ATV

Category: Lajme

  • ​550 fëmijë të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës

    ​550 fëmijë të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës

    Që nga 24 shkurti 2022, pushtuesit rusë kanë vrarë 550 fëmijë dhe kanë plagosur 1,364 të tjerë në Ukrainë.

    “Më shumë se 1914 fëmijë në Ukrainë kanë vuajtur nga agresioni i armatosur në shkallë të plotë të Federatës Ruse. Nga të dhënat e mëngjesit të datës 1 qershor 2024, sipas informacioneve zyrtare të prokurorëve për të mitur, 550 fëmijë u vranë dhe më shumë se 1,364 morën lëndime të shkallëve të ndryshme të ashpërsisë”, postoi në Telegram Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

    Shumica e fëmijëve u prekën në rajonin Donetsk – 534, rajonin e Kharkiv – 389, rajonin Kherson – 152, rajonin e Dnipropetrovsk – 139, Kiev – 130, rajonin Zaporizhzhia – 108, rajonin e Mykolaiv – 107.

    Më 30 maj, një vajzë dhe një djalë 12 vjeç u plagosën në granatimet ruse të Kharkiv.

    Më 1 qershor, tetë fëmijë u plagosën si rezultat i një sulmi armik në Balakliia, rajoni i Kharkiv.

  • Presidentja ​Osmani takon kryeministren e Guinesë Ekuatoriale

    Presidentja ​Osmani takon kryeministren e Guinesë Ekuatoriale

    Në kuadër të vizitës zyrtare në San Salvador, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka takuar kryeministren e Guinesë Ekuatoriale, Manuela Roka Botey.

    Në këtë takim u diskutua mbi thellimin e komunikimit dhe bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Guinesë Ekuatoriale.

    Osmani ka thënë se Kosova është e përkushtuar që të punojë ngushtë me partnerë në mbarë botën në fusha të interesit të përbashkët.

    E para e vendit ndodhet për vizitë në San Salvador, për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të këtij vendi të Amerikës Qendrore.

  • Bajrami: Vazhdon korrupsioni, vetëm dje 4 kontrata njëburimore në shumën prej 683 mijë eurove

    Bajrami: Vazhdon korrupsioni, vetëm dje 4 kontrata njëburimore në shumën prej 683 mijë eurove

    Deputetja e LDK-së dhe kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami, ka alarmuar se po vazhdon korrupsioni në qeverisjen e Kurtit, nëpërmes dhënies së tenderëve njëburimorë.

    “Vetëm dje Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka publikuar 4 kontrata njëburimore në shumë prej 683 mijë euro. Pra, 683 mijë euro brenda një ditë të vetme”, ka shkruar ish-ministrja, në Facebook.

    POSTIMI I PLOTË:

    Vazhdon korrupcioni – vetëm dje Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka publikuar 4 kontrata njëburimore në shumë prej 683 mijë euro. Pra, 683 mijë euro brenda një ditë të vetme!

    Dje, dite premte 31 Maj 2024, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik publikoi katër kontrata njëburimore/kontrata të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë si në vijim:

    1. ⁠Korporata Energjetike e Kosovës: Ruajtja dhe sigurimi i objekteve të KEK-ut, për dy muaj (qershor-korrik 2024), shuma 448,251.13 euro.

    2. Korporata Energjetike e Kosovës: Transport i punëtorëve të KEK-ut, për muajin Qershor-Korrik 2024, shuma 152,884.56 euro.

    3. Punë shtesë Ri-tender/ndërtimi i 11 shtëpive në pjesën veriore të Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shuma 63,725.72 euro.

    4. ⁠Punë shtesë Ri-tender/renovimi i 4 shtëpive në pjesën veriore të Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shuma 18,225.30 euro.

