ATV

Category: Lajme

  • Krenari dhe emocion, FSK-ja dhe policia parakalojnë në sheshet e kryeqytetit

    Krenari dhe emocion, FSK-ja dhe policia parakalojnë në sheshet e kryeqytetit

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Gati 3 dekada më parë, për shumëkë liria mendohej vetëm si “dritë në fund të tunelit”.

    Mirëpo, kur shpresat pothuajse kishin mbaruar për të qenë të lirë, më 12 qershor të vitit 1999, aleatët e NATO-s sulmuan caqet serbe në Kosovë, duke çliruar kështu vendin nga okupimi serb.

    Prej atëherë, çdo 12 qershor, liderë e qytetarë të Kosovës shprehin mirënjohje për intervenimin e NATO-s.

    Njësoj ishte edhe të mërkurën, që u festua 25-vjetori i çlirimit të Kosovës.

    Aktivitetet për këtë ditë filluan që në mëngjes, e vazhduan më pas me parakalimin e trupave të forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë.

    Të ndarë në regjimente e kokën lart, 1500 ushtarë e policë u nisën nga sheshi “George Bush”, drejt sheshit “Skënderbeu”.

    Për lirinë që Kosova gëzon, gjatë ceremonisë së parakalimit të trupave të FSK-së dhe Policisë, foli ish-sekretari i NATO-s, George Robertson, i cili po ashtu ngriti një paralele për luftën në Kosovë me atë çka po ndodh në Ukrainë.

    “Pas 78 ditë të bombardimeve, ne e pamë objektivin tonë të plotësuar. Ushtria e Millosheviqit u largua, NATO-ja hyri dhe refugjatët u kthyen në shtëpi. Jam krenar për atë se çka bëmë atëherë, dhe krenar që jam sot këtu, në Kosovën multietnike dhe paqësore në zemër të Evropës”, tha Robertson.

    Falënderues për UÇK-në e të lumtur për ushtrinë e re e policinë profesionale, u shprehën edhe krerët e shtetit.

    UÇK-ja ishte shtylla jonë më e fuqishme e rezistencës dhe shpresës, gratë dhe burrat trima morën armën për ta mbrojtur të drejtën tonë për të ekzistuar. Guximi i UÇK-së është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi. Por udhëtimi ynë drejt lirisë nuk ishte i vetëm, ne u mbështetëm nga aleatët tanë”, tha Osmani.

    “Liria e Kosovës dhe dita e çlirimit të saj, erdhi nga lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Përfaqësues Politik i të cilës ishte pikërisht Baca Adem. Liria e Kosovës erdhi nga ndihma e shteteve aleate të NATO-s, që pasi e bombarduan për 78 ditë Jugosllavinë e Serbisë e Serbinë e Millosheviqit”, tha Kurti.

    Në Kosovë, për 25-vjetorin e çlirimit nuk mungoi as William Walker.

    “Jam këtu për të festuar me të gjithë shqiptarët, me të gjithë kosovarët e po ashtu edhe serbët. Çfarë dite të mrekullueshme përfaqëson kjo, është fantastike”, tha Walker.

    Që arriti ta përjetojë lirinë, i lumtur u shpreh edhe Rifat Jashari, si përfaqësues i familjes më meritore që dha gjithçka për liri.

    “Më i kënaqur nuk jam kanë kurrë që e arritëm edhe çlirimin e Kosovës, është derdhur gjak, por është paguar ata gjak, dhimbje s’ka veç krenari. Urime gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha Jashari.

    Të emocionuar e krenarë me Ushtrinë dhe Policinë u shprehën edhe qytetarët.

    Aktivitetet për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kanë vazhduar deri në orët e mbrëmjes së të mërkurës.

  • Për 25 vjetorin e çlirimit, Kuvendi mbajti seancë solemne

    Për 25 vjetorin e çlirimit, Kuvendi mbajti seancë solemne

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Me intonimin e himnit shtetëror e atë kombëtar.

    Me një minutë heshtje nisi seanca e Kuvendit për nder të ditës së Çlirimit të Kosovës.

    Në 25-vjetorin e kësaj dite, krerët e shtetit falënderuan të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës.

    Emocionet ishin vështirë të kontrollueshme për nënkryetaren Saranda Bogujevci e cila në Ditën e Çlirimit të Kosovës, feston edhe ditëlindjen.

    “Para 25 viteve, isha një vajzë e brishtë, gjysmë e gjallë, me zemër të thyer që nuk kisha pjesën më të madhe të familjes”, tha Bogujevci.

    Në fjalën e tij, Presidenti Bajram Begaj kërkoi unitet te shqiptarët.

