ATV

Category: Lajme

  • 9 Maji, Dita e Europës – cilat janë arritjet e Parlamentit të BE-së që kanë lënë gjurmë?

    9 Maji, Dita e Europës – cilat janë arritjet e Parlamentit të BE-së që kanë lënë gjurmë?

    Dita e Europës sot festohet pak para zgjedhjeve europiane që zhvillohen në fillim të qershorit Deutsche Welle tregon, se në cilat fusha ka lënë gjurmë Parlamenti Europian në vitet e fundit, dhe në cilat jo.

    Fillimisht largimi i Britanisë së Madhe nga BE, pastaj Pandemia e COVID-19, pastaj lufta e Rusisë në Ukrainë, – që prej zgjedhjeve të fundit europiane zhvilluar në vitin 2019, parlamentarët europianë kanë qenë para sfidave të mëdha. Prandaj njeriu harron lehtë, cilat kanë qenë temat e agjendës.

    Green Deal: Si janë punët me premtimet për klimën?

    Në vitin 2019, Komisioni Europian, organi ekzekutiv i BE-së, prezantoi një plan për të ulur deri në vitin 2030 emisionet e dioksidit të karbonit në BE me 55 përqind që sasisë që ka qenë në vitin 1990, dhe deri në vitin 2050 për të arritur neutralitetin e emisioneve. Në këtë mënyrë u reagua ndaj presionit të ushtruar prej të rinjve aktivistë që dolën të protestonin në rrugë në shumë vende, në të ashtuquajturën “valën e gjelbërt”. Gjatë zgjedhjeve të para pesë vjetëve shumë deputetë të gjelbër morën vende në Parlamentin Europian, si kurrë më parë.

    Që nga ajo kohë Parlamenti i BE-së, ka marrë pjesë në bisedimet për përpilimin e disa ligjeve, me anë të të cilave mendohet të mbahen premtimet për përmbushjen e Pakteve të Gjelbërta, Green Deals. Mes tyre bëjnë pjesë për shembull planet për ndalimin dekadën e ardhshme të prodhimit të automobilëve me motor djegës dhe vendosjen e taksave mbi produkte të caktuara importi që mbajnë vulën e prodhimit të sasisë së lartë të dioksidit të karbonit, në mënyrë që ata që ndotin ambientin të detyrohen të paguajnë.

    “Parlamenti Europian e ka dëshmuar veten se është ligjvënës me përvojë në çështjet e politikës së ambientit”, thotë Peggy Corlin, drejtuese e zyrës në Bruksel të Institutit të Fondacionit Robert-Schuman.

    Gjatë këtyre ditëve sondazhet kanë treguar se tendenca shkon në disfavor të Të Gjelbërve. Për shkak të protestave zhvilluar në mbarë BE-në, Brukseli liberalizoi disa rregulla për ekonominë ekologjike, në mënyrë që të lehtësojë bujqit.

    Dhe në muajin shkurt, ligjet me ndihmën e të cilave natyra e shkatërruar duhet kthyer sërish në gjendje të mirë, ekologjike, mezi arritën të merrnin aprovimin në votimin përfundimtar. Fraksioni më i madh i qendrës së djathtë, ktheu mbrapsht përkrahjen e ligjit, sepse kishte rezerva për sigurinë e lëndëve ushqimore. Në kuadër të bisedimeve teksti i ligjit u zbut në mënyrë të konsiderueshme.

    Mbrojtësit e klimës i kritikuan të dyja versionet se zbusin premtimet e bëra më parë për klimën.

    BE nxorri ligjet e para në botë për inteligjencën artificiale dhe Big Tech

    Që prej vitit 2019, BE ka nxjerrë një seri ligjesh për të frenuar pushtetin e kompanive të mëdha të teknologjisë. Vitin e kaluar hyri në fuqi një rregullore e re, e cila detyron platformat online që të luftojnë në mënyrë aktive përmbajtjet e dëmshme.

    BE vuri në funksion disa herë kompetencat e reja digjitale dhe kontrolloi rrjetet sociale. Kështu me presionin e ushtruar nga BE, u ndaluan pjesë të aplikacionit TikTokLite që kishin të bënin me një sistem të diskutueshëm shpërblimi.

