ATV

Category: Lajme

  • Rohde reagon pas deklaratave të Hill se “Serbia s’duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE” – rikujton çfarë kishte thënë Scholz

    Rohde reagon pas deklaratave të Hill se “Serbia s’duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE” – rikujton çfarë kishte thënë Scholz

    Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka bërë një reagim mbrëmë vonë në X pas deklaratave të Ambasadorit të SHBA në Beograd, Chris Hill, i cili ka thënë se s’mendon që Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE.

    “Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të Kancelarit gjetman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor ’22 për normalizimin përfshirë njohjen reciproke. Kjo ende qëndron: Rruga është aty: Zbatim i plotë i marrëveshjeve të Brukselit/ Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, ka shkruar Rohde.

    Me këtë postim Rohde ka shpërndarë edhe lajmin me deklaratën e Kancelarit Scholz i cili kishte deklaruar se “…është e qartë se marrëveshja duhet që përfundimisht ta zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që s’e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE’së”, kishte deklaruar Kancelari.

  • Qytetarët: Organizimi për ditën e çlirimit ishte i mirë, por munguan shumë protagonistë të lirisë së Kosovës

    Qytetarët: Organizimi për ditën e çlirimit ishte i mirë, por munguan shumë protagonistë të lirisë së Kosovës

    Qytetarët kanë shprehur mendime të ndryshme lidhur me organizimin e shënimit të 12 qershorit, ditës së çlirimit, e që këtë vit ishte jubilar, 25-vjetori i ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, pas 78 ditë bombardime ndaj caqeve serbe, raporton EO.

    Qytetarët e intervistuar thonë se organizimi ishte modestë, porse kanë dashur që të kishte më shumë personalitete botërore të pranishëm, sidomos ata të cilët kanë qenë protagonist të çlirimit të Kosovës.

    Vesel Veseli, thekson se organizimi ishte modest, por e rëndësishme ka qenë se i është treguar botës se Kosova tashmë është shtet.

    “Ishte një organizim modest, i mirë me tregu me shënu 25 e çlirimit nga okupatori serb, kjo ka qenë sa dokudo parakalimi i FSK-së, i Policisë, do të thotë i treguam botës se kemi shtet, se shteti mbahet duke pas një ushtri të fort e një polici profesioniste. Tek atëherë luftohet krimi, e duke e luftuar krimin atëherë zhvillohet shteti dhe demokracia do të thotë me sundim të ligjit, se pa sundim të ligjit s’ka shtet dhe demokraci”, theksoi ai.

    Ai thotë se sipas mundësive organizimi ka qenë i duhur dhe më e mira ka qenë përfundimi pa ekses.

    Derisa, për mos prezencën e Toni Blairit, ai ka thënë se mirë do të ishte të qëndronte porse e ka arsyetuar me angazhimet e ai ka mundur t’i ketë.

    “Sipas mundësive, organizimi ka qenë i duhur dhe është e mire që ka përfunduar pa kurrfarë eksesi. Populli mjafton pa marr parasysh institucionet si e kanë organizuar diçka kur botën progresive demokratike tregohet që shqiptarët janë njerëz kooperativ që e duan demokracinë që e duan paqen, përkundër fqinjëve tanë Serbisë e cila kurrë nuk punon për paqe, po vetëm për destabilitet, për terrorizëm e gjenocid ndaj popullatave tjera…Tony Blair nuk mundem ta akuzoj, ndoshta misioni diplomatik sa ka qenë i angazhuar, ndoshta tjetër kund edhe është dashtë të shkoj atje në Ferizaj ku është përuruar përmendorja tij edhe s’ka pas kohë të rri këtu. Shumë mirë i ka dhënë fjaltë se unë pajtoj me demokracinë e Kosovës, shteti Kosovës po ec përpara dhe kështu duhet të ec”, theksoi ai.

    Ndërsa, Hakif Hamiti ka thënë se ka pasur dëshirë që ish-kryeministri britanik Tony Blair të qëndronte në Kosovë për 12 qershor.