    Ndërsa, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, theksoi se çlirimi i Kosovës u bë para së gjithash falë UÇK-së, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

    “Mund të them lirisht se arkitektura kufitare në rajon u kompletua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës”, tha Mesiq.

    Deputetë të opozitës falënderuan burrat e gratë që patën vullnetin e guximin për të luftuar për liri.

    Në këtë seancë morën pjesë edhe Rifat Jashari, ish-Presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, ish-sekretari i NATO-s, Lordi George Robertson dhe William Walker, i cili gjatë luftës përfaqësoi misionin e OSBE-së.

  • Përurohet shtatorja e Tony Blairit në qendër të Ferizajt

    Përurohet shtatorja e Tony Blairit në qendër të Ferizajt

    Përgatiti: Sara Shehu

    inaugurimit të shtatores së ish-kryeministrit britanik, Tony Blair. Ky nderim për të u bë derisa shteti shënoi 25-vjetorin e Çlirimit.

    “25 vite më parë liria erdhi dhe e përqafoi çdo pëllëmbë të vendit. Një çerek shekulli ku shqiptarët shembën themelet e robërisë. Kosova rilindi në qershorin e këtij viti. Kosova nuk u shlirua pa gjak, ka pasur sfida shumë. Lirinë askush nuk na e fali por ranë dëshmorë shumë nga populli”, tha kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

    Ndërkohë, Skulptori Agon Qosa i cili ka krijuar këtë shtatore, tha se realizimi i kësaj vepre ishte sfidë.

    “Është sfiduese të realizohen këto vepra. Kjo shtatore ka qenë një nga më të rëndësishmet dhe ia kam dalë ta realizoj. Të gjitha shtatoret i mirëmbaj me mundësitë e mia i pastroj”, tha Qosa.

    Që Britania e Madhe do të jetë gjithmonë afër Kosovës e konfirmoi edhe Ambasadori aktual i këtij shteti, Jonathan Hargreaves.

    “Ju kërkoj ndjesë që nuk ka pasur mundësi të vinte ju ka kërkuar falje… Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm, ende ka sfida, ne jetojmë në një botë që ndryshon. Por Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë Kosovën që të rinjtë të shohin të ardhmen në këtë vend”, tha Hargreaves.

    Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, nuk ishte i pranishëm në ceremoni, për të cilën shkroi një letër e cila është lexuar gjatë ceremonisë.

  • Shtatoret në Prishtinë, të papastra e të dëmtuara

    Shtatoret në Prishtinë, të papastra e të dëmtuara

    Përgatiti: Donita Bytyqi

    Shtatorja e heroit të kombit, Zahir Pajaziti, nuk po pastrohet rregullisht nga glasat e shpezëve.

    Gjendje e njëjtë është edhe te shtatorja e humanistes Nënë Tereza dhe te ajo e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

    Por edhe kur këto pastrohen nga institucionet, artistët thonë se nuk përdoren mjetet e duhura, të cilat po ndikojnë në dëmtim të materialit.

    “Herë pas here i pastrojnë prej komunës edhe nuk e kanë një pastrim të duhur, një mirëmbajtje të duhur”, tha Agon Qosa, skulptor.

    “Unë kisha me i lutë të gjithë entuziastët, të gjithë ata njerëz të dëshirës të mirë që kanë qejf në vizëllima kështu edhe ju pëlqen diçka medoemos duhet me vizëllu mos me i prek! Nuk lahen ato veç me ujë”, tha Skender Boshtrakaj, artist.

    Gjendja e shtatoreve të figurave me rëndësi për vendin, është shqetësuese edhe për qytetarët, që thonë se shpesh hasin edhe në mbeturina rreth tyre.

    “Shqetësuese është, edhe e madhe, duhet me i mirëmbajtë të gjitha këto, duhet me u kujdes komuna”, thotë një qytetar.

    “Përgjegjës janë ata të pastrimit që e kanë pagesën që e marrin prej shtetit, duhet me i mirëmbajtë dikush, ato dikur mujnë edhe me u prishë”, thotë një tjetër qytetar.

    Edhe Fatmir Sopi nga Organizata e Veteranëve të Luftës thotë se këto shtatore meritojnë trajtim më dinjitoz, gjë që nuk e vëren gjatë homazheve në ditë të rëndësishme.

    “Rastis që ato mos të jenë të mirëmbajtura, të jenë të përlyera, përreth tyre ka gjithandej mbeturina. Duhet të jetë dikush përgjegjës për mirëmbajtjen e shtatoreve dhe të monumenteve tjera në kryeqytet”, tha Sopi.

    Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prishtinë tregoi me shkrim se është duke u marrë me sigurimin e shërbimit të nevojshëm të mirëmbajtjes së shtatoreve.

    “Aktualisht, jemi në proces të prokurimit për mirëmbajtje, e cila përfshin edhe fontanat, statujat, bustet dhe pllakat përkujtimore”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prishtinë.

    Tashmë tenderi për këtë çështje është i hapur dhe do të zgjasë deri më 18 qershor, vlera e të cilit është 30 mijë euro.

  • ​Zbulohet shtatorja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair në Ferizaj

    ​Zbulohet shtatorja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair në Ferizaj

    Në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, sot në Ferizaj u zbulua shtatorja e ish-kryeministrit britanik, gjatë kohës së luftës në vendin tonë 1998-99, Tony Blair. Me këtë rast, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është bekimi i secilit shqiptar dhe emblema krenare e gjithë Kosovës.

    Ai tha se para 25 vjetësh, Kosova nuk ishte vetëm, derisa përmendi kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ish-kryeministrit britanik dhe të tjerëve për çlirimin e vendit tonë.

    Kryetari Aliu potencoi se kjo shtatore e Blair është krenare dhe e lavdishme si edhe vetë liria e Kosovës.

    Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves tha se Blair në pamundësi të merrte pjesë në këtë ceremoni, ndihet i nderuar për jetësimin e tij në bronz.

    Derisa citoi ish kryeministrin Blair, ai tha se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre 25 viteve. Hargreaves theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën për të arritur potencialin e saj të plotë.

    Në një fjalë rasti, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se Tony Blair ka qenë ndër të parët që i është përgjigjur thirrjes së popullit të Kosovës për ndihmë.

    Kryetari Krasniqi tha se Blair ka treguar guxim, dhembshuri dhe përkushtim për lirinë dhe demokracinë e Kosovës.

    Ndërsa, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku tha se Ferizaj sot po feston më ndryshe përvjetorin e çlirimit, duke zbuluar shtatoren e Blairit. Ai tha se kontributi dhe vendosmëria e Tony Blair ishin vendimtare për përfundimin e luftës në Kosovë.

    Drejtori i fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair dhe iniciatori, Bashkim Fazliu tha se inaugurimi i kësaj shtatoreje, ani pse u bë me vonesë, shënon freskinë e kujtesën e popullit tonë për kontributin e Blair në çlirimin e vendit.

    Ai tha se në kohën kur në Kosovë po ndodhte spastrimi etnik nga okupatori serb, Blair nuk qëndroi duarkryq, por veproi fuqishëm për lirinë e shtetit tonë, duke shtuar se populli jonë do të jetë përjetësisht falenderues për kontributin e tij.

    Shtatoren e Tony Blair e ka punuar skulptori, Agon Qosa, e cila u vendos në sheshin që mban emrin e tij, dhe është pranë “Sheshit të Dëshmorëve”.

  • Hahn: Jam i shqetësuar për Maqedoninë e Veriut, të respektohet Marrëveshja e Prespës

    Hahn: Jam i shqetësuar për Maqedoninë e Veriut, të respektohet Marrëveshja e Prespës

    Komisioneri Evropian për Buxhet dhe Administratë, Johannes Hahn shprehu inkurajimin e tij për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, që të respektojnë Marrëveshjen e Prespës dhe të punojnë për perspektivën evropiane të secilit vend, por edhe për të ndihmuar vendet fqinje.

    Ai tha se është i shqetësuar për Maqedoninë e Veriut, ndërsa kërkoi që të respektohet Marrëveshja e Prespës.

    “Sa i përket rastit me Maqedoninë e Veriut, kjo më shqetëson. Ne vetëm mund t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve, përfshirë veçanërisht qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, që t’i përmbahen Marrëveshjes së Prespës dhe të punojnë për perspektivën evropiane të secilit vend, por edhe të ndihmojnë vendet fqinje”.

    “Besoj se ky angazhim, veçanërisht ndaj vendeve fqinje, për t’i ndihmuar me përpjekje të vazhdueshme, do të mbështesë të gjithë rajonin. Sepse vërtet besoj se nëse bëjmë një hap të qëndrueshëm përpara, në rastin e Maqedonisë së Veriut, do të ketë ndikim në të gjithë rajonin, për shembull në bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilat duhet të riaktivizohen me Komisionin e ri, tha Hahn në një konferencë për shtyp në Bruksel duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari.

    Johannes Hahn, në Komisionin Europian (2014-2019) ishte komisioner për zgjerim dhe fqinjësi.

  • Kurti viziton familjen së cilës në Pejë në Ditën e Çlirimit forcat serbe ia masakruan 5 fëmijë

    Kurti viziton familjen së cilës në Pejë në Ditën e Çlirimit forcat serbe ia masakruan 5 fëmijë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjen Bala të Dardanisë së Pejës, familje së cilës në Ditën e Çlirimit forcat serbe ia masakruan 5 fëmijë.

