ATV

Category: Lajme

  • Power: Vlerësimi kreditor, moment historik për Kosovën ku tërheq investime të huaja

    Power: Vlerësimi kreditor, moment historik për Kosovën ku tërheq investime të huaja

    Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, e ka vlerësuar si moment historik faktin që Kosova së fundmi ka marrë për herë të parë vlerësimin e saj kreditor që do të mundësojë tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë.

    “Kosova së fundi siguroi një vlerësim sovran të kredisë nga Fitch Ratings për herë të parë me mbështetjen e USAID. Ky moment historik do të tërheqë investime të huaja, do të zvogëlojë kostot e huamarrjes, do të rrisë aksesin në tregjet globale të kapitalit dhe do të ndihmojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike”, shkruan Power në platformën X.

  • ​27 vjet nga rënia e Luan Haradinajt

    ​27 vjet nga rënia e Luan Haradinajt

    Sot mbushen 27 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj, në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj 1997, në kufirin shqiptaro -shqiptar.

    Beteja disa orësh me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.

    Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë. Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bien në një pritë të ushtrisë jugosllave, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

    Në këtë pritë vritet Luan Haradinaj, plagoset Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.

    Luan Haradinaj u lind më 17 nëntor 1973 në Gllogjan të Rekës përkatësisht të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryejë duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.

  • ​25 vjet nga vrasja e Fehmi Aganit

    ​25 vjet nga vrasja e Fehmi Aganit

    Sot mbushen 25 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.

    Agani u vra me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe. Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Fehmi Agani, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, u vra afër Lipjanit nga serbë me uniforma dhe të armatosur.

    Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.

    Për nder të profesor Aganit vite më parë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

    Qe nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, argumentimit dhe realizimit të këtij qëllimi. /KosovaPress/

  • ​Moti sot në Kosovë

    ​Moti sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot kryesisht me diell.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4-7gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22-25gradë Celsius.

    Sipas institutit, do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë deri mesatare.

  • Gjarpërinjtë në Parkun e Gërmisë

    Gjarpërinjtë në Parkun e Gërmisë

    Abdullah Haradinaj del shpesh në parkun e Gërmisë.

    Gjatë ecjes këndej, i ka rënë të shohë edhe gjarpërinj, por nuk është ndier i rrezikuar. Thotë se kohëve të fundit është rralluar prezenca e tyre.

    “Parkun e Gërmisë e frekuentoj 3 herë në javë. Para dy vjete kam pa me shumicë në këtë pjesë. Dal natën e ditën po nuk ndihem i rrezikuar”, thotë Abdullah Haradinaj, qytetar.

    Qytetarë të tjerë thonë se nuk kanë hasur asnjëherë në ta, deri tash.

    ‘’Çdo ditë dal për të ecë, mirëpo nuk kam pa gjarpërinj”, thotë një qytetar.

    Sipas fotografit të botës së egër, Arian Mavriqi, në Gërmi ka vetëm një lloj gjarpri helmues. Mirëpo, deri tash nuk është shënuar ndonjë rast kafshimi nga ta.

    “Në Gërmi si shumë vende tjera të Kosovës ka gjarpërinj. Prej tyre është vetëm një helmues, është Vipera Ammodytes. Nëse ndonjëherë ndodhë ndonjë kafshim, atëherë mos keni panik dhe duhet automatikisht të kontaktoni mjekësinë familjare më të afërt që mund të na ndihmojnë derisa të marrim serumin e duhur”, tha Arian Mavriqi, fotograf i botës së egër.

    Se ky lloj i zvarranikëve është prezent në Parkun Kombëtar të Gërmisë, e konfirmon edhe drejtori për Siguri dhe Emergjencë në komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica. Megjithatë, ky thotë se autoritetet nuk guxojnë të ndërhyjnë në largimin e tyre.

