ATV

Category: Lajme

  • Në cilësinë e të dyshuarit, Hysen Durmishi intervistohet nga prokuroria speciale

    Në cilësinë e të dyshuarit, Hysen Durmishi intervistohet nga prokuroria speciale

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Zakonisht ditën e fillon në zyrën e tij, por, zëvendësministri i Infrastrukturës paraditen e së mërkurës kishte diçka tjetër në agjendë.

    Në cilësinë e të dyshuarit, Hysen Durmishi për gati dy orë u intervistua nga Prokuroria Speciale në lidhje me kontratat e nënshkruara për rrugën Prishtinë – Podujevë.

    Pavarësisht se Organi Shqyrtues i Prokurimit konstatoi se Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje duke nënshkruar kontratat derisa ka pasur ankesë aktive, Durmishi që është një nga tre nënshkruesit insiston se procedurat kanë qenë në rregull.

    Vendimi i OSHP-së në dhjetor të vitit të kaluar, e kishte konfirmuar se nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e llotit të dytë të magjistraltes Prishtinë – Podujevë, ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, pasi kishte ankesë aktive dhe tenderi është dashur të pezullohej.

    Kontrata ishte nënshkruar nga Nexhat Krasniqi, zyrtar përgjegjës i Prokurimit në këtë ministri, katër ditë pas ankesës se Operatorit Ekonomik “Sallahu” në OSHP.
    Për këtë shkelje Gjykata e Tenderëve kërkoi që Krasniqit t’i revokohet certifikata e zyrtarit përgjegjës të prokurimit.

    Sidoqoftë, duke u nisur kryesisht nga parimi i përgjithshëm i interesit publik, pavarësisht shkeljeve, OSHP-ja kishte rekomanduar që vendimi i ministrisë dhe kontrata e nënshkruar të mbesin në fuqi dhe puna në ndërtimin e rrugës të vazhdojë.

    Tenderi për “Zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë Besi – Podujevë” kap vlerën e
    38 milionë eurove.

  • Aksident trafiku në kryeqytet, gjashtë të lënduar, një në gjendje të rëndë

    Aksident trafiku në kryeqytet, gjashtë të lënduar, një në gjendje të rëndë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Gjashtë persona, kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti mes dy veturave në Prishtinë.

    Njëri prej të lënduarve është në gjendje më të rëndë shëndetësore, derisa të gjashtit po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Shkaqet e aksidentit ende nuk dihen. Mirëpo nga policia kanë konfirmuar se rasti po hetohet.

    “Sot rreth orës 09:00 kemi pranuar informatën se në udhëkryqin afër konvikteve në Prishtinë , ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Edhe dëmet materialet nuk janë hiç të vogla. Pjesët e veturave të aksidentuara u shpërndan gjithandej.

    Më shumë se një orë e gjysmë u desh për ta pastruar vendin e ngjarjes dhe më pas të vazhdojë qarkullimi normal i veturave të tjera.

  • “Dhjetë plumba kokës para syve të fëmijës 8-vjeçar”, gjykimi për vrasjen e 48 vjeçarit nga Prizreni

    “Dhjetë plumba kokës para syve të fëmijës 8-vjeçar”, gjykimi për vrasjen e 48 vjeçarit nga Prizreni

    Përgatiti: Nora Luta

    Për vrasjen që tronditi Prizrenin shtatorin e vitit të kaluar Aziz Gashi është deklaruar i pafajshëm.

    Në Gjykatën e Prizrenit të mërkurën nisi gjykimi ndaj Gashit nën akuzën për vrasjen e Beqir Morinës në shtator të 2023-s, në lagjen Arbana të këtij qyteti.

    Fajësinë e mohoi, por nga banka e të akuzuarit ai u shprehi keqardhje për rastin familjes së viktimës, që ishte e pranishme në sallën e gjykimit.

    E bashkëshortja e të ndjerit, për disa çaste u detyrua ta lëshoj sallën shkaku i gjendjes së rënduar emocionale.

    52 vjeçari, sipas aktakuzës shkrepi dhjetë plumba në kokën e viktimës, për shkak të një mosmarrëveshje që e kishin pasur më herët.

