ATV

Category: Lajme

  • Kurti takohet me përfaqësues të grupit të inovacionit “Yes-EU”, flasin për investime në energji

    Kurti takohet me përfaqësues të grupit të inovacionit “Yes-EU”, flasin për investime në energji

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjina të samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga The Economist Group, ka takuar përfaqësues nga grupi i inovacionit “Yes-EU”, e specializuar në projekte të energjisë, raporton Ekonomia Online.

    “Grupi “Yes-EU” është i njohur ndërkombëtarisht në fushën e inovacionit për projekte të ndryshme të zbatuara, të fokusuar dhe specializuar në projekte të energjisë, me theks në tranzicionin drejt energjisë së ripërtëritshme si dhe transportit të gjelbër. Kurti i uroi mirëseardhjen në Kosovë dhe shprehu mirënjohjen për interesimin e tyre për ta njohur vendin tonë dhe hulumtuar mundësitë për investime në vend”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

    Sipas këtij njoftimi, kryeministri i prezantoi përfaqësuesit e “Yes-EU” me zhvillimin e progresin ekonomik që ka njohur vendi ynë në tri vitet e fundit e veçanërisht avancimet në fushën e energjisë dhe teknologjisë, përkatësisht investimet në këto sektorë.

    Ai shprehu përkushtimin e Qeverisë për investime të gjelbra me synim reduktimin e emetimit të karbonit dhe promovimin e mobilitetit të qëndrueshëm urban, me qëllim mbrojtjen e mjedisit.

  • Dhjetëra të vdekur pas mbytjes së anijes në brigjet e Jemenit

    Dhjetëra të vdekur pas mbytjes së anijes në brigjet e Jemenit

    Së paku 49 afrikanë humbën jetën pasi varka e tyre u përmbys në brigjet e Jemenit, bëri të ditur Organizata Ndërkombëtare për Migrimin – IOM.

    Të mbijetuarit u thanë shpëtimtarëve se anija, me 260 emigrantë, u përmbyt të hënën si pasojë e erërave të forta.

    Kërkimet për 140 persona ende të zhdukur, janë duke vazhduar.

    IOM-i tha se është duke ofruar ndihmë për 71 të mbijetuar – tetë prej të cilëve u shtruan në spital.

    Autoritetet lokale në Rudum, në lindje të Adenit, thanë se njerëzit në bord ishin emigrantë kryesisht nga Etiopia, të cilët synonin ta shfrytëzonin Jemenin si pikë transiti për të arritur në shtetet e Gjirit.

    Hadi al-Khurma, udhëheqës i qarkut Rudum, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se anija u mbyt përpara se të arrinte në breg.

    Peshkatarë dhe banorë përreth arritën t’i shpëtonin të mbijetuarit, tha ai.

    Sipas OKB-së, rreth 97.000 emigrantë afrikanë arrititën në brigjet e Jemenit vitin e kaluar.

    Fluksi vazhdon pavarësisht luftës në këtë vend./REL/

  • Ushtarët italianë patrulluan në pikën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë

    Ushtarët italianë patrulluan në pikën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka bërë të ditur se ushtarët italianë kanë kryer patrullime në pikën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se ata edhe e kanë monitoruar këtë zonë.

    “Ushtarët italianë nga regjimenti i Bersaglieri, të caktuar në Komandën Rajonale në perëndim të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO-ja, kryen patrullime në këmbë dhe të motorizuara përgjatë vijës kufitare administrative”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

  • Stoltenberg: Jemi të gatshëm të mbrojmë të gjithë aleatët

    Stoltenberg: Jemi të gatshëm të mbrojmë të gjithë aleatët

    “NATO-ja është e gatshme të vërë në zbatim nenin 5 të traktatit në rast të një sulmi.” Kështu ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një konference për shtyp në Letoni.

    Për shefin e NATO-s vënia në zbatim i nenit 5 është një detyrim ligjor për tërë aleatët për të ndihmuar dhe kontribuar në rast të një sulmi të armatosur.

