ATV

Category: Lajme

  • KFOR-i: Çdo vendim rreth urës mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut

    KFOR-i: Çdo vendim rreth urës mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në këtë urë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Në paraditen e së premtes, asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e urës së Ibrit.

    Mirëpo, kryetari i Kuvendit komunal, Nexhad Uglanin, ka thënë se zbatimi i vendimit për çështje të urës u takon autoriteteve lokale.

    “Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, ka thënë ai gjatë mbledhjes.

    Nënkryetari i këtij Kuvendi komunal, Skënder Sadiku, ka thënë të premten se ura nuk është nën juridiksionin e Kuvendit komunal dhe as nuk ruhet nga ai, por nga karabinierët e KFOR-it.

    Sipas tij, hapja e urës është edhe në juridiksionin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe të KFOR-it dhe se për këtë ka edhe marrëveshje të Brukselit.

    “Fati në fatkeqësi është që kjo urë nuk varet vetëm nga ne, por kjo çështje është edhe e institucioneve të sigurisë. Ne, si Kuvend, kemi bërë pjesën tonë. Duhet të hapemi me njëri-tjetrin”, ka thënë mes tjerash Sadiku.

    Vendimi për hapje të urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

    Aktualisht në krye të komunës së Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq, po ashtu nga Lëvizje Vetëvendosje.

    Pas thirjeve për hapje të urës ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

    Zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano ka thënë, po ashtu, se çështja e hapjes së urës duhet të diskutohet në kuadër të dialogut.

    “Hapja e urës është pjesë e dy marrëveshjeve. Por, përkundër përpjekjeve tona, kjo urë ka mbetur e mbyllur për trafik. Pasi kjo është pjesë e dialogut, gjithçka duhet të diskutohet dhe të vendoset në dialog me pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano të premten.

    Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.

    Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

    Kundër hapjes së urës ka dalë Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Sipas saj, hapja e urës për automjete është “absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

    Qytetarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut janë të ndarë.

    Disa e kanë komentuar si vendim që rrit tensionet, ndërsa për të tjerë është parë si “gjë e mençur”. /REL

  • Kryeministri Kurti takohet me presidentin turk Erdogan

    Kryeministri Kurti takohet me presidentin turk Erdogan

    Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi ka udhëtuar mbrëmë për në Turqi.

    Në kryeqytetin e Turqisë, në Ankara, ai është mirëpritur nga presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si edhe do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.

    Qëndrimin në Turqi, kryeministri Kurti do ta vijojë në Stamboll, ku do të marrë pjesë në forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

     

  • Vdes e moshuara që u rrah në shtëpinë e pleqve në Pejë

    Vdes e moshuara që u rrah në shtëpinë e pleqve në Pejë

    Ka ndërruar jetë më 29 maj e moshuara që u keqtrajtua nga punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë” Orenda”.

    Këtë e ka bërë të ditur Meshar Selimaj, avokati i familjes së të moshuarës në emisionin “Rreth e Rrotull”.

    Në nëntor të vitit 2022, e moshuara ishte keqtrajtuar nga punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë” Orenda”, rast ky i cili kishte tronditur opinionin publik.

    Ku mbeti rasti “Orenda”?

    Avokati, Selimaj ka thënë se tashmë rrethanat e rastit janë ndryshe pasi e dëmtuara në këtë rast ka ndërruar jetë.
    Ai ka thënë se nga 31 tetori nuk është mbajtur ndonjë seancë gjyqësore për këtë rast ndonëse prokuroria në Pejë ka dërguar aktakuzën në Gjykatë që nga prilli i vitit të kaluar.

  • Haradinaj nderon heronjtë Safet Boletini dhe Ejup Kasumi: I përjetshëm kujtimi për ta

    Haradinaj nderon heronjtë Safet Boletini dhe Ejup Kasumi: I përjetshëm kujtimi për ta

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e 31 majit të vitit 1999.

    Haradinaj ka thënë se muaji maj shënon heroizmin dhe sakrificën e jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë.

    “31 Maji shënon heroizmin dhe sakrificën e jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë, Safetit nga familja e Heroit Isa Boletini, dhe Ejup Kasumi nga Strofci i Vushtrrisë.

    Sot, me kryetarin e Aleancës në Mitrovicë, Qazim Nimani, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, nderuam sakrificën e tyre sublime për liri. Po ashtu, ndaluam për të shprehur ngushëllime në familjen Salihu, pas humbjen e djalit të tyre, Qlirimit”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka kujtuar edhe sakrificën e familjes së Selatin Gërxhaliut.

    “Gjithashtu, sot kujtojmë sakrificën e familjes së Selatin Gërxhaliut, që 25 vjet më parë u ekzekutuan pa mëshirë vetëm pse ishin shqiptarë në tokën e tyre. Në përpjekje për të mbrojtur familjen, ra heroikisht edhe i zoti i shtëpisë Selatini, luftëtar i dalluar i Brigadës 142 “Mehë Uka”. Kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm, duke frymëzuar brezat e ardhshëm me dashurinë për atdheun dhe përkushtimin ndaj kauzës kombëtare.

    Paqe e lavdi për të rënët. U jetësoftë ëndrra e tyre!”, është shprehur Haradinaj.

  • Të paktën 12 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Të paktën 12 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Të paktën 12 persona u vranë, përfshirë fëmijë, gjatë dy sulmeve ajrore më 31 maj në Gazën qendrore, sipas zyrtarëve shëndetësorë dhe gazetarëve në terren të Associated Press.

    Sulmet ajrore goditën Nuseiratin dhe Burejin dhe trupat e pajetë të dy fëmijë dhe katër grave, që u vranë në sulm, u dërguan në spitalin Al Aksa në Deir al-Balah.

    Varrimi i 12 personave të vrarë u mbajt të premten.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

    Si pasojë e ofensivës ajrore, tokësore dhe detare të Izraelit, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 36.000 palestinezë dhe janë plagosur më shumë se 80.000 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Ky institucion nuk bën dallimin mes civilëve të vrarë dhe luftëtarëve të Hamasit.

    Izraeli ka thënë se nuk do të ndalë luftën në Gazë derisa të arrijë dy qëllimet: shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve./REL/

  • Prokuroria mohon se është hapur sërish grupi “AlbKings”: Nëse ka tendencë, do t’i ndërmarrim hapat e nevojshëm

    Prokuroria mohon se është hapur sërish grupi “AlbKings”: Nëse ka tendencë, do t’i ndërmarrim hapat e nevojshëm

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka mohuar të jetë hapur sërish grupi famëkeq “AlbKings”, që funksionon në rrjetin social “Telegram”, ku shpërndaheshin fotografi e numra të telefonave, me qëllim shqetësimin e ngacmimin seksual.

    Nga kjo prokurori bëjnë me dije se raportimet janë bazuar në grupin e mbyllur së fundmi nga organet e hetuesisë.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, demanton lajmin i cili është duke qarkulluar në portalet vendore se është hapur përsëri grupi “Albkings”, pra ky lajm iu bëjmë me dije se i njëjti është i bazuar në grupin e mbyllur së fundmi nga organet e hetuesisë, për çka iu kemi njoftuar përmes konferencës së mbajtur gjatë ditës së djeshme. Përmes këtij reagimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha mjeteve informuese të kenë parasysh vërtetësinë e lajmit para se të plasohet në opinionin publik, pasi lajme të tilla të pavërteta cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve tonë dhe kanë për qëllim ndikimi në imazhin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

    Prokuroria ka thënë se janë në monitorim të kësaj çështje dhe në qoftë se ka tendencë të hapjes së këtij grupi apo çfarëdo grupi tjetër të ngjashëm, prokuroria në koordinim me policinë do t’i ndërmerre masat e nevojshme.

  • Murati për “mashtrimin” e pensionistëve: Policia ka filluar hetimet, mediat të na ndihmojnë në luftimin e lajmeve të rreme

    Murati për “mashtrimin” e pensionistëve: Policia ka filluar hetimet, mediat të na ndihmojnë në luftimin e lajmeve të rreme

    Ministri e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë për Ekonomia Online se Policia e Kosovës ka nisur hetimet për informatat e rreme që po qarkullojnë këto ditë mbi skemat pensionale.

    Murati ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes se ku informohen dhe bën thirrje që të mos bien pre e mashtrimeve. Madje, Murati ka kërkuar ndihmë nga mediat në luftën kundër këtyre dezinformatave.

    “Kemi leshu komunikatë po besoj që edhe ju si media do duhej  përcillni informatat çdo herë sepse është shume rëndësishme të mos ketë keqinformim ose dizinformata të tilla. Qysh në muajin e kaluar kemi lëshuar komunikatë për këtë çështje, nuk di sa është përcjell te mediat. Në vazhdimësi kemi njoftuar edhe pensionistet përmes  kanaleve zyrtare që mos të bien pre e këtyre mashtrimeve. Besoj që edhe si media do duhej të na ndihmonit qa t’i parandalojmë situata të tilla. Tashmë kemi njoftimin që edhe Policia ka filluar hetimin në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Murati për EO.

  • Zemaj: Diaspora e sheh LDK-në si shtëpinë e vet politike

    Zemaj: Diaspora e sheh LDK-në si shtëpinë e vet politike

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se diaspora e sheh LDK-në si shtëpinë e vet politike.

    Në takimet e shumta që po i zhvillon atje, Zemaj ka thënë se diaspora është në përkrahje dhe përgatitje për fitoret e LDK-së.

    Ai ka treguar edhe për takimet që janë në plan të zhvillohen, para tubimit madhështor të shtunën në Gjenevë.

    “Mërgata jonë në Zvicër e kudo e sheh LDK-në si shtëpinë e vet politike! Dega e parë e LDK-së në Zvicër, Kryesia dhe kryetaret e 9 Nëndegëve të këtij regjioni në përkrahje, dhe përgatitje për fitoret e LDK-së. Vazhdojmë sot pasdite në 19:30 në takimin e radhës në Olten në Degën e dytë Zvicër. Nesër të gjithë në takimin e madh në Gjeneva”, ka shkruar Zemaj.

  • Nënshkruhet kontrata mbi 70 milionëshe për energji

    Nënshkruhet kontrata mbi 70 milionëshe për energji

    Ministria e Ekonomisë dhe konzorciumi fitues “Orllati”, kanë nënshkruar kontratën për ankandin e parë solar në Kosovë për centralin prej 100 megavatëve në Kramovik të Rahovecit, raporton EO.

    Kompania fituese do të investojë mbi 70 milionë euro në Kosovë.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ky projekt është në dobi të sigurisë energjetike, qytetarëve e ambientit. Shpreson që kjo gjeneratë të jetë e fundit sa i përket problemeve me energjinë.

    “I gjithë ky projekt është përkrahur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar. Qeveria Amerikane dhe USAID kanë qenë partner kyç në proceset tona kryesore në sektorin e energjisë. Ky ankand do të jetë vetëm i pari prej shumë sosh që do të zhvillojmë. Kosova po dëshmon se po bëhet një mjedis i favorshëm dhe i sigurt në sektorin e energjisë dhe jo vetëm. Shpresoj që të jemi gjenerata e fundit që mund të ndjejmë rrezikun e një krize të energjisë. Prandaj ministria dhe qeveria jemi zotuar në atë që disa e quajnë strategji energjetike shumë ambicioze. Dua të falënderoj kompaninë Orllati që na ka dhënë besimin për tu bërë partner i ynë në sektorin e energjisë. Presim me padurim që të punojmë se bashku në zbatimin e këtij projekti në dy vitet e ardhshme”, tha ajo.

    Ndërsa, përfaqësuesi i kompanisë Orllati, Avni Orllati tha se dobitë e këtij projekti do të jenë të mëdha për Kosovën.

    “Me krenari mblidhemi sot për të nënshkruar këtë kontratë historike. Kjo ngjarje shënon një hap vendimtar në angazhimin tonë për një të ardhme më të qëndrueshme. Përparësitë e këtij projekti janë të shumta. Ajo do të nxisë edhe krijimin e vendeve të reja të punës”, tha ai.

  • Ndalohen me dy vajza, tre të arrestuar për dhunim seksual

    Ndalohen me dy vajza, tre të arrestuar për dhunim seksual

    Policia e Kosovës ka ndaluar një automjet në të cilën ishin tre meshkuj kosovarë dhe dy femra kosovare, të cilat nuk kishin dokument identifikimi.

    Sipas njoftimit të Policisë, lidhur me rastin dhunim seksual, është njoftuar prokurori i cili ka urdhëruar që të dyshuarit të arrestohen dhe të dërgohen në mbajtje.

    KosovaPress merr vesh se rasti ka ndodhur dje në mesditë, ndërsa viktimat të cilat dyshohet se janë keqpërdorur seksualisht janë dërguar për ekzaminim mjekësor.