ATV

Category: Lajme

  • Kurti shkruan sërish për Kadarenë: I munguar i madh, nga dje, u bë edhe vetë Kadareja

    Kurti shkruan sërish për Kadarenë: I munguar i madh, nga dje, u bë edhe vetë Kadareja

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar edhe sot për shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë dje në moshën 88-vjeçare në urgjencën e Tiranës.

    Në një postim në rrjete sociale, shefi i qeverisë tha se kushdo që e ka lexuar Kadarenë e di etjen e tij të pashuar për të munguarit e mëdhenj.

    “Sepse Kadareja e dëshironte hetimin e çështjes. Miti i furnizoi një sërë të gjatë të munguarish, duke nisur me Kostandinin. Si të thuash: nga Konstandini te Ukshini. Kadareja e di se dhe Ukshini e ka sjellë Doruntinën e vet. Koherencë e paanalizueshme e shkrimtarit të madh”, shkroi mes tjerash Kurti.

    Postimi i plotë:

    Nata e parë pa Kadarenë kaloi mbrëmë. Më herët e dinim që është atje diku me bibliotekën e tij, dhe, këtu te secila bibliotekë familjare nëpër shtëpitë tona. Do të lexohet edhe më shumë tash ai: që të na mungojë më pak neve që e duam, që të gjejmë më shumë veten që na duhet.

    Shkrimtari ynë i madh u nda nga ne. Mbase filozofi francez, Gilles Deleuze, na thotë diçka që mund të na shërbejë për kuptimin e kësaj ndarjeje. Artisti bën një vepër artiste. Në një farë mënyre është vepra ajo që krijon përherë. Kadare nuk na la në paqen e një shoqërie të përgjumur, por na hodhi në intrigën e tij. Aty janë dhe do të jenë ende personazhet dhe situatat, gjenerali i të vdekurve dhe kako Pino, koncerti i fundit dhe pallati i dimrit të përhershëm, Broadëay i zhvendosur në Tiranë dhe hija e kineastit shqiptar në Paris, Eskili i degdisur dhe faraoni i tejvarrosur, trupi i Lul Mazrekut dhe përkthyesi i katërt, valltari i vargjeve të popullit apo autoriteti i nëndheshëm i Lasgushit… Të gjithë do të jenë aty nën paradigmën e uraganit të pandërprerë të letërsisë.

    Shkrimtari i madh ka aftësinë të ndërtojë mision, dhe ky mision është vetëm stil, alegori, porosi, kolektiv kuptimi, dyshim kolektiv. Ai lidh kohët e shkrimeve, por edhe gjeografitë e prozës. Dalja e tij përtej kufijve ngjall problem, sepse ai e dyzon kufirin: e kthen nga kufi talenti në kufi politik, ose, edhe më mirë: ai përzien të tashmen me një të shkuar të dyfishtë. Andaj do të jetë sa shkëlqim edhe problem.

    Si një mesazh i habitshëm mund të përmendet edhe fakti që vetëm së shpejti do të shfaqet në Francë biseda e tij e pothuaj tri dekadave më herët me të munguarin e madh Ukshin Hoti. Kushdo që e ka lexuar Kadarenë e di etjen e tij të pashuar për të munguarit e mëdhenj. Sepse Kadareja e dëshironte hetimin e çështjes. Miti i furnizoi një sërë të gjatë të munguarish, duke nisur me Kostandinin. Si të thuash: nga Konstandini te Ukshini. Kadareja e di se dhe Ukshini e ka sjellë Doruntinën e vet. Koherencë e paanalizueshme e shkrimtarit të madh.

    I munguar i madh, nga dje, u bë edhe vetë Kadareja.

  • “Xhami me para të Serbisë”, Tërnava paralajmëron padi ndaj ish zv-ministrit: Më jepni fakte, i rrënoj

    “Xhami me para të Serbisë”, Tërnava paralajmëron padi ndaj ish zv-ministrit: Më jepni fakte, i rrënoj

    Kryetari i BIK’ut, Myftiu Naim Tërnava ka paralajmëruar padi ndaj ish-zëvendësministrit Milazim Gashi, i cili e akuzoi BIK-un se ka ndërtuar dy xhami – në Mat dhe Veternik – me para të Serbisë.

