ATV

Category: Lajme

  • Rohde në 25 vjetorin e çlirimit: Kosova është histori suksesi

    Rohde në 25 vjetorin e çlirimit: Kosova është histori suksesi

    Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka vlerësuar se 25 vjet pas çlirimit, Kosova është histori suksesi e perëndimit.

    Rohde, në “X”, ka shkruar se Gjermania mbetet një ndër partneret më të afërta të Kosovës.

    “Sot para 25 vitesh filloi misioni i KFOR-it të NATO-s. Për ta cituar ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lord Robertson ‘Qëllimi ishte largimi i forcave të Millosheviqit, hyrja e NATO-s dhe kthimi i refugjatëve’. Misioni u krye. Kosova deklaroi Pavarësinë në vitin 2008 dhe është një histori suksesi. Gjermania është dhe mbetet ndër partnerët më të afërt të Kosovës”, ka shkruar ai.

    Ndryshe, sot [e mërkurë] më 12 qershor, Kosova shënon 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit.

    Çerekshekulli më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në 25-vjetor, do të ketë disa ceremoni, ndër të cilat edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në shesh.

    Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Gjatë fushatës 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s i bënë 38 mijë e 400 fluturime, nga të cilat në 10 mijë e 484 fluturime u bënë bombardime. Nga ajri ishin hedhur gjithsej 26 mijë e 614 projektilë.

    Fushata e bombardimeve ajrore ndaj Jugosllavisë u bë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.

  • Rihapet sërish konkursi për anëtarë të KPM-së, veç katër kandidatë i plotësuan kriteret

    Rihapet sërish konkursi për anëtarë të KPM-së, veç katër kandidatë i plotësuan kriteret

    Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i ka kërkuar kësaj të fundit të rishpallë edhe një herë konkursin për shkak se disa kandidatë të propozuar për këto pozita nuk i plotësojnë kushtet e kërkuara, raporton EO.

    Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ky komision shqyrtoi listën e shtatë kandidatëve të propozuar, për të cilët u tha se disa i plotësojnë kriteret e disa jo.

    Altin Shala, Ndrec Musolli, Serpin Emrusi dhe Amanda Toska, ishin kandidatët e vetëm që i plotësuan kushtet për anëtarë në KPM, ndërsa Belkise Berisha-Xhemajli, Stanko Tasiç e Zharko Bulatoviç nuk i plotësuan kushtet për këto pozita.

    Kryetari i këtij komisioni, Agim Veliu, tha se në bazë të listës, duhet të rishpallet edhe një herë konkursi.

    “Ne raste të tilla nuk kemi nevojë me i dhënë askujt afat, kur kohëzgjatja është e mjaftueshme dhe është bërë praktikë me apliku për pozicione të rëndësishme pa i plotësuar kriteret”, tha Veliu.

    Mendim të njëjtë për shpallje të konkursit ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, teksa kritikoi edhe ligjin e ri të KPM-së, i cili parasheh 11 anëtarë.

    “Edhe unë pajtohem, jam për me shpall edhe një here konkursin, është interesant që Ligji që është duke na ardhë për KPM është paparaparë te jenë 11-të (anëtarë) e që është absurditet se për 7-të s’po mundeni me i plotësu e lëre me 11 (anëtarë), tha Shabani.

    Pro hapjes së konkursit ishte edhe deputeti i pushtetit, Valon Ramadani.

    “Edhe unë pajtohem që s’ka kandidatë të vazhdohet tutje, e shpallim konkursin prapë dhe ku kushdo mundet me apliku”, u shpreh ai.

  • Ushtari i KFOR-it kujton ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë: “Kjo ma ndryshoi jetën”

    Ushtari i KFOR-it kujton ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë: “Kjo ma ndryshoi jetën”

    Më 12 qershor 1999-të, forcat e NATO-s hyjnë në Kosovë pas 78 ditësh të bombardimeve, duke çliruar përfundimisht Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

    Kjo datë ka një rëndësi të veçantë edhe për Kenneth Andersen, i cili atë kohë shërbente në vendin tonë si ushtar i KFOR-it.

    Ai e ka kujtuar 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, me anë të një shkrimi.

    Andersen përshkruan se si i pa rrugëve mijëra njerëz duke i pritur trupat e Aleancës Veriatlantike, duke hyrë në Kosovë.

    “Kjo ndryshoi jetën time”, shkroi ai në X.

  • Dita e Çlirimit të Kosovës, Osmani: Evropa lindi në një Kosovë të lirë

    Dita e Çlirimit të Kosovës, Osmani: Evropa lindi në një Kosovë të lirë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se 25 vjet më parë, kur ushtarët e NATO-s shkelën Kosovën, ata ishin shpëtimtar, të popullit të Kosovës, raporton EO.

    Në seancën solemne të legjislativit, për nderë të 25-vjetorit të çlirimit, Osmani tha se hyrja e NATO-s ishte një fuqia e solidaritetit ndërkombëtar.

    “Thirrjet e popullit tonë, persekutimi i pamëshirshëm dhe jetët e panumërta të humbura nga masakrat e tmerrshme, dëbimi me dhunë dhe spastrimi etnik ishin thirrje për drejtësi që nuk mund të shpërfilleshin më. Muret e tiranisë u shembën, duke hapur rrugën jo vetëm për një Kosovë të lirë, por edhe të pavarur e demokratike. Atë ditë afro 38 mijë ushtarë nga 36 shtete, komunikuan me gjuhën universale, me gjuhën e lirisë. Atë ditë, siç thoshte filozofi dhe shkrimtari francez Andres Glucksman “Evropa lindi në një Prishtinë të lirë”. Sot mund të themi, Evropa lindi në një Kosovë të lirë”, theksoi Osmani.

    Shefja e shtetit theksoi se në këtë ditë, do ta kujtojnë përherë rezistencën këmbëngulëse të presidentit historik, Ibrahim Rugova për liri, demokraci dhe Kosovën e pavarur.

    “Do ta kujtojmë heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari me familje, të cilët u bën gurthemeli i lirisë sonë. Do të jetojmë gjithnjë edhe me kujtimin për të gjithë dëshmorët e UÇK-së, mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1133 fëmijë. Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, u shpreh presidentja Osmani.

  • Vdes një i burgosur në qendrën e paraburgimit në Prishtinë

    Vdes një i burgosur në qendrën e paraburgimit në Prishtinë

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën rreth orës 06:18, në Qendrën e Paraburgimit të Prishtinës ka vdekur i burgosuri H.B.

    “Ai është pranuar në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë më 17.05.2024, dhe gjatë pranimit është konstatuar se vuante nga sëmundje kronike për të cilat ka qenë nën trajtim. Trajtimi ka vazhduar edhe gjatë kohës së paraburgimit nga mjekët, specialistët konsultantë dhe institucionet e tjera, sipas indikacioneve”, thuhej në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

    Gjendja shëndetësore e tij është përkeqësuar mbrëmë rreth orës 22:00, dhe është thirrur Emergjenca e qytetit, e cila e ka trajtuar dhe stabilizuar gjendjen e të burgosurit.

    “Në mëngjes, gjendja e tij është përkeqësuar përsëri dhe është kërkuar mbështetje nga ekipi i Emergjencës së qytetit. Ky ekip, së bashku me ekipin mjekësor të burgut, janë përpjekur për reanimim, por pa sukses. Në orën 06:18, nga të dy ekipet është konstatuar vdekja e të burgosurit”, thuhej në njoftim.

    Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa bazuar në ligjet në fuqi, autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes.

  • Haradinaj thirrje bashkësisë ndërkombëtare për hapjen e urës së Ibrit: Përgjigja më e mirë për Vulinin dhe të gjithëve me mendësi të tillë

    Haradinaj thirrje bashkësisë ndërkombëtare për hapjen e urës së Ibrit: Përgjigja më e mirë për Vulinin dhe të gjithëve me mendësi të tillë

    I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratave të përfaqësuesve të Serbisë në të ashtuquajturin “Kuvendi gjithëserb”.

    Haradinaj u shpreh se “Bashkësia Ndërkombëtare dhe Kosova përgjigjen më të mirë do t’ia jepte Vulinit dhe të gjithëve me mendësi të tillë, me hapjen e Urës së Ibrit”.

    Postimi i tij i plotë:

    Brenda një jave Serbia dy herë poshtëroi Bashkësinë Ndërkombëtare dhe Quintin me të ashtuquajturin “Kuvendi gjithëserb”, ku u dhanë deklarata mesjetare e po ashtu edhe Vulin nga Moska me deklaratat e tij mesjetare të cilat bien ndesh me thirrjet ndërkombëtare për stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

    Bashkësia Ndërkombëtare dhe Kosova përgjigjen më të mirë do t’ia jepte Vulinit dhe të gjithëve me mendësi të tillë, me hapjen e Urës së Ibrit.

  • ​Abdixhiku uron Ditën e Çlirimit: Kujtojmë sakrificën e atyre që kontribuan për liri e pavarësi

    ​Abdixhiku uron Ditën e Çlirimit: Kujtojmë sakrificën e atyre që kontribuan për liri e pavarësi

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar qytetarët e vendit me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.

    Në një deklaratë për media të LDK-së thuhet se më 12 qershor të vitit 1999 “përfundoi njëherë e përgjithmonë vuajtja shekullore shqiptare nga një regjim barbar serb që po vriste e po digjte në çdo cep të Kosovës”.

    “Rrezet e lirisë po pushtonin horizontin e zymtë të qiellit të Kosovës, ato po largonin retë e zeza të mortjes, të djegieve të shtëpive e vuajtjeve të popullit tonë. Këto rreze lirie erdhën si rezultat i një rezistence paqësore të pathyeshme të udhëhequr nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe më pas edhe të armatosur të popullit të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rezultojë edhe me intervenimin ushtarak të NATO-s mbi caqet serbe”, thuhet në komunikatën për media.

    Duke kujtuar regjimi fashist serb që kishte vrarë e masakruar mijëra civilë të pambrojtur, Abdixhiku tha se këtij regjimi i erdhi fundi pas 78 ditëve të bombardimeve të Aleancës së NATO-s.

    Tutje, Abdixhiku tha se është falënderues dhe mirënjohës ndaj të gjithë aleatëve dhe miqëve ndërkombëtarë, si ShBA e BE që ndihmuan në çlirmin e vendit.

  • Seanca për 25-vjetorin e çlirimit – Begaj, Mesiq, Calmy-Rey, Jashari, Robertson e Walker të pranishëm

    Seanca për 25-vjetorin e çlirimit – Begaj, Mesiq, Calmy-Rey, Jashari, Robertson e Walker të pranishëm

    Ka filluar seanca solemne e Kuvendit të Kosovës për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

    Në këtë seancë po marrin pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Rifat Jashari, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, ish-Presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla, ish-sekretari i NATO’s, Lordi George Robertson dhe William Walker, i cili gjatë luftës përfaqësoi misionin e OSBE’së, raporton Express.

    Walker, i cili atëherë ishte shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë luajti rol kyç në dokumentimin e masakrës në Reçak të Shtimes, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit 1999.

    Seanca filloi me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar. Pastaj u mbajtë një minutë heshtje për të gjithë të rënët që kontribuan në çlirimin e vendit.

  • Hamasi i përgjigjet planit për armëpushim në Gazë, kërkon disa ndryshime

    Hamasi i përgjigjet planit për armëpushim në Gazë, kërkon disa ndryshime

    Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – tha të martën vonë se e ka dorëzuar te ndërmjetësit përgjigjen për propozimin e SHBA-së për armëpushim në Rripin e Gazës, duke i kërkuar disa ndryshime në marrëveshje.

    Duket se Hamasi s’e pranoi menjëherë marrëveshjen, me gjithë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, por, megjithatë i mbajti gjallë bisedimet për arritjen e një marrëveshje të vështirë për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në muajin e tetë në Gazë.

    Ministrat e Jashtëm të Katarit dhe Egjiptit – të cilët janë ndërmjetësit kryesorë së bashku me SHBA-në – konfirmuan se e kanë marrë përgjigjen e Hamasit dhe thanë se janë duke e vlerësuar atë.

    “Ne e kemi pranuar përgjigjen që Hamasi ua dorëzoi Katarit dhe Egjiptit, dhe po e shqyrtomë atë tani”, tha zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

    Zëdhënësi i Hamasit, Jihad Taha, tha se përgjigja përfshin “ndryshime të cilat konfirmojnë armëpushimin, tërheqjen, rindërtimin dhe shkëmbimin [e të burgosurve]”. Ai nuk dha shpjegime.

    Por, derisa e mbështesin marrëveshjen në vija të trasha, zyrtarët e Hamasit kanë shprehur dyshime nëse Izraeli do t’i zbatojë kushtet e marrëveshjes, posaçërisht ndaljen e përhershme të luftimeve dhe tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza, në këmbim të lirimit të të gjitha pengjeve që po mbahen nga militantët.

    Madje edhe pasi SHBA-ja tha se Izraeli e ka pranuar propozimin, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dhënë shenja kundërthënëse, duke thënë se Izraeli nuk do të ndalet derisa ta arrijë synimin për shfarosjen e Hamasit.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e vizitoi rajonin këtë javë në përpjekje për ta siguruar arritjen e marrëveshjes. Kjo është vizita e tij e tetë prej se Hamasi e kreu sulmin në jug të Izraelit dhe e nxiti luftën izraelite në Gazë.

    Të martën, ai e vazhdoi trysninë ndaj Hamasit për ta pranuar propozimin, duke thënë se vota e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në favor të tij e bëri të “qartë sa më s’ka” se bota e mbështet planin.

    “Të gjitha votat janë për, përveç njërës, Hamasit”, tha Blinken në Tel Aviv pas takimit me zyrtarë izraelitë, pak orë para se Hamasi ta jepte përgjigjen. Blinken tha se Netanyahu e ka ritheksuar përkushtimin ndaj propozimit gjatë një takimi të hënën në mbrëmje.

    Propozimi ka rritur shpresat për t’i dhënë fund luftës tetëmujore, gjatë të cilës bombardimet dhe ofensiva tokësore e Izraelit në Gazë i kanë vrarë mbi 37.000 palestinezë dhe i kanë detyruar rreth 80 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të largohen nga shtëpitë e tyre.

    Izraeli e nisi luftën, duke u zotuar për ta shkatërruar Hamasin, pasi grupi radikal palestinez i vrau rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe i rrëmbeu mbi 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit. Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor, në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi të hënën një rezolutë për ta mbështetur propozimin e Shteteve të Bashkuara, me 14 vota për dhe asnjë kundër. Rusia abstenoi.

    Propozimi i presidentit amerikan Joe Biden përfshin tri faza për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

    Faza e parë përfshin një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga “të gjitha zonat e banuara“ të Gazës, disa pengje – të moshuar dhe gra – do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë; civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazë; dhe 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihmë humanitare në enklavën e rrënuar.

    Në fazën e dytë, do të shkëmbeheshin të gjitha pengjet e gjalla, përfshirë ushtarë; forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Gaza dhe armëpushimi i përhershëm do të niste.

    Faza e tretë parasheh një plan të madh rindërtimi për Gazën, si dhe rikthimin e “mbetjeve të fundit” të pengjeve te familjet e tyre. /REL

  • Rama i dhuron “Çelësin e Qytetit” ish-gazetarit të BBC-së

    Rama i dhuron “Çelësin e Qytetit” ish-gazetarit të BBC-së

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka pritur në takim të mërkurën ish-gazetarin britanik të BBC-së, David Loyn. Të njëjtit, Rama i ka dhuruar edhe “Çelësin e Qytetit”, në 25-vjetorin e çlirimit të vendit, raporton Ekonomia Online.

    Teksa falënderoi për kontributin e Loynit gjatë luftës, Rama tha se ka qenë njëri kyç që ka raportuar brenda Kosovës.

    I pari i Kryeqytetit tha se falë këtyre xhirimeve, sot Kosova feston 25-vjetorin e çlirimit.

    “Sot për Ditën 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, kam nderin me prezantu Çelësin e Kryeqytetit për një njëri të madh, një gazetar, korrespodent prej BBC-së, i cili gjatë kohës së luftës në vitin 1998 ka qenë njëri kyç që ka raportuar brenda Kosovës edhe ka qenë në momente kyçe që kanë treguar të vërtetën se çfarë po ndodh në Kosovë, pra ka treguar se nëpër çka po kalon populli ynë. Xhirimet prej gazetarëve të ndryshëm kanë kaluar nëpërmjet BBC-së nëpërmjet zotëri David Loyn edhe ky vetë faktikisht ka fytyra kyçe që ka raportuar nga brenda dhe si rezultat, Britania e Madhe, Amerika, anëtarët e NATO-s e kanë marrë vendimin që ta çlirojnë vendin tonë dhe që sot ne këtu ta gëzojmë lirinë pas 25 viteve”, tha Rama.

    Ndërsa ish-gazetari Loyn, tha se ndihet krenar për kontributin e tij gjatë luftës.