    “Neni pesë i traktatit të Atlantikut të Veriut, klauzola e mbrojtjes kolektive të NATO-s, është një detyrim ligjor për aleatët për të ndihmuar në rast të një sulmi të armatosur.

    Nuk ka kërkesë për ndonjë vendim unanim. Është gjithashtu e rëndësishme të kujtojmë se ne kemi plane në vend dhe forca në dispozicion, dhe le të mos ketë asnjë dyshim se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme për të mbrojtur të gjithë aleatët”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO.

    Reagimi i ashpër i Stoltenberg, vjen në kohën kur trupat ruse dhe bjelloruse kanë filluar fazën e dytë të stërvitjeve taktike bërthamore në Rusi. Lajmi është konfirmuar Ministria ruse e Mbrojtjes. Stërvitjet synojnë të sigurojnë që personeli ushtarak dhe pajisjet e të dy vendeve të jenë gati për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial.

  • Eksperti mjekoligjor për Marigona Osmanin: Vdiq si pasojë e lëndimeve të rënda

    Eksperti mjekoligjor për Marigona Osmanin: Vdiq si pasojë e lëndimeve të rënda

    Eksperti mjeko-ligjor, Naim Haliti, ka thënë se Marigona Osmani kishte vdekur si pasojë e lëndimeve të rënda të shumëfishta. Ai ka folur të martën në seancën e rigjykimit të Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për dhunim dhe vrasjen e Osmanit më 2021.

    Haliti që ka marrë pjesë në përpilimin e autopsisë të të ndjerës, ka thënë se Osmani kishte pësuar lëndime të rënda për së gjalli. Ai i ka përshkruar lëndimet e pësuara si vdekjeprurëse.

    “Të gjitha këto lëndime kanë qenë për së gjalli”, ka thënë ai në deklaratën e tij. Sipas tij, te rasti i Osmanit dhimbjet kanë qenë të rënda.

    Në gusht të vitit 2023, Themelorja në Ferizaj dënoi Krivaçën me burgim të përjetshëm e Sejdiun me 15 vjet për ndihmë në vrasje. Të dy u liruan nga akuza për dhunim. Por Apeli, më pas e ktheu çështjen në rigjykim.

    18-vjeçarja Marigona Osmani ishte vrarë në gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça. Në aktgjykim e Themelores qe theksuar se Krivaça, më 21 e 22 gusht të dy vjetëve më parë, për motive të xhelozisë e me vetëdije, ka ushtruar dhunë ekstreme ndaj së ndjerës Osmani, me të cilën po bashkëjetonte në banesën e tij. Dhe se për dy ditë radhazi, ai me një shkop druri e kishte goditur viktimën vazhdimisht në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike e psikike, të cilat është konstatuar se ia kanë shkaktuar vdekjen.

  • Hovenier: Përfundimi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë njohja reciproke

    Hovenier: Përfundimi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë njohja reciproke

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe jo “diçka më pak se kjo”.

    Hovenier tha se duhet angazhim kolektiv për sfida politika, si dialogu.

    “Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Europë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe, sidomos duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë e mundshme që mund të pasojë”, tha Hovenier në një panel diskutimi në samitin “The Western Balkans 2024”, që po mbahet në Prishtinë.

    Hovenier theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të dialogut.

    “Ka një varg zyrtarësh amerikanë, përfshirë dhe mua, që kalojmë shumë kohë për zbatimin e plotë të obligimeve që Kosova dhe Serbia i kanë marrë në procesin e lehtësuar nga BE-ja”, tha Hovenier.

    Hovenier përsëriti qëndrimin e se SHBA-ja nuk pajtohet me një deklaratë të miratuar më 8 qershor nga Serbia dhe Republika Srpska ku Kosova trajtohet si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

    “Ky nuk është qëndrim i vendit tim apo i partnerëve. Ne e kemi njohur Kosovën si vend të pavarur, sovran, demokratik dhe kjo s’është për debat e as nuk do të rinegociohet, duhet të pranohet, duhet të kremtohet”, tha ambasadori amerikan.