    “Nuk ka ndodhë dhe nuk do të ndodhë kurrë që BIK të marrë para nga Serbia, prandaj ky njeri do të ndiqet penalisht. E sfidojë atë zotërinë dhe çdokënd tjetër në Kosovë që nëse argumentojnë një gjë të tillë, unë personalisht do t’i rrënojë ato xhami. Mirëpo kjo është shpifje, është çmenduri”, tha Tërnava.

    Ai shtoi se nëse ka ndonjë dëshmi se ato dy xhami janë ndërtuar me para të Serbisë do t’i rrënojë.

    “Ne menduam se sistemi ateist-komunist iku dhe shkoi, mirëpo fatkeqësisht kanë mbetur disa neo-komunist, të cilët e kanë gjithherë primare fyerjen dhe shpifjen në raport me fenë, mirëpo në raport edhe me shqiptarinë tonë. E them me plotë përgjegjësi se nuk ka ndodhë, nuk po ndodhë dhe nuk do të ndodhë kurrë asnjëherë që Bashkësia Islame e Kosovës të marrë para nga Serbia. Por, e sfidojë atë zotërinë atje, e sfidojë dhe i them kështu me përgjegjësi të plotë, nëse ai dhe kushdo qoftë në Kosovë pinjollë të tij, kanë vetëm një argument në lidhje me atë çfarë kanë deklaruar, unë haptazi deklarojë sot se unë do të marrë buldozerin dhe do t’i rrënojë ato dy xhami, edhe tek ajo në ‘Veternik’ edhe kjo këtu në ‘Mat’. Mirëpo, kjo është shpifje, është çmenduri që vije nga një person i papërgjegjshëm.”

    Tërnava ka ftuar edhe “xhematët e dy xhamive që të përgatisin në bashkëpunim me avokatët që vinë nga këto dy xhami lëndën dhe ta cojnë në prokurori”.

    “Elhamduliah na e kemi shtetin, mirëpo sikur të kemi si duhet shtetin e së drejtës, atëherë ai kishte me përfunduar në Prokurori për të dhënë llogari, për shpifjen që e ka bërë, për gënjeshtrën që e ka bërë. Unë i ftoj edhe xhematët e të dy xhamive të përgatisin në bashkëpunim me avokatët që vinë nga këto dy xhami lëndën, ta çojmë në Prokurori dhe të ndjekin penalisht këtë njeri, këtë gjë do ta bëjë edhe vetë Bashkësia Islame e Kosovës, që ai të japë përgjegjësi para organeve tona, për shpifje për rrena të kulluara që i drejtohen Bashkësinë Islame të Kosovës.”

    “Serbia i ka financuar xhaminë e Matiçanit dhe xhaminë në hyrje të Veternikut edhe midis Prishtinë te Xhamia e Madhe. Ke aksione të dyshimta, që janë financu e renovu xhamitë në Prishtinë”, kishte thënë Gashi.

  • Arrestohet një person për keqpërdorim besimi, ia mori viktimës 24 mijë euro

    Arrestohet një person për keqpërdorim besimi, ia mori viktimës 24 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti përgjithshëm, ka ndaluar të dyshuarin B.K., në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i besimit’’, të Kodit penal të Republikës së Kosovës.

    Dyshohet se i njëjti, me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur besimin tek e dëmtuara L.G., në atë mënyrë që nga ajo kishte marrë autorizim që të vepronte në emër të saj, në mënyrë që t’ia siguronte mjetet financiare të babait të saj, si ish i burgosur politik në burgjet e Jugosllavisë, ku për këtë shërbim kishte kërkuar 20% nga shuma totale e kompensimit.