    Korrupsioni duhet të ndëshkohet. Në ekonominë e tregut askush s’ka të drejtë që në sektorë ku ka konkurrencë të negociojë kontrata me një kompani. Kjo është në kundërshtim me nenin 10 të Kushtetutës, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, respektivisht është keqpërdorim i detyrës zyrtare, dëmtim i buxhetit të shtetit – është KORRUPSION.Korrupsioni duhet të dënohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

  • Netanyahu: S’mund të ketë armëpushim të përhershëm, pa u shfarosur Hamasi

    Netanyahu: S’mund të ketë armëpushim të përhershëm, pa u shfarosur Hamasi

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të shtunën se nuk do të ketë armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës, pa u shkatërruar kapacitetet qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Ai e tha këtë përmes një komunikate online, një ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, tregoi se Izraeli kishte propozuar një marrëveshje trefazore për armëpushim në Gazë, në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite nga Hamasi.

    “Kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës nuk kanë ndryshuar: shkatërrimi i kapaciteteve qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit, lirimi i të gjitha pengjeve dhe garancia se Gaza nuk përbën kurrë më kërcënim për Izraelin”, tha Netanyahu.

    Ai shtoi se Izraeli do të vazhdojë të ngulë këmbë “që këto kushte të plotësohet, para se të zbatohet armëpushimi i përhershëm”.

    “Nuk ka asnjë shans që Izraeli të pajtohet për armëpushim të përhershëm, pa u plotësuar këto kushte”, shtoi ai.

    Ndërkohë, Hamasi tha se është i gatshëm të angazhohet “pozitivisht dhe në mënyrë konstruktive” për çfarëdo propozimi që parasheh armëpushim të përhershëm, tërheqjen e forcave izraelite, rindërtimin e Gazës, kthimin e të zhvendosurve, dhe një shkëmbim “të mirëfilltë” të të burgosurve, “nëse Izraeli njofton qartazi se është i përkushtuar për marrëveshje të tillë”.

    Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

    Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.

    Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL/

  • ​Ministri Maqedonci: Raketat “Javelin” pritet të arrijnë në Kosovë brenda pak kohe

    ​Ministri Maqedonci: Raketat “Javelin” pritet të arrijnë në Kosovë brenda pak kohe

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se raketat amerikane “Javelin”, pritet të arrijnë në Kosovë brenda pak kohësh. Ai shton se vendi ka ekzekutuar të gjitha pagesat në bazë të planit të paraparë dhe se sistemi “Javelin”, do të jetë në inventarin e FSK-së shumë shpejtë, por nuk specifikoi një datë për shkak, siç tha të konfidencialitetit që ka procesi. Mirëpo, Maqedonci thekson se Kosova tashmë zotëron sistemin e raketave turke “OMTAS”, që është i ngjashëm me atë “Javelin”.

    Ministri i Mbrojtës në një intervistë për KosovaPress, thekson se qeveria Kurti në tri vitet e fundit ka investuar rreth 240 milionë euro në blerje të sistemit të armatimit.

    “Ne jemi në proces të blerjes së Javelin, kemi ekzekutuar pagesat sipas planit të pagesave që kemi. Jemi në proces të prokurimit dhe është çështje tash kohësh dhe koordinimi kur do të vijnë Javelin këtu. Por ne kemi bërë prokurime edhe më herët të sistemeve të ngjashme si Javelin, kryesisht me Turqinë por edhe vende të tjera. Tashmë kemi në inventarin e FSK-së, sistemin Omtas që është i përafërt me sistemin Javelin, ka të njëjtën mënyrë. Sistemi Javelin do të jenë në inventarin e FSK-së shumë shpejtë. Nuk mund të jap kohë të caktuar edhe për shkak të konfecidalitetit që ka ky proces”, thekson Maqedonci.

    Ai shton se në vitin 2023, buxheti i FSK-së ka arritur kuotën e 2 për qind të bruto-produktit vendor, që sipas tij, është synim të arrihet nga të gjitha vendet e NATO-s.

