ATV

Category: Lajme

  • Rigjykimi i Dardan Krivaqës, prindërit e Marigona Osmanit largohen nga Kosova për shkaqe sigurie

    Rigjykimi i Dardan Krivaqës, prindërit e Marigona Osmanit largohen nga Kosova për shkaqe sigurie

    Valdete dhe Muhabi Osmani prindërit e të ndjerës, Marigona Osmani janë duke qëndruar jashtë Kosovës për shkaqe sigurie. Pas nisjes së rigjykimit ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut, me 24 maj, prindërit e Marigonës po ndihen të rrezikuar në Kosovë.

    Për këtë arsye ata janë zhvendosur përkohësisht jashtë shtetit deri të përfundon procesi gjyqsor.

    Të premten e 24 majit në Gjykatën Themelore në Ferizaj është mbajtur seanca e rigjykimit ku të akuzuarit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu janë deklaruar të pafajshëm për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

    Në këtë seancë, Avokati i Dardan Krivaqës, Skender Musa ka kërkuar të bëhet zbatimi psikiatrik i të akuzuarit Krivaqa dhe atë; para kryerjes së veprës penale, duke përfshirë periudhën qysh nga klasa e 5-të fillore, kohën e qëndrimit të tij në paraburgim, në Qendrën e Paraburgimit për të Mitur dhe kohën e kaluar në Burgun e Dubravës.

    Kërkesa e tij ende nuk është miratuar nga trupi gjykues.

    Avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi tha për Insajderin se e sheh si të panevojshme pasi ndaj të akuzuarit janë kryer ekzaminimet psikiatrike e psikologjike më herët.

    “Është krejtësisht e panevojshme, aty është bërë një ekspertizë, është bërë ekspertizë psikiatrike e psikologjike e të gjitha. 21 ditë i pandehuri ka qendru në Institutin e Faranikes dhe Psikiatrisë. I janë kryer të gjitha analizat. Këto janë tendenca për me zvarrit procedurën dhe ka për qëllim kinse atë (Krivaqen) mos me e qitë mirë a realisht çdo tendencë e tillë është për me ju shmang burgimit të përjetshëm”, tha ai.

    Sipas avokatit Rexhepi, kërkesa e mbrojtjes është tendencë për t’iu shmang burgimit të përjetshëm.

    “Personi 133 herë është ballafaqu me drejtësinë dhe çdo herë ka dal mirë në aspektin psikiatrik e qetash s’koka mirë. Kjo është një tendencë e mbrojtjes dhe të akuzuar vetëm për t’ju shmangur burgimit të përjetshëm”, deklaroi ai për Insajderin.

    Tutje, avokati konfirmoi po ashtu se edhe prindërit e Marigonës ndodhen jashtë shtetit për shkaqe sigurie.

    Ai, thotë se pasi rasti është kryer në rigjykim, prindërit po ndihen shumë të pasigurtë.

    “Rasti që është kryer në rigjykim, prindërit janë duke e ni vetën shumë të pasigurtë me ardh këtu në Kosovë. Po ndihen të pasigurrë për shkak se kanë dyshimet e veta me u kthy. Ata kanë pas kanosje edhe pas kryerjes së aktit që e kanë pas dhe kanë dyshime” tha tutje ai.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por,Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

  • Kurti uron Genc Nimanbegun: Gëzuar për suksesin tuaj të merituar

    Kurti uron Genc Nimanbegun: Gëzuar për suksesin tuaj të merituar

    Kryeministri Albin Kurti ka uruar kryetarin e ri të Ulqinit, Genci Nimanbegu me rastin e zgjedhjes së tij në krye të kësaj komune.

    Kurti ka shprehur kënaqësi dhe besim të plotë tek ai si kryetar i ri i Ulqinit deri sa e uroi për një mandat të frytshëm demokratik e progresist.

    “Urim për kryetarin e ri të Ulqinit, z. Genci Nimanbegu

    Ulqini ka zgjedhur mbrëmë një kryetar të ri për ta drejtuar e përshpejtuar komunën kah rruga e përparimit qytetar e kombëtar dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror.

