ATV

Category: Lajme

  • Nis korrja e drithit në Seman te Fierit, fermerët ankohen për çmimin: Po shesim nën kosto, na mbyti importi

    Nis korrja e drithit në Seman te Fierit, fermerët ankohen për çmimin: Po shesim nën kosto, na mbyti importi

    Në Seman te Fierit ka filluar sezoni i korrjes së elbit dhe grurit. Edhe pse prodhimi është i mbarë falë edhe kushteve atmosferike, fermerët në Seman janë të zhgënjyer nga çmimi i ulët i drithit.

    “Kam 80 kw grurë të mbetur stok nga viti i kaluar”, tregon një fermer. “Për pak ditë do të filloj korrjen e grurit të ri dhe nuk kam kushte për magazinim. Ndërkohë, problemi janë edhe brejtësit”.

    Me një çmim prej 2500 lekë për kw, fermerët nuk arrijnë të mbulojnë as shpenzimet, duke qenë një çmim nën kosto.

    “Vitet e shkuara, kur korrnim grurin, vinin tregtarët dhe e merrnin në arë”, tregon Petraq Peto, autokombajnist prej 50 vitesh.

    “Ndërsa sot nuk pyet njeri fare. Në zonën tonë prodhojmë grurë bio të mbushur plot me proteina, ndërsa tregu është i mbushur plot me grurë që vjen nga Ukraina dhe Serbia.”

    Sipas kultivuesve, tregu nuk ka një rregullator që të përcaktojë një çmim tavan, dhe kjo i bën të stepen. Përvoja e viteve të shkuara ka treguar se për shkak të importit, çmimi ulet dhe fermerët e mbajnë grurin stok.

    Për të mos e hedhur, e përdorin si ushqim për bagëtinë. Ndaj, thirrja e tyre shkon për shtetin në këtë moment, kur korrja e grurit sapo ka filluar. Mungesa e një pike për grumbullimin dhe magazinimin e prodhimit paraqet një vështirësi tjetër për fermerët në Myzeqe.

  • Në Kosovë fillon të jepet terapia për parandalimin e infeksionit nga virusi HIV

    Në Kosovë fillon të jepet terapia për parandalimin e infeksionit nga virusi HIV

    Nga kjo javë, në Kosovë ka nisur të jepet terapia për parandalimin e infeksionit para ekspozimit ndaj virusit HIV, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Murat Mehmeti, shef i repartit për sëmundje seksualisht të transmetueshme në Klinikën Infektive në Prishtinë.

    Virusi HIV e dëmton sistemin imunitar të personit të prekur, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj infeksioneve të rënda.

    Virusi mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar.

    Terapia “PrEP” (profilaksia para ekspozimit) është medikament, i cili përdoret te njerëz që janë HIV negativ, për të zvogëluar rrezikun e marrjes së virusit.

    Sipas Mehmetit, terapia në formë të tabletave, fillimisht do t’u jepet personave LGBTI+, por edhe të tjerëve që e kanë partnerin pozitiv me HIV, ose kanë nevojë për të.

    Sigurimi i kësaj terapie ka qenë një projekt i përbashkët i institucioneve të Kosovës, Fondit Global (Global Fund) dhe Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Sociale nga Prishtina, tha Mehmeti.

    Organizata ndërkombëtare financiare, Fondi Global, me fokus në parandalimin si dhe trajtimin e të sëmurëve me HIV/AIDS, i ka siguruar barna për dy vjet. Pas kësaj periudhe, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës do ta marrë përsipër sigurimin e tyre, shpjegoi ai.

    Terapia në formë tabletash me paketim 30 copë, do të mund të merret në barnatoren e Klinikës Infektive, pas konsultimeve me mjekun.

    Agron Nuhiu, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Sociale, tha për Radion Evropa e Lirë se në këtë projekt është punuar prej vitit 2016.

    Kosova, sipas Nuhiut, është shteti i dytë në rajon që e ofron këtë terapi falas, pas Maqedonisë së Veriut.

    Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër HIV/AIDS-it, më 1 dhjetor 2023, e ka gjetur Kosovën me 13 raste të reja të personave të prekur me këtë virus gjatë atij viti.

    Në vitin 2022 në Kosovë ishin shënuar 17 raste të reja me HIV/AIDS – shifër që paraqiti dyfishim rastesh në krahasim me vitin 2021, kur ishin regjistruar tetë të tilla. /REL

  • Tetë persona dënohen me mbi 28 vite burgim për hedhjen e granatave në dy lokale afariste në Prishtinë

    Tetë persona dënohen me mbi 28 vite burgim për hedhjen e granatave në dy lokale afariste në Prishtinë

    Gjykata Themelorë në Prishtinë i ka shpallur fajtorë të akuzuarit Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Adnan Murtezi, Fidan Cakolli, Gentrit Ismajli dhe Diar Thaçi – që ngarkohen se si grup kriminal, në qershor të vitit 2022 hodhën granata dore në lokalet “Missini” dhe “Rizza Hair Salon”. Atyre u janë shqiptuar më shumë se 28 vite burgim.

    Nga akuza janë liruar Lundrim Beqiri, Egzon Cakolli dhe Kreshnik Kurti, të cilët akuzoheshin për pjesëmarrje në organizim të grupit kriminal, veprime përgatitore të veprës penale “Vrasje e rëndë”, “Detyrimi” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Më së shumti është dënuar Arianit Pllana me 4 vite e 10 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Detyrimi”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Deklarimi i rremë”.

    Adhurim Krasniqi, Bekë Salihaj dhe Valdrin Beqiri janë dënuar me nga 4 vite burgim secili veç e veç për veprën penale shtyrje në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

    Fidan Cakolli, Gentrit Ismajli dhe Diar Raçi janë dënuar me nga 3 vite burgim se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    Adnan Murtezi është dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

    Ndërkaq, Lundrim Beqiri është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 muaj burgim dhe 500 euro gjobë për posedim të paautorizuar i narkotikë dhe substancave narkotike.

    Më 7 qershor është dhënë fjala përfundimtare për këtë rast.

    Sipas aktakuzës së ngritur 24 shkurt 2023, të akuzuarit Lundrim Beqiri i njohur si “Haveri”, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Fidan Cakolli, Diar Raçi, Bekë Salihaj, Arianit Pllana, Kreshnik Kurti, Adnan Murtezi, Gentrit Ismajli dhe Egzon Cakolli ngarkohen se si grup kriminal i organizuar në qershor të vitit 2022 hodhën granata dore në lokalet “Missini” dhe “Riza Hair Salon” me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm.

    Të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” lidhur me veprat penale, veprimet përgatitore për veprën penale “Vrasje e rëndë”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe veprën penale “Detyrimi”.

    Ndërsa i akuzuari Lundrim Beqiri po akuzohet edhe për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

  • Protestojnë ish-punëtorët e Rilindjes, kërkojnë t’u paguhet 20% dhe t’u njihet përvoja e punës

    Protestojnë ish-punëtorët e Rilindjes, kërkojnë t’u paguhet 20% dhe t’u njihet përvoja e punës

    Punonjësit e NGB “Rilindja” organizuan tubim protestues në shenjë pakënaqësie për mosrealizimin e takimit me kryetarin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raporton Ekonomia Online.

    Ata kanë bërë disa kërkesa, e njëra ndër to ishte edhe dhënia e 20 përqindeshit.

    Zeqir Bekolli, nga ‘NGB Rilindja’, kërkoi qe të iu jepet pagesa e mbetur e 20 përqindeshit, gjithashtu kërkuan edhe dhënien e pronës prej 5.5 hektarë si dhe dhënien e pagesës tjetër të 20 përqindeshit.

    Një tjetër kërkesë e punonjësve ishte edhe prona në Tiranë që sipas tyre është uzurpuar.

    “Pagesën e mjeteve të mbetura të 20 përqindëshit dhe pagesë  e 20 përqindëshit për 5.5 hektarë truall. Njësia e gazetës “Rilindja” ka edhe një kërkesë për AKP-në që lidhet me pronën tonë në Tiranë, e uzurpuar që nga viti 2005, të na lirohet”, tha Bekolli.

    “Me këtë rast e kemi edhe një kërkesë për AKP-në e ajo lidhet me pagesën e kontributeve për punëtorët e “Rilindjes”, në mënyrë që të marrim pensionin e plote kontributdhënës. Kjo mund të bëhet për faktin se AKP-ja i ka marrë përsipër obligimet e ndërmarrjes”, shtoi Bekolli.

  • ​Ministrat Sveçla dhe Haxhiu vizitojnë Policinë e Kosovës

    ​Ministrat Sveçla dhe Haxhiu vizitojnë Policinë e Kosovës

    Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, së bashku me stafin e lartë menaxhues, kanë pritur në takim zyrtar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Nw njoftim thuhet se fokusi i vizitës së ministrave, përveç tjerash, ishte te Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, për të parë nga afër punën, angazhimin dhe përkushtimin e kësaj drejtorie në hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar të cilët kanë kryer krime e gjenocid në Kosovë.

    “Duke folur për drejtësi për viktimat dhe shoqërinë lidhur me krimet e luftës përfshirë dhunën seksuale, të përdorur si armë lufte në Kosovë, u vlerësua se duhet shtuar edhe më tej angazhimi i përbashkët i hetimit, arrestimit dhe procedimit penal të të gjitha rasteve të krimeve të luftës tek organet e drejtësisë”, njofton Policia e Kosovës.

    Në takimin e përbashkët me stafin e lartë menaxhues, pjesë e të cilit ishin edhe stafi i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, u ritheksua zotimi për të mos reshtur së hetuari e kërkuari drejtësi për krimet e luftës, si dhe u ofrua mbështetje e plotë ndaj Policisë së Kosovës, e në veçanti ndaj kësaj drejtorie mjaft të rëndësishme.

  • Kurti mori pjesë në pritjen lamtumirëse të Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë

    Kurti mori pjesë në pritjen lamtumirëse të Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë mbrëmë në pritjen lamtumirëse të Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, Rastislav Kostilník.

    Kjo ngjarje u shënua përmes ekspozitës së ambasadorit “Arti përmes këndit të një diplomati”, e cila shënoi dhe përmbylljen e rrugëtimit të tij si udhëheqës i Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë.

    Kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që përgjatë tri vjetëve të fundit, bashkërisht me ambasadorin Kostilník ka patur mundësi të zhvillojë biseda të ndryshme me fokus në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Sllovakisë, por edhe mbi të ardhmen e kontinentit tonë dhe rreth Bashkimit Evropian, si projekti më i madh i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore.

    “Ju uroj gjithë të mirat në detyrat tuaja të ardhshme dhe ju falënderoj për të gjitha përpjekjet dhe kontributin në thellimin e marrëdhënieve tona dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Sllovakisë”, u shpreh kryeministri.

    Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë, Rastislav Kostilník, përmbyll këtë muaj misionin e tij si udhëheqës i misionit, pas pesë viteve të shërbimit në Kosovë.

  • Ambasadori i Kosovës në Bruksel reagon pas deklaratës së Hillit: S’mund të ketë normalizim pa njohje reciproke

    Ambasadori i Kosovës në Bruksel reagon pas deklaratës së Hillit: S’mund të ketë normalizim pa njohje reciproke

    Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili ka thënë se s’mendon që Serbisë duhet t’i kërkohet njohja e Kosovës si kusht për hyrje në BE. Hill dje ka thënë se BE-ja po kërkon normalizim mes dy shteteve.

    Bajrami në reagimin e tij ndaj diplomatit amerikan ka thënë se synimi i dialogut është normalizimi dhe se pa njohje reciproke s’mund të arrihet diçka e tillë.

    “Qëllimi i Dialogut të Brukselit të udhëhequr nga BE është të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet #Kosovës dhe Serbisë. Pa njohje reciproke, nuk mund të ketë normalizim”, ka shkruar Bajrami, duke potencuar se kjo gjë është e qartë dhe e thjeshtë.

  • Biden thotë se nuk pritet marrëveshje për armëpushim në Gazë në të ardhmen e afërt

    Biden thotë se nuk pritet marrëveshje për armëpushim në Gazë në të ardhmen e afërt

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha të enjten se nuk pret të arrihet një marrëveshje armëpushimi për luftën në Gazë në një të ardhme të afërt, pasi një propozim i mbështetur nga SHBA-ja dhe të tjerët nuk është pranuar plotësisht nga Izraeli apo Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

    Biden tha se për armëpushimin, liderët ndërkombëtarë kanë diskutuar në samitin e G7-ës në Itali, por kur u pyet nga gazetarët nëse një marrëveshje armëpushimi do të arrihet së shpejti, ai u përgjigj thjesht “jo”.

    “Unë nuk e kam humbur shpresën”, shtoi ai.

    Më herët të enjten, këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, hodhi poshtë pretendimet se Izraeli nuk është plotësisht i përkushtuar ndaj planit të armëpushimit.

    “Izraeli e ka dhënë këtë propozim. Ka kohë që është ulur në tavolinë. Izraeli nuk e ka kundërshtuar dhe nuk e ka kthyer atë prapa”, tha Sullivan.

    Hamasi i është përgjigjur planit me kërkesa për ndryshime dhe Sullivan tha se qëllimi është “të kuptojmë se si të punojmë për të kapërcyer boshllëqet e mbetura dhe për të arritur një marrëveshje”.

    Hamasi thotë se ndryshimet e kërkuara synojnë të garantojnë një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza. Propozimi i armëpushimit i shpallur nga Biden, i përfshin këto dispozita.

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi të hënën një rezolutë për ta mbështetur propozimin e Shteteve të Bashkuara, me 14 vota për dhe asnjë kundër. Rusia abstenoi.

    Propozimi i presidentit amerikan, Joe Biden përfshin tri faza për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

    Faza e parë përfshin një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga “të gjitha zonat e banuara“ të Gazës, disa pengje – të moshuar dhe gra – do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë; civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazë; dhe 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihmë humanitare në enklavën e rrënuar.

    Në fazën e dytë, do të shkëmbeheshin të gjitha pengjet e gjalla, përfshirë ushtarë; forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Gaza dhe armëpushimi i përhershëm do të niste.

    Faza e tretë parasheh një plan të madh rindërtimi për Gazën, si dhe rikthimin e “mbetjeve të fundit” të pengjeve te familjet e tyre.

    Izraeli e nisi luftën, duke u zotuar për ta shkatërruar Hamasin, pasi grupi radikal palestinez i vrau rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe i rrëmbeu mbi 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit.

    Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor, në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli./REL/

  • Sulmohet personi zyrtar në Suharekë, arrestohet i dyshuari

    Sulmohet personi zyrtar në Suharekë, arrestohet i dyshuari

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person pasi ka sulmuar një person zyrtar në Suharekë.

    I dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për arsye se i njëjti ka kryer veprën e lartcekur. I dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.

  • Përvjetori i themelimit të IKShPK-së, Ramadani: Po shënojmë 99 vite të adresimit të problemeve shëndetësore

    Përvjetori i themelimit të IKShPK-së, Ramadani: Po shënojmë 99 vite të adresimit të problemeve shëndetësore

    Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të premten shënoi 99 vite nga themelimi i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe degëve regjionale me ç’rast në tryezën e mbajtur u diskutuan të arriturat dhe sfidat, raporton EO.

    Kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku – Mullhaxha, tha se sot është dita e të gjithë përfaqësuesve të IKShKP-së dhe MSh-së.

    Zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë, Dafina Gexha, tha se Instituti është përballë me sfida të kohës, sfida të cilat përgjatë historisë kanë nxjerrë kuadro të shquara.

    “Ky moment është historik për të gjithë që kanë punuar e kontribuar për këtë institucion. Teksa reflektojmë per vitin e kaluar ne shohim ndikimin e Institutit për përparimin e shëndetit. Sfidat me të cilat përballemi sot janë komplekse, ne sot reflektojmë mbi arritjet”, tha ajo.

    Naser Ramadani, Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, tha se sot është një moment solemn, IKShKP-ja mund të konsiderohet si pikë e shndritshme marrë parasysh të arriturat. IKShKP-ja, do vazhdojë të kujdeset për shëndetin e popullatës për një mjedis të shëndoshë e popullatë.

    “Po shënojmë 99 vite që shënon adresimin e problemeve shëndetësore. Ne duhet të kuptojmë rrethanat e vështira në të cilat ka kaluar popullata e Kosovës dhe përpjekjet e mëdha. Për gjithë këto vite IKShKP-ja ka zbatuar me sukses duke pas vazhdimisht mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ai.

    Profesori, Isuf Dedushaj, bëri një rezyme prej kur ka nis punën IKShKP-ja.

    “1925 kam folur me Rockfeller në Kosovë nuk ka pas asnjë mjek shqiptar. 1986 kam përfunduar mjekësinë në Universitetin e Vlorës. Presidenti Rugova na ka dekoruar në përvjetorin e 65-të, shpresoj se të dekorohen edhe në 100 vjetori, tha ai ndër tjera.

    Theksojmë se, prezent ishin edhe përfaqësues nga Organizata amerikane WHO, ndaj të cilëve u bë një falënderim për kontributin e dhënë.