ATV

Category: Lajme

  • Aliu takon udhëheqësin e Zyrës së ASK-së në Ferizaj dhe koordinatoren rajonale, fton qytetarët të kryejnë regjistrimin

    Aliu takon udhëheqësin e Zyrës së ASK-së në Ferizaj dhe koordinatoren rajonale, fton qytetarët të kryejnë regjistrimin

    Kryetari i komunës se Ferizajt, Agim Aliu ka takuar udhëheqësin e Zyrës së Agjencisë së Statistikave në Ferizaj, anëtarin e KKR-së, Bahri Sejdiu dhe koordinatoren rajonale Fitore Qorrolli Mejzinolli, të cilët tha se i ka përgëzuar për punën e deritashme.

    Në fotografinë e publikuar, Aliu ka shkruar se fton qytetarët ti përgjigjen pozitivisht regjistruesve.

    “Procesi i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave është tashmë në 4 ditëshin e fundit, andaj me qëllim të falënderimit 🙏🏻për punën e jashtëzakonshme që është bërë, mirëprita këtë mëngjes, udhëheqësin e Zyrës së Agjencisë së Statistikave në Ferizaj, anëtarin e KKR-së, z. Bahri Sejdiu dhe koordinatoren rajonale znj. Fitore Qorrolli Mejzinolli, të cilët i përgëzova që bashkë me Komisionin Komunal, po bëjnë punë të jashtëzakonshme për këtë proces me rëndësi shtetërore e shoqërore.
    Bashkëqytetarë që ende nuk jeni regjistruar, ju lutem t’i përgjigjeni pozitivisht regjistruesit/es në ekonominë tuaj familjare.
    Planifiko të ardhmen, REGJISTROHU!”.

  • Funksionalizohet Zyra për Rikthimin e Aseteve, në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

    Funksionalizohet Zyra për Rikthimin e Aseteve, në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

    Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi mori pjesë në takimin e thirrur nga Udhëheqësi i Zyrës për Rikthim të Aseteve, Bahri Hyseni, me përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese, konkretisht nga Policia e Kosovës, Njësiti për Inteligjencë Financiare, Agjencia për Menaxhimin e Aseteve të Konfiskuara dhe të Sekuestruara, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

    Gjatë këtij takimi u bë funksionalizimi i Zyrës për Rikthimin e Aseteve, e cila është themeluar në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ofron ndihmë dhe këshilla në gjurmimin e pasurisë, bashkëpunimin me institucione financiare, kontabilitet forenzikë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për arritjen e synimeve të prokurorëve të rastit për kthimin e pasurisë së fituar përmes veprës penale.

    Me këtë rast Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, përshëndeti funksionalizimin e kësaj Zyreje, duke falënderuar përfaqësuesit e Institutit të Bazelit për Qeverisje dhe UNDP-së për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë në forma të ndryshme për themelimin e Zyrës së Rikthimit të Aseteve dhe shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera ligj-zbatuese me qëllim të funksionimit sa më të mirë të kësaj Zyreje.

    Poashtu në këtë takim prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njëkohësit Udhëheqës i Zyrës për Rikthim të Aseteve, Bahri Hyseni, i njoftoi përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese me rolin dhe me kompetencat e kësaj Zyreje, ndërkaq zyrtarët e deleguar prezantuan ekspertizën e tyre të deri tanishme.

    Temë e diskutimeve të përbashkëta gjatë këtij takimi ishte edhe plani për procedurat standarde të veprimit, hapat e ardhshëm të Zyrës, si dhe planifikimi i aktiviteteve në terren.

    Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, të Ambasadës Britanike në Prishtinë, të Zyrës së UNDP-së në Kosovë dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

  • KQZ: Mijëra të rinj anembanë Kosovës pjesë e fushatës informuese “Zëri yt, vota jote!”

    KQZ: Mijëra të rinj anembanë Kosovës pjesë e fushatës informuese “Zëri yt, vota jote!”

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar fushatën për edukimin dhe informimin e votuesve të rinj për procesin zgjedhor në vend.

