Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.
Sipas këtij instituti, temperaturat maksimale të ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius.
“Moti vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës parashihen të sjellin reshje me shkarkime rrufesh.Në disa zona të izoluara për shkak të zhvillimeve të mëdha të vranësirave konvektive, ekziston rrezik për reshje të breshërit”.
“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi 1-7m/s”, thuhet tutje në njoftimin e IHMK-së.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti, tha para gazetarëve se kanë folur për ekonominë e stagnuar, arsimin dhe temat të tjera, ku përfshihet edhe rrezikimi i Kosovës në KiE.
“Konsideroj që është shumë e rëndësishme që t’ia shpreh qëndrimet e mija dhe PDK-së drejtpërdrejt dhe qartë. Është evidente që unë dhe Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe besoj që ndonjëherë edhe preokupimet e qytetarëve nuk janë preokupimet e Kurtit”
“Unë besoj se nga takimet që kemi në çdo cep të Kosovës, se ne nuk jemi në gjendje të mirë. Kosova është në agoni. Kemi një ekonomi të stagnuar, rritje të cmimeve me paga dhe pensione të vogla. Arsim të degraduar. Për më shumë një paralament jofunksional të cilin e dini nga java në javë, barten pikat pa pasur mundësi me i kalu”.
“Tani kemi një situatë për sa i përket KiE. Nuk ka asnjë siguri që kjo do të ndodh, përkundarzi veçse do ketë dështim që secili prej nesh jemi munduar të ketë suksese. Ia shpreha Kurtit që konsideroj që duhet ta përshpejtojmë punën për t’i dhënë zgjidhje këtyre temave”, u përgjigj kreu i PDK-së, i pyetur nga gazetarët pse ai vendosi ta takojë Kurtin, ndryshe nga liderët e tjerë opozitarë.
Kryeministri Albin Kurti, pas darkës me Memli Krasniqin e PDK-së, ka kërkuar bashkëpunim nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat nevojiten 2/3 e deputetëve.
Ai tha se kjo është interes i Kosovës.
“Sonte diskutuam çështje të aktualitetit politik, por me theks të veçantë të agjendës legjistative. Ne i kemi 13 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për t’u votuar. Dihet që nuk mjafton shumica e thjeshtë, por nevojiten 2/3 e deputetëve. Gjithashtu e kemI edhe një marrëveshje kornizë ndërkombëtare ushtarake dhe i kemi pesë projektligje, në lexim të parë dhe të dytë për të cilën neve na nevojitet mbështetja e opozitës, apo me mirë të them bashkëpunimi me ta sepse konsiderojmë që është çështje e interesit të përgjithshëm”, tha Kurti.
Por, Kurti ka shpalosur para gazetarëve se në darkën që ka zgjatur më shumë se dy orë kanë diskutuar dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Kurti përsëriti se VV-ja është e gatshme të bisedohet se “në cilën stinë duhet të shkohet në zgjedhje”, por shtoi se për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota.
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet janë çështje të viteve por të muajve…Jam i interesuar që të diskutojë se cilën stinë duhet të mbahet. Le ta bëjmë debatin ne kuadër të fushatës zgjedhore ndërkohë që jemi pajtuar se kur do të mbahen zgjedhjet. Duhet të diskutojmë me të gjitha subjektet politike dhe cila është data për të cilën do të pajtoheshim. Unë i kam ftuar që të gjitha partitë sonte e falënderoj udhëheqjen e PDK-së që i është përgjigjur pozitivisht. Për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota LVV-së nuk i ka por njëkohësisht që nuk do të preferoja shpërndarjen e kuvendit me 2 parti.. Është e rëndësishëm që të jemi sa më konsensus për datën dhe muajin e zgjedhjeve. Unë nuk mund ta përcaktoj datën e zgjedhjeve verë edhe po ta kisha mundësinë nuk do ishte në rregull që unë ta caktoj. Nuk shpërndahet kuvendi me shum8cë të thjeshtë nevojiten 80 deputetë ne nuk jemi opozita.. më lejoni që të shohim edhe pak diskutimin me dy partitë opozitare”, tha Kurti.
Pothuajse çdo ditë në adresë të policisë ka raportime për dhunë në familje.
Por të shpeshta janë edhe rastet kur deklarata e viktimës del përtej stacionit policor, e bëhet publike për media.
Për këtë është në dijeni edhe inspektorati policor, por sipas tij, këto raste janë zor të vërtetueshme.
“Është tepër sfiduese, kemi disa raste që i kemi iniciuar dhe kemi zhvilluar hetime, është problematikë për me arritë me vërtetu, por gjithashtu është temë që nuk e kemi harru dhe jemi duke punuar që me marrë masa”, tha kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor, Kushtrim Hodaj.