    “Brenda tri viteve të qeverisjes Kurti kemi 239 milionë euro që janë shpenzuar në blerje të sistemit të armatimit. Në krahasim me shpenzimet që janë bërë në të kaluarën është dhjetëra fish më e lartë. Ne jemi duke vazhduar të pranojmë buxhet shtesë prej Qeverisë së Kosovës, krahas rritjes së buxhetit që e kemi në vazhdimësi. Është për t’u theksuar që në vitin 2023, buxheti i FSK-së ka arritur kuotën 2 për qind që synohet të arrihet nga të gjitha vendet e NATO-s dhe shumë prej tyre nuk e kanë arritur. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së buxhetit që ka ndihmuar Qeveria e Kosovës dhe fokusit të Kurtit për të ndërtuar kapacitetet mbrojtjes duke investuar në sisteme të armatimit. Në këtë aspekt po vazhdojmë të bëjmë blerje ushtarake. Në këtë aspekt këto blerje ushtarake i realizojmë përmes një sistemi që ne e quajmë shtet me shtet. Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes të një shtetit të NATO-s, identifikon mundësitë për blerje të atij vendi. Falë mbështetjes që e kemi pas të vazhdueshme, kemi bërë blerje të sistemit të armatimit të cilat kanë qenë të parapara të blihen në faza më të vonshme”, thotë Maqedonci.

    Ministri nënvizon se investimi në mbrojtje nga Qeveria do të vazhdojë të jetë në 2 për qind edhe gjatë këtij viti dhe vitet e ardhshme.

    “Duke parë qasjen e kryeministrit Kurti, unë vlerësojë që prej tash dhe vitet në vijim sa të jetë kjo qeveri në krye të vendit dhe sa të kemi kryeministër Kurtin, kjo rritje nuk do të ndalet. Ne do të kemi gjithmonë mbi 2 për qind investime në mbrojtje”, deklaron ai.

    Në anën tjetër, Maqedonci për KosovaPress flet edhe për largimin e ushtarëve nga FSK-ja, për çka thotë se të njëjtat janë brenda parametrave normal dhe se nuk preket operacionaliteti i FSK-së.

    “Nuk ka ndryshim në aspektin e numrit, e kam fjalën nuk ka rritje të numrit të largimeve gjatë këtij tre mujori, pavarësisht se liberalizimi i vizave do të ndikojë. Ne në vazhdimësi kemi kërkesa për t’iu bashkangjitur Forcës së Sigurisë nga të rinjtë tanë, veçanërisht nga akademitë ushtarake, të cilat i kemi si Qendrën për Studime Universitare që e kemi brenda FSK-së por edhe bashkëpunimit që e kemi me akademitë të tjera. Kemi një numër të madh të të interesuarve për të qenë oficerët e ardhshëm të Kosovës. Unë inkurajojë të gjithë të rinjtë që t’i bashkëngjiten FSK-së si oficerë në këtë detyrë me të vërtet fisnike. Vitin e kaluar kemi pasur një trajnim të mbi 600 qytetarëve të cilët tani janë pjesë e FSK-së dhe do të vazhdojmë me rritjen e numrit. Daljet janë ende në parametrat normal. Shpesh ky numër mund të rritet apo mund të zvogëlohet por nuk prek operacionalitetin e FSK-së”, thekson Maqedonci.

  • Presidentja Osmani takon djalin e heroit Afrim Bunjaku për Ditën e Fëmijëve

    Presidentja Osmani takon djalin e heroit Afrim Bunjaku për Ditën e Fëmijëve

    Për nder të 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, presidentja Vjosa Osmani, ka takuar disa fëmijë, në mesin e tyre edhe djalin e heroit të kombit, Afrim Bunjaku.

    Ajo me këtë rast ka uruar fëmijët për festën e tyre.

    “Para disa ditësh, në nder të 1 qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kishim një bashkëbisedim ndryshe, pranë librave, me fëmijë të mbushur me kuriozitet, shpresë e emocion. Faleminderit librarisë Dukagjini për ftesën si dhe fëmijëve e mësueseve që ndamë së bashku këto momente kaq të bukura. Urime 1 qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. ”, ka shkruar Osmani.