    Kryetari i ri, z. Nimanbegu më parë ka qenë deputet dhe nënkryetar i Kuvendit në Mal të Zi. Ai ka një përvojë të gjatë në politikë që do t’i shërbejë shumë në detyrën e re për arritje dhe rezultate të mëtejme.

    Me kënaqësi dhe besim të plotë tek ai si kryetar i ri i Ulqinit, e uroj Gencin për një mandat të frytshëm demokratik e progresist!

    Gëzuar për suksesin tuaj të merituar z. Nimanbegu.”, ka shkruar Kurti.

  • Një grua raporton në polici se u ngacmua seksualisht nga një i moshuar

    Një grua raporton në polici se u ngacmua seksualisht nga një i moshuar

    Një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se është ngacmuar seksualisht nga një i moshuar në Lipjan. Sipas policisë, i dyshuari është larguar me veturë të panjohur.

    “Ankuesja femër kosovare ka raportuar se është ngacmuar seksualisht nga një person i moshuar, i cili më pas është larguar me një veturë në drejtim të panjohur” – thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

    Rasti është regjistruar më 29.05.2024, rreth orës 12:25 dhe i njëjti është në procedurë hetimore.

  • Dodik jashtë realitetit: Njoftoi se nesër do të dërgojë marrëveshjen për shkëputje

    Dodik jashtë realitetit: Njoftoi se nesër do të dërgojë marrëveshjen për shkëputje

    Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërguan një paralajmërim të drejtpërdrejtë kryetarit të enklavës serbe në Bosnje dhe Hercegovinë e quajtur Republika Serbe, Millorad Dodik se “shkëputja” do të thotë fundi për këtë entitet, kryetari i RS nuk heq dorë.

    Dodik ka paralajmëruar se deri në fund të muajit, që do të thotë sot ose nesër, do t’u dërgojë partnerëve në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës një marrëveshje për shkëputjen e kësaj enklave nga Federata, transmeton Paparaci.

    “Ne do të jemi në organet e Bosnje dhe Hercegovinës, por do të marrim vetëm vendime në interesin tonë. Dhe duke qenë se atje nuk ka vendime në interesin tonë, vështirë se do të marrim vendime”, ka thënë Dodik, duke përkujtuar se Republika Serbe do të dërgojë një marrëveshja për shkëputje deri në fund të muajit, raporton televizioni i Republikës Serbe, RTRS.

    Ai ka thënë se kolegët e tij nga Sarajeva mendojnë se janë të fuqishëm sepse janë të preferuarit e Amerikës.

    “Por ata nuk e dinë që raporti i fuqive ka ndryshuar në botë”, ka thënë ai.

  • ZPS: Dëshmitari i 69-të dhe vëllai i tij u arrestuan dhe keqtrajtuan nga persona që mbanin krah shirita të UÇK-së

    ZPS: Dëshmitari i 69-të dhe vëllai i tij u arrestuan dhe keqtrajtuan nga persona që mbanin krah shirita të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 69-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili është me masa mbrojtëse dhe ka kodin W01336 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar ZPS-ja e përfaqësuar nga prokurori Cezari Mihalçuk, i cili tha se dëshmitar së bashku me vëllain e tij është arrestuar në një vend pranë Prishtinës nga persona të cilët kanë mbajtur fasha krahu të UÇK-së të cilët më pas i keqtrajtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Dëshmitari W01336 bashkë me të vëllain u arrestuan më 14 qershor 1999 në një vend pranë Prishtinës nga një grup personave të armatosur që mbanin disa fasha krahu të UÇK-së. Të dy këta burra i lidhen, ua lidhën sytë, i rrahën dhe i quan në një shtëpi aty pran ku i keqtrajtuan. Më pas, i quan në një shtëpi tjetër që nuk ishte shumë larg nga vendi i mëparshëm dhe i vendosen në bodrumin e asaj shtëpie. Shkurtimisht, më pas atje quan një viktimë të tretë. Të tre burrat i morën në pyetje dhe i rrahën”, tha prokurori gjatë leximit të përmbledhjes.

