ATV

Category: Lajme

  • ​Vrasje në tentativë, caktohet masa e paraburgimit kundër të pandehurit H.V

    ​Vrasje në tentativë, caktohet masa e paraburgimit kundër të pandehurit H.V

    Gjykata Themelore Prishtinë, ka caktuar maën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit H.V, për shkak tëdyshimit se ka kryer veprat penale Vrasja në tentative, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve dhe veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

    “Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi që nëse i pandehuri H.V lihet në liri, paraqet rrezik që i njëjti të ik dhe të shmanget nga procedura penale, pasi i pandehuri nga data e 13.06.2024 kur dyshohet që ka kryer veprën penale Vrasje në tentativë e deri me datë 18.06.2024 kur është arrestuar nga Policia e Kosovës, ka qenë në arrati, andaj nën këto kushte gjykata vlerëson rrezikun potencial nga i pandehuri që të ik me qëllimin që të shmanget nga procedura dhe përgjegjësia penale e tij, po ashtu i njëjti nëse lihet në liri, mund të pengoj rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në të dëmtuarit apo dëshmitarët në këtë çështje”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

    Në komunikatë poashtu thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri H.V me datë 13.06.2024, rreth orës 21:20 minuta, në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të ndodhura më parë me persona ende të panjohur dhe me qëllim të hakmarrjes tenton të privojë nga jeta personat të cilët banonin me qera në një banesë në rrugën “Xheladin Hana” dhe me atë rast me dashje e kishte vënë në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë, duke shkuar prapa banesës në fjalë dhe nga aty kishte shkrepë rafalë me armë zjarri disa herë në drejtim të kësaj banese, ku gjatë të shtënave plumbat kishin goditur edhe një banesë tjetër dhe pastaj i pandehuri H.V kishte ikëur nga vendi i ngjarjes duke qëndruar në arrati, derisa Policia ka arritur të arreston të njëjtin.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 26 qershor

    Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 26 qershor

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Takimin e konfirmoi për ATV-në zëdhenësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.

    “Mund të konfirmoj se një takim i nivelit të lartë i dialogut Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga BE-ja do të mbahet në Bruksel të mërkurën e ardhshme. Presidenti i Serbisë dhe kryeministri Kurti do të përfaqësojnë palët përkatëse dhe takimi do të drejtohet nga Ndërmjetësuesi – Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak”, tha Stano për ATV-në.

  • Presidentja Osmani takohet me homologen sllovene

    Presidentja Osmani takohet me homologen sllovene

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidenten sllovene, Natasa Pirc Musar.

    Takimi ka zënë vend në Zvicër, ku gjatë fundjavës që lëmë pas u mbajt Samiti për Paqen në Ukrainë.

    Dy homologet kanë biseduar për marrëdhëniet Kosovë-Slloveni.

    E lumtur pas takimit është shprehur presidentja Osmani.

    Në profilin e saj në “X”, Osmani tha se: “Kosova është krenare për miqësinë afatgjate me Slloveninë”.

  • ​BE-ja pritet t’i heqë pjesërisht dhe gradualisht masat ndaj Kosovës

    ​BE-ja pritet t’i heqë pjesërisht dhe gradualisht masat ndaj Kosovës

    Në Bashkimin Evropian nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Por, si kompromis pritet që këto masa të hiqen pjesërisht dhe gradualisht.

    Kështu mësoi Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në bllok pas diskutimeve që u zhvilluan më 19 qershor në Komitetin për politikë dhe siguri të BE-së (PSC), ku morën pjesë përfaqësuesit e shteteve anëtare.

    Sipas burimeve, shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të masave, siç edhe ka rekomanduar përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, në raportin që u dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor, lidhur me hapat që Kosova ka ndërmarrë për uljen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

  • Arrestohet një kosovar në Hungari, u kap me 11 kilogramë marihuanë

    Arrestohet një kosovar në Hungari, u kap me 11 kilogramë marihuanë

    Policia hungareze ka arrestuar një shtetas kosovar pasi e kapi duke tentuar të kontrabandonte 11 kilogramë marihuanë në Hungari përmes kufirit serbo-hungarez.

    Policia ka gjetur drogën në veturën e tij teksa po kalonte kufirin të dielën.

    Zyra e prokurorit ka thënë se ka rrezik nga ikja e tij, prandaj edhe ka vendosur për ndalim në paraburgim deri në përfundimin e procedurave, raportoi DailyNewsHungary.

  • Mjeti i dyshuar nuk ishte shpërthyes, lëshohet për qarkullim rruga për Gërmi

    Mjeti i dyshuar nuk ishte shpërthyes, lëshohet për qarkullim rruga për Gërmi

    Rruga “Shpëtim Robaj” në Taukbahqe, për disa orë ishte e bllokuar mëngjesin e sotëm për shkak të dyshimeve për një mjet shpërthyes, tani është hapur për qarkullim.

    Kjo për shkak se mjeti i dyshuar, nuk ishte shpërthyes.

    Policia e Kosovës i tha ATV-së se mjeti në fjalë ishte një pajisje e veturës.

    “Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, ka rezultuar se mjeti nuk ka qenë shpërthyes. Bëhet fjalë për një pajisje të veturës. Pas përfundimit të ekzaminimit rruga është liruar për qarkullim”, thuhet në përgjigjen e Policisë për ATV-në.

  • Ministri i Jashtëm izraelit: Duhet ta ndalojmë menjëherë Iranin para se të jetë tepër vonë

    Ministri i Jashtëm izraelit: Duhet ta ndalojmë menjëherë Iranin para se të jetë tepër vonë

    Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz deklaroi se Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Hezbollah, Hassan Nasrallah ka “kërcënuar me sulm” Administratën qipriote greke të Qipros Jugore (GCASC), transmeton Anadolu.

    Në një postim nga llogaria e tij në median sociale X, Katz mbrojti idenë e tij se “Raketat e Iranit kërcënojnë vendet e Evropës dhe të gjithë botën e lirë”.

    “Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Hezbollah, Hassan Nasrallah në fjalimin e tij dje kërcënoi me sulm Qipron Jugore. Duhet ta ndalojmë Iranin menjëherë para se të jetë tepër vonë”, tha Katz.

    Ai në postimin e tij etiketoi llogaritë e medias sociale në X të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron dhe ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock si dhe llogaritë e ministrit të Jashtëm francez, Stephane Sejourne.

    Nasrallah tha se kanë informacione të inteligjencës se Izraeli do të përdorë aeroportet dhe bazat ushtarake të Administratës qipriote greke në një sulm të mundshëm gjithëpërfshirës ndaj Libanit. “Në një rast të tillë do ta konsiderojmë Administratën qipriote greke si pjesë të luftës”, ka thënë ai.

  • SHSKUK njofton zgjedhjen e kryesuesit të ri të bordit

    SHSKUK njofton zgjedhjen e kryesuesit të ri të bordit

    Bordi Drejtues i SHKUK-se në mbledhjen e 52 – të mbajtur me datë 20.06.2024 konform dispozitave ligjore; me 6 vota PRO, dhe një votë të pavlefshme, në mandat 1 vjeçar ka zgjedhur Kryesues të Bordit Drejtues, Dr. Dren Boshnjakun.

    Bordi Drejtues i SHSKUK-së me këtë rast ka vlerësuar, dhe falënderuar, për kontributin e deritanishëm ish-Kryesuesin Dr. Naim Bardiqin dhe anëtarin e deritanishëm të Bordit Drejtues të SHSKUK-së Dr. Besim Demollin.

    Kryesuesi Dr. Boshnjaku në fjalën e tij falënderoj anëtarët e Bordit Drejtues për besimin e dhënë dhe premtoj angazhim maksimal në funksion të ngritjen e cilësisë të shërbimeve shëndetësore nga SHSKUK.

    Dr. Dren Boshnjaku
  • ​Të paktën 34 të vdekur nga konsumi i alkoolit toksik në Indi

    ​Të paktën 34 të vdekur nga konsumi i alkoolit toksik në Indi

    Të paktën 34 persona kanë vdekur pasi konsumuan alkool toksik në shtetin jugor të Indisë, Tamil Nadu, thanë zyrtarët.

    Ngjarja ka ndodhur në lagjen Kallakuruchi ku disa banorë janë sëmurë pasi kanë konsumuar pije alkoolike mbrëmjen e së martës.

    Të paktën 80 persona po trajtohen në spitale për sëmundje të tilla si diarreja e tepërt dhe zyrtarët thonë se numri i të vdekurve mund të rritet më tej.

    Deri më tani janë arrestuar dy persona dhe po vijon një hetim më i gjerë.

    Autoritetet kanë pezulluar gjithashtu një zyrtar të lartë të policisë dhe dhjetë anëtarë të krahut të zbatimit të ndalimit të shtetit, për neglizhencë.

    Alkooli, i prodhuar në mënyrë jo legale, shkakton vdekjen e dhjetërave njerëzve në Indi çdo vit.

    Në këtë alkool shpesh shtohet metanol – një formë shumë toksike e alkoolit që ndonjëherë përdoret si një antifriz – për të rritur ndikimin e tij.

    Nëse gëlltitet edhe në sasi të vogla, metanoli mund të shkaktojë verbëri, dëmtim të mëlçisë dhe vdekje.

    Ata që konsumuan alkool përjetuan simptoma si marramendje, dhimbje koke, të vjella, të përziera, dhimbje stomaku dhe acarim të syve dhe u dërguan në spital. /BBC/

  • Shpëlarja e parave e financimi i terrorizmit, rrezik nga Projektligji për kripto-asetet – BQK-ja do t’i mbikëqyr

    Shpëlarja e parave e financimi i terrorizmit, rrezik nga Projektligji për kripto-asetet – BQK-ja do t’i mbikëqyr

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të enjten ka mbajtur dëgjim publik për Projektligjin për kripto-asetet, me ç’rast u theksua nevoja për miratimin e ligjit në Kuvend, raporton EO.

    Anëtarja e Komisionit për Ekonomia, Mimoza Kusari-Lila, tha se ky projektligj ka filluar nismën me dëgjimin e parë publik në muajin gusht të vitit 2021, ndërsa ka vazhduar në korrik 2022, teksa shtoi se këtë projektligj e ka mbështetur edhe Këshilli i Evropës.

    “Janë bërë më shumë se dy vite kur nisma për kripto-asetet është filluar, deri më tani në këtë proces janë mbajtur dy dëgjime publike, i pari është mbajt në gusht 2021 për të diskutuar për idenë, i dyti është mbajt një vit më pas në korrik 2022-ës për një draft. KE-ja, përmes ekspertëve ka mbështetur grupet e punës, fokusi ka qenë të punohet kundër pastrimit të parave. Ky ligj ka për qëllim ruajtjen e kripto-aseteve”, tha Kusari-Lila.

    Përfaqësuesi i BQK-së, Ervin Mala, tha se kanë filluar diskutimet për organizimin dhe ndarjen e resurseve dhe akteve ligjore.

    “Banka Qendrore do të ketë rolin për monitorimin e të gjithë operatorëve që do të merren në këto asete”, tha ai.

    Deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj, tha se Qeveria duhet të ketë monitorimin e kësaj paraje në mënyrë që të mos keqpërdoret.

    “Sa i përket kriptove, janë globale dhe ne duhet patjetër t’i standardizojmë ligjet në fjalë, ne duhet të kemi një licencim të tyre e kontroll, nuk besoj se ka dikush kompetencë tjetër përveç BQK-së. Qeveria duhet të ketë monitorim të parasë, të mos ketë shpëlarje të parave dhe të mos financohet terrorizmi. Duhet të regjistrohen individët qe kanë të bëjnë me asetet të mbrohen të dhënat dhe të ruhen transaksionet”, tha Lekaj.

    Vyrtyt Ibrahimaga, avokat, tha se në draftin e parë janë përfshirë kushte që iu mungon rregullimi me akte nënligjore.

    “Drafti paraprak janë parapa dispozita, kushtet se në cilat raste operatorët duhet përmbush kushte që të marrin një autorizim dhe licencë, kriteret që janë më rëndësi të jenë transparente, ato duhet rregulluar me akte nënligjore. Nuk e rregullon emetimin, ky ligj nëse është për kripto-asete dhe nuk ka dispozita për emetim duhet detyrimisht me ndryshua emrin”, tha ai.

    Kusari Lila, tha se Projektligji ka nevojë për përmirësim, ndërsa shtoi se në rajon nuk ka projektligj më të detajuar.

    “Kemi pas rregullative e BE-së që është gjenerale dhe nuk ka specifika. Te pjesa e emetimit kemi nevojë për përmirësime”, shtoi ajo.

    Përfaqësues nga BQK-ja, Elvin Mala, tha se BQK-ja, ka përgjegjësi për kritere e monitorim.

    “Ky ligj e ndan rolin dhe përgjegjësitë, lidhur me aktet në ligjore përgjegjësia i bie BQK-së, që të vendosen kriteret. Sa i përket monitorimit, BQK-ja ka përvojë në mbikëqyrje, kjo është e re për ne por nuk do thotë se nuk mund të arrihet, po ashtu BQK-ja, ka qenë transparente dhe ka nda interesat”, tha Mala.

    Deputeti nga pushteti, Driton Hyseni, tha se sektori i kriptove ende përballet me sfida dhe të papritura, andaj është e rëndësishme përgjegjësia.

    “Sa të gatshëm jemi për implementim të ligjit që më vonë ne si deputet të futemi në monitorim dhe të shohim, duhet të punojmë bashkë sepse shumë qytetarë kanë investuar në kripto-asete dhe kemi përgjegjësi, këtë fushë duhet të rregullojmë, duke marrë edhe praktikat ndërkombëtare”, tha Hyseni.