  • Rryma për veriun: S’ka kompensim për milionat e shpenzuara deri më 2012

    Rryma për veriun: S’ka kompensim për milionat e shpenzuara deri më 2012

    Qytetarët e Kosovës e kanë humbur të drejtën e tyre ligjore për kompensim për faturat e rrymës që kanë paguar në emër të banorëve të katër komunave veriore, nga viti 1999 deri më 2012.

    Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, thotë se kërkesat për kthim borxhi ose dëme të shkaktuara mund të bëhen në mënyrë retrospektive për vetëm pesë vjet – në të kundërtën, afati ligjor për ushtrimin e kësaj të drejte skadon.

    Nga 1 qershori i këtij viti do të nisë kompensimi i tyre vetëm për faturat e paguara nga viti 2012 deri më 2017 – proces ky që do të zgjasë deri në vitin 2030.

    Ky vendim u mor muajin e kaluar, bazuar në një padi të ngritur nga Avokati i Popullit në vitin 2017.

    Me kërkesë të gjykatës, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) i obligoi shërbimet e shpërndarjes së energjisë elektrike që t’i kompensojnë konsumatorët.

    Banorët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – shumica serbë – nuk paguan për rrymën e shpenzuar që nga përfundimi i luftës, më 1999.

    Refuzimi erdhi si pasojë e mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që operonin nën dirigjimin e Serbisë.

    Deri në fund të vitit 2017, rrymën e shpenzuar në veri e paguan qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës, të cilët merrnin fatura me rritje.

    Nga 2017-ta e këndej – pas ankesave të shumta të qytetarëve dhe padisë së ngritur nga Avokati i Popullit – përgjegjësia për pagesën kaloi tek Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës, KOSTT, ndërsa subvencione ndau edhe Qeveria e Kosovës.

    Në vitin 2022, pastaj, Kosova dhe Serbia u dakorduan për zbatimin e një marrëveshjeje për energjinë, të arritur qysh në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Në praktikë, kjo marrëveshje nisi të zbatohej në fund të shkurtit.

    Gjykata Themelore në Prishtinë e mori vendimin për kompensim në vitin 2021, me të cilin kërkoi kthimin e mbi 40 milionë eurove te qytetarët e Kosovës.

    Vendimi, pastaj, u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, ndërsa në mars të këtij viti edhe nga Gjykata Kushtetuese.

    Qelaj thotë se vendimi i gjykatës për kompensimin e qytetarëve vetëm për pesë vjet u mor pasi që rasti për këtë çështje u ngrit në vitin 2017. Me ligj, kujton ai, periudha retrospektive nuk mund të shkojë përtej pesë vjetësh.

    Në vitin 2012, zyrtarë të KEK-ut patën deklaruar pse borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve në veri, që nga përfundimi i luftës e deri atëherë, vlerësohej të ishte mbi 100 milionë euro.

    Vlera e përgjithshme e faturave vjetore për katër komunat atje, sipas të dhënave zyrtare, arrinte nga 8 deri në 10 milionë euro, raporton REL.

  • Maqedonci: FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme luftarake për të qenë pjesë e NATO-s

    Maqedonci: FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme luftarake për të qenë pjesë e NATO-s

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci thotë se anëtarësimi në NATO është nevojë urgjente për sigurinë e Kosovës.

    Sipas tij, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në aspektin e përgatitjes së saj për të qenë pjesë e aleancës veri-atlantike.

    Maqedonci në një intervistë për KosovaPress, thekson se avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi madhor për vendin.

    Përmes kësaj, ministri Maqedonci deklaron se deputetët kosovarë që do të jenë pjesë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, do të kenë mundësi të paraqesin rezoluta të ndryshme për sigurinë në Ballkan.

