ATV

Category: Lajme

  • Moti ekstrem godet Evropën: Nxehtësi e madhe në disa vende, stuhi të forta në Gjermani

    Moti ekstrem godet Evropën: Nxehtësi e madhe në disa vende, stuhi të forta në Gjermani

    Evropa po goditet nga moti ekstrem me temperatura rekord dhe stuhi të forta. Disa vende të Ballkanit përballen me valë të nxehti që arrijnë deri në 40ºC, ndërsa Gjermania po përjeton stuhi të forta.

    Moti ekstrem vazhdon të mbretërojë në Evropë, ku temperaturat e larta dhe stuhitë e forta po prekin rajone të ndryshme, raporton Euronews.

    Në Rumani, banorët e Bukureshtit po përballen me një tjetër valë të nxehti që nga e mërkura kur temperaturat u rritën në rreth 40ºC në pjesën jugore të vendit. Vapa e fortë e ktheu kryeqytetin rumun në një skenë verore, me shumë banorë që kërkojnë lehtësim duke u freskuar në një liqen lokal dhe në burimet e parqeve, duke i dhënë qytetit një ambient tropikal.

    Në Gjermani, stuhitë dhe mot i lig goditën disa pjesë të Saksonisë të martën.

    Në distriktin e Meissen, erërat e forta ngritën alarmin, me raportime për një tornado të mundshme në qytetin e Gröditz. Moti i ashpër në vendin pritës të Euro 2024 shkaktoi dëme të konsiderueshme, duke shkatërruar linja të shumta të energjisë dhe duke dëmtuar çatitë.

  • Gjuriq: Kurti s’po pengohet, krijimi i një shoqërie multietnike në Kosovë po zëvendësohet me qëllime tjera

    Gjuriq: Kurti s’po pengohet, krijimi i një shoqërie multietnike në Kosovë po zëvendësohet me qëllime tjera

    Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq tha sot në RTS se shumë vende do të duhej ta përdornin ndikimin e tyre për ta parandaluar “tërbimin” etno-nacionalist të Kurtit”, ndërsa tha se prioriteti për krijimin e një shoqërie multietnike në Kosovë “po zëvendësohet”.

    Gjuriq, një ditë pas vizitës së përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak në Beograd tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në koma.

    “Nuk ka të bëjë me Miroslav Lajçakun, por me faktin se shumë vende që do të duhej ta përdornin autoritetin dhe ndikimin e tyre për ta parandaluar tërbimin etno-nacionalist të Kurtit, nuk e përdorin autoritetin e tyre ose nuk janë të interesuar, dhe në disa raste diçka shumë më keq po ndodh, që është se prioriteti i shpallur më parë për krijimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike në Kosovë dhe Metohi po zëvendësohet me disa qëllime të tjera gjeopolitike”, tha Gjuriq.

    Ai tha se serbët më Kosovë duhet të jenë “të durueshëm dhe të mençur”.

    “Ruajtja e interesave tona shtetërore dhe kombëtare varet në një masë të madhe nga këmbëngulja e tyre për të qëndruar në tokën e tyre, dhe ata janë heronj të vërtetë”, tha Gjuriq.

  • Pas Koresë së Veriut, Putin viziton Vietnamin

    Pas Koresë së Veriut, Putin viziton Vietnamin

    Presidenti rus, Vladimir Putin, po synon të forcojë lidhjet me partnerin e kamotshëm, Vietnamin, gjatë vizitës shtetërore që ka nisur më 20 qershor. Kjo vizitë zhvillohet në kohën kur Moska po përballet me izolim ndërkombëtar për shkak të veprimeve të saj ushtarake në Ukrainë.

    Putin u prit me ceremoni shtetërore në këtë shtet në Azinë juglindore. Ai shkoi në Vietnam nga Koreja e Veriut, ku me liderin e këtij shteti, Kim Jong Un, nënshkroi një marrëveshje, sipas së cilës, Pheniani dhe Moska zotohen se do të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast të ndonjë lufte.

    Putin arriti në Pallatin presidencial të Vietnamit më 20 qershor, ku u prit nga nxënës që mbanin në duar flamuj të Rusisë dhe Vietnamit. Ai u takua me presidentin e ri të shtetit, To Lam, dhe gjatë vizitës do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste, Nguyen Phu Trong – politikani më i fuqishëm i Vietnamit – dhe zyrtarë të tjerë.

    Rusia po synon të mbajë “bashkëpunim të ngushtë dhe efektiv” në energji, industri, teknologji, arsim, siguri dhe tregti, tha të mërkurën ambasadori rus në Vietnam, Gennady S. Bezdetko.

    Vizita e Putinit në Vietnam ka nxitur reagim të ashpër nga Ambasada amerikane në këtë shtet.

    Shumë ka ndryshuar që nga vizita e fundit që Putin zhvilloi në Vietnam më 2017. Rusia tani përballet me sanksione nga Perëndimi, përfshirë nga SHBA-ja, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Më 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë lëshoi një fletarrestim për Putinin në akuza për krime lufte. Kremlini mohon akuzat dhe ka theksuar se Moska nuk e njeh juridiksionin e kësaj gjykate.

    Hanoi dhe Moska kanë raporte diplomatike që nga viti 1950 dhe këtë vit shënohet 30-vjetori i traktatit për “raporte miqësore” mes Vietnamit dhe Rusisë.

    Vietnami po ashtu ka qëndruar neutral sa i përket pushtimit rus të Ukrainës. Por, ky neutralitet ka qenë i vështirë për shtetin, teksa Ambasada e SHBA-së në Hanoi ka kritikuar vizitën e Putinit duke thënë se “asnjë shtet nuk duhet t’i japë Putinit platformë për të promovuar luftën e tij të agresionit dhe për të lejuar që të normalizojë mizoritë e tij”.

    Nëse Putini lejohet të udhëtojë lirshëm “kjo mund të normalizojë shkeljet e rënda të ligjit ndërkombëtar”, tha Ambasada amerikane.

    Ndërkaq, raportet tregtare mes Rusisë dhe Vietnamit ishin në vlerë prej 3.6 miliardë dollarësh më 2023 dhe 171 miliardë dollarë me Kinën dhe 111 miliardë me Shtetet e Bashkuara.

    Që nga viti 2000, Rusia ka rreth 80 për qind të importeve të armëve të Vietnamit. Viteve të fundit këto importe kanë rënë për shkak të përpjekjeve të Vietnamit për të diversifikuar furnizimet./REL

  • Sulmoi pjesëtarët e KFOR-it dhe Policisë në Zveçan, arrestohet

    Sulmoi pjesëtarët e KFOR-it dhe Policisë në Zveçan, arrestohet

    Njësia policore gjatë realizimit të detyrave ligjore në një pikë kontrolli kanë ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar dhe gjatë verifikimit ka rezultuar se është i kërkuar për sulmin ndaj KFOR-it dhe zyrtarëve policor afër objektit të Komunës.

    Ai kërkohej që nga protestat e dhunshme në Zveçan, ku u lënduan disa pjesëtarë të KFOR-it, policisë së Kosovë, por edhe u sulmuan gazetarët.

    I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Lajçak takon ministrin e jashtëm të Serbisë, diskutojnë për dialogun

    Lajçak takon ministrin e jashtëm të Serbisë, diskutojnë për dialogun

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak gjatë vizitës së tij në Beograd është takuar me ministrin e sapoemëruar të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq me të cilin kanë diskutuar për procesin e dialogut.

    Kështu ka shkruar Lajçak në një postim në “X”.

    Ai ka thënë se kanë diskutuar edhe për procesin e integrimit të Serbisë në BE.

    “Në Beograd pata rastin të takohem edhe me ministrin e jashtëm të sapoemëruar Marko Gjuriq. Ne diskutuam për dialogun dhe procesin e integrimit të Serbisë në BE. I urova suksese në detyrën e re”, ka shkruar Lajçak.

  • ​Lonely Planet: Shqipëria mes destinacioneve më të mira evropiane

    ​Lonely Planet: Shqipëria mes destinacioneve më të mira evropiane

    Vera në Evropë është madhështore – por gjithashtu është një nga muajt më të ngarkuar të turizmit, që do të thotë se ju do të ndani ‘madhështinë’ me shumë vizitorë të tjerë, sipas një artikulli të botuar në “Lonely Planet”.

    Ne ju rekomandojmë disa nga destinacionet më magjike të Evropës pa turma vizitorësh.

    Shqipëria është renditur mes gjashtë destinacioneve fantastike në Evropë për të kaluar pushimet në gusht.

    Riviera Shqiptare

    E quajtur ndryshe si perla e fshehur, ku plazhet janë mahnitëse dhe çmimet vërtet të përballueshme, bregdeti i lavdishëm i jugut të Shqipërisë mbetet një ‘kënaqësi’ për turistët që janë në kërkim të diellit, rërës dhe ushqimeve të detit.

    Saranda është një qytet bregdetar i gjallë, i mbushur me bare të shumtë.

    Për vendpushime më të qeta, shkoni në bregdet në Himarë, i rrethuar nga një shumëllojshmëri plazhesh magjepsëse – vizitoni plazhin e Potamit, në jug.

    Gushti iu garanton diellin, ujin e ngrohtë dhe temperaturën që arrin në 30°C.

    Çuditërisht, shezlongët dhe çadrat e plazhit ofrohen me një çmim premium, por ju mund të kërkoni plazhe të qeta me rërë në vende të tilla si, Palasa, Borshi, Buneci me guralecë dhe ishujt jashtë Ksamilit.

    Gjithashtu, ju mund të vizitoni Qafën epike të Llogorasë për në Gjirin e Vlorës, ku do të zbuloni më shumë vendpushime dhe bëni udhëtime me varkë në plazhet e izoluara në fund të Gadishullit të Karaburunit.

    Për një pushim larg bregdetit, vizitoni sitin arkeologjik të Butrintit, ku rrënojat greke, romake dhe bizantine, që datojnë 2500 vjet më parë, janë të grumbulluara në një kodër me gurë.

    Gjashtë vendet më të mira evropiane për të shkuar me pushime në gusht sipas “Lonely Planet”:

    1-Riviera Shqiptare

    2-Gadishulli i Pelionit, Greqi

    3-Minho, Portugali

    4-Austria Qendrore

    5-Belgjika bregdetare

    6-Arkipelagu i Stokholmit, Suedi

  • ​Dita Botërore e Refugjatëve

    ​Dita Botërore e Refugjatëve

    Sot shënohet Dita Botërore e Refugjatëve.

    Dita Botërore e Refugjatëve synon të tërheq vërejtjen për vuajtjet e dhjetëra milionë refugjatëve në mbarë botën.

    Në ditën Botërore të Refugjatëve shumë prej tyre nuk kanë shpresa për kthimin e në atdheun e tyre të mëparshëm. Miliona familje kanë humbur shtëpitë e tyre gjatë konflikteve të dhunës dhe luftës. Prandaj Asambleja e Përgjithshme vendosi që 20 qershori të shënohet si Dita Botërore e Refugjatëve.

    Dita Botërore e Refugjatëve është themeluar nga Kombet e Bashkuara për të nderuar guximin, forcën dhe vendosmërinë e grave, burrave dhe fëmijëve të cilët janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e persekutimin, konfliktit dhe dhunës.

    Evropa aktualisht është duke kaluar në një krizë të refugjatëve e cila ka nisur kur fluksi i madh i njerëzve filluan të ikin nga konflikti në Lindje të Mesme dhe Afrikë.

    Të dhënat e fundit e Organizatës së Kombeve të bashkuara tregojnë se mbi 70 milionë njerëz kanë ikur nga vendet e tyre për shkak të luftërave në mbarë botën.

  • Sulmet ruse shkaktojnë dëme në infrastrukturën e energjisë në Ukrainë

    Sulmet ruse shkaktojnë dëme në infrastrukturën e energjisë në Ukrainë

    Rusia ka sulmuar Ukrainën me raketa dhe dronë gjatë natës, duke dëmtuar infrastrukturën e energjisë në katër rajone, tha kompania kombëtare e energjisë, Ukrenerho më 20 qershor.

    “Pajisje janë dëmtuar në ndërtesat e energjisë në rajonet e Vinitsjas, Dnipropetrovskit, Donjeckut dhe Harkivit”, tha Ukrenerho përmes një postimi në Telegram.

    Kjo kompani tha se gjatë sulmeve në një ndërtesë energjetike janë plagosur tre punonjës.

    Ndaras, Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se Rusia sulmoi Ukrainën më 20 qershor me nëntë raketa dhe 27 dronë.

    Ushtria ukrainase tha se ka rrëzuar të gjithë dronët dh pesë raketa.

    Që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, forcat e Moskës vazhdimisht shënjestrojnë rajonet ukrainase me lloje të ndryshme të armëve dhe po ashtu sulmojnë ndërtesa të energjisë dhe infrastrukturën civile. Pavarësisht dëshmive, Moska mohon se sulmon civilët në Ukrainë./REL

  • ​Dita kur Gjermania lëviz kryeqytetin nga Boni në Berlin

    ​Dita kur Gjermania lëviz kryeqytetin nga Boni në Berlin

    Bundestagu gjerman më 20 qershor të vitit 1991 miratoi Ligjin e vendosjes së kryeqytetit të ri të Gjermanisë në Berlin. Ky ligj vendoste zyrtarisht Berlinin si kryeqytetin e ri, duke ndryshuar statusin e Bonit (Bonn) si kryeqyteti i deritashëm. Kjo vendim u mor pas diskutimeve dhe debatit të gjerë politik.

    Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania ishte ndarë në dy shtete të ndara politikisht dhe ideologjikisht: Republika Federale e Gjermanisë (Gjermania Perëndimore) dhe Republika Demokratike Federale e Gjermanisë (Gjermania Lindore).

    Me rënien e Murit të Berlinit në 9 nëntor 1989 dhe proceset e bashkimit që pasuan, u krijua mundësia për t’u bashkuar dy shtetet dhe për të vendosur kryeqytetin e ri të Gjermanisë. Vendimi për të bërë Berlinin kryeqytet u mor gjatë bisedimeve dhe negociatave midis politikanëve gjermanë dhe vendimeve të marrë në nivel kombëtar.

    Një nga arsyet kryesore për zgjedhjen e Berlinit ishte fakti që qyteti kishte një rëndësi historike dhe simbolike të veçantë për gjermanët. Berlini ishte qyteti i themeluar i shtetit prusian dhe kishte qenë kryeqyteti i Prusisë dhe Gjermanisë së bashkuar për një kohë të gjatë. Nëse Berlini nuk do të kishte qenë kryeqyteti, kjo do të kishte shkaktuar ankesa dhe kontestime nga ana e banorëve të ish-Gjermanisë Lindore.

    Në mënyrë të veçantë, vendosja e Berlinit si kryeqyteti i Gjermanisë u bë për të përmbushur simbolikisht vizionin e bashkimit dhe unitetit të Gjermanisë. Për shumë gjermanë, Berlini ishte një simbol i ndarjes dhe ndërlikimeve të kaluar, kështu që vendosja e tij si kryeqyteti i bashkuar u pa si shenjë e bashkimit dhe rikthimit të Gjermanisë së bashkuar.

    Vendosja e Berlinit si kryeqyteti i Gjermanisë ishte rezultat i vendimeve politike dhe historike që i dhanë rëndësi simbolike Berlinit dhe e konsoliduan atë si qendër politike e Gjermanisë së bashkuar.

    Boni kishte qenë defakto kryeqytet i Republikës Federale Gjermane. Në njohje të kësaj, ish-kryeqyteti mban një lloj titulli të veçantë, atë të qyteti federal (Bundesstadt).

    Boni është vendlindja e kompozitorit Ludwig van Beethoven (1770). Bon rrjedh nga lashtësia dhe mban emrin e fisit gjermanik “Eburoni”.

  • OKB jep alarmin: Kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet

    OKB jep alarmin: Kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet

    Kriza humanitare në Gazën jugore po “përkeqësohet me shpejtësi” për dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur të grumbulluar në një zonë përgjatë bregdetit në mes të “vapës flakëruese të verës” dhe ku “konflikti aktiv dhe paligjshmëria” e bëjnë pothuajse të pamundur për punonjësit humanitarë të plotësojnë nevojat”.

    Kjo është ajo që lexojmë në raportin e fundit mbi situatën në Gaza nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (Unocha).

    Agjencia e OKB-së gjithashtu raporton se në kampet për njerëzit e zhvendosur në Gaza qendrore dhe jugore, qasja në ujë është jashtëzakonisht e dobët dhe ka mungesë serioze ushqimi, si dhe qumësht dhe formulë për fëmijët.

    “Shumë familje raportojnë se hanë vetëm një vakt në ditë dhe disa konsumojnë një në çdo dy deri në tre ditë”, thuhet në raport.

    Kufizimet e vendosura nga Izraeli vazhdojnë të “minojnë rëndë ofrimin e ndihmës dhe shërbimeve thelbësore humanitare në të gjithë Gazën, duke përfshirë sigurimin e ndihmës ushqimore, kujdesin mjekësor, mbrojtjen dhe mbështetjen e strehimit, si dhe shërbimet e ujit, kanalizimeve dhe higjienës për mijëra njerëz”, shton raporti i Unocha.