    ‘’Është habitat i tyre i mbrojtur dhe si i tillë nuk ka askush të drejtë të intervenojë dhe t’i largojë nga ambienti i tyre natyror, nuk ka të drejtë askush të prishë disbalancin apo ekuilibrin e Florës dhe Faunës në parkun e qytetit”, tha Fushtica.

    Në Parkun e Gërmisë ka edhe disa lloje të tjera të kafshëve të egra, të cilat janë të mbrojtura me ligj. /ATV

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Pritet të nivelizon çmimet e barnave

    Pritet të nivelizon çmimet e barnave

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Nuk janë hiq të rralla rastet kur për produktin e njëjtë, qytetarët paguajnë dyfishin e çmimit nga një barnatore në tjetrën.

    Farmacitë kanë mundësinë që t’i shesin barnat me çmimin që e caktojnë vetë ata por, jo edhe për shumë kohë.

    “Vitin e kaluar në parlamentin e Republikës së Kosovës ka kaluar Ligji për nivelizimin e çmimit të barnave. Ky Ligj është në fazën e implementimit. Deri më datën 16 maj do të bëhen paraqitjet e të gjitha çmimeve ashtu siç e parasheh ligji por në këtë drejtim, kemi formuar dy mekanizma të filtrit që mos të abuzohet me çmimin”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Kritik ndaj afatit kohor të përcaktuar nga vetë ministri, shprehet njohësi i shëndetësisë, Bujar Vitija.

    Duke thënë se tavani i këtyre çmimeve është dashur të caktohej kohë më parë, ai nuk mendon se ka përgatitje sa duhet meqë edhe mbledhjet e komisionit përgjegjës ishin të pakta.

    “Kam dyshimet e mia, kjo nuk është një çështje e freskët, është miratuar kohë më parë por nuk ka filluar të zbatohet, edhe nuk ka pasur diskutime mjaftueshëm…”, tha Bujar Vitija.

    Por nëse gjithçka shkon sipas planit të ministrit, Vitija përmend benefitet që do të kenë qytetarët nga kjo.

    Sipas ligjit për çmimin e produkteve medicinale, kostoja e tyre do të vendoset në banderolë të secilit produkt, dhe do të jetë e njëjtë në të gjitha barnatoret.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Qytetarët ankohen për çmime të larta të produkteve bazike

    Qytetarët ankohen për çmime të larta të produkteve bazike

    Pergatiti: Elza Uka

    Shitësit në Tregun e Gjelbër me pakicë në kryeqytet po ankohen se kohëve të fundit po kanë më pak punë. Këta vlerësojnë se ka rënë fuqia blerëse, madje edhe për produkte bazike.

    Mirëpo e pranojnë se u është dashur t’i ngritin çmimet.

    “Janë rritur çmimet, nuk ka shitje , nuk ka njerëz, rrugët janë shpraz. Është shqetësuese sepse njerëzit kanë shku jasht. Nuk ka punë as 20% qysh ka pas viteve te kalume”, thotë Bajram Ramadani, shitës.

    Në anën tjetër, ankesa kanë edhe blerësit. Sidomos pensionistët, që thonë se çmimet janë bërë të papërballueshme për ta.

    “Shumë shqetësuese duke e dit gjendjen ekonomike të popullatës, kryesisht unë si pensionist që nuk ka rritje të pensioneve me vite. Është shumë e vështirë me i përballu këto çmime, inflacioni e bën të veten”, tha Agim Vushtica, blerës.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacionin për muajin mars ishte 2.3%.

    Ekonomisti Medain Hashani konsideron se trendi i shtrenjtimit të produkteve po i dëmton qytetarët. Ndërsa ka kritika për qeverinë që, sipas tij, nuk ka punuar në adresimin e këtij shqetësimi.

