ATV

Category: Lajme

  • Dështon të nisë gjykimi në rastin “Transportuesi”, aktakuza u ngrit në 2016

    Dështon të nisë gjykimi në rastin “Transportuesi”, aktakuza u ngrit në 2016

    Përgatiti: Nora Luta

    Për aktakuzën e ngritur në vitin 2016 për kontrabandimin e rreth 650 mijë litrave naftë e vajra të ndryshëm para dhjetë vjetësh në veri të vendit nuk ka ende një epilog.

    Një nga rastet e mëdha të krimit të organizuar i njohur si “Transportuesi”, që u hetua nga prokurorët e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, mbeti pa u trajtuar nga Gjykata e Mitrovicës.

    Tek në vitin 2024, rasti u bart për gjykim në atë të Prishtinës, megjithatë as këtë të mërkurë nuk filloi gjykimi, në mungesë të një të akuzuari nga 18 sa janë gjithsej.

    Ata akuzohen se si grup kriminal kontrabanduan 650 mijë litrave naftë e vajra të ndryshëm nga Serbia në pjesë të tjera të Kosovës, gjatë periudhës qershor-dhjetor 2014.

    Sipas aktakuzës Milan Radisavjeviq dhe Aleksandër Rakiqeviq, të cilët gjenden në arrati janë personat të cilët kanë siguruar derivatet e naftës nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut, dhe kanë qenë kryesor të grupit bashkë me Besim dhe Ismet Zeqirin.

    “Përmes rrugëve anësore, kamionë, cisterna e mjete të tjera, në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme nga Serbia dhe nga Mitrovica e Veriut, Zveçani e Zubin-Potoku, kanë sjellë në mënyrë ilegale dhe në vazhdimësi mallrat e kontrabanduara si: derivate të naftës, vajra motorikë e të tjera. Ky grup kriminal më pastaj i shpërndan nëpër qytete të ndryshme, me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore apo tarifave të tjera, duke e bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, që tejkalon shumën prej 30 mijë eurosh”, thuhet në aktakuzë.

    Aktakuza thotë se në atë kohë, të pandehurit veprimet kriminale i kryenin lehtësisht pasi kishin bashkëpunim me pjesëtarë të Policisë.

    “Shumë mirë i njohin policët edhe nga Stacioni Policor në Veri të Mitrovicës si dhe të Jugut. Andaj me të vërejtur policët në rrugë, të pandehurit e dinë shumë mirë se a kanë gjasa të kalojnë rrugën apo jo, duke iu dhënë ryshfet. Këto vetura kalojnë. Nga veriu në jug, kryesisht përmes urës lindore (Lagja e boshnjakëve) dhe atë kryesisht në kohën kur në detyrë, në pikën statike të urës lindore, gjenden pjesëtarët e policisë, të cilët kanë lidhje me të pandehurit”, thuhet më tej në aktakuzë.

    Fillimisht në këtë rast akuzoheshin 21 persona, për kryerjen e veprave penale: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Kontrabandim i mallrave” dhe “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, por ndaj treve është veçuar procedura.

  • Lladrovci kritikon ASK-në: Po verifikojnë, nuk po regjistrojnë

    Lladrovci kritikon ASK-në: Po verifikojnë, nuk po regjistrojnë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Drenasi ishte komuna e parë që kërkoi të zgjatet koha e regjistrimit të popullsisë.

    Por, kryetari Ramiz Lladrovci nuk është i kënaqur me punën e Agjencisë së Statistikave, në afatin shtesë prej një jave në këtë proces.

    Ai thotë se ASK-ja aktualisht është duke bërë vetëm verifikim përmes ekipeve mobile.

    “E kanë miratua shtyrjen edhe për 1 javë të ekipeve mobile jo të regjistruesve që shkon në shtëpitë e qytetarëve 2 herë e 3 herë. Këtë që e ka bë ASK-ja ka pasë me ba ashtu kështu, sepse ajo e bën verifikimin edhe e sheh nëse dikush nuk ka mujtë me u regjistrua, kjo është një rregull e së kaluarës”, tha Lladrovci.
    Por zëdhënësja e ASK-së, Hazbije Qeriqi, thotë se edhe kjo formë ka pasur efekt.

    Regjistrimi i popullsisë përfundon të premten e 24 majit. Ndërsa, Lladrovci thotë se nuk do të kërkojë më kohë shtesë.

    Megjithatë, ai shpreh një lloj brenge se Drenasi mund të ketë më pak banorë, këtë herë.

    “Na gjithë jena tu tutë për rënie të popullsisë. Edhe komuna jonë do të ketë numër më të vogël të regjistruesve, unë pres me kalu mbi 50 mijë qytetarë”, tha Lladrovci.

