ATV

Category: Lajme

  • Murati njofton se të hënën ekzekutohen shtesat për sektorin privat: Për studentët do t’ju njoftojmë sapo listat të jenë gati

    Murati njofton se të hënën ekzekutohen shtesat për sektorin privat: Për studentët do t’ju njoftojmë sapo listat të jenë gati

    Hekuran Murati, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ekzekutimi i 100 eurove për punëtorët e sektorit privat do të bëhet të hënën e javës së ardhshme.

    Murati, ka shkruar edhe se, komisioni për masën e studentëve do ta përfundojë punën sapo të ketë marrë konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë, për studentët që kanë aplikuar.

    Postimi:

    Që në fillim të kësaj jave, komisionet vlerësuese kanë filluar punën për shqyrtimin e aplikimeve për dy masat e mbetura nga Pakoja për Përballje me Inflacion 2.0, konkretisht mbështetjen për punëtorët e sektorit privat, dhe studentët.

    Puna e komisionit për masën e sektorit privat është drejt përfundimit, dhe ekzekutimi i pagesave pritet të bëhet në fillim të javës që vjen, pra të hënën.

    Kurse komisioni për masën e studentëve do ta përfundojë punën sapo të ketë marrë konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë, për studentët që kanë aplikuar. Edhe për këtë do t’ju njoftojmë me kohë sapo listat për pagesa të jenë gati për ekzekutim.

    Qeveria për të gjithë!

  • Kanosi gazetarin Berat Buzhala, dënohet me 4 mijë euro gjobë

    Kanosi gazetarin Berat Buzhala, dënohet me 4 mijë euro gjobë

    Hilmi Ibishi, i akuzuar për kanosje ndaj gazetarit Berat Buzhala, është dënuar me 4 mijë euro gjobë.

    Vendimi u dha sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    “Dënohet me burg në kohëzgjatje prej 6 muajsh, ky dënim me pëlqimin edhe të të akuzuarit i kthehet në gjobë në vlerë prej 4 mijë eurosh”, ka njoftuar gjyqtarja Donika Shala.

    I akuzuari, Hilmi Ibishi, në mënyrë të pavarur dhe në bashkëpunim me avokatin e tij, Skender Musa, kishte arritur marrëveshje për pranim fajësie në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

  • Franca zbulon skandal ndërkombëtar – Izraeli dyshohet se ka ndikuar në zgjedhjet e disa shteteve

    Franca zbulon skandal ndërkombëtar – Izraeli dyshohet se ka ndikuar në zgjedhjet e disa shteteve

    Kompania izraelite, BlackCore, e cila dyshohet për ndërhyrje në zgjedhjet lokale në Francë, tani po përballet me akuza serioze për ndërhyrje edhe në proceset zgjedhore në New York dhe Skoci, si dhe për operacione në Angola dhe Togo, njoftoi shërbimi francez për zbulimin e dezinformatave, Viginum.

    Muajin e kaluar, agjencia Reuters raportoi se autoritetet franceze dyshojnë se BlackCore qëndron pas një fushate online shpifjesh të drejtuar kundër tre kandidatëve për kryetar bashkie nga partia radikale e majtë dhe pro-palestineze La France Insoumise (LFI) gjatë zgjedhjeve lokale.

    Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, së bashku me kryeministrin francez, Sebastien Lecornu, drejtori i Viginumit, Marc-Antoine Brillant, deklaroi se puna teknike e hetuesve i ka çuar drejtpërdrejt te kjo kompani izraelite. Më pas, Viginum publikoi një raport të detajuar mbi veprimtaritë e dyshuara të BlackCore në mbarë botën, raporton reuters.

    “Ky model operimi nuk ishte i kufizuar vetëm në zgjedhjet komunale në Francë. Duket se është përdorur edhe për operacione të jashtme të ndërhyrjes digjitale në vende dhe rajone të tjera, si Angola, Togo, zgjedhjet në Skoci dhe zgjedhjet komunale në Nju Jork në vitin 2025”, tha Brillant.

    Megjithatë, Brillant theksoi se ende nuk është e qartë se kush e ka angazhuar BlackCore për ndërhyrjen në Francë, pasi hetimi nuk ka arritur të identifikojë porositësit e fushatës.

