ATV

Category: Lajme

  • Tërnava uron myslimanët për festën e Kurban Bajramit

    Tërnava uron myslimanët për festën e Kurban Bajramit

    Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit ka dhënë mesazh urimi, teksa nuk ka lënë pa uruar edhe për Ditën e Çlirimit të vendit, raporton Ekonomia Online.

    “Në emër të Bashkësisë Islame, institucioneve të saj dhe në emër timin ju uroj këtë festë, e cila karakterizohet me kryerjen e haxhit dhe sakrificës së Kurbanit. Ju uroj edhe Ditën e Çlirimit të vendit tonë, për të cilën ditë u sakrifikuan breza të shumtë që Kosova ta fitojë pavarësinë e saj”, uroi Tërnava.

    Ai tha se festat e myslimanëve duhet të shfrytëzohen për të sjellë gëzim dhe lumturi te personat që kanë nevojë.

    “Nesër është dita e Kurban Bajramit, ditë feste për besimtarët myslimanë në të gjithë botën. Edhe ne në Kosovën tonë i gëzohemi kësaj feste kaq madhështore, e cila shfaqet në shoqërinë e në familjet tona me gëzime e hare, e me një gjuhë falënderuese, duke u përhapur në mesin e të gjithë besimtarëve. Sot, në ditën më të vlefshme të vitit, në këtë ditë të bekuar të Arafatit, më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim si Myfti i Republikës, t’ju uroj për këtë festë, e cila karakterizohet me kryerjen e haxhit dhe sakrificës së kurbanit, për t’iu afruar kështu edhe më afër mëshirës së pafund të Zotit xh.sh., njëherit, të dashur qytetarë, ju uroj edhe Ditën e Çlirimit të vendit tonë për të cilën ditë u sakrifikuan breza të shumtë që Kosova të fitojë pavarësinë e saj”, ka thënë ai.

    Tërnava ka bërë lutje për paqe në krejt botën, me theks të veçantë në Palestinë e Ukrainë.

    Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjellë lumturi dhe gëzim në zemrat e atyre që kanë nevojë, duke trajtuar të sëmurët e vizituar të afërmit, duke shkëmbyer urime me miqtë dhe duke i mbjellë këto vlera në mendjet dhe zemrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Vetëm kështu forcojmë edhe më shumë trungun tonë familjar, e ushqejmë atë me vlerat fetare dhe kombëtare, dhe e ruajmë atë me një pastërti fisnike, ashtu siç e kemi amanet nga të parët tanë. Andaj, me këtë rast, lus Zotin e Madhëruar që të na mbulojë me paqen, bekimin dhe mëshirën e kësaj dite të bekuar! T’i falë vendit tonë dhe mbarë botës mirësi, begati, siguri dhe stabilitet, e në veçanti të lutemi o Zot që paqja të rikthehet edhe në Palestinë dhe Ukrainë. Ne si qytetarë të këtij vendi, duhet të punojmë në promovimin e paqes, përhapjen e vëllazërisë dhe tolerancës, larg konflikteve dhe luftërave, gjithherë të gatshëm për t’i konsoliduar vlerat e vëllazërisë dhe bashkëjetesës njerëzore. Le të mbetet kjo festë simbol i sakrificës, shërbimit dhe bindjes ndaj Zotit të Plotfuqishëm, me thirrjen për qytetarët që të frymëzohen nga kuptimet e unitetit, dashurisë dhe paqes, e larg urrejtjes e përçarjeve”, u shpreh ai.

  • Sulmuan fizikisht një burrë në Pejë, arrestohen dy të dyshuarit

    Sulmuan fizikisht një burrë në Pejë, arrestohen dy të dyshuarit

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të cilët dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një burrë tjetër.

    Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Rr. Sadri Kelmendi , Pejë 14.06.2024-16:20. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Pejës. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raport.

  • 14 vjet nga vdekja e aktorit Bekim Fehmiu

    14 vjet nga vdekja e aktorit Bekim Fehmiu

    Po mbushen 14 vjet që nga vdekja e njërës ndër figurave më të lartësuara të aktrimit shqiptar, Bekim Fehmiut.

    Pas vetes ai la vepra të pashlyera, si në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare.

    Fehmiu arriti kulmin e tij me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

    Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë.

    Disa nga rolet më të njohura të Bekim Fehmiut janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”.

    Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shaw, Dirk Bogarde e Irene Papas.

  • Burri raporton se i janë zhdukur gruaja me vajzën

    Burri raporton se i janë zhdukur gruaja me vajzën

    Një burrë në Jabllanicë ka raportuar në Polici se gruaja me vajzën e tyre janë larguar dhe nuk e di ku gjenden.

    Policia e ka iniciuar si “person i zhdukur” rastin dhe ka nisur hetim.

    “Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar se dy viktimat bashkëshortja me vajzën e tyre janë larguar nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tyre. Rasti nen hetime”, thuhet në raportin e PK-së.

  • Nga kopshtet e huaja në tryezat e kosovarëve – veç domate u importuan vjet në vlerë 12 milionë euro

    Nga kopshtet e huaja në tryezat e kosovarëve – veç domate u importuan vjet në vlerë 12 milionë euro

    Edhe pse Kosova ka kushte klimatike për prodhimin e kulturave të ndryshme bujqësore, sasinë më të madhe të tyre e importon.

    Domatet, specat, patatet e mollët – ndër më të konsumuarat gjatë stinës së verës – shumica vijnë nga jashtë.

    “Për të gjitha këto, kushtet në Kosovë – qofshin klimatike, qofshin tokësore – janë të favorshme”, thotë profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, për Radion Evropa e Lirë.

    Por, tregu është i orientuar nga importi, për shkak të migrimit të qytetarëve nga zonat rurale, si dhe mungesës së interesimit për t’i punuar tokat, sipas tij.

    Vendet nga ku importon Kosova, përfshijnë ato të rajonit, të Bashkimit Evropian dhe Turqinë.

    Të dhënat e fundit të disponueshme janë për vitin 2023.

    Kur krahasohen të dhënat për domaten në pesë vjetët e fundit, del se importi i saj ka pasur vlerën më të lartë në vitin 2023 – afro 12 milionë euro.

     

    Vlera e importit të specave në vitet 2023 dhe 2022 ishte e ngjashme – mbi pesë milionë euro, ndërsa vlera më e lartë e eksportit ishte vitin e kaluar.

    Me patate, ndërkaq, eksporti e kaloi importin vetëm në vitin 2020, ndërsa vlera e importit mbeti e njëjtë në dy vjetët e kaluar – mbi 3 milionë euro.

    Kur krahasohen të dhënat e dy vjetëve të fundit për mollë, del se importi i tyre ka shënuar rritje për më shumë se dy milionë euro në vitin 2023. Eksporti, ndërkaq, ka mbetur në disa mijëra euro.

    Përveç këtyre, Kosova importon sasi të mëdha edhe të qepës, lakrës, spinaqit, ashtu si edhe të kumbullave, mjedrave, dardhave e të tjera.

    Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon shumë më shumë sesa që eksporton.

    Mesatarisht në vit, ajo importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh – duke filluar nga produktet bazë deri tek ato ndërtimore – ndërsa eksporton nën vlerën e 1 miliard eurove – më së shumti produkte të metalit dhe plastikës.

  • Kurti merr pjesë sot në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku”

    Kurti merr pjesë sot në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku”

    Kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë sot në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku”, në Has-Pashtrik.

    Përurimi do të bëhet në orën 10:00.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku”, Has-Pashtrik”, thuhet në njoftim.

  • ShBA-ja, Kievi dhe aleatët, refuzojnë ofertën e Putinit për armëpushim

    ShBA-ja, Kievi dhe aleatët, refuzojnë ofertën e Putinit për armëpushim

    Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe NATO-ja kanë hedhur poshtë kushtet për një armëpushim në Ukrainë të vendosura të premten nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili tha se do të ndalte sulmin në Ukrainë me kusht që Kievi të tërhiqet nga territoret e pretenduara nga Moska dhe të heqë dorë nga përpjekjet për t’u anëtarësuar në NATO.

    “Putini ka pushtuar, okupuar ilegalisht, territorin sovran të Ukrainës. Ai nuk është në asnjë pozitë për t’i diktuar Ukrainës se çfarë duhet të bëjnë për të sjellë paqen”, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin në fund të një takimi të NATO-s në Bruksel.

    “Ai mund t’i japë fund kësaj sot, nëse do të vendoste ta bënte këtë, dhe ne i bëjmë thirrje që ta bëjë këtë dhe të largohet nga territori sovran ukrainas”.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e hodhi poshtë propozimin që e cilësoi “një ultimatum të Putinit për të dorëzuar më shumë territor”.

    Zoti Putin tha se propozimi i tij synon “zgjidhje përfundimtare” për konfliktin në Ukrainë dhe jo “ngrirjen e tij” dhe theksoi se Kremlini është “i gatshëm të fillojë negociatat pa vonesë”.

    “Do t’i ndërmerrnim këto hapa në mënyrë të menjëhershme”, tha zoti Putin në një fjalim në ministrinë e Jashtme ruse në Moskë.

    Këto deklarata zoti Putin i bëri në një kohë që udhëheqësit e 7 vendeve më të industrializuara u takuan në Itali dhe ndërsa Zvicra përgatitet të presë shumë udhëheqës botërorë, por jo nga Rusia, në një takim ku do të diskutohet mbi hapat e parë drejt paqes në Ukrainë.

    Ndër të tjera, në kushtet për vendosjen e paqes, udhëheqësi rus renditi kërkesën që Kievi të mos ketë armë bërthamore, të kufizojë forcën ushtarake dhe të mbrojë interesat e popullsisë rusisht-folëse në Ukrainë.

    Të gjitha këto duhet të jenë pjesë e “marrëveshjeve themelore ndërkombëtare” dhe të gjitha sanksionet perëndimore kundër Rusisë duhet të hiqen, tha zoti Putin.

    “Ne po bëjmë thirrje për ta lënë pas këtë periudhë tragjike të historisë dhe për të rikthyer, hap pas hapi, unitetin mes Rusisë dhe Ukrainës dhe Evropës në përgjithësi”, tha ai.

    Këto komente shënuan një rast të rrallë në të cilin zoti Putin parashtroi qartë kushtet e tij për përfundimin e luftës në Ukrainë, por nuk përfshijnë ndonjë kërkesë të re. Kremlini ka thënë më parë se Kievi duhet të njohë kontrollin e Moskës mbi territor dhe të heqë dorë nga synimi për anëtarësim në NATO.

    Presidenti Zelenskyy, i cili ndodhet në Itali për takimin e G7, tha se propozimi i Putinit nuk ishte një propozim i ri dhe bëhej në formë “ultimatumi”. “Ajo që kërkon Putini është t’i japim një pjesë të territoreve tona, të pushtuara dhe të pa pushtuara, duke folur për disa rajone të vendit tonë,” tha ai.

    Përveç anëtarësimit në NATO, Ukraina kërkon që forcat ruse të largohen nga territori i saj, përfshirë Krimenë që u aneksua ilegalisht në 2014, rivendosjen e integritetit territorial të Ukrainës dhe që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet e luftës.

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha në selinë e NATO-s në Bruksel se zoti Putin “ka pushtuar ilegalisht territorin sovran të Ukrainës. Ai nuk është në pozita për t’i diktuar Ukrainës se çfarë duhet të bëjë për rikthimin e paqes.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shtoi se “ky nuk është një propozim për paqe. Ky është një propozim për më shumë agresion, më shumë pushtim dhe në një farë mënyre tregon se qëllimi i Rusisë është të kontrollojë Ukrainën”.

    Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet që aneksoi ilegalisht në vitin 2022, por zoti Putin këmbënguli të premten se Kievi duhet të tërhiqet plotësisht prej tyre dhe në thelb t’ia dorëzojë Moskës sipas kufijve të tyre administrative.

    Në Zaporizhzhia në juglindje, Rusia ende nuk e kontrollon qendrën e rajonit me 700,000 banorë dhe në rajonin fqinj Kherson, Moska u tërhoq nga qyteti më i madh i tij, me të njëjtin emër, në nëntor të vitit 2022.

  • Krejt çka dihet deri tash për armatimin e fshehur nga pjesëtarët e grupit terrorist që kryen sulmin në Banjska

    Krejt çka dihet deri tash për armatimin e fshehur nga pjesëtarët e grupit terrorist që kryen sulmin në Banjska

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se të premten ka konfiskuar sasi të armatimit në pjesën veriore të Kosovës. Nga armatimi i prezantuar që është gjendur në veri ka armë të gjata të kalibrave të ndryshme, pistoleta, granata dore etj.

    Policia rajonale e Kosovës në Mitrovicë ka dalë me detaje nga aksioni i djeshëm për kapjen e armëve ilegale në veri.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se në kuadër të aktiviteteve operative në bashkëpunim me AKI-në kanë arritur të identifikojnë disa lokacione ku ndodhej armatimi i fshehur, nga ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile dhe pjesëtarë të grupit terrorist të Banjskës.

    Lokacioni i parë është në veri të Mitrovicës, në afërsi të Tre Rrokaqiejve, ndërlidhet me personin në kërkim, Marjan Radojeviq, ndërsa lokacioni tjetër është në rrugën “Çeta e Minatorëve”, në veri i Mitrovicës që ndërlidhet me subjektin në kërkim Zharko Cvetkoviq.

    Në lokacionin e parë janë gjetur tri armë të gjata AK-47, katër karikatorë me 60 fishekë, një krehër me 11 fishekë, një këllëf revoleje, një çantë ushtarake.

    Ndërsa në lokacionin e dytë janë gjetur një rrip brezi me 25 fishekë për armë gjuetie, 23 fishekë për armë gjuetie, pistoletë TT me një karikator me tetë fishekë, tre karikatorë me nga tetë fishekë, dy karikatorë në fotrollë, 28 fishekë për armë të gjata, 10 krehër me fishekë të armës së gjatë (99 fishekë), një kuti me fishekë 7×62, katër pastruese të armës, kuti me lëndë të dyshimtë.

    Në lokacionin e tretë janë gjetur armë e gjatë me bajonetë, një pistoletë me dy karikatorë me nga tetë fishekë 7×62 dhe një fotrollë, çantë e zezë me pajisje për pastrim të armës, dy kuti me nga 50 fishekë 7×62, tre karikatorë me fotrolla me nga tetë fishekë, armë e gjatë gjuetie me çantë.

    Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i publikoi pamjet në platformën “X”.

    Ai tha se kërcënimet destabilizuese nga Beogradi do të kundërshtohen me ligj dhe rend.

    “Sot, më shumë eksplozivë, armë dhe municione u konfiskuan edhe një herë në veri falë forcave tona vigjilente të sigurisë dhe rritjes së bashkëpunimit me qytetarët tanë në veri. Kërcënimet destabilizuese nga Beogradi do të kundërshtohen me ligj dhe rend”, shkroi Sveçla.

  • Në fund të qershorit votohet Projektligji për Sigurime Shëndetësore, Vitia: U vonua për shkak të komenteve

    Në fund të qershorit votohet Projektligji për Sigurime Shëndetësore, Vitia: U vonua për shkak të komenteve

    Një nga premtimet kryesore të qeverisë Kurti në sektorin e shëndetësisë, Projektligji për Sigurimet Shëndetësore, pritet që të finalizohet dhe të dërgohet për miratim në Qeveri deri në fund të muajit qershor. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Vitia ka thënë se pas pandemisë, MSh-ja ka filluar menjëherë me studimin e fizibilitetit për sistemin informativ shëndetësor, studimi i cili ka përfunduar, dhe se ky projektligj ka kaluar të gjitha proceduarat dhe është në fazën finale të adresimit të komenteve.

    Ai ka theksuar se paralelisht me këtë ligj janë duke u bërë edhe shumë punë të tjera, si në infrastrukturë e në barna, punë këto që janë pjesë e procesit për sigurime shëndetësore.

    “Po ma thonë shpesh, premtimi kryesor në mandatin e vitit 2019, në zgjedhjet e viti 2019, kanë qenë sigurimet shëndetësore dhe sistemi informativ shëndetësor. Premtimi kryesor në zgjedhjet e vitit 2021, ka qenë sigurimi i vaksinave dhe vaksinimi i 60 për qind të popullatës brenda vitit të parë gjë që e kemi bërë. Ka ndodhur pandemia dhe menjëherë pas pandemisë që ka qenë 2020, 2021 dhe 2022 ne kemi filluar menjëherë me studimin e fizibilitetit për sistemin informativ shëndetësor, studimi i cili ka përfunduar, kemi ndërtuar planin e veprimit për të vepruar”.

    “Tani pritet vetëm nënshkrimi nga ana e ministrit të financave për kredi nga Banka Botërore për të marr mjete për të filluar me punë për implementimin e sistemit informative shëndetësor. Ligji tani ka kaluar të gjitha proceduar dhe është në fazën finale të adresimit të komenteve pas konsultave paraprake dhe diskutimeve publike. Kështu që ligji për sigurimet shëndetësore po bëhet dhe si përfundim sistemi informativë shëndetësor në fazat e fundit para se me ja filluar punën, ligji në fazat e fundit para se të procedohet në qeveri për tu proceduar në Parlamentin e Republikës dhe paralelisht shumë gjëra të tjera, në infrastrukturë në barna dhe të tjera që janë pjesë e procesit për sigurime shëndetësore”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se ky projektligj ka qenë i paraparë që të përfundoj gjatë muajit maj por që sipas tij kanë marrë kohë shumë komentet. Vitia shpreh bindjen se i njëjti do të procedohet për Qeveri shumë shpejtë.

    “Ky ligj gjatë qershorit po them, ka pasur gjatë majit mirëpo për shkak të komenteve të ndryshme që kanë qenë me dhjetar faqe komente, pasi është një ligj shumë i rëndësishëm që përcakton shëndetësinë kosovare në vitet e ardhshme jemi jo vonuar, por ka marr kohë deri sa janë përgjigjur të gjitha këtyre komenteve dhe ky ligj do të procedohet shumë shpejt në Qeverinë e Kosovës dhe pastaj në Parlamentin e Republikës, ku pritet që të votohet pastaj dhe të filloj menjëherë punën”, ka thënë ai.

    Kreu i MSh-së ka deklaruar se problem po u sjellë problemi i borxheve të grumbulluara për trajtim jashtë vendit. Me ndihmën e Ministrisë së Financave, Vitia ka thënë se janë duke i shlyer këto borxhe.

    “Me këtë çështje qëndrojmë mirë. Fatkeqësisht vitin e kaluar jemi përballur me një problem për shkak të borxheve të grumbulluara për shumë, e shumë vite. Natyrisht kjo ka ndikuar që ta humbim pak kredibilitetin edhe si institucione karshi disa spitaleve të cilat kanë trajtuar pacientët tanë jashtë vendit. Mirëpo këtu me ndihmën edhe të Ministrisë së Financave, pjesa më e madhe e borxhit tashmë është shlyer dhe vazhdon për të gjitha diagnozat të cilat nuk mund të shërohen në Kosovë vazhdojnë që të trajtohen jashtë vendit. E mira e mira në këtë raste është se ne po investojmë vazhdimisht duke i targëtuar këto diagnoza të cilat për momentin nuk mund të shërohen në Kosovë dhe siç keni mundur ta shihni kohën e fundit ne kemi hapur plotë shërbime të reja në QKUK por jo vetëm në mënyrë që pacientët tanë mos të kenë nevojë të shkojnë jashtë vendit por ato shërbime t’i marrinë në Kosovë”, u shpreh ai.

    Vitia ka thënë se rreth 9 milionë euro janë kërkesat për shërim jashtë vendit. Por kjo shumë sipas tij do të ulet me funksionalizimin e aparaturës PET SCAN që bën skanimin e detajuar të trupit të njeriut për të zbuluar qelizat kancerogjene.

    Për këtë shërbim, Vitia ka thënë se janë paguar dhjetëra miliona euro për shërim jashtë vendit.

    “Kërkesat varet janë diku rreth 8-9 milionë euro për shërim jashtë vendit, mirëpo ato kërkesa vetëm të ju marr një shembull. Më herët ka pasur diku rreth 6 milionë euro për oftalmologji me dalë jashtë vendit, tash ajo është ulur në një milion, do të thotë pesë fish. Më herët kemi pasur mbi 300 raste që kanë kërkuar me aparaturë PET SCAN (skanimin e detajuar të trupit të njeriut për të zbuluar qelizat kancerogjene) të shkojnë jashtë vendit, që ka kushtuar nga 1 mijë deri 1500 euro, tash PET SCAN më datën 26 qershor do të lëshohet në funksion dhe këta pacientë nuk kanë nevojë të dalin jashtë vendit”, ka thënë Vitia.

    Vitia ka shtuar se janë duke punuar për shërbime tjera për ta ulur koston e shërimit jashtë shtetit.

  • Sot fillon Samiti për Ukrainën, Osmani në Zvicër për ta përfaqësuar Kosovën

    Sot fillon Samiti për Ukrainën, Osmani në Zvicër për ta përfaqësuar Kosovën

    Sot do të fillojë Samiti për paqe për Ukrainën, që do të mbahet në Burgenstok të Zvicrës, ku do të marrë pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme.

    Samiti i nivelit të lartë, i cili do t’i mbledhë liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.

    “Presidentja Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme. Përgjatë qëndrimit në Zvicër, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë botëror”, thuhet në njoftim.

    Gati 90 vende dhe organizata do të marrin pjesë në samit, sipas presidentes së Zvicrës, Viola Amherd.

    Sipas saj, pjesëmarrësit në samit – rreth gjysma e të cilëve do të jenë udhëheqës shtetesh ose qeverish – do të përpiqen të gjejnë një rrugë për t’i ndalur luftimet.

    Pjesëmarrës në samit pritet të jenë presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.