    Deri tash, nuk ka kërkesa nga komunat që sërish të zgjatet afati për regjistrim. Por edhe nëse vijnë ditëve në vazhdim, ASK-ja thotë se nuk do t’i aprovojë.

    “Shtyrja më nuk ka kuptim, nuk ka arsye, ne si ASK bashkë me komunat e kemi arritur 98 për qind të gjitha pikave ku janë planifikuar që të regjistrohen, do të thotë arsye nuk kemi më”, tha zëdhënësja e ASK-së, Hazbije Qeriqi.

    Deri më tani, sipas ASK-së, janë regjistruar 1.5 milionë qytetarë.

  • PDK-ja kërkon shpërndarjen e kuvendit, LDK-ja dhe AAK-ja kundërshtojnë

    PDK-ja kërkon shpërndarjen e kuvendit, LDK-ja dhe AAK-ja kundërshtojnë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Zgjedhje të parakohshme po duan të gjitha partitë opozitare, por për mënyrën e shkuarjes deri te to, nuk janë të një mendimi.

    Partia Demokratike e Kosovës insiston se për zgjedhje të parakohshme duhet të shpërndahet Kuvendi, përmes mocionit.

    “Kemi kërkuar votat nga partitë opozitare që të jemi të gjitha bashkë, drejt, pra, votës për shpërndarjen e Kuvendit. Duke marrë parasysh faktin që dy partitë opozitare me qëndrimet e tyre LDK-ja dhe AAK-ja janë kundër një vendimi të tillë, atëherë nuk jam e sigurt se a i kemi votat, sepse e dimë që kërkohen 80 vota që të bëhet shpërndarja e Kuvendit”, tha deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi.

    Mirëpo, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë kundër këtij propozimi. Sipas tyre, kryeministri Albin Kurti duhet të japë dorëheqje, e më pas të organizohen zgjedhjet.

    “Nuk e përkrahim mocionin. LDK-ja nuk ndryshon qëndrim, ne vazhdojmë të kemi të njëjtin mendim, që Kurti duhet të japë dorëheqje”, tha deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

    “AAK nuk e mbështet shpërbërjen, kërkon shkarkimin ose dorëheqjen e kryeministrit. AAK nuk e bën këtë se kjo është një taktikë me shku në zgjedhje në mes të korrikut, kur mendon se e ka diasporën këtu dhe kur mendon të ikë nga përgjegjësia e dështimit që e ka bërë. Ai duhet të ballafaqohet me të gjitha grupet parlamentare për të gjitha dështimet që i ka pasë”, tha deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.

    Ndërkaq nga partia në pushtet, thonë se do të ndihmojnë opozitën që të shpërndahet Kuvendi, nëse ajo koordinohet për një datë të caktuar.

    “Është opozita ajo që po kërkon zgjedhje dhe nëse opozita po kërkon zgjedhje të reja, ne jemi në gatshëm të shkojmë në zgjedhje të reja e nëse ata dështojnë të koordinohen për një datë të caktuar, ne jemi të gatshëm të shkojmë deri në fund të mandatit”, tha deputetja e LV-së, Fitore Pacolli.

    Ndërkaq, deputetët do të mbajnë seancë të enjten ku në rend dite janë votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe projektligjeve, derisa të premten do të ketë seancë për Shqyrtimin e Projekt-Rezolutës të AAK-së për tri vjet qeverisje.

  • Për pesë ditë, në Dubravë u vranë 117 persona e u plagosën mbi 200 të tjerë

    Për pesë ditë, në Dubravë u vranë 117 persona e u plagosën mbi 200 të tjerë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Zymrete Berishën, oficerët serbë të burgut nuk e kishin lënë asnjëherë ta vizitojë bashkëshortin, Bajram Berishën, në Dubravë.

    Madje, nuk pati fat ta takojë asnjëherë më. Bajrami nuk doli i gjallë nga aty, pasi ishte një nga 117 viktimat e masakrës së majit 1999.

    “Bajram Berishën ma kanë vra, gjithë jena ardhë me pa, po kurrë brenda s’na kanë lanë, s’kena mujtë me pa kurrë, shkoi!”, tha Zymrete Berisha, gruaja e Bajram Berishës.

    Mallin për Berishën e ndjen ende edhe i biri, Januzi.

    “Me prindin s’jam takuar afër 10 vite kështu që veç kur kom ardhur ne varrim pastaj. Kemi dhimbje të gjithë, por krenaria është e madhe”, tha Januz Berisha, i biri i Bajram Berishës.

    Në 25-vjetorin e masakrës së Dubravës, familjarë të viktimave vijnë në vendin ku u krye krimi. Ata thonë se dhimbja është e madhe, por edhe krenaria gjithashtu.

    “Prindin e kam këtu të vranë, kujtimet për ta nuk do të ndalemi kurrë sa të jetë njeriu, do t’i kujtojmë gjithmonë sa të jemi gjallë”, tha Naim Leku, i biri i Dan Lekut.

    Për krimin që ndodhi brenda këtyre mureve, më së miri tregojnë ata që arritën të shpëtojnë.

    “Radha e parë janë vra më shumë, ata që kanë mbetë në dytën e tretën janë mbete gjallë, tash ymri është send i madh. Akti i parë ka qenë të parët nga fusha sportive me u fsheh nëpër puseta e jo në objekte po edhe në puseta lëshonin granata që me thanë nesër kinse janë vra prej NATO-S, se ka qenë skenar i përgatitur”, tha Ukë Thaqi, ish-i burgosur.

    Në Dubravë, të mërkurën, erdhi kryeministri Albin Kurti, si edhe politikanë të tjerë.

    Në këtë masakër për 5 ditë u vranë 117 persona e u plagosën mbi 200 të tjerë. Për këtë krim ende nuk është dënuar askush.

    Në fund të vitit të kaluar, ndërkaq, nisi gjykimi ndaj Gavrilo Miloslavljeviqit, për pjesëmarrje në këtë masakër.

  • 15 kadetët e diplomuar përgëzohen nga ministri Maqedonci

    15 kadetët e diplomuar përgëzohen nga ministri Maqedonci

    Pesëmbëdhjetë kadetë të FSK-së diplomuan në nivelin Bachelor në Universitetin Amerikan të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur ministri Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.

    Maqedonci ka uruar kadetët për arritjet akademike të ushtarakëve në programin civil të studimeve.

    “Sot diplomuan në nivelin Bachelor në Universitetin Amerikan të Kosovës pesëmbëdhjetë kadetë të FSK-së, profesionalizmi i të cilëve do t’i shërbej ngritjes logjistike dhe operacionalitetit të ushtrisë sonë. Përgëzime për arritjen akademike të ushtarakëve tanë në programin civil të studimeve, dhe qofshin gjithmonë faqebardhë në detyrën fisnike për mbrojtjen e atdheut”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

  • Cameron: Nëse ka probleme në Ballkanin Perëndimor, atëherë ka edhe në Evropë

    Cameron: Nëse ka probleme në Ballkanin Perëndimor, atëherë ka edhe në Evropë

    Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar e ka vëmendjen në Ballkanin Perëndimor.

    Ai, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ka pohuar se Evropa mund të ketë probleme nëse ka Ballkani.

    “Kur Ballkani Perëndimor ia del mbanë atëherë edhe Evropa ia del mbanë. Në rast se ka probleme në Ballkanin Perëndimor atëherë ka probleme edhe në Evropë sepse në fakt është në interesin tonë që të punojnë së bashku në procesin e pajtimit, rritjes ekonomike dhe mirëkuptimit, për mua kjo është një përparësi”, ka thënë Cameron.

    Ai e përgëzoi Edi Ramën për punët është duke i bërë për zhvillimin e Shqipërisë.

  • Aksioni i fundit në veri, Franca: Autoritetet kosovare të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm

    Aksioni i fundit në veri, Franca: Autoritetet kosovare të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm

    Pas SHBA-së dhe BE-së ka reaguar edhe Franca lidhur me veprimet e fundit të Policisë së Kosovës në Veri të Kosovës.

    Parisi në një komunikatë për media ka bërë të ditur se janë të shqetësuar për veprimet e fundit që çuan në mbylljen e zyrave të bankave postare serbe në Veri të Kosovës.

    Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës “këto veprime të reja të njëanshme kontribuojnë në përshkallëzimin e tensioneve dhe rrezikojnë diskutimet e vazhdueshme, nën patronazhin e Bashkimit Evropian, që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për personat e prekur nga zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”.

    Më tej në reagim thuhet se veprimet e Kosovës ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë dhe shkojnë kundër përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, parakusht për realizimin e perspektivës evropiane të dy vendeve.

    “Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm. Inkurajon të dyja palët të kthehen në tryezën e negociatave dhe të punojnë në propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga ndërmjetësimi evropian, e vetmja bazë realiste për arritjen e një marrëveshjeje që lejon përfituesit e kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia”, përfundon njoftimi.

    https://www.diplomatie.gouv.fr/fr/dossiers-pays/serbie/evenements/article/kosovo-operations-de-la-police-kosovare-21-04-24

  • Rama: Nga 1 janari do të ketë autobusë e linja të reja

    Rama: Nga 1 janari do të ketë autobusë e linja të reja

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se nga 1 janari i vitit 2025 do të ketë autobusë dhe linja të reja të kryeqytet. Por s’e ka treguar numrin e tyre.

    Rama ka thënë se të mërkurën ka nisur reformimi i sistemit të transportit publike.

    “Sot kemi filluar me reformimin e sistemit të transportit publik. Kjo reformë do të sjellë: Flotë të re të autobusëve nga 1 janari 2025, më shumë linja të autobusëve sipas nevojave të qytetarëve, mbulim i më shumë rrugëve me transport publik, një biletë për të gjitha linjat në kryeqytet, pra biletë e integruar dhe sisteme digjitale të pagesës së biletave”, ka shkruar ai në Facebook.

    Sipas Ramës, reforma e transportit publik është bërë në koordinim me operatorët privatë të linjave të autobusë, Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, përfaqësuesit e bankave në Kosovë dhe të tjerë.

    “Kjo reformë do të përfshijë garantimin e kredive për blerjen e autobusëve privat, dhe rrjedhimisht dhënien e linjave të reja për këta operatorë privat”, ka shkruar tutje Rama.

  • Minatorëve nuk iu dalin pagat, Sindikata: Janë paguar vetëm disa kategori e pozita pune

    Minatorëve nuk iu dalin pagat, Sindikata: Janë paguar vetëm disa kategori e pozita pune

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” ka njoftuar se janë bërë më shumë se dy javë prej kur është dashur të bëhej ekzekutimi i pagave për minatorët.

    Sipas tyre, një realizim i tillë është bërë në mënyrë selektive dhe diskriminuese, duke ekzekutuar pagat vetëm për disa kategori dhe pozita të punës.

    “Kanë kaluar tashmë e dy javë nga dita kur është dashur të bëhej ekzekutimi i plotë i pagave për minatorët. Por një realizim i tillë është bërë në mënyrë selektive dhe diskriminuese, duke ekzekutuar pagat vetëm për disa kategori dhe pozita të punës.

    Një qasje të tillë e konsiderojmë diskriminuese, të kundërligjshme dhe të papërgjegjshëm. Ne kërkojmë ekzekutimin e pagave menjëherë, për të gjithë minatorët( të gjithë të punësuarit nëTrepça Sh.a) pa dallim dhe diskriminim. Kësaj qasje arbitrare ndaj minatorëve duhet ti vie fundi”, është thënë në reagim.

    Tutje, nga kjo Sindikatë kanë kërkuar që menjëherë të bëhet ekzekutimi i pagave.

  • AAK-ja akuzon Qeverinë se s’ka punuar në lehtësim të votimit nga diaspora

    AAK-ja akuzon Qeverinë se s’ka punuar në lehtësim të votimit nga diaspora

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka akuzuar Qeverinë Kurti se nuk ka punuar në lehtësim të procesit të votimit nga diaspora, siç parashihet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media të mërkurën, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka cilësuar “skandal” gjendjen në këtë aspekt.

    Ndonëse ka hyrë në fuqi ky ligj nëntë muaj më parë, Tahiri ka thënë se në vend të 50 centëve për votë, sërish diaspora duhet të paguajë nga 70-80 euro.

    “Votimi jashtë vendit për vëllezërit dhe motrat tona nga diaspora vazhdon të manipulohet duke e penguar zbatimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme i cili ka hyrë në fuqi në korrik të vitit të kaluar. Janë bërë 9 muaj që kur ky ligj ka hyrë në fuqi e nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të mundësuar votimin e vëllezërve dhe motrave tona sipas këtij ligjit. Deri më tani nuk ka asnjë informatë asnjë marrëveshje ndërshtetërore për të mundësuar votimin e qytetarëve të Kosovës në Ambasada siç thotë ligji. Ligji i ri kërkon që të krijohet një kuti postare ku diaspora do të mund të votojë dhe pastaj këto vota që do të paguheshin me 50 centë të shkonin në atë kuti që do të ambalazhohej nga Ambasada e do të menaxhohej nga KQZ-ja në mënyrë që vota të vijë në Kosovë”, ka thënë Tahiri.

    Kritika ka edhe deputetja tjetër e AAK-së, Time Kadriaj. Ajo ka thënë se “është shqetësuese sepse Kurti e ka marrë votën popullore e mbi 90 mijë vota nga diaspora”.

    “Për neve është shqetësuese sepse ka marr votën popullit, ka marre 90 mijë vota për diaspora duke thënë që kemi mbajt premtime, qoftë për Ligjin për Diasporën, qoftë rregullimin e votimit të diasporës dhe e dim ne që mënyra deri tashme është e komplikuar. Kjo qeveri deri sot nuk ka bërë asgjë, i ka kaluar tri vjet në çdo vit kalendarik e kemi ligjin për diasporë dhe çdo vit nuk vjen edhe këtë vit nuk sjellet”.