    Franca kërkon sqarime nga Izraeli

    Kryeministri Lecornu deklaroi se qeveria franceze ka kërkuar zyrtarisht shpjegime nga Izraeli lidhur me aktivitetet e BlackCore, si dhe ndihmë për të zbuluar se kush qëndron pas fushatës së shpifjeve.

    “Nuk kam asnjë dyshim se, nëse një grup privat francez do të kishte kryer një ndërhyrje të jashtme digjitale në Izrael nga territori francez, ata do të vepronin njësoj ndaj ambasadorit tonë atje”, tha Lecornu.

    Ambasada e Izrael në Paris konfirmoi se Franca ka kontaktuar me të dhe se po pret detajet e hetimit francez për të zhvilluar një hetim të vetin.

    “Izraeli, natyrisht, nuk ka asnjë synim të ndërhyjë në procesin politik francez, qoftë në nivel kombëtar apo lokal”, thuhet në deklaratën zyrtare të ambasadës.

    Në shënjestër politikanë pro-palestinezë në New York dhe Skoci

    Brillant nuk specifikoi qartë se kush ishte objektivi i zgjedhjeve të vitit të kaluar në New York, në të cilat fitoi Zohran Mamdani. Megjithatë, fitorja e Mamdanit u mirëprit nga shumë hebrenj të rinj progresistë, por shkaktoi shqetësim te qarqet më tradicionale pro-izraelite për shkak të mbështetjes së tij të hapur për çështjen palestineze.

    Ekipi i Mamdanit, zyrtarët e New Yorkut, Federal Bureau of Investigation (FBI) dhe Cybersecurity and Infrastructure Security Agency (CISA) nuk kanë komentuar ose nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për deklarata.

    Në një raport pasues, Viginum tha se janë zbuluar llogari të lidhura me BlackCore që kishin në shënjestër drejtpërdrejt John Swinney, kryeministrin e Skocisë.

    Swinney më herët e kishte përshkruar situatën në Gaza si një “katastrofë humanitare të shkaktuar nga njeriu”, duke deklaruar se atje mund të jetë duke ndodhur gjenocid, duke iu referuar numrit të madh të viktimave civile, shkatërrimeve të gjera dhe deklaratave të zyrtarëve izraelitë. As ai dhe as partia e tij, Scottish National Party (SNP), nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

    Edhe qeveritë e Angola dhe Togo nuk kanë reaguar ende lidhur me këtë çështje.

    Para se të fshinte plotësisht praninë e saj në internet pas pyetjeve të gazetarëve të Reutersit, BlackCore e përshkruante veten si një “kompani elitare e ndikimit, sigurisë kibernetike dhe teknologjisë, e ndërtuar për epokën moderne të luftës informative”.

    Në materialet e saj promovuese, kompania pretendonte se u ofronte qeverive dhe fushatave politike “strategji të nivelit të lartë, mjete të avancuara dhe siguri të fuqishme për të formësuar narrativat publike”.

    Deri më tani, BlackCore nuk u është përgjigjur kërkesave të përsëritura të mediave për koment.

  • Alarm në veri të Evropës: Rusia po ndërton me shpejtësi baza ushtarake, pamjet satelitore zbulojnë planin strategjik

    Alarm në veri të Evropës: Rusia po ndërton me shpejtësi baza ushtarake, pamjet satelitore zbulojnë planin strategjik

    Pamjet e reja satelitore kanë ngritur shqetësime në vendet e Evropës Veriore, pasi tregojnë se Rusia po zgjeron dhe rindërton infrastrukturën e saj ushtarake pranë kufirit me Finlandën, anëtare e NATO-s. Analistët vlerësojnë se këto lëvizje mund të jenë pjesë e një strategjie afatgjatë të Moskës për forcimin e pranisë ushtarake në rajon.

    Sipas raportimeve të mediave finlandeze, Rusia ka nisur punime intensive në disa baza ushtarake që prej dekadash kishin qenë të braktisura ose të përdorura në mënyrë minimale. Një nga lokacionet kryesore është zona e Kandalakshës, rreth 110 kilometra larg kufirit finlandez, ku po ndërtohet një kompleks i ri për vendosjen e brigadave të artilerisë dhe inxhinierisë ushtarake.

    Fotografitë satelitore tregojnë pastrim masiv të pyjeve, gërmime të mëdha dhe ngritjen e objekteve të reja ushtarake. Sipas ekspertëve, në këtë zonë planifikohet stacionimi i mijëra ushtarëve, duke e kthyer atë në një pikë të rëndësishme strategjike në veri të Rusisë.

    Aktivitete të ngjashme janë vërejtur edhe në Kareli dhe Petrozavodsk, ku po rinovohen baza të vjetra sovjetike dhe po ndërtohen rrugë, magazina dhe struktura të tjera mbështetëse ushtarake. Ekspertët perëndimorë besojnë se këto investime nuk lidhen drejtpërdrejt me luftën në Ukrainë, por me përgatitjet e Rusisë për një prani më të madhe ushtarake përgjatë kufijve me NATO-n në vitet e ardhshme.

    Autoritetet finlandeze dhe NATO-ja po monitorojnë nga afër zhvillimet, ndërsa vlerësojnë se aktualisht nuk ka shenja të një kërcënimi të menjëhershëm. Megjithatë, zgjerimi i bazave dhe grumbullimi gradual i kapaciteteve ushtarake konsiderohen sinjale të rëndësishme për sigurinë në rajon.

    Sipas analistëve të sigurisë, këto lëvizje tregojnë se Kremlini po përgatitet për një periudhë të re rivaliteti strategjik me Perëndimin, veçanërisht pas anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO. /Index.hr

  • Raporti i OEK: Kosova me pagat më të ulëta në Ballkan, qytetarët vazhdojnë ta ndjejnë shtrenjtimin

    Raporti i OEK: Kosova me pagat më të ulëta në Ballkan, qytetarët vazhdojnë ta ndjejnë shtrenjtimin

    Një analizë e publikuar nga Oda Ekonomike e Kosovës tregon se pagat mesatare në Kosovë kanë shënuar rritje të vazhdueshme gjatë viteve 2019–2025, por qytetarët vazhdojnë të përballen me rritjen e kostos së jetesës dhe inflacionin.

    Pagat në Kosovë kanë shënuar rritje të vazhdueshme në vitet e fundit, por qytetarët vazhdojnë të përballen me kosto gjithnjë e më të lartë të jetesës.

    Analiza e publikuar nga Oda Ekonomike e Kosovës tregon se, megjithëse paga mesatare ka arritur në 713 euro në vitin 2025, fuqia reale blerëse mbetet nën presion nga inflacioni dhe shtrenjtimi i produkteve bazë.

    Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova vazhdon të mbetet me nivelin më të ulët të pagave në Ballkanin Perëndimor.

    Sipas të dhënave të bazuara në statistikat zyrtare të Agjencia e Statistikave të Kosovës, paga mesatare bruto në Kosovë është rritur nga 477 euro në vitin 2019 në 713 euro në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej afro 49.5 për qind.

    Megjithatë, analiza thekson se pjesa më e madhe e kësaj rritjeje është “ngrënë” nga shtrenjtimi i jetesës.

    Sipas statistikave të prezantuara në raport, Serbia prin me pagën mesatare prej 1,286 eurosh, pasuar nga Bosnja e Hercegovina me 1,245 euro dhe Mali i Zi me 1,206 euro.

    Edhe Shqipëria ka kaluar Kosovën me një pagë mesatare prej 860 eurosh, ndërsa Maqedonia e Veriut ka arritur në 1,111 euro.

    Sipas raportit, mbi dy të tretat e rritjes së pagave janë absorbuar nga inflacioni, çka nënkupton se fuqia reale blerëse e qytetarëve është rritur shumë më pak sesa shifrat nominale të pagave.

    “Gjatë kësaj periudhe, pagat mesatare kanë shënuar rritje të vazhdueshme në vlerë nominale. Megjithatë, analiza tregon se kjo rritje ka qenë kryesisht reagim ndaj inflacionit dhe rritjes së kostos së jetesës, më shumë sesa rezultat i një përmirësimi të ndjeshëm të mirëqenies ekonomike.

    Të dhënat tregojnë se fuqia reale blerëse e qytetarëve është rritur dukshëm më pak se pagat nominale, pasi mbi dy të tretat e rritjes së pagave janë absorbuar nga rritja e çmimeve”, ka treguar OEK.

    Të dhënat tregojnë po ashtu dallime të mëdha mes sektorëve.

    Sektori publik dhe ndërmarrjet publike vazhdojnë të ofrojnë paga dukshëm më të larta krahasuar me sektorin privat.

    Në vitin 2025, paga mesatare bruto në sektorin publik arrin në 840 euro, ndërsa në sektorin privat 666 euro, duke krijuar një diferencë prej 174 eurosh në favor të sektorit publik.

    “Krahasimi ndërmjet sektorëve evidenton se sektori publik dhe ndërmarrjet publike vazhdojnë të ofrojnë paga mesatare më të larta sesa sektori privat.

    Në aspektin rajonal, Kosova mbetet vendi me nivelin më të ulët të pagave mesatare në Ballkanin Perëndimor Analiza synon të ofrojë një pasqyrë të qartë mbi trendet e pagave, ndikimin e inflacionit dhe sfidat që lidhen me fuqinë blerëse dhe konkurrueshmërinë e tregut të punës në Kosovë”.

    Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova mbetet me pagat më të ulëta në Ballkanin Perëndimor.

    Sipas analizës, Shqipëria ka shënuar rritjen më të madhe të pagave gjatë kësaj periudhe, duke i dyfishuar ato me mbi 102 për qind, ndërsa Kosova ka mbetur ndër vendet me ritmin më të ulët të rritjes.

    Raporti vlerëson se rritja e pagave në vitet e fundit lidhet kryesisht me inflacionin global, mungesën e fuqisë punëtore dhe presionin për rritjen e pagave minimale në rajon

    Lidhur me rritjen e çmimeve dhe inflacionin, ditë me parë edhe Agjencia e Statistikave ka treguar se qytetarët po vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë.

    Të dhënat e fundit të Çmimeve të Konsumit tregojnë se inflacioni vjetor në maj 2026 ka arritur në 6,8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke konfirmuar vazhdimin e valës së shtrenjtimit që po godet pothuajse çdo familje.

    Rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te transporti, me plot 14,1 për qind më shumë se një vit më parë.

    “Në muajin maj 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 6,8% krahasuar me muajin maj 2025. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transporti (14,1%), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (13,2%), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,6%), restorante dhe shërbime akomodimi (5,3%), ushqime dhe pije joalkoolike (5,1%), shëndetësi (4,1%), mobilje dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (3,6%), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,0%), rekreacion, sport dhe kulturë (2,7%), veshje dhe këpucë (2,4%) dhe informacion dhe komunikim (0,2%).”.

  • “Bodrum gjysmë i mbushur me ujë”, ambasadori britanik dhe ai gjerman komentojnë deklaratën e Kurtit

    “Bodrum gjysmë i mbushur me ujë”, ambasadori britanik dhe ai gjerman komentojnë deklaratën e Kurtit

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe ai gjerman, Rainer Rudolph, në një intervistë ekskluzive të dhënë për KosovaPress e kanë komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se kur e mori pushtetin, e gjeti Kosovën si një bodrum gjysmë të mbushur me ujë, në kuptimin se gjendja ishte shumë keq.

    Hargreaves tha se historia e Kosovës gjatë 25 apo 27 viteve të fundit është e jashtëzakonshme, teksa e cilësoi si mrekulli të vogël që Kosova ka arritur të ecë kaq larg dhe kaq shpejtë gjatë kësaj periudhe.

    “Historia e Kosovës gjatë 25 apo 27 viteve të fundit është e jashtëzakonshme. Nesër do të shënojmë përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për t’i dhënë fund një situate të tmerrshme humanitare. Mendoj se është pothuajse një mrekulli e vogël që Kosova ka arritur të ecë kaq larg dhe kaq shpejt gjatë kësaj periudhe. Shpresa ime e vetme është që ky zhvillim të vazhdojë në të njëjtën trajektore. Dhe ne jemi këtu si miq për ta mbështetur këtë”, tha Hargreaves për KosovaPress.

    Ndërkaq, ambasadori gjerman e përdori një shprehje nga vendi ku ai vjen, duke thënë se “unë do të thosha se gota e Kosovës është 4/5 e mbushur.

    “Në gjermanisht themi se gota është gjysmë e mbushur. Unë do të thosha se gota e Kosovës është katër të pestat e mbushur”, tha Rudolph.

    Të dy ambasadorët folën edhe për “golin” dhe “autogolin” më të madh të Kosovës në vitet e fundit, ku ambasadori britanik u shpreh se fakti që Kosova mbetet një demokraci e re dhe funksionale, është një arritje e jashtëzakonshme, duke thënë se kanë nevojë për Kosovën si pjesë të grupit të tyre të aleatëve.

    “Unë erdha për herë të parë këtu në vitin 2001 dhe vendi është krejtësisht ndryshe nga ai që pashë atëherë. Njerëzit që e kanë jetuar gjithë këtë periudhë ndoshta nuk e kuptojnë gjithmonë sa larg ka arritur Kosova dhe sa shumë ka përparuar. Kjo është një arritje e madhe. Ne jemi këtu si miq të Kosovës për të punuar së bashku që ky ritëm dhe ky momentum të vazhdojnë. Ne kemi nevojë për Kosovën si pjesë të grupit tonë të aleatëve dhe miqve në arenën ndërkombëtare dhe kjo është ajo që po përpiqemi të mbështesim.”

    E, për ambasadorin gjerman është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe diçka për të cilën Kosova mund të jetë krenare se askush nuk e kontestoi rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht se disa mund të kenë qenë më të lumtur me rezultatin e disa më të zhgënjyer.

    “Pajtohem për golin. Është vërtet mbresëlënëse të shohësh një demokraci kaq dinamike dhe funksionale. Edhe pse mund të kemi pasur shumë zgjedhje kohët e fundit, është e rëndësishme të mos harrojmë sa domethënëse është që sistemi funksionoi normalisht të hënën pas zgjedhjeve. Disa njerëz mund të kenë qenë më të lumtur se të tjerët me rezultatin, disa mund të kenë qenë të zhgënjyer, por askush nuk e kontestoi rezultatin e zgjedhjeve. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe është diçka për të cilën Kosova mund të jetë krenare. Siç thashë edhe më herët, ne do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në këtë rrugë”, tha Rudolph.

  • Numërimi drejt fundit – Garë e ngushtë mes këtyre tre kandidatëve të PDK’së për ulësen në Kuvend

    Numërimi drejt fundit – Garë e ngushtë mes këtyre tre kandidatëve të PDK’së për ulësen në Kuvend

    Komisioni Qendror i Kosovës, po vazhdon të përditësoj të dhënat sa i përket votave të kandidatëve për deputetë.

    Në faqen e saj, KQZ, bën të ditur edhe se kush prej kandidatëve deri më tani, ka arritur të siguroj ulësen në Kuvend.

    Lidhur me këtë, një garë e ‘ashpër’ është duke u zhvilluar mes tre kandidatëve nga PDK’ja për ulësen në parlament.

    Hajdar Beqa, Rrustem Mustafa e Xhavit Haliti kanë dallim vetëm disa vota mes tyre.

    Për të parë përditësimet e fundit, klikoni KËTU:

  • Përfshirja e të miturve në tubime zgjedhore, Supremja refuzon ankesën e LVV-së

    Përfshirja e të miturve në tubime zgjedhore, Supremja refuzon ankesën e LVV-së

    Gjykata Supreme, ka njoftuar se është refuzuar ankesa e LVV-së lidhur me përfshirjen e të miturve në aktivitete zgjedhore, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

    Në njoftimin e gjykatës, thuhet se, PZAP kishte pranuar si të bazuara ankesat e Organizatës Joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës, të cilat kishin të bënin me pjesëmarrjen e fëmijëve në dy tubime zgjedhore të organizuara nga LVV më 3 qershor në Podujevë dhe Lipjan, dhe se, pas bashkimit të procedurave, PZAP kishte konstatuar se pjesëmarrja e të miturve në këto aktivitete përbënte shkelje të rregullores zgjedhore për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar.

    Komunikata:

    Refuzohet ankesa e LVV-së lidhur me përfshirjen e të miturve në aktivitete zgjedhore

    Prishtinë, 12 qershor 2026 – Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me shqiptimin e gjobës në shumën prej 6,000 euro, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e Parakohshme, të mbajtura më 7 qershor 2026.

    PZAP kishte pranuar si të bazuara ankesat e Organizatës Joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), të cilat kishin të bënin me pjesëmarrjen e fëmijëve në dy tubime zgjedhore të organizuara nga LVV më 3 qershor 2026 në Podujevë dhe Lipjan. Pas bashkimit të procedurave, PZAP kishte konstatuar se pjesëmarrja e të miturve në këto aktivitete përbënte shkelje të nenit 5 paragrafi 3 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar.

    Në ankesën e paraqitur në Gjykatën Supreme, LVV pretendon se dispozita e lartcekur nuk ndalon çdo prani të të miturve në aktivitete politike, por vetëm angazhimin e tyre aktiv nga subjekti politik, dhe se në rastin konkret nuk ishte provuar një angazhim i tillë.

    Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjeve në ankesë dhe provave të administruara në lëndë, Gjykata Supreme gjeti se ankesa është e pabazuar.

    Gjykata vlerësoi se PZAP ka zbatuar drejt dispozitat relevante të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 dhe se qëllimi i nenit 5 paragrafi 3 është mbrojtja e të miturve nga përfshirja në aktivitete politike dhe zgjedhore. Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, interpretimi i kësaj dispozite duhet të bëhet në përputhje me qëllimin e saj mbrojtës dhe me parimin e interesit më të mirë të fëmijës, të garantuar nga instrumentet vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

    Gjykata Supreme ka vlerësuar se përgjegjësia e subjektit politik nuk përjashtohet nga fakti nëse të miturit kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre apo nëse iniciativa për pjesëmarrje ka ardhur nga vetë ata.

    Gjykata Supreme gjithashtu vlerësoi se PZAP, gjatë caktimit të gjobës, ka marrë parasysh natyrën dhe peshën e shkeljes, ndikimin e mundshëm në procesin zgjedhor, si dhe faktin se subjekti politik ishte i njoftuar me obligimet ligjore dhe ishte sanksionuar edhe më parë për shkelje të ngjashme.

    Për këto arsye, Gjykata Supreme ka lënë në fuqi vendimin e PZAP-it dhe ka refuzuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje si të pabazuar.

  • “Ata nuk do të harrohen kurrë” – Endrit Thaçi publikon mesazhin e babait për Sahit Jasharin

    “Ata nuk do të harrohen kurrë” – Endrit Thaçi publikon mesazhin e babait për Sahit Jasharin

    Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari.

    Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Endrit Thaçi, përmes një postimi në “Instastory”, ku tregoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me të atin, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë.

    “Sapo përfundova një bisedë telefonike me babin. Ishte thellësisht i pikëlluar me ndarjen nga jeta të luftëtarit të orëve të para të UÇK-së, Sahit Jasharit. Nga Haga, ai më kërkoi t’ia përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari, bashkëluftëtarëve dhe miqve. Ata që iu përgjigjën të parët kushtrimit të lirisë nuk do të harrohen kurrë!”, shkruhet në postimin e tij.

  • Lladrovci: Ndihem keq, Sahiti ka hekë shumë, s’kena mujt me i ndihmu sa duhet na shoqëri

    Lladrovci: Ndihem keq, Sahiti ka hekë shumë, s’kena mujt me i ndihmu sa duhet na shoqëri

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me vdekjen e ish-komandantit të UÇK’së, Sahit Jashari.

    Lladrvoci, në lidhje direkte me Kosova Live, ka thënë se Sahit Jashari, ka qenë trim dhe veprimtar i çmuar.

    ‘’E kam njoft në ’90 kur ne ishim në organizim ilegal, bashkë me Adem Jasharin, Hashimin, Kadrinë, Saminë, me Ilazin, Fadili, Zenuni e shumë bashkëveprimtar. Unë e kujtoj si një djalë të jashtëzakonshëm, trim veprimtar shumë të çmuar. Sahiti ka hjek shumë se ka qenë edhe i plagosun në vitet e para të luftës, më vjen keq që nuk këna mujt shumë me i ndihmu as shoqëria as na’’, ka deklaruar ai mes tjerash.