ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj uron Ditën e Çlirimit: Fitorja e UÇK-së dhe hyrja e NATO-s, ngjarja më kulmore e historisë sonë

    Haradinaj uron Ditën e Çlirimit: Fitorja e UÇK-së dhe hyrja e NATO-s, ngjarja më kulmore e historisë sonë

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës përmes një postimi në Facebook.

    Haradinaj ka theksuar se 12 Qershori përbën një nga datat më të rëndësishme në historinë e vendit, duke e cilësuar fitoren e UÇK dhe hyrjen e forcave tokësore të NATO si ngjarjen më kulmore të historisë së re të Kosovës.

    “Kosovë, urime Dita e Çlirimit! Fitorja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe hyrja e forcave tokësore të NATO-s shënojnë ngjarjen më kulmore në historinë tonë të re. Sot, me nderim e përulje të përjetshme, kujtojmë trimat e UÇK-së nga të gjitha anët e Kosovës, sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve, dhe dhimbjen e familjeve tona që dhanë më të shtrenjtit për lirinë e vendit. Mirënjohje e thellë për aleatët tanë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe për NATO-n, që qëndruan përkrah popullit të Kosovës në ditët më vendimtare të historisë sonë. Zoti e bekoftë Kosovën, mbarë kombin tonë dhe miqtë e saj!”, shkroi Haradinaj.

  • 27-vjetori i çlirimit të Kosovës, Haxhiu e Kurti nderojnë veprimtarin Adem Demaçi

    27-vjetori i çlirimit të Kosovës, Haxhiu e Kurti nderojnë veprimtarin Adem Demaçi

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti kanë bërë homazhe të varri i veprimtarit Adem Demaçi raporton Ekonomia Online.

    Homazhet janë bërë me rastin e 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

    Bashkë me ta ishin edhe disa ministra në detyrë të kabinetit qeveritar.

    Ndryshe, Haxhiu e Kurti më herët kanë bërë homazhe edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, dhe tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

  • Osmani: Qofsh përjetë e bekuar, Kosova jonë e dashur

    Osmani: Qofsh përjetë e bekuar, Kosova jonë e dashur

    Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit.

    Sipas Osmanit, 12 Qershori është dita kur lotët e dhimbjes nisën t’i lëshojnë vend shpresës. Më tutje Osmanit thotë se Kosova do të vazhdojë të ecë përpara e lirë, e pavarur, sovrane, e përjetshme.

    Postimi i plotë:

    Qofsh përjetë e bekuar, Kosova jonë e dashur

    12 Qershori është dita kur lotët e dhimbjes nisën t’i lëshojnë vend shpresës. Dita kur Kosova filloi të marrë frymë e lirë. Dita kur ëndrra e shumë brezave për liri u bë realitet.

    Kjo është dita kur mbi tokën e djegur e të stërvuajtur të Kosovës zbarkoi shpresa. Dhjetëra mijëra ushtarakë të shteteve të NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë dritë në vend të errësirës së pafund që përjetonte populli ynë prej shekujsh.

    Sot, me dhimbje e krenari, kujtojmë bijat dhe bijtë më të mirë të këtij vendi, dëshmorët e UÇK-së të prirë nga Kryekomandanti Adem Jashari, si dhe martirët e lirisë që dhanë jetën që ne të jetojmë të lirë. Kujtojmë familjet që sakrifikuan gjithçka, të mbijetuarit që bartën plagët e luftës dhe të gjithë ata që nuk u dorëzuan kurrë përballë padrejtësisë.

    Në këtë ditë të shenjtë shprehim mirënjohjen e pafund për vizionin e Atit Themeltar të Republikës sonë, Presidentit Rugova, i cili në kohët më të rënda të historisë sonë diti të ndërtojë aleanca që na u gjendën pranë në ditët më të vështira. Mirënjohja e popullit te Kosovës për aleatët e lirisë do të mbetet e përjetshme.

    Kosova do të vazhdojë të ecë përpara e lirë, e pavarur, sovrane, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët dhe martirët e lirisë, vizioni i Presidentit Rugova dhe aleatët që na qëndruan në krah.

  • Kurti: Zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim me opozitën

    Kurti: Zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim me opozitën

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur për procesin e numërimit të votave, formimin e institucioneve të reja dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.

    Ai tha se ende po pritet përmbyllja e numërimit të votave, ndërsa vetëm pas përfundimit të këtij procesi do të mund të diskutohen hapat e ardhshëm politikë.

    “Njëherë jemi ende duke pritur numërimin e votave. Me rastin e përmbylljes së numërimit të votave do të mund të bisedojmë për hapat e ardhshëm”, deklaroi Kurti.

    Sipas tij, është e qartë se Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj të koalicionit kanë dalë fitues të zgjedhjeve, duke marrë rolin kryesor në themelimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.

    Kurti u ndal edhe te zgjedhja e presidentit, duke theksuar se ky proces kërkon bashkëpunim me opozitën, në përputhje me një aktgjykim të Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

    “Për zgjedhjen e presidentit duhet bërë bashkëpunim me opozitën, pasi kërkohet që 80 deputetë të marrin pjesë në votimin e fshehtë”, tha ai.

    Kryeministri në detyrë shtoi se partia e tij mbetet e gatshme për komunikim dhe bashkëpunim politik, duke kujtuar se gjatë mandatit qeverisës kishte bërë oferta për opozitën, të cilat, sipas tij, ishin refuzuar.

    “Ne kemi qenë të vullnetshëm dhe të interesuar për komunikim e bashkëpunim. Kemi propozuar takime dhe bashkëqeverisje me LDK-në, por këto iniciativa janë refuzuar”, u shpreh Kurti.

    Ai theksoi se nga ana e Vetëvendosjes ka pasur vazhdimisht iniciativa, konstruktivitet dhe angazhim, duke shprehur shpresën se edhe opozita do të tregojë të njëjtën qasje në procesin e konstituimit të institucioneve të reja.

    “Shpresojmë që kësaj radhe do të jetë ndryshe dhe se do të shohim më shumë konstruktivitet nga opozita për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të”, përfundoi Kurti.

  • Begaj uron Kosovën për Ditën e Çlirimit: Mirënjohje për UÇK-në dhe NATO-n

    Begaj uron Kosovën për Ditën e Çlirimit: Mirënjohje për UÇK-në dhe NATO-n

    Presidenti Bajram Begaj ka uruar Kosovën me rastin e Ditës së Çlirimit, duke vlerësuar sakrificën e qytetarëve, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e NATO-s.

    Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit shkruan se liria e Kosovës erdhi falë sakrificës së mijëra burrave dhe grave, luftës së UÇK-së dhe vendosmërisë së aleatëve strategjikë.

    “Urime Ditën e Çlirimit, Kosovë! Liria e Kosovës erdhi në sajë të sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë”, shkruan Begaj.

    Presidenti shprehu falënderim të veçantë për NATO-n, duke theksuar rolin e saj në një nga momentet më vendimtare të historisë së Kosovës.

    “Faleminderit NATO-s që qëndroi në anën e drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor në një nga momentet më vendimtare të historisë së kombit tonë”, vijon reagimi.

    Begaj shprehu gjithashtu mirënjohje për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët dhe të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e vendit.

    “Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë”, përfundon mesazhi i Presidentit.

  • Ish-kryesuesi i KGJK’së: Zhvillimi i drejtësisë nuk ka ecur me ritmin e kërkesave të qytetarëve

    Ish-kryesuesi i KGJK’së: Zhvillimi i drejtësisë nuk ka ecur me ritmin e kërkesave të qytetarëve

    Ish-kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe gjykatësi i Gjykatës Supreme, Albert Zogaj tha se Kosova ka ndërtuar dhe konsoliduar institucionet e drejtësisë në një kohë relativisht të shkurtër, por sipas tij, zhvillimi nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

    “Kemi ndërtu institucione, madje edhe i kemi konsolidu me thënë të drejtën dhe kur shikohet duke e krahasu me vende tjera e kemi ba në kohë rekord sepse veç 25 vite janë realisht të këtij gjyqësori. Mirëpo, mosecja me kohë nënkupton që në mënyrë të kujdesshme dhe të mbështetur nga shteti, nuk është zhvillu drejtësia. Ne, nuk e kemi përcjellë sa është kërkesa e qytetarit që kërkon shërbim në gjyqësor dhe sa është ky potencial”, tha ai.

    Sipas tij, në një farë forme institucionet janë mjaftuar me ekzistencën e tyre, pa e analizuar mjaftueshëm përmbajtjen dhe cilësinë e shërbimeve që ofrohen.

    “Pra, në njëfarë forme ndoshta jemi mjaftu me ekzistencën e institucionit pa e shiku çfarë përmbajtje të shërbimeve po jep. Ato duhet të jenë të thjeshta, cilësore, të besueshme, shumë lehtë të qasshme dhe duhet të jenë të sigurta që është shumë me rëndësi”, tha Zogaj për ”Betimi për Drejtësi”.

    Rrjedhimisht, Zogaj tha se në këtë kontekst, janë ndërtuar, hartuar dhe miratuar strategji, plane e veprime, por sipas tij në fazën e zbatimit ka pasur dobësi në ndërveprim. Tha se përveç efikasitetit sa i përket numrit të rasteve të kryera, problem tjetër mbetet edhe cilësia.

    “Mungesa e potencialit që realisht e ka pas gjyqësori në njerëz në radhë të parë dhe në dije. Të dyja janë; nuk duhet me e mohu asnjëherë. Janë dy problematika; edhe në mungesë të potencialit pra burimeve njerëzore dhe tash teknologjike. Si dhe njëkohësisht edhe mungesës së kapacitetit në dije për shkak se e dimë këtë procesin e ping-pongut që është edhe ndonjëherë brenda gjyqësorit, kanë kriju situata që gjyqtari edhe zyrtari edhe vetë gjykata e po ashtu struktura gjyqësore në përgjithësi është përballur me pamundësinë e adresimit të gjërave edhe në kohë edhe në cilësi”, tha Zogaj.

    Për këto dhe më shumë, ndiqeni podcastin me gjyqtarin e Gjykatës Supreme, njëherësh ish-kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

  • Arrestohen dy persona në Kamenicë – Policia konfiskon armë, mijëra euro dhe vula me stemë të Serbisë

    Arrestohen dy persona në Kamenicë – Policia konfiskon armë, mijëra euro dhe vula me stemë të Serbisë

    Policia e Kosovës, ka njoftuar për arrestimin e dy personave në Kamenicë, për mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës, dhe, asgjësim apo fshehje e materialit arkivor.

    Në raportin e përditshëm, Policia shton edhe se, gjatë bastisjes në shtëpitë e tyre, janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë, 19.440 €, 91.500 dinarë, 200 dollarë, 1300 franga, vula me stemë të shtetit të serbisë, 6 lap top, 4 shtëpiza të kompjuterit, një telefon si dhe dokumente, përcjell Gazeta Express.

    ‘‘MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL APO POSEDIM I PA AUTORIZUAR I ARMËS /ASGJËSIM APO FSHEHJA E MATERIALIT ARKIVOR

    Kamenicë / 22.04.2026 – NN. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se kanë kryer veprat e lartcekura. Gjatë bastisjes në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë, 19.440 €, 91.500 dinarë, 200 dollarë, 1300 franga, vula me stemë të shtetit të serbisë, 6 lap top, 4 shtëpiza të kompjuterit, një telefon si dhe dosje me dokumentacione si kontrata të punëtorëve nga sistemi paralel serb, dhe dokumente të tjera. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje’’, thuhet në raport.

  • Tifozi gjerman pëson infarkt në stadium në ndeshjen hapëse të Botërorit

    Tifozi gjerman pëson infarkt në stadium në ndeshjen hapëse të Botërorit

    Një tifoz i moshuar gjerman ka pësuar arrest kardiak në stadiumin “Azteca” të Ciudad de México, pak para nisjes së ndeshjes mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut në kuadër të Botërorit 2026.

    Fillimisht u përhapën lajme se ai e kishte humbur jetën, por më vonë autoritetet konfirmuan se burri është gjallë.

    Sekretaria e Sigurisë së kryeqytetit meksikan bëri të ditur se personi u ndihmua menjëherë nga ekipet e emergjencës dhe më pas u transportua në spital për trajtim të specializuar mjekësor.

    Sipas njoftimit zyrtar, gjendja e tij aktuale raportohet e qëndrueshme.

  • Policia jep detaje për personin që u vetëplagos mbrëmë në një lokal në Lipjan

    Policia jep detaje për personin që u vetëplagos mbrëmë në një lokal në Lipjan

    Një person ka mbetur i plagosur mbrëmjen e së enjtes në një lokal në Lipjan, pas një incidenti me armë zjarri.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 22:00.

    “Është raportuar se një person është vetplagosur me armë zjarri. I dyshuari është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është sekuestruar një pistoletë, ndërsa në konsultim me prokurorin është inicuar rasti dhe vazhdon të trajtohet në gjendje të lire”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për vjedhje, publikon foton e tij

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për vjedhje, publikon foton e tij

    Policia e Kosovës, ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët për identifikimin e një personi që kërkohet për vjedhje.

    Policia ka publikuar fotografinë e të dyshuarit, dhe ka kërkuar nga qytetarët që kanë informata për të, ta kontaktojnë PK’në.

    Postimi:

    Kërkesë për bashkëpunim

    Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi.

    Personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në veprën penale “Vjedhje”.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tij, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: [email protected]