ATV

Category: Lajme

  • Hetimet rreth grupit “Albkings”, arrestohen shtatë persona

    Hetimet rreth grupit “Albkings”, arrestohen shtatë persona

    Përgatiti: Nora Luta

    Në shtatë ka arritur numri i të arrestuarve në rastin Albkings.

    Më 23 maj, Prokuroria e Prishtinës thotë se ka arritur të arrestojë administratorin kryesor të grupit, i cili dyshohet për vjedhje të identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje.

    Prokuroria, të enjten, njoftoi se grupi është mbyllur përfundimisht, pasi ishte hapur dy herë tjera.

    Në kuadër të hetimeve u përdorën edhe masa të fshehta të vëzhgimit.

    “Në kuadër të hetimeve, kemi lëshuar masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, si dhe kemi ndërmarrë disa veprime të tjera hetimore, me ç’rast këto kanë rezultuar me identifikimin e personit të parë të dyshuar dhe arrestimin e tij. Më datë 16 prill është lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit E.N., njëri prej administratorëve të këtij grupi”, tha prokurorja e rastit, Erza Bajrami – Kastrati.

    Për rastin, që shkaktoi pasiguri te qytetarët, në konferencën për media u paraqit edhe kryeprokurori Zejnullah Gashi.

    Teksa tha se hetimet janë duke vazhduar dhe po zgjerohen edhe në drejtim të personave të tjerë, kërkoi mirëkuptim nga gazetarët për mosparashtrim të pyetjeve.

    “Andaj, falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët e Republikës së Kosovës kemi arritur që këtë rast delikat, sa i përket identifikimit të kryerësve të veprës penale, kemi arritur t’i arrestojmë brenda një afati të shkurtër kohor dhe ky rast si i tillë, target i së cilës kanë qenë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke cenuar rëndë integritetin moral të tyre, sa i përket shpërndarjes së fotografive, video-incizimeve intime të cilat kanë krijuar pasiguri te qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Gashi.

    I dyshuari i parë i arrestuar lidhur me këtë rast është Edin Nevzadi, i cili që nga prilli është në paraburgim.

    Sipas dosjes së Prokurorisë, ai vazhdimisht nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më 12 shkurt 2024, në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings”, në aplikacionin Telegram, e duke vepruar në bashkëkryerje, ka ofruar dhe shpërndarë fotografi intime dhe ua merrte identitetet qytetarëve të Kosovës.

  • Arrestohet gruaja në Gjilan, dyshohet se gënjeu se u dhunua

    Arrestohet gruaja në Gjilan, dyshohet se gënjeu se u dhunua

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Një grua në Gjilan është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë, për shkak se dyshohet se bëri kallëzim të rremë në polici, duke e bërë veten dhe të birin e saj, viktima të tri veprave penale.

    Të shtunën e kaluar, ajo raportoi në polici se u grabit e u dhunua seksualisht nga dy persona, në rrugën “Skifter Arifi”, afër varrezave të Gjilanit. Ndërsa, për djalin e vet 17 vjeç, tha se është rrahur po nga ata persona të maskuar.

    “Prokuroria Themelore në Gjilan ju njofton se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Gjilan, pas hetimeve intensive, ka ndaluar të dyshuarën N.R., për shkak të veprës penale ‘Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

    Prokurorisë dhe policisë rajonale të Gjilanit iu deshën 5 ditë që ta zbulojnë këtë. Në bazë të provave që kanë siguruar nga hetimet, ato thanë se bëhet fjalë për inskenim.

    “Bazuar në provat e marra, deklarimet e palëve të përfshira në rast, raportet mjekësore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, analizimit të shumë materialeve me video-incizime janë siguruar dëshmi se gjithë ngjarja ka qenë një inskenim dhe ajo ka raportuar rrejshëm me rastin e lajmërimit të saj në polici”, thuhet më tej në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

    Por, në përgjigjen e Prokurorisë nuk përmenden plagët e gruas e as gjendja e të birit, të treguara në raportin fillestar të Spitalit të Gjilanit.

    Drejtori i spitalit Rajonal të Gjilanit, Arsim Emini, i tha të dielën ATV-së, se gruaja kishte pasur gërvishtje dhe gjakderdhje. Por televizioni mëson se më 25 maj, ekzaminimi gjinekologjik në QKUK nuk qe i mundur për shkak të gjakderdhjes.

    Një ekzaminim i tillë u bë tek pas 3 dite, më 29 maj, e që rezultoi se gjakderdhja përkon me gjakun menstrual dhe se nuk ka pasur shenja dhunimi.

    I pyetur gjatë të enjtes nga ATV-ja, Drejtori i Spitalit, përmes telefonit pa dhënë detaje, tha se e dyshuara në emergjencë ka ardhur me ato plagë, që janë shkruar në raportin mjekësor, të cilin e posedon edhe policia.