  • Tri vetura aksidentohen në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë

    Tri vetura aksidentohen në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë

    Një aksident trafiku ka ndodhur para pak minutave në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, ku janë përfshirë tri automjete.

    Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin.

    Siç shihet ne pamjet e siguruara nga ATV-ja, dëmet janë të konsiderueshme, ndërsa për të lënduar ende nuk është njoftuar zyrtarisht.

  • Haradinaj: Muharrem Rrahmani tërë jetën ia kushtoi lirisë së Kosovës

    Haradinaj: Muharrem Rrahmani tërë jetën ia kushtoi lirisë së Kosovës

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vizituar familjen e heroit të kombit, Agron Rrahmani pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Muharrem Rrahmani.

    Haradinaj ka thënë se Muharrem Rrahmani ishte shembulli i burrit shqiptar që tërë jetën ia kushtoi lirisë së Kosovës.

    “Baci Muharrem nuk ishte vetëm babai i Heroit Agron Rrahmani. Ai ishte shembulli i burrit shqiptar që tërë jetën ia kushtoi lirisë së vendit, me të gjitha forcat, deri në frymën e fundit. Ishte njeri shumë i dashur për të gjithë, mikpritës e bujar. Dhembjen po e ndajmë së bashku me familjen Rrahmani dhe të gjithë ata që e kanë njohur.

    I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka thënë Haradinaj.

  • Rreth 200 ankesa të qytetarëve ndaj gjyqtarëve e prokurorëve gjatë vitit 2023

    Rreth 200 ankesa të qytetarëve ndaj gjyqtarëve e prokurorëve gjatë vitit 2023

    126 ankesa janë paraqitur ndaj gjyqtarëve dhe 71 ndaj prokurorëve gjatë vitit 2023, ndërsa sfidë mbetet mosinformimi i duhur i qytetarëve për të adresuar ankesë. Kështu u tha në konferencën “Sfidat e zbatimit të Ligjit për përgjegjësinë të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, të organizuar nga Lëvizja FOL, me ç’rast u prezantuan gjetjet e raportit “Informimi dhe perceptimi i qytetarëve lidhur me paraqitjen e ankesave disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve”, raporton Ekonomia Online.

    Aty u tha se 54 për qind e qytetarëve janë të painformuar se çka mund të ankohen ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa 28 për qind kanë njohuri se ku të paraqesin kërkesat e tyre.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, paraqiti disa ndryshime në draftin aktual të projektligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Tha se ndryshimet vazhdojnë të jenë në fazën e gjetjeve.

    “Ky ligj ka për qëllim që të forcojë rolin e disiplinës së gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe rritjen e përgjegjësisë, për të krijuar një konsistencë. Është shtuar baza se prokurorët kanë pasuri të paluajtshme me vendim të gjykatave, do të bëhet paneli nga 5 anëtarë nuk do ketë më panele ad-hoc por të qëndrueshme që funksionojnë në mënyrë të vazhdueshme”, tha Haxhiu.

    Tutje, Haxhiu tha se në rast të shkeljeve të detyrave në vendin e punës apo keqpërdorimeve, ky ligj parasheh ndëshkime ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve përfshirë edhe ulje të pagës.

    Albana Hasani nga Lëvizja FOL, bëri prezantimin e gjetjeve nga raporti, Informimi dhe perceptimi i qytetarëve lidhur me paraqitjen e ankesave disiplinore ndaj gjyqtarëve të prokurorëve.

    “53 për qind e qytetarëve janë të vetëdijshëm se mund të paraqesin ankesa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa 47 për qind të pavetëdijshëm. 126 ankesa janë paraqit ndaj gjyqtarëve dhe 71 ndaj prokurorëve gjatë vitit 2023. 54 për qind e qytetarëve janë të pa informuar se çka mund të ankohen ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. 28 për qind kane njohuri kompetente se ku të paraqesin kërkesat e tyre. 72 për qind të pa informuar.  42 për qind të qytetarëve e kanë vlerësuar si procedurë të vështirë paraqitjen e ankesave disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve”, u shpreh Hasani.