Kësisoj, vetëm një rast është evidentuar nga ana e inspektoratit si “zbulim i fshehtësisë zyrtare”, gjatë vitit të kaluar.
Një gjë e tillë kritikohet edhe nga ana e juristëve meqë thonë se publikimi dëmton viktimën.
“Konsideroj se është e dëmshme edhe për viktimën. Këto raste kur paraqiten në publik veçse po dënohet personi nga ndjekësit e lajmeve me komente të ndryshme”, tha Halit Shaljani, avokat.
Nga Asociacioni i Gazetarëve thanë se kjo çështje asnjëherë nuk është diskutuar nga ana e anëtarëve të bordit, pasi, sipas tyre, për këto raste vendosin vetë mediat, në bazë të politikave të tyre.
Rastet e zbulimit të identitetit dhe deklaratës së viktimës, thonë se ndikojnë negativisht në raportimet e rasteve në polici, nga frika se mund të zbulohen.
Njollat e gjakut nga rrahja mes nxënësve në shkollën fillore “Selman Riza” në Gjakovë, kanë mbetur ende.
Dy nxënës të moshës 14 vjeçare, gjatë përleshjes, përdorën stilolaps dhe gërshërë, duke i shkaktuar njëri-tjetrit lëndime trupore.
Ata morën trajtim mjekësor në spitalin e Gjakovës.
Ndaj dy nxënësve, nga drejtoria e shkollës thonë se do të ketë masa ndëshkimore.
“Ne si shkollë, do të ndërmarrim masa konform ligjit, dhe do i shohim edhe faktet e tjera, i kemi edhe kamerat dhe e shohim gjendjen qysh është”, tha drejtori i shkollës, tha Gjokë Osmani.
Derisa shkaqet që çuan deri në përleshjen mes nxënësve ende nuk dihen, Policia në Gjakovë njoftoi se rasti është duke vazhduar me procedurë të rregullt hetimore.
“Rreth orës 10:00 është raportuar se tre fëmijë kanë pranuar trajtim mjekësor pasi ishin përfshirë në një përleshje fizike, në një shkollë në lagjen “Dardania” në Gjakovë. Policia i është përgjigjur rastit dhe është duke u vazhduar me procedurë të rregullt hetimore:, thuhet ë njoftimin e Policisë.
Euro dhe dinar – të dyja valutat pranohen për pagesa me para të gatshme në bizneset në Mitrovicë të Veriut, edhe pas përfundimit të periudhës kalimtare për zbatim të lehtësuar të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
Në Bankën Postare, statusi ligjor i së cilës në Kosovë mbetet i pazgjidhur dhe të cilën Serbia e bëri pjesë të dialogut në Bruksel, nuk folën për ATV-në.
Megjithatë, gazetarë e aktivistë të shoqërisë civile thanë se nga mëngjesi i së hënës, kjo bankë po punon vetëm me euro.
“Janë dy kategori e postave, Postanska Stedionica dhe Posta. Posta ka pranuar pagesat deri në 11, por pas disa telefonatave edhe ata e kanë ndërpre, që d.m.th. të dyja janë duke pranuar transfer vetëm në euro”, tha Branislav Krstic, gazetar.
Edhe pse nuk ka konfirmim zyrtar, sipas aktivistit Dusan Radakovic, edhe përfituesit nga skemat sociale dhe pensionale të Serbisë, pagesat po i pranojnë në valutën zyrtare të Kosovës.
“Deri tani askush nuk ka informacione zyrtare, vetëm se nga sot Posta ka nisur shpërndarjen të konvertuar në Euro, sepse Serbia bën pagesën në llogaritë bankare me dinarë, sepse janë procedura normale deri sot. Banka bën këmbimin sipas kursit të valutave, që aktualisht 1 euro është rreth 120 dinarë, dhe njerëzit që marrin ndihmë sociale ose pension i marrin ato në Euro. Maksimumi i lejuar i tërheqjes nga banka është 400 euro”, tha Radakovic.
Krahas kritikave në mungesë informacionesh zyrtare nga institucionet e Kosovës, ai shpjegoi gjendjen në terren.
“Në shitore shumica i kanë çmimet në Euro, dhe hap pas hapi, pasi që nuk kanë mjaftueshëm dinarë, njerëzit kanë filluar të funksionojnë më shumë me euro. Problemi është se askush nuk e di cili është ndëshkimi nëse e përdor dinarin”, tha Radakovic.
Pasi tha se qytetarët në veri po vuajnë nga politika e Prishtinës dhe Beogradit, gazetari Krstic tha se para kalimit të plotë eventual në Euro, pret zgjatje të periudhës tranzitore deri në një marrëveshje në Bruksel.
