ATV

Category: Lajme

  • Policia kontrollon serbët që po mblidhen në Gazimestan, largon bluzat provokuese e flamuj serb

    Policia kontrollon serbët që po mblidhen në Gazimestan, largon bluzat provokuese e flamuj serb

    Policia e Kosovës po kontrollon serbët të cilët kanë shkuar në Gazimestan, në afërsi të Obiliqit, për ta festuar Vidovdanin. Disa prej tyre ua larguan bluzat me mbishkrime provokuese dhe flamujt të Serbisë.

    Ndër vite, Vidovdani është organizuar më 28 qershor në Gazimestan.

    Vitin e kaluar, kjo festë nuk u lejua të mbahej në Gazimestan, duke e zhvendosur në Manastirin e Graçanicës “shkaku i situatës së sigurisë”.

  • Një grua në Prishtinë ankohet se burri ushtroi dhunë psikike ndaj saj, strehohet te prindërit

    Një grua në Prishtinë ankohet se burri ushtroi dhunë psikike ndaj saj, strehohet te prindërit

    Një grua është ankuar në polici se burri i saj ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj.

    I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

    Viktima është strehuar te prindërit e saj, tha policia.

    Rasti i cili dyshohet të ketë ndodhur të enjten është cilësuar “Dhunë në familje”.

  • Abbott mbetet në rajon, emërohet ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri

    Abbott mbetet në rajon, emërohet ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri

    Diplomati britanik, Nicholas Abott, i cili ka shërbyer si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, është emëruar tashmë ambasador i shtetit të tij në Shqipëri.

    Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar me seli në Tiranë.

    Ai në këtë pozitë do ta pasojë diplomatin tjetër Alastair King-Smith dhe do ta marrë detyrën nga shtatori.

  • Udhëheqësit e BE-së bien dakord për postet kryesore

    Udhëheqësit e BE-së bien dakord për postet kryesore

    Liderët e Bashkimit Evropian kanë vendosur që Ursula von der Leyen të marrë mandatin e dytë si presidente e Komisionit Evropian, raporton revista e njohur “Politico”.

    Në një takim në Bruksel, liderët e vendeve anëtare gjithashtu kanë vendosur që Antonio Costa të marrë drejtimin e Këshillit Evropian dhe Kaja Kallas e Estonisë të marrë drejtimin e politikës së jashtme të BE-së.

    Të martën, gjashtë negociatorë nga tre grupet centriste u pajtuan që von der Lyen, Costa dhe Kallas të marrin këto role

    Të enjten, edhe liderët tjerë evropianë përkrahën këto vendime. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka abstenuar në përkrahjen e von der Leyen për mandatin e dytë, ndërkaq ka votuar kundër Costas dhe Kallas.

    Ajo është shprehur e pakënaqur për shkak se ishte lënë jashtë bisedimeve, ani pse grupimi i saj politik në Parlamentin Evropian tani është grupimi i tretë më i madh pas zgjedhjeve evropiane të qershorit.

    Von der Leyen tani do të përballet me votimin në Parlamentin Evropian.

    Edhe aleatët e saj partiakë e kanë pranuar se votimi do të jetë sfidë edhe më e madhe.

    Votimi mund të mbahet më së largu deri më 18 korrik.

  • Hajnat aksidentohen me veturën e vjedhur duke i ikur policisë në Klinë

    Hajnat aksidentohen me veturën e vjedhur duke i ikur policisë në Klinë

    Njësitet policore pas pranimit të informatës për vjedhje të veturës, gjatë patrullimit kanë hasur në të, të cilën persona të maskuar ia kishin vjedhur viktimës në oborrin e shtëpisë së tij.

    E gjithë ngjarja ka ndodhur të enjten rreth orës 01:30, në Klinë.

    Pasi njësitet policore i janë vënë në ndjekje, të dyshuarit gjatë ikjes kanë aksidentuar veturën dhe e kanë braktisur për t’u larguar në drejtim të panjohur.