    “Nëse i analizojmë punën qeverisë prej momentit kur e ka marrë mandatin si qeveri dhe deri tani, inflacioni mundemi me thanë që në shportën familjare është 60%. Nëse analizojmë në aspektin e kostos së lartë që janë rrit çmimet në përgjithësi tregon që nuk është vetëm 2.3%, po është më i lartë. Kjo është ai sinjali që i ka ndezur qytetarët të kenë ankesa në këtë aspekt sepse asnjë masë nuk është ndërmarrë nga ana e qeverisë”, tha Hashani.

    Megjithatë, ka qytetarë që çmimet në treg u duken të arsyeshme.

    “Rritja është e lartë dhe nuk është shumë e lartë, pak gjera ka që janë mbi një euro. Ai që punon ka, ai që nuk punon i duket shtrenjta”, tha Gani Berisha, blerës.

    Sipas të dhënave të fundit të ASK-së, nga produktet bazike ushqimore, më së shumti janë shtrenjtuar pemët, me 9.8%, krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Trepça” dënohet me afro 14 mijë euro për eksploatim ilegal

    “Trepça” dënohet me afro 14 mijë euro për eksploatim ilegal

    Përgatiti: Armand Hoti

    Ndërmarrja Trepça është dënuar me rreth 14 mijë euro nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, për eksploatim të jashtëligjshëm në Majdevë të Leposaviqit.

    Në muajin shkurt, në këtë zonë veriore, ishte mihur toka private për argjilë. Njësia veriore e ndërmarrjes nuk ishte pajisur me licencë nga KPMM-ja për këtë aktivitet.

    “Trepça Sh.a. ka bërë shkelje duke kryer aktivitet të jashtëligjshëm minerar-shfrytëzim i mineralit: Argjilë. Në pajtim me ligjin 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet nenin 79 nënparagrafi 2.2 për zhvillimin e aktivitetit ilegal minerar të bërë me datën e lartshënuar, ndërmarrja ngarkohet me Gjobë Administrative 10,000.00 euro”, thuhet në njoftimin nga KPMM-ja.

    Ndërmarrja, pa leje, shfrytëzoi mbi nëntë mijë e 600 tonë argjilë.

    “Nga operimi i paligjshëm ka shfrytëzuar 9,607.43 ton e cila do të llogaritet me trefishin e vlerës së rentave minerare”, thuhet më tej në njoftimin nga KPMM-ja.

    Gjobës administrative 10 mijë euroshe, iu shtuan edhe 3700 euro tjera i janë shtuar në bazë të kësaj llogaritjeje.

    Raporti për veprën penale i është përcjellë edhe Policisë.

    Prona ku u bë eksploatimi ilegal, iu dha në shfrytëzim ndërmarrjes me vendim Qeverie në janar të vitit aktual. Mirëpo, ky vendim u anulua meqë toka doli të jetë pronë private, e jo e shtetit siç thuhej në vendimin e janarit.

    Sipas informatave që posedon ATV, këtë vendim të ekzekutivit është duke e trajtuar departamenti i krimeve ekonomike i Policisë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • BQK-ja po punon që Kosova të anëtarësohet në SEPA

    BQK-ja po punon që Kosova të anëtarësohet në SEPA

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Banka Qendrore e Kosovës është duke punuar, por nuk e di se kur do të jetë pjesë e Zonës së Pagesave Vetëm me Euro, e njohur si SEPA, që aplikohet në Bashkimin Evropian.

    BQK-ja thotë se janë në proces të përmbushjes së kritereve ligjore dhe teknike, por më pas varet nga Këshilli Evropian i Pagesave për vendimin final.

    “Ky është proces shumë teknik ku vlerësohet përmbushja e secilit kriter ligjor e teknik me fokus të lartë për kapacitetin e vendit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit. Pra, kërkohen ndryshime në kornizën ligjore dhe rregullative në disa fusha, sikurse u përmendën më sipër, si dhe zhvillime të mëdha infrastrukturore (teknike) janë të nevojshme, të cilat Republika e Kosovës është duke i adresuar dhe përgatitur”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

    SEPA, që mund të aplikohet edhe në shtetet joanëtare të BE-së, lehtëson pagesat dhe transaksionet ndërkufitare, duke i plotësuar standardet e njëjta.