    Ngjarja që tash po cilësohet si kallëzim i rremë, u raportua se kishte ndodhur në një rrugë, që është vetëm 1.5 kilometra larg qendrës së Gjilanit.

  • Qeveria sllovene e dërgon në Parlament propozimin për njohjen e Palestinës

    Qeveria sllovene e dërgon në Parlament propozimin për njohjen e Palestinës

    Qeveria e Sllovenisë e ka mbështetur të enjten një mocion për njohjen e shtetit palestinez dhe i ka kërkuar Parlamentit ta bëjë të njëjtën gjë.

    Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, tha se Qeveria e tij ia ka dërguar Parlamentit propozimin për njohjen e Palestinës.

    Parlamenti slloven mund të mblidhet javën e ardhshme dhe ta hedhë në votim propozimin e Qeverisë.

    Nevojitet pajtimi i Parlamentit që vendimi i Qeverisë të jetë i efektshëm. Partia liberale në pushtet e Golobit e ka shumicën në Parlamentin me 90 ulëse dhe votimi rreth njohjes së Palestinës pritet të jetë formalitet.

    Vendimi i Qeverisë sllovene vjen vetëm dy ditë pasi Spanja, Norvegjia dhe Irlanda e njohën shtetin palestinez. Qëndrimet e tyre u dënuan ashpër nga Izraeli.

    Sllovenia do të bëhej vendi i 10-të i Bashkimit Evropian që e njeh zyrtarisht Palestinën. Norvegjia nuk është pjesë e bllokut 27-anëtarësh, por ajo zakonisht i përshtat politikat e jashtme me ato të bllokut.

    Sllovenia e nisi procesin e njohjes së Palestinës në fillim të majit, por tha se do të priste derisa të përmirësohej gjendja në luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.

    Golob tha këtë javë se po e përshpejton procesin pas sulmeve të fundit të Izraelit në Rafah, si pasojë e të cilave më shumë se 1 milion palestinez kanë ikur atje.

    Më shumë se 140 shtete e njohin shtetin palestinez – më shumë se dy e treta e Kombeve të Bashkuara.

    Vendimi për njohjen e Palestinës ka nxitur fërkime në marrëdhëniet e BE-së me Izraelin. Spanja dhe Irlanda po bëjnë trysni që BE-ja të ndërmarrë masa kundër Izraelit, për shkak të sulmeve të tij të vazhdueshme në jug të Gazës. Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

    Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

    Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së./REL/

  • Biden do ta vizitojë Francën javën e ardhshme

    Biden do ta vizitojë Francën javën e ardhshme

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do t’i vizitojë Normandinë dhe në Parisin nga 5 deri më 9 qershor, për të marrë pjesë në 80-vjetorin e zbarkimit të trupave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore, njoftoi Shtëpia e Bardhë të enjten.

    Biden do të mbajë fjalim përkujtimor më 6 qershor, dhe pastaj do të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Paris më 8 qershor, si pjesë e një vizite shtetërore, tha Shtëpia e Bardhë në një komunikatë.

    Zyra e Macronit, ndërkohë, tha se dy presidentët do të bisedojnë “për nevojën për mbështetje të palëkundur dhe afatgjate për Ukrainën”, në një kohë kur lufta është rikthyer në Evropë, 80 vjet pasi zbarkimet e trupave çuan në çlirimin e Francës dhe kontinentit prej pushtimit nga Gjermania naziste.

    Javën e ardhshme në Normandi do të mblidhen liderët e 25 shteteve dhe qeverive, së bashku me dhjetëra veteranë të Luftës së Dytë Botërore, për t’i nderuar gati 160.000 trupa nga Britania, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vendet e tjera, të cilët zbarkuan më 6 qershor 1944.

    Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të marrë pjesë.

    Vizita shtetërore e Bidenit do të mundësojë “bashkëpunim të ngushtë” mes Francës dhe SHBA-së për krizat botërore, në prag të ngjarjeve ndërkombëtare, përfshirë të samitit të Grupit të Shtatë ekonomive të mëdha muajin e ardhshëm në Itali, si dhe të samitit të NATO-s në Uashington në korrik.

    Ata do të bisedojnë edhe për çështjet që kanë të bëjnë me klimën, dhe do të përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, posaçërisht në fushat si, ekonomi, hapësirë dhe atë nukleare, thuhet në njoftim./REL/

  • Hapja e Urës së Ibrit, Zyra e BE-së: Çdo vendim duhet të bëhet në kuadër të dialogut

    Hapja e Urës së Ibrit, Zyra e BE-së: Çdo vendim duhet të bëhet në kuadër të dialogut

    Hapja e Urës së Ibrit është bërë temë diskutimi së fundmi në vend.