    “Shumë me ka ardhur keq që nuk qëndroi Tony Blair, është vendimi i tij, nuk e di po shumë çudi që nuk qëndroi ta zbuloi edhe tregoj që ka ardhur me zbulu përmendoren në Ferizaj….Deri diku ka qenë organizimi i mirë, unë kam qenë mezi kam dal, jam hi me shku në banesë time, i kanë mbajtë gjysmë ore gjithë atë ngarkesë ushtarët thua ata që nuk janë njerëz, ushtaret tu qëndruar në diell, ata tu nejt ulur në hije”, theksoi ai.

    Edhe Ukë stokaj, thekson se më zor është ta mbash, se ta fitosh lirinë.

    “Ma kollaj është me fitu se me majtë, na me fitu e fitum e me majt s’po dimë. S’ditëm e hongrëm për veti, vramë bëmë gjithçka u bë në këtë vend”, theksoi Stojkaj.

  • Sot mblidhet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore

    Sot mblidhet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore

    Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për vitin 2023/2024 do të mblidhet sot.

    Në rend të ditës do të jetë diskutimi rreth angazhimit të ekspertëve në këtë komision.

    Në mbledhjen e kaluar, anëtarët e komisionit ishin pajtuar që përzgjedhja e ekspertëve të bëhet në formë të thirrjes dhe jo të konkursit.

  • Sot Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut

    Sot Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut

    Çdo vit më 14 qershor në shumë vende të botës organizohet “Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut”.

    Në maj të vitit 2005, gjatë Asamblesë Botërore të Shëndetësisë 58 ministrat e shëndetësisë nga e gjithë bota bënë një deklaratë unanime për përkushtimin dhe mbështetjen ndaj dhurimit vullnetar të gjakut.

    Nëpërmjet Rezolutës WHA58.13, ata caktuan Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut si një ngjarje vjetore që do të mbahet çdo vit më 14 qershor.

    Rezoluta u kërkon shteteve anëtare të zbatojnë dhe mbështesin programe gjaku të organizuara mirë, të koordinuara në nivel kombëtar dhe të qëndrueshme me mbikëqyrjen e duhur rregullatore, në mënyrë që të mund të mblidhet mjaftueshëm gjak i sigurt për të përmbushur nevojat e pacientëve.

    Slogani i këtij viti përkujton momentin historik të 20-vjetorit dhe ndikimin e thellë të dhurimit të gjakut në jetën e pacientëve dhe dhuruesve. Fushata shërben si një mundësi për të shprehur mirënjohjen ndaj plazmës së gjakut dhe donatorëve të trombociteve në botë për dhurimet e tyre jetëshpëtuese.

    Për më tepër, ai bën thirrje për veprim, duke motivuar më shumë individë që t’i bashkohen lëvizjes globale të dhurimit të gjakut.

    Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese që nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi nga njerëzit me vullnet të mirë në mënyrë të herëpashershme dhe pa pagesë.

    Nevojat për gjak janë shumë të mëdha pasi transfuzioni i gjakut apo përbërësve të tij, shërben shpesh për t’i shpëtuar jetën dikujt që pëson aksident apo ndërhyrje kirurgjike.

  • Rikthehet freskia, ky është parashikimi i motit për sot

    Rikthehet freskia, ky është parashikimi i motit për sot

    Ditën e sotme parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit e deri në orët e mëngjesit të kemi depërtimin e frontit të ftohtë, i cili do të sjellë destabilizim të motit.

    Nën këto kushte, gjatë kësaj periudhe kohore, do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe kohë pas kohe pritet të ketë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh.

    Dita do të vijojë me diell dhe vranësira, me tendenca që më vonë gjatë ditës vranësirat të tërhiqen në pjesën më të madhe të vendit.

    Përndryshe, nuk përjashtohet mundësia edhe për ndonjë reshje të izoluar në zona të caktuara.

    Era do fryjë kryesisht nga kuadrati i veriperëndimit, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 10-45 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme, me minimale që do të lëvizin prej 12 deri në 14°C, ndërsa ato maksimale prej 21 deri në 26°C.

  • Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit drejt fundit

    Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit drejt fundit

    Përgatiti: Nora Luta

    I akuzuari në rastin e vrasjes së Oliver Ivanovicit, Rade Basara, ka hequr dorë nga dhënia e mbrojtjes, një ditë pasi kishte filluar të deklarohet para trupit gjykues.

    Seanca ishte ndërprerë, pasi avokati Dejan Vasiq, i cili mbron Dragisha Markoviqin kishte dërguar praktikantin e zyrës së tij, ta zëvendësojë.

    Për këtë ai është dënuar nga gjykata të enjten me 350 euro meqë e pranoi gabimin.

    “I nderuar gjykatës, unë dje e kam bërë një gabim. Unë kam menduar që vepra penale është e dënueshme deri në 5 vite dhe praktikanti im ka mundur të më zëvendësojë. Por, unë e pranoj që ai nuk ka mundur të më zëvendësojë në seancën e djeshme dhe është ekskluzivisht gabimi im që seanca dje ka dështu. Unë do të pranoj vendimin e gjykatës pa asnjë lloj ankese”, tha Vasiq.

    Trupi gjykues shqiptoi vërejtje edhe ndaj avokatit të Silvana Arsoviqit, Musa Damati, për shkak të vonesës. Ndërkohë, Rade Basara i cili kishte filluar të mërkurën deklarimin rreth ngjarjes, tha se nuk mund të vazhdojë për arsye shëndetësore, për çka avokati paraqiti edhe raporte mjekësore.

    “Dje nuk jam ndier mirë dhe mjeku më tha se për shkak të tensionit të gjakut dhe aritmisë. 3-4 muajt e fundit kisha probleme me zemër dhe nga ky moment do të mbrohem në heshtje, sepse nuk jam në gjendje që ta përcjell këtë proces”, tha Basara.

    Prokuroria ngriti si çështje nëse Basara mund të ketë pasur presion për ta ndryshuar vendimin.

    “I nderuar gjykatës, unë i kam 66 vjet, për mua më e rëndësishme është shëndeti im, nuk ka pasur asnjë presion mbi mua”, tha Basara.

    Duke u thirrur edhe në Kodin e Procedurës penale, avokati Tomë Gashi dha sqarime tutje rreth vendimit të klientit të tij.

    Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanovicit do të vazhdojë javën e ardhshme me fjalën përfundimtare.

  • Graçanica mund të ketë më shumë shqiptarë sesa serbë

    Graçanica mund të ketë më shumë shqiptarë sesa serbë

    Përgatiti: A.Hamiti & J.Ismaili

    Graçanica mund të mos jetë më komunë e banuar me shumicë serbe. Ndonëse nuk është konfirmuar zyrtarisht, burimet i thanë ATV-së se nga procesi i regjistrimit të popullsisë, do të dalin më shumë shqiptarë sesa serbë.

    Agjencia e Statistikave e Kosovës ishte e heshtur sa iu përket shifrave, teksa rezultatet preliminare i ka paralajmëruar vetëm për 12 korrik.

    Sidoqoftë, Igor Jovanoviq, regjistrues nga Llapnasella, pretendon se 50% e komunitetit serb ka mbetur pa iu nënshtruar procesit të regjistrimit. Ai ankohet për numrin e vogël të personelit.

    “Sa i përket tërë komunës së Graçanicës, fillimisht ne na mungonte numri adekuat i regjistruesve, pra s’kishim mjaftueshëm dhe brenda afatit të caktuar ishte e pamundur për ne të përfundojmë qarkun e tërë të regjistrimit. Prisnim nga ASK-ja që ta zgjasë afatin, por nuk ndodhi dhe në fund ASK-ja deklaroi se në komunën e Graçanicës u regjistruan 90 për qind e banorëve. Unë u them me shumë përgjegjësi gjë të cilën e di edhe ASK-ja që kjo nuk është e vërtetë. Le të dalin me rezultate dhe e shohin sepse me përgjegjësi u them më shumë se 50 për qind nuk janë regjistruar meqë nuk kishim mjaftueshëm anketues”, tha Jovanoviq.

    Ndërkohë Branimir Stojanovic, banor i Graçanicës, thotë se në lagjen e tij regjistruesit as nuk kanë ardhur fare.

    “Organizimi për procesin e regjistrimit të banorëve në Graçanicë ishte shumë i dobët, ndodhi që një numër i madh i banorëve serbë nuk u vizituan fare nga regjistruesit e ASK-së. Në lagjen time ku unë banoj dhe në fqinjësi nuk erdhi askush. Pastaj unë kam shkuar personalisht në zyrë për t’u regjistruar dhe teknikisht kjo ishte e pamundur, sepse imagjinoni nëse 2, 3 apo 5 mijë njerëz nga Graçanica do të shkonin aty të regjistrohen. Madje vetëm 1 anketues fliste serbisht, andaj them se organizimi ishte shumë i dobët. Them se të dhënat e regjistrimit nuk do të jenë të sakta dhe nuk do ta dëshmojë gjendjen në terren”, tha Stojanovic.

    Statistikat që pritet të publikohen në mes të korrikut, sipas Kenan Gashit nga organizata AVONET mund të ndikojnë edhe në proceset politike në këtë komunë.

    Ndryshe, Komuna e Graçanicës e cila ka sipërfaqe prej rreth 120 km2 me 17 zona kadastrale, kufizohet me Prishtinën, Lipjanin dhe Fushë-Kosovën.

    Në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011 ka numëruar mbi 10 mijë banorë. 7000 prej tyre ishin serbë, ndërkaq 2400 shqiptarë.

  • Kurti krahason ekonominë sot me atë të vitit 2000

    Kurti krahason ekonominë sot me atë të vitit 2000

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Mbledhjen e qeverisë, kreu i saj e nisi me urim për ditën e çlirimit, teksa falënderoi krejt ata që ndihmuan vendin. E më pas prezantoi disa prej të arriturave gjatë këtyre vjetëve.

    Por s’la pa e lavdëruar pak edhe qeverinë e tij.

    Në përpjekje për të ndërtuar të ardhme më të mirë, e për t’i adresuar dhimbjet e së kaluarës, tha se po miratojnë strategjinë për drejtësi tradicionale.

    Detaje rreth asaj çfarë përmban strategjia, dha ministrja e Drejtësisë Albulena
    Haxhiu.

    Në mbledhjen e 208-të të saj, qeveria miratoi edhe disa projektligje, por njëri që po pritet tash e një kohë, ai për kodin civil, ende nuk është gati.

    Qeveria në mes tjerash ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Moska, si dhe kundër Iranit për shkak të programin të saj raketor.

  • Qeveria “dorëlirë” me mërgimtarët

    Qeveria “dorëlirë” me mërgimtarët

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Mërgimtarët që këtë verë do ta përdorin transportin rrugor për të ardhur në Kosovë, procedurat kufitare do t’i kalojnë më lehtë.

    Qeveria kësaj radhe po ua paguan tërësisht policën e sigurimit.

    Atyre u mbetet që në platforma online, ta shkarkojnë dokumentin para se ta marrin rrugën për vendlindje.

    “Duke pasur parasysh që një policë e tillë kufitare, sidomos kur kemi fluks gjatë muajve korrik dhe gusht krijon radhë të panevojshme dhe të tepërta që pastaj pas një rrugëtimi të gjatë dhjetëra orësh që bëjnë mërgimtarët, në momentin kur arrijnë në pika kufitare prapë do të ketë vonesa në mënyrë që të nxjerrin policën kufitare, ideja është që kësaj radhe ta bëjmë përmes qasjes online”, tha ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

    Përveç kësaj, të enjten, qeveria ndau edhe tre milionë euro, në kuadër të masës për mbështetjen e bizneseve për qasje në financa.

    Kjo i lehtëson procedurat për mërgimtarët që duan të hapin biznes në Kosovë.

    “Një biznes nëse në të kaluarën për të marrë një milion euro kredi iu është kërku nga banka që të ofrojë 2 milion euro asete, prona të paluajtshme, kësaj radhe me këtë dritare do të mundësohet që kërkesa për siguri nga banka të jenë dukshëm më të vogla dhe të llogaritet kryesisht vetëm pjesëmarrja e ekuitetit, ndërsa pjesa tjetër që financohet do të garantohet nga kjo dritare”, tha Murati.

    Veçse kjo më shumë po shihet si fushatë politike.

    “Pa dyshim që ky është një vendim politik, sipas vendimeve, qeveria ka filluar me fushatë zgjedhore. Kjo shumë për diasporën nuk është shumë domethënëse, nuk është diçka që ndikon tek ata për me pasë ndonjë lehtësim”, tha Fidan Qerimi, ekonomist.

    Dallimi i vendimit të sivjetmë me herët e kaluara është se tash kosovarët e diasporës nuk kanë nevojë që fillimisht të paguajnë për policën, e më pas qeveria t’i rimbursojë ata. Vetë ministri Hekuran Murati e pranoi se kjo nuk kishte funksionuar, meqë, sipas tij, logjistikisht ishte e papërshtatshme.

  • Shumë qytetarë shqiptarë nuk kanë qasje në pronat e tyre në veri

    Shumë qytetarë shqiptarë nuk kanë qasje në pronat e tyre në veri

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Kur kalon këndej, hapat i ngadalëson por e shton vëmendjen. Banesën ku u lind e u rrit, e sheh kështu nga largësia tash e 25 vjet.

    “Këtu kemi lindur të shtatë fëmijët… katër vëllezërit e tri motrat. Këtu i kemi kujtimet më të mira”, tha Shyqri Çeliku.

    Shyqri Çeliku, bashkë me familje u largua nga prona e tij e cila ndodhet në atë që sot është Mitrovicë e Veriut, në kohën e luftës, pa e ditur se nuk do të kthehet më aty.

    “Në ‘99 u dashtë me dalë, sepse nuk e ndijshim veten të sigurt”, tha Çeliku.

    Por, kur lufta përfundoi, prona ishte uzurpuar.

    “Në fillim nëse më kish thënë dikush që nuk do të kthehem as pas 25 vjetësh, isha çmend. Por, gjithmonë shpresa”, shtoi Çeliku.

    Shyqëriu megjithatë ka edhe pak shpresë që prona të cilën e trashëgoi nga babai do t’i kthehet.

    Agjencia për Krahasimin dhe Identifikimin e Pronës, vazhdon t’i urdhërojë uzurpatorët që t’i lirojnë banesat, kryesisht në pjesën e veriut të Mitrovicës.
    Së fundmi, një njoftim që të lirojë banesën e uzurpuar ia dërgoi një personi.

    Në kërkesë thuhet se banesa duhet liruar para 20 qershorit.

    “Ka filluar të lirohen pronat, por qytetarët duhet të kërkojnë për pronat e tyre”, tha Skender Sadiku, asamblist.

    Por nëse vendimi nuk zbatohet, banesa lirohet fizikisht, me asistim të policisë.

    Megjithatë, edhe nëse arrihet një vendim i tillë, familja Çeliku e ka të vështirë të kthehet në lagjen ku dikur jetonte e lumtur.

    “Siguria nuk bëhet në lagje, siguria bëhet në shtet”, tha Çeliku.

    “Unë nuk jam në gjendje me menaxhu këtë banesë, sepse situata është shumë e brishtë. Nuk e kam këtu afër asnjë shqiptar. Qysh me u kthy, nuk është e sigurt”, shtoi Çeliku.

    Andaj, derisa të ndodhë rikthimi, banesën që nuk e gëzoi në liri, Çeliku mund ta zotërojë veç në këtë pikturë.