ATV

Category: Lajme

  • ​Moti sot në Kosovë

    ​Moti sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të enjten do të mbajë mot me diell dhe vranësira të nivelit të mesëm të Troposferës, të cilat vende -vende mund të sjellin riga shiu.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-35gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-4m/s.

    “Rekomandohet që në intervalin kohorë 10-16h mundësisht mos të ju ekspozoheni rrezeve direkte të diellit ,sepse ky mot është i papërshtatshëm për një shtresë të popullatës me sëmundje kronike. Të bartim masa mbrojtëse, syze dielli , rroba me ngjyra të lehta, kapelë ose ombrellë”, thuhet në njoftim.

  • Lajçaku kërkon zbatim të marrëveshjes për normalizim pas takimeve në Prishtinë e Beograd

    Lajçaku kërkon zbatim të marrëveshjes për normalizim pas takimeve në Prishtinë e Beograd

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të mërkurën pas një takimi në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se kthimi në dialog dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje ekziston përmes zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, duke përmendur themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Lajçak, në anën tjetër, tha se pati bisedë të “hapur” me liderin serb për gjendjen e tanishme të dialogut dhe se “u pajtuam për hapat e radhës për periudhën që po vjen”.

    Vuçiq shkroi në Instagram se BE-ja, si ndërmjetës në dialog, do ta ketë “një partner serioz dhe të përgjegjshëm në Serbi, dhe për popullin tonë në Kosovë, ne jemi mbështetës të pakompromis”.

    Ai shtoi se bisedoi me Lajçakun edhe “për kushtet pothuajse të pamundura për jetë të popullsisë serbe, të shkaktuara nga trysnia e vazhdueshme dhe arbitrariteti i autoriteteve në Prishtinë”.

    Lajçaku ishte për vizitë në Beograd, një ditë pasi qëndroi në Prishtinë, ku u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Me Kurtin, i cili e udhëheq dialogun në nivel politik, nuk u takua, për shkak të, siç u tha, udhëtimit të tij jashtë vendit.

    Gjatë vizitës në Kosovë, Lajçak u bëri thirrje të dyja vendeve të bëjnë hapa për të zbatuar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve.

    Kurti dhe Vuçiq biseduan për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, por pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore.

    Lajçak ka thënë edhe se duhet të hiqen masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën.

    Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

    “Ne kemi një marrëveshje, duhet të përshpejtojmë zbatimin e saj. Kjo ka qenë tema e parë që kemi diskutuar me Bislimin, dhe pika e dytë për Planin e BE-së për Rritje Ekonomike”.

    Plani i BE-së parasheh ndarjen e një fondi prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të këtij rajoni.

    Lajçak ka thënë se për të fituar qasje në këto fonde, Kosova dhe Serbia e kanë parakusht angazhimin konstruktiv në dialogun e Brukselit, dhe si personi përgjegjës për të bërë vlerësimin për përparimin në dialog, ai ka thënë se e ka parë të nevojshëm një takim me zyrtarët në Kosovë dhe Serbi për hapat që duhet të marrin palët.

  • Mblidhen sot dy komisione të Kuvendit

    Mblidhen sot dy komisione të Kuvendit

    Duke filluar sot nga ora 10:30 do nisin mbledhjet e komisioneve.

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për Noterinë, për Këshillin Prokurorial dhe atë për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj.

    Ndërkaq, nga ora 11:00 fillon komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku mban dëgjim publik për Projektligjin për kripto-asetet.

  • Sot pritet nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Prizrenit dhe Portugalisë

    Sot pritet nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Prizrenit dhe Portugalisë

    Sot duke filluar nga ora 15:00, do të nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi.

    Memorandumi nënshkruhet ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe qytetit të Portos së Portugalisë.

    Kjo bëhet për bashkëpunim në fushat e turizmit, ekonomisë dhe kulturës.

  • Rohde për masat ndaj Kosovës: Tash është në dorën e shteteve anëtare

    Rohde për masat ndaj Kosovës: Tash është në dorën e shteteve anëtare

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të hiqen dhe gjithçka varet tash e tutje nga takimi që do të mbahet në Bruksel.

    Rohde, ka deklaruar se është në duar të shteteve anëtare së cili do të jetë vendim përfundimtar që do merret në raport me Kosovën, sa i përket vendosjes së masave nga BE-ja.

    Ambasadori, citoi edhe vizitën e emisarit për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, i cili takoi zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

    “Ky është një diskutim që duhet bërë në Bruksel, ne do të duhet të shohim mirë se çfarë do të vendosin. Tani është në dorën e shteteve anëtare, mendoj se i posaçmi  i BE-së, për dialogun, ishte dje në Kosovë, ai dha mendimet e tij, masa duhet të hiqen, të shohim se çfarë vjen”, ka thënë Rohde për Ekonomia Online.

    Kujtojmë se, në vizitën e tij në Kosovë, pas takimit me zëvendëskryeministrin, Bislimi, Lajçak u deklarua për media, ku tha se arsyeja e vizitës së tij në Prishtinë ka qenë për të diskutuar rifokusimin në procesin e normalizimit dhe se çfarë hapa duhet të ndërmerren tutje.

    Më tej, kishte theksuar se në takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi diskutuan për përshpejtimin e Marrëveshjes Bazike, por edhe për çështjen e Planit të Rritjes.

    “Çështja e dytë që e diskutuam ishte Plani i Rritjes, që është një instrument i ri financiar i BE-së që po ofrohet me 6 miliardë euro investime”.

    “Por, për Kosovën e Serbinë ky disbursim i fondeve është i kushtëzuar me angazhimin konstruktiv në dialog dhe këtu jam unë ai që duhet të bëjë këtë vlerësim për konstruktivitetin. Mu për këtë kemi diskutuar se si të arrijmë te vlerësimi pozitiv”, kishte thënë Lajçak.

  • Arrestohet një i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan vitin e kaluar

    Arrestohet një i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan vitin e kaluar

    Një person është arrestuar sonte si i dyshuar për përfshirje në sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, vitin e kaluar në Zveçan.

    Kjo u konfirmua nga zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Elshani theksoi se i dyshuari me inicialet L.D u ndalua në një pikë të kontrollit në Bistricë.

    “I njëjti është duke u intervistuar në Mitrovicë të jugut dhe pas intervistimit do të vendoset për hapat e mëtejme”, tha ai.

    Më 29 maj 2023, ishin lënduar 93 ushtarë të KFOR-it, dhjetëra prej tyre rëndë.

    Kjo si pasojë e protestuesve serbë që shkaktuan tensione si shkak i pakënaqësisë për vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në zgjedhjet e prillit të po këtij viti.

  • Përurohet Stacioni i ri i Autobusëve në Podujevë, kushtoi 1.3 milionë euro

    Përurohet Stacioni i ri i Autobusëve në Podujevë, kushtoi 1.3 milionë euro

    Stacioni i ri i Autobusëve në Podujevë, është përuruar të mërkurën, me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të këtij qyteti, raporton Ekonomia Online.

    Në ceremoninë e përurimit të këtij projekti, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi tha se ky stacion që ka marrë një pamje të mrekullueshme do të shërbejë edhe për linjat ndërkombëtare.

    Kryetari Bulliqi theksoi projekti i Stacionit të ri është realizuar në bashkëfinancim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, vlera totale e të cilit është 1.3 milionë euro, ku MZHR-ja ka participuar me 600 mijë euro, për të cilën e ka falënderuar Ministrin Fikrim Damka, kurse pjesa tjetër e projektit është financuar me buxhet komunal.

    Edhe Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, u shpreh i lumtur që me sukses është përmbyllur ky projekt i një rëndësie të veçantë jo vetëm për Komunën e Podujevës, por edhe më gjerë.

    Ai bëri të ditur se do të ndihmojnë komunën e Podujevës edhe në realizimin e projektit të Tregut të Gjelbër, i cili pritet të ndërtohet në vendin ku ka qenë deri tash Stacioni i vjetër i Autobusëve.

  • Presidenti rumun pritet ta tërheqë kandidaturën për shef të NATO-s

    Presidenti rumun pritet ta tërheqë kandidaturën për shef të NATO-s

    Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, pritet të njoftojë më 20 qershor se do të heqë dorë nga gara për t’u bërë shef i ardhshëm i NATO-s.

    Ai është pengesa e vetme në rrugën e kryeministrit të Holandës, Mark Rutte, për ta marrë postin e sekretarit të Përgjithshëm të aleancës ushtarake.

    Duke folur në Bukuresht më 19 qershor, pas një takimi me presidentin italian Sergio Mattarella, Iohannis tha se së pari do të bisedojë rreth vendimit të tij me Këshillin Suprem të Mbrojtjes Kombëtare të Rumanisë dhe pastaj do ta bëjë atë publik.

    Më herët gjatë ditës, Hungaria dhe Sllovakia thanë se do ta mbështesin Rutten, duke e lënë Rumaninë shtetin e vetëm në mesin e 32 vendeve anëtare të NATO-s që nuk e ka mbështetur liderin holandez 57-vjeçar.

  • Dorëzimi i eshtrave të tre personave tek autoritetet serbe, EULEX: Ishim aty me përfaqësuesit e IML-së

    Dorëzimi i eshtrave të tre personave tek autoritetet serbe, EULEX: Ishim aty me përfaqësuesit e IML-së

    Ekspertët mjeko-ligjorë të EULEX-it bashkë me përfaqësuesit e e IML-së dje në pikën kufitare në Merdarë kanë dorëzuar mbetjet e tre trupa të qytetarëve serbë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, që së fundi u identifikuan.

    EULEX-i njoftoi se mbetjet e një person i janë dorëzuar familjes, ndërsa të dy të tjerëve i janë dorëzuar autoriteteve serbe.

    “Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur homologët tanë vendorë në IML dhe institucionet e tjera relevante të Kosovës duke ofruar ekspertizë mjekoligjore dhe këshilla në kryerjen e punës komplekse të identifikimit të të gjitha mbetjeve njerëzore në morgun e IML-së, në mënyrë që anëtarët e familjes të realizojnë të drejtën e tyre për të ditur të vërtetën”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

  • Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, Osmani: Duhet t’i nxjerrim autorët para drejtësisë

    Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, Osmani: Duhet t’i nxjerrim autorët para drejtësisë

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se angazhimi i Kosovës është i palëkundur që të dalin para drejtësisë personat që kryen dhunime seksuale gjatë luftës së fundit.

    Në platformën X, ajo ka shpërndarë një video të sajën derisa ishte duke folur në OKB.

    “Në këtë Ditë Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, ne vazhdojmë të nderojmë guximin dhe qëndrueshmërinë e atyre që kanë duruar tmerre të papërshkrueshme nën regjimin gjenocidal të Millosheviqit. Këto gra dhe burra të guximshëm na kujtojnë detyrën tonë të përbashkët për t’i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si një armë lufte”.

    “Sot, ne shohim të mbijetuar në Kosovë që e transformojnë dhimbjen e tyre në veprim të fuqishëm, duke frymëzuar të tjerë të panumërt në kërkimin e drejtësisë. Angazhimi ynë është i palëkundur: duhet t’i nxjerrim autorët para drejtësisë dhe të sigurojmë që mizori të tilla të mos përsëriten kurrë!”, ka thënë Osmani