    Me anë të këtij projekti, i cili do të përfundojë më 31 maj 2024, të rinjtë do të informohen për të drejtën е tyre për të votuar, procesin zgjedhor, sistemin dhe procedurat zgjedhore, si dhe për ndikimin që mund të ketë vota е tyre në përcaktimin e përzgjedhjes së përfaqësuesve të tyre.

    Po ashtu, të rinjtë do të informohen për caktimin e qendrës së tyre të votimit dhe për mundësinë e ndërrimit të saj në çdo kohë.

    Përmbushja e këtyre objektivave do të arrihet përmes organizimit të ligjëratave, diskutimeve, simulimit të votimit, shpërndarjes së materialeve informuese/vetëdijesuese të cilat do të organizohen në shkolla të mesme dhe në sallat e asambleve komunale.

    Në fund të çdo ligjërate, do të bëhet simulimi i votimit me qëllim të informimit se si të plotësohet një fletëvotim në mënyrë që të jetë i vlefshëm.

  • Kryediplomati ukrainas takon Vuçiqin dhe Vuçeviqin në Beograd

    Kryediplomati ukrainas takon Vuçiqin dhe Vuçeviqin në Beograd

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq i ka thënë të hënën ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba që Serbia është e përkushtuar për respektim të ligjit ndërkombëtar dhe integritetit territorial të secilit vend anëtar të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Ukrainën.

    Kuleba është duke e vizituar Beogradin bashkë me Olena Zelenskan, gruan e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë ukrainas në Serbi, qysh prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    Kuleba është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe është planifikuar një takim me kryetaren e Kuvendit serb, Ana Bërnabiq.

    Qeveria e Serbisë ka thënë se kryeministri Vuçeviq dhe ministri Kuleba kanë diskutuar për situatën aktuale në fushën e sigurisë dhe politikës në nivel global, si dhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik në mes të të dyja vendeve.

    “Ne jemi të hapur ndaj të gjitha çështjeve”, ka thënë kryeministri Vuçeviq dhe e ka falënderuar Kuleban që e ka përmendur ndihmën humanitare që Serbia e ka ndarë për popullin ukrainas.

    Sipas Qeverisë serbe, Kuleba ka thënë se shkuarja e tij në Serbi përçon mesazh që ka hapësirë për t’i forcuar marrëdhëniet në mes të këtyre dy vendeve.

    “Serbia dhe Ukraina kanë shumë dallime, por edhe shumë të përbashkëta, dhe kjo është arsyeja se mund të ndërtojmë të ardhme të përbashkët në shumë fusha”, është cituar të ketë thënë Kuleba.

    Zelenska dhe Kuleba e kanë nisur vizitën në Serbi 10 ditë pas formimit të Qeverisë së re, pjesë e së cilës janë dy emra të afërt me Rusinë, për çka Beogradi është kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

    I pari është Aleksandar Vullin, zëvendëskryeministri pro-rus dhe ish-shefi i shërbimit të inteligjencës.

    I dyti është Nenad Popoviq, ministër pa portofol, i cili ka lidhje politike dhe biznesore në Rusi.

    Të dy janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është takuar me liderin ukrainas, Volodymyr Zelenky tri herë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe hera e fundit ka qenë në shkurt, në Tiranë.

    Serbia e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, që përfshin edhe Gadishullin e Krimesë, i cili është aneksuar nga Rusia më 2014.

    Megjithatë, ndonëse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia nuk e ka harmonizuar politikën e jashtme me atë të Brukselit, dhe nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

    Prej vitit 2022, Serbia ka pranuar mijëra refugjatë ukrainas, ka dërguar ndihmë humanitare në Ukrainë dhe është zotuar se do ta ndihmojë Kievin për t’u rindërtuar.

  • ​Liderët bullgarë: Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë me Shkupin

    ​Liderët bullgarë: Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë me Shkupin

    Presidenti bllullgar Rumen Radev dhe kryeministri i përkohshëm Dimitar Glavçev deklaruan qëndrime të hënën në të cilat thanë se Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që kundërshtojnë Traktatin e Miqësisë të vitit 2017, traktatet e tjera të nënshkruara nga Shkupi. Komentet e tyre erdhën pas ceremonisë së inaugurimit të Presidentes së sapozgjedhur të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

    Presidenti Rumen Radev tha se Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017 dhe traktatet e tjera ndërkombëtare që ka nënshkruar Republika e Maqedonisë së Veriut. Qëndrimi i tij u bë i ditur nga sekretariati i shtypit i Presidentit.

    Bullgaria vazhdimisht dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se traktatet duhet të zbatohen, vuri në dukje presidenti Rumen Radev. Ai rikujtoi se Maqedonia e Veriut është shtet anëtar i NATO-s, gjë që ka detyrime dhe përgjegjësi përkatëse.

    “Jam i bindur se perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut varet nga zbatimi rigoroz i traktateve ndërkombëtare në të cilat është palë si dhe për kornizën negociuese, të miratuar nga Këshilli Evropian në korrik të vitit 2022″, tha presidenti. Sipas tij, korniza nuk do të rishikohet – një fakt të cilin ai ua ka treguar institucioneve përgjegjëse në Shkup.

    Glavçev lëshoi gjithashtu një deklaratë, të shpërndarë nga shërbimi për shtyp i qeverisë, në të cilën thuhet se Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017 dhe marrëveshjet në parim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    “Bullgaria vazhdimisht dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se marrëveshjet duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze. Kujtojmë se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet anëtar i NATO-s, që nënkupton detyrime dhe përgjegjësi përkatëse”, tha Glavçev.

    “Ne jemi të bindur se perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të varet tërësisht nga zbatimi gjithëpërfshirës i marrëveshjeve të dakorduara nga të gjithë në korrik të vitit 2022”, thuhet më tej në deklaratë.

    Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë së Veriut, pas një takimi më 11 maj, shpalli rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të 8 majit për president dhe parlamentin e ri të vendit. Gordana Siljanovska-Davkova u zgjodh presidente e Republikës së Maqedonisë së Veriut me shumicën e votave të hedhura – 561.000 vota kundër 251.899 të kundërshtarit të saj Stevo Pendarovski. Ajo u betua para Parlamentit në Shkup. Gjatë ceremonisë, Siljanovska tha se ajo beton të “kryejë funksionet e presidentes së Maqedonisë me mirëbesim dhe përgjegjësi”. Në fushatën e saj elektorale, Siljanovska disa herë ka deklaruar se nuk do ta përdor emrin zyrtar të vendit të saj “Maqedonia e Veriut”, i cili është miratuar me Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018 me Greqinë. /BTA/

  • ​Vritet një polic në Fier, shkak një sherr i çastit

    ​Vritet një polic në Fier, shkak një sherr i çastit

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të hëne në fshatin Baltëz të Fierit, ku raportohet se, gjatë një konflikti të çastit, ka mbetur i vdekur një punonjës policie i repartit “Shqiponja”.

    Sipas policisë së Fierit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.

    Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.

    “Fier/Informacion paraprak: Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.

    Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.

    Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Fierit, shkruan A2Cnn.

  • ​Ftesa e Kurtit ndaj opozitës vlerësohet e pasinqertë, diskutimi për zgjedhje i pashmangshëm

    ​Ftesa e Kurtit ndaj opozitës vlerësohet e pasinqertë, diskutimi për zgjedhje i pashmangshëm

    Ftesa e kryeministrit Albin Kurti për takim me partitë opozitare është e pasinqertë, thotë politologu, Fidan Ukaj. Sipas tij, LDK dhe AAK me të drejtë e kanë refuzuar ftesën, ndërkaq shton se në takimin e sotëm të Kurtit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi krahas diskutimit për agjendën legjislative pashmangshëm do të flitet edhe për zgjedhjet e parakohshme.

    Ukaj, thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti do të tentojë të gjejë konsensus për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kodit civil në Kuvend.

    “Letra e kryeministrit Kurti në adresë të partive opozitare është e pasinqertë, sepse kërkesa ose tema që zotëri Kurti iu është drejtuar partive opozitare nuk është në domenin e kryeministrit, por është fushë e legjislativit që përfaqëson kryeparlamentari Konjufca. Mendoj se është më shumë një arsyetim i temave të tjera që do të diskutoheshin nëse eventualisht do të kishte një akordim që mund t’i jepnin partitë opozitare. Temë pashmangshëm do të ishte mundësia e gjetjes së votave nga partitë opozitare për kalimin e kodit civil, po ashtu edhe përkrahja për dërgimin e draftit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Pashmangshëm që edhe tema e zgjedhjeve do të ishte temë e diskutimit”, thekson Ukaj.