    Sipas Prokurorisë, i akuzuari rrezikoi jetën edhe të anëtarëve të familjes së viktimës, që ishin të pranishëm në ditën kritike, përfshirë fëmijës 8 vjeçar.

    Ndaj Gashit rëndojnë edhe akuzat për armëmbajtje pa leje dhe asgjësim të pasurisë, për të cilat e pranoi fajësinë.

    Gjykata e veçoi procedurën për këto dy vepra, dhe vendimi do të shpallet gjatë javës së ardhshme.

    Ngjarja tragjike kishte ndodhur më 3 shtator të vitit të kaluar.

    I akuzuari në seancën për caktimin e masës së paraburgimit vitin e kaluar kishte deklaruar se nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore, derisa edhe të mërkurën tregoi se është në terapi.

  • Haradinaj kujton Komandant Drinin: Ai zë vend të rëndësishëm në historinë e lavdishme të UÇK-së

    Haradinaj kujton Komandant Drinin: Ai zë vend të rëndësishëm në historinë e lavdishme të UÇK-së

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar Ekrem Rexhën-Komandant Drini, në 24-vjetorin e ndarjes nga jeta.

    Haradinaj ka thënë se Komandant Drini ka zënë vend të rëndësishëm në historinë e lavdishme të UÇK-së.

    “Sot në 24-vjetorin e ndarjes nga jeta kujtojmë Ekrem Rexhën – Komandant Drini, që me plot meritë, ka zënë vend të rëndësishëm në historinë e lavdishme të UÇK-së, bashkë me komandantët e ushtarët më heroikë që pati Kosova”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka kujtuar po ashtu edhe ngjarjet e 8 marsit të 1999-së në fshatrat Kashicë, Staradran dhe Terstenik.

    “8 maji na kthen në kujtesë vitin 1999, motrat dhe vëllezërit e fshatrave; Kashicë, Staradran dhe Terstenik, që me sakrificën e tyre u bënë gurthemel i shtetit që e gëzojmë sot. Të rënët në këtë tokë janë dëshmi se sa e shtrenjtë është liria dhe ata do të jetojnë në kujtesën e popullit gjithmonë.Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të Kosovës!”, është shprehur Haradinaj.

  • Maqedoni e Veriut – KShZ: Dalja deri në ora 13:00 për zgjedhjet presidenciale rreth 24%, parlamentare mbi 25%

    Maqedoni e Veriut – KShZ: Dalja deri në ora 13:00 për zgjedhjet presidenciale rreth 24%, parlamentare mbi 25%

    Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut ka bërë të ditur se deri në ora 13:00 në zgjedhjet presidenciale kanë dalë për të votuar 302.158 respektivisht 23.95 për qind.

    Dalje më të madhe deri më tani për zgjedhjet presidenciale ka në Kriva Plankë, me 46,44%, ndërsa dalja më e ulët për zgjedhjet presidenciale është në Likovë, me 3,28%.

    “Krahasuar me raundin e dytë të Zgjedhjeve presidenciale në vitin 2019 kemi rritje të daljes prej 3,49 % në këto zgjedhje. Ndërsa, krahasuar me raundin e parë të Zgjedhjeve presidenciale 2024 kemi ulje prej 0,7 %”, njoftuan nga KSHZ-ja.

    Sa u përket zgjedhjeve parlamentare deri në orën 13:00, nga numri i prej зa përgjithshëm i regjistruar 1 207.922 në këto 2.348 vendvotime, kanë votuar 312.070 respektivisht, 25,84%. Dalje më e madhe për momentin për zgjedhjet parlamentare ka në Krivogashtan, me 48,65 % ndërsa dalja më e ulët për zgjedhjet parlamentare është në Mavrovë dhe Rostushë, me 11,91 %./tvklan.mk

  • Izraeli thotë se e ka rihapur një pikëkalim kyç në Gazë

    Izraeli thotë se e ka rihapur një pikëkalim kyç në Gazë

    Ushtria izraelite tha të mërkurën se e ka rihapur pikëkalimin Kerem Shalom me Rripin e Gazës, i cili është terminal i rëndësishëm për futjen e ndihmave humanitare, disa ditë pasi e kishte mbyllur pas një sulmi raketor nga Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – që vrau katër ushtarë izraelitë në afërsi.

    Por, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë ka thënë se ende nuk janë dërguar ndihma përmes këtij pikëkalimi dhe se nuk ndodhet askush në anën palestineze të tij për t’i pranuar ato.

    Punëtorët kanë ikur nga kjo pjesë gjatë një sulmi tokësor nga një brigadë izraelite e tankeve të martën, e cila e mori në kontroll pikëkalimin në afërsi, Rafah, mes Gazës dhe Egjiptit, i cili vazhdon të jetë i mbyllur.

    Sulmi i kufizuar tokësor nuk përbën fillimin e pushtimit të qytetit Rafah, gjë që Izraeli është zotuar vazhdimisht se do ta bëjë.

    Por, mbyllja e vazhdueshme e dy pikëkalimeve kryesore kufitare mund ta thellojnë krizën humanitare në Gazë, ku OKB-ja thotë se një “uri absolute” ka filluar të ndodhë në veri të enklavës.

    Shtetet e Bashkuara e pezulluan furnizimin e Izraelit me bomba javën e kaluar, për shkak të shqetësimeve se Izraeli është afër të vendosë për ta filluar pushtimin e plotë të Rafahut.

    SHBA-ja është e shqetësuar për fatin e rreth 1.3 milion palestinezëve të mbledhur në Rafah, shumica e të cilëve kanë ikur nga luftimeve në pjesët e tjera të enklavës.

    Izraeli thotë se Rafah është bastioni i fundit i Hamasit dhe një pushtim i plotë i tij është i nevojshëm për ta rrënuar këtë grup.

    Pikëkalimi Rafah ka qenë jetik për furnizim me ndihma humanitare prej se filloi lufta, dhe është vendi i vetëm nga i cili njerëzit mund të hyjnë dhe të dalin. Kerem Shalom është terminali kryesor i mallrave i Gazës.

    Izraeli tani i ka në dorë të gjitha pikëkalimet e Gazës për herë të parë prej se i tërhoqi trupat nga ky territor gati dy dekada më parë, megjithëse e ka mbajtur një bllokadë mbi Gazën në bashkëpunim me Egjiptin pothuajse gjatë gjithë kësaj kohe./REL/

  • E konfirmon Kurti: Ka pasur sulme kibernetike nga Federata Ruse

    E konfirmon Kurti: Ka pasur sulme kibernetike nga Federata Ruse

    Kryeministri Albin Kurti tha se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka folur në emër të Qeverisë, kur tha të martën se Rusia është duke kryer sulm kibernetik kundër Kosovës “pas njoftimit tonë për ta mbështetur Ukrainën me pajisje ushtarake”.

    “Çfarëdo që ka thënë zëvendësja ime, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla është edhe qëndrim i imi. Ajo ka folur edhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Kurti në një konferencë për media, pasi u pyet për këtë.

    Ai tha se ka pasur “sulme kibernetike të cilat duket se vijnë së paku nga Federata Ruse”. Kurti tha se “synimi i tyre është lufta hibride”, e cila nëse do të kishte sukses, do të krijonte destabilitet.

    “Është e vërtetë që disa web-faqe të institucioneve tona kanë rënë për një periudhë të caktuar. Ato janë rikthyer. Kanë qenë sulme kibernetike të cilat duket që vijnë së paku nga Federata Ruse, ndoshta edhe nga veglat e tjera që ata i kanë rrotull kontinentit tonë, por synimi i tyre është lufta hibride, e cila do të kishte për pasojë – po të ishte e suksesshme – destabilizimin e institucioneve tona të sigurisë, të stabilitetit dhe të mbarëvajtjes së punëve”, tha Kurti.

    “Pra, Donika Gërvalla-Schwarz ka dhënë qëndrimin e saj në emër të Qeverisë që unë e udhëheq”, shtoi ai.

  • Lehtësimi për konvertim të patentë shoferëve, ShBA-ja mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës

    Lehtësimi për konvertim të patentë shoferëve, ShBA-ja mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës

    Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se Washingtoni zyrtar mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të lehtësuar dhënien e patentë shoferëve kosovarët për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

    Hovenier ka thënë se ShBA-ja përkrah përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancimin e vizionit të përbashkët për një Kosovë gjithëpërfshirëse dhe multi-etnike.

