ATV

Category: Lajme

  • BE: Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa normalizimin e raporteve me Kosovën

    BE: Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa normalizimin e raporteve me Kosovën

    Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    “Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, shtoi ai.

    Kjo deklaratë erdhi pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN nga Beogradi, tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE.

    Bashkimi Evropian, megjithatë, nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.

    “Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit”, tha Stano.

    Prej se Kosova e shpalli pavarësinë, 15 vjet më parë, Bashkimi Evropian është shprehur vazhdimisht se çështja e njohjes së Kosovës është një çështje në kompetencë të vendeve anëtare të BE-së dhe, si bllok evropian, ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

    Por, në anën tjetër, Kosova ka raporte të veçanta kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE nuk përfshihet territori i Kosovës.

    Në BE gjithmonë kanë ngulur këmbë që të përdorin normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën si kusht për Serbinë. Interpretimin se a nënkupton “normalizimi i plotë” edhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia, në BE ua kanë lënë palëve ta interpretojnë vetë.

    Një zyrtar i BE-së, duke rikujtuar edhe ndryshimet në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, ku në kapitullin 35 është përfshirë si kusht edhe normalizimi i raporteve me Kosovën, ka thënë se pa këtë normalizim, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së.

    Njëkohësisht, BE-ja ka thënë se lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare përben shkelje “të qartë” të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

    “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe plotësisht detyruese për të dyja: Kosovën dhe Serbinë. Kjo përfshinë edhe Nenin 4. Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshje”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

    Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe kjo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

    Serbia loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në maj, i cili përfundimisht vendosi të mos e fuste fare në agjendë kërkesën e Prishtinës për anëtarësim, pavarësisht se ajo i kaloi dy prej tri fazave të nevojshme./REL/

  • Qeveria e Kosovës vendos sanksione kundër Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit

    Qeveria e Kosovës vendos sanksione kundër Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit

    Qeveria e Kosovës ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe Bjellorusisë në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Moska, si dhe kundër Iranit për shkak të programit të saj raketor.

    Qeveria e kryeministrit Kurti votoi gjatë mbledhjes për miratimin e pakove 12 dhe 13 të sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.

    Zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi, tha se masat kufizuese kundër Rusisë kanë të bëjnë me “minimin dhe kërcënimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, si dhe sanksione të tjera për shkelje të rënda dhe abuzime me të drejtat e njeriut në Rusi, që lidhen me vrasjen e liderit opozitar Alexei Navalny”.

  • Presidentja Osmani udhëtoi për në Shkup, merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore

    Presidentja Osmani udhëtoi për në Shkup, merr pjesë në Samitin e vendeve të Evropës Juglindore

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), raporton Ekonomia Online.

    Këtë e ka bërë të ditur zyra e presidentes përmes një njoftimi për media.

    “Në këtë Samit, Presidentja Osmani do t’i bashkohet krerëve të shteteve pjesëmarrëse për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon. Përgjatë qëndrimit në Shkup, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime të tjera”, thuhet në njoftim.

  • Kosova bëhet anëtare e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën

    Kosova bëhet anëtare e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën

    Kosova bëri një hap të rëndësishëm në përfaqësimin dhe rolin e saj në sigurinë globale.

    Minisrti i Mbrojtjes Ejup Maqedonci njofton se sot në Bruksel me Ministrin e Mbrojtjes të Lituanisë, Laurynas Kasčiūnas, nënshkruam marrëveshjen e përbashkët sipas të cilës Kosova edhe zyrtarisht është pjesë e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën.

    Sipas tij Kosova u bë shteti i 17-të anëtar i këtij koalicioni që ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Ukrainën përmes ofrimit të trajnimit në fushën e deminimit, zotim ky që Kosova e ka dhënë si pjesë e Grupit të Kontaktit për Ukrainën, e që është një hap tjetër i ndërmarr nga ana e Kosovës për popullin ukrainas pasi veçse tanimë kemi dorëzuar dy pako mbështetëse ushtarake.