    Siç thekson Ukaj, nuk është në domenin e kryeministrit Kurti që t’i ftoi partitë opozitare për takim që lidhen me agjendën legjislative, pasi e njëjta i takon kryeparlamentarit Glauk Konjufca, në nivel të shefave të grupeve parlamentare.

    “Mendoj se me të drejtë. Shumë profesionale ka qenë përgjigja e AAK-së, duke rikujtuar se grupin parlamentar të AAK-së e përfaqëson Besnik Tahiri dhe nëse ka të bëjë me legjislativin, atëherë ftesa duhet t’i drejtohet në adresë të grupit parlamentar dhe jo në adresë të kryetarit të partisë. Mendoj se ka qenë më shumë një ftesë që prapa saj fshihen tema të tjera dhe siç duket nuk ka hasur në mirëkuptimin e partive opozitare. Edhe PDK-ja që iu është përgjigjur pozitivisht takimit, megjithatë vjen me kërkesë për diskutim për procesin e ri zgjedhor”, thotë ai.

    Të nevojshme Ukaj e konsideron miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend. Mirëpo, sipas tij, kreu qeveritar dëshiron të marrë përkrahjen e partive opozitare në situatën kritike që gjendet Kosova, kur po i kërkohet të dërgojë draft-statutin e Asociacionit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

    “Kalimi i marrëveshjeve ndërkombëtare janë miliona euro që presin për me i marrë dy të tretat e votave në Kuvend, mund të jetë njëra nga temat, por ne gjendemi në një fazë kritike të rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe po ashtu kemi kërkesën që me dërgua për interpretim draftin e Asociacionit. Kryeministri ka dal jashtë domenit të përgjegjësive të veta dhe mendoj se më shumë ka qenë një kamuflim ftesa drejt partive opozitare sesa një fushë që kryeministri e mbulon. Shumë më e sinqertë do të ishte që me potencua në ftesën që temë diskutimi do të jetë mundësia e kalimit të kodit civil dhe përkrahja për me dërgua draftin në kushtetuese dhe mundësia që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, deklaron ai.

    Megjithatë, Ukaj vlerëson se për dakrodimin për zgjedhjet e parakohshme duhet pajtim nga të gjitha partitë parlamentare.

    “Diskutimet bëhen me të gjitha partitë politike dhe mbetet të shihet a do të pranoj kryeministri Kurti që vetëm me PDK-në, përveç diskutimit për pjesën legjislative të diskutohet edhe tema e zgjedhjeve. Mendoj se është shumë e sinqertë që të potencoheshin të gjitha temat dhe mendoj se edhe partitë opozitare do t’i përgjigjeshin pozitivisht”, përfundon Ukaj.

    Kurti sot do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, për të diskutuar siç është thënë në ftesë për agjendën legjislative të Kuvendit, ndërkaq lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradianj e kanë refuzuar të njëjtin.

  • ​Kalon periudha transitore, disa qytetarë serbë në Graçanicë ende përdorin dinarin

    ​Kalon periudha transitore, disa qytetarë serbë në Graçanicë ende përdorin dinarin

    Ndonëse ka përfunduar periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës rreth çështjes së dinarit, ku sipas Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, valuta e vetme për të kryer shërbime për shit-blerje është euro, ndonëse kjo nuk po zbatohet nga disa biznese në komunën e Graçanicës.

    KosovaPress ka vizituar këtë komunë, në të cilën shkëmbimet tregtare ne disa biznese vazhdojnë të bëhen me dinar, megjithatë disa të tjera nga sot e kanë ndalur së përdoruri këtë valutë pas përfundimit të periudhës transitore të Rregullores së BQK-së.

    Qytetarja, Vaska Kostiq, thotë se vazhdon të blejë me dinar në dyçane edhe pas vendimit të BQK-së.

    “Për ne si me euro si me dinar, më mirë me dinar se në markete me dinar. (Sot) Me dinar kam blerë”, tha ajo.

    Ndërkaq, disa biznese tjera në këtë komunë, janë duke e respektuar vendimin e BQK-së, në këtë mënyrë shit-blerjet e mallrave po bëhen vetëm me euro.

    “Nuk guxoj, vetëm euro, nuk guxoj të marrë dinar. E keni kembimoren atje”, thotë një tregtar prapa kamerës.

    Kjo rregullore ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, por BQK kishte vendos një fazë tranzitore, që mundësonte lehtësim për zbatimin e këtij vendimi.

    Në kuadër të kësaj periudhe, nuk janë shqiptuar masa ndëshkuese, por janë ofruar informacione për qytetarët rreth zbatimit të rregullores për pagesa me para të gatshme. Ndërsa, bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.

    Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar të hënën për efektet nga Plani për Zbatim të Lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të hënën se më 15 maj Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e radhës për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

    Ky do të jetë takimi i shtatë me radhë në nivel të kryenegociatorëve kushtuar kësaj teme, teksa në gjashtë takimet e mëhershme kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, nuk kanë arritur pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi./kp

  • ​Kështu votuan qytetarët në anketën për Asociacionin

    ​Kështu votuan qytetarët në anketën për Asociacionin

    Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duket që është bërë “mollë sherri”, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

    Për Asociacionin e Komunave Serbe është diskutuar për shumë vite si brenda vendit, ashtu edhe me në takime me diplomatët ndërkombëtar, ku kishte deklarata e qëndrime pro e kundër themelimit.

    KosovaPress ka realizuar një anketë ku qytetarët për një javë kanë votuar kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Në pyetjen “A duhet të ketë zgjedhje të parakohshme?”, 369 respodentë ose 72 për qind, janë përgjigjur kundër themelimit të Asociacionit. Ndërsa, 109 respodentë ose 21 përqind e tyre, kanë votuar se duhet të themelohet ky asociacion. E janë edhe 36 persona ose 7 përqind e tyre që janë deklaruar se nuk e dinë nëse duhet të bëhet një asociacion i tillë.

    Kosova muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësim në këtë organizatë, duke nxitur besimin në vendin tonë për përmbushjen e këtij synimi dhe zemërimin në Beograd. Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor 2023. Por, kryeministri Albin Kurti e cilësoi të papranueshëm një kushtëzim të tillë. Dy ditë më parë pas një takimi me diplomatët e vendeve kryesore perëndimore në Prishtinë ai bëri thirrje që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, meqë këto procese janë të ndara.

    Por, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili është në fund të mandatit, tha se këto procese “janë shumë të lidhura”. Këshilli i Evropës, tha ai, “ka të bëjë me trajtimin e pakicave dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e pakicave dhe kjo përfshinë edhe asociacionin”.

    Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

    Në tetor 2023, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projekt statut të asociacionit, i cili duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese para themelimit.

    Themelimi i tij është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

  • BQK: Këto janë efektet e arritura pas hyrjes në fuqi të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme

    BQK: Këto janë efektet e arritura pas hyrjes në fuqi të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme

    Banka Qendror e Kosovës (BQK) ka njoftuar se janë licencuar katër banka për import ose eksport të parasë së gatshme dhe 57 autorizime për transport të parave të gatshme. Sipas BQK-së, nga një zyrë janë licencuar në Leposaviq, Zveçan, Shtërpcë dhe në Gjilan, ndërsa dy në Shtërpcë. BQK po ashtu njofton se janë vendosur 38 bankomatë, janë kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese si dhe janë dhënë 11 milionë euro kredi.

    BQK ka njoftuar se nga dhjetori i vitit 2023-s deri në prill të këtij viti janë larguar nga qarkullimi rreth 2.5 milionë copë të monedhës dy-euroshe, e mbi 54 mijë copë të falsifikuara. Sipas njoftimit, BQK-ja i ka futur në përdorim mbi 7.4 milionë copë monedhë 2 euro, 1 euro, 50 cent, 5 cent, 2 cent dhe 1 cent.