“Qytetarët janë duke pritur vendimet nga Beogradi. Pse nga Beogradi? Sepse nuk është pranueshme të shkohet në NLB ose Raiffeisen, të cilat janë të licencuara nga BQK-ja, shteti i Kosovës, dhe të cilat përdorin vetëm euro, nëse dikush nga Beogradi nuk ma paguan rrogën në atë bankë”, tha Krstic.
Pa treguar shifra rreth llogarive bankare të reja, të hënën, Banka Qendrore njoftoi se gjatë periudhës kalimtare tremujore janë vendosur 38 bankomatë të rinj.
Po ashtu, BQK-ja listoi tetë degë të institucioneve financiare të licencuara, katër prej tyre në veri të vendit – tri në Leposaviq dhe një në Zveçan.
Megjithatë, nuk tregoi lidhur me veprimet që do të ndërmerren për shkeljen e rregullores.
Dragashi është komuna e vetme deri tani, e cila pak ditë para përfundimit të regjistrimit të popullsisë, ka kërkuar zyrtarisht shtyrjen e këtij procesi edhe për një kohë.
Agjencia e Statistikave pret kërkesa të ngjashme edhe nga komunat e tjera, por ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit, Avni Kastrati, thotë se nuk ka arsye të qëndrueshme që procesi të mos mbyllet më 17 maj.
“Dragashi ka thënë se ka sfidë me regjistrimin e komuniteteve, por nuk do të shtyhet pa ndonjë arsye specifike, që do të thotë jemi optimistë se procesi do të përfundojë me kohë…”, tha Kastrati.
Sfidë në gjithë territorin, sipas Kastratit, ishte dorëheqja e anketuesve në fillim të procesit, për çka ASK-ja u detyrua t’i shfrytëzojë edhe regjistruesit rezervistë, që përbënin 22% të stafit.
“E kanë parë gjatë punës që nuk është edhe e lehtë, disa janë tërheqë, por kemi pasë rezerva, i kemi shfrytëzuar që të gjithë…”, tha Kastrati.
Deri të hënën, janë regjistruar mbi 1.4 milion banorë rezidentë në Kosovë.
Ndërkaq, 400 mijë të tjerë janë regjistruar nga diaspora, në platformën online.
Udhëheqësit e Agjencisë së Statistikave besojnë se të dhënat nga regjistrimi i popullsisë do të jenë më të sakta se ato të vitit 2011, për shkak të zhvillimit të teknologjisë.
Çështjen e gradimit të gjeneratës së 54-të të policisë, tashmë e ka marrë përsipër Inspektorati Policor i Kosovës.
Pas shumë ankesave është themeluar një ekip hetues që do të merret me rastin.
Këto deklarime kyreshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor i bëri teksa po raportonte në Komisionin për Siguri.
Pyetjet që iu bënë atij ishin goxha të ngjashme me ato që ia bënë drejtorit të përgjithshëm të policisë, të premten e kaluar, veçanërisht rreth ndryshimeve në njësinë e hetimeve.
Deklarimi i Hodajt, në lidhje me largimin e hetuesit, Shemsi Haziri, nxiti debat mes anëtarëve të komisionit.
Gjatë raportimit të tij, Hodaj mes tjerash rreshtoi edhe, siç tha ai, të arriturat e IPK-së.
Pjesë e inspektimit ishin edhe disa stacione policore në disa komuna, në të cilat kishte mungesa në pajisje, si ato teknologjike e deri tek ato personale të çdo polici.
Nëntoka e Stan Tërgut, qe e heshtur të hënën. Minatorët e ndërrimit të parë të minierës së “Trepçës”, refuzuan t’i përvishen punës.
Ata hynë në grevë, meqë ende nuk i kanë marrë pagat e muajit prill.
Nga sindikata e minatorëve të “Trepçës” thonë se menaxhmenti prishi përsëri marrëveshjen e nëntorit, e cila ndali grevën dhjetëditore të punëtorëve të minierës.
“Arsyeja kryesore e futjes në këtë grevë ose protestë, është që nuk janë realizuar pagat. Ka qenë afati kohor dhe sipas një marrëveshje dhe sipas marrëveshjes së arritur me menaxhmentin dhe me bordin dhe me një pjesë të deputetëve, ka qenë afati kohor që nga data 5 deri më datën 10 të kryhen këto obligime”, tha kryetari i sindikatës së minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi.
Kryesindikalisti Ibrahim Jonuzi nuk tregoi sa do të zgjasë greva.
Megjithatë, ai thotë se drejtori i minierës, Shyqyri Sadiku, iu kumtoi minatorëve se nëse i kthehen punës, pagat do të ekzekutohen të premten.
