ATV

Category: Lajme

  • Kosova shënon sot 25 vjetorin e çlirimit

    Kosova shënon sot 25 vjetorin e çlirimit

    Kosova sot shënon 25-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

    Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

    Rezoluta 12 44 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

    Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqëruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqëruajtës i Aleancës veriatlantike.

    Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

    Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

    Ushtarët e parë që u futën brenda territorit të Kosovës më 1999 ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze. Ata ishin pjesë forcave paqeruajtëse nga 36 vende të botës – prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s – që erdhën në Kosovë.

    Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

    Ndërhyrja ushtarake e NATO-a ndodhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t’i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.

    Në luftën e viteve 1998-’99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.

    Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshehen krimet.

    Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

    Ndër ta ishte edhe Slobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë.

  • Kuvendi mban seancë solemne për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës

    Kuvendi mban seancë solemne për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë solemne në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit.

    Në këtë seancë do të marrë pjesë dhe presidentja Vjosa Osmani.

    Po ashtu, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Për sot në orën 17:00 është paralajmëruar edhe pritja shtetërore nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, në 25-vjetorin e çlirimit.

  • Rrustem Mustafa flet për koordinimet me zyrën e UÇK-së në Prishtinë, si dhe takimet me Albin Kurtin

    Rrustem Mustafa flet për koordinimet me zyrën e UÇK-së në Prishtinë, si dhe takimet me Albin Kurtin

    Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për rolin e zyrës së UÇK-së në Prishtinë, udhëheqës i së cilës ishte Adem Demaçi.

    “Zyra e Adem Demaçit në Prishtinë ka qenë përfaqësuese legjitime nën okupim në Prishtinë, politike e UÇK-së. Kanë qenë raporte ditore, kanë qenë njerëz këshilltarë të zotit Demaçi, me mua personalisht rutinë ditore kemi pasur kontakte dhe kemi koordinuar atë që është dashur me qenë e koordinuar. Normalisht që ne nuk kemi pasur pse t’i informojmë këshilltarët apo dikë në zyrë, jashtë strukturave operative të ushtrisë, për numrin, saktësinë e armëve e këto, por ka pasur shumë elemente që ne kemi biseduar dhe e kanë kryer punën e tyre me sukses të mirë”, tha Mustafa.

    Ai tregoi se gjatë asaj kohe, kishte pasur kontakte edhe me Albin Kurtin, i cili ishte Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së.
    Mustafa thotë se me Kurtin kanë pasur kontakte edhe përmes telefonit, por edhe kontakte të drejtpërdrejta.

    “Nuk do t’i shpjegoj më tutje, por e di që ka qenë zyrtarisht element i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zyra ka qenë udhëheqja politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, baci Adem Demaçi ka qenë drejtor i kësaj drejtorie. Ne e kemi numëruar si instrument tonin të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kemi këmbyer ato punë që është dashur të këmbehen me ata. Unë personalisht kam pasur fatin të bashkëpunoj më shumë nga njerëzit e Adem Demaçit, duke shkuar edhe në Shtabin e Përgjithshëm bashkë me ta”, tha Mustafa. /atvlive.tv

  • ASK-ja cakton datën për publikimin e rezultateve paraprake të regjistrimit të popullsisë

    ASK-ja cakton datën për publikimin e rezultateve paraprake të regjistrimit të popullsisë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka caktuar datën për publikimin e rezultateve paraprake të procesit të regjistrimit të popullsisë, raporton Ekonomia Online.

    Në një njoftim për media, bëhet e ditur se më 12 korrik, ASK-ja do të dalë me të dhënat paraprake.

    “Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ju njofton se është caktuar data e Konferencës për shpalljen e rezultateve paraprake të Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024). Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024) është projekti më madhor i një vendi në kohë paqeje, që u realizua nga 05 Prill deri më 24 Maj 2024. Ky ishte rundi i dytë i Regjistrimit të Popullsisë në vend, që nga Regjistrimi i vitit 2011. Shpallja e rezultateve paraprake do të bëhet me organizmin e një konference që planifikohet të mbahet më 12 korrik 2024”, thuhet në njoftim.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës për bashkëpunimin që kanë treguar gjatë këtij procesi, të gjithë stafin e përfshirë në Regjistrim, institucionet që kanë mbështetur këtë proces, si dhe të gjitha mediat për korrektësinë dhe raportimin e drejt gjatë gjithë procesit të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë (ReKos2024).

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin dhe arrestimin e dy personave

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin dhe arrestimin e dy personave

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimit e dy personave, të cilëve ua ka publikuar fotografinë.

    Ato po kërkohen për përfshirje në një rast, për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, që ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendodhjes së tyre, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet në njoftim.

  • Katër edukatorë amerikanë theren me thikë në Kinë

    Katër edukatorë amerikanë theren me thikë në Kinë

    Katër edukatorë amerikanë nga një universitet i vogël i Ajovës janë plagosur në një sulm me thikë në një park publik në provincën verilindore Xhilin të Kinës, njoftuan të martën zyrtarët amerikanë dhe kinezë.

