ATV

Category: Lajme

  • Biblioteka shndërrohet në zyrë të punës

    Biblioteka shndërrohet në zyrë të punës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ambienti i bibliotekës ka mbetur, por funksioni i është ndryshuar në zyrë pune.

    Ka dy javë që në ish-objektin e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” janë bartur zyrtarët e Drejtorisë së Kulturës në Prishtinë.

    Kjo u bë me vendim të kryetarit të komunës, Përparim Rama.

    Për vendimin nuk qenë në dijeni shoqëria civile, anëtarët e së cilës përmes një letre publike, po kërkojnë anulimin e tij.

    “Dhomat kanë qenë të dedikume për senet e caktume kanë pas mjete por qysh pe kuptojmë janë kthye në zyre, ideja është me ofru hapësirën për komunitetin se nuk ka boll hapësira të tilla”, tha Rozafa Maliqi, organizatore e Komunitetit Kulturor.

    Që në kryeqytetet ka mungesë të hapësirave që i shërbejnë komunitetit e thotë edhe Taulant Hoxhaj, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

    “Rasti i qendrës ka qenë një prej hapësirave të pakta që ka qenë e hapur ku u investuar edhe një shumë e konsiderueshme me mjeteve publike. Ajo do të duhej të mbetej një hapësirë e artit e kulturës e jo të shfrytëzohet si zyrë administrative”, tha Hoxhaj.

    Vendimin për zhvendosjen e DKRS-së në këtë objekt po e vlerëson si të pamenduar mirë, edhe opozita.

    “Veprimi nuk ka sens, se komuna ka zyra të mjaftueshme, Prishtina ka nevojë për më shumë hapësira për komunitet. Do të duhej të ishte në dobi dhe në funksion të shoqërisë civile”, tha Leotrim Retkoceri, asamblist i PDK-së.

    Për vendimin e kryetarit dhe kërkesën për anulimin e vendimit nga shoqërinë civile, ATV është interesuar që nga e enjtja, por askush nga komuna nuk kanë kthyer përgjigje.

  • Szunyog: BE ka vullnet të pranojë anëtarë të rinj, Kosova ta shfrytëzojë rastin

    Szunyog: BE ka vullnet të pranojë anëtarë të rinj, Kosova ta shfrytëzojë rastin

    Ambasadori i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, gjatë vizitës së tij në Parkun Memorial “Bllaca 99”, ka deklaruar se Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë e anëtarësimit në familjen e madhe evropiane, pasi kjo e fundit ka vullnet që të pranojë anëtarë të rinj.

    Szunyog ka thënë për KosovaPress se gjatë periudhës 4-vjeçare të tij në Kosovë, ka takuar shumë evropianë të rinj dhe të entuziazmuar, që meritojnë një të ardhme evropiane.

    “Ka vullnet dhe Kosova ka mundësi, dhe duhet të shfrytëzojnë mundësinë që të bëhet anëtare e BE-së, sepse nga ana e BE-së ka vullnet që të pranojë anëtarë të rinj…Gjatë kohë sime këtu, kam takuar shumë evropianë të rinj dhe të entuziazmuar dhe mendoj që meritojnë të kenë të ardhme evropiane” ka thënë Szunyog.

    Ambasadori Szunyog ka shtuar se është shumë me rëndësi që Kosova së bashku me shtetet tjera të kenë paqe, në mënyrë që i gjithë rajoni të shkoj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

    “Është me rëndësi për mua që ta vizitojë Bllacën sidomos tash kur është periudha kur e kujtojmë kohën e përvjetorit të 25-të prej fundit të konfliktit në Kosovë… Dhe mendoj se është me rëndësi që ta përkujtojmë këtë park për shkak të nderimit të atyre njerëzve që është dashur me forcë që ta lëshojnë Kosovën gjatë asaj kohe…Shpresoj që ky park do të vizitohet nga shumë njerëz, në mënyrë që ta kujtojnë dhe tërë ajo vuajtje të mos harrohen. Unë kam kujtime personale të asaj kohe më 1998. Në muajin nëntor kam vizituar veriun e Shqipërisë, Kukësin dhe kam qenë shumë i tronditur nga ajo që kam parë, me dhjetëra-mijëra refugjatë…Njëkohësisht është shumë me rëndësi që të vijnë deri te pajtimi në mënyrë që i gjithë rajoni të shkoj drejt BE-së”, ka thënë Szunyog.

    Gjatë takimit që ai kishte me kryetarin e Hanit të Elezit Mehmet Ballazhi është diskutuar edhe mbi rregullimin e rrugës që çon drejt Parkut Memorial Bllaca 99.