    Lidhur me rastin njësitet policore kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërkohë që është informuar e konsultuar edhe prokurori.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të policisë

  • Vdes në QKUK personi që ishte vetaksidentuar para dy jave në Rahovec

    Vdes në QKUK personi që ishte vetaksidentuar para dy jave në Rahovec

    Një person ka humbur jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku ishte duke u trajtuar pas një aksidenti që kishte pësuar me veturën e tij me 12 qershor në Rahovec.

    Policia ka bërë të ditur se për vdekjen e tij janë informuar të enjten nga mjekët në spital.

    “I dyshuari kosovar i cili me datën 12.06.2024 rreth orës 12:30 kishte shkaktuar vet-aksident duke drejtuar veturën në Rahovec ku për pasojë kishte pësuar lëndime dhe ishte dërguar për trajtim në QKUK, ndërsa me datë 27.06.2024 ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Me urdhër të prokurorit të rastit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rasti është duke u hetuar nga njësiti përkatës i policisë.

  • Mbi 20 vite burgim ndaj të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

    Mbi 20 vite burgim ndaj të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim ndaj të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq ku katër të akuzuarit Nedelkjo Spaspojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq janë dënuar me mbi 20 vite burgim së bashku.

    Shpallja e këtij aktgjykimi u bë të premten, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Spasojeviq u dënua me 4 vite e 6 muaj burgim për veprën penale të ricilësuar nga krimi i organizuar në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe dënim me gjobë 4 mijë e 500 euro për armëmbajtje pa leje, e cila vepër po ashtu u ricilësua nga gjykata nga paragrafi 2 në paragrafin 1.

    I akuzuari Roshiq, u dënua me 8 vite burgim për krim të organizuar lidhur me veprën penale të vrasjes së rëndë, për të cilin gjykatësi Kurtaj tha se i caktohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi. Gjykata caktimin e paraburgimit do ta bëjë me vendim të posaçëm.

    Ndërsa, të akuzuarit Markoviq dhe Jonavoiq u dënuan me nga 4 vite burgim për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro. Markoviq u lirua nga akuza për “zbulim të fshehtësisë zyrtare” derisa Jovanoviq u dënua për armëmbajtje pa leje me 1 mijë e 500 euro.

    Kurse, e akuzuara Arsoviq u lirua nga akuza për krim të organizuar lidhur me veprën penale vrasjes e rëndë dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

    E për të akuzuarin Basara gjykata shqiptoi aktgjykim refuzues, pasi që në seancën e kaluar prokurori i shtetit është tërhequr nga ndjekja penale.

    Në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarve do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, ndërsa dënimet obligohen që të paguajnë në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

    Në rast se dënimin me gjobë nuk mund ta paguajnë i njëjti dënim do t’iu zëvendësohet në dënim me burgim duke iu llogaritur shuma prej 20 euro për një ditë burgimi.

    Po ashtu, gjykata shqiptoi edhe dënimin plotësues – marrja e sendit, konfiskimi i sendeve të përdoruara ose të destinuara për kryerjen e veprave penale. Pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi urdhërohet shkatërrimi i armëve të konfiskuara.

    Të akuzuarit, Spasojeviq, Roshiq, Markoviq dhe Jovanoviq secili veç e veç po ashtu u obliguan që të paguajnë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 350 euro paushallin gjyqësor dhe 100 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit. Ndërsa, Arsoviq dhe Basara u liruan nga këto shpenzime.

    Për realizimin e kërkesës pasurore juridike pala e dëmtuar u udhëzua në kontest civilo- juridik.

    Në shpallje të aktgjykimi të pranishëm nuk ishin as prokurori special e asnjë nga të akuzuarit.

    Ndërsa, palët e pakënaqura kundër këtij vendimi brenda afatit ligjor kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit.

    Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.

    Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

    I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal. Detajet nga aktakuza, mund t’i gjeni: KËTU.

    Ndërsa, më 27 dhjetor 2023, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër Milan Mihajloviq lidhur me rastin e vrasjes së Ivanoviqit, të cilin e ngarkon me katër vepra penale. /BetimipërDrejtësi

  • Kurti për ndalimin e “Mirdita, dobar dan”: Në vend të artistëve, Serbia dje ia dha fjalën grupeve të huliganëve

    Kurti për ndalimin e “Mirdita, dobar dan”: Në vend të artistëve, Serbia dje ia dha fjalën grupeve të huliganëve

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, Serbia në vend të artistëve iu dha fjalën huliganëve.

    Në një postim në rrjetin social X Kurti ka shkruar se Serbia ka ndaluar një festival që është nismë e bashkimit Evropian.

    “Pasi refuzoi edhe një herë nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të lehtësuar nga BE-ja, të miratuar nga SHBA-ja, Serbia ndaloi të enjten një nismë tjetër të sponsorizuar nga BE-ja, festivalin e ‘Mirëdita, dobar dan’”, ka shkruar Kurti.

    Sipas tij festivali është rrëmbyer nga udhëheqësit e Serbisë, të cilët e deformuan atë, përtej njohjes, në një paradë groteske të urrejtjes dhe mesazhe diskriminuese. “Për fat të keq, Serbia ka shfaqur edhe një herë armiqësinë e saj të paepur ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me paqen dhe pajtimin”, ka tutje Kurti.

    Edhe organizata Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka reaguar e indinjuar pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

    Sipas tyre autoritetet serbe me aplikimin e këtyre masave, kanë shkelur lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit.

  • Arrestohet instruktori i një autoshkolle në Pejë, pranoi 500 euro për kryerjen e testit

    Arrestohet instruktori i një autoshkolle në Pejë, pranoi 500 euro për kryerjen e testit

    Është arrestuar një person në Pejë, pasi që është zënë në flagrancë duke pranuar një shumë prej 500 eurove nga një person, për t’i mundësuar atij kryerjen e testit me shkrim për patentë-shofer.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se personi i dyshuar i moshës 56-vjeçar është arrestuar gjatë ditës së djeshme, raporton Ekonomia Online.

    Të dyshuarit gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar mjetet monetare të cilat kanë shërbyer për simulim të veprës penale.

    Ndërsa me vendim të prokurorit të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

  • Iranianët votojnë për president të ri

    Iranianët votojnë për president të ri

    Qytetarët iranianë kanë filluar votimin të premten herët në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, në të cilat katër kandidatë garojnë për ta zëvendësuar të ndjerin Ebrahim Raisi, i cili humbi jetën nga rrëzimi i helikopterit para më shumë së një muaji.

    Kandidatët, përfshirë një reformist të vetëm, janë përzgjedhur nga pushteti politik i republikës islamike.

    Fituesi mund të luajë rol kyç në zgjedhjen e pasuesit të liderit suprem në moshë të shkuar, Ayatollah Ali Khamenei, në një kohë kur zemërimi është i madh në Iran për shkak të mungesës së lirisë, kushteve të këqija të jetës dhe ekonomisë së dobët.

    Analistët e kanë cilësuar këtë si një garë mes tre kandidatëve. Dy konservatorë të krahut të ashpër, ish-negociatori për çështje bërthamore Saeed Jalili, dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf. Si dhe reformisti Masoud Pezeshkian, i cili është rreshtuar përkrah atyre që kërkojnë kthimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 më fuqitë botërore.

    Zgjedhjet në republikën islamike janë të kontrolluara, pasi kandidatët përzgjidhen paraprakisht nga një trup i pazgjedhur, i cili është i mbizotëruar nga konservatorët e krahut të ashpër.

    Sipas vëzhguesve, mungesa e një gare relativisht konkurruese do ta dëmtojë edhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.

    Në tri palë zgjedhjet e fundit të mëdha në Iran – vend me rreth 88 milionë banorë – kishte pjesëmarrje rekorde të ulët.

    Pjesëmarrja zyrtare në zgjedhjet parlamentare të marsit ishte rreth 41 për qind, megjithëse kritikët thanë se numri real ishte edhe më i ulët.

    Ekspertët thonë se rënia e pjesëmarrjes nënkupton hendek në rritje midis klerikëve në pushtet dhe popullsisë së re të Iranit – pjesa më e madhe e së cilës kërkon liri më të mëdha sociale dhe politike.

    “Unë dyshoj se shoqëria do të kthehet në kutitë e votimit. Besoj se trendi i shmangies së tyre do të vazhdojë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Mohammad Mohebi, komentues politik me bazë në Iran./REL/