    “Avancimi i statusit të Kosovës nga anëtar vëzhgues në vend të asociuar, ka rëndësi të madhe për vendin tonë, veçanërisht për Kuvendin e Kosovës. Legjislativi tani e tutje do të ketë mundësi të zhvillojë shumë më shumë aktivitete në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në krahasim me ato që ka pasur mundësi të zhvillojë gjatë kohës sa ka qenë vetëm vend vëzhgues. Kuvendi i Kosovës, parlamentarët tanë që do të jenë pjesë e Asamblesë së NATO-s, do të kenë mundësi të marrin pjesë në të gjitha takimet e komitetet dhe nën komitetet të NATO-s, do të kenë mundësi të paraqesin rezoluta të ndryshme, të marrin pjesë në amendamentin e rezolutave, të jenë si raportues special të asociuar kur komitetet bëjnë raporte rreth gjendjes së sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai.

    Maqedonci deklaron se Kosova në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë ka ndërtuar kapacitetet sipas standardeve të NATO-s.

    “Kosova ka bërë hapa shumë të mëdhenj në aspektin e përgatitjes së saj për të qenë pjesë e NATO-s. Institucionet tona kanë bërë veprime të vazhdueshme. Pikë së pari Kosova është një vend demokratik, një vend që përfaqëson të gjitha vlerat e vendeve të NATO-s. Në aspektin politik, në aspektin sesi duket shteti i Kosovës ne i kemi të gjitha parametrat që të jemi pjesë e NATO-s. Veçanërisht në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë ne kemi ndërtuar në vazhdimësi kapacitetet mbrojtëse të vendit tonë, sipas standardeve të NATO-s. Ne trajnojmë pjesëtarët e FSK-së sipas standardeve dhe shkollës së NATO-s”, shton Maqedonci.

    Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme luftarake për të qenë pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë.

    “FSK-ja të gjithë organizimin e saj, strukturën e ka të dizajnuar në atë format që të jetë i mundshëm ndërveprueshmëria më vendet e NATO-s. Ne taktikat që i zhvillojmë në nivel taktik, doktrinën tonë ushtarake dhe të gjitha dokumentet i kemi të sinkronizuara me ato të vendet e NATO-s. Ne përdorim kalibrat e municionit dhe sistemet e armatimit që përdorën në vendet e NATO-s. Kjo i jep mundësi FSK-së që gjatë operimit të përbashkët me vendet e NATO-s, të ketë mundësi e ndërveprimit me ushtritë e vendeve të NATO-s. FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme si luftarake, ashtu edhe kapacitete të mbështetjes ushtarake për autoritetet civile që janë ato kapacitete që janë parë shumë herë në FSK-në, si deminimi, kërkim shpëtimi që janë kapacitete të gatshme për të qenë pjesë e NATO-s”, thotë Maqedonci.

    Krahas sigurisë për Kosovën, ministri i Mbrojtjes thotë se anëtarësimi në NATO do të paraqiste siguri për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

    “Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk paraqet vetëm siguri për vendin tonë por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Unë vlerësoj se të gjithë Ballkani Perëndimor duhet të përfshihet në NATO, madje edhe Serbinë edhe pse deri tani nuk ka shfaqur as dëshirën më të vogël për të qenë pjesë e NATO-s. Megjithatë, integrimi në NATO do të jetë një hap i rëndësishëm për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe një objektiv strategjik për Kosovën me qëllim që të mbrojë interesat e saj që ndërlidhen me mbrojtjen dhe sigurisë”, përfundon Maqedonci.

  • ​Osmani takon dy zyrtare të larta amerikane: Diskutuam për zhvillimet e fundit të sigurisë

    ​Osmani takon dy zyrtare të larta amerikane: Diskutuam për zhvillimet e fundit të sigurisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës zyrtare në El Salvador ka takuar dy zyrtare të larta amerikane.

    Ajo ka treguar se me nën-sekretaren e Shtetit për tregti ndërkombëtare, Marisa Lago, dhe ndihmës-sekretaren e Shtetit, Julieta Valls Noyes, ka diskutuar për partneritetin me ShBA-të.

    Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se me zyrtaret amerikane ka diskutuar edhe për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe mundësinë e rritje së bashkëpunimit ekonomik.

    “Një fillim i mbarë i ditës me partnerët tanë amerikanë! Në San Salvador, u takova me nën-sekretaren e Shtetit për tregti ndërkombëtare Marisa Lago dhe ndihmës-sekretaren e Shtetit, Julieta Valls Noyes. Diskutim përmbajtësor për partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara, zhvillimet e fundit të sigurisë, mundësitë për rritjen e tregtisë dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik”, ka shkruar Osmani.

  • Rusia i vazhdon sulmet kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës

    Rusia i vazhdon sulmet kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës

    Rusia ka kryer sulme të reja duke e dëmtuar infrastrukturën energjetike në pesë rajone të Ukrainës më 1 qershor, njoftuan zyrtarët ukrainas.

    Objekte energjetike u dëmtuan në rajonet Donjeckut në lindje, Zaporizhjas në juglindje, në Dnipropetrovsk, si dhe në rajonin qendror Kirovohrad dhe atë perëndimor Ivano-Frankvisk, tha operatori i rrjetit energjetik i Ukrainës, Ukrenerho.

    “Mëngjesin e sotëm, rusët kryen një tjetër sulm në objektet energjetike të Ukrainës. Prej marsit janë kryer gjashtë sulme të mëdha raketore dhe me dronë kundër infrastrukturës energjetike civile”, tha Ukrenerho.

    DTEK, kompania më e madhe e Ukrainës për prodhimin e energjisë elektrike, tha se gjatë sulmit u goditën dy prej termocentraleve të saj dhe se pajiset e saj u “dëmtuan rëndë”. DTEK nuk tregoi se ku ndodheshin ato objekte.

    Rusia i ka rritur bombardimet kundër infrastrukturës energjetike civile në Ukrainë prej muajit mars, duke ia shkatërruar shumicën e kapaciteteve të termocentraleve dhe hidrocentraleve. Si pasojë, ka pasur reduktime të rrymës dhe import të energjisë elektrike në sasi rekorde.

    Më herët, Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se kundërajrorët e tyre i rrëzuan 35 nga 53 raketat ruse dhe 46 nga 47 dronët rusët.

    “Terroristët rusë nuk heqin dorë nga qëllimi i tyre për ta shkatërruar sektorin e energjisë së vendit. Forcat Ajrore dhe ato të Mbrojtjes të Ukrainës po bëjnë gjithçka që është e mundur për të mos e lejuar armikun ta arrijë qëllimin e tij në çdo cep të frontit”, tha komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, gjenerali Mykola Oleshchuk.

    Zyrtarët rajonalë raportuan se zjarrfikësit janë duke i luftuar zjarret në disa zona pas sulmeve të së shtunës. Nuk është raportuar për viktima.

    Sulmet e reja ruse u kryen dy ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, i dha leje Ukrainës t’i përdorë armët amerikane për të kryer sulme brenda Rusisë, por vetëm për qëllime të kufizuara për ta mbrojtur Harkivin.

    Në një intervistë për REL-in në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Pragë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ndryshimi i qëndrimit të SHBA-së është “i ligjshëm”, sepse Ukraina po e mbron veten, posaçërisht në qytetin Harkiv, i cili ndodhet vetëm 35 kilometra larg kufirit të Ukrainës me Rusinë.

    Deri tani, ushtria ukrainase nuk ka qenë në gjendje t’i godasë me armë perëndimore forcat ruse – të cilat janë mbledhur në territorin rus pranë kufirit ukrainas – për shkak se SHBA-ja dhe disa aleatë të tjerë perëndimorë të Ukrainës shqetësoheshin se ato do ta përshkallëzonin luftën.

    “E drejta për vetëmbrojtje përfshin edhe të drejtën për t’i goditur caqet në territorin e agresorit. Dhe, pikërisht këtë duhet të jetë në gjendje ta bëjë Ukraina”, tha Stoltenberg./REL/