    Më pas, prokurori tha se dëshmitari së bashku me dy të ndaluarit e tjerë kishte arritur të arratiset dhe kishin kërkuar ndihmë nga KFOR-i.

    “Më 15 qershor 1999, pasi i kishin rrahur për shumë orë, dëshmitari me numër 01336 bashkë me dy të ndaluarit e tjerë arritën të arratiseshin dhe kërkuan ndihmë nga KFOR-i”, tha prokurori duke kaluar më pas për pyetjet e tjera në sesion privat për publikun.

    Përpara kësaj, prokurori kërkoi që të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna pranë autoriteteve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse të pranohen si prova materiale, gjë e cila është aprovuar nga kryetari i trupit gjykues.

    Vlen të theksohet se kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth katër orë që një prej tyre është e ndarë për ZPS-në, 15 minuta për mbrojtësin e viktimave dhe dy orë e gjysmë për kundërpyetjet e mbrojtjes së të akuzuarve.

    Në fillim të seancës, kryegjyqtari njoftoi se Krasniqi ka hequr dorë nga e drejta për të marrë pjesë fizikisht në sallën e gjyqit dhe është duke e ndjekur përmes video-lidhjes, ndërsa tre të akuzuarit tjerë janë të pranishëm.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Arrestohen tre të mitur, dyshohet se vodhën dy shtëpi të mërgimtarëve

    Arrestohen tre të mitur, dyshohet se vodhën dy shtëpi të mërgimtarëve

    Drejtoria rajonale e policisë në Pejë ka bërë të ditur se dje rreth orës 07:30 është njoftuar për një vjedhje në fshatin Raushiq.

    Sipas policisë, persona të dyshuar kanë depërtuar me forcë në dy shtëpi dhe objekte përcjellëse të viktimave të cilët jetojnë jashtë vendit, ku të dyshuarit kanë demoluar shtëpitë dhe kanë vjedhur vegla pune.

    “Pas njё pune intensive tё hetueseve tё Stacionit Policor Pejё, ёshtё arritur tё identifikohen dhe arrestohen tre persona tё dyshuar (tё mitur), tё njëjtit janё intervistuar nga hetuesit nё prezencën e prindërve, zyrtarit tё QPS-sё dhe avokatit mbrojtës”.

    “Policia ka sekuestruar nga tё dyshuarit sendet e vjedhura, tё cilat pas procedurave Policore do te ju kthehen pronarëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Më tej, bëhet e ditur se pas intervistimit, dy të dyshuar me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa njëri nga ta është ndaluar për 24 orë.

  • Gërvalla thotë se një luftë tjetër në Ballkan do të mirëpritej nga Rusia

    Gërvalla thotë se një luftë tjetër në Ballkan do të mirëpritej nga Rusia

    Rusia mund të ndezë tensionet në Ballkan dhe të krijojë luftë të re që Perëndimi të mos e ketë fokusin në Ukrainë, thotë ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

    Gërvalla, në një intervistë të mërkurën për “NatSec Daily”, ka paralajmëruar se ambiciet territoriale të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, nuk ndalen në kufirin ukrainas.

    Sipas saj, fitorja e Ukrainës kundër Rusisë do të siguronte stabilitet për një kohë të gjatë edhe në “Ballkanin e trazuar”.

    “Strategjia e Putinit është të mbajë Perëndimin të hutuar me konflikte të ndryshme. Pra, një luftë tjetër në Ballkan do të ishte shumë e mirëpritur nga Rusia”, ka deklaruar Gërvalla.

    Kosova në veçanti është objektiv joshës për Putinin, siç thotë Gërvalla, sepse prosperiteti i vendit minon argumentin e tij se Perëndimi nuk mund të ndihmojë vendet e ish-bllokut lindor.