    Andrea Renda, drejtor kërkimor në institutin Centre for European Policy Studies me qendër në Bruksel, tha për Deutsche Wellen, se deputetët e BE-së, morën pjesë “në mënyrë të konsiderueshme” në ashpërsimin e ligjeve të para për rregullimin e Inteligjencës Artificiale. Megjithatë, paralajmëroi Renda, BE ndodhet para një „problemi të madh zbatimi”, sepse çdo rregull është pajisur me procese të ndryshme zbatimi.

    Migracioni në BE: megjithë arritjet vazhdojnë kundërshtimet

    Për një kohë të gjatë vazhdon të jetë një nga temat më të diskutueshme: migracioni dhe politika e azilit të BE-së. Pas diskutimeve dhjetravjeçare, në fillim të muajit prill, Parlamenti i BE-së dha aprovimin përfundimtar të reformës së azilit. Shumë qeveri kombëtare e cilësuan këtë si histori suksesi.

    Sipas ligjeve të reja, çdo vend i BE-së duhet të pranojë një numër të caktuar të migrantëve që mbërrijnë në brigjet e BE-së, ose duhet t’i paguajë një dëmshpërblim vendeve të tjera që i marrin migrantët. Për të përshpejtuar dëbimet, azilkërkuesit do të vlerësohen edhe sipas propabilitetit të pranimit të kërkesës së azilit. Organizatat e të drejtave të njeriut e kritikojnë këtë ligj të ri.

    “Sipas këndvështrimit të ligjvënësit dhe duke patur parasysh gjithë procesin rezultati mund të shihet si sukses,” thotë Helena Hahn, analiste migracioni në institutin European Policy Center, me qendër në Bruksel. Por, thotë Hahn, rezultati zhgënjeu edhe shumë qeveri.

    “Arsyeja, pse deputetët thanë Po më në fund, është gjykimi se është më mirë me një pakt, sidoqë të jetë ai, se sa pa pakt fare. Nëse reformat nuk do të ishin aprovuar, atëherë me siguri që do të merrej një shuplakë në zgjedhje,” shpjegon ajo. “Partitë e qendrës dhe spektrit të majtë nuk donin të përballeshin me këto pasoja.”

    Futje hundësh nga jashtë: Spiunë në shtëpinë e demokracisë europiane?

    Hijet e një serie skandalesh për futje hundësh të supozuara nga fuqitë jo europiane, bien ende mbi Parlamentin. Në vitin 2022, prokuroria belge kreu një hetim për një sistem ndikimi mbi deputetët që mendohet të jetë bërë kundrejt pagesave. Rasti u bë i njohur si „Katargate”, megjithëse Katari hodhi poshtë të ketë marrë pjesë në të.

    Në prill të këtij viti, u shfaqën njëra pas tjetrës njoftime për një aksion të supozuar rus propagande, dhe para fillimit të javës një punonjës i një deputeti gjerman të BE-së, u arrestua me akuzën e kryerjes së spiunazhit për Kinën. “Unë pyes çfarë do ndodhë tjetër,” thotë për Deutsche Wellen, deputeti socialdemokrat gjerman në Parlamentin Europian, Gabriele Bischoff. “Është vërtet e rëndësishme që ne të bëjmë demokracinë tonë rezistente ndaj ndikimeve të huaja.” Vitin e kaluar Parlamenti Europian forcoi mbrojtjen e Whistleblowern dhe ashpërsoi rregullat e transparencës për deputetët.

    Politika e BE: Përkrahje për Ukrainën, dënim të Rusisë

    Parlamenti Europian nuk mund të vendosë ligje me forcën e vet. Ai është i detyruar të diskutojë propozimet e tij me Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE-së. Prandaj, Dhoma e tij shpesh luan me „pushtetin e dobët”, dhe nxjerr rezoluta që nuk janë ligjërisht të detyrueshme, për të rritur kështu persionin mbi institucionet e tjera të BE-së.

    Deputeti europian i qendrës, Billy Kelleher nga Irlanda tregon se parlamentarët e ushtruan këtë lloj ndikimi në kuadër të luftës ruse në Ukrainë. Ata detyruan qeveritë që të ulin varësinë nga gazi rus dhe të forcojnë përkrahjen për Ukrainën.

    “Parlamenti ishte me të tjerët që në fillim kur që me një listë të zgjeruar sanksionesh kundër Rusisë, detyruan uljen e aftësisë së saj për të financuar luftën në Ukrainë,” thotë Kelleher për Deutsche Wellen. Ai është një mes shumë deputetëve, që ka vizituar Ukrainën, që në shkurt të 2022.

