ATV

Category: Lajme

  • ​Osmani me lutje për qytetarët: Regjistrohuni

    ​Osmani me lutje për qytetarët: Regjistrohuni

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë për t’u regjistruar.

    Andaj ajo ka pasur edhe një kërkesë për qytetarët.

    “Një lutje për të gjithë qytetarët tanë në Kosovë e në mërgatë: REGJISTROHUNI! Investimet në infrastrukturë, shëndetësi, arsim e shumë fusha të tjera të rëndësishme, do të përcaktohen nga të dhënat që mblidhen nga procesi i regjistrimit. Regjistrohuni që të dëgjohet zëri juaj, të identifikohen nevojat e secilit dhe që çdo qytetar të përfaqësohet, pa dallim”, ka shkruar Vjosa Osmani në rrjetin social Facebook.

    Gjatë ditës Agjencia e Statistikave të Kosovës ka dal me njoftim se mbi 1 milionë e 420 mijë banorë janë regjistruar deri më tani.

  • ​Ngjarje e rëndë në Lezhë: Djali vret nënën me thikë në sheshin e qytetit

    ​Ngjarje e rëndë në Lezhë: Djali vret nënën me thikë në sheshin e qytetit

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të hënë në qytetin e Lezhës, ku djali ka ekzekutuar me thikë të ëmën në bulevardin e qytetit.

    Sipas informacioneve të siguruara nga Euronews Albania autori është shtetasi Arsen Dani, 62-vjeç, i cili është arrestuar nga policia.

    Viktima është shtetasja Gjylije Dani, 88 vjeçe.

    Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes së rëndë, por dyshohet se djali vuan nga problemet e shëndetit mendor.

    Njoftimi i policisë

    Rreth orës 14:30, shtetasi A. D., 62 vjeç, banues në lagjen “Besëlidhja” (dyshohet shtetas me probleme të shëndetit mendor), ka vrarë me mjet prerës (thikë), nënën e tij, shtetasen Gj. D., 88 vjeçe.

    Shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. D. dhe kanë sekuestruar mjetin prerës (thikë), me të cilin është kryer vrasja.

    Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit.

  • Haradinaj kujton të rënët në Korishë të Prizrenit: 25 vjet pas, Serbia ende nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi për krimet makabre

    Haradinaj kujton të rënët në Korishë të Prizrenit: 25 vjet pas, Serbia ende nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi për krimet makabre

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar ngjarjet e 13 majit të vitit 1999 në Korishë të Prizrenit.

    Haradinaj me këtë rast ka thënë se atë ditë ishin ekzekutuar 77 shqiptarë të pafajshëm, përfshirë edhe 14 fëmijë.

    “Pak ditë para ardhjes së lirisë, duke e parë humbjen e pashmangshme, shteti fashist serb po e intensifikonte dhunën dhe gjenocidin ndaj popullatës së pambrojtur. Sot, me dhembje të thellë, në Korishë të Prizrenit, kujtuam 77 shqiptarët e pafajshëm, përfshirë edhe 14 fëmijë, të ekzekutuar në Korishë dhe fshatrat përreth”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se drejtësia vazhdon të jetë një ëndërr për familjet që vazhdojnë të vajtojnë të dashurit e tyre, jetët e të cilëve i rrëmbeu armiku.

    “Edhe pse ka kaluar një çerek shekulli, shteti serb ende nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi për krimet makabre kundër popullit shqiptar. Drejtësia vazhdon të jetë një ëndërr për familjet që vazhdojnë të vajtojnë të dashurit e tyre, jetët e të cilëve i rrëmbeu armiku, e ata që nuk janë riatdhesuar ende, mbeten plagë e hapur për tërë shoqërinë tonë.

    Nderimi për heroizmin dhe sakrificën e tyre mbetet gjithmonë në kujtesën tonë historike”, është shprehur Haradinaj.

  • Ambasada e Francës: E respektojmë pavarësinë e BQK-së, por zbatimi i pakoordinuar i rregullores paraqet vështirësi

    Ambasada e Francës: E respektojmë pavarësinë e BQK-së, por zbatimi i pakoordinuar i rregullores paraqet vështirësi

    Më 11 maj, ka përfunduar periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin.

    Nga e diela e 12 majit, valuta e vetme e cila mund të përdoret për pagesa në Kosovë është euroja.

    Lidhur me këtë çështja është deklaruar Ambasada e Francës.