“Datë se kur do i marrim pagat, nuk ka diçka konkrete, përveç se drejtori i minierës se nëse shkojnë në punë, këta do i marrin pagat në ditën e premte. Mirëpo, minatorët nuk kanë pranuar të hyjnë në vendin e punës, pa marrë sqarime konkrete nga kryeshefi ekzekutiv”, tha Jonuzi.
Kështu i tha edhe kryeshefi i “Trepçës”, Bashkim Kurti, ATV-së, përmes telefonit.
Eksperti i ekonomisë, Zekirija Shabani, ia lë fajin menaxhmentit dhe qeverisë për çalimin financiar të gjigantit të dikurshëm metalurgjik.
“Ish-gjiganti metalurgjik tash nuk është në gjendje me operu normalisht, pak për shkak të menaxhmenteve ndër vite për ta zhvilluar si ndërmarrje dhe më shumë për shkak të mungesës së interesit të Qeverisë për të investuar dhe gjeneruar të hyra tamam për ta përpunuar xehen dhe koncentratin si duhet “Trepça” është në këtë gjendje që sot nuk ka mundësi t’i paguajë as punëtorët e vet”, tha Shabani.
Për t’i siguruar pagat e rreth 1200 punëtorëve sa ndërmarrja numëron në total, shpesh është dashur intervenimi i qeverisë, përmes subvencionimit.
Ndërkaq, njësia kryesore e “Trepçës”, në muajin mars nuk e prodhoi asnjë gram koncentrat të plumbit dhe zinkut, në mungesë të reagencave e dinamitit.
Pasuria e sekuestruar e të dyshuarit kryesor për rastin Banjska, Milan Radojicic, është vënë në dispozicion për shfrytëzim nga shteti.
Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës dha pëlqimin për dhënien me qira të aseteve të sekuestruara, pas plotfuqishmërisë së urdhrit ndalues përfundimtar.
Aty përfshihet vila te Ujmani në Zubin Potok, banesa “Penthouse” dhe restoranti “Grey” në Mitrovicë të Veriut, përfshirë edhe zyrën si aneks i këtij restoranti.
Sipas KGJK-së, gjykata pas kërkesës së Agjencisë për Menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar ka dhënë pëlqim që ato të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ndërsa, urdhrat ndalues ia ka dërguar edhe Odës së Noterëve dhe Agjencisë Kadastrale, në mënyrë që të mos lejohet ndryshimi i pronësisë deri në përfundim të procesit gjyqësor.
“Gjykata, pas plotfuqishmërisë së urdhrave ndalues, me të cilat janë ndaluar përfundimisht astet e lart-theksuara (vila, banesa dhe restoranti me aneksin e tij) me datë 25.03.2024, këto urdhra ia ka dërguar për ekzekutim Odës së Noterëve të Kosovës, Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencisë për Menaxhimin e Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Gjykata me datë 26.04.2024, sipas kërkesës së Agjencisë për Menaxhimin e Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ka dhënë pëlqimin e lëshimit me qira të këtyre aseteve, pasi që nga kjo agjenci si kompetente për administrimin e këtyre aseteve është vlerësuar se forma më e duhur për administrimin e këtyre aseteve është dhënia me qira e tyre”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Në rastin e Banjskës, Gjykata ka bërë edhe konfiskim automatik.
“Gjykata, në këtë rast ka bërë konfiskimin e përhershëm (automatik) dhe sekuestrimin e përkohshëm të aseteve sipas urdhrit ndalues përfundimtar deri në marrjen e vendimit final lidhur me këto asete. Gjykata konfiskim automatik ka bërë të armëve, municioneve (respektivisht armatimit) të përdorur e të kapur në vendin e ngjarjes, e po ashtu edhe të veturave të përdorura në këtë sulm të armatosur-terrorist, si mjete jashtë qarkullimit dhe qenësisht të rrezikshme për siguri”, thuhet më tej në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
E vila, për të cilën ministri Xhelal Sveçla pati thënë se do të mund të shfrytëzohet si stacion policor, vazhdon të sigurohet nga Policia.
Nga Agjencia përmes një përgjigjeje me shkrim i kanë thënë televizionit se vlerësimi i aseteve është ende në fazën e vlerësimit dhe sekuestrimit, dhe se për këtë ende nuk ka ndonjë vendim për dhënie në shfrytëzim.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale është duke vazhduar hetimin lidhur me sulmin terrorist-paramilitar në Banjskë, ndërsa tre të arrestuarit janë në paraburgim.
Vladimir Tolic, Dusan Maksimovic, Milan dhe Blagoje Spasojevic, siç kupton televizioni janë intervistuar nga Prokuroria Speciale në fund të muajit të kaluar, por kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Përgjegjësinë për udhëheqjen dhe organizimin e sulmit më 24 Shtator, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, heroi Afrim Bunjaku, disa ditë pas ngjarjes e mori atëkohë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq.