ATV

Category: Lajme

  • Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara

    Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara

    Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Vranësirat gjatë pjesës së dytë të ditës vende-vende mund të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-28 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

  • 1 qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

    1 qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

    Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor në mbarë botën, pasi në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925. 

    Në të njëjtën ditë, rastisi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të festonin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Dy vjet më pas 1 qershori filloi të festohet në të gjithë botën.

    Me rastin e kësaj dite, aktivitete të larmishme gjatë ditës në sheshet e kryeqytetit do të organizohen nga Komuna e Prishtinës, ndërsa mbahet edhe takimi i radhës i Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve në Qeveri nga ora 13:00.

    Në partneritet me Komunën e Prishtinës, Ambasadën Gjermane në Kosovë, GIZ dhe organizatën gjermane “It’s for Kids”, organizata Save the Children Kosova organizon ngjarjen festive e edukative në Parkun Taukbahqe nga ora 12:00.

  • Lirohet Gani Geci

    Lirohet Gani Geci

    Të premtes pasdite është liruar nga burgi i Smrekonicës ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci.

    Geci ishte shpallur fajtor pasi në gusht të vitit 2014, në Skenderaj, e kishte privuar nga jeta, Ruzhdi Shaqirin me të cilin kishte pasur një konflikt të mëhershëm.

    Geci u dënua me 3 vite burgim për vrasje të rëndë, kurse me 10 muaj burgim për armëmbajtje pa leje. Ndaj tij u shqiptua dënimi unik prej 3 vite e 6 muaj burgim efektiv.

  • Prokuroria Speciale i reagon Kurtit: Jemi të indinjuar ndaj qasjes së vazhdueshme joproduktive

    Prokuroria Speciale i reagon Kurtit: Jemi të indinjuar ndaj qasjes së vazhdueshme joproduktive

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të djeshme të Kryeministrit Kurti, lidhur me rastet e krimeve të luftës.

    Në reagim thuhet se komentet e Kurtit janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës shpreh indinjatë të thellë ndaj qasjes së vazhdueshme joproduktive të Kryeministrit Kurti ndaj Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, lidhur me rastet e krimeve të luftës.

    Prokuroria Speciale potencon fuqishëm se komentet e vazhdueshme të Kryeministrit të Kosovës për punën e Prokurorisë Speciale janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit. Andaj, si të tilla e minojnë besimin e publikut në punën e Prokurorit të Shtetit në përgjithësi dhe të Prokurorisë Speciale në veçanti.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se në pesë vitet e fundit, që nga koha kur kjo prokurori ka marrë kompetencat për hetimin e krimeve të luftës, ka bërë punë jashtëzakonisht të madhe në bashkëpunim të plotë me institucionet ligj zbatuese. Për më tepër, kjo është bërë me kapacitete të pamjaftueshme të kuadrove, profesionale dhe financiare, si pasojë e buxhetit të pamjaftueshëm. KPK sjell në vëmendje të opinionit publik se në 20 vjetët e fundit, asnjëherë nuk është miratuar kërkesa buxhetore e plotë (në lartësinë 100% të kërkesës).

    Gjithashtu, korniza ligjore për hetimin e krimeve të luftës ka ndryshuar shumë në pesë vjetët e fundit.

    Ky ndryshim ka paraqitur sfidë për një proces efikas dhe efektiv në hetimin e krimeve të luftës. Këtë sfidë nuk e kanë shtetet e tjera në regjion. Shtetet si Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina kanë miratuar strategjitë nacionale në nivel të qeverive dhe parlamenteve të vendeve të tyre për adresimin e krimeve të luftës. Ne ende nuk e kemi një strategji të tillë në nivel nacional.

    Përkundër kësaj, me iniciativën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës , Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar Strategjinë e Krimeve të Luftës, mbi bazën e së cilës janë duke u zhvilluar hetimet e krimeve të luftës

    Edhe me këto resurse të pamjaftueshme, si ligjore ashtu edhe financiare, njoftojmë opinionin publik se Prokuroria Speciale, aktualisht, ka të regjistruara gjithsej 60 aktakuza për krime të luftës për 56 raste, ndaj 165 personave.

    Po ashtu ju informojmë se ka përfunduar proceduara e avancimit të prokurorëve, nga ana e Këshillit Prokurorial dhe duke filluar nga data 1 qershor 2024, në Departamentin për Hetimin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale do të shtohen edhe dy (2) prokurorë, ku numri total i prokurorëve në këtë departament do të jetë pesë (5), të cilët do të merren ekskluzivisht me hetimin e krimeve të luftës.

    Prokuroria Speciale i bënë thirrje publike Kryeministrit dhe çdo zyrtari tjetër shtetëror që të shmangë deklarimet publike, të cilat nuk përkojnë me gjendjen reale dhe i fton qytetarët për bashkëpunim me organet e rendit, në mënyrë që të gjithë ata individ që kanë kryer vepra penale të krimeve të luftës të vihen para drejtësisë.

    Krimet e luftës nuk parashkruhen (vjetërsohen), andaj edhe ne nuk do të ndalemi duke punuar në të gjitha rastet qe i kemi lidhur me këto vepra penale” thuhet në reagim.

  • Komuna e Prishtinës, PDK-së: Akuzat bosh nuk e ndalin transformimin e Kryeqytetit

    Komuna e Prishtinës, PDK-së: Akuzat bosh nuk e ndalin transformimin e Kryeqytetit

    Komuna e Prishtinës ka reaguar pas deklaratave që gjatë ditës së premte iu bënë nga Partia Demokratike.

    “Gjatë ditës së sotme, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës kanë bërë akuza tërësisht të pabaza dhe me qëllime puro politike për të penguar një proces të transformimit të Kryeqytetit, Planin Rregullues për Lagjen Kalabria. Veprime të tilla ka pasur edhe në të kaluarën kur Partia Demokratike e Kosovës ka tentuar përmes sabotimit të shumë proceseve të ndalin punën tonë”, thuhet në reagim.

    Prandaj, duam të sqarojmë për publikun, si vijon:

    Plani Rregullues për Lagjen Kalabria ka kaluar nëpër të gjitha procedurat e parapara ligjore për dokumentet e tilla. Dokumenti është hartuar nga një grup punues me ekspertë të drejtorive përkatëse, përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtar të planifikimit urban. Plani ka kaluar nëpër periudhën 30 ditore të konsultimeve publike me banorët e Lagjes Kalabria për të informuar ata rreth detajeve të Planit si dhe për të marrë parasysh sugjerimet e tyre.

    Janë mbajtur shumë konsultime publike grupore me banorë dhe pronarë të tokave në Lagjen Kalabria. Po ashtu, kemi pritur në dhjetëra raste qytetarë individual të Lagjes Kalabria të cilët kanë kërkuar informata dhe detaje rreth Planit. Pra, përpos takimeve publike grupore, dera e institucionit të Kryeqytetit ka qenë e hapur gjatë gjithë procesit. Drejtorët përkatës kanë qenë në dispozicion dhe kanë takuar të gjithë banorët e Lagjes që kanë kërkuar informata për këtë çështje.

    Përveç rregullimit të shumë problemeve që kanë banorët e Lagjes, ky Plan parasheh rritjen e vlerës së ndërtimit në pronën komunale. Kjo është bërë në mënyrë tërësisht transparente dhe ligjore. Qëllimi i ngritjes së kësaj vlere të ndërtimit është që investitorët potencial që shprehin interes për investim në këtë pronë komunale, do të kushtëzohen me ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit dhe Fshatit Olimpik. Pra, rritja e vlerës së ndërtimit në këto prona do të sigurojë ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit dhe Fshatit Olimpik pa e ngarkuar buxhetin e Kryeqytetit dhe pa ngarkuar qytetarët. Unaza e Kryeqytetit kap një vlerë prej rreth 350 milion Euro (rreth 150 milion eksproprijim të pronave private dhe rreth 200 milion ndërtim) ndërsa Fshati Olimpik rreth 200 milion Euro.

    Pra, me miratimin e këtij Plani Rregullues mund të financohen këto dy projekte madhore të Kryeqytetit që arrijnë vlerën totale rreth 550 milion Euro.

    Prandaj, sigurojmë qytetarët se miratimi i këtij Plani Rregullues nuk do të dëmtojë pronën publike, nuk do të rëndojë qytetarët e buxhetin e Kryeqytetit, por përkundrazi do të rezultojë me ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit dhe Fshatit Olimpik e cila do të jetë në dobi të qytetarëve të gjithë Republikës së Kosovës. Kjo masë është ndërmarrë për shkak se ndërtimi i Unazës së Kryeqytetit është duke u vonuar tash e sa kohë si rrjedhojë e mungesës së mbështetjes dhe bashkëpunimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe nevojës për ndërtimin e Fshatit Olimpik.

  • OBSH: Të alarmuar nga numri i lartë i rasteve të etheve tropikale

    OBSH: Të alarmuar nga numri i lartë i rasteve të etheve tropikale

    Numri i rasteve të etheve tropikale në mbarë botën është rritur gjatë pesë viteve të fundit, me një situatë veçanërisht alarmante këtë vit në kontinentin amerikan, sipas një raporti të ri të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

    Sipas raportit, më shumë se shtatë milionë raste të etheve tropikale janë raportuar në Amerikë që nga prilli i këtij viti, duke tejkaluar ndjeshëm 4,5 milionë rastet e raportuara në të gjithë vitin 2023.

    “Duke pasur parasysh shkallën aktuale të shpërthimeve, rrezikun e mundshëm të përhapjes së mëtejshme ndërkombëtare dhe kompleksitetin e faktorëve që ndikojnë në transmetim, rreziku i përgjithshëm global vlerësohet ende si i lartë dhe për këtë arsye ethet tropikale mbeten një kërcënim global për shëndetin publik”, thuhet në raportin e OBSH-së.

    Ethet tropikale janë një sëmundje virale kërcënuese për jetën e përhapur nga mushkonjat në rajonet tropikale dhe subtropikale.

    Deri në fund të prillit, OBSH kishte marrë raporte për 7,6 milionë raste nga 90 vende, duke përfshirë pjesë të Evropës Jugore.

    Sipas OBSH-së, më shumë se 16 000 nga këto raste rezultuan në sëmundje të rënda dhe 3 000 ishin fatale.

    Disa njerëz nuk shfaqin simptoma, ndërsa në raste të rënda dengoja mund të shkaktojë gjakderdhje të rëndë dhe dëmtim të organeve.

  • ​Stano: Çdo vendim për urën e Ibrit duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut

    ​Stano: Çdo vendim për urën e Ibrit duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut

    Pas kërkesës së Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore për hapjen e urës së Ibrit për automjete ka reaguar Bashkimi Evropian duke thënë se çdo vendim që merret me këtë çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut.

    Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se hapja e urës në Mitrovicë është temë e dy marrëveshjeve brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja nga viti 2015 dhe 2016.

    “Natyrisht, ne jemi shumë të interesuar të parandalojmë një krizë më shumë, ka pasur mjaft kriza tashmë, dhe shumë pak zgjidhje dhe hapa që çojnë drejt depërshkallëzimit. Sa i përket pyetjes suaj për urën, hapja e urës së Mitrovicës në fakt është temë e dy marrëveshjeve brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja nga viti 2015 dhe 2016, dhe përkundër përpjekjeve tona lehtësuese si Bashkim Evropian, ndër vite, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullim”, tha Stano.

    Sipas tij çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut.

    “Dhe duke qenë se kjo është një çështje që i përket kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, kjo është shumë e qartë. Prandaj ne vazhdojmë thirrjen tonë për të dyja palët që të ecin përpara me zbatimin e të gjitha marrëveshjeve në pritje, përsëri, marrëveshja për urën e Kosovës është pjesë e marrëveshjeve të arritura në dialog dy herë”, ka thënë ai.

    Stano ka paralajmëruar se të gjitha detyrimet e marrëveshjeve në pritje duhet të përmbushen pa vonesë, dhe e njëjta gjë sipas tij vlen edhe për marrëveshjen për urën dhe gjithashtu për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    “Të gjithë këta hapa të njëanshëm, hapa të pakoordinuar po ndërmerren dhe po e zhvendosin fokusin dhe vëmendjen nga prioriteti kryesor, dhe prioriteti kryesor tani për të dyja palët duhet të jetë arritja e marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shtoi Stano.

    Këshilltarja komunale e Mitrovicës Veriore, Aida Doli, ka kërkuar hapjen e urës kryesore të Ibrit edhe për automjete sa më shpejtë, pavarësisht kundërshtimeve të BE-së.

    Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore e ka mbështetur në seancën e së premtes vendimin për hapjen e urës së Ibrit edhe për qarkullimin e automjeteve.

  • Policia Ushtarake e FSK-së ngrit kapacitetet e mbështetjes luftarake

    Policia Ushtarake e FSK-së ngrit kapacitetet e mbështetjes luftarake

    Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të Policisë Ushtarake të FSK-së, Policia ushtarake ka trajnuar dhe çertifikuar togun e mbështetjes luftarake. Këto kapacitete janë ngritur konform objektivave të komandantit të FSK-së, në ngritjen e kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës.

    Në njoftimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës thuhet se Togu është i gatshëm të operoj në ambiente operacionale të ndryshme dhe të kryej një gamë të gjerë detyrash brenda dhe jashtë vendit.

    Në njoftim po ashtu thuhet se gjithashtu janë certifikuar pjesëtarët nga kursi bazik për Polici Ushtarake i cili është organizuar nën mbikëqyrjen e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

    Gjeneral brigade Ilir Qeriqi në emër të Komandantit të FSK-së, përgëzoi pjesëtarët dhe lidershipin e Policisë Ushtarake në ngritjen e kapaciteteve dhe arritjen e objektivave të PU-së dhe FSK-së.

    Komandanti i Policisë Ushtarake Nënkolonel Besnik Selimi uroi pjesëtarët për arritjen dhe kërkoi që motivi, puna dhe profesionalizmi të gdhendet në ADN-në e çdo pjesëtari të Policisë Ushtarake.

    Në ceremoni morën pjesë nga KDS, Kolonel Arben Krasniqi dhe shefi i trajnimeve në SHP , nënkolonel Dedë Hiseni.

    Për arritje të lartë akademike me mirënjohje u shpërblyen OR4 Dren Latifi dhe OR3 Bled Vuniqi.

  • ​Incident në Komunën e Mitrovicës Veriore

    ​Incident në Komunën e Mitrovicës Veriore

    Një incident i rëndë ka ndodhur sot në Komunën e Mitrovicës së Veriut pasi gazetari i Agjencisë së Lajmeve KosovaPress Alidin Damati është dëbuar nga objekti komunal.

    Truproja e kryetarit të Komunës Erden Atiq, pas një polemike gjatë pauzës së seancës se Kuvendit Komunal në mes të gazetarit dhe kryetarit të kësaj komune, duke e kapur në kraharor gazetarin, i bën me shenjë që ky i fundit duhet të del jashtë.

    Duke mos u mjaftuar me kaq, shefi i kabinetit të kryetarit Visar Syla, gjithnjë me urdhër të kryetarit Erden Atiq, urdhëroi sigurimin e objektit që gazetarit të KosovaPress-it të mos i lejohet hyrja pas pauzës.

    Shkak i krejt kësaj situate ishte një deklaratë e njërës prej këshilltarëve dhënë gazetarit jashtë sallës, përkatësisht në njërën prej korridoreve të objektit të komunës, derisa seanca zhvillohej brenda në sallë. Më pas, mësohet se të gjitha mediat nuk janë lejuar ta përcjellin seancën me arsyetimin se ajo duhet të vazhdojë e mbyllur. /KP/

  • Sulm me thikë në Gjermani, plagoset aktivisti i ekstremit të djathtë

    Sulm me thikë në Gjermani, plagoset aktivisti i ekstremit të djathtë

    Disa persona janë goditur me thikë nga një person me thikë gjatë një organizmi politik të ekstremit të djathtë në qytetin gjerman të Manheim.

    Sulmuesi me thikë goditi disa njerëz, duke përfshirë aktivistin e ekstremit të djathtë Michael Stürzenberger, 59 vjeç rreth orës 11:30 të mëngjesit me kohën lokale, sipas The Mirror.

    Pamjet e transmetuara drejtpërdrejtë në YouTube treguan aktivistët anti-islamik nga Pax Europa duke u përgatitur për të mbajtur një tubim të vogël kur një person me thikë iu afrua një burri dhe filloi ta godiste me thikë.

    Kalimtarët e rastit u panë duke nxituar për të ndihmuar viktimën që u sulmua nga autori, i cili u përplas përtokë.

    Pak çaste më vonë sulmuesi nisi të qëllonte me thikë kë t’i dilte përpara. Kalimtarët më pas u përleshën me autorin dhe u përpoqën të largonin të plagosurin e parë që mbeti në dysheme.

    Ai pësoi një plagë me thikë në pjesën e pasme të këmbës. Sulmuesi më pas goditi me thikë pas shpine një oficeri policie.

    Në këtë moment policë të tjerë ndërhynë dhe qëlluan mbi të. Sipas gazetës gjermane Bild , Stürzenberger ishte një nga viktimat në sulm.

    Politikani i ekstremit të djathtë është dënuar dy herë për fyerje të policisë dhe “nxitje dhe denigrim të mësimeve fetare”, tha gazeta.

    Pas sulmit, mjekët u panë duke trajtuar të paktën tre persona në vendngjarje. Rreth zonës ku ndodhi goditja me thikë u vendos edhe një kordon policie.