ATV

Category: Lajme

  • Auditori evidenton parregullsi për klasifikim jo adekuat të shpenzimeve në MASHTI

    Auditori evidenton parregullsi për klasifikim jo adekuat të shpenzimeve në MASHTI

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar disa parregullsi në Ministrinë e Arsimit, për klasifikim jo adekuat të shpenzimeve. Sipas Auditorit, MASHTI në vitin 2023 bazuar në planifikimin buxhetor, ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë 1 milionë e 407 mijë e 566 euro në kategori ekonomike jo adekuate.

    “Pagesat e realizuara nga kategoria e investime kapitale që për nga vlera individuale e pajisjeve dhe natyra e tyre këto shpenzime i takojnë kategorisë mallra dhe shërbime, si në vijim: Furnizim me pajisje për sallat e sportit në shkollat e arsimit parauniversitar në vlerë 409,764€; Blerjen e paisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore për qëndrueshmëri dhe blerja e pakove në vlerë 751,055€; dhe Furnizim me inventar shkollor në vlerë 151,464€”, thuhet në Raportin e Auditimit për Pasqayrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2023.

    Në raport thuhet po ashtu se Qendra e Studentëve (QS) kishte paguar 95,213 euro nga kategoria mallra dhe shërbime për kontratën “Renovimi dhe ri dizajnimi i restorantit dhe kuzhinës së Qendrës së Studentëve” shpenzim i cili për nga natyra i takon kategorisë së investimeve kapitale.

    “Kjo kishte ndodhur si pasojë e ndarjes së mjeteve financiare me Ligj të Buxhetit në kategorinë e investimeve kapitale, pavarësisht kërkesës së MASHTI-t që mjetet për këto projekte të buxhetohen në kategoritë adekuate. Derisa te Qendra e Studentëve mjetet për projektin renovimi i restorantit ishin planifikuar gabimisht si mirëmbajtje e ndërtesave në kategorinë mallra dhe shërbime”, thuhet në raport.

    ZKA vlerëson se raportimi apo klasifikimi jo i saktë i të dhënave në pasqyrat financiare shpie në keqkuptim të aktiviteteve financiare të Ministrisë, duke mbivlerësuar/nënvlerësuar kategoritë ekonomike përkatëse.

    Auditori rekomandon Ministrinë e Arsimit se ‘duhet të sigurojë që janë ndërmarrë veprime të mëtejme në koordinim me Ministrinë e Financave në mënyrë që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit dhe që pagesa dhe regjistrimi i shpenzimeve të bëhet sipas kategorive ekonomike adekuate, për të mundësuar raportimin e drejtë të tyre në PFV në përputhje me planin kontabël.

    Ky raport ka rezultuar me nëntë rekomandime, prej tyre pesë janë rekomandime të reja, tri të përsëritura dhe një pjesërisht të përsëritur.

  • ​Fillojnë korrje-shirjet e grurit në Malishevë

    ​Fillojnë korrje-shirjet e grurit në Malishevë

    Komuna e Malishevës sot ka filluar fushatën e korrje-shirjeve të grurit.

    Me këtë rast kryetari i kësaj komune Ekrem Kastrati, ka parë nga afër punimet dhe ka uruar bujqit për një korrje të bereqetshme dhe sezon të mbarë.

    Gjatë vizitës në terren, kryetari Kastrati ishte i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Blegtori dhe Zhvillim Rural, Sylë Dukolli. Ata kanë premtuar vazhdimin e përkrahjes për sektorin e bujqësisë, duke theksuar rëndësinë e këtij sektori për ekonominë.

    “Fillimi i korrjes dhe grumbullimit të grurit është një moment i veçantë për të gjithë ne. Bujqësia është shtylla kurrizore e ekonomisë dhe ne jemi të përkushtuar të mbështesim bujqit tanë në çdo hap të rrugës. Jemi këtu për të festuar përpjekjet dhe arritjet tuaja dhe për të shprehur mbështetjen tonë të vazhdueshme. Urojmë një sezon të mbarë dhe të bereqetshëm,” tha kryetari Kastrati, duke i uruar bujqit.

    Vizita e kryetarit dhe drejtorit në arat e grurit u mirëprit nga bujqit, të cilët patën mundësinë të ndajnë me ta sfidat dhe përvojat e tyre. Kastrati dhe Dukolli theksuan se Komuna do të vazhdojë të ofrojë mbështetje përmes subvencioneve dhe formave të tjera për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të rritur cilësinë dhe sasinë e grurit dhe prodhimeve tjera.

  • IHMK paralajmëroi stuhi e breshër, Komuna e Prishtinës del me rekomandime

    IHMK paralajmëroi stuhi e breshër, Komuna e Prishtinës del me rekomandime

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se sot në vendin tonë mund të ketë reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.

    Madje, në disa zona mund të ketë edhe reshje breshëri me stuhi.

    Lidhur me këto paralajmërime të IHMK-së, Komuna e Prishtinës ka bërë thirrje për kujdes veçanërisht nëse jeni duke ecur jashtë.

    Komuna ka këshilluar që të merren disa masa dhe ka publikuar edhe një numër të telefonit në rast të ndonjë problemi.

    Njoftimi i plotë:

    Të nderuar qytetarë,

    🌧️ Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar që sot gjatë ditës mund të ketë reshje shiu dhe shkarkime rrufesh. ⚡ Në disa zona parashihet të ketë edhe reshje breshëri me stuhi. 🌩️

    Duke pasë parasysh këto paralajmërime nga Instituti, ju lutemi të keni kujdes veçanërisht nëse jeni duke ecur jashtë ose jeni duke u kthyer nga puna. Ju këshillojmë të merrni masat e mëposhtme për të mbrojtur veten:

    Kërkoni strehë menjëherë 🏠: Nëse jeni jashtë kur fillon stuhia, kërkoni menjëherë një vend të mbrojtur, si një dyqan, ndërtesë ose ndonjë strehë tjetër.

    Shmangni hapësirat e hapura 🌳: Mos qëndroni në vende të hapura si parqe, fusha apo sheshe të mëdha.

    Mbani çadër të fortë ☂️: Nëse keni çadër, sigurohuni që ajo të jetë e fortë dhe e qëndrueshme për të përballuar erërat e forta.

    Mos kaloni pranë objekteve të larta ⚡: Shmangni të kaloni pranë pemëve, shtyllave elektrike dhe objekteve të larta që mund të bien ose të shkaktojnë rrezik.

    Kujdes me rrugët e përmbytura 🚧: Mos kaloni nëpër rrugë të përmbytura, pasi ato mund të jenë të rrezikshme për ecjen dhe lëvizjen.

    Kujdesuni për të moshuarit dhe fëmijët 👵👶: Nëse jeni me të moshuar apo fëmijë, sigurohuni që ata të jenë të mbrojtur dhe në një vend të sigurt.

    Për çdo problem, telefononi në numrat kujdestarë (pa pagesë) 080012233 dhe 080012244

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca

    Lulzim Fushtica

  • ​Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut diskutohet në konferencën shkencore të Akademisë së Kosovës dhe Shqipërisë

    ​Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut diskutohet në konferencën shkencore të Akademisë së Kosovës dhe Shqipërisë

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë kanë organizuar konferencën shkencore “Zhvillimi i konstitucionalizmit shqiptar 1912-2024.

    Muharrem Shabani, i cili lexoi Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut theksoi se kuvendi i atëhershëm u mbajt në kushte të jashtëzakonshme e nën rrethimin e shërbimeve sekrete serbe.

    “Gjendja në Kosovë në ato vite ishte tepër e rëndë. Me 23 mars 1989, në mënyrë të dhunshme ishte sulmuar ajo autonomi. Prandaj edhe ky kuvend që u mbajt më vonë u mbajt në kushte të jashtëzakonshme, nën rrethimin e forcave serbe dhe shërbimeve sekrete. U paraprin shumë ngjarjeve të rënda, burgosje të intelektualëve, vrasje, kthimin e shumë ushtarëve në arkivole, helmime masovike te shkollave të mesme”, tha ai.

    Në këtë konferencë shkencore, ai shtoi se Deklarata Kushtetuese ishte pikënisje për kushtetutën dhe referendumin.

    Për hartimin dhe miratimin e Kushtetutës së Kosovës më 7 shtator 1990, foli Ismet Salihu, i cili tha se gjatë muajit korrik e gusht kanë punuar në hartimin e këtij akti.

    “Qëllimi kryesor i Serbisë ishte suspendimi i autonomisë së Kosovës. Suspendimi i autonomisë nxiti demonstrata në mbarë Kosovën”, theksoi ai.

  • Bislim Zyrapi vazhdon dëshminë në Hagë

    Bislim Zyrapi vazhdon dëshminë në Hagë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe këtë të martë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Të hënën, më 1 korrik, ka filluar dëshminë Bislim Zyrapi, i cili gjatë dëshmisë së tij në Speciale ka thënë se gjatë periudhës nga nëntori i vitit 1998 deri në mars të vitit 1999 pjesën më të madhe të kohës Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka qenë i vendosur në fshatin Divjakë në Malet e Berishës.

    Dëshmia e këtij dëshmitari pritet të vazhdojë gjatë sesionit të paradites në seancën e sotme.

    Zyrapi është planifikuar të dëshmojë për katër ditë, pasi Prokuroria ka kërkuar 8 orë për ta marrë në pyetje ndërkaq ekipet e mbrojtjes 25 orë.

    “Sipas informacioneve të Panelit, ky dëshmitar nuk është në dispozicion për të dëshmuar të martën dhe të enjten pasdite. Prandaj, dëshmia e tij për këtë javë do të ndodhë për ditë të plota sot dhe të mërkurën, dhe për gjysmë ditë të martën dhe të enjten”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.

    Gjykimi në çështjen Thaçi dhe të tjerët më 2 korrik pritet të mbahet nga ora 09:00 deri në orën 13:00.

  • Sot mblidhen katër komisione parlamentare

    Sot mblidhen katër komisione parlamentare

    Sot është paraparë që të mblidhen katër komisione parlamentare.

    Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim do të bëjë shqyrtimin e Projektligjit për rrugët, shqyrtimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete si dhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për menaxhimin e resurseve ujore.

    Ndërkaq,Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024 do ta shqyrtojë miratimin e listës së dëshmitarëve.

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti do t’i votojë raportet vjetore të Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin për vitin 2022, si dhe do ta bëjë shqyrtimin e propozim-amendamenteve për Projektligjin për Mbrojtjen e konsumatorit.

    Ndërkaq, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike do të raportojë ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Arbërie Nagavci, në bënë lidhje me raportin e auditimit të performancës “Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit”.

  • Kryetarja e kuvendit të Sllovenisë edhe sot në Kosovë, takohet me Gërvallën

    Kryetarja e kuvendit të Sllovenisë edhe sot në Kosovë, takohet me Gërvallën

    Kryeparlamentarja e Sllovenisë, Urska Klakocar Zupancic, po qëndron edhe sot në Kosovë.

    Ajo në ora 10:00 do të pritet në takim nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

    “Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schëarz, pret në takim Kryeparlamentaren e Republikës së Sllovenisë,Urška Klakočar Zupančič. (Objekti i MPJD-së)”

    Zupancic dje është takuar me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca, dhe presidenten Osmani.

  • Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku pritet kohë pas kohe të ketë reshje shiu, të cilat lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve dhe breshërit, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh – disa prej të cilave të ashpra.

    Pluhuri saharian do të fillojë tërhiqet gradualisht, megjithatë paraprakisht do të shoqërohen me reshje, duke rënë edhe baltë, njofton Meteo Kosova.

    Era do fryjë fryjë nga drejtime të ndryshme,

    17 deri në 20°C, ndërsa ato maximale prej 25 deri në 30°C.

  • Sot dhe nesër ditë zie në Shqipëri për nder të shkrimtarit të madh Ismail Kadare

    Sot dhe nesër ditë zie në Shqipëri për nder të shkrimtarit të madh Ismail Kadare

    Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka miratuar dy ditë zie në nder të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili mbylli sytë përgjithmonë më 1 korrik, në moshën 88-vjeçare.

    Sot dhe nesër atje do jenë ditë zie kombëtare, ku flamujt në institucionet shtetërore dhe publike do të ulen në gjysmështizë.

    Të mërkurën do të mbahen homazhe publike dhe ceremoni shtetërore te Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë, nga ora 9:00 deri në orën 11:00.

  • Bislimi dhe Petkoviq sot në Bruksel “për zhbllokim të zbatimit të marrëveshjes”

    Bislimi dhe Petkoviq sot në Bruksel “për zhbllokim të zbatimit të marrëveshjes”

    Sot në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

    Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se me Bislimin dhe Petkoviqin do të vazhdojë për të punuar në zhbllokimin e marrëveshjes.

    Duke iu referuar takimeve të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin javën e kaluar, ai tha se diskutimet ishin më sfiduese se kurrë.

    Ai shprehi keqardhje që nuk pati përparim në zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit.

    “Javën e kaluar, Borrell dhe unë pritëm Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti në Bruksel për një tjetër takim të Dialogut Beograd-Prishtinë. Fatkeqësisht, nuk kemi parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Diskutimet ishin sfiduese si kurrë më parë. Megjithatë, puna jonë vazhdon nesër kur do të mbledh Kryenegociatorët për të përpunuar hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të Marrëveshjes.”

    Ndërsa zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha se prioritet në takim do të jetë “nisja urgjente e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve“.