ATV

Category: Lajme

  • Falet Kurban Bajrami, bëhet thirrje për dashuri ndaj atdheut

    Falet Kurban Bajrami, bëhet thirrje për dashuri ndaj atdheut

    Në festën e Kurban Bajramin bëhet thirrje për dashuri ndaj atdheut

    Besimtarët e fesë islame po kremtojnë festën e Kurban Bajramit edhe në Kosovë. Që nga mëngjesi i hershëm ata ia mësynë xhamive për ta falur Kurban Bajramin, ku edhe dëgjuan ligjërata tematike, derisa mesazh ishte ruajtja dhe mbrojtja e atdheut, solidariteti me nevojtarët por edhe më shumë zhvillim ekonomik. Kurse, ciftet bashkëshortore u ftuan që të kenë më shumë fëmijë.

    Manifestimi për territorin e Kosovës kushtuar Kurban Bajramit, u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku filloi me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit ishte ligjërata tematike, të cilën e mbajti Hetem Sopjani, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë.

    Namazi i Kurban Bajramit i priu Burhan Hashani- kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, ndërsa mesazhin e Kurban Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili tha se shprehja e atdhedashurisë në lutjet e përditshme është një ndjenjë e natyrshme sepse është një dhuratë e pashtershme.

    “Prandaj është detyrë e jona që ta duam, ta ruajmë dhe ta mbrojmë vatanin tonë. Është detyrë që të bëhemi qytetarë të një vendi që jetojmë me dinjitet e për t’u bërë të tillë kërkohet që të jemi bashkë duke promovuar atë në të gjitha fushat dhe në çdo vend, por edhe …. kurban bajrami është një rast i mirë për t’iu afruar Zotit me vepra tona të mira, për ta falënderuar atë për bekimin e tij, për të pastruar shpirtin dhe zemrën. Këtë e arrijmë duke kryer vepra të mira, duke zgjatur dorën për të varfëritë dhe nevojtaret“, tha ai.

    Ai po ashtu luti Zotin që të rikthej paqen në Palestinë dhe Ukrainë, derisa shtoi se.

    Me rastin e Kurban Bajramit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës si tradicionalisht organizon pritje në selinë e saj nga ora 9:00-12:00.

    Përndryshe, kremtimi i Kurban Bajramit, sipas traditës islame nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.

  • Izraeli kryen sulme në Gazë, shtohen tensionet në kufirin me Libanin

    Izraeli kryen sulme në Gazë, shtohen tensionet në kufirin me Libanin

    Forcat izraelite goditën Gazën të premten ndërsa u përleshën me militantët e Hamasit. Zhvillimi vjen ndërsa dështuan përpjekjet për të arritur përparim drejt një armëpushimi. Në kufirin verior të Izraelit me Libanin u shënuan rritje të tensioneve.

    Dëshmitarët njoftuan për sulme në qytetin jugor Rafah dhe zonat qendrore të Rripit të Gazës.

    Ushtria izraelite tha se vazhdoi operacionet në Gazën qendrore, ku avionët luftarakë goditën një njësi të militantëve në zonën e Zeitunit.

    Dëshmitarët në Rafah, në kufirin jugor të Gazës me Egjiptin, njoftuan për sulme me helikopterë, ndërsa krahu i armatosur i Hamasit tha se militantët e tij qëlluan me mortaja ndaj trupave izraelite pranë lagjes Tal al-Sultan.

    Lufta filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit që shkaktoi 1,194 të vdekur, kryesisht civilë, sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, bazuar në shifrat zyrtare izraelite.

    Militantët morën gjithashtu 251 pengje. Prej tyre, 116 mbeten në Gazë, megjithëse ushtria thotë se 41 janë të vdekur.

    Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 37,266 njerëz në Gazë, kryesisht civilë, sipas ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi. Bilanci përfshin të paktën 34 të vdekur gjatë 24 orëve të fundit, tha ministria të premten.

    Përshkallëzimi në kufi

    Shqetësimi për zgjerim të konfliktit në Lindjen e Mesme është shtuar përsëri, pasi luftëtarët e Hezbollahut me bazë në Liban, të cilët mbështeten nga Irani dhe janë aleatë të Hamasit, lëshuan një sërë raketash dhe dronësh kundër objektivave ushtarake izraelite.

    Hezbollahu tha se sulmet intensive, që filluan të mërkurën, janë kundërpërgjigje për vrasjen e njërit prej komandantëve të tij nga Izraeli. Forcat izraelite u përgjigjën me bombardime, tha ushtria, duke njoftuar gjithashtu edhe për sulme ajrore në “infrastrukturën terroriste të Hezbollahut” përtej kufirit.

    Dy gra u vranë në një sulm në Jannata në Libanin jugor, tha zyrtari i njësisë Hassan Shur, viktimat e fundit në luftimet gati të përditshme mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga fillimi i luftës në Gazë./VOA

  • Komuna e Deçanit nderon me çmimin “Qytetar Nderi” neurokirurgun Mentor Petrela

    Komuna e Deçanit nderon me çmimin “Qytetar Nderi” neurokirurgun Mentor Petrela

    Me rastin e Ditës së Çlirimit të Deçanit, në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga kjo komunë, u mbajt një seancë solemne në të cilën u nda çmimi “Qytetar Nderi” për neurokirurgun Mentor Petrela.

    Përveç kësaj, u vlerësua dhe nderua lartë sakrifica e të rënëve dhe kontributi i të gjithë atyre që ndihmuan në çlirimin e shtetit të Kosovës.

    Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj shprehu mirënjohje për të gjithë ata që sakrifikuan veten dhe familjet e tyre për të arritur synimin e madh të popullit të Kosovës, çlirimin.

    Ai përmendi kontributin e madh të dëshmorit Luan Haradinaj për lirinë e Kosovës dhe vetë Deçanit.

    Ramosaj potencoi se tashmë Kosova ka hyrë në një fazë tjetër pas çlirimit, në procesin e shtet ndërtimit.

    “Librin e lirisë kemi filluar ta shkruajmë shumë herët dhe u jemi mirënjohës për të gjithë ata që e kanë shkruar atë libër, që me sakrificën që ne me ardhë deri te synimi i madh që e kemi pasur çlirimi i vendit, liria e këtij vendi…Ky qytet është qyteti i parë në Republikën e Kosovës ku janë aplikuar masat e dhunshme. Ku një popull i tërë e bënë luftën për mbijetesë, por asnjëherë i thyer. Vijmë deri tek brezi tjetër që është brezi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po ashtu kemi figura emblematike të kësaj ushtrie.

    Njerëz që kanë pranuar me vetëdije të plotë, me qëllim të plotë ta sakrifikojnë vetën, familjen e tyre për të arritur deri te synimi kombëtar, çlirimi i këtij vendi. Përfaqësues epik i kësaj është dëshmori dhe heroi i parë i këtij vendi, Luan Haradinaj. E më vonë për të shkruar tek Sali Çeku e qindra e qindra dëshmorë të këtij qyteti…19:40 Pas kësaj date kemi hyrë ta shkruajmë një libër tjetër. Libri që ka të bëjë me shtet ndërtimin, me konceptin për të pasur shtet, ku jemi përballur e ende po përballemi me këtë procedurë të shtet formimit…Besoj që këtë libër do ta shkruajmë mirë, e kapitulli i fundit, po shpresoj e po besoj që nuk është larg”, tha Ramosaj.

    Ndërkaq, ndër 100 neurokirurgët më të mirë në botë, Mentor Petrela pasi pranoi çmimin qytetar nderi nga i pari i kësaj komune, Ramosaj, u shpreh i emocionuar për pjesëmarrjen në këtë ceremoni.

    Petrela përmendi Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aletin tonë më të rëndësishëm shekullor, që garantoi ecjen përpara të Kosovës.

    “Unë sot jam shumë i emocionuar që bëhej pjesë e një qyteti heroik të kombit tonë. historia sic e dini ka qenë e padrejtë me këtë komb…Gjatë gjithë rinisë time dhe edukimit tim, mua nuk më ka munguar mëkimi me pjesën heroike të kombit. Pothuajse në ilegalitet im atë më qonte ta mësoja gjeografinë e Kosovës, kur nuk mësoheshin në shkollat tona…Heroizmi i kësaj toke bënin që ne t’ia dalim…48:05 Mos të harrojmë që aleati jonë shekullor dhe garantues i jonë që po ecim përpara në rrugën me të pakthyeshme, është Shtetet e Bashkuara të Amerikës…Këtë duhet ta fiksojmë që tek fëmijët që lindin e deri te gjenerata që do vijnë , Zoti e bekoftë Amerikën, popullin shqiptar kudo që të jetë bashkë me gjithë heronjtë dike mos harruar për asnjë moment për sakrificat, gjakun që të afërmit tuaj dhanë për këtë liri”, tha Petrela.

    Ndërkaq, pjesë në këtë seancë solemne mori edhe Daut Haradinaj. Ai tha se Kosova është në rrugën e duhur për tu bërë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke shtuar se ky ishte edhe misioni i luftëtarëve.

    Haradinaj theksoi se duhet të jemi të bashkuar dhe unik në përballje me Serbinë.

    “Pas 25 vjetëve, Deçani po duket shumë më mirë, por po duket shumë më mirë për shkak se prej sot e ka një qytetar të ri, profesor doktor Mentor Petrela…Jemi 25 vite pas luftës dhe mos për t’i përsëritur fjalët, ky vend është në rrugën e duhur për tu bërë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe kur i shohim këta flamujt këtu, ky është misioni dhe qëllimi edhe i bashkëluftëtarëve tanë, shumicës prej tyre sot dëshmorë…Çdo moment qe e shënojmë dhe e kujtojmë lavdinë tonë e garantojmë se kjo rrugë nuk ka kthim. Pra, të bashkohemi, të jemi unik, jo vetëm në festa, por të jemi unik në përballje me Serbinë”, theksoi Haradinaj.

    Në kuadër të kësaj date, e cila shënon hyrjen e trupave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Deçanin e çliruar, u bë ngritja e flamurit kombëtar në qendër të qytetit. Po ashtu, u mboll “Pema e Lirisë”.

    Aktivitetet vazhduan me homazhe të shtatores së dëshmorëve dhe heronjve të Deçanit. Homazhe u bënë gjithashtu edhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.

  • Përurohet Shtegut i Lirisë “Pashtriku”, në Has

    Përurohet Shtegut i Lirisë “Pashtriku”, në Has

    Në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku”, Has-Pashtrik. Aty ku 25 vjet më parë ranë dëshmorë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë transportimin e armatimeve nga Shqipëria në Kosovë.

    “13 dhjetori i vitit 1998, me kushte shumë të vështira atmosferike, borë, ngricë e temperatura të ulëta, nuk lëkundi vullnetin dhe përkushtimin e 147 ushtarëve në krye me Mujë Krasniqin që të marrin rrugën për realizimin e operacionit për furnizimin e UÇK-së me forca dhe armatim shtesë”, u shpreh kryeministri.

    Ai ktheu në kujtesë se pikërisht më 14 dhjetor të vitit të kaluar, me nismë të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së së Degës së Hasit, Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim, si dhe Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës, dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, filluam projektin të cilin sot po e përurojmë – shenjëzimin e “Shtegut të Lirisë” edhe si shteg garash për motoçiklistët dhe shteg ecjesh për bjeshkatarët.

    “Duke ndjekur këtë rrugë, motoçiklistët do të mund të përjetojnë bukurinë natyrore të maleve tona, por edhe të mësojnë përpjekjet heroike të ushtarëve të UÇK-së. Duke sjellë në kujtesë historinë tonë të lavdishme tek të gjithë ata që e kalojnë këtë shteg duke ecur, njëkohësisht po promovojmë zhvillimin e turizmin malor dhe rural”, tha kryeministri.

    E nga malet e Pashtrikut, kryeministri Kurti kishte edhe një porosit: “Përderisa ecim drejt një të ardhme të ndritur, le të mos harrojmë asnjëherë se prej nga vijmë dhe sa i lartë ishte çmimi që ka paguar populli ynë, që ne sot të mund të kemi Republikën demokratike, shtetin e pavarur, institucionet shtetërore dhe zhvillim ekonomik, me rini të talentuar dhe të pashoq kur bëhet fjalë për sukses dhe progres”.

    Shtegu i Lirisë së Pashtrikut, përshkon gjatësi prej 27 km, për të kaluar nga Kruma në Cahan, nga Stanet e Pashtrikut deri te Likenet e Hasit. Federata e Motoçiklizmit të Kosovës, sot për herë të parë organizon garën “Kupa e Kosovës” me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët do të nisin garën nga Likenet e Hasit për ta përmbyllur atë në Krume.

  • Robertson: S’ka rrezik për luftë – siguria e Kosovës shumë e rëndësishme për NATO-n

    Robertson: S’ka rrezik për luftë – siguria e Kosovës shumë e rëndësishme për NATO-n

    Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, thotë se e dënon pa rezerva sulmin terrorist të ndodhur vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.

    Duke kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, Robertson thekson nevojën që të ketë një fund të dhunës në rajon dhe të ndryshojë imazhi i Ballkanit Perëndimor nga të qenit një zonë problematike në diçka që kontribuon në sigurinë më të gjerë evropiane.

    Për këtë arsye, ai nënvizon se siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme për perëndimin dhe NATO-në.

    Megjithëse thotë se s’ka rrezik të një lufte të re në rajon, Robertson ngrit shqetësimin se nëse Rusia ka sukses në agresionin ushtarak ndaj Ukrainës, atëherë Ballkani Perëndimor do të jenë një zonë tjetër ku presidenti rus, Vladimir Putin do të bëjë telashe.

    “Siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe kjo është arsyeja pse NATO përforcoi trupat e saj edhe këtu. Kjo është arsyeja pse siguria në këtë vend do të ketë rëndësi në të ardhmen, por edhe pse siguria ekonomike do të ketë rëndësi edhe për brezin e ri”, thotë ai.

    “Çdo dhunë duhet të dënohet dhe unë e dënoj atë [sulmin në Banjskë] pa rezerva. Por ne duhet të shohim përfundimisht një fund të dhunës në këtë rajon. Ky rajon ka potencial të madh, por duhet të ndryshojë imazhin e të qenit një zonë problematike në një zonë që kontribuon në sigurinë më të gjerë evropiane”, deklaron Robertson.

    Ai thekson se pavarësisht tensioneve momentale, nuk ekziston një rrezik i luftës në Ballkanin Perëndimor, mirëpo sipas tij, Rusia po ndërhyn në rajon përmes luftës kibernetike.

    “Nuk besoj se ekziston rreziku i luftës në Ballkan, por Rusia po ndërhyn në këtë rajon ashtu siç po sulmon Ukrainën. Dhe kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që vendet evropiane të bashkohen për të siguruar që Putini të mos ketë sukses në Ukrainë. Nëse ai ka sukses në Ukrainë, atëherë Ballkani Perëndimor do të jetë një zonë tjetër ku ai do të bëjë telashe”, thekson Robertson.

    Duke folur për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, Robertson thotë se anëtarësimi i plotë në i Kosovës në NATO, do të sillte paqe të qëndrueshme në rajon, por sipas tij, kjo është çështje e aleancës më të madhe ushtarake.

    “Anëtarësimi në NATO është çështje e organizatës së NATO-s. Unë jam një ish-sekretar i përgjithshëm, nuk kam asnjë kontroll mbi atë që po ndodh sot”, përfundon Robertson./KP

  • Afro 2 mijë gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

    Afro 2 mijë gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

    Policia e Kosovës për 24 orët e fundit ka shqiptuar 1 mijë e 915 gjoba trafiku.

    Ndërkaq në raportin e policisë, janë regjistruar edhe 18 arrestime e 15 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

    Po ashtu për një ditë u shkaktuan 57 aksidente me dëme materiale, ndërsa 25 me persona të lënduar.

  • ShBA-ja ndan edhe 1.5 miliard dollarë për Ukrainën

    ShBA-ja ndan edhe 1.5 miliard dollarë për Ukrainën

    Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris ka bërë të ditur se SHBA-ja ka ndarë më shumë se 1.5 miliard dollarë ndihmë pjesërisht për sektorin energjetik të Ukrainës dhe situatën humanitare si rezultat i pushtimit 27-mujor të Ukrainës nga Rusia.

    Njoftimi u bë pasi Harris mori pjesë në një samit të paqes në Ukrainë në Luzern, Zvicër, ku ajo do të takoheh me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Shuma prej 1.5 miliard dollarësh përfshin 500 milionë dollarë fonde të reja për ndihmën e energjisë dhe ridrejtimin e 324 milionë dollarëve në fondet e shpallura më parë drejt riparimit emergjent të infrastrukturës energjetike dhe nevojave të tjera në Ukrainë.

  • DASh: E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në institucionet evropiane

    DASh: E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në institucionet evropiane

    Departamenti amerikan i Shtetit është deklaruar sërish në lidhje me qëndrimet e tyre për raportin në mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në një përgjigje për Reporterin, DASh-i ka vlerësuar se e ardhmja e dy vendeve është në institucionet evropiane. Tutje, amerikanët besojnë se dialogu është e vetmja rrugë.

    “E ardhmja e të dy vendeve është në institucionet evropiane, normalizimi i marrëdhënieve të tyre përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara” – ka theksuar DASh.

  • Presidentja Osmani nga Zvicra: Kosova është e fortë kur ecën përpara bashkë me aleatë

    Presidentja Osmani nga Zvicra: Kosova është e fortë kur ecën përpara bashkë me aleatë

    Presidentja Vjosa Osmani është paraqitur live nga Zvicra ku ka folur për Samitin për paqe për Ukrainën, që do të mbahet në Burgenstok.

    Ajo ka thënë se Kosova është e fortë kur ecën përpara bashkë me aleat.

    Më tej, e para e shtetit tha se njësoj siç kanë qenë të domosdoshme aleancat që të shpëtohet Kosova nga regjimi gjenocidal, njësoj, sipas saj, është po aq e rëndësishme që tani kur po rrezikohet e gjithë arkitektura e sigurisë në Evropë nëpërmjet agresion rus, të qëndrojnë të gjitha vendet bashkë në njëjtat vlera e për t’i mbrojtur të njëjtat parime siç, sipas saj, janë mbrojtur në vitet e ’90-ta në Kosovë.

    “Është me rëndësi që të qëndrojmë bashkë si aleatë, të mbrojmë parimet si në vitet e 90-ta në Kosovë”, ka thënë presidentja përmes një lidhjeje direkte në llogarinë e saj në Facebook.

    Ajo ka treguar edhe çka do të flitet në Samit.

    “Përgjatë samitit që do të fillojë me seancën plenare shumë shpejt, ne do të diskutojmë për tri dimensione kryesore. E para, që do të udhëhiqet nga shtetet më të fuqishme është siguria nukleare. E dyta, do të jenë dimensionet e tjera të sigurisë, siç është siguria ushqimore”.

    “Kurse, i treti është dimensioni human, ku do të kontribuojmë më së shumti sepse kemi ndërtuar një sistem pas luftës që shpesh merret edhe si model se si ndërtohet një demokraci e qëndrueshme edhe pas shkatërrimeve që i shkakton lufta”, tha Osmani.

  • Presidentja Osmani takon presidentin malazez, e konsideron të rëndësishme koordinimin në mbrojtje të demokracisë dhe paqes

    Presidentja Osmani takon presidentin malazez, e konsideron të rëndësishme koordinimin në mbrojtje të demokracisë dhe paqes

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit të Paqes për Ukrainën, ka takuar homologun e saj malazez, Jakov Milatović, raporton Ekonomia Online.

    Osmani ka thënë se me presidentin e Malit të Zi, ka diskutuar për rëndësinë e aleancave dhe koordinimit në mbrojtje të demokracisë dhe paqes.

    “Në kuadër të Samitit të Paqës për Ukrainën, me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović diskutuam për rëndësinë e aleancave dhe koordinimit në mbrojtje të demokracisë dhe paqes”.