    “I dyshuari B.K., dyshohet se në vitin 2023 ka arritur ti nxjerrë këto mjete financiare nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ku shuma rreth 24 mijë euro ishte depozituar në llogarinë e tij, mirëpo i njëjti për këtë nuk e kishte informuar të dëmtuarën, edhe pse njëjta vazhdimisht ishte interesuar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

    Me këto veprime dyshohet të ketë kryer veprën e sipërshënuar penale dhe ndaj tij brenda afatit ligjor Prokuroria Themelore në Gjilan, do të vendosë lidhur me masën për sigurinë e të pandehurit në procedurë penale.

  • Presidenti Macron, mesazh për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare

    Presidenti Macron, mesazh për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare

    Presidenti i Republikës franceze, Emanuel Macron përkujtoi shkrimtarin e madh Ismail Kadare si një shpirt të lirë, i cili mori pjesë në zgjimin e madh të popullit shqiptar që ngriti perden e hekurt.

    Ai është shprehur se Kadare e nderoi Francën duke e zgjedhur si azil të krijimit të tij.

    “Sot vdiq një shkrimtar që mishëroi, me jetën, me veprën dhe me personalitetin e tij, pasurimin e dialogut, forcën e shpirtit europian dhe vokacionin mikpritës të Francës. Shkrimtari franko-shqiptar Ismail Kadaré u largua nga ne”,shkruhet në mesazhin e presidencës.

    Mesazhi i plotë presidencës franceze:

    “Ai ishte një nga ata për të cilët shkrimi është një luftë; ata që çdo fjalë u shkëputet nga heshtja, ata që çdo rresht rrezikon t’u shtohet minutave, ata që çdo roman kërcënon të jetë epitafi i karrierës së tyre.

    Sepse jetoi dhe krijoi si njeri i lirë, në një vend që nuk ishte: Shqipëria Sovjetike e pasluftës, nën zgjedhën e hekurt të Enver Hoxhës.

    Por zbulimi i letërsisë i hapi adoleshentit brigjet e një bote të re. Duke lexuar Servantesin, Homerin dhe Gogolin, ai ndërtoi rezistencën e tij intelektuale. Aq sa indoktrinimi i profesorëve të tij të letërsisë rrëshqiti mbi të, në Universitetin e Tiranës si dhe në Institutin Gorki në Moskë, tempullin e letërsisë zyrtare. Në vend që të bashkohej me radhët e “trupës elitare të realizmit socialist”, siç quhej, ai u bashkua me luftëtarët e rezistencës së stilit të lirisë. Romani i tij madhështor i vitit 1963, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, u tolerua, sepse tema e tij ishte shqetësuese, ëndrra e tij pengoi etiketat komuniste: zhvarrosja e ushtarëve nga Lufta e Dytë Botërore para një prifti dhe një ushtari italian, nën pushtetin shqiptar. shi i cili vazhdon të bjerë. Nga ana tjetër, Përbindëshi, në vitin 1965 dhe Dimri i vetmisë së madhe, në 1973, e bënë paria, sepse denonconte shtypjen intelektuale të Tiranës së kohës. Dy herë i akuzuar për nxitje rebelimi, ai iu nënshtrua një periudhe pune krahu thellë në fshat, për të cilën ai raportoi.

    Pas Pallatit të Ëndrrave, në vitin 1981, ra sëpata: “armik i popullit”. I ndaluar nga publikimi, ai vendosi të kërkojë azil politik. Kështu ai iu drejtua vendit që kishte qenë i pari që përktheu librat e tij, i pari që u bë i apasionuar pas punës së tij përtej kufijve të tij. Me botuesin e tij, Claude Durand, kreun e Éditions Fayard, ai planifikoi një arratisje të madhe në Francë në vitin 1990, një tjetër goditje në murin e diktaturës: në Tiranë, largimi i tij çoi në protestat e para studentore në më shumë se dyzet vjet.

    Që atëherë, nga kryeqyteti i Francës në atë të një Shqipërie të kthyer në demokraci dhe më në fund të rikthyer në vetvete, ai e ndau ekzistencën e tij mes fjalëve dhe gjërave, njerëzve dhe vendeve. Nga shëtitjet e tij në Tiranën e rizbuluar, nga kjo tryezë në kafenenë Rostand ku çdo mëngjes vendoste fletoren dhe stilolapsin, lindën tekste të përjetshme, në udhëkryqet e miteve dhe botëve, nga imagjinata e piramidës së Keopsit në atë të Tiranës. midis portave të Luksemburgut, brigjeve të Cornwall dhe mureve të Trojës. Ata vazhdimisht na kujtojnë se si Evropa është kontinenti i së përbashkëtës, se si historia e saj është një histori e përbashkët.

    Presidenti i Republikës përshëndet një shpirt të lirë, i cili mori pjesë në këtë zgjim të madh të popullit që ngriti perden e hekurt dhe nderoi Francën duke e marrë atë si azil të krijimit të tij. Ai u drejton ngushëllimet e tij të përzemërta të dashurve të tij, lexuesve të tij dhe popullit shqiptar”.

  • ​Dështimi i projektit për digjitalizimin në arsim, përplasen Nagavci e Bajrami

    ​Dështimi i projektit për digjitalizimin në arsim, përplasen Nagavci e Bajrami

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Hykmete Bajrami kanë akuzuar njëra tjetrën për siç u tha dështimin e projektit për digjitalizimin e arsimit parauniversitar.

    Gjatë shqyrtimit të Raportit të auditimit të performances “Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit”, në mbledhjen e Komisionit u tha se Kosova paguan kredi mbi 5 milionë euro për projektin për digjitalizimit të arsimit që nuk është funksional.

    Ministrja e Arsimit, Nagavci për projektin fantom të zhvilluar 11 vite më parë, më 28 maj të këtij viti, e kanë dorëzuar në Prokurori Speciale të Kosovës, e cila tanimë ka nis hetimet.

    “Projekti në fjalë nuk është realizuar dhe nuk janë arrit qëllimet e këtij projekti qoftë për e-Edukimin e as për digjitalizimin për provimin e maturës. Kur kam marrë mandatin, kam kërkuar që ky projekt të auditohet dhe kam kërkuar nga ish-sekretari Agim Bërdyna që të na ofroj të gjithë materialin… Përkundër që kemi bërë përpjekje në Ministri që të gjejmë dokumente, të gjitha ato që kemi arrit t’i sigurojmë i kemi ofruar Zyrës Kombëtarë të Auditimit. Andaj, edhe unë jam pajtuar plotësisht me gjetjet dhe me raportin e dhënë final. Natyrisht me të pranuar raportin, e kemi adresuar më 25 maj saktësisht e kemi dorëzuar në prokurori te organet kompetente në mënyrë që të shqyrtohet. Dhe me aq sa kemi njohuri me një shkresë të cilën e kemi pranuar më 27 qershor 2024, është duke u punuar në këtë drejtim, për shkak se Prokuroria Speciale ka dërguar një kërkesë për grumbullimin e informatave shtesë në lidhje me lëndën e cila po trajtohet edhe sot këtu. Sigurisht se është shqetësuese një lëndë e tillë, dhe gjithë ajo që ne kemi mundur të bëjmë si ministri ka qenë që të auditohet secili detaj dhe e njëjta t’iu adresohet organave kompetente, Prokurorisë në këtë rast”, theksoi ajo.

    Ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami nuk ka dashur të marrë përgjegjësinë për projektin e digjitalizimit. Deputetja e LDK-së, Bajrami duke folur për këtë projekt, ia tha ministres Nagavci: Ju lutemi mos të luajmë ping-pong.

    “E kemi verifikuar, sepse na është dashur. Shkollat janë mbyllur. Ministre, e keni drejtorin këtu dhe personin dhe stafin që kam punuar unë. Ju lutemi mos të luajm ping pong.

    Nagavci: Jo jo nuk po luajm ping-pong,

    Bajrami: Ky projekt ka qenë i përfunduar.

    Nagavci: Pyetja është e thjesht, kur juve iu kanë dorëzuar krendcialet, është verifikuar nga ish-sekretari, a janë funksionale këto sisteme në ASHI, më 2020.

    Ministre ajo cfrë ne kemi parë, është që sistemi ka qenë jo funksional. Drejtori Fatmir Elezi ka qenë njëri prej personave që ka refuzuar me nënshkruar një raport të pranim-dorëzimit”.

    Deputetja Bajrami duke iu referuar raportit të auditimit rreth tenderit për mësimin online, tha se Ministria e Arsimit nuk ka pas raport të nënshkruar për pranim teknik të softuerëve, në ndërkohë që janë kryer pagesat prej 4.9 milionë e që me kredi i bije 5.6 milionë euro milionë. Sipas saj, personi që ka nënshkruar duhet të jap përgjegjësi.

    Megjithatë, ajo shtoi se meqë janë dhënë miliona euro, a janë angazhuar që një sistem të tillë ta bëjnë funksional.

    “Cilat janë hapat që keni ndërmarrë gjatë këtyre tri viteve, a ka mundësi që një softuer i tillë të krijohet infrastruktura dhe të futen ato në shfrytëzim apo thjesht do të jetë një sistem që nuk do të shfrytëzohet asnjëherë“, tha ajo.

    Kurse, zëvendësministri Taulant Kelmendi tha se edhe për shkak të mungesës së resurseve është jofunksional dhe pagesat për projektin që nuk është askund, do të vazhdojnë të paguhen deri në vitin 20232.

    “Duke i ditë edhe zhvillimin e fundit teknologjike dhe hovin e zhvillimit, përditësimeve teknologjike, aludojmë se është jofunksional, e këtë aludim e kemi pas si paratezë kur iu kemi qas sistemit, e kemi ditë që është problem me u funksionalizua“, tha ai.

    Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Mirlinda Sadiku, e cila ka bërë një përmbledhje të raportit të Auditorit, tha se gjatë viteve 2013-2017, Ministria e Arsimit ka zhvilluar projektin për digjitalizimin e arsimit parauniversitar në Kosovë në vlerë prej 4 miion e 931 mijë euro.

    Për zhvillimin e këtij projketi, ajo tha se Ministria e Financave ka negociuar marrëveshjen për kredi të butë përmes Bankës austriake ‘Uni credit” dhe Qeverisë Austriake si garantues, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014 dhe do të paguhet deri më datë 30 shtator 2032 me një vlerë totale 5 milionë e 637 mijë euro.

    Mirëpo, sipas saj, projekti në fjalë nuk është funksionalizuar dhe nuk janë arritur qëllimet e këtij projekti për e-Edukimin dhe digjitalizimin e provimit të maturës. Sipas saj, Qeveria e Kosovës për këtë projekt të pafunksionaziuar ka obligime ndaj huamarrësit deri në vitin 2032, që do të paguhen nga buxheti i Kosovës.

    “Si të paguhen më shumë se 5 milionë euro, dhe ky proces ka dështuar në të gjitha fazat dhe ka pasur probleme. Si ka mundësi mos me ekzistuar një marrëveshje e tillë? Si ka mundësi mos me qenë funksional. Këto janë taksa të qytetarëve të Kosovës. Çështja tjetër, në të ardhmen e ke paraparë në strategjinë e Arsimit që të bëhet digjitalizimi I shkollave. Ne jemi në vitin 2024 dhe me gjithë këto probleme të trashëguara, çka do të ndodhë me këtë marrëveshje, cilat janë alternativat. Ne nuk mund të mbesim peng si shoqëri dhe mos ta bëjmë digjitalzimin. Çka ka ndodhur me këtë projekt? Sic e pamë në raportin e auditorit, është jo funksional, nuk kemi qasje. Prandaj, për mua është e papranueshme dhe po e them edhe një herë që të shpenzohen këto mjete me marrëveshje ndërkombëtare “Uni Credit”, të hyjmë në borxhe dhe obligime, ndërsa projekti të dështoi. Kjo është e paparnushme. A e keni dëruar lëndën në prokurori?”, theksoi ajo. /kp

  • Stuhitë e forta dhe shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë kaos në Ulqin

    Stuhitë e forta dhe shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë kaos në Ulqin

    Që nga e hëna, Ballkani është përfshirë nga stuhi të forta të shoqëruara me reshje të dendura shiu dhe breshrit.

    Pamjet e siguruara nga ATV tregojnë kaosin që kanë sjellë këto stuhi të fuqishme në Ulqin. Stuhia ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe ka shkulur pemët.

    Gjithashtu, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar edhe vërshime në pjesë të ndryshme të qytetit. /atvlive.tv

  • Zyrapi: Njësia Speciale e UÇK-së nuk ka pasur të drejtë ta arrestojë askënd

    Zyrapi: Njësia Speciale e UÇK-së nuk ka pasur të drejtë ta arrestojë askënd

    Dëshmitari Bislim Zyrapi tha se Njësia Vëzhguese e cila ishte speciale e UÇK-së, nuk ka pasur të drejtë që ta arrestojë askënd.

    Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një urdhëresë, të cilën pohoi se e kishte bërë ai, e në të cilën thuhej se Njësia Speciale s’ka të drejtë të marrë veprime të tilla ndaj askujt. Megjithatë, Zyrapi shtoi se ky urdhër ka dalë për shkak se një rast i tillë kishte ndodhur.

    “Se kjo është Njësi Vëzhguese, Njësi që reagon në reagime të shpejta. Nuk është njësi që merret me çështjen e arrestimeve për arsye se është përdorur në këto njësi. Njëherë është përdorur edhe nga inspektori i përgjithshëm në një fshat në territorin e Zonës së Pashtrikut dhe për ato arsye është dhënë ky urdhër”, tha Zyrapi.

    Dëshmitari u pyet se a ishte Rexhep Selimi inspektor i përgjithshëm, por që përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua.

    “Është bë një masë disiplinore për shkak të disiplinës që ka ndodhur në atë fshat dhe është përdorur kjo njësi që nuk është dashtë të përdoret në këtë mënyrë. Ajo mund të përdoret në qoftë se beson në atë që do të arrestohen ose duhet të merren masa ndaj tyre, janë me armë dhe kanos rrezikun dhe mund të përdoren këto njësi si Njësi Speciale për t’i asgjësuar ato ose për t’i arrestuar. Përndryshe, është Policia Ushtarake dhe kanë mënyra të tjera të komandës se si duhet të veprojnë nga komandanti poshtë i brigadës, komandanti i zonave deri në atë të Shtabit”, tha Zyrapi tutje.

    Ai shtoi se kjo njësi nuk ka pasur të drejtë as të izolojë ndokënd.

    “Kjo njësi, në qoftë se flasim për vetë njësinë është tjetër. Kjo nuk ka pas të drejtë as të izolojë, vetëm është përdorë në qoftë se grupet ose palët që është dashur të merren masa ndaj tyre kanë pas armë dhe kanë përdorur armët, atëherë kjo ka mundur të përdoret si njësi. Përndryshe, jo për veprime të tjera”, u shpreh Zyrapi./Betimi për Drejtësi/

  • ​Mungon mazhoranca, s’kalon në Komision kërkesa e deputetes së opozitës

    ​Mungon mazhoranca, s’kalon në Komision kërkesa e deputetes së opozitës

    Shqyrtimi i “Kërkesës së deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku – Rexhepi, lidhur me monitorimin e Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës, sa i përket zbatimit të Ligjit për zyrtarët publik nuk ka kaluar në Komisionin për Ekonomi.

    Kjo për shkak të mungesës së votave nga mazhoranca.

    Ndërkaq, sa i përket, shqyrtimit të Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.a. për vitin 2023, është shtyrë për një ditë tjetër, pas kërkesës së deputetëve të mazhorancës.

    Pasi sipas tyre, nevojitet më shumë kohë të analizohet raporti./KP

  • ​Kërcënimi me bombë, Aeroporti “Adem Jashari”: Alarm i rrejshëm

    ​Kërcënimi me bombë, Aeroporti “Adem Jashari”: Alarm i rrejshëm

    Kërcënimi për bombë në aeroportin “Adem Jashari”, është i rremë.

    Kështu kanë njoftuar nga zyra për media e aeroportit, pasi në media u raportua për një kërcënim të tillë.

    Nga aeroporti kanë bërë të ditur se ANP ‘Adem Jashari’ LKIA është i hapur për fluturime, dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht”.

    “Pas raportimit të mediave për kërcënim për bombë në Aeroportin “Adem Jashari”. Ju njoftojmë se pas kërcënimit për bombë janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Kjo ka rezultuar se kërcënimi për bombë ka qenë alarm i rrejshëm. ANP ‘Adem Jashari’ LKIA është i hapur për fluturime, dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht”, thuhet në njoftim.

  • ​34 vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, deputetët e atëhershëm kujtojnë kushtet e mbajtjes së kuvendit

    ​34 vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, deputetët e atëhershëm kujtojnë kushtet e mbajtjes së kuvendit

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë kanë mbajtur konferencën shkencore “Zhvillimi i konstitucionalizmit shqiptar 1912-2024. Në 34 vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, deputetë të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës kanë treguar për kushtet në të cilat ishin mbledhur dhe se ishin të rrethuar nga forcat policore e shërbimi sekret serb.

    Nënkryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Iljaz Ramajli theksoi se Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut i ka paraprirë unifikimi i plotë shqiptar.

    “Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut e shkroi akademik Gazmend Zajmi, Kushtetutën e Kosovës-7 shtatorit 1990 e shkruan anëtarët e Komisionit Kushtetues të Kuvendit të Kosovës nga radhët e punëtorëve shkencor, profesor doktor Ejup Statovci, profesor doktor Ismet Salihu, profesor doktor Kurtesh Salihu, profesor doktor Fatmir Fehmiu si dhe doktor Riza Smaka. Tekstin e pyetjes së referendumit gjithë popullor i mbajtur më 26-30 shtator 1991 për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur e kishte përgatitur akademik Gazmend Zajmi me ekipin e tij dhe amendamentet në Kushtetutën e Kosovës nga numri 2 deri në atë të shtatin i kishte përgatitur profesor doktor Arsim Bajrami dhe juristi i mirënjohur Lazim Salihu. Shpalljes së deklaratës kushtetuese të 2 korrikut i kishin paraprirë unifikimi i plot i faktorit shqiptar të Kosovës, kërkesat gjithë popullore për mëvetësi, liri e barazi”, deklaroi Ramajli.

    Muharrem Shabani, i cili lexoi Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut theksoi se kuvendi i atëhershëm u mbajt në kushte të jashtëzakonshme e nën rrethimin e shërbimeve sekrete serbe.

    “Gjendja në Kosovë në ato vite ishte tepër e rëndë edhe e sigurisë edhe e politikës. Më 23 mars 1989, në mënyrë të dhunshme ishte suprimuar ajo autonomi sipas Kushtetutës të vitit 1974. Prandaj edhe ky kuvend që u mbajt më vonë u mbajt në kushte të jashtëzakonshme, nën rrethimin policor, të shërbimeve sekrete serbe. Jo për të shprehur guxim e trimëri por aty ishte treguar guximi i këtyre delegatëve dhe delegateve që me çdo sakrificë të realizojnë këtë akt. U paraprin shumë ngjarje të rënda, burgosje, izolim të intelektualëve, vrasje, kthimin e shumë ushtarëve në arkivole të vrarë, bile bile thuhej se kanë bërë vetëvrasje, pastaj helmime masovike të nxënësve në shkolla të mesme. Këto edhe neve na bën edhe më të qëndrueshëm që kërkesa gjithë popullore që u fol këtu që Kosova të shpallet si njësi e barabartë”, tha ai.

    Në këtë konferencë shkencore, ai shtoi se Deklarata Kushtetuese ishte pikënisje për kushtetutën dhe referendumin.

    Për hartimin dhe miratimin e Kushtetutës së Kosovës më 7 shtator 1990, foli Ismet Salihu, i cili tha se gjatë dy muajve është punuar vetëm natën dhe në mënyrë ilegale.

    “Gjatë muajit korrik dhe gusht, në mënyrë sistematike grupi punues nga pala shqiptare vazhdoi punën në hartimin e tekstit të Kushtetutës së Kosovës. Gjatë këtyre dy muajve, anëtarët e komisionit punuