ATV

Category: Lajme

  • Trump akuzon Biden: Po na çon drejt Luftës së Tretë Botërore

    Trump akuzon Biden: Po na çon drejt Luftës së Tretë Botërore

    Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar presidentin aktual Joe Biden se po është krah grupit të Hamasit pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se nuk do ta furnizonte me armë Izraelin nëse pushton zonën Rafah.

    “I pandershmi Joe Biden, pavarësisht nëse e di apo jo, sapo deklaroi se nuk do të furnizojë me armë Izraelin, ndërsa ai lufton për të çrrënjosur terroristët e Hamasit në Gaza”- shkruan Trump.

    Trump shkruan në rrjetin e tij social “Truth” se Biden është krah terroristëve dhe u reshtua kundër protestave në kampet universitare. Ai shkoi më tej duke e akuzuar Biden se po e çon globin në Luftën e Tretë Botërore.

    “Biden është i dobët, i korruptuar dhe po e çon botën drejt e në Luftën e Tretë Botërore. Mos harroni, kjo luftë në Izrael, ashtu si ajo në Ukrainë, nuk do të kishte filluar kurrë nëse do të kisha qenë në Shtëpinë e Bardhë”– shtoi ai.

  • SHBA rrit presionin ndaj Izraelit

    SHBA rrit presionin ndaj Izraelit

    Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend që ka ndikim të vërtetë mbi Izraelin. E megjithatë, gjatë gjithë luftës në Gaza, Izraeli ka zgjedhur të injorojë shumë nga këshillat e aleatit të tij më të ngushtë.

    Për shtatë muaj të gjatë, SHBA ka rritur gradualisht presionin ndaj Izraelit. E megjithatë, shumë nga këto këshilla dhe sharje kanë rënë në vesh të shurdhër. Kështu që tani SHBA ka filluar të përdorë shkopin e saj më të madh.

    SHBA është deri tani burimi më i madh i armëve dhe municioneve të Izraelit. Sipas ligjit, ajo i siguron Izraelit 3.8 miliardë dollarë (3 miliardë £) ndihmë ushtarake çdo vit. Tani administrata Biden ka vonuar për herë të parë një dërgesë municionesh në Izrael.

    Pra, pse më në fund SHBA po synon ndoshta leven e saj më të madhe të ndikimit mbi Izraelin?

    Një përgjigje e parë është operacioni ushtarak i propozuar kundër Hamasit në Rafah. SHBA dhe shumë vende perëndimore kanë frikë se kjo do të çonte në viktima masive civile dhe një katastrofë humanitare.

  • “Apartament, dyqan, garazh dhe 1 mijë euro në muaj”, zbardhet divorci mes Elia Zaharisë e Leka Zogut

    “Apartament, dyqan, garazh dhe 1 mijë euro në muaj”, zbardhet divorci mes Elia Zaharisë e Leka Zogut

    Marrëdhënia mes Leka Zogu II dhe Elia Zaharias tashmë ka marrë fund edhe zyrtarisht pasi gjykata ka vendosur zgjidhjen e martesës së tyre të lidhur në vitin 2016 ne një ceremoni madhështore.

    Sipas gjykatës zgjidhja e martesës është e dakordësuar nga të dy, por gjithsesi do të duhen 15 ditë që ky vendim të marrë formë të prerë.

    Në vendim thuhet se Elia Zogu do të mbaje mbiemrin që ka patur para martese “Zaharia” ndërsa është pranuar se zgjidhja e martesës do të bëhet në bazë të marrëveshjes së firmosur mes tyre më 15 janar 2024 që përcakton përfitimet pas divorcit si dhe takimet që Leka ZOGU I II do të ketë me të bijën Geraldinën.

    Nga ky divorc Elia Zaharia do të përfitojë në një apartament 257 m2 i cili është në emrin e të bijës. Po ashtu artistja do të ketë në pronësi të plotë një dyqan 134 m2 si dhe një parking rreth 47 m2.

    Sipas kësaj marrëveshje të hartuar në janar të këtij viti kur Geraldina të jetë në moshë madhore Elia do të humbasë të drejtat mbi pronat në rast të krijimit të një marrëdhënieje të re martesore ose bashkëjetese”.

    Sipas marrëveshjes Leka Zogu do të paguajë 1 mijë euro vlerë monetare mujore si detyrim ushqimor kundrejt vajzës Geraldin. Kjo shumë përfshin shpenzimet për nevojat e përditshme të fëmijës dhe do të paguhet në llogarinë bankare të Nënës.