    “Ushtarët tanë do të rreshtohen përkrah partnerëve tanë në këtë front global demokratik kundër agresionit dhe dhunës! Kosova do të vazhdoj të qëndroj krah Ukrainës ngase jemi me të drejtën, lirinë e popujve dhe të drejtat demokratike të shteteve”, ka shkruar Maqedonci në faqen zyrtare të tij në Facebook.

  • Mërgimtarët nuk paguajnë as sivjet sigurim kufitar, shpenzimet i mbulon Qeveria

    Mërgimtarët nuk paguajnë as sivjet sigurim kufitar, shpenzimet i mbulon Qeveria

    Qeveria e Kosovës ka ndarë 3 milionë euro për mbulimin e polisës kufitare për mërgimtarët, raporton EO.

    Vendimi është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur të enjten.

    “Ky vendim ka të bëjë me masa mbështetëse për mërgatën tonë, e cila parasheh mbulimin e polisës kufitare për bashkatdhetarët që vijnë në Republikën e Kosovës për kohën sa qëndrojnë këtu”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

  • Ja kur do të falet Kurban Bajrami

    Ja kur do të falet Kurban Bajrami

    Dita e parë e festës së Kurban – Bajramit, është të dielën me 16 qershor 2024. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton besimtarët dhe opinion se manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

    “Manifestimi fillon në orën 4:19, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbaj Hetem ef. Sopjani – kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, namazi i Kurban Bajramit falet në orën 5:34, të cilit do t’i prijë Burhan ef. Hashani- kryeimam i Këshillit të BI-së së Prishtinës, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbaj Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

    Me rastin e festës së Kurban Bajramit, ditën e parë, më 16 qershor 2024, Kryesia e BIK, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

  • Haxhiu tregon se çka po ndodhë me Kodin Civil: S’kemi hequr dorë, s’i negociojmë të drejtat e njeriut

    Haxhiu tregon se çka po ndodhë me Kodin Civil: S’kemi hequr dorë, s’i negociojmë të drejtat e njeriut

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media është pyetur edhe mbi ligjin për Kodin Civil, i cili mes tjerash, lejon martesat mes gjinive të njëjta.

    Haxhiu ka bërë me dije që nuk janë të sigurtë që ligji mund të kalojë, dhe se për këtë arsye, nuk po procedohet në Kuvendin e Kosovës, raporton Nacionale.

    “Kodi Civil është një nga zotimet apo punët të cilat ne i kemi adresuar, por që ende nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Qeveria konsideron që është i rëndëishëm. Adreson institute të reja që nuk adresohet, është në interest ë të gjithë qytetarëve, avancon të drejtat e njeriut, prandaj e konsiderojmë të rëndësishëm.” – ka thënë ajo.

    Haxhiu mes tjerash ka shtuar se nuk kanë hequr dorë nga dokumenti, dhe se obligim për kalimin e tij, ka edhe opozita.

    “Nuk kemi hequr dorë nga ai dokument, sepse ne nuk i negociojmë të drejtat e njeriut. Prandaj, do ta procedojmë në momentin kur kemi siguri që Kodi Civil kalon, në këtë drejtim nuk është obligim veç i mazhorancën, por edhe i opozitës që të marrin pjesë në votim, ta shprehin vullnetin e tyre me votë, për, kundër ose abstenim. Çka na ndodhë me këtë opozitë, edhe përkundër faktit që hedhin akuza të ndryshme, kundërshtojnë ligjë, janë të rralla herët kur procedojnë amandamente. I ftoj që të marrin pjesë në votim, por natyrisht përgjegjësia na bie neve, dhe kemi qenë në komunikim me deputetët e grupit parlamentar, por ende nuk jemi të sigurtë që nuk i kemi votat. Do ta procedojmë në momentin që i kemi ato.” – u shpreh ajo.

    Kujtojmë se Kodi Civil po dështon të votohet në Kuvendin e Kosovës tash e dy vite. Një pjesë e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, janë shprehur publikisht kundër tij.

  • Kosova sanksione ndaj Republikës Islamike të Iranit dhe Federatës Ruse

    Kosova sanksione ndaj Republikës Islamike të Iranit dhe Federatës Ruse

    Qeveria e Kosovës të enjten, në mbledhje, ka miratuar pakon e sanksioneve ndaj Republikës Islamike të Iranit dhe pakon e re të sanksioneve kundër Federatës Ruse.

    Në mbledhjen e Qeverisë, zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi, ka thënë se sanksionet janë të koordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian e aleatët e tjerë.

    “Pakon e sanksioneve ndaj Republikës Islamike të Iranit, gjegjësisht ndaj personave dhe subjekteve të përfshira në aktivitetet e raketave bërthamore dhe balistike dhe personave dhe etniteteve që ofrojnë mbështetje për qeverinë e Iranit”, ka thënë Gashi.

  • Kurti ndan 142 mijë euro për Samitin e Ballkanit Perëndimor nga “The Economist”: Mundësi e jashtëzakonshme për promovim

    Kurti ndan 142 mijë euro për Samitin e Ballkanit Perëndimor nga “The Economist”: Mundësi e jashtëzakonshme për promovim

    Qeveria e Kosovës ka ndarë 142 mijë euro për mbajtjen në Prishtinë të Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga prestigjiozja “The Economist”.

    Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur këtë mundësi e jashtëzakonshme për provomvimin e sukseseve të Kosovës.

    Sipas Kurtit, kjo ndikon në rritjen ndërkombëtare të imazhit të vendit dhe krijon mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe investime.

    “Mbajtja e kësaj konference në Prishtinë e organizuar nga organizata prestigjioze ‘The Economist’, me pjesëmarrjen e mysafirëve të huaj të rëndësishëm dhe me ekspozim mbarëbotëror përmes platformave sociale të ‘The Economist’ është një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin global të sukseseve të Kosovës. Kjo ngjarje kontribuon në rritjen ndërkombëtare të imazhit të vendit tonë, duke theksuar përparimet tona në fusha të ndryshme dhe dujke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe investime. Mjetet buxhetore të ndahen në shumë prej 142 mijë euro. Mjetet ndahen nga buxheti i ZKM, nga programi për promovim të vendit”, deklaroi Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

  • Kusari: VV-ja ka injoruar 83% të rekomandimeve të KiE-së për Projektligjin për KPM-në

    Kusari: VV-ja ka injoruar 83% të rekomandimeve të KiE-së për Projektligjin për KPM-në

    Juristja e të drejtës së mediave, Flutura Kusari, është shprehur e shokuar me refuzimin që Lëvizja Vetëvendosje ua ka bërë rekomandimeve të Këshillit të Evropës për çështjen e Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).

    Ajo ka bërë me dije se partia në pushtet ka injoruar 83 për qind të këtyre rekomandimeve.

    Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se një refuzim kaq i lart i rekomandimeve të Këshillit të Evropës nuk ka ndodhur në asnjë vend të Evropës.

    “Ne kete menyre, Komisioni per Media e ka pase mundesi qe duke i adresu rekomandimet e Keshillit te Europes, te Forumit etj, te draftonte nje nder ligjet me te mira ne Europe. Por cka ben VV? VV vendose qe te injoroje 83% te rekomandimeve te Keshillit te Europes (shihni foton). Une permes ECPMF kam monitoru ndryshime te ligjeve per media ne disa shtete te Europes. Asnjehere nuk kam pa injorim kaq te madh te rekomandimeve te Keshillit te Europes. P.Sh ne Shqiperi, Edi Rama nuk e vazhdoi avanturen e tij me pakon Anti-Shpifje pikerisht pasi Keshilli i Europes e kritikoi permes nje opinioni ligjor”, ka shkruar ajo.

    Ajo ka paralajmëruar se ky projektligj sot Komisioni për Integrimeve Evropiane i Kuvendit të Kosovës do të miratohet brenda pak sekondave.

    “Sot Komisioni për Integrim Europian ne parlament do ta diskutoje dhe me siguri do ta aprovoje brenda 30 sekondave projektligjin, ndonese ka opinion ligjor zyrtar nga Keshilli i Europes qe thote qe projektligji nuk eshte ne pajtim ne standardet europiane”, ka vlerësuar ajo.