ATV

Category: Lajme

  • Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orë, gjashtë persona të arrestuar

    Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orë, gjashtë persona të arrestuar

    Në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëshit të fundit janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje.

    Lidhur me këto raste, gjashtë persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa një person është në kërkim nga policia.

    Njoftimi i policisë:

    DHUNË NË FAMILJE

    · Obiliq 23.06.2024, NN. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar më datën e lartcekur ka ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është strehuar në strehimore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    · Hajvali 30.06.2024, 11:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar fizikisht. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    · Lipjan 30.06.2024-19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

    . Suharekë 30.06.2024, 10:30. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje kanë kanosur dhe sulmuar njëri tjetrin. Në konsultim me prokurorin është bërë bastisja në shtëpinë e të dyshuarve ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri dhe një fishek. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    · Dragash 29.06.2024-14:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

    · Prizren 30.06.2024-17:05. Dy të dyshuarat femra kosovare kanë ushtruar dhunë në familje ndaj viktimës mashkull kosovar. Palët e përfshira në rast janë intervistuar. Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

    . Gjakovë 30.06.2024, 08:00. Është raportuar se dy të dyshuar një femër kosovare dhe një mashkull kosovar në gjendje të dehur, janë përleshur në mes vete. E dyshuara është arrestuar dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ka ikur në drejtim të panjohur. Pas intervistimit me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje.

  • Konjufca ia shpreh shqetësimet homologes së tij sllovene për “tendencat destabilizuese të Serbisë”

    Konjufca ia shpreh shqetësimet homologes së tij sllovene për “tendencat destabilizuese të Serbisë”

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur shqetësimet e tij për “tendencat destabilizuese të Serbisë”, të cilat sipas tij kulmuan me ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë, raporton EO.

    Pas takimit që ka mbajtur me homologen e tij sllovene, Konjufca ka shprehur falënderime për shtetin e saj në të gjitha etapat. Konjufca ka thënë se Sllovenia ka përkrahur Kosovën në rrugëtimin drejtë anëtarësimit në Këshill të Evropës e me përkrahjen për heqjen e vizave.

    “Në kuadër të vazhdimit të marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësore. Kjo është vizita e parë në nivel të kryetarëve. Ë zhvilluam një bisedë shumë miqësore. E njoftova kryetaren për përparimet që ka bërë Kosova në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik që ka arritur. E falënderova që Sllovenia që përkrahu heqjen e vizave. E shpreha mirënjohjen edhe për mbështetjen e madhe që na jep shteti slloven për në Këshillin e Evropës. Me homologen time i ndamë pikëpamjet për zhvillimet në rajon dhe në përgjithësi. Kosova dhe Slloveni janë të drejtuara në anën e Ukrainës. Kosova është ende në pritje të përgjigjes për kërkesës e saj për anëtarësim në BE duke qenë i vetmi vend në rajon që nuk e ka këtë status”, u shpreh Konjufca.

    Ai tha se e ka njoftuar kryetaren edhe në lidhje me sulmin që shteti serb e ka shkaktuar në veri të Kosovës, ku mbeti i vrara rreshteri Afrim Bunjaku, duke thënë se nuk mund të ketë fqinjësi të mirë pa u dënuar kryesit e këtij krimi.

    “Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe paqe në rajon pa u dënuar kryesit e këtij krimi. Theksova që institucionet tona i kanë përmbushur kërkesat e BE-së por masat ende vazhdojnë. Sllovenia e ka treguar aleancën e saj të fort me Kosovën”, u shpreh tutje Konjufca.

  • ASHAK: Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe

    ASHAK: Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe

    Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ka shkruar se është lajm i trishtueshëm vdekja e shkrimtarit Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane.

    “Me pikëllim të thellë morëm lajmin e trishtuar se sot është ndarë nga jeta shkrimtari Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane, kandidat i shumëfishtë për çmimin Nobel dhe fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve ndërkombëtare, vepra e të cilit është përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë të botës”, thuhet në njoftimin e ASHAK.

    ASHAK vlerëson se Kadar ishe anëtar i jashtëm i kësaj Akademi dhe përveç si shkrimtar, ‘ishte personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe.

    Kadare lindi në Gjirokastër, studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe letërsi botërore në Moskë. Fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare.

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, të mërkurën, më 3 korrik 2024 në orën 11:00, mban mbledhje komemorative në nderim të veprës dhe personalitetit të Ismail Kadaresë.

    Sot, më 1 korrik 2024, është ndarë nga jeta shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare. Kolosi i letrave shqipe mbylli sytë përgjithmonë këtë të hënë.

  • ​LDK me telegram ngushëllimi për vdekjen e Kadaresë: Sot bota shqiptare u zgjua në zi

    ​LDK me telegram ngushëllimi për vdekjen e Kadaresë: Sot bota shqiptare u zgjua në zi

    Me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka dërguar telegram ngushëllimi.

    “Sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional. Kolosi Ismail Kadare, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe”, thuhet në telegramin e LDK-së.

    Në komunikatën e lëshuar nga LDK thuhet se Kadare ka paraqitur tablon e errët nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria komuniste, vuajtjet, sakrificat, por edhe vlerat e mirëfillta shqiptare.

    “Ai përmes mijëra faqeve të shkruara ka promovuar traditën dhe kulturën shqiptare në botë, duke i dhënë një vlerë të shtuar jo vetëm letërsisë shqipe, por edhe mbarë kontinentit dhe më gjerë. Kadare, ka fituar çmime dhe njohje të panumërta për mjeshtërinë e tij në letërsi, e po ashtu ai ishte përmendur shumë herë edhe si kandidat potencial për Çmimin Nobel në Letërsi”, është thënë në telegram ngushëllimi.

    Kadare sipas LDK-së do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë.

    “Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm. Po ashtu, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kujtojmë me mirënjohje angazhimin e tij të palodhshëm për çështjen e Kosovës, kontributi i të cilit është i paçmueshëm.

    Në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin letrar dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë. Dritë pastë shpirti i tij!”, përfundon telegrami i ngushëllimit.

  • Auditori gjen parregullsi në tender të Ministrisë së Arsimit

    Auditori gjen parregullsi në tender të Ministrisë së Arsimit

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar disa parregullsi në Ministrinë e Arsimit, në veçanti për proceset e vlerësimit të tenderëve. Sipas Auditorit, në aktivitetin e prokurimit “Projektimi i çerdhes tipike të parafabrikuar për 80 fëmijë’’, vlerësimi i ofertave ishte kryer me 16 ditë vonesë përtej afateve ligjore duke i marrë për bazë edhe afatet shtesë.

    “Procesi i hapjes së ofertave u zhvillua më 17.07.2023, ndërsa vlerësimi u përfundua me 21.09.2023”, thuhet në Raportin e Auditimit për Pasqayrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2023.

    Po ashtu në dosjen e tenderit “Furnizimin me lëndë të parë dhe paisje të profilit të floktarisë, estetikës për kryerjen e praktikës profesionale”, te kapacitetet teknike dhe profesionale është kërkuar që operatorët ekonomik pjesëmarrës të kenë kontrata për furnizime të ngjashme, në tri vitet e shkuara.

    “Nga lista e kontratave të realizuara që kishte ofruar operatori fitues vërehet që furnizimet nuk e kishin natyrën e ngjashme (aktivitet kryesor kishin botimin dhe shtypjen e materialeve). Komisioni i vlerësimit nuk e kishte parandaluar këtë mangësi dhe këtë kriter e kishte konsideruar si të përmbushur. Kontrata ishte lidhur me datë 09.08.2023 në vlerë 117,000 euro”, thuhet në raport.

    Sipas ZKA-së shkaku kryesor i këtyre mangësive ishte mosfunksionimi i kontrolleve të brendshme dhe mungesa e kujdesit të duhur gjatë procesit të vlerësimit dhe dhënies së kontratës.

    Ndikimi vonesat në vlerësim të tenderëve përveç anashkalimit të rregullave kanë ndikuar edhe në vonesat në lidhje të kontratave e rrjedhimisht në shtyrjen e furnizimeve dhe marrjen e shërbimeve.

    “Po ashtu, vlerësimi jo në përputhje të plotë me kriteret në dosje mund të rezultojë në zgjedhjen e ofertuesve të cilët më pas mund të mos jenë në gjendje të përmbushin detyrimet e kontratës në kohën e duhur dhe me cilësinë e pritur”, thuhet më tej në raport.

    Në rekomandimin e ZKA-së thuhet se ‘Ministrja duhet të sigurojë një monitorim efektiv përmes menaxherit të prokurimit se vlerësimi i ofertave përfundohet brenda afateve të përcaktuara duke mundësuar që furnizimet të merren në kohën e paraparë. Po ashtu, vlerësimet e ofertave duhet që të realizohen në përputhje të plotë me kriteret për kapacitetet teknike dhe profesionale të kërkuara në dosjen e tenderit”.

    Ky raport ka rezultuar me nëntë rekomandime, prej tyre pesë janë rekomandime të reja, tri të përsëritura dhe një pjesërisht të përsëritur.

  • Nis takimi i Konjufcës me homologen sllovene

    Nis takimi i Konjufcës me homologen sllovene

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, po pret në takim homologen e saj nga Sllovenia, Urška Klakočar Zupančič.

    Pas takimit, Konjufca dhe kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Zupančič do të mbajnë konferencë për media.

    Kryeparlamentarja sllovene do të takohet edhe me presidenten, Vjosa Osmani.

  • Vdekja e Ismail Kadaresë, Rama: Nga mesi ynë u largua monumenti më i madh i kulturës shqiptare

    Vdekja e Ismail Kadaresë, Rama: Nga mesi ynë u largua monumenti më i madh i kulturës shqiptare

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shkruar se vdekja e shkrimtarit Ismail Kadare është lajm i trishtueshëm, pasi që nga mesi ynë u largua monumenti më i madh i kulturës shqiptare.

    Rama, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook ka shkruar se Kadare tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë.

    Kryeministri Rama, ka thënë se tanimë nuk i vjen asnjë fjalë në mend, por ribotimi i mesazhit qe ia ka publikuar për ditëlindjen e tij.

    Postimi i tij i plotë:

    Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të këtij mesazhi të publikuar për ditëlindjen e tij.

    “Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.

    Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare – ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve…

    Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!

    Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhana se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pashaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtij urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë:

    “Mendimin tuaj,

    që ëndërron në trurin e butë,

    si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,

    do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;

    gjersa të ngopem, idhnak e brutal.”

    Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më💔

  • ​Disa regjistrues të popullsisë nuk u paguan, ASK krijon një komision

    ​Disa regjistrues të popullsisë nuk u paguan, ASK krijon një komision

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar të gjithë regjistruesit e angazhuar gjatë Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024) se ka formuar një Komision që do të merret me shqyrtimin e të gjitha ankesave rreth pagesave për periudhën e angazhimit për punën në terren.

    Sipas njoftimit, meqenëse ASK-ja ka pranuar disa ankesa rreth mënyrës së pagesave, Komisioni do të merret me verifikimin në sistem të secilit regjistrues dhe pyetësorëve të aprovuar nga sistemi, në mënyrë që të vërtetohet ndonjë lëshim teknik që ka mund të ndodhë.

    “Në bazë të ankesave të pranuara deri më tani, shihet se ka një keqkuptim nga regjistruesit rreth mënyrës së kompensimit ndërmjet pagës bruto dhe neto, mënyrës së përllogaritjes së pyetëosrëve të plotësuar, si dhe në disa raste për ato intervista që sistemi i ka klasifikuar si intervista jo të rregullta. Sidoqoftë, ASK-ja do të veprojë sipas të gjitha procedurave dhe në bazë kontratës. Nëse verifikohet ndonjë lëshim teknik eventual, kompensimi i mjeteve do të kryhet menjëherë. Të gjitha ankesat mund të parashtrohen te Departamenti i Administratës së ASK-së në email: [email protected]”, thuhet në njoftim.

  • Hiqen posterët përçarës dedikuar Vuçiqit në Zveçan

    Hiqen posterët përçarës dedikuar Vuçiqit në Zveçan

    Policia ka njoftuar se janë hequr posterët dedikuar Vuçiqit që ishin vendosur në Zveçan të shtunën në mesnatë.

    Ato do të përdoren si prova materiale derisa rasti po hetohet.

    “Është raportuar se persona të panjohur nëpër mure të ndërtesave kanë vendosur pamflete me mbishkrime. Pamfletet janë tërhequr nga vendet ku janë vendosur si provë materiale. Rasti nën hetime.”

    Në mbishkrimin e posterëve shkruhej se mezi po pritej ardhja e presidentit serb në Kosovë.

    Për këto banderola reagoi të dielën ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se nëse Vuçiq është nisur drejt Kosovës pa kërkesë te Ministria e Jashtme, do të arrestohet.

    “I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar ministri në profilin e tij në Facebook të dielën.

  • Mësohet shkaktari i vdekjes së Ismail Kadaresë

    Mësohet shkaktari i vdekjes së Ismail Kadaresë

    Shkrimtari Ismail Kadare ka vdekur sot në mëngjes, në moshën 88-vjeçare.

    Burime pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë i thanë Radios Evropa e Lirë se Kadare “pësoi arrest kardio-respirator”.

    Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër – një qytet i vogël në malet e jugut të Shqipërisë.

    Qyteti i tij, për të cilin shkroi romanin “Kronikë në Gur”, bën pjesë në trashëgiminë botërore që mbron UNESCO-ja.

    Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, Kadare i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.

    “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, gazeta amerikane Boston Globe e përshkroi si “roman të fuqishëm dhe prekës”.

    Ai, gjithashtu, hyri në 100 librat e shekullit të gazetës Le Monde.

    Bën fjalë për historinë e një gjenerali italian, i cili shkon në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore për të marrë trupat e ushtarëve italianë.

    Kadare është “një nga romancierët më bindës që shkruan në çdo gjuhë”, shkroi Wall Street Journal për të.