ATV

Category: Lajme

  • Të përfshirë në vjedhje grabitqare, Policia kërkon ndihmë për identifikimin e dy personave

    Të përfshirë në vjedhje grabitqare, Policia kërkon ndihmë për identifikimin e dy personave

    Policia e Kosovës ka publikuar fotot e dy personave që dyshohen të jenë përfshirë në një rast të vjedhjes grabitqare, që ka ndodhur më 5 shkurt në Prishtinë.

    Për t’i identifikuar të dyshuarit, Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve në ofrimin e informacioneve që çojnë në arrestimin e tyre.

    “Njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra më Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave që shihen në fotografi.

    Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në një rast, Vjedhje grabitqare, që ka ndodhur me datën 05.02.2024, në Prishtinë.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendodhjes së tyre, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192.”

  • ASK-ja tregon se kur do të dalin pagesat për regjistruesit e popullsisë

    ASK-ja tregon se kur do të dalin pagesat për regjistruesit e popullsisë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) njofton Mbikëqyrësit dhe Regjistruesit e popullsisë se Pagesat për periudhën e angazhimit të tyre për punën në terren do të fillojnë javën e ardhshme.

    Në njoftim thuhet se bazuar në procedurat e zakonshme dhe angazhimin maksimal të stafit të ASK-së për pagesat e shumta dhe të ndryshme për Mbikëqyrës e Regjistrues, pagesat do të fillojnë të bëhen nga data 17 qershor 2024 dhe para fundit të muajit qershor do të procedohen për pagesë për të gjithë të angazhuarit.

    “Meqenëse është një numër i madh i Mbikëqyrësve dhe Regjistruesve, pagesat mund të mos procedohen në të njëjtën kohë për të gjithë. Për çdo lëshim teknik që mund të ndodh, ju mund të parashtroni ankesë te Departamenti i Administratës së ASK-së”, thuhet në njoftim.

  • ​Goditet për vdekje biciklisti në Tiranë

    ​Goditet për vdekje biciklisti në Tiranë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në Tiranë.

    76-vjeçari Vlash Sokoli i cili po lëvizte me biçikletë u përplas nga një makinë e për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.

    “Në bulevardin “Zhan D’ark”automjeti me targa TR 6509 H, me drejtues shtetasin Gezim Marashi i dtl.12.07.1969 me leje drejtimi kategoria B , ka perplasur shtetasin Vlash Sokoli 76 vjeç i cili ka qene me biçiklete duke kaluar karrexhaten ne i cili ka ndërruar jetë në vend ngjarje”,-thuhet në njoftimin e policisë. /Euronews.al/

  • Osmani takohet me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e Presidencës së Bosnjes

    Osmani takohet me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e Presidencës së Bosnjes

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në Samitin e krerëve të të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

    Osmani me këtë rast është takuar me kryesuesin e presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq.

    E para e shtetit ka zhvilluar një takim edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashin.

    Përgjatë qëndrimit në Shkup, presidentja do të zhvillojë edhe takime të tjera.

    Ndryshe, në këtë samit, Osmani do t’i bashkohet krerëve të shteteve pjesëmarrëse për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon.

  • Thyhen me çekiç statuja e Papës dhe Nënë Terezës në New York

    Thyhen me çekiç statuja e Papës dhe Nënë Terezës në New York

    Një rast vandalizmi është regjistruar në Brooklyn në SHBA. Një person është arrestuar pasi ka thyer me çekiç statujat e Papa Françeskut dhe Nënë Terezës në një kishë katolike. Autori i sulmit po ashtu ka goditur me gurë edhe dyert e kishës.

    Statujat e Nënë Terezës dhe Papës Gjon XXIII në Avenue 20 në Bensonhurst, pas incidentit janë mbuluar me copë të kuqe dhe dyert e kishës katolike romake të Shën Dominikut janë veshur me dërrasa.

    30 vjeçari Randy Maldonado Avila, pas këtyre akteve kishte vazhduar serinë e vandalizmit duke shkatërruar një tabelë në një stacion autobusi, njoftonte më tej policia. Nuk dihen arsyet e zemërimit të 30 vjeçarit me figurat e kishës, por Maldonado Avila nuk kishte precedentë penalë. Ai u arrestua rreth 15 minuta pas akteve shkatërrimtare dhe u akuzua për shkelje vandalizmi, zotërim arme të ftohtë, sipas policisë së New York. Ai mund të akuzohet ose për vandalizëm, ose për “krime urrejtjeje”.

  • Përurohet shërbimi i Kardiologjisë Intervente në Prizren, Kurti: Shërbimi i ri do të ndihmojë që të shërojë jetë

    Përurohet shërbimi i Kardiologjisë Intervente në Prizren, Kurti: Shërbimi i ri do të ndihmojë që të shërojë jetë

    Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit të premten është përuruar shërbimi i Kardiologjisë Intervente – Laboratori i Kateterizimit, raporton EO.

    Drejtoresha e Spitalit të Prizrenit, Narqize Aliu, tha se ky shërbim do të ofrojë mundësi për të shpëtuar jetë.

    “Dita e sotme është një ngjarje me rëndësi të veçant për të gjithë ne. Ky shërbim na ofron mindësi që të shëptojmë jete. Reagimi adekuat dhe i shpejt është i rëndësishme në emergjcat kardiake. Pa ndihem dhe përkrahjen e juaj nuk do të ishim këtu. Besojm që kjo punë dhe tërë përkushtimi yt për ngritjen e cilësisë në spitale është prezente”, tha ajo.

    Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se në vitin 2023 kanë pasur përfomancë rekorde të ndërhyrjeve.

    “Kemi pasur mbi 4100 procedura të kryera, dhe mbi 2500 vendosje të stentës. Suksesi varet shumë nga koha e ndërhyrjes. Shërbimi i ri do të mbulojë gjithë rajoni e Prizrenit. Do të ndihmoj që të shërojë jetë dhe do të ulë listën e pritjes. Shërbimi do të filloj sot. Adaptimi i hapësirë është investim nga MSH-ja që kap vlerën rreth 1 milion euro. Plani është përpiluar qysh në vitin 2018. SHSUK ka sigurua të gjitha materialet shpenzues mbështetje profesionale do të ofrohet nga SHSKUK-ja. Ajo çfarë presim të jenë rezultat është reduktimi i listës së pritjes në rajonin e Prizrenit. Qytetarët të kenë qasje në cilësi të lartë, dhe me kosto të ulët”, theksoi Kurti.

    Kurse, ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz, ka thënë se shteti i tij pothuajse e ka mbështetur sektorin shëndetëso të Kosovës dy dekada dhe kontribuoi në ndryshime thelbësore në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor.

  • A do të kthehet shërbimi ushtarak me detyrim në Gjermani?

    A do të kthehet shërbimi ushtarak me detyrim në Gjermani?

    Ministri gjerman i Mbrojtjes prezantoi një koncept të ri që duhet të rrisë numrin e ushtarëve të Bundeswehr-it. Cilat janë të rejat e konceptit?

    Që nga pezullimi i rekrutimit në vitin 2011, Bundeswehr-it i mungojnë ushtarë. Në vend që të punësonte më shumë personel, Bundeswehri filloi të zvoglohet. Në mars, statistikat regjistruan vetëm 181,123 rekrutë. Sipas planeve të ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius (Partia Socialdemokrate e Gjermanisë SPD), kjo tani duhet të ndryshojë. Premtimi i Gjermanisë për NATO-n: deri në vitin 2031, Bundeswehri duhet të numërojë 203.000 ushtarë, e më vonë ndoshta edhe 240.000.

    Ministri i Mbrojtjes Pistorius ka thënë vazhdimisht, se Bundeswehri duhet të bëhet më në fund “gati për luftë”. Pistorius flet për një situatë të re kërcënuese. “Rusia po bën luftë,” u tha ai gazetarëve në Berlin të mërkurën (13.06.2024). Siç tha ai, Rusia do të jetë në gjendje të sulmojë një nga anëtarët e NATO-s në vitin 2029. Pistorius kaloi muaj për të përgatitur konceptin e tij për shërbimin e ri ushtarak që tani e prezantoi në Berlin. Megjithatë, nuk flitet më për shërbimin e detyrueshëm ushtarak: “Ne parashikojmë shërbimin selektiv ushtarak. Për shërbimin ushtarak duhet të zgjidhen më të përgatiturit, më të përshtatshëm dhe më të motivuarit”, shpjegon Pistorius.

    Problemi: infrastruktura e kufizuar

    Koncepti i Pistorius nuk përfshin rekrutimin e përgjithshëm ushtarak. Fillimisht, kërkesa e vetme është që 18-vjeçarët të plotësojnë një pyetësor. Ky është një detyrim për meshkujt, por jo edhe për gratë. Ata që kontaktohen duhet të shpjegojnë nëse në përgjithësi do të ishin të gatshëm të shërbenin në ushtri. Kjo do të zgjaste gjashtë muaj, me mundësi zgjatjeje deri në 23 muaj. Pistorius vlerëson se rreth 400.000 burra do të duhet të plotësojnë pyetësorin çdo vit. Ai shpreson që një e katërta e tyre mund të shfaqin interes. Është planifikuar që rreth 40.000 kandidatë të ftohen për provim, gjegjësisht kontroll të aftësive të tyre fizike dhe mendore. Pjesëmarrja në rast ftese është e detyrueshme. Sigurisht, e drejta për të refuzuar më pas shërbimin ushtarak ekziston ende.

    Çështja e kapaciteteve të mjaftueshme për montim dhe trajnim të plotë mbetet e paqartë. “Faktori kufizues”, sipas Pistorius, është infrastruktura e kufizuar. Kjo do të thotë kazerma, instruktorë, pajisje. Vlerësohet se për të arritur objektivin e 5000 rekrutëve shtesë në vit, do të nevojiteshin rreth 1.4 miliardë euro. Pistorius gjithashtu llogarit në një rritje të numrit të të ashtuquajturve rezervistë, kryesisht ata që shërbyen para pezullimit të shërbimit ushtarak në 2011. Ai dëshiron të kontaktojë me ta dhe shpreson të rrisë numrin e rezervistëve me 200.000 njerëz.

    Shërbimi ushtarak “gjysmë vullnetar”

    Këto plane i bëjnë forcat vullnetare të Bundeswehrit gjithnjë e më pak vullnetare. Për Hans-Peter Bartels, megjithatë, koncepti i Pistorius mund të jetë vetëm hapi i parë. Ai është president i Shoqatës për Politikë të Sigurisë, dhe më parë ka qenë komisioner i mbrojtjes i Bundestagut gjerman. Në një intervistë për DW, Bartels shprehet qartë se vetëm pyetësori “nuk e zgjidh problemin”. “Pyetësori është aty për ta plotësuar. Dhe nëse keni dyshime, plotësoni që të mos ju prekin më. Mund t’i ndryshojë pak gjërat, por si rregull nuk ndryshon asgjë.”

    Bartels sheh një problem tjetër: parimin e drejtësisë në rekrutim; do të thotë se burrat dhe gratë janë njëlloj përgjegjës. Sipas kushtetutës, shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Gjermani aktualisht prek vetëm burrat. “Nëse do të donit të arrinit atë që dëshiron ministri, do të duhej të ndryshonit Kushtetutën. Dhe Pistorius e di këtë. Siç është tani, plani i tij nuk funksionon,” thotë Bartels.

    Me riarmatimin e Republikës Federale të Gjermanisë në mesin e viteve 1950, burrat nga mosha 18 vjeç u rekrutuan në shërbimin ushtarak. Ideja: ushtarët duhet të jenë “qytetarë me uniformë”. Në verën e vitit 2011, shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Gjermani u pezullua, por nuk u shfuqizua. Në atë kohë, Bundeswehri do të reduktohej. Por në rast të ndonjë tensioni apo nevoje për mbrojtje, rekrutimi mund të aktivizohet sërish. Sot, Bundeswehri është një ushtri vullnetare në të cilën shërbejnë edhe gratë. Që në fillim, Boris Pistorius kritikoi pezullimin e shërbimit ushtarak, madje e quajti atë një “gabim”.

    Gjermanët duan rekrutimin

    Nëse i pyet gjermanët nëse vendi ka nevojë përsëri për shërbimin ushtarak, shumica është e mendimit: Po! Një sondazh i fundit i institutit të kërkimit të opinionit publik YouGov për të përditshmen “Welt am Sonntag” tregoi se 60 për qind ishin në favor të rekrutimit të përgjithshëm.

    Politikanët reaguan mjaft të rezervuar ndaj konceptit të paraqitur të Pistorius. Sidomos në koalicionin qeverisës të SPD, të Gjelbërve dhe Liberalëve (FDP). Politikani i SPD-së Boris Pistorius po përballet edhe me rezistencë brenda partisë së tij. Kancelari Olaf Scholz ishte i rezervuar që në fillim. Kreu i SPD, Lars Klingbeil foli në favor të vazhdimit të mbështetjes në rekrutim vullnetar. Edhe partneri i koalicionit të gjelbër është mjaft skeptik. Kreu i FDP-së, Christian Lindner, shkroi në X: “Në vend të rekrutimit të ri, ne duhet të bëjmë më shumë njerëz të interesuar të shërbejnë në Bundeswehr dhe të forcojmë rezervën.” Pistorius mori mbështetje në parim nga radhët e opozitës Kristiandemokrate Unioni CDU/CSU. Megjithatë, Bashkimi do të donte më shumë detyrime dhe më pak vullnetarizëm.

    Eksperti i mbrojtjes Hans-Peter Bartels përmbledh situatën për DW: “Koncepti nuk është një goditje e plotë, por fillimi i një ndryshimi që na thotë se kemi nevojë urgjente për më shumë ndryshime.” Është e qartë se idetë e Pistorius janë kryesisht vetëm – ide. Tani fillon diskutimi i vërtetë social dhe politik rreth konceptit të Pistorius./DW

  • ​Fillojnë aktivitetet me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Rahovecit

    ​Fillojnë aktivitetet me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Rahovecit

    Me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Komunës së Rahovecit, kryetari i kësaj komune Smajl Latifi, së bashku me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve.

    Për nder të çlirimit të Rahovecit kjo komunë ka organizuar disa aktivitete.

    Kuvendi Komunal i Rahovecit mban mbledhje solemne, ku do t’i ndahet çmimi “Qytetar Nderi” ish-kryeministrit të Shqipërisë Pandeli Majko.

    Poashtu do të ketë vizitë në kullën e heronjve “Toni dhe Mici” dhe poashtu do të bëhet përurimi i emblemës së UÇK-së.

    Gjatë kësaj dite do të bëhet vizitë edhe në Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe dhe në kompleksin memorial në Gradish.

  • Peticioni “Për një Kosovë pa vetëvrasje”, edhe rreth 5 mijë nënshkrime për t’u dërguar në Kuvendin e Kosovës

    Peticioni “Për një Kosovë pa vetëvrasje”, edhe rreth 5 mijë nënshkrime për t’u dërguar në Kuvendin e Kosovës

    Mostrajtimi i duhur nga institucionet shtetërore fenomenin vetëvrasjeve, ka detyruar organizatën “Linja e Jetës”(organizatë për parandalimin e vetëvrasjeve), të krijojë një peticion “Për një Kosovë pa Vetëvrasje”, i cili kërkon nga institucionet publike që të trajtojnë çështjen e vetëvrasjes me urgjencë dhe profesionalizëm.

    Kërkesat e peticionit për parandalimin e vetëvrasjes janë që të hartohet një ligj i cili rregullon shërbimet për parandalimet e vetëvrasjes. Ligji duhet të përfshijë mbështetjen psiko-sociale, gjithashtu programe sociale që munden me i ndihmua individëve.

    Deri më tani kjo organizatë ka arritur rreth mbi 5 mijë nënshkrime e për t’u dërguar në Kuvendin e Kosovës duhet të arrijë deri në 10 mijë.

    Drejtori i organizatës “Linja e Jetës” dhe organizatori i peticionit “Për një Kosovë pa Vetëvrasje”,

    Bind Skeja, kërkon bashkëpunim me mediat, policinë dhe shkollat për parandalimin e vetëvrasjeve.

    “Kërkesat e peticionit për parandalimin e vetëvrasjes që të hartohet një ligj i cili rregullon shërbimet për parandalimet e vetëvrasjes. Ligji duhet të përfshijë mbështetjen psiko-sociale, gjithashtu programe sociale që munden me i ndihmua individëve, jo vetëm psikologu e psikiatri që duhet të jenë të specializuar në fushën e parandalimit të vetëvrasjes, gjithashtu mënyra që ne mundemi me i ndihmua individëve, për shembull që janë duke vuajtur prej varfërisë, kanë mbetur pa strehë dhe pastaj që ajo i shtynë të ketë mendim për vetëvrasje. Jemi duke kërkuar që të kemi bashkëpunim me mediat në mënyrë që raportimi i vetëvrasjeve të bëhet në mënyrë sa më etike, jemi duke kërkuar që të përfshihet parandalimi i vetëvrasjes si objektivë institucionale në secilin institucion shkolla, policia, gjithashtu me pas edhe diçka që i obligon që me e marrë përsipër parandalimin e vetëvrasjeve në hapësirat e tyre dhe me ofrua mbështetjen më të madhe dhe më urgjente në komunitetet jo-shumicë pasi që këto komunitete zakonisht kanë numra më të lartë të vetëvrasjes sesa grupet e tjera”, ka thënë Skeja.

    Skeja, ka shtuar se kur të arrihen 10 mijë nënshkrime atëherë peticioni do ta dorëzojnë në Kuvendin e Kosovës.

    “Ne po bazohemi tek ligji për nisma legjislative, i cili lejon qytetarët që kur të mblidhen 10 mijë nënshkrime për një kauzë specifike munden me kërku ose ndërrimin e një ligji apo hartimin e një ligji të ri. Kur të bëhen 10 mijë nënshkrime atëherë e dorëzojmë në Kuvend, tashmë e kemi përfunduar gjysmën e punës, i kemi vërë diku 5200 mijë nënshkrime, kur të bëhen edhe 5 mijë të tjera pastaj fillojmë..1:46 Gjithashtu janë edhe duke u mbledhur ANIBAR në Pejë ka dalë në sheshin e Pejës, në Gjakovë Activism Roots është duke mbledhur në zyrën e tyre dhe në Prizren QBD-ja dhe OJQ thyen gjithashtu janë duke mbledhur nënshkrime. Ne në Prishtinë, i kemi edhe disa pika të ndryshme, munden të shkojnë tek organizata TOKA ose QKZGJ, por po shikojmë me u zhvendosë edhe në hapësira të tjera që me pas çdo qytetarë mundësinë që me e nënshkruar peticionin”, ka shtuar ai.

    Gjithashtu, Skeja ka theksuar se kot ofrohen fushata vetëdijësuese kur nuk ka se ku të drejtohet personi me mendime të tilla.

    Për momentin në Kosovë i vetmi shërbim shfrytëzues në Kosovë për parandalim të vetëvrasjes është “Linja e Jetës”.

    “Fushata vetëdijësuese ka goxha shumë dhe natyrisht duhet tërë kohën me vazhdua, por fokusin ku e kemi ne për momentin është tek ofrimi i shërbimeve për shkak se kot ofron fushata vetëdijësuese kur nuk ke se ku ta drejtosh personin, i vetmi shërbim shfrytëzues në Kosovë tani për parandalim të vetëvrasjes është “Linja e Jetës”, dhe ne vet nuk mundem me e marrë barrën për me i ndihmua çdo individi për shkak se ne nuk mundemi me bërë më shumë se telefonatën që i ndihmojmë. Kur kalon ligji dhe ofrohen shërbimet për personat dhe janë shërbime adekuate që munden me i mbështet të gjithë ata që vinë për të kërkuar ndihmë, atëherë ne mundemi me fol më shumë për vetëdijesim që të sigurohemi se gjithkush aplikon”, ka theksuar Skeja.

    Për të gjithë ata qytetarë që janë të interesuar të nënshkruajnë peticionin, peticioni vazhdon çdo ditë në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjakovë. /KP

  • ​Policia jep detaje nga rasti i të shtënave me armë në Prishtinë, 19 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes

    ​Policia jep detaje nga rasti i të shtënave me armë në Prishtinë, 19 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes

    Policia e Kosovës ka dhëne detaje nga rasti i së enjtes mbrëma ku ka pasur të shtëna me armë zjarri në lagjen “Bregu i Diellit”.

    Sipas policisë një mashkull kosovar ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje me disa persona, e ka marrë armën AK 47 dhe pasi ka dal nga shtëpia kishte shtënë me armë.

    “Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe sekuestruar 19 gëzhoja si dhe gjatë kontrollit të shtëpisë së personit të dyshuar janë gjetur disa fishekë, jelekë ushtarak dhe substanca narkotike”, thuhet në raport.

    Në vendin e ngjarjes përveç njësive relevante policore ka dalë edhe prokurori. Derisa personi i dyshuar gjendet në kërkim policor.