    Ai u shpreh se teksa drita e lirisë po agonte në Kosovë, në errësirën e natës forcat e Serbisë po kryenin masakra.

    “Në ditën e çlirimit të Kosovës, në mbrëmjen e 12 qershorit 1999, në Dardani të Pejës u vranë 5 fëmijë. Pjesëtarët e forcave serbe hynë me dhunë në dhomat ku po flinin fëmijët. I mblodhën të gjithë anëtarët e familjes Bala në një dhomë. I vranë motrat Nita dhe Rina (5 dhe 6 vjeçare) bashkë me nënën Vjollcën (28 vjeçare). Vëllai i vogël Rroni (4 vjeçar) ishte fshehur pas nënës së tij Vjollcës”.

    “Kur kishin filluar të shtënat ai ishte alivanosur. Pasi ishte zgjuar, kishte shkuar te dhoma e gjyshes Mahije, që ishte e paralizuar. Ishte fshehur nën këmbët e saj. Të atin, Musën (31 vjeç) e kishin rrëmbyer me dhunë. Pesë ditë më vonë, më 17 qershor 1999, ai u gjetë i vrarë, i gjymtuar nga torturat. Më 12 qershor u vranë edhe Agoni (6 vjeçar), Dardanja (11 vjeçare) dhe Hajriu (12 vjeçar). Nëna e tyre, Halisja, u mbijetoi nëntë plumbave në trup. Mbijetoi edhe Isa me të birin Vetonin (8 vjeçar)”, shkroi Kurti.

    Kryeministri përmes një postimi në Facebook tha se askush nuk është dënuar, e as gjykuar për këtë masakër.

    “Në dhomën e ditës janë ende gjurmët e krimit të asaj nate. Në jetën e familjes Bala janë të përjetshme gjurmët e asaj masakre. Sikurse vrimat e plumbave në muret e shtëpisë, të hapura janë plagët në zemër. Në këtë ditë të shënimit të një çerekshekulli të çlirimit të Kosovës, përkujtojmë të gjithë fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë. Plagët e hapura të familjes Bala dhe të gjitha familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre kërkojnë drejtësi. Këto krime nuk mund të mbeten të pandëshkuara”.

    “Nuk mund të harrohen vuajtjet e qëndresa e popullit. Shumë gjak është derdhur e shumë jetë janë dhënë për lirinë që e gëzojmë sot. Falë kësaj sakrifice, brezat tani rriten të lirë. Po rriten me lirinë edhe tre fëmijët e Vetonit. Vajza mbanë emrin e hallës së vrarë, Dardane. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët e dëshmorët që u flijuan për liri”, shkroi tutje ai.

  • Dita e Çlirimit, Endriti kujton babain: Shpresoj vitin tjetër ta festojmë bashkë

    Dita e Çlirimit, Endriti kujton babain: Shpresoj vitin tjetër ta festojmë bashkë

    Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës me një fotografi të babait të tij në sheshin e Prishtinës bashkë me ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright dhe ish-presidentin amerikan, Bill Clinton.

    Endrit Thaçi ka shkruar se shpreson që në vitin tjetër të festoj bashkë me ish-presidentin Thaçi për Ditën e Çlirimit.

  • Haradinaj priti në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

    Haradinaj priti në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

    Me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vizituar Grupin Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    “Sot në Ditën e Çlirimit të Kosovës, na nderoi me vizitë Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Gëzuar Dita e Çlirimit shqiptarë kudo që jeni! Faleminderit President Begaj! Faleminderit Shqipëri!”, ka thënë Haradinaj.

  • Solana: Popullin e Kosovës e mbaj në zemër

    Solana: Popullin e Kosovës e mbaj në zemër

    Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, me rastin e 25 vjetorit të çlirimit i është drejtuar popullit të Kosovës.

    Në mesazhin e tij, Solana thotë “se e mban në zemër popullin e Kosovës”.

    Ai tha se Kosova duhet të shndërrohet në një shtet të fortë.

    “Duhet të jeni të aftë për të ruajtur demokracinë, të aftë ta ruani lirinë dhe të gatshëm të përgatiteni për ndryshimin e madh, që do të jetë integrimi evropian”, tha ai në mesazhin e tij për popullin e Kosovës.

    Më 12 qershor 1999-të, trupat e NATO-s hyjnë në Kosovë duke çliruar përfundimisht vendin nga okupatori serb.

    Në këtë ditë u përmbush ëndrra shekullore e popullit të Kosovës për liri.