohet

    Vdes një burrë në Prishtinë, rasti po hetohet

    Policia ka njoftuar se një person ka ndërruar jetë në QKUK.

    Në raport thuhet se dëshimitari ka deklaruar se e ka gjetur viktimën të shtrirë në tokë dhe më pas e ka telefonuar emergjencën.

    Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    “HETIM I VDEKJES – Prishtinë / 04.05.2024 – 07:40. Raportohet se ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar. Sipas dëshmitarit, viktimën e ka gjetur të shtrire në tokë, i njëjti e ka njoftuar emergjencën të cilët e kanë marrë personin dhe e kanë dërguar në QKUK, ku dhe ka ndërruar jetë. Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.”

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Për të dielën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, të cilat gjatë ditës pritet të marrin karakter zhvillimi, kryesisht në zona malore rreth pranë tyre, duke sjellur rrebeshe të izoluara shiu dhe ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 10-30 km/h.

    Temperaturat do të shënojnë ngritje, me minimale që do të lëvizin prej 6 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 20 deri në 24°C.

  • Stano: Këshilli do të diskutojë për masat ndaj Kosovës në bazë të një raporti të Borellit

    Stano: Këshilli do të diskutojë për masat ndaj Kosovës në bazë të një raporti të Borellit

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë në linjë me konkluzionet e nxjerra me datën 12 dhjetor 2023, Këshilli Evropian do të diskutojë për masat e BE-së bazuar në një raport te Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, lidhur me përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës.

    “Për masat, në përputhje me Konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”, ka thënë Stano.

    Satno ka folur edhe për zgjedhjet e fundit në Veri që u mbajtën për të larguar kryetarët shqiptarë.

    Ai ka theksuar se Kosova e ka mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale përmes votimit për kthimin e kryetarëve të komunave, derisa thotë se organizimi i votimit ka pasur disa sfida, si vendosja e kamerave të sigurisë.

    Gjithashtu thotë se vendimi i partive politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës që të tërhiqen nga procesi dhe thirrja për bojkot, kanë çuar në një sërë vështirësish, përfshirë krijimin e komisioneve në qendra të votimeve pa asnjë anëtarë serb të Kosovës.

    Stano si sfidë e ka përmendur edhe vendimin e drejtorëve të shkollave serbe në Veri për të mos lejuar përdorimin objekteve shkollore për votime.

    “Kjo ka krijuar sfida serioze për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo gjithashtu pengoi qasjen e qytetarëve në informacione të sakta për vendndodhjet e reja të vendvotimeve”, ka thënë Stano për Espress.

    Stano ka thënë se BE shpreh keqardhje që serbët e Kosovës në Veri e kanë çuar dëm një mundësi për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarët “që do të ishin vërtet përfaqësues”.

    Sipas zëdhënësit të BE-së, rezultati nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe në shtrimin e rrugës për kthimin e serbëve në institucione, gjë që thotë se është esenciale për normalizimin e raporteve.

    Stano për masat ka folur edhe në një konferencë për media gjatë kësaj jave, kur është pyetur për kërkesat e drejtuesve të institucioneve të Kosovës që ato të hiqen. Ai ka thënë se masat do të hiqen vetëm kur të vendosin shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe jo politikanët e Kosovës.

    Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës në vazhdimësi kanë kërkuar heqjen e masave, duke thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet.

  • Ferizaj/ Ndalohen katër persona për pjesëmarrje në rrahje, njëri prej tyre po kërkohej ndërkombëtarisht

    Ferizaj/ Ndalohen katër persona për pjesëmarrje në rrahje, njëri prej tyre po kërkohej ndërkombëtarisht

    Policia Rajonale e Ferizajt ka ndaluar katër persona në Ferizaj, tre të kërkuar për rastin “Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje” dhe një person i kërkuar me “Urdhërarrest ndërkombëtar”.

    Me datën 17.10.2023 rreth orës 00:30 Policia Rajonale e Ferizajt kishte pranuar një informatë se në një lokal kishte të shtëna me armë të zjarrit.

    Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, të cilët kanë mësuar se pas një zënke një person me armë të zjarrit (pistoletë) kishte shtënë në drejtim të një personi tjetër, ndërsa ishin përfshirë edhe në rrahje dhe tre të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur.

    Hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, nën autorizim të prokurorit të shtetit, pasi kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes kanë nisur hetimet dhe kërkimin e personave të dyshuar.

    Mbrëmë rreth orës 23:43, ekipe të policisë së Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) dhe të Njësisë së Narkotikëve në rrugën “Astrit Bytyqi” në Ferizaj kanë ndaluar një veturë Audi me targa të Maqedonisë së Veriut.

    Gjatë legjitimit të personave dhe kontrollimit të veturës janë gjetur tri armë zjarri (pistoleta) dhe sasi e municionit. Ndërsa katër persona janë shoqëruar në stacionin e policisë, konkretisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve me dyshimin si persona të kërkuar, të përfshirë në raste kriminale, ndërsa tre nga ta kanë prezantuar dokumente identifikimi të rrejshme.

    Gjatë verifikimit të personave ka rezultuar se tre personat ishin të dyshuar dhe të kërkuar për rastin në Ferizaj të datës 17.10.2023:

    – A.K, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 45 vjeçar, i dyshuar për “Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje”

    – S.R, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje

    – F.T, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje.

    Ndërsa, personi B.K, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 42 vjeçar, ka rezultuar i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, i lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

    Të dyshuarit pas intervistimit nga hetuesit rajonal, me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore dhe procedura tjera për ekstradimin e personit të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

  • Rusia fut Zelenskyn në listën e personave të kërkuar

    Rusia fut Zelenskyn në listën e personave të kërkuar

    Ministria e Brendshme e Rusisë e ka vendosur emrin e presidentit ukrainas, Volodmyr Zelensky, në listën e personave të kërkuar dhe është publikuar në bazën e të dhënave të ministrisë.

    Zelensky kërkohet për akuza penale, por nuk saktësohet se për çfarë akuze bëhet fjalë. Për më tepër, nuk dihet se kur është futur emri i Zelenskyt në listë.

    Ish-presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, po ashtu është futur në listën e personave që Rusia i kërkon.

    Edhe në të kaluarën, autoritetet ruse kanë vendosur emrat e zyrtarëve dhe politikanëve ukrainas në listën e personave të kërkuar. Dhjetorin e vitit të kaluar, Ministria e Brendshme e Rusisë vendosi kreun e Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, gjenerallejtënant Kirill Budanov, në listën e personave të kërkuar.

    Pranverën e kaluar, një gjykatë në Moskë ngriti aktakuza në mungesë ndaj tij për krijimin e një komuniteti terrorist, për kryerjen e një sulmi terrorist nga një grup personash dhe për posedim të armëve dhe mjeteve plasëse.

    Më 3 maj, mediat ruse raportuan se në listën e personave të kërkuar të Rusisë ishin shtuar se sekretari për Siguri Kombëtare dhe i Këshillit të Mbrojtjes të Ukrainës, Aleksandr Litvinenko, ish-ministri ukrainas i Financave, Aleksandr Shlapak, dhe ish-kreu i Bankës Qendrore të Ukrainës, Stepan Kubiv./REL/

  • Raportohet për përparim në bisedimet për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit

    Raportohet për përparim në bisedimet për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit

    Delegacioni i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po merr pjesë në bisedimet në Kajro, përderisa media shtetërore e Egjiptit raportoi për “përparim të dukshëm” në bisedimet për armëpushim me Izraelin.

    Ndërkaq, një zyrtar izraelit ka minimizuar mundësinë e një ndalje të plotë të luftës në Gazë, që u nxit pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor.

    Presioni është rritur për arritjen e një marrëveshjeje, teksa kriza humanitare në Gazë është thelluar dhe Izraeli, në anën tjetër, po insiston se do të nisë një ofensivë në Rafah, qytetin më jugor të territorit.

    Mbi 1 milion palestinez po strehohen në Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin, teksa shumë kanë ikur në veri të Gazës dhe sipas Kombeve të Bashkuara, banorët në këtë zonë po përballen me uri.

    Ndërmjetësit egjiptianë dhe amerikanë ditëve të fundit kanë raportuar se ka shenja për kompromis, por shanset për t’u arritur një marrëveshje ende nuk janë të mira, pasi çështja kyçe ende nuk është zgjidhur dhe ajo është nëse Izraeli do të pajtohet t’i japë fund luftës pa arritur qëllimin e tij: shkatërrimin e Hamasit.

    Media shtetërore egjiptiane, Al-Qahera raportoi më 4 maj se është arritur konsensus për shumë çështje, por nuk ofroi më shumë detaje. Hamasi ka bërë thirrje për përfundimin e plotë të luftës dhe tërheqjen e të gjitha forcave izraelite nga Gaza.

    Lufta ka vrarë më shumë se 34.000 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gazë. Ndërkaq, si pasojë e sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor janë vrarë afër 1.200 persona dhe janë rrëmbyer afër 250 të tjerë. Izraeli ka thënë se radikalët e Hamasit ende po mbajnë afër 100 pengje dhe mbetjet mortore të më shumë se 30 të tjerëve.

    Një zyrtar i lartë izraelit, që foli në kushte anonimiteti lidhur me negociatat që po vazhdojnë, minimizoi mundësinë që të ketë një përfundim të plotë të luftës. Ky zyrtar tha se Izraeli është i përkushtuar që të kryejë ofensivë në Rafah dhe i tha agjencisë Associated Press se shteti nuk do të pajtohet në asnjë rrethanë që t’i japë fund luftës, si pjesë e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve.

    Sipas propozimit të Egjiptit – që është ndërmjetës i bisedimeve –një armëpushim gjashtëjavor do të zhvillohej përmes tri fazave, që parasheh lirimin e pjesshëm të pengjeve dhe tërheqjen e disa trupave izraelite./REL/