ATV

Category: Lajme

  • Liderët e G7-ës pajtohen t’i japin Ukrainës miliarda dollarë hua duke përdorur asetet e ngrira ruse

    Liderët e G7-ës pajtohen t’i japin Ukrainës miliarda dollarë hua duke përdorur asetet e ngrira ruse

    Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) u pajtuan të enjten t’ia japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua duke i përdorur asetet e ngrira ruse.

    Diplomatët konfirmuan se pajtueshmëria për këtë marrëveshje u arrit madje para se liderët të mbërrinin në Itali për samitin treditor të G7-ës.

    Hollësitë e marrëveshjes do të diskutohen gjatë takimit të tyre në Itali, por Kievi pritet t’i marrë paratë kah fundi i këtij viti.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të jetë në Itali gjithashtu dhe pritet të nënshkruajë një marrëveshje tjetër dypalëshe për sigurinë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

    Vendet e G7-ës, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, ngrinë asete ruse në vlerë prej rreth 300 miliardë dollarësh, pak pasi Moska nisi pushtimin e fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.

    Në fillim të kësaj jave, Zelensky tha se pret që t’i sigurojë miliarda euro nga vendet aleate për mbrojtjen e Ukrainës dhe për rindërtimin e vendit të vet pas luftës.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Bislimi: Kam informacione se është rekomanduar heqja e masave

    Bislimi: Kam informacione se është rekomanduar heqja e masave

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ka informacione se është rekomanduar heqja e masave sanksionuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.

    Bislimi është shprehur të enjten në Komisonin për Integrime Evropiane se “përmbajtja e raportit është pozitive”.

    “Raporti i z.Borrell është parakusht për trajtimin në KiE, është përpiluar në muajin prill, por ka pasur hezitim që të dërgohet në Komision. Raporti është dashur që të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit ka kërkuar pak shtyrje. Besojmë se do të dorëzohet javën tjetër. Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave”, është shprehur Bislimi.

    Zëvendëskryeministri, njëherit kryenegociatori për dialog me Serbinë, ka shtuar se masat e BE-së kanë ndikuar indirekt në imazhin e Kosovës dhe në integritetin e BE-së.

    “…Masat kanë ekspozuar njëanshmërinë e vet në gjithë këtë proces”, shtoi ai, duke theksuar se “ka pasur tendencë që masat të keqpërdoren”.

  • “Shota”, automjeti i parë ushtarak i blinduar “Made in Albania”

    “Shota”, automjeti i parë ushtarak i blinduar “Made in Albania”

    Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook pamje nga automjeti i parë ushtarak i blinduar i prodhuar në Shqipëri.

    Rama ka thënë se “Shota”, është automjeti i parë ushtarak i blinduar “Made in Albania”.

    “Mirëmëngjesi dhe me “Shota” automjetin e parë ushtarak të blinduar “Made in Albania”, një prodhim i ri i çikës sonë bulqizake Arjeta Puca dhe ekipit të saj fantastik të gocave profesioniste, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.

    Ndryshe “Shota” është një automjet i blinduar ushtarak i projektuar në Shqipëri për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes.

    Kompania prodhuese ka theksuar se “Shota” është fillimi i një serie inovacionesh të reja në sektorin e mbrojtjes.

  • Shkaktoi zjarr vitin e kaluar, arrestohet 36-vjeçari në Prishtinë

    Shkaktoi zjarr vitin e kaluar, arrestohet 36-vjeçari në Prishtinë

    Hetuesit e Njësitit të hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën ‘zjarrvënie’ të raportuar në dhjetor të vitit të kaluar.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë, ku janë përfshirë nga zjarri tri vetura.

    “M.Rr, mashkull, 36 vjeç, pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Polica po vazhdon punën në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike si dhe goditjes së individëve dhe grupeve kriminale, me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikim dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në ngjarjet kriminale”, thuhet në komunikatë.

  • Pas Prishtinës, presidenti Begaj shkon në Shkup

    Pas Prishtinës, presidenti Begaj shkon në Shkup

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj u nis sot për në Shkup ku do të marrë pjesë në Samitin e SEECP, (Samiti i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore) ku mikpritëse është presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova.

    Gjithashtu Begaj pritet të zhvillojë disa takime dypalëshe. Kreu i Shtetit shqiptar do të takohet me kryetarin e ri të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri dhe me ish-presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

    Begaj do të mbajë një fjalë në këtë samit si edhe do të jetë pjesë e Trojkës që do të mbajë një konferencë për shtyp në fund të punimeve të Samitit. Shqipëria do të marrë kryesimin e kësaj organizate të rëndësishme rajonale për vitin 2024-2025.

  • ​Moti sot në Kosovë

    ​Moti sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të nivelit të mesëm të Troposferës, të cilat vende -vende mund të sjellin riga shiu.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-4m/s”, thuhet në njoftim.

  • Prishtinë: Arrestohet i dyshuari për djegien e tri veturave

    Prishtinë: Arrestohet i dyshuari për djegien e tri veturave

    Është arrestuar një person nën dyshimin për djegien e tri veturave.

    I njëjti është kapur nga Policia të mërkurën pas hetimeve të zhvilluara dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    “Prishtinë / 10.12.2023 – 04:30. Më 12.06.2024, pas hetimeve të zhvilluara, është lokalizuar dhe është arrestuar një mashkull kosovar si i dyshuar për djegien e tri veturave. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton PK.

  • Blinken: Hamasi ka kërkuar ndryshime në propozimin për armëpushim

    Blinken: Hamasi ka kërkuar ndryshime në propozimin për armëpushim

    Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën në Doha se Hamasi ka kërkuar disa ndryshime në propozimit për armëpushim në Gazë dhe se disa prej tyre mund të merren në konsideratë.

    Por ai shtoi se “disa nga propozimet e Hamasit shkojnë përtej asaj që grupi kishte pranuar më parë në bisedimet për një marrëveshje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë”.

    “Ne jemi të vendosur që të përpiqemi të kapërcejmë hendekun me Hamasin”, tha zoti Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin e Katarit Sheik Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, pas një takimi me të.

    Sekretari amerikan i Shtetit theksoi se nëse Hamasi vazhdon të kundërshtojë përpjekjet për kapërcimin e mosmarrëveshjeve, kjo do të tregojë qartë se “ata kanë zgjedhur vazhdimin e luftës në Gazë”.

  • Sveçla: Prej 1 korrikut nisin patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë

    Sveçla: Prej 1 korrikut nisin patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se edhe këtë verë patrullimi i policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë do të vazhdojë duke filluar nga data një korrik.

    Sipas tij, këto patrullime do të jenë në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve.

    “Patrullimet do të fillojnë me dijen time prej 1 korrikut, qysh tash bashkëpunimi i Policisë i dy vendeve është shumë i mirë. Patrullimet, patjetër që do të ndihmojnë ata të jenë më efikas dhe të iu shërbejnë sa më mirë qytetarëve”, tha ministri.

    Sveçla, shtoi se me shtetin shqiptar po punohet shumë që të ju lehtësohet jeta qytetarëve dhe te rritet niveli i sigurisë, meqenëse tha ministri, me Shqipërinë nuk janë raporte vetëm zyrtare por edhe raporte ndër personale.

    “Ju po e shifni se ne nuk kemi vetëm raporte zyrtare, kemi edhe raporte shumë të mira ndër personale. Me ministrin Balla po punojmë shumë, të dyja palët, qoftë në ministri, qoftë në polici të dy vendeve që të ua lehtësojmë jetën qytetarëve por në të njëjtën kohë edhe të rrisim nivelin e sigurisë për të dyja vendet”, tha Sveçla për Ekonomia Online, pas vizitës së djeshme në pikën kufitare në Vërmicë, ku përcjellën nga afër bashkë me ministrin e brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla, zhvillimet rreth zbatimit të marrëveshjes për heqjen e kontrollit kufitar për shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë.

    Kujtojmë se patrullimet e përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë filluar para gjashtë viteve. Që nga viti 2018, këto patrullime kryhen në pikën kufitare në Vërmicë.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Hajvali

    Gjendet pa shenja jete një person në Hajvali

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një vdekje në Hajvali të Prishtinës, ku një person është gjetur pa shenja jete të mërkurën.

    Në raportin policor thuhet se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, e rasti është iniciuar si “hetim mbi vdekjen”.

    Nuk janë dhënë shumë detaje lidhur me rastin.

    “Është pranuar informata për një person pa shenja jete. Rastit i janë përgjigjur njësitë relevante policore. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin policor.