    Përndryshe Parlamenti ka pak pushtet direkt në politikën e jashtme, sepse vendimet merren nga qeveritë e BE-së. Deputetët kërkojnë gjithjë e më shumë rritjen e ndikimit. Me argumentin, se ata janë zgjedhur në fund të fundit direkt nga qytetarët e BE-së për të qenë anëtarë të Parlamentit.

    Por kjo nuk është diçka me prioritet për të gjithë politikanët BE-së. “Ne duhet të respektojmë vendimet e qeverive kombëtare, sepse ata janë përfaqësuesit e vërtetë të popullit,” thotë deputeti europian, Nicola Procaccini, kryetar i fraksionit nacionalist të djathtë ECR.

    Ashtu si partitë e spektrit të qendrës së djathtë deri tek të djathtët e skajshëm edhe partia e Procaccinisit mund të marrë në zgjedhjet e BE-së të këtij qershori vota nga votat e qendrës dhe të majtës.

  • Kurti homazhe te varret e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt: Pushkët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin të Ilirit

    Kurti homazhe te varret e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt: Pushkët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin të Ilirit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me një pjesë të kabinetit të tij, kanë bërë homazhe me rastin e 26-vjetorit të rënies së Heroit të Kombit, Ilir Konushevci dhe dëshmorit Dr.Hazir Malaj, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, kryeministri Kurti foli për kontributin e komandantit Ilir Konushevci e Hazir Malaj. Tha se armët që i mbanin ushtarët e UÇK-së, ishin pushkët e komandant “Mërgimit”, nofkë kjo e bartur gjatë luftës.

    Kurti tha se barra për Konushevcin ishte e dyfishtë, pasi ishte i ngarkuar për të sjellë armatim nga Shqipëria në Kosovë.

    “Në vitet e 90-ta është dashur të bëhet shumë punë vetmohuese për luftë çlirimtare të suksesshme. Ushtarët dhe oficerët e UÇK-së kishin nevojë për furnizim, për organizim, për rekrutim dhe që të gjitha këto bëheshin nga disa njerëz fortë të veçantë të cilët e mundësuan luftën çlirimtare dhe lirinë e Kosovës. Në mesin e tyre ndër më të shquarit është komandanti Ilir Konushevci ‘Mërgimi’, i cili kishte një barrë të dyfishtë: Në njërën anë ai duhej që ta pasonte udhëheqjen e Zahir Pajazitit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili ra heroikisht në janar të vitit 1997, ndërkaq në anën tjetër duhej sa më shpesh, sa më tepër i ngarkuar të sillte armatim nga Shqipëria në Kosovë”, tha Kurti.

    “Pushkët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin pushkët e Ilirit, andaj kontributi i tij është i paçmueshëm sepse është i pamatshëm. Bashkë me doktor Hazir Malën, komandanti Ilir Konushevci është emër i artë në historinë moderne të Kosovës e cila është në themel të shtetit tonë dhe të lirisë sonë si popull”, u shpreh Kurti.

    Këshilltari ushtarak i presidentes Vjosa Osmani, Gjeneral Sefer Isufi, tha se personaliteti e heroit Konushevci, bartet me krenari nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Në nderim të njërit prej themeluesve të UCK, njeherit të lokomotivës së logjistikës së UÇK-së, heroit të Kombit Ilir Konushevci në 26-vjetorin e rënies së tij. Vlerat e ushtarakut që barte personaliteti i jashtëzakonshëm i heroit Ilir Konushevci janë vlera të cilat i bartin me krenari të gjithë ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe janë udhërrëfyes se si sakrifikohet dhe flijohet për çlirimin, lirinë pavarësinë dhe mirëqenien e kombit. Andaj në emër të presidentes Osmani edhe njëherë lutemi që nderimi, përkujtimi dhe krenaria për heroin Ilir Konushevci të jetojë për jetë”, u shpreh ai.

  • Dita e Evropës, shkallët e Arbërisë “vishen” me ngjyrat e flamurit të BE’së

    Dita e Evropës, shkallët e Arbërisë “vishen” me ngjyrat e flamurit të BE’së

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se me rastin e Ditës së Evropës, shkallët e Arbërisë janë veshur me ngjyrat e flamurit të Bashkimit Evropian.

    Rama ka thënë se rrugëtimi i Kosovës drejt BE’së është i natyrshëm dhe i pashmangshëm dhe se kjo është simbolika e këtij veprimi.

