Policia e Kosovës ka njoftuar se në Fushë-Kosovë ka arrestuar një grua e cila dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj burrit me të cilin ishte duke bashkëjetuar.
Sipas Policisë pas intervitimit e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt. Rasti ka ndodhur të dielën dhe është cilësuar si “dhunë në familje”.
“Është arrestuar e dyshuara femër kosovare për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës mashkull kosovar me të cilin kishte qenë duke bashkëjetuar. Viktima si pasojë e dhunës ka pranuar tretman mjekësor, kurse e dyshuara pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.
Tash e dy vjet, kjo është mënyra se si vijojnë mësimin këta nxënës me nevoja të veçanta, të klasës së tretë në shkollën fillore “Ali Kelmendi”, në Vushtrri.
Mirëpo, këta nuk janë të vetmit që iu nevojitet një asistent gjatë procesit mësimor.
Gjithsej shkolla numëron vetëm 3 asistente, ndërsa 30 nxënës kanë nevojë për to.
Njëra prej tyre është Atifete Januzi, e cila thotë se e ka të vështirë menaxhimin e këtyre nxënësve.
“Jemi pak asistente, ka nevojë për më shumë, po shpresojmë që kanë me u bë edhe më shumë, që më iu dhanë mbështetje këtyre fëmijëve e me pas një të ardhme më të mirë. Roli i asistentit është shumë i rëndësishëm, andaj kemi me ju dhanë mbështetje çkado që kanë nevojë”, tha Januzi.
Shtimin e numrit të asistentëve në shkollë po e kërkon edhe drejtori Milazim Hyseni. Megjithatë, nuk ka shpresa që numri i tyre do të rritet.
“Neve se di sa na bien, kur të pjesëtojmë numrin e asistentëve me 36 shkolla në Vushtrri. Secila shkollë ka nevojë për asistent, te ne duhet minimum edhe 10 asistentë për me fëmijët me nevoja të veçanta, në mënyrë që me startua mirë. Problemin e kemi edhe me klasat e para, sepse po kemi trysni prej prindërve që me iu sigurua nga një asistent fëmijëve të tyre”, tha Hyseni.
Në mungesë të asistentëve, sipas tij, jo rrallë herë prindërit detyrohen ta luajnë rolin e tyre.
Andaj që kjo të mos ndodhë drejtoria e Arsimit në këtë komunë, thotë se ka kërkuar nga MASHT-i angazhimin edhe të 47 asistentëve të rinj, me qëllim që t’i mbulojnë kërkesat e 130 nxënësve me nevoja të veçanta sa janë gjithsej në këtë komunë.
“Komuna ka ndërmarrë hapa konkretë duke bërë kërkesë me shkrim në agjencinë për arsim dhe aftësim profesional, kemi kërkuar të na mundësohet rritja e numrit të asistentëve. Duke i parë vështirësitë ne si DKA, apelojmë MASHTI-n, që të krijojë një kod të veçantë buxhetor përmes të cilit i mundësohet komunave angazhimi i asistenteve për fëmijët me nevoja të veçanta”, tha drejtori i Arsimit në Vushtrri, Albanez Tahiraj.
ATV-ja është interesuar në Ministrinë e Arsimit për këtë çështje, mirëpo kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje, as pas një jave insistim.
Ndërkohë, që në komunën e Vushtrrisë aktualisht të punësuar janë vetëm 12 asistentë.
Me të filluar sezoni i nxehtë, u shpeshtuan reduktimet e ujit.
Të pakët kështu thonë qytetarët, të cilët furnizohen me ujë nga liqeni i Badocit.
Sipas tyre, pikërisht në temperatura të larta si të ditëve që lemë pas, duhet të ketë ujë mjaftueshëm.
“Verës po ka më shumë ndalesa, nga ora pesë e mbrëmjes ndalet nga një orë dy. mbajmë ujë rezervë, ka ra shi ka ujë mjaftueshëm, të mos përdoret uji pa lidhje”, tha Zahir Sallani, qytetar.
Mirëpo, që reduktimet të jenë të rralla, nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, kanë apeluar për shpenzim racional të ujit.
“Konsumatorët e këtij liqeni shpeshherë gjatë verës ballafaqohen me mungesë të ujit, andaj të jeni të vetëdijshëm që ujin që e përdorim për pije të mos e përdorin assesi për destinime të tjera. Ne kemi laboratorin të akredituar fiziko-kimike dhe bakteriologjik brenda ujësjellësit ku mostrat merren paralelisht me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës”, tha zëdhënësja në KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.
Ndërkaq, peshkatarëve u bëhet thirrje që liqeni i Badocit mos të përdoret për këtë veprimtari dhe qytetarëve mos të zhytën në ujë.
“Ne e marrim ujin nga liqeni i Badocit dhe e trajtojmë atë deri tek konsumimi për pije. Nuk është që e ndot liqenin në mënyrë direkte sepse ne e kemi procesin teknologjik që e trajtojmë për të bërë ujë të pijshëm dhe e shpërndajmë te konsumatorët, por në shikim të parë nuk është mirë që uji që konsumohet dhe përdoret për pije, të lahen, të pastrohen apo të hedhin mbeturina dhe as peshkimi, sepse një gjë e tillë nuk është e lejuar në bazë të ligjeve administrative”, tha Mjeku.
Ankesa po ashtu ka edhe për tarifën e faturave. Ndërsa këtë javë u paralajmërua se mund shërbimet e ujit mund të shtrenjtohen.
“Më ka ardhë para 20 ditëve 250 euro me pagu ujin, e kam paguar nuk ka dalë me shiku gati gjashtë, shtatë muaj për me marr gjendjen. nga 10-15 euro i kam dhënë gjithë deri me të 20-tin që ma kanë dërgu me pagu 350 euro. Gjithmonë e kam paguar më rregull”, tha Tahir Krasniqi, qytetar.
Për herë të parë pas shumë viteve, liqeni i Badocit kishte arritur kuotën maksimale të kapërderdhjes në fillim të këtij viti.
Qysh atëherë, nga “KRU” Prishtina kanë thënë se nëse uji përdoret me kontroll, reduktimet nuk do të jenë të rralla.
Secila klasë në shkollat e Kosovës, e ka edhe kujdestarin e saj. Përveç lëndës që e japin rregullisht, ata duhet që me nxënësit e vet të mbajnë edhe orë kujdestarie, ndaras nga orët e rregullta.
Por ka të tillë që diskutimet për çështjet e kujdestarisë, i mbajnë gjatë orëve të mësimit. Njohësit e fushës thonë se kjo e dëmton procesin mësimor.
“Në këtë mënyrë humbin orët që kanë qenë të parapara të mbahen me arsimtarin e lëndës, andaj si pasojë e kësaj ata do të ngecin në njohuritë dhe shkathtësitë në lëndën e caktuar. Shtimi i orëve të kujdestarisë do të ishte një hap i qëlluar”, tha Argjent Osmani, njohës i arsimit.
Një praktikë të tillë e mohon drejtori i shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, Visar Osmani. Sipas tij, kujdestarët e klasave, për këtë çështje, mbajnë orë veçmas.
“Te ne nuk mbahen orët e kujdestarisë gjatë orëve mësimore, fatmirësisht mësimdhënësit e kanë kuptuar rëndësinë. Ata që janë kujdestarë të mbajnë orë kujdestarie. Së paku 1 herë në 2 javë dhe e bëjnë në baza vullnetare”, tha Osmani.
Osmani kërkon kompensim me pagesë për këto orë. Një gjë e tillë pritet të përfshihet në një udhëzim të ri administrativ.
“Ende nuk ka dalë në dëgjim publik, po, sipas tij, parashihet që me u pagua. Mendoj që është e domosdoshme që të jetë ora e kujdestarisë…”, tha Osmani.
Për pjesën e kompensimit, mendojnë ndryshe njohësit. Sipas Argjend Osmanit mbajtja e orëve të kujdestarisë do të plotësonte orarin e tyre prej 40 orësh në javë.
“Mësimdhënësit paguhen për orar të plotë d.m.th. për 40 orë në javë dhe mendoj kjo do të ishte një pjesë e punës së tyre. Duhet të jemi të arsyeshëm 40 orë në javë është numër i madh i orëve që nuk besoj se nuk do të kishte qenë shumë problem për mësimdhënësit”, tha Argjend Osmani, njohës i arsimit.
Orët e kujdestarisë janë të parapara në rregulloret për organizimin e punës në shkolla fillore, të mesme të ulëta dhe të mesme të larta. Ato përcaktohen nga drejtoritë e caktuara komunale të arsimit për shkollat e asaj komune.
Qytetarët po ankohen se nuk po mund të shëtisin qetë nga insektet në parqet e kryeqytetit.
Në pranverë do të duhej të niste faza e parë e dezinsektimit, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Qytetarët presin thonë se institucionet kompetente është dashur të marrin masa deri tani.
“Dje bile m’ hongren do mickoja, këto po thonë diqysh janë edhe helmuese, komuna duhet me ja nis mi hekë këto me procedurat e tyre…”, tha Hasim Pasjaqa, qytetar.
Edhe ngasja e biçikletës bëhet më e vështirë, për shkak të insekteve të shumta.
“Nuk e di qa janë vonuar sivjet, tani këto po ngurrojnë edhe mas mbeturinave të shumta e po bohet katastrofë”, tha Afrim Çeku, qytetar.
Vitin e kaluar, dezinsektimi në kryeqytet kishte nisur në muajin maj.
“Vitin e kaluar këso vakti diçka e kanë filluar tash janë vonë pak…”, tha Sali Bytyqi, qytetar.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, e arsyeton vonesën me problemet në procedurat e prokurimit. Mirëpo thotë se javën e ardhshme, do të nis puna.
“Kemi pasur telashe tenderuese, problemi ka qenë në fushën e prokurimit, pasi kontrata e kompanisë paraprake përfundoi në maj, andaj u desh të kontraktohet një kompani e re. Andaj, faza e parë e dezinsektimit do të filloj në ditët e para të javës së ardhshme . Ky proces do të bëhet në të gjitha vendet hapësinore të kryeqytetit, natyrisht duke përcjellë kushtet atmosferike”, tha Sadiku.
Sadiku shpjegon se një ditë para fillimit të dezinsektimit do të njoftohen qytetarët, shoqata e bletarëve dhe kryetarët e bashkësive lokale, me qëllim që t’i shmangin hapësirat publike.
Ky proces ndahet ne 6 faza, ku secila prej tyre zgjat 6 ditë me 10 ditë pauzë pas secilës dhe do t’i përfshijë 6800 hektarë të sipërfaqes së Prishtinës.
Janë bërë dy vjet e gjysmë, qëkur Sali Mulaj mban pozitën e ushtruesit të detyrës të drejtorit, në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Edhe Naim Sejdiu, bëri karrierë të gjatë si ushtrues detyre i kryeinspektorit të KPMM-së. Këtë pozitë ai e mban tash e tri vjet e gjysmë.
Bordi i ri i KPMM-së, i zgjedhur rreth një muaj më parë, akoma nuk i ka filluar procedurat për plotësimin e këtyre pozitave.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, thotë se konkurset për drejtor e kryeinspektor, është dashur të hapen qysh në javën e parë të punës së bordit të ri.
“Është dashur të fillojë implementimi i Ligjit dhe urgjentisht të shpallet konkursi për dy pozita kyçe në KPMM, pozitën e drejtorit menaxhues dhe pozitën e kryeinspektorit, pozicione këto të cilat janë si të themi palca kurrizore institucionale e KPMM-së”, tha Shala.
Edhe Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, thekson se plotësimi i dy pozitave të përmendura, duhet të jetë prioritet për bordin.
“Me ushtrues detyre, vetëm sa e cungon institucionin dhe nuk e lë të ecë përpara. Për faktin që tash kemi një konstituim të bordit të KPMM-së, mendoj që punën e parë që bordi është dashur ta bëjë është menjëherë t’i fillojë procedurat dhe ta hapë konkursin për drejtorin e ri, ta përfundojë procesin e rekrutimit të drejtorit të ri të KPMM-së, njëkohësisht edhe kryeinspektorit, e pastaj me fillu me çështje tjera”, tha Demhasaj.
Bordi treanëtarësh, ka edhe detyra të tjera.
Rreth 400 aplikacione për licencë të ndërmarrjeve publike e private, kanë mbetur pa u shqyrtuar që nga 2022-ta, kur kryesuesja e bordit paraprak u pensionua.
Burimet i thanë ATV-së, se akoma asnjë aplikacion nuk është shqyrtuar, meqë nga disa ndërmarrje pritet plotësimi i dokumentacioneve të skaduara.
Krejt kjo, sipas Demhasajt, po i favorizon bizneset e licencuara.
“Fakti që ka kaq shumë aplikime për licencë në KPMM, që nuk po shqyrtohen, i bie që ata që kanë licencë, normalisht që favorizohen sepse ata normalisht që vazhdojnë punën e tyre dhe i furnizojnë të gjitha kompanitë e mundshme në Kosovë, që kanë nevojë për gurë të fortë dhe janë pak ato që kanë licenca”, tha Demhasaj.
ATV-ja tentoi që për këtë çështje të diskutojë me kryesuesin e Bordit të KPMM-së, Habib Basholli, mirëpo ai e refuzoi kërkesën e televizionit.
Ndërkaq, flotacioni i “Trepçës” në Tunelin e Parë dhe KEK-ut në Sibovcin Jug-Perëndimor, aktualisht po operojnë pa licenca.
Te porta e selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, të dielën u shtrua tapeti i kuq.
Pritja e veçantë, po i bëhet ish-gjeneralit amerikan të NATO-s, Ëesley Clark.
Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, e shoqëron në seli mikun e vjetër të Kosovës, ku edhe diskutojnë pa prezencë të mediave.
Më pas vijnë në sallën e mbushur plotë me anëtarë të LDK-së, që po presin për adresimin e Clarkut.
Por, i pari që adresohet, është lideri i partisë, i cili e falënderon gjeneralin për angazhimin e tij për çlirimin e Kosovës.
“Gjeneral Clark, emri juaj është i gdhendur në themelet e historisë së Kosovës si simbol i guximit, lidershipit, mbështetjes dhe përkushtimit të palëkundur për drejtësi dhe paqe. Gjatë orëve më të errëta të luftës sonë për liri, vendosmëria dhe veprimet tuaja vendimtare i dhanë shpresë dhe forcë një kombi të etur për liri. Udhëheqja juaj gjatë ndërhyrjes së NATO-s ishte një pikë kthese”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku i dhuron Clarkut edhe dekoratën që mban emrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Ish-gjenerali thotë se lidershipi amerikan, e njihte mirë presidentin e parë të Kosovës së pasluftës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, ju ishit aty që nga fillimi. Sigurisht që ne e njihnim Zotrin Rugova. E njihmi kur ai drejtonte, e njihmin kur ai ishte në burg. Ne e njihmin kur ai fliste fuqishëm dhe e njihmin kur ai e mbante zërin me urtësi dhe ai ishte një lider shumë, shumë efektiv”, tha Clark.
Për Clarkun Kosova është një storje suksesi.
“Sot ka shumë parti në Kosovë, po lulëzon demokracia. Dhe sa herë që kthehem këtu, habitem me përparimin që keni bërë. Dhe kështu nuk përfshihem kurrë, nuk mund të përfshihem në aktivitetet e partive politike. Ky është një nder i madh që më keni bërë, por ky është vendi juaj. Unë jam vetëm një vizitor këtu. Por kur kthehem, më kujtohen vështirësitë dhe më kujtohet se si dukej Kosova, përmes fotografimit nga ajri”, shtoi Clark.
Të dielën, ish-gjenerali amerikan, takoi edhe kandidatin për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Ai tha se Kosova është mirënjohëse për gjeneralin, ushtarët dhe gjithë popullin amerikan, për kontributin para 25 vjetëve.
“Në qershorin e vitit 1999, bashkë e fituam lirinë. Në këtë qershor, 25 vjet pas, jemi bashkë e do të jemi gjithmonë, sepse e përjetshme është mirënjohja për gjeneralin, për ushtarët dhe gjithë popullin amerikan. Ne, duke e nderuar të kaluarën e kemi ndërtuar të tashmen dhe po e krijojmë një të ardhme më të mirë për gjithë qytetarët tanë, pa dallime, gjithandej Kosovës. SHBA-ja dhe miqtë ndërkombëtarë, ata që nuk na braktisën kurrë, janë hisedarët kryesorë të sukseseve në 25 vjet liri dhe 16 vjet pavarësi”, ka thënë Hamza.
Clark ka shkuar edhe në Gjakovë, ku është takuar me kryetarin e komunës, Ardian Gjini, që vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
ATV ka pyetur në qeveri, nëse kryeministri Albin Kurti do të takohet me ish-gjeneralin amerikan, por nuk ka marrë përgjigje deri të dielën pasdite.
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku Sadriu, ka kërkuar nga qytetarët që të qëdrojnë nëpër shtëpi dhe vende të sigurta pas reshjeve të mëdha të shiut.
Ajo ka hënë edhe numrat e telefonit të komunës papagesë, ku qytetarët mund të paraqesin çdo problem. Numrat janë 080012233 dhe 080012244.
“Thirrje për qytetarë Për shkak të shiut të rrëmbyeshëm në Prishtinë, ju bëjmë thirrje të qëndroni në shtëpi dhe në vende të sigurta. Për çdo problem, telefononi në numrat kujdestarë (pa pagesë) 📞 080012233 dhe 080012244”, ka shkruar ajo në Facebook.
Pas temperaturave tejet të larta ditëve të fundit në Kosovë, sot pasdite në shumë qytete e fshatra kanë nisur reshje shiu dhe breshëri.
Në fshatin Bresalc të Gjilanit ka rënë edhe breshër i madh.
Edhe në qytetin e Skenderajt ka pasur reshje të mëdha shiu dhe breshëri.
Disa foto që ka siguruar Reporteri.net shihet se ka rënë breshër i madh në Skenderaj.
Shtëngata ka nisur edhe në Prishtinë, vetëtima e bubullima të mëdha.
Kujtojmë se Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ka njoftuar se javën e ardhshme temeperaturat do të jenë deri 30 gradë do të ketë dhe shkarkime rrufesh ku do të sjellin riga shiu.
Njoftimi i plotë i IHMK-së:
E hënë – Mot me diell dhe me vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë ditës parashihen të intensifikohen duke krijuar mundësi për riga shiu, ndërsa në vende të izoluara parashihet reshje breshëri. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27- 33 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-7m/s.
E martë – Moti me diell dhe pjesërisht i vranët. Vranësirat parashihen te sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-30 gradë Celsius, Do të fryjë erë nga drejtimi jugperëndimit me shpejtësi 1-8m/s.
E mërkurë – Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë ditës do të intensifikohen duke krijuar kushte për riga shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-30 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.
E enjte – Mot me diell dhe vranësira të dendura, të cilat gjatë ditës parashihen të sjellin riga shiu dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26- 29gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-7m/s.
E premte – Mot me diell dhe pjesërisht i vranët, kryesisht vranësirat mund të shfaqen rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12- 15gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26- 30gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-6m/s.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje të rinjve e të rejave të komunitetit joshumicë, që të aplikojnë në thirrjet e hapura për punësim në institucionet publike të vendit tonë.
Ai ka shpërndarë dhe një video, ku flet më detajisht lidhur me këtë çështje.
“Para këtij adresimi, keni mund të shihni e dëgjoni përmes fushatës “Shpërndaje barazinë”, shumë tregime frymëzuese të bashkëqytetarëve tanë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjipitian në Kosovë, të cilët kanë shumë vite që janë duke kontribuar për të fuqizuar edhe më tutje të gjitha institucionet tona publike. Por njëherësh, edhe shumë histori sfidash e vështirësish”, thotë Kurti në video.
“Qeveria e Kosovës bashkë me organizatën “Zëri i Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjipitanëve” enisi këtë fushatë për t’iu bërë thirrje të gjithë të rejave dhe të rinjve nga këto komunitete që të përfshihen aktivisht dhe në jetën publike, përveçëse ato shoqërore”.
“Takimet, bisedat e ndërveprimet e rregullta me ushtarë të FSK-së, policë të Kosovës, shërbyes civilë, e personel mjekësor nga radhët e komuniteteve joshumicë, çdo ditë e më shumë ma thellojnë bindjen për kontributin qenësor që ata kanë për shtetin, republikën, dhe shoqërinë tonë”.
“Ne e kemi themeluar ekipin ndëristitucional për promovimin dhe punësimin e komuniteteve të nënpërfaqësuara me synim që të përmbushim dhe të respektojmë kuotën prej 10 për qind, siç parashihet me ligjet tona”, u shpreh i pari i qeverisë.