    BQK-ja thotë se Kosova përfiton nga kjo, sidomos në uljen e kostos së remitencave dhe shkëmbimit tregtar me vendet evropiane.

    Ky po konsiderohet hap shumë i rëndësishëm edhe nga ekonomistët.

    Pas problemeve që u shfaqën për çështjen e dinarit, si zgjidhje Zonën e Pagesave Vetëm me Euro e dha edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në fillim të shkurtit.

    Andaj Gerxhaliu ani pse e sheh problematike, shpreson që kriteret për aplikim në BE të plotësohen deri më 13 maj kur pritet të mbahet takimi mes kryenegociatorëve, pikërisht për dinarin.

    Jetësimi i SEPA-s, sipas ambasadores së BE-së në Mal të Zi, Oana Cristina Popa, brenda një viti do t’ia kursente tërë rajonit 500 milionë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • 700 mijë euro humbjet vjetore nga mospagesa e ujit në veri

    700 mijë euro humbjet vjetore nga mospagesa e ujit në veri

    Përgatiti: Haris Ademi

    Rreth 18 milionë euro llogaritet të jenë shpenzimet për prodhimin e ujit për komunat veriore të Kosovës, që nga paslufta. Për 25 vjet, faturat e ujit nuk janë paguar asnjëherë në zonën e banuar me shumicë serbe.

    Ujin për këtë pjesë të Republikës e prodhon Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”. Ndërsa, humbjet vjetore financiare, Autoriteti Rregullativ i Ujërave thotë se janë rreth 700 mijë euro.

    “Uji i cili dërgohet në veri, matet me ujëmatës dhe për këtë sasi të ujit kalkulohen shpenzimet e prodhimit, të cilat në baza vjetore janë rreth 700.000 euro. Këto shpenzime nuk përfshihen gjatë kalkulimit të tarifës për qytetarët e pjesës jugore të Mitrovicës dhe komunave tjera që KRU ‘Mitrovica’ ofron shërbimet e ujit”, thuhet në përgjigjen nga Autoriteti Rregullativ i Ujërave.

    Në planin strategjik 2021-2023 të ARRU-së, thuhet se në veri, por edhe në Shtërpcë dhe Kllokot, operojnë organizata pa licencë për ofrim të shërbimeve, si dhe pa leje ujore për shfrytëzim të burimeve të ujit.

    Prandaj, njohësi i këtij sektori, Sokol Xhafa, konsideron se, krahas humbjeve financiare, shteti nuk është në dijeni as për cilësinë e ujit që e pinë qytetarët e veriut.

    “Nuk është cilësia e kontrollueshme, nuk e dimë çfarë uji pihet… Dëmtohet ndërmarrja…”, tha Xhafa.

    Qeveria nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në nëse ka në plan që faturimin e shërbimeve të ujit ta shtrojë si temë në proces të dialogut me Serbinë.

    Megjithatë, kryeministri Albin Kurti, para një viti e kishte fajësuar Serbinë që në veri të Kosovës nuk është paguar për ujin dhe energjinë elektrike. Për rrymën tashmë ka nisur implementimi i marrëveshjes, për çka është licencuar kompania Elektrosever.

    Njohësi i procesit të dialogut, Arben Fetoshi, thotë se qeveria nuk duhet të insistojë edhe në një çështje teknike në Bruksel, por në zbatim të marrëveshjes finale.

    “Do ta instalonim një kompani serbe, sikur për rrymën… Nuk duhet të lëshohemi në tema teknike…”, tha Fetoshi.

    Derisa kjo çështje të zgjidhet, KRU “Mitrovicës” i duhet që t’i mbulojë humbjet e veriut, përmes subvencionimit nga qeveria, apo formave të tjera alternative të financimit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: