Një ndërhyrje e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare pritet të vonojë një vendim nëse mund të lëshohet një urdhër-arresti kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për krime të dyshuara lufte në Gaza.
Gjyqtarët në GJNP vendosën të enjten se do të lejojnë Mbretërinë e Bashkuar të bëjë argumente ligjore në këtë rast, ndërsa ata shqyrtojnë nëse do të miratojnë kërkesat e bëra nga kryeprokurori i GJPN-së për urdhër-arrestet kundër Netanyahut dhe ministrit të tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, raporton The Guardian.
Sipas dokumenteve të gjykatës, pasi prokurori bëri kërkesat, Mbretëria e Bashkuar argumentoi se gjyqtarët që dëgjuan çështjen duhet të adresojnë pyetje “të pazgjidhura” në lidhje me juridiksionin e GJNP-së mbi qytetarët izraelitë përpara se të vendosin nëse do të lëshojnë urdhër-arrestet.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se Turqinë dhe Sirinë nuk e pengon asgjë që të rivendosin lidhjet diplomatike që u ndërprenë në fillimin e luftës civile siriane më shumë se një dekadë më parë.
Komentet e tij erdhën vetëm disa ditë pasi presidenti sirian, Bashar al-Assad, bëri komente të ngjashme, duke treguar një gatishmëri midis dy vendeve fqinje për t’i dhënë fund tensioneve dhe për të normalizuar marrëdhëniet.
“Nuk ka asnjë arsye pse lidhjet diplomatike të mos vendosen”, u tha Erdogan gazetarëve.
“Në të njëjtën mënyrë si i mbajtëm të gjalla marrëdhëniet tona me Sirinë në të kaluarën, ne patëm takime me zotin Assad që përfshinin takime familjare, nuk mund të themi se kjo nuk do të ndodhë më”, tha Erdogan.
Bëhet e ditur se ai i referohej një pushimi që familjet Erdogan dhe Assad bënë në Turqinë jugore në vitin 2008, përpara se marrëdhënia e tyre të përkeqësohej.
Gjatë konfliktit sirian, Turqia mbështeti grupet e armatosura të opozitës në veriperëndim të vendit me synimin për të larguar Assadin nga pushteti, shkruan abcnews.
Ndërkohë, qeveria siriane ka dënuar në mënyrë të përsëritur kontrollin e Ankarasë mbi një territor që ajo pushtoi përmes disa inkursioneve ushtarake që nga viti 2016, duke synuar forcat kurde të mbështetura nga SHBA-ja, të cilat Turqia i konsideron si terroriste.
Por, mediat shtetërore siriane raportuan se Assad ka pohuar se marrëdhëniet midis Sirisë dhe Turqisë mund të rregullohen, “bazuar në sovranitetin e shtetit sirian mbi të gjitha territoret nga njëra anë dhe luftimi i të gjitha formave të terrorizmit dhe organizatave nga ana tjetër”.
Erdogan u tha gazetarëve se Turqia respekton sovranitetin e Sirisë.
“Nuk ka dyshim që ne të kemi qëllim të ndërhyjmë në punët e brendshme të Sirisë”, tha Erdogan. “Populli i Sirisë janë vëllezërit tanë”, shtoi ai.
Siç raportohet, Turqia është përpjekur të rregullojë marrëdhëniet me Sirinë pasi qeveria përballet me presion të shtuar në vend për të riatdhesuar miliona refugjatë sirianë mes një rënieje të madhe ekonomike dhe rritjes së ndjenjës kundër refugjatëve.
Vitin e kaluar, ministrat e jashtëm turk dhe sirian u takuan në Moskë së bashku me homologët e tyre nga Rusia dhe Irani, duke shënuar kontaktin e nivelit më të lartë midis Ankarasë dhe Damaskut që nga fillimi i luftës civile siriane.
Por, ato bisedime dhe një takim i mëparshëm me ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve nuk dhanë rezultat.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se nga 1 korriku do të fillojë të subvencionohet polica kufitare për mërgatën.
“Bashkë me Ministrin Sveçla, Guvernatorin Ismaili, dhe BKS-në, sot kemi nënshkruar edhe marrëveshjen e cila operacionalizon subvencionimin nga Qeveria të policës kufitare për bashkatdhetarët tanë”, ka njoftuar Murati në një postim në Facebook.
“Duke filluar nga e hëna, me datë 1 korrik, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse”, ka sqaruar ai.
Polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri 1 muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.
“Në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij 1 mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj”, ka thënë Murati.
Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi.
Gjysmë milioni euro po i kërkon komuna e Dragashit nga Qeveria si fond emergjent, pas dëmeve që u shkaktuan nga reshjet e shiut në disa fshatra të Opojës.
Kryetari i komunës thotë se rregullimi infrastrukturës rrugore duhet të bëhet menjëherë, sepse gjendja është alarmante dhe nuk mund të pritet derisa komisioni përkatës të bëjë vlerësimin e dëmeve.
Por, në këtë shumë nuk është përfshirë edhe ndihma për banorët, shtëpitë e të cilëve u bënë të pabanueshme.
Në këtë situatë në të cilën është Dragashi, infektologët bëjnë thirrje për kujdes në ujin e pijshëm.
Pas reshjeve të shiut, shumë fshatra në Dragash u përmbytën nga uji, duke iu shkaktuar dëme mijëra euro shumë banorëve të cilët mbetën edhe pa banim.
Dy ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ka reaguar kryeministri Albin Kurti.
Shefi i ekzekutivit ishte i ashpër karshi Kushtetueses duke thënë se kjo gjykatë po e vonon ndjekjen e krimit.
Kurti kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që me emergjencë të miratohet Projektligji me ndryshime eventuale që do t’i ketë.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti përsëriti kërkesat që i ka paraqitur në Bruksel gjatë takimit që e ka mbajtur të mërkurën me presidentin serb, Aleksandar
Vuçiq, ku tha se nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim, derisa Serbia nuk e dorëzon Milan Radoiçiqin.
Në mbledhjen e së premtes u miratua edhe strategjia shtetërore kundër drogave e udhëzimi për kadastër.
Qeveria miratoi edhe ndalimin e rrjetit social “Tik-Tok” në rrjetet shtetërore të komunikimit dhe pajisjet zyrtare, me qëllim të rritjes së sigurisë kibernetike.
Por, nga 1 korriku, sipas kërkesës së Agjencisë Për Informim dhe Privatësi, ndërmarrjet do ta ndryshojnë formën e shpërndarjes së tyre.
Të gatshëm për ta zbatuar Ligjin për Mbrojtën e të Dhënave, shprehen nga kompania që faturon shpenzimin e energjisë elektrike. KESCO-ja ka përzgjedhur dy forma, megjithëse për njërën ka dyshime nëse mund të realizohet plotësisht.
“Po tentojmë ta bëjmë shpërndarjen e faturave në formë digjitale, por ne jemi të përkushtuar për me i mbrojtë të dhënat personale… Në kemi filluar t’i zarfojmë, nuk është edhe e lehtë, mungesa e kutive postare është problem në vete, ka vështirësi logjistike… ne jemi ndërmarrje dhe nëse kemi shpenzime duhet t’u barten edhe konsumatorëve”, tha zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti.
Por, nga Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk pranojnë assesi që kostot shtesë të alternativave t’u faturohen qytetarëve. Sipas drejtoreshës, Lumnije Demi, kjo është çështje e ndërmarrjeve.
“Ne kemi zhvilluar takime, në shkurt e kemi adresuar kërkesën, tashmë ndërmarrjet e dinë se çfarë rëndësie ka ruajtja e të dhënave të konsumatorit… Qëllimi i agjencisë nuk është të ndërmarrë veprime sanksionuese, por vetëm t’i mbrojë të dhënat e personale… meqë jemi në përfundim të afatit, po presim që shpërndarjen e faturave, ndërmarrjet ta bëjnë komfort ligji… barrierat nuk mund t’u faturohen qytetarëve, kutitë postare janë çështje e ndërmarrjeve”, tha Demi.
Ndërmarrja “Termokos” thotë se do të bëhet gati vetëm për sezonin e ardhshëm, meqë ka mënyrë tjetër të faturimit.
VOX: Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokos-it
“Ne kemi përkrah menjëherë këtë rekomandim, prej sezonit të ardhshëm faturat do t’i shpërndajmë me zarfe…”, tha Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokos-it.
Njësoj do të veprojë edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.
“KRU “Prishtina” ka lansuar tashmë aplikacionin ku të gjithë konsumatorët mund të regjistrohen, të monitorojnë faturat e tyre, po ashtu edhe pagesën ta kryejnë online. Madje, muajt në vazhdim ne do ta bëjmë shpërndarjen e faturave me zarf, ashtu siç ka rekomanduar Agjencia për Privatësi”, thuhet në përgjigjen nga KRU “Prishtina”.
Kërkesën e agjencisë ndërkaq e mirëpresin qytetarët.
“Nuk kam asnjë vërejtje, kjo është në të mirën e popullatës, pse ta dinë kojshitë ose dikush i treti se sa më ka ardhë rryma mu”, thotë Kolë Ramaj, qytetar.
“Për neve është ma mirë a për ata që e vjedhin jo, tash pe shfrytëzojnë shumë jon tu e vjedhë, inshalla ndalën”, tha Ali Latifi, qytetar.
Kërkesa e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, përfshin ndërmarrjet publike qendrore dhe ato lokale. Nëse pas datës 1 korrik, ka shkelje në zbatimin e vendimit konform Ligjit për mbrojtjen e privatësisë, ndërmarrjet do të gjobiten deri në 50 mijë euro.
Aktualisht shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë ka këtë pamje.
Restaurimet ende nuk kanë përfunduar, por gjatë tyre një pjesë e shtëpisë është bërë e dukshme.
Në fotografitë që krahasojnë shtëpinë se si ishte më parë dhe tani pjesa e prapme e shtëpisë që duket e fasaduar, nëpër rrjete sociale ndryshimi u vlerësua i papranueshëm.
Megjithatë, po konsiderohet se ende është herët për ta gjykuar nëse projekti është bërë si duhet.
Lulzim Hoti drejtor i organizatës “7Arte” në Mitrovicë, reagimet i quajti të hershme.
“Me aq sa po shihet objekti, i është vënë fasadë sepse deri tash njerëzit janë mësuar ta shohin me tulla dhe mendojnë që si i tillë duhet të ruhet, mirëpo nuk është objekt i kohërave antike, ky është objekt i vonshëm i arkitekturës së Kosovës, gjë që nuk mund të jetë ndryshe përveçse një objekt bashkëkohor modern, nuk mund të rrijë pa fasadë dhe të duken tullat siç kanë qenë viteve të fundit”, tha Hoti.
Edhe profesori, Nexhmedin Spahiu vlerëson se komentet janë të hershme pasi ende janë duke vazhduar punimet, derisa shton se shtëpia e Xhafer Devës në kohën kur ishte ndërtuar, kishte qenë me fasadë.
“Shtëpia e Xhafer Devës ka qenë me fasadë, është një fotografi e vjetër në kohën kur është ndërtuar. Nuk e dimë a është e njëjta ngjyrë apo është ndryshuar ngjyra…”, tha Spahiu.
Megjithatë, Spahiu thotë se është e pritshme që të bëhen ndryshime të mëdha në krahasim me atë se si ishte më parë.
“Nuk do të më çudiste sepse në Kosovën tonë shumëçka ndodhin gjëra të tilla që e shëmtojnë traditën dhe trashëgiminë kulturore”, tha Spahiu.
Ndryshimet i komentuan edhe qytetarët.
“Ajo e ka pasë estetikën e vet si ma përpara pak e ka një ndryshim. Me pas kanë gjallë edhe ai e kish përmirësuar pak”, tha Nazif Mziu, qytetar.
Deri më 2023, për këtë projekt janë shpenzuar 142 mijë euro, ndërkohë sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë projekt, në këtë vit janë paraparë 200 mijë euro dhe për vitin e ardhshëm 300 mijë.
Aktgjykim fajësues për katër nga gjashtë të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanovic, ka shpallur Gjykata Themelore e Prishtinës të premten.
Ndaj të akuzuarit të parë Nedelko Spasojeviq, ish-hetues policor, e ka ricilësuar veprën penale nga krim i organizuar në keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke i shqiptuar dënim prej katër vjet e gjysmë burgim, dhe 4500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Marko Roshiq, qytetar, është dënuar me 10 vjet burgim për veprën penale krim i organizuar, lidhur me veprën penale të vrasjes së rëndë.
Me nga katër vjet burgim janë dënuar ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare Dragisha Markovic dhe Zharko Jovanoviq. Markoviq u lirua nga akuza për zbulim të fshehtësisë zyrtare, ndërsa Jovanoviq u dënua edhe me 10 mijë euro gjobë për posedim të paautorizuar të armëve.
E nga të gjitha akuzat u liruan Rade Basara dhe Silvana Arsoviq.
Ndërkohë, Gjykata shqiptoi dënim plotësues ndaj Nedelko Spasjovecit dhe Zharko Jovanoviqit.
Vendimin e komentuan disa nga avokatët mbrojtës.
“Fakti që është dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare është bërë pa prova që ta vërtetojnë. Do të përpiqemi ta kundërshtojmë vendimin në Gjykatën e Apelit, ku jam i sigurt se Dragisha do të shpallet i pafajshëm”, tha DEK: Dejan Vasic, avokat i Dragisa Markovicit.
“Silvana Arsoviq deri në fund të procedurës tregoi se është një grua e ndershme, e cila nuk ka lidhje me vrasjen e ndodhur. Ajo është në fakt më e dëmtuara nga humbja e Oliverit”, tha Jovana Filipovic, avokate e Silvana Arsovicit.
Asnjëri prej të akuzuarve në këtë rast nuk ishin të pranishëm në shpalljen e aktgjykimit.
Oliver Ivanovic ishte gjetur i vrarë më 16 janar të 2018-s para selisë së partisë që e udhëhiqte në Mitrovicë të Veriut. Aktakuza ishte ngritur një vit pas nga ish-prokurori Sylë Hoxha, e në shkurt të 2020-s kishte nisur gjykimi.
Për vrasjen e ish-politikanit serb, Prokuroria Speciale i bën përgjegjës edhe Milan Radiocicn, Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq, të cilët ndodhen në arrati.
Sipas aktakuzës, ata, bashkë me gjashtë të akuzuarit, vepronin si grup i organizuar kriminal, dhe ndër të tjera kishin qëllim shtrirjen e ndikimit dhe kontrollin në Mitrovicë të Veriut.
Ndalimi i festivalit “Mirëdita, Dobar dan” në Serbi me urdhër të ish-zëdhënësit të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, aktualisht Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daqiq, është edhe një dëshmi e vazhdimit të politikës, mendësisë dhe veprimeve të regjimit të kaluar.
Këtë fushatë të egër publikisht e nisi njeriu i listave të zeza dhe ish shefi i BIA, Vulin, të cilit pastaj iu bashkua ai që duhej të ishte në krye të organizimit të festivalit dhe mirëvajtjes së tij, Ministri i Kulturës, Nikola Selakoviq. Kjo dëshmon qartë se si regjimi autoritar i presidentit serb Vuçiq funksionon, dhe se ky regjim është vazhdimësi besnike e politikave, mendësisë dhe veprimeve kriminale të regjimit të Millosheviqit.
Ky vendim i qeverisë serbe vërteton edhe një herë se qeveria serbe është kundër çdo lloji dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojnë me gjuhën më të ashpër veprime të tilla të autoriteteve të Serbisë për ndalimin e festivalit i cili është mbajtur 10 herë, në Kosovë dhe Serbi dhe që kishte për qëllim të bashkonte artin, kulturën, aktivistë të të drejtave të njeriut e të paqes dhe që synonte të krijonte ura bashkëpunimi dhe nxiste ndërtimin e paqes në rajon.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi po përcjell nga afër të gjitha zhvillimet e fundit dhe do t’ju njoftojë në kohë reale për zhvillimet e reja mbi këtë çështje.
Kryeministri Albin Kurti, siç bën zakonshëm kur kthehet nga Brukseli, nisi mbledhjen e Qeverisë duke njoftuar për atë që ndodhi në ditën e takimeve atje.
Kurti e përsëriti se Marrëveshja Bazike ndodhet në sulm nga Serbia dhe tha se tri kushtet e vëna nga ai ishin të domosdoshme për t’u takuar me të për një dialog në mirëbesim.
“Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim. Në shkurt të vitit të kaluar u dakorduam për marrëveshjen bazike në Bruksel që u shpall si ligjërisht e obligueshme”, tha Kurti, duke thënë se pas marrëveshjes që garanton që palët s’e sulmojnë njëra-tjetrën ndodhi sulmi terrorist në Banjskë.
“Ne kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar disa herë që të formalizohet me nënshkrim dhe deponim në organizatën e Kombeve të Bashkuara. Mirëbesimi në dialog dhe zbatim të marrëveshjes është humbur edhe me letrën e Bërnabiqit Ajo letër duhet të tërhiqet”.
“Për të garantuar respektimin e marrëveshjes në të ardhmen duhet që ajo të nënshkruhet, sepse vetëm nënshkrimi garanton zbatimin e saj dhe të ketë tërheqje të letrës së Bërnabiq dhe nënshkrim të marrëveshjes nga Vuçiq. Në tri takime bilaterale ne paraqitëm këto kërkesa të garancisë që në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike që është në sulm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm për asnjërën, as të nënshkruajë marrëveshje, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as të dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq”.
Kurti këmbënguli që marrëveshja duhet të zbatohet e plotë dhe jo vetëm disa nene të saj.
Ai përmendi edhe anulimin e festivalit kulturor nga autoritetet serbe në Beograd dhe tha se kjo ndodhi një ditë pas takimeve bilaterale të Brukselit.