    Interesi më i lartë është fëmija prandaj është çmuar që vajza të takohet çdo ditë me të atin 2 orë dhe të shkojë në shtëpinë e tij në fundjave.

    Në gjykatë palët janë shprehur se arsyeja e divorcit është mungesa e komunikimit si dhe ndërprerja e bashkëjetesës.

  • Osmani uron presidenten e parë grua të RMV-së: Mezi pres të thellojmë bashkëpunimin mes dy shteteve

    Osmani uron presidenten e parë grua të RMV-së: Mezi pres të thellojmë bashkëpunimin mes dy shteteve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Gordana Silanovska-Davkova, për zgjedhjen si presidente e Maqedonisë së Veriut.

    Osmani mes tjerash potencoi se mezi pret të vazhdojë bashkëpunimin me presidenten e re për të thelluar marrëdhëniet mes dy shteteve.

    “Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore dhe ndajnë një angazhim të fortë për integrimin euroatlantik. Mezi pres të punoj me presidenten e zgjedhur për të arritur këtë qëllim të përbashkët dhe për të thelluar më tej marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni e Veriut”, shkroi Osmani në rrjetin e saj social në platformën X.

    Ndryshe, Gordana Silanovska-Davkova, është presidentja e parë grua në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësimi nga Jugosllavia.

  • ​Hetuesit e IPK-së arrestuan një zyrtar policor për ngacmim seksual

    ​Hetuesit e IPK-së arrestuan një zyrtar policor për ngacmim seksual

    Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar dje një zyrtar policor në Gjakovë me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “Ngacmim seksual“ ndaj një viktime të mitur.

    Hetuesit e IPK-së janë njoftuar përmes telefonit lidhur me dyshimet se ky zyrtar policor kishte kryer veprime të kundërligjshme.

    Hetuesit në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore ku pas këtyre veprimeve fillestare hetimore zyrtari policor është arrestuar dje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

  • Szunyog për Ditën e Evropës: Kjo ditë bartë solidaritet dhe harmoni duke simbolizuar misionin e BE-së për paqe

    Szunyog për Ditën e Evropës: Kjo ditë bartë solidaritet dhe harmoni duke simbolizuar misionin e BE-së për paqe

    Të enjten u bë hapja e organizimit “Përjeto Evropën 2024” me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, kjo ditë u shënua me aktivitete të ndryshme, raporton EO.

    Në një fjalë rasti, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se kjo ditë është e rëndësishme dhe përcjell mesazh uniteti.

    “Kjo ditë ka rëndësi të madhe për kontinentin evropian, Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare të saj ajo bartë një solidaritet dhe harmoni duke simbolizuar misionin e BE-së për paqe dhe porsperitet në kontinentin tonë”, tha ambasadori.

    Szunyog theksoi se tema e sotme është një vazhdim i fushatës së tyre Eksploroni Evropën dhe se me liberalizmin e vizave ky është një moment i ndritur.

    “Është e rëndësishme edhe për mua sepse jam në vitin e fundit te mandatit. Tema e sotme, “-Përjeto Evropën”, është një vazhdim i fushatës sonë Eksploroni Evropën me liberalizmin e vizave ky është një moment i ndritur”, tha ai.

    Ndërsa, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se manifestimi i sotshëm për ditën e Evropës, tregon se Kosova feston frymën evropiane.

    “Ky manifestim për ditën e Evropës synon me festu frymën evropiane këtu në Prishtinë në zemrën e Kosovës. Kjo frymë e cila lulëzon me unitet për një të ardhme më të ndritshme është ajo që na lidh me BE-në dhe bashkimin sa më parë me të”, tha Rama.

    Ai shtoi se Kosova do ec përpara me vendosmëri drejt Bashkimit Evropiane.

    “Me vendosmëri të palëkundshme do vazhdojmë me ec para me BE-në që i hap rrugë jo vetëm Kosovës por edhe forcon paqen e BE. Le t’i gëzojmë dhe festojmë rrugëtimin tonë deri këtu”, tha ai.