  • Kryetari Përparim Rama pret në takim kryeministrin e Shqipërisë

    Kryetari Përparim Rama pret në takim kryeministrin e Shqipërisë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, raporton EO.

    Takimi mes Ramës dhe kryeministrit shqiptar, është mbajtur i mbyllur për medie.

    Pas takimit, kreu i kryeqytetit dhe shefi i qeverisë shqiptare, pritet të dalin në një konferencë për media.

  • SHSKUK: Në Kirurgjinë Abdominale janë realizuar operacione që konsiderohen ndër më të ndërlikuarat

    SHSKUK: Në Kirurgjinë Abdominale janë realizuar operacione që konsiderohen ndër më të ndërlikuarat

    Shërbimi Spitalor, klinik, Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë realizuar me sukses dy procedura kirurgjike të komplikuara.

    Në njoftim thuhet se këto procedura kirurgjike konsiderohen si procedura më të ndërlikuara, në kuadër të Kirurgjisë Abdominale!

    “Esophagectomia trans-hiatale (procedurë kirurgjike që konsiston në heqjen komplet të ezofagut, nga qafa deri te lukthi me dy prerje, në bark dhe në pjesën e majtë të e qafës). Si dhe operacioni sipas Whipple-it (i cili nënkupton procedurën kirurgjike që konsiston në heqjen e zorrës dymbëdhjetëgishtore, heqjen e kokës së pankreasit, 15-20 centimetra të pjesës fillestare të zorrës së hollë, heqjen e idhzës dhe shkurtimin e kanalit kryesor të vrerit, dhe përfundon me ngjitjen e zorrës së hollë me pankreasin, lukthin dhe kanalin e vrerit)”, përshkruhen procedurat në njoftim.

    Njëri nga rastet i cili i është nënshtruar Esophagectomisë trans-hiatale, thuhet se është për shkak të karcinomës planocelulare në pjesën e poshtme torakale të ezofagut, ndërsa katër pacientë të tjerë, theksohet se janë trajtuar me procedurën sipas Whipple-it (duodenopancreatectomia cephalica), “për shkak të karcinomës në regjionin periampullar; një pacient me karcinomë në pjesën descendente të duodenit, ndërsa tre të tjerë me karcinomë në Papilla Vateri”.

    Sipas njoftimit të gjithë pacientët janë trajtuar suksesshëm dhe janë lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.

    “Tek asnjëri prej tyre nuk ka pasur komplikime gjatë operacionit dhe komplikime tjera pas operatore”, thuhet në njoftim.

  • Haradinaj i ndan medaljen “Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet” kryeministrit Tony Blair

    Haradinaj i ndan medaljen “Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet” kryeministrit Tony Blair

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se populli i Kosovës është falënderues për mbështetjen dhe angazhimin e Kryeministrit Tony Blair në realizimin e ëndrrës shekullore për liri dhe pavarësi.

    Haradinaj për nder të 25-vjetorit të çlirimit, i ka ndarë kryeministrit Blair medaljen “Me Besimin në Zot, Atdhe dhe Shtet”.

    “Me respekt dhe mirënjohje, për shërbimin, rolin dhe kontributin e tij në ndalimin e gjenocidit, mbështetjen e çlirimit të Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtës sonë për një shtet të pavarur, Kryeministrit Tony Blair, në 25-vjetorin e Çlirimit, i dedikova medaljen, “Me Besimin në Zot, Atdhe dhe Shtet””, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se kontributi i kryeministrit Blair për Kosovën është vetëm një dimension i lidershipit të tij të jashtëzakonshëm evropian dhe global.

    “Kontributi i Shkëlqësisë së Tij, z. Blair, për lirinë e popullit të Kosovës, janë vetëm një dimension i lidershipit të tij të jashtëzakonshëm evropian dhe global, i cili tashmë ka hyrë në kapitullin e pashyler të historisë britanike, shqiptare dhe botërore. Populli i Kosovës është përgjithmonë falënderues për mbështetjen dhe angazhimin e Kryeministrit Tony Blair në realizimin e ëndrrës shekullore për liri dhe pavarësi”, është shprehur Haradinaj.

  • Dita e Çlirimit, këta janë mysafirët që kanë arritur në Kosovë – mes tyre Walker, Mesic e Kouchner

    Dita e Çlirimit, këta janë mysafirët që kanë arritur në Kosovë – mes tyre Walker, Mesic e Kouchner

    Kosova të mërkurën shënon 25-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në prag të kësaj dite janë organizuar aktivitete të shumta, teksa kanë ardhur edhe shumë miq e aleatë të Kosovës ndër vite, raporton Gazeta Sinjali.