    “Putini flet çdo javë për Kosovën. Nuk ka të bëjë me rëndësinë gjeopolitike të Kosovës, por ka të bëjë me faktin se Kosova është histori suksesi e Perëndimit, histori suksesi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është histori suksesi e NATO-s, histori suksesi e vendeve evropiane”, ka theksuar Gërvalla.

  • Ushtaraku gjerman: Së fundmi në Kosovë dokumentuam varreza masive, regjistruam informacione që mund të përdoren në gjykatë

    Ushtaraku gjerman: Së fundmi në Kosovë dokumentuam varreza masive, regjistruam informacione që mund të përdoren në gjykatë

    Nënkoloneli Marco Langhorst, zëvendëskomandant i Regjimentit të 3-të të Policisë Ushtarake në Mynih të Gjermanisë ka folur për përgatitjet e fundit të kësaj pjese të Forcave të Armatosura Gjermane.

    Në një intervistë të publikuar në faqen e Bundeswehr (ushtrisë gjermane), ai u pyet për çështjen e dokumentimit të krimeve të luftës në përgjithësi, ndërsa e përmendi Kosovën, ku tha se së fundmi kanë dokumentuar varreza masive dhe kanë regjistruar informacione që mund të përdoren në gjykatë.

    “Dokumentimi i krimeve të luftës kishte rënë në plan të dytë për shkak të situatës aktuale të rendit. Së fundmi, gjatë misionit tonë në Kosovë, na është dashur t’i dokumentojmë varrezat masive dhe të regjistrojmë informacione që mund të përdoren në gjykatë. Që atëherë, hapësira e informacionit është bërë dukshëm më e vështirë dhe më e shpejtë. Dezinformimi dhe propaganda janë të zakonshme. Ne duhet të përshtatemi me këtë. Gjatë trajnimit tonë, ne punojmë shumë intensivisht me Zyrën Federale të Policisë Kriminale, ndër të tjera. Përfaqësues të Gjykatës Ndërkombëtare Penale ishin gjithashtu me ne për t’u përgatitur për skenarë të mundshëm. Lufta në Ukrainë tregon shumë qartë se sa e rëndësishme është të dokumentohen krimet e luftës dhe ta dominosh hapësirën e informacionit”, tha Langhorst, i cili është pjesë e policisë ushtarake gjermane që nga viti 1998.

    Regjimenti i 3-të i Policisë Ushtarake në Mynih, Langhorst tha se është “pika e parë e kontaktit për të gjitha pyetjet e policisë ushtarake nga ushtarët në Gjermani”.

  • INDEP: Duhet të ketë një mobilizim kombëtar për sektorin e energjisë

    INDEP: Duhet të ketë një mobilizim kombëtar për sektorin e energjisë

    Është prezantuar Raportit Tematik: “Licensimi në Sektorin e Energjisë: Sfidat, barrierat dhe rekomandime” nga konzorciumi CorrWatch, raporton Ekonomia Online.

    Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka thënë se ky projekt ka për qëllim që në mënyrë të përmbledhur të shpalos një pasqyrë të sfidave, barrierave dhe mundësive që na presin në sektorin e energjisë veçanërisht në pjesën e licencimit.

    “Ne do t’ju ofrojmë një sërë rekomandimesh institucioneve tona. Ky hulumtim është realizuar përmes metodës së shifrave. Ne tashmë jemi specializuar në sektorin e energjisë. Javë më parë ne si INDEP kemi mbajtur një diskutim të mbyllur me sektorin e energjisë deri sa institucionet dhe bizneset janë ballafaquar dhe kanë shpalosur rekomandimet e tyre. Ne do të vëmë në vëmendje publike se ka probleme të shumta në sektorin e energjisë”, ka thënë Abazi.

    Ndërsa, Liron Gjocaj nga po ky institut ka thënë se konsumatorët të cilët duan të bëjnë një projekt për panele solare deri në 7KË duhet ti bëjnë disa kërkesa për aprovim për pranim teknik, marrëveshje për konsumatorë e disa të tjera.

    “Muajve të fundit kemi pasur një lehtësim të vogël për konsumatorët të cilët aplikojnë për panele solare deri në 7 KW. Konsumatorët të cilët duan të bëjnë një projekt për panele solare deri në 7 KW duhet ti bëjnë disa kërkesa për aprovim për pranim teknik, marrëveshje për konsumatorë e disa të tjera. Kemi edhe projekte megavatëshe të cilat kërkojnë procedura shtesë dhe normalisht fuqia dhe të gjitha janë më të rritura. Ka edhe procedura burokratike të cilat e vështirësojnë këtë proces për investitorët. Si projekte të ndërlikuara kanë edhe rreziqe të tjera siç janë kosto e lartë e investimit pasi që kanë kosto të lartë milionëshe që është e paarritshme për shumë individë. Mungesa e lejes ndërtimore është hasur shpesh te investitorët. Shfrytëzoj rastin që të apeloj që kjo leje të mos kërkohet më.

    Gjocaj ka folur edhe për mungesën e fuqisë punëtore.

    “Mungesa e fuqisë punëtore është evidente po ashtu. Asnjë investitor nuk është i interesuar që të investojë e të hasë në probleme institucionale”, ka thënë ai.

    Dardan Abazi shpalosi rekomandime për çka tha se duhet të ketë një mobilizim kombëtar që ky investim të jetë më i lehtë.

    “Tani më kemi një orientim të vendit për de-karbonizim. Por këta investitorë që ne po i ftojmë ne si shtet duhet të sigurohemi që investitorëve t’ju sigurojmë mundësitë e investimeve. Kemi një thirrje për institucionet që të kenë komunikim të duhur, personat përgjegjës që lëshojnë pëlqimin për investime të mos ketë mungesë të komunikimit. Ka fajësime të dy anshme dhe këtyre pëlqimeve dhe në mes janë investitorët. Të kemi një mobilizim kombëtar që ky investim të jetë më i lehtë. One Stop Shop është rekomandimi i dytë i cili do ti printe këtyre investimeve. Nuk duhet të jetë një zyrë informimi por duhet të ketë zyrtarë që i kryejnë këto punë. Kërkojmë të ketë politikë tatimore të vlefshme e të mos ketë barriera tjera. Duhet të kemi një digjitalizim sepse për një dokument investitorët duhet të shkojnë nëpër komunat ku investojnë që të pajisen me dokumente. Duhet të kemi programe të trajnimit dhe të shohin si janë trendet e zhvillimit”, ka thënë ai.

  • Mbyllet grupi “Albkings”, shtatë të arrestuar, në mesin e tyre edhe një femër

    Mbyllet grupi “Albkings”, shtatë të arrestuar, në mesin e tyre edhe një femër

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore e Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka bërë me dije janë arrestuar të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së indentitetit dhe kredencialeve që publikoheshin në grupin famëkeq me emrin “Albkings” i cili funksionon në rrjetin social “Telegram”, e ku shpërndahen fotografi e numra të telefonave, me qëllim shqetësimin e shpeshherë ngacmimin seksual.

    Në një konferencë për media, Gashi tha se ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa përket veprave penale që do të ndiqen.

    Përveç administratorit të parë është arrestuar edhe administratorja e grupit femër.

    “Ju njoftoj se Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arritur me sukses të gjurmojë, zbulojë dhe të arrestojë të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së indentiteti dhe kredencialeve. Marrë parasysh se jemi duke hetuar ende, kërkojmë që të kurseheni sa i përket pyetjeve, pasi që mund të cenojmë konfidencialitetin dhe integritetin e hetimeve. Ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa i përket veprave penale që do të ndiqen. Sot i kemi gjithsej 7 personave që i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të zgjerimit të hetimeve edhe për personat tjerë.

    Ndërkohë, prokurorja e rastit, Erza Bajrami-Kastrati, bëri me dije se grupi është mbyllur përfundimisht.

    “Kemi arritur që kërtë grup ta mbyllim përfundimisht. Kemi arritur t’i arrestojmë shtatë persona që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast”, ka thënë Bajrami-Kastrati.