  • Takimi i Lajçak me O’Brien dhe Escobar, rikfonfirmohet se BE dhe SHBA janë në një linjë për Dialogun dhe rajonin

    Takimi i Lajçak me O’Brien dhe Escobar, rikfonfirmohet se BE dhe SHBA janë në një linjë për Dialogun dhe rajonin

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Washington, ku është takuar me Ndihmës Sekretarin, Jim O’Brien dhe Zëvendës ndihmës Sekretarin dhe emisarin për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Lajcak ka thënë se në takim kanë diskutuar për rrugën përpara sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se gjithashtu kanë folur edhe për çështjet rajonale që lidhen me Ballkanin Perëndimor.

    Emisari sllovak ka thënë se në këtë takim kanë rikonfirmuar bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

    “Kam kënaqësinë të takohem me Jim O’Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin Escobar sot në Uashington për të diskutuar rrugën përpara në Dialog dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. Rikonfirmuam bashkëpunimin tonë të shkëlqyer BE-SHBA”, ka shkruar Lajcak.

  • Maqedonci: Do të vazhdojmë investimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës

    Maqedonci: Do të vazhdojmë investimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se në kuadër të forumit Defense24 që u mbajt në Poloni, është takuar me zëvendësministrin e Lituanisë, Žilvinas Tomkus, zëvendësministrin e Koresë së Jugut, Sung IL, ish-ministrin e Mbrojtjes të Polonisë si dhe njëherazi anëtarin e Parlamentit, Mariusz Błaszczak.

    Me anë të një postimi në facebook, Maqedonci theksoi se do të vazhdojë me investimin në përputhje me planin operacional, kërkesat dhe nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Postimi i plotë:

    Në margjina të forumit Defense24 që u mbajt në Poloni, pata rastin gjithashtu të takoj zëvendësministrin e Lituanisë, Žilvinas Tomkus, zëvendësministrin e Koresë së Jugut, Sung IL, ish Ministrin e Mbrojtjes të Polonisë si dhe njëherazi anëtarin e Parlamentit, Mariusz Błaszczak.

    Me zëvendëministrin Sung IL diskutuam rreth formave se si mund të vendosim bashkëpunim ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Koresë së Jugut, me theks të veçantë në industrinë e mbrojtjes. Ndërsa me zëvendësministrin e Lituanisë, Žilvinas Tomkus, diskutuam rreth formave të reja të bashkëpunimit ndërmjet të dyja shteteve, dhe gjithashtu vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të Grupit për Mbrojtjen e Ukrainës si pjesë e Koalicionit të Deminimit.

    Po ashtu vizitova shtandet e kompanive prodhuese të industrisë së mbrojtjes të cilat prezantonin produktet e teknologjisë së fundit.

    Në tre vitet e fundit kemi investuar në ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë sonë shumëfish më shumë se pesëmbëdhjetë vitet e kaluara.

    Do të vazhdojmë investimin në përputhje me planin operacional, kërkesat dhe nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Që nga viti 2025 do të hyjmë në fazën e tretë të implementimit të PGJT-së. Fazë tjetër, investime të reja.

  • Shahini: Kosova nën sanksione feston ditën e Evropës, humb mbi 600 milionë euro

    Shahini: Kosova nën sanksione feston ditën e Evropës, humb mbi 600 milionë euro

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka thënë se Kosova si shenjë respekti për Evropën sot po feston zyrtarisht këtë ditë të rëndësishme.

    Shahini ka theksuar se vlera financiare e humbur nga sanksionet e EU kundër Kosovës për vitin 2023/2024 kapin shumë mbi 600 milionë €.

    “ Vlera penguese dhe integruese për Kosovën është shumë më e rëndë se ajo financiare”, ka thënë ai.

    “Kosova si shenjë respekti për Evropën sot po feston zyrtarisht këtë ditë të rëndësishme për më shumë se 750 milionë banorë sa ka EU. Përderisa Kosova tash e 11 muaj po jeton nën sanksione ndërkombëtare ekonomike, politike, diplomatike dhe integruese. Këto sanksione kanë goditur rëndë çdo segment jetësor e sidomos atë ekonomik ku janë tërhequr shumë projekte në vitin e kaluar por edhe këtë vit nuk janë në plane buxhetore të EU për Kosovën”, ka thënë ai.

    Agim Shahini kryetari i AKB-ës tha se vlera financiare e humbur nga sanksionet e EU kundër Kosovës për vitin 2023/2024 kapin shumë mbi 600 milionë €. Kurse vlera penguese dhe integrues për Kosovë është shumë më e rëndë se ajo financiare.

  • Presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut: Ballkani së pari, pastaj Brukseli

    Presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut: Ballkani së pari, pastaj Brukseli

    Për herë të parë që nga pavarësimi në vitet ‘90, Maqedonia e Veriut zgjodhi një grua për presidente të shtetit.

    Profesoresha universitare, Gordana Silanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia e djathtë opozitare, VMRO-DPMNE, e fitoi balotazhin presidencial më 8 maj, kundër kandidatit të Lidhjes Social-Demokrate, Stevo Pendarovski, deri më tash president.

    Në fjalimin e parë para opinionit, pas fitores, Silanovska-Davkova tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake.

    “Nga ky moment do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve, të gjitha grupeve etnike, të gjithë anëtarëve partiakë, atyre që nuk janë në parti… sepse presidentja nuk mund ta bashkojë popullin dhe të kërkojë unitet nëse mban vija partiake”, tha ajo.

    Fqinjëve u bëri thirrje që ta mbështesin, siç tha, ballkanizimin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë politikanë të vërtetë.

    “Duhet të fillojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje. Rrugët e mia së pari çojnë në Ballkan, dhe, natyrisht, as Brukseli nuk është jashtë”, tha Silanovska-Davkova.

    Çfarë “Maqedonie krenare” premton?

    Gjatë fushatës parazgjedhore, Silanovska-Davkova u paraqit si profesoreshë dhe si përfaqësuese e pavarur në Kuvend.

    Në programin e saj “Maqedonia është sërish krenare”, shkruan se Marrëveshja e Prespës, që ndryshoi emrin e Maqedonisë në Maqedoni të Veriut, “është çështje e hapur”, dhe se në fjalimet e saj para publikut nuk do ta përdorë fjalën “e veriut” në emrin e shtetit.

    Ajo nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë së voni, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese – të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase – ajo do t’i respektonte ato.

    Ndryshimet e tilla në Preambulën e Kushtetutës janë kusht për Maqedoninë e Veriut që t’i vazhdojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Brenda një afati prej dhjetë ditësh, Silanovska-Davkova, si presidente, do t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë së re kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend.

    Silanovska-Davkova hyri në rrethin e dytë zgjedhor si favorite, pasi në rrethin e parë më 24 prill – kur garuan gjithsej shtatë kandidatë – fitoi dyfish më shumë vota se kandidati i përkrahur nga Lidhja Social-Demokrate, Stevo Pendarovski.

    Në balotazh, Silanovska-Davkova fitoi 363.085 vota dhe Pendarovski 180.499 vota.

    Ky ishte një rezultat krejt i kundërt në krahasim me duelin e tyre të parë zgjedhor në vitin 2019, kur fitoi Pendarovski.

    Mandati aktual i Pendarovskit skadon më 12 maj. Deri atëherë, Kuvendi duhet ta mbajë seancën për inaugurimin e presidentes së re.

    Në këtë rast, seancën ceremoniale për inaugurimin e presidentes së re do ta mbajnë deputetët nga përbërja e deritashme e Kuvendit.

    Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski, tha se ky institucion do të mundohet t’i respektojë të gjitha afatet, në mënyrë që më 12 maj vendi ta ketë presidenten e re.

    Pesë presidentë dhe gjashtë cikle zgjedhore

    Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, vendi ka pasur gjithsej pesë presidentë.

    I pari, Kiro Gligorov, ka pasur dy mandate. Për të parin është zgjedhur me votim të fshehtë në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 janar 1991. Për mandatin e dytë dhe të gjithë të mëvonshmit janë zgjedhur në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta.

    Gligorov e ka fituar mandatin e dytë në vitin 1994 dhe pas tij në këtë pozitë ka ardhur Boris Trajkovski, më 1999. Ai ka qenë president deri në vdekjen e tij tragjike në një aksident avioni, në vitin 2004.

    Presidenti i tretë më pas është bërë udhëheqësi i atëhershëm i Lidhjes Social-Demokrate, Branko Cërvenkovski, i cili ka qëndruar në atë pozitë vetëm për një mandat.

    Pas tij, në vitin 2009, Gjorgje Ivanov, i propozuar nga VMRO DPMNE-ja, i ka fituar zgjedhjet dhe ka mbajtur dy mandate, deri në vitin 2019, kur në krye të shtetit është zgjedhur Stevo Pendarovski./REL/