    Policia kineze tha se incidenti ndodhi pak para mesditës të hënën në një park në qytetin Xhilin dhe se i dyshuari, një vendës 55 vjeç, u arrestua në ditën e njëjtë.

    “Cui u përplas në një të huaj derisa po ecte në Parkun Beishan, dhe pastaj i theri me thikë të huajin dhe tre të huaj të tjerë, si dhe një turist kinez i cili tentoi ta ndalte”, tha policia në Xhilin.

    Policia theksoi se të plagosur nuk janë në rrezik për jetë. Ajo nuk dha hollësi për motivet e sulmuesit.

    Ministria e Jashtme e Kinës tha të martën se ky ishte një “incident i izoluar” dhe se ai “nuk do të kenë ndikim në shkëmbimin e zakonshëm mes njerëzve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”.

    Ajo tha se do të vazhdojë të ndërmarrë masa efektive për të garantuar sigurinë e të huajve në Kinë.

    Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja është e vetëdijshme për raportimet për një “incident me thikë” në Xhilin, Kinë, dhe se po e vëzhgon situatën.

    Edukatorët nga Kolegji Cornell në Ajova ishin në Kinë si pjesë e programit të shkëmbimit arsimor me universitetin partner Beihua në Xhilin.

    Presidenti i Kinës, Xi Jinping, u zotua këtë vit se do t’i ftojë në Kinë 50.000 të rinj amerikanë për programe studimore për t’i përforcuar marrëdhënies mes popujve. Megjithatë, një paralajmërim i shkallës së tretë i Departamentit të Shtetit për arrestime të mundshme arbitrare dhe ndalim të largimit nga vendi gjatë udhëtimit në Kinë, ende është aktiv./REL

  • Shtyhet gjykimi për vrasjen e policit në Zllatar

    Shtyhet gjykimi për vrasjen e policit në Zllatar

    Në mungesë të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Besnik Berisha ka dështuar të mbahet seanca të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Fatlum Mehmeti akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta policin L.H.

    Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta L.H., gjatë një ndeje të organizuar nga pjesëtarët e PK-së në Zllatar, në shkurt të vitit 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, Ertan Sejfulla bëri të ditur se avokati Berisha kishte njoftuar sot me e-mail se nuk mund të ishte i pranishëm në seancën e sotme për shkaqe shëndetësore.

    Kurse, pala e dëmtuar L.H., kërkoi nga trupi gjykues që seanca e sotme të shtyhet me arsyetimin se është e nevojshme që ta kishin prezent përfaqësuesin e tyre, avokatin Berisha.

    Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Mehmeti, avokati Labinot Buzuku tha se nuk janë të pajtimit që seanca e sotme të shtyhet. Ai kërkoi që kjo seancë të mbahet me arsyetimin se shtyrja është në dëm të të mbrojturit të tij.

    Në anën tjetër, prokurori Arben Hoti lidhur me këtë çështje deklaroi se interesi primar është gjykimi i çështjes për palën e dëmtuar. Ai tha se konsideron që seanca e sotme duhet të shtyhet.

    Në këto rrethana, seanca e sotme u shty për një datë tjetër, teksa gjykatësi Sejfulla me procesverbal obligoi avokatin Berisha që të sjellë vërtetimet mjekësore.

    I akuzuari Mehmeti më 14 prill 2023 është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale” kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës.

    Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 tetor 2022, Fatlum Mehmeti akuzohet se më 18 shkurt 2022, rreth orës 13:45, në sallonin e vilës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta tani të ndjerin, pjesëtarin e Policisë së Kosovës, L.H.

    Në këtë aktakuzë thuhet se gjatë një ndeje që ishte organizuar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës së Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, ku prezent kanë qenë pjesëtarët e PK-së: Florent Ahmeti, Gëzim Tahiri, Ilir Salihu, Bleart Misiri, Elit Thaqi, Enis Imeri, Artan Morina, Astrit Zabërgja, Ron Aliu, Arian Menxhiqi, Adis Berisha, Xhafer Berisha, Valdet Rrahimi dhe Ali Ahmeti, i akuzuari Fatlum Mehmeti i vetëdijshëm që manipulimi me armë paraqet rrezik për rrethin e posaçërisht në hapësira të mbyllura, në prezencën e personave të lartcekur, ka manipuluar me armën zyrtare të tipi “Gllok” derisa ishte i ulur në krevat, ndërsa në anën e majtë të tij, në distancë prej rreth 70-80 cm, ishte i ulur tani i ndjeri L.H dhe përreth kolegët e tij.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka nxjerrë armën nga beli me qëllim që ta vendosë atë në xhaketë, si dhe mundohet që ta heqë karikatorin dhe ta sigurojë armën, mirëpo shkakton një të shtënë nga arma dhe predha e godet tani të ndjerin L.H. në regjionin e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast i shkakton plagë vdekjeprurëse.

    Andaj, me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje me dashje eventuale” nga neni 172 lidhur me nenin 21, par.3 të Kodit Penal.

    Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 shkurt 2024 ka ngritur aktakuzë edhe ndaj 14 zyrtarëve policorë për përfshirje në këtë rast.

  • Kryeministrja daneze paralajmëron për rritje të agresionit, pas sulmit ndaj saj

    Kryeministrja daneze paralajmëron për rritje të agresionit, pas sulmit ndaj saj

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha të martën se ende është duke e marrë veten fizikisht dhe mendërisht nga sulmi kundër saj në qendër të Kopenhagës javën e kaluar, si dhe paralajmëroi për rritje të veprimeve të dhunshme në publik.

    Një burrë polak, 39 vjeç, është futur në paraburgim si i dyshuar për sulmin ndaj Frederiksenit, si rrjedhojë e të cilit ajo pësoi lëndime në qafë.

    Sulmuesi ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drogës në atë kohë, prandaj nuk ka ndonjë tregues për motive politike, thanë autoritetet.

    “Ende nuk jam vetja. Unë kujdesem për punën time si kryeministre dhe gjithmonë do ta bëj. Isha në gjendje të punoja edhe në fundjavë, por jo në mënyrën e njëjtë si zakonisht”, tha Frederiksen në një intervistë për transmetuesin DR.

    Sulmi ndaj saj ndodhi vetëm tri javë pasi kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, u plagos rëndë në një tentim-vrasje.

    Frederiksen tha se ka qenë dëshmitare e një ndryshimi në sferën publike në vitet e fundit.

    “Ka pasur kërcënime për një kohë të gjatë, tone të vrazhda në rrjetet sociale, të cilat janë përkeqësuar, posaçërisht pas luftës në Lindjen e Mesme. Shumë britma në publik, ku njerëzit sillen në mënyrë shumë, shumë agresive”, tha ajo.

    Danimarka renditet si njëra prej vendeve më të lumtura në botë, ku danezët krenohen me barazinë, gjithëpërfshirjen dhe modelin e mirëqenies së bollshme.

    “Ne jemi krenar për vendin ku kryeministrja shkon në punë me biçikletë”, shtoi ajo.

    “Por, një ndryshim ka ndodhur. Unë gjithmonë kam qenë në dispozicion, por skena në rrugë ka ndryshuar, sepse ka vende ku ne nuk mund të shkojmë më, së paku disa prej neve politikanëve”, theksoi ajo./REL/

  • ​Gjykata e Apelit vendos: Vula e PD-së i takon Berishës, rrëzohet Lulzim Basha

    ​Gjykata e Apelit vendos: Vula e PD-së i takon Berishës, rrëzohet Lulzim Basha

    Gjykata e Apelit vendosi që vula e Partisë Demokratike t’i kalonte Rithemelimit, grupimit të Sali Berishës.

    Gjykata e Apelit vendosi mos pranim të ankimimit të Enkelejd Alibeajt me vendim unanim nga të reja gjyqtaret.

    Trupa gjykuese e përbërë nga Alma Ahmeti e anëtarë Iliba Bezati dhe Elona Toro nuk pranuan ankimin, duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë të marrë nga gjyqtari Agron Zhukri se vula i takon Berishës.

    Në 27 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e Lartë riktheu për rishqyrtim vendimin e dhënë nga Agron Zhukri që njihte si kryetar të Partisë Demokratike Sali Berishën. Në arsyetimin e dhënë nga gjykata e Lartë theksohet se në vendimin e dhënë, janë bërë shkelje proceduriale duke u interpretuar gabim normat dhe ligji procedurial. /TopChannel/

  • Vitia thotë se shëndetësisë publike së shpejti do t’i shtohen mbi 300 punonjës të rinj

    Vitia thotë se shëndetësisë publike së shpejti do t’i shtohen mbi 300 punonjës të rinj

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se së shpejti shëndetësisë publike do t’i shtohen mbi 300 punonjës të rinj.

    Vitia bëri të ditur se tashmë është hapur konkursi nga ShSKUK për punonjës të rinj, përkatësisht për 200 infermierë të profileve të ndryshme si infermierë të përgjithshëm, mami, teknik radiologjike, teknik farmacie, laborantë mjekësorë e fizioterapeutë

    “20 punëtorë mbështetës administrativ. Tetë ndihmës. Së shpejti do të hapet konkursi edhe për rreth 70 mjekë specialistë. Konkurse tjera do të pasojnë”, shkroi Vitia.

    Më tej, Vitia tha se me këto investime në burime njerëzore po reduktohet ngarkesa në punë dhe po përmirësohet cilësia e shërbimeve për pacientë.