    “Rrugëtimi jonë drejt Bashkimit Evropian është i natyrshëm dhe i pashmangshëm. Në Ditën e Evropës, i veshëm shkallët ikonike të Arbërisë me ngjyrat e flamurit të Bashkimit Evropian si simbol i këtij rrugëtimi”, ka shkruar Rama.

  • Ambasadori italian në Beograd: S’është momenti që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, Asociacioni element kyç

    Ambasadori italian në Beograd: S’është momenti që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, Asociacioni element kyç

    Ambasadori italian në Beograd, Luca Gori ka thënë se ende nuk ka ardhur koha për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës duke theksuar se për një gjë të tillë është i domosdoshëm përparimi thelbësor në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Ky është qëndrimi që ka mbajtur Italia së bashku me Francën, Gjermaninë dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe këtë po përpiqemi ta arrijmë në Strasburg”, tha Gori për Tanjug në lidhje me kërkesën për shtyrjen e vendimit të Këshillit të Europës për anëtarësimin e Kosovës.

    Ai shtoi se qëndrimi i Italisë është shumë i qartë dhe se Roma beson se Asociacioni është element kyç për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Prandaj jemi të bindur se nëse nuk ka progres substancial në lidhje me këtë qëllim, nuk është koha e duhur për t’u marrë me apo për ta vënë në agjendë çështjen e kandidaturës së Kosovës për Këshillin e Europës”, ​​tha ambasadori italian.

    I pyetur për hapat që po i ndërmerr Italia për ta shtyrë anëtarësimin e Kosovës në KiE, ai tha se tashmë janë ndërmarrë hapa në Strasburg në koordinim me vendet e tjera anëtare të BE-së.

    “Ne po mundohemi t’i inkurajojmë autoritetet e Kosovës që të bëjnë përparim në çështjen e Asociacionit, por deri më tani nuk kemi parë ndonjë përparim”, tha Gori dhe ritheksoi se qëndrimi i Italisë është se nuk është ende momenti i duhur për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të mërkurën se nuk do ta çdojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, duke përmendur se ky i është paraqitur si kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE këtë muaj.

  • Plagoset një polic në Klinë

    Plagoset një polic në Klinë

    Një zyrtar policor është plagosur sot në fshatin Zllakuqan të Klinës, gjatë një aksioni për të kapur hajnat që kishin hyrë për të vjedhur në shtëpinë e një prifti të këtij fshati.

    Rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, teksa polici që mori lëndime nga arma e zjarrit është jashtë rrezikut për jetë.

    Rastin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    “Sot në orët e mëngjesit, rreth orës 03:56 stacioni policor në Klinë është njoftuar se në fshatin Zllakuqan në shtëpinë e banimit të priftit kanë hy disa persona. Policia menjëherë ka dalë në vend të ngjarjes dhe me të arritur aty, afër objektit kanë hasur në rezistencë me çrast një zyrtar policor është lënduar nga arma e zjarrit. Zyrtari i lënduar është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë dhe sipas mjekut kujdestar ai është jashtë rrezikut për jetë”, tha Gashi.

  • ​Alarmon Rafuna, bën thirrje për veprime urgjente të Qeverisë për të mbrojtur ekonominë

    ​Alarmon Rafuna, bën thirrje për veprime urgjente të Qeverisë për të mbrojtur ekonominë

    Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Lulzim Rafuna ka theksuar nevojën për veprime të menjëhershme nga Qeveria e Kosovës për të mbrojtur dhe përmirësuar ekonominë e Kosovës. Ai në një intervistë për KosovaPress derisa thotë se ka nevojë për reforma në politikat fiskale, konsideron se qeveria duhet të ndihmojë më shumë bizneset vendase, pasi që sipas tij, ka rënie të theksuar të eksportit, për çfarë thotë se kjo dëmton edhe ekonominë e vendit.

    Sa i përket investimeve publike dhe projekteve kapitale, Rafuna bën thirrje për qeverinë që të fillojë sa më shpejtë implementimin e projekteve për të stimuluar dhe nxitur rritjen ekonomike.

    Ai i shqetësuar shprehet edhe me masat e vendosura nga Bashkimi Evropian për Kosovën, ku tashmë bëhen një vit. Ai derisa thotë se kërkesat që vijnë nga partnerët dhe aleatët ndërkombëtar duhet të zbatohen dhe të implementohen nga Qeveria, vlerëson hapin e zgjedhjeve të mbajtura në veri si pozitiv, por thekson se është e rëndësishme të koordinohet me aleatët në mënyrë që të adresohen edhe sfidat tjera që prekin ekonominë e vendit.