    “Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e qeverisë së Kosovës për të lehtësuar dhënien e patentë shoferëve kosovarë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne mbështesim përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancojnë vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë gjithëpërfshirëse, multietnike”, ka shkruar Hovenier.

    Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që mundëson konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga institucionet ilegale serbe në Kosovë në patentë shoferë të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

    “Procesi është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë, duke nxitur kohezionin në jetën e përditshme”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

  • Muja për anëtarësimin në KiE: Është pazakontë në histori që të vendosen kushtëzime të tilla

    Muja për anëtarësimin në KiE: Është pazakontë në histori që të vendosen kushtëzime të tilla

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja për Ekonomia Online ka folur rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Muja ka theksuar se anëtarësimi në Këshillin e Evropës nuk ndërlidhet me marrëveshjen e vitit 2013. Ai ka thënë se në lidhje me kriteret e Këshillit të Evropës ka raportuar edhe Dora Bakojanis.

    “Procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës nuk ndërlidhet me marrëveshjen e vitit 2013. Ka qenë aplikim i ndarë do me thënë ka detyrime tjera që lindin nga sfera e sundimit të ligjit nga demokracia edhe çështjet e trajtimit të minoriteteve. Në lidhje me kriteret e Këshillit të Evropës ka pasur raport Dora Bakojanis por në anën tjetër juristët kanë ardhur dhe kanë shikuar çdo aspekt kushtetues e ligjor të Kosovës dhe ata në raportet e tyre thonë që Kosova i plotëson kushtet. Ndërkohë këtë çështjen e  asociacionit ata thonë që është çështje e dëshirueshme si rezultat i një procesi politik por që në mënyrën se si jemi ne dhe unë mendoj fuqimisht se jemi më të avancuar se gjysma e shteteve të Këshillit të Evropës”, ka thënë Muja.

    Muja ka shtuar se Asamblea e Këshillit të Evropës 72% e tyre e kanë konfirmuar dhe është pazakontë në histori që të vendosen kushtëzime të tilla.

    “Pastaj kërkohen gjëra të tilla  që në këtë fazë mendoj që është e padrejtë marrë parasysh që Asamblea e Këshillit të Evropës 72% e tyre e kanë konfirmuar dhe është pazakontë në histori që të vendosen kushtëzime të tilla. Nuk do të duhej të vendoseshin kushte të tilla sepse nuk i ndihmon as Evropës e as procesit të dialogut”, ka thënë Muja.

  • Ministri Maqedonci thotë se do vazhdojë investimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës

    Ministri Maqedonci thotë se do vazhdojë investimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës

    Në margjina të forumit “Defense 24”, që u mbajt në Poloni, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar zëvendësministrin e Lituanisë, Zhilvinas Tomkus.

    Ai ka takuar edhe zëvendësministrin e Koresë së Jugut, Sung IL, ish-ministrin e Mbrojtjes të Polonisë, si dhe anëtarin e Parlamentit, Mariusz Błaszczak.

    Me zëvendësministrin e Koresë së Jugut diskutuan rreth formave se si mund të vendoset bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Koresë së Jugut, me theks të veçantë në industrinë e mbrojtjes..

    Ndërsa me zëvendësministrin e Lituanisë diskutuan rreth formave të reja të bashkëpunimit ndërmjet të dyja shteteve dhe gjithashtu vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të Grupit për Mbrojtjen e Ukrainës, si pjesë e Koalicionit të Deminimit.

    Po ashtu, ministri Maqedonci vizitoi shtandet e kompanive prodhuese të industrisë së mbrojtjes, të cilat prezantonin produktet e teknologjisë së fundit.

    Me këtë rast theksoi se në tre vitet e fundit është investuar në ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë sonë shumëfish më shumë se pesëmbëdhjetë vitet e kaluara.

    ”Do të vazhdojmë investimin në përputhje me planin operacional, kërkesat dhe nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha ministri duke shtuar se që nga viti 2025 do të fillojë faza e tretë e zbatimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.