    “Janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth 2.5 milionë copë monedha të denominimeve prej 2 eurosh; Janë detektuar dhe u është parandaluar hyrja në sistemin financiar rreth 54,000 copë monedha të denominimeve prej 2 eurosh, duke i tërhequr nga qarkullimi të dyshuara si të falsifikuara; Është furnizuar ekonomia me afro 7.4 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar; Është furnizuar ekonomia me afro 5.82 milionë copë kartëmonedha euro plotësisht të reja dhe të përshtatshme për riqarkullim ne shume prej 261.6 milionë euro. Po ashtu janë importuar monedha krejtësisht të reja 5 milionë copë, ose 8 milionë euro; Janë eksportuar 2.4 milionë copë (2.8 milionë euro) të monedhës 2 euro (të tërhequra nga qarkullimi); Numri i kartëmonedhave prej 500 (pesëqind) euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në BQK ka kaluar mbi 266,000 (dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) copë/njësi në vlerë mbi 133 (njëqind e tridhjetë e tre) milionë euro; Janë licencuar katër (4) banka për import/eksport të parasë së gatshme; dhe 57 autorizime (kryesisht të valutave joeuro) për transport të parave të gatshme në kundërvlerë të tërësishme prej 177.4 milionë euro”, thuhet në njoftimin për media të BQK-së.

    BQK ka bërë edhe vlerësimin mbi efektet nga Plani për Zbatim të Lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme.

    “Nga lista prej 10 pikash të Planit, BQK ka realizuar aktivitete në secilën prej tyre, duke filluar nga funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800 222 55), lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së dhe aktivitetit të intensifikuar promovues, deri te pikat tjera që kanë kërkuar angazhimin dhe kontributin e institucioneve financiare, për çka shprehim falënderimin. Disa nga efektet e Planit për Zbatim të Lehtësuar të zbatuar gjatë periudhës tre (3) mujore, i cili kontribuoi në rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jobankare, gjithëpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha, janë paraqitur në vijim: Janë licencuar tetë (8) degë/zyra të institucioneve financiare; Një zyrë bankare/degë në Leposaviq, Një zyrë e kompanisë së sigurimit (jojetë) në Leposaviq. Gjashtë zyra të institucioneve financiare jobankare dhe mikrofinanciare: Një në Leposaviq, një në Zveçan, dy në Graçanicë, një në Shtërpcë, një në Shillovë, Gjilan.

    Po ashtu sipas BQK-së, janë vendosur 38 bankomatë/ATM/pajisje të vetëshërbimit financiar; janë kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese (duke përfshirë Remote Banking); Janë dhënë afër 11 milionë euro kredi.

    “Gjatë kësaj periudhe transitore tashmë të përmbyllur, BQK-ja në kuadër të edukimit financiar, ka organizuar kampanja informuese, siç është Manuali për Pyetjet dhe Përgjigjet e Shpeshta mbi Rregulloren, dërgimi i SMS-ve informuese, publikimi i sqarimeve dhe njoftimeve në ëebfaqe dhe në të gjitha rrjetet sociale të BQK-së, në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Më tej në komunikatë thuhet se zgjerimi i qasjes në financa, përfshirja financiare, edukimi financiar dhe mbrojtja e konsumatorit do të jenë aktivitete dhe angazhime të vazhdueshme të BQK-së mbi bazën e praktikave më të mira evropiane, si objektiva të Planit Strategjik të BQK-së, me fokus në zonat pjesë e Planit të Lehtësimit të Zbatimit të Rregullores. Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase te qytetarët e Republikës së Kosovës, përmes llogarive bankare mbi bazën e rregullores në fuqi.

    “Sa i përket luftës ndaj parave të falsifikuara dhe kujdesit të duhur, BQK-ja vazhdon t’i inkurajojë qytetarët dhe bizneset të deponojnë monedhat e tyre në bankat komerciale dhe të përdorin sa më tepër kartelat dhe pagesat tjera elektronike, si dhe çdo dyshim për tentim të futjes në qarkullim të parave të falsifikuara nga falsifikatorët ta raportojnë tek autoritetet përgjegjëse. Po ashtu, udhëzohen bizneset që të furnizohen me monedha vetëm përmes bankave komerciale dhe të shmangin kanalet jozyrtare, si dhe të ofrojnë sa më tepër mundësi për pranimin e pagesave elektronike”, thuhet në fund të njoftimit.

    Kjo rregullore ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, por BQK ka vendos një fazë tranzitore, që mundësonte lehtësim për zbatimin e këtij vendimi.