    Në një përgjigje për Klankosova.tv thuhet se e respektojnë pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës, por se zbatimi i rregullores i cili nuk është koordinuar paraqet vështirësi.

    ” Zbatimi i rregulloreve të Bankës Qendrore, i cili nuk është i kordinuar, megjithatë paraqet vështirësi që lidhen me qëndrueshmërinë e transfertave të ligjshme financiare nga Serbia, për shembull në favor të pensionistëve serbë ose të institucioneve shëndetësore ose arsimore”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

    Ambasada e Francës thotë se i mbështet propozimet e emisarit special të BE-së në dialogun Kosovës – Serbi, Miroslav Lajçak, rreth kësaj teme.

    Tutje, Franca pret një përfundim të shpejtë dhe pozitiv të këtyre negociatave.

    “Ndërmjetësuesi evropian Lajçak organizoi disa takime për këtë temë. Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e tij dhe propozimet konkrete që ai ka paraqitur. Ne bëjmë thirrje për një përfundim të shpejtë dhe pozitiv të këtyre negociatave. Përfundimisht, një zgjidhje e qëndrueshme do të gjendet përmes krijimit të asociaciont të komunave me shumicë serbe”, thuhet në përgjigje.

  • Sindikata e Trepçës kërkon që të ekzekutohen pagat për minatorët

    Sindikata e Trepçës kërkon që të ekzekutohen pagat për minatorët

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë thirrje që të ekzekutohen pagat për minatorët.

    SPMT thotë se situata e krijuar me vonesat në paga është bërë zakon që cenon vetë ekzistencën e minatorëve.

    “Sot kur ne të gjithë me padurim presim ekzekutimin e pagave, me gjasë e njejta përseri nuk do të realizohet, duke vazhduar kështu pafund injorimi, fyerja dhe degradimi total i minatorëve. Një situatë e tillë e krijuar tashmë e sa kohë është bërë zakon që cenon vetë ekzistencën tonë. Mungesa e mjeteve ekzistenciale për jetës (pagesa e pagës) dhe injorimi i menxhmentit për të bërë punën e tyre tashmë nuk don koment”, thuhet në reagim.

    Tutje, në reagim është thënë se minatorët nuk kanë mundësinë që ta vazhdojnë punën, pasi që të njëjtit nuk kanë financa të mjaftueshme as për shujtën ditore.

    “Ne ju flasim në gjuhë të butë dhe gjuhë shqipe, ekzekutoni pagat sot. Një gjë e tillë është edhe pjesë e marrëveshjes së arritur me Bordin Mbikëqyrës, Ministrinë e Ekonomisë dhe Grupin e deputetëve. Këtij shqetësimi për ekzistencën tonë duhet ti vije fundi njëherë e përgjithmonë. Kërkojmë të ekzekutohen pagat”.

  • Haradinaj-Stublla: Refuzimi i takimit me Kurtin nga LDK-ja e AAK-ja, mungesë gatishmërie për qeverisje

    Haradinaj-Stublla: Refuzimi i takimit me Kurtin nga LDK-ja e AAK-ja, mungesë gatishmërie për qeverisje

    Partitë opozitare, LDK dhe AAK, refuzuan ftesën e kryeministrit Albin Kurti për t’u takuar sot dhe për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sesionin pranveror.

    Krerët e të dyja partive, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, e panë si të vonuar këtë ftesë nga ana e kryeministrit Kurti.

    I vetmi që iu përgjigj pozitiv kësaj ftese ishte kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se partitë që kanë refuzuar këtë takim nuk janë të gatshme të qeverisin me vendin.

    Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se sa do që të jetë e vonshme kjo ftesë, refuzimi i saj tregon gjithashtu se liderët nuk janë të sinqertë për interesin shtetëror të vendit.

    “Liderët dhe partitë politike që refuzojnë ndërtimin (edhe pse të vonshëm) të unitetit nuk janë gati të qeverisin me vendin dhe nuk janë të sinqertë për interesin shtetëror të Kosovës”, shkroi Haradinaj-Stublla.

    Pas refuzimit që mori nga dy partitë opozitare, kryeministri Albin Kurti u shpreh se është i interesuar të takohet me të gjithë.

    Kurti ka thënë se ka qenë i hapur gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë njësoj edhe në vitin e fundit të qeverisjes.