    “Ne si Odë Ekonomike për shkak se po dëmtohet ekonomia jonë, bizneset, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, po ashtu edhe imazhi, kërkesa jonë ka qenë që kërkesat që vijnë nga partnerët ndërkombëtar. Në këtë rast nga Bashkësia Evropiane dhe nga miqtë tjerë, nga ShBA-të, Anglia, të harmonizohen nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të dakordohen dhe gjitha këto masa të implementohen… (Kërkesat për zgjedhjet në Veri), është një hap që e ka bërë Qeveria, që është të përgëzohet, mirëpo duhet të shihen cilat janë kërkesat tjera dhe duhet sa më urgjent, sa më shpejtë të hiqen masat që nuk i meriton Republika e Kosovës…Për momentin, sipas të dhënave që posedojmë si Odë jemi këtu, jemi të 300 milionëshi, mirëpo nuk do të thotë që kjo muajt e ardhshëm nuk rritet, për shkak se vijnë projektet që vendet tjera përfitojnë, ndërsa Kosova nuk përfiton, dhe kjo vlerë mund të shkojë duke u rritur”, deklaron Rafuna.

    Në lidhje me rritjen e çmimit të produkteve të konsumit, e cila sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në muajin mars e prill të këtij viti, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2.3 për qind krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar, Rafuna përmend nevojën për ndërhyrjen e politikave financiare për të shmangur rritjen e atyre çmimeve.

    Ai ka pohuar se lajmi i mirë është se inflacioni është në rënie, por gjithashtu ka vënë në duke nevojën për të analizuar dhe eliminuar kostot shtesë që ndikojnë në rritjen e çmimeve.

    “Duhet të merren masat e politikave fiskale, financiare, por edhe tek pjesa administrative në mënyrë që të ndihmohet që çmimet sidomos për produktet e konsumit të përditshëm të mos shtrenjtohen sepse ndikon drejtpërdrejt në gjepin e qytetarëve. Tani është lajm i mirë që inflacioni është në rënie, jo vetëm në Kosovë, por rajon dhe gjithë Evropën, lajmi mirë është që kemi dalë edhe prej sezonit të dimrit dhe nuk është më kërcënimi i mungesës së energjisë elektrike ose ngritja e çmimit të energjisë elektrike, normat e interesit kanë filluar që të bien në vendet e BE-së, tani edhe në Kosovë, ky është lajm i mirë edhe për bizneset. Kështu, duhet të shohim ku është ajo kostoja shtesë që po e kanë bizneset tona që po ndikon në ngritjen e çmimeve dhe të eliminojmë edhe atë pjesë nga ana e Qeverisë”, shton Rafuna.

    Ai ka shtuar se rënia e investimeve kapitale po ndikon direkt tek bizneset.

    “Po ndikojnë shumë, sepse një ndër elementet që ndikon drejtpërdrejt në rritje të bruto produktit vendor janë edhe investimet publike, në këtë rast që vinë prej projekteve kapitale që parashihen të financohen nga mjetet publike, nga paratë e parapara në buxhetin e shtetit, d.m.th me ligjin e buxhetit për vitin 2024. Për ne ka qenë shqetësuese kur kemi parë edhe komunikatën e Fondit Monetar që nuk i referohet shumë investimeve publike. Kërkesa jonë ka qenë gjithmonë më së paku në qoftë se nuk ka mundësi të shtojë shumën e mjeteve për shpenzime kapitale, së paku të shpenzohet ajo shumë e cila është e planifikuar. Ne jemi dëshmitar që dy apo tre vitet e kaluara ka qenë më e vogël shuma që ka njohur ndonjëherë historia e implementimit të projekteve kapitale. Dhe kërkesa jonë sërish shkon për Qeverinë, ministritë përkatëse qe të fillojnë të implementojnë projektet në kuptim të plotë të ligjit, duke e respektuar çdo dispozitë të tij, mirëpo të fillojnë sa më herët në mënyrë që projektet të implementohen, por edhe ajo shumë qe ka qenë e paraparë të shkojë tek biznesi, deri tek hallka e fundit”, shton Rafuna.

    Ai gjithashtu shpreh shqetësimin për rënien e eksportit dhe bënë thirrje Qeverisë që të lobojë sa më shumë për përmirësimin e imazhit të vendit për të siguruar stabilitet dhe ambient të favorshëm në të bërit biznes.

    “Ankesat janë të shumta, ankesa më e madhe për momentin është gjetja e tregut më të madh, duhet të ndihmohen prodhuesit. Nëse shohim të dhënat nga doganat, por edhe nga ASK shohim se ka rënie të eksportit në këta tre muajt e fundit, dhe kjo është shqetësuese, për arsyeje se duhet parë sa i përket eliminimit të mundësisë që Kosova të paraqitet si një vend i tensionuar, si një vend i krizës, këtu duhet të kemi kujdes të gjithë, duhet të punojmë sa më shumë në përmirësimin apo tregimit të imazhit të Kosovës, që është një vend i qetë, demokratik, në vend që ndikon në stabilitet edhe të BE-së, ambient i të bërit biznes. Është edhe çështja e mos ndërmarrjes në politikat fiskale, është viti i gjashtë që nuk ka një freskim të politikave fiskale. Më pas reforma në sistemin arsimor, për ta lidh arsimin me kërkesat e tregut, duhet shëndetësia e me radhë. Institucionet duhet të jenë më të shpejta, sepse nuk kemi kohë që të presim dhe të shohim prej një shikimi të lirë se çfarë po ndodh, duhen veprime konkrete dhe të shpejta”, thotë Rafuna.

    Eksporti i mallrave në muajin shkurt të këtij viti kishte vlerën 70.3 milionë euro, ndërsa importi 467.8 milionë euro, që është një rënie prej 3.9 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 19.7 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

    Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 25.2 për qind në muajin shkurt 2024, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2023, gjegjësisht në vlerë prej 397.4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 317.5 milionë euro në vitin 2023.

    Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për statistikat e Tregtisë së Jashtme, eksporti mbulon importin me 15 për qind.

  • KFOR-i gjen një pushkë të varur në një pemë në Zveçan, policia jep detaje

    KFOR-i gjen një pushkë të varur në një pemë në Zveçan, policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një njësi e KFOR-it ka gjetur në një pemë në pushkë me 13 fishekë në Zveçan.

    Sipas raportit 24 orësh të PK-së, arma dhe municioni është sekuestruar.

    Nuk raportohet për të arrestuar.

    Raporti i plotë:

    Raportohet se nga një njësi e KFOR-it, në një pemë është gjetur e vendosur/varur një pushkë me 13 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe një gëzhojë. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet relevante policore, përfshirë forenzikën, të cilët kanë sekuestruar armën dhe municionin. Nuk raportohet për të arrestuar, përderisa rasti vazhdon të hetohet.

  • Presidentja Osmani kujton heroin Ilir Konushevci në 26-vjetorin e rënies së tij

    Presidentja Osmani kujton heroin Ilir Konushevci në 26-vjetorin e rënies së tij

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar heroin Ilir Konushevci në 26-vjetorin e rënies së tij.

    Presidentja Osmani ka thënë se heroi Ilir Konushevci me veprimtarinë unike për kauzën e luftës çlirimtare është ndër figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësit e sektorit të logjistikës.

    “Vrasja e tij së bashku me mjekun Hazir Mala në pritë të organizuar, ishin humbje e rëndë për UÇK-në, pikërisht në kohën e organizimit dhe shtrirjes së madhe të saj. Besnikëria, ndershmëria, guximi dhe vendosmëria ishin virtytet e Ilirit, i cili ra për lirinë e popullit të tij. Falë atij dhe bashkëluftëtarëve, ne jemi të lirë, ndaj drejtësia për të është domosdoshmëri dhe respekt për sakrificën sublime. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Ilir Konushevci dhe mjekun Hazir Mala”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

  • 26 vjet nga vrasja e gjeneral Ilir Konushevcit

    26 vjet nga vrasja e gjeneral Ilir Konushevcit

    Sot mbushen 26 vjet nga vrasja e njërit ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushevci.

    Ilir Konushevci është lindur më 20 qershor 1969 në Llugë të Podujevës. Fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes. Shkollën fillore e kreu në fshatin Lluzhan, të mesmen në Podujevë dhe u regjistrua në Shkollën e Lartë në Ferizaj, të cilën nuk arriti ta përfundojë për shkak të aktiviteteve.

    Më 13 maj 1992 , Iliri, së bashku me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, themelojnë grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake.

    Kjo vërehet në betimin e dhënë, ku thuhet: “Betohem para flamurit dhe para shokëve se detyrat, të cilat i parashtron grupi, do t`i kryej me besnikëri dhe nëse është nevoja edhe jetën do ta jap për realizimin e idealit tonë”.

    Ky grup, në vitin 1993, bie në kontakt me LKÇK-në. Edhe pse në mes tyre kishte disa dallime të vogla sa i përket mënyrës së organizimit, megjithatë gjendet mënyra për bashkëpunim, sepse të dy palët mendonin se çlirimi i Kosovës mund të realizohej përmes luftës së armatosur.

    Njësiti “Shqiponjat“ pranon që t`i ndihmojë ata në shpërndarjen e organit të LKÇK-së “Çlirimi”. Ky bashkëpunim zgjati gjer nga fundi i vitit 1993 dhe fillimi i vitit 1994.

    Në qershor të vitit 1996 ky njësit bie në kontakt përmes Rrustem Mustafës – Remit, me komandant Zahir Pajazitin dhe nga ajo kohë ishte vazhdimisht krah për krah me të.

    Pas vrasjes se Zahirit, Hakifit dhe Edmondit më 31 janar 1997, në fshatin Pestovë afër Vushtrrisë, me sugjerimin e shokëve Selim Haziri, Naim Hyseni dhe Naim Hazir), kalojnë në ilegalitet në një banesë në Prishtinë për disa ditë dhe nga këtu vendosin që të kalojnë në Shqipëri.

    Nga ajo kohë, Iliri, në rrethanat e krijuara në Shqipëri, ndryshoi formën e veprimit të tij, por duke mos u larguar asnjëherë nga betimi i dhënë për të luftuar gjer në fund për çlirimin e Kosovës. Atje filloi të bashkëpunojë me bashkëluftëtarët e Zahirit, si me Adrian Krasniqin, me të cilin ishte i pandarë deri në vdekjen e Adrianit, Qerim Kelmendin, Mujë Krasniqin, Ismet Abdullahun, Murat Ajetin etj.

    Iliri në Shqipëri punoi në furnizimin me armatim në nivel të vendit, detyrë e cila ishte shumë e vështirë. Këtë detyrë e kryente kryesisht me Ardian Krasniqin,pas vrasjes së Luan Haradinajt.

    Pasi formuan rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani disa herë erdhën në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së, si dhe koordinimit të punëve me rrethet e tjera, sepse pas vrasjes së Zahir Pajazitit shumë çka nuk ishte si më parë.

    Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte ZOLL-in në Shtabin Qendror.

    Më 16 tetor 1997 vritet dhe Ardian, gjatë një sulmi të Stacionit të policisë serbe në Kliqinë të Pejës. Vrasja e tij ishte një humbje e madhe për shokët, për UÇK-në e veçanërisht për Ilirin, sepse ata pos të tjerash ishin edhe shokë të pandarë të aksioneve. Pas këtij rasti, Iliri ngarkohet nga shokët me rolin kryesor për sjelljen e armatimit në Kosovë. Gjatë gjithë kohës sa punoi në këtë detyrë, ai hyri në Kosovë mbi tridhjetë herë, duke sjellë armatim të llojllojshëm, nga armët e brezit e deri tek armatimi kundërtank. Iliri, pos që punoi rreth furnizimit me armatim, kontribuoi shumë edhe në sjelljen e eprorëve profesionistë në radhët e luftëtarëve të lirisë.

    Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998, atje ku me se paku pritej, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.

    Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.

    Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në.

  • Zyrtarët e një banke në Prizren raportojnë se në bankomatin e tyre janë deponuar 705 euro fals

    Zyrtarët e një banke në Prizren raportojnë se në bankomatin e tyre janë deponuar 705 euro fals

    Zyrtarët e një banke kanë njoftuar se në bankomatin e tyre janë deponuar 705 euro që dyshohet se janë të falsifikuara.

    Monedhat janë konfiskuar nga forenzika dhe rasti po hetohet.

    “MONEDHË E FALSIFIKUAR- Prizren / 26.03.2024. Zyrtarët e një banke kanë njoftuar se në bankomatin e tyre ishin deponuar 705 € të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Monedhat janë konfiskuar nga forenzika. Rasti  është duke u hetuar.”