    Lidhur me këtë janë deklaruar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

    Në një përgjigje për Klankosova.tv, zëdhënësja Ioanna Lachana tha se çdo vendim lidhur me urën në fjalë duhet të bëhet në kuadër të dialogut në Bruksel .

    Ajo deklaroi se hapja e urës është marrëveshje e arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

    “Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me urën duhet të bëhen në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, tha Lachana.

    Zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë i ftoi palët që të zbatojnë çdo marrëveshje të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

    “BE-ja mbetet e gatshme për të lehtësuar bisedimet. BE-ja gjithashtu u kërkon të gjithëve që të përmbahen nga çdo veprim provokues që mund të rrezikojë stabilitetin e terrenit dhe të largojë palët nga zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve – që duhet të jetë prioriteti i tyre kryesor”, deklaroi Lachana.

    Lidhur me këtë është deklaruar edhe policia.

    Zëvendësdrejtori për rajonin e veriut Veton Elshani, i pyetur në lidhje me mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit për trafik, tha për Klankosova.tv se “policia është e gatshme të zbatojë çdo vendim të Qeverisë së Kosovës”.

  • BE-ja pret që Qeveria e re maqedonase të jetë stabile dhe e përkushtuar

    BE-ja pret që Qeveria e re maqedonase të jetë stabile dhe e përkushtuar

    Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut duhet të punojë për zbatimin e reformave të nevojshme për vazhdimin e procesit të anëtarësimit në Bashkim Evropian (BE), tha të enjten ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer.

    Diplomati evropian theksoi se blloku beson në formimin e një qeverie stabile, e cila do t’i përkushtohej detyrimeve që ka marrë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

    “Ne presim formimin sa më shpejt të një qeverie stabile. Ajo që duam të shohim, pas formimit të qeverisë është që ekzekutivi i ri t’i përvesh mëngët dhe t’i zbatojë reformat që kërkohen në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Geer.

    Shkupit i kërkohet prej kohësh të bëjë ndryshime kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues. Këto ndryshime janë kusht për nisjen e bisedimeve ndërmjet tij dhe Brukselit për anëtarësim në BE.

    Qeveria e re – sipas kryetarit të VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski, i cili pritet ta marrë mandatin për formimin e ekzekutivit të ri pasi paria e tij i fitoi zgjedhjet – do të formohet në bashkëpunim me koalicionin VLEN të partive opozitare shqiptare, më së voni deri në javën e parë të muajit qershor.

    VMRO-ja thotë se nuk është kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, por kërkon garanci se Sofja nuk do të paraqesë kërkesa të reja kundrejt Shkupit.

    Ndërkohë, Geer nuk deshi t’i komentojë përplasjet mes partive politike dhe në veçanti akuzat e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për “mos respektimin e vullnetit të shqiptarëve në zgjedhje” si dhe bojkotin e seancës kur Afrim Gashi u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

    “Unë besoj se interesi i këtij vendi është të vazhdojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ne në Bashkim Evropian jemi të gatshëm të punojmë me qeverinë e re dhe të gjithë ata që mbështesin procesin e reformave, i cili është i nevojshëm për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar këtë vend të përparojë në rrugën drejt BE-së”, theksoi Geer.

    Kuvendi i Maqedonisë së Veriut u konstitua më 28 maj ndërsa për kryetar të Kuvendit u zgjodh Afrim Gashi nga koalicioni VLEN.

    Zgjedhja e Gashit edhe zyrtarisht konfirmon koalicionin për formimin e qeverisë së re mes VMRO DPMNE-së dhe katër partive shqiptare që përbëjnë koalicionin VLEN.

    BDI-ja tha më 29 maj tha se shumica e re parlamentare dhe rrjedhimisht qeveria që do të formohet “nuk është legjitime”, pasi, sipas kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, “zgjedhjet më 8 maj te shqiptarët janë fituar nga Fronti Evropian, i cili edhe ka legjitimitetin e votuesve shqiptar”.

    Në zgjedhjet e 8 majit Fronti Evropian, që udhëhiqet nga BDI-ja, i fitoi 18 mandate, ndërsa koalicioni VLEN 14.

    Kjo e fundit thotë se BDI-ja nuk mund të pretendojë në legjitimitetin e votës shqiptare pasi pjesë e Frontit Evropian janë edhe katër parti të entiteteve tjera në Maqedoninë e Veriut./REL/

  • Komuna e Zveçanit e shkarkon nënkryetaren serbe

    Komuna e Zveçanit e shkarkon nënkryetaren serbe

    Kryetari i Zveçanit, ka shkarkuar sot nga detyra nënkryetaren e Komunës, Natasha Tomaniq.

    Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Zveçanit që ështa mbajtur në orën 10:00.

    Aty është votuar për shkarkimin e nënkryetares, ku 17 vota kanë qenë pro shkarkimit, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

    Shkarkimin e nënkryetares e ka konfirmuar edhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.

    Ai ka thënë se vendimi është marrë sot në seancën e Kuvendit Komunal ku 17 asambleistë votuan pro shkarkimit të nënkryetares.

    Sipas tij, nënkryetarja ka kaluar disa herë kompetencat e saj në punë.

    Përveç kësaj ka bërë presion të vazhdueshëm ndaj zyrtarëve serbë në komunë te Zveçanit, ku si rrjedhojë tre zyrtarë serbë kanë dhene dorëheqje ditëve të fundit.

    Ndërsa si shkas i fundit për shkarkimin e saj ka qenë një marrëveshje që nënkryetarja ka bërë me një kompani italiane për një objekt që është në pronësi të komunës se Zveçanit.

    Vendimi është duke u protokolluar dhe pastaj do t’i përcillet nënkryetares Natasha Tomaniq./RTK

  • Vitia takon ambasadorin e ri të Anglisë, e falënderon për ndihmën në fushën e shëndetësisë

    Vitia takon ambasadorin e ri të Anglisë, e falënderon për ndihmën në fushën e shëndetësisë

    Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, priti në takim Ambasadorin e ri të Anglisë në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves, duke i uruar mirëseardhje dhe suksese në detyrën e tij të re.

    Gjatë takimit, diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe përkushtimin e ndërsjellët për forcimin e bashkëpunimit.

    Ambasadori Hargreaves shprehu kënaqësinë e tij për të qenë në Kosovë dhe për të kontribuar në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve mike.

    Ministri Vitia falënderoi Ambasadorin Hargreaves për bashkëpunimin e ngushtë në fushën e shëndetësisë dhe ndihmën e dhënë nga Anglia. Ministri gjithashtu falënderoj Royal College of General Practitioners për mbështetjen e tyre mbi dy dekada të Mjekësisë Familjare në Kosovë. Programi i Mjekësisë Familjare, i akredituar ndërkombëtarisht nga ky kolegj, ka ndikuar në ngritjen e cilësisë së shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor për qytetarët.

    Ambasadori Hargreaves në këtë takim ishte i shoqëruar nga Zyrtari për Politika Ekonomike dhe Tregtare në Ambasadën Britanike në Kosovë, Blond Gerqari.

  • Kurti nderon dëshmorët Rasim Kiçina e Ragip Halilaj në 25-vjetorin e rënies

    Kurti nderon dëshmorët Rasim Kiçina e Ragip Halilaj në 25-vjetorin e rënies

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Marinë të Skenderajt, në 25 vjetorin e rënies së Rasim Kiçinës dhe Ragip Halilajt.

    “Në nderim të rënies heroike të dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Marinë të Komunës së Skenderajt. Kryeministri Kurti vendosi lule të freskëta në përkujtim të rënies heroike të dy luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në betejën e ashpër me forcat serbe.”

    Siç njofton ZKM, Kurti ka thënë se përjetë duhet të jemi falënderues dhe mirënjohës dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës.

    “Duke ju falënderuar luftës së tyre e shokëve të tyre, dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës, dhe popullit mbarë, gëzojmë lirinë dhe e kemi shtetin, tha Kryeministri, duke ritheksuar se u jemi përjetë mirënjohës dhe falënderues.”

    Kurti ka thënë se kjo duhet bartur brez pas brezi dhe institucionalizuar në muze në mënyrë që të mësohet historia e dëshmorëve.

    “Në bashkëbisedim me familjarët e dëshmorëve, Kryeministri Kurti vlerësoi kontributin e këtyre dy familjeve patriotike dhe i falënderoi për qëndresën e tyre.”

  • Haxhiu e mirëpret arrestimin e shtatë administratorëve të “Albkings”

    Haxhiu e mirëpret arrestimin e shtatë administratorëve të “Albkings”

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se e mirëpret angazhimin institucional të policisë dhe prokurorisë në mbylljen dhe arrestimin e administratorëve të grupit famëkeq në rrjetin social Telegram, “Albkings”.

    Haxhiu tha se “Albkings” mund të jetë një lajm i pasdites apo mbrëmjeve, por për shumë vajza dhe gra, viktima të këtij grupi do të mbetet plagë dhe traumë jetësore.

    “Si institucione e kemi për obligim që të mos lejojmë individë apo grupe njerëzish me mendësi kriminale që përmes rrjeteve sociale apo formave të tjera të shkatërrojnë jetët e vajzave dhe grave”, tha Haxhiu.

    Sot, prokuroria përmes një konference për media ka njoftuar se janë arrestuar shtatë persona të cilët administronin me grupin famëkeq “Albkings”.