  • Ministria e Financave publikon grafikën e borxhit shtetëror, shkruan se Qeveria ka arritur të zvogëlojë nivelin e tij krahasuar me periudhën pandemike

    Ministria e Financave publikon grafikën e borxhit shtetëror, shkruan se Qeveria ka arritur të zvogëlojë nivelin e tij krahasuar me periudhën pandemike

    Ministria e Financave ka publikuar grafikën e borxhit shtetëror, në të cilin thuhet se Qeveria ka arritur të zvogëloj nivelin e tij krahasuar me gjendjen gjatë viteve të kaluara.

    “Pas miratimit ✅të Programit të Borxhit Shtetëror për periudhën 2025-2027, kujtojmë lëvizjen e borxhit shtetëror si përqindje e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) në 5️⃣vitet e fundit.
    🔸2019: 17.63%
    🔸2020: 22.4%
    🔸2021: 21.53%
    🔸2022: 20.04%
    🔸2023: 17.52%
    Vlen të theksohet se mes sfidave të shkaktuara nga pandemia COVID-19 ku masat për luftimin e saj 💉rezultuan me një rritje në borxhin shtetëror, Qeveria e Kosovës me sukses ka kthyer nivelin e borxhit shtetëror në nivelin para pandemisë duke arritur që madje ta zvogëlojë nivelin e borxhit shtetëror si përqindje të BPV-së edhe në raport me periudhën para pandemisë, siç mund të shihet në grafikun 📉në vijim.”, shkruan në njoftimin zyrtar.

  • Plani “semafori”: Policia e Prishtinës i konfiskon 34 patentë-shoferë

    Plani “semafori”: Policia e Prishtinës i konfiskon 34 patentë-shoferë

    Njësiti Rajonal i Trafikut rrugor i policisë në Prishtinë, po vazhdon me implementimin e planeve operative për kontrollin e shtuar në trafik.

    Në kuadër të këtyre angazhimeve, ka nisur implementimi i planit “Semafori”.

    “Deri tani u janë konfiskuar 34 patentë shoferë, ngasësve që nuk kanë respektuar sinjalizimin e semaforëve. Angazhimet për sigurinë në trafik do të kenë shtrirje në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës dhe do të vazhdojnë deri sa të vlerësohet që është arritur efekti i dëshiruar”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Policia e Shqipërisë ofron 30 mijë euro shpërblim për vendndodhjen e këtij personi

    Policia e Shqipërisë ofron 30 mijë euro shpërblim për vendndodhjen e këtij personi

    Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë ndarë një shumë prej 30 mijë eurove shpërblim për vendnodhjen e autorit që vrau policin në Fier.

    “Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro”, thuhet në njoftim.

    Dorasi sipas policisë është Azgan Mernica, 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj.

    Njoftimi i plotë:

    Policia e Shtetit

    Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Baltëz, ku u vra me armë zjarri, punonjësi i Policisë (jashtë shërbimit), shtetasi N. C., Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica, 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj.

    Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.

    Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit.

    Gjithashtu, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli.

    Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit.

  • ​AAK tregon arsyet e refuzimit të takimit me Kurtin

    ​AAK tregon arsyet e refuzimit të takimit me Kurtin

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka refuzuar ftesën për takim me kryeministrin Albin Kurti. Si arsye për këtë ata thanë se tema e takimit ka qenë agjenda legjislative dhe se sipas tyre kjo i takon shefit të Grupit Parlamentar.

    Në një përgjigje për KosovaPress, kjo parti opozitare thotë se janë të gatshëm për takime që lidhen me interesin nacional.

    “Ashtu siç jemi deklaruar në përgjigjen drejtuar z. Kurti, konsiderojmë që i takon shefave te grupeve parlamentare në Kuvend të dakordohen sa i përket agjendës legjislative, siç përcaktohet në bazë të rregullores së Kuvendit. Në qoftë se ka ndonjë temë tjetër lidhet me interesin nacional, mund të diskutohet në një moment tjetër”, thuhet në përgjigjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë pranuar të përgjigjen sa i përket qëndrimit të kësaj partie.

    Megjithatë, në letrën e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku bëhet e ditur se ata e konsiderojnë si tentim të vonuar mundësinë për bashkëpunim me partitë opozitare.

    “Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre. LDK vazhdon përherë të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok”, thuhet në letrën e Abdixhikut.

    Kryeministri Albin Kurti pritet të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, i cili i vetmi nga tre liderët opozitarë ka pranuar të marrë pjesë në takimin e ftuar nga shefi i ekzekutivit.