    Gjithashtu Lëvizja FOL, bëri një rekomandim  ndaj Këshillit Prokurorial të publikoje formularin në faqen zyrtare si ndihmesë për qytetarët qe të kenë qasje më të lehtë për ankesa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

    Niman Hajdari, nga Institucioni Avokati i Popullit, tha se në vitin 2023 është rritur pak numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë te Avokati i Popullit.

    “Ligji aktual ua mundëson qytetarëve që ankesat t’i dërgojnë ankesa avokatit të popullit. Në vitin 2021, 12 ankesa ka pranuar avokati i popullit, 2023 vërehet një rritje e vogël e parashtruar nga qytetarët. IAP ka pas një bashkëpunim të mirë, sfiduese për AP është se ligji nuk është harmonizuar me institucionin e AP”, tha Hajdari.

    Nicola Scaramuzzo, nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se duhet kushtuar rëndësi të madhe shoqërisë civile, marr parasysh faktin për ndikimin e tyre në shoqëri.

    “Kushtuar më shumë rëndësi shoqërisë civile, sepse ata janë që mund të tregojnë se institucionet duhet të jenë llogaridhënëse. Duhet të kenë kapacitete të ndjekin dhe të angazhohen autoritetet në një dialog, është e rëndësishme që shoqëria civile ta bëjnë këtë”, tha ai.

    Gjithashtu ai rekomandoi që të përdoren kompani profesionale për hulumtim rreth këtyre anketimeve.

    “Kur i investoni qytetarët eshtë mirë të bëni dallime ata qe kanë pasur përvoja me sistemin gjyqesor dhe ata që nuk kanë pasur përvojë, apo kanë në konsideratë të lartë të ndjekin standarde dhe narrativa që do të jenë kritike. Do tentoja të rekomandoja të përdoren kompani profesionale të hulumtumit që të arrijë tek më shumë njerëz. 430 qytetarë janë përgjigjur në raportin tuaj numri më i madh do ndikojë edhe në vendime politike”, tha Scaramuzzo.

    Gëzim Shala, hulumtues i lartë ligjor nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se problemi i parë në lidhje me këtë ligj është një arbitraritet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, kurse problemi i dytë ka të bëjë me një qasje selektive ndaj tyre.

    “Këshilli Prokurorial i Kosovës ka një mungesë të vullnetit për të punuar me këtë ligj. Kjo ka ndodh edhe si arsyeje e mos reagimit të Institucionit të Avokatit të Popullit. Raporti ka një rëndësi shumë të madhe dhe bën një plotësim. Strategjia për sundim të ligjit e ka pa si nevojë për të rrit vetëdijen e qytetarëve për ligjin disiplinor ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. IKD-ja ka monitoru zbatimin e këtij ligji, për shkeljet që janë gjet ne kemi bë ankesa për të parë së ku janë problemet”, tha Shala.

  • ​Kurti në Samitin e Ballkanit Perëndimor flet për rritjen ekonomike

    ​Kurti në Samitin e Ballkanit Perëndimor flet për rritjen ekonomike

    Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se Kosova s’ka probleme me serbët lokal, por me Beogradin zyrtar që nuk është distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe Putinit.

    Kurti, në Samitin për Ballkanin Perëndimor është mburrur sërish për rritje ekonomike. Ai shtoi se gjatë qeverisjes së tij janë bërë përpjekje të vazhdueshme për zhvillim ekonomik, demokraci dhe sundim të ligjit.

    Pjesë e samitit është edhe ish kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, i cili theksoi rëndësinë që BE-ja të ketë rolin e vet në Ballkanin Perëndimor dhe t’i kushtojë rëndësi zgjerimit.

    Ndërkaq, ish sekretari i NATO-s, George Robertson, tha se në rrethanat aktuale te luftës se Rusisë në Ukrainë ka një rrezik potencial ndaj perëndimit duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.