    Sinjali ka mësuar emrat e disa prej mysafirëve që kanë zbarkuar në Kosovë dhe janë vendosur qysh mbrëmë në një nga hotelet në kryeqytet.

    Në mesin e tyre është edhe Tony Blair, i cili tashmë ka zhvilluar takim me presidenten Vjosa Osmani, do t’i adresohet Kuvendit, e pasdite takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.

    Lista me emrat:

    Tony Blair
    William Walker
    Bajram Begaj
    Stjepan Mesic
    Lindita Nikolla
    Bernard Kouchner
    Noora Mohamed Helal alKaabi
    Daysi Nelly Hernardez
    Sara Pantuliano
    George Robertson
    Micheline Calmy-Rey
    Sumantra Chakrabati

    Ndryshe, fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

    Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

  • Hovenier për deklaratën e Serbisë dhe Republikës Sërpska për Kosovën: S’është qëndrimi i ShBA-së e as i QUINT-it

    Hovenier për deklaratën e Serbisë dhe Republikës Sërpska për Kosovën: S’është qëndrimi i ShBA-së e as i QUINT-it

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja dhe partnerët e saj perëndimorë nuk pajtohen me Deklaratën e miratuar më 8 qershor nga Serbia dhe entiteti serb i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

    Në deklaratën e miratuar në Beograd në një takim mes dy qeverive përmendet Kosova si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

    “Nuk e kam pasur mundësinë t’i lexoj të gjitha raportet lidhur me ‘Kuvendin gjithëserb’, por e kuptoj që aty përdoret gjuhë që thotë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. E kuptoj që ky është qëndrimi i tyre, por ky nuk është qëndrimi i asnjërit prej nesh, nuk është i SHBA-së, i partnerëve tanë të QUINT-it apo kujtdo tjetër”, tha Hovenier.

    Ai theksoi se SHBA-ja e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe se SHBA-ja do të qëndrojë prapa këtij qëndrimi “me krenari”.

    Gjatë të ashtuquajturit Kuvend gjithëserb të 8 qershorit u theksua që ai i mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat e tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Në deklaratë thuhet, mes tjerash, se serbët në Kosovë, si dhe të gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet t’i mbrojnë manastiret, kishat, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.

    Nënshkruesit e Deklaratës i dënuan edhe ato që i konsideruan si kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.

    Në një pikë tjetër përmendet edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhjen e problemeve.

    Hovenier i bëri komentet e tij gjatë konferencës ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, që po mbahet më 10 qershor në Prishtinë, për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

    Në konferencë, ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, i cili kishte udhëhequr Italinë gjatë viteve 1998-2000, tha se Kosovës i nevojitet një marrëveshje me Serbinë.

    “Kosova duhet të jetë e qëndrueshme në kërkesat për të drejtat e saj, por të mos bjerë në kurthin e nacionalizmit. Mirëpo, të mbetet e hapur ndaj diskutimit për një marrëveshje”, tha ai.

    D’Alema ishte kryeministër i Italisë në kohën kur NATO-ja ndërhyri në Kosovë, me qëllim ndaljen e dhunës nga forcat serbe.

    Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë dhe përfundoi më 10 qershor, 1999 – një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

    Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat e atëhershme jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja./REL/

  • Të plagosurit civil nga minat kërkojnë përkrahje nga Kurti, thonë se nuk e mbajti premtimin që ua dha

    Të plagosurit civil nga minat kërkojnë përkrahje nga Kurti, thonë se nuk e mbajti premtimin që ua dha

    Shoqata e të Plagosurve Civilë nga Minat, ka protestuar nga objektit të qeverisë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, siç është trajtimi me proteza në bazë të kërkesave të anëtarëve të kësaj shoqate, raporton EO.

    Po, ashtu ata kanë kërkuar rritjen e pensioneve, pasi siç thanë ata, jetojnë me pensione të cilat nuk mjaftojnë as për të siguruar ekzistencën, se jo edhe shërimin e plagëve.

    Ata marrin pensione 120 deri 152 euro, që sipas tyre nuk mjaftojnë as për kalimin e muajit, e lëre më trajtimin e plagëve të tyre.

    Jeton Kelmendi, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Plagosur Civil, thotë që qeveria dhe Ministria Shëndetësisë ka bërë diskriminim ndaj tyre.

    Ai thotë që ndihen të anashkaluar si shoqatë sepse një invalid i luftës është i anashkaluar prej të gjitha benefiteve që i takojnë me ligj, ndërsa invalidët e luftës janë te përshfirë në të gjithë kategoritë, ndërsa ata nuk janë.

    “Për të treguar pakënaqesitë tona që Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë ka bërë kundër invalidëve civil të luftës, ku e ka bërë një diskriminim ekstrem të madh ku invalidët e luftës i ka përkrah 100 përqind, ndërsa neve na përkrah me një shumë pothuajse solide, ndërsa dallimi i protezës së invalidit civil të luftës apo si invalid i luftës nevojat janë të njëjta si një invalid i luftës edhe një invalid civil, ai ka nevojë për protezë, ne kemi nevojë për proteza, proteza nën gjunjë pothuajse është e përafert sa kushton një kosto ndërsa protesta mbi gjunjë kushton rreth 40 mijë euro ndërsa për neve janë caktuar rreth 5700 euro, ndërsa shumë tjetër duhet ta mbulojnë vetë anëtaret”, tha ai.

    Kelmendi shtoi se ata kërkojnë vetëm të drejtat e tyre.

    “Këtu i kemi më se paku 100 anëtarë që kanë protezë mbi gjunjë, nën gjunjë, ku të cilën kanë pasur fatin e Leotrimit, po sot janë gjallë, ndërsa Qeveria të gjitha institucionet të gjitha mediat bëjnë pas një njëri që ka vdekur të cilit i takon e meriton të gjithë respekti, por edhe Leotrimat tjerë janë gjallë sot por institucionet tona nuk i kanë përkrahë kurrë deri me tani. Kanë nevojë për proteza që nuk i kanë ndërruar që 20 vjet”, theksoi ai.

    Edhe Avni Lubovci, kryetari i Shoqatës së të Plagosurve Civil tha se kryeministri Kurtia i ka premtuar që do t’ua plotësoj kërkesat e tyre, por nuk i ka realizuar.

    “Na i kanë imponuar me premtimin që na ka bërë kryeministrit Kurti dhe ministri Vitia. Kryeministri i tanishëm me 2017 më ka thënë nëse unë kam ymër me ardhë në qeveri kërkesat e tua janë si me pi një espreso, por tani kur kemi nevojë për mbështetjen e kryeministrit, tani jemi kategoria me injoruar, me diskriminuese. Kanë marr dy vendime për trajtimin e protestave ku të dyja janë kontravers nuk e dimë cili u zbatua as cili mos mu zbatuar. Kryeministri thotë që të gjithë qytetarët me statutin e invalid të luftës duhet të sigurohet pagesa për proteza, ndërsa ministri Vitia qohet dy dite pas vendimit të kryeministrit dhe merr vendim dhe specifikon vetëm kategorinë e invalidëve të UÇK-së. Është shumë e padrejtë”, tha Lubovci.

    Ai shtoi se sot kanë dalë për diçka që nuk do të duhej të dilnin, por janë të detyruar.

  • Kurti pret në takim ish-kryeministrin britanik

    Kurti pret në takim ish-kryeministrin britanik

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, i cili është duke qëndruar në Kosovë me rastin e 25-vjetorit të çlirimit, raporton EO.

    Takimi i Kurtit me Blair është duke u zhvilluar pa pranin e mediave në objektin e qeverisë.

    Kryeministri Kurti, po ashtu sot në orën 16:00 merr pjesë në shënimin e 146- vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

  • ​Policia e Kosovës njofton për planin e sigurisë në 25-vjetorin e Çlirimit

    ​Policia e Kosovës njofton për planin e sigurisë në 25-vjetorin e Çlirimit

    Në prag të shënimit të 25 Vjetorit të Çlirimit, Policia e Kosovës ka njoftuar se Institucionet e Republikës së Kosovës kanë paraparë manifestime të ndryshme për të shënuar këtë datë të rëndësishme për vendin.

    Policia ka njoftuar se do të kujdeset për sigurinë dhe lëvizjen e eskortave të personaliteteve sipas itinerarit nëpër rrugë të ndryshme, duke përfshirë vendkalimet kufitare, Aeroportin ndërkombëtar “ Adem Jashari” dhe rrugët të cilat të shpien në drejtim të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

    “Për nderim ndaj vendit tonë në këtë ngjarje do të marrin pjesë personalitete të rëndësishme vendore, rajonale e ndërkombëtare. Delegacionet e miqve të ftuar, do të kenë lëvizje bazuar në agjendat e parapara duke filluar nga 10 qershor deri me 13 qershor 2024”, thuhet në njoftim.

    Nga qytetarët e vendit dhe pjesëmarrësit në trafik policia kërkon mirëkuptim pasi sipas njoftimi në intervale të caktuara do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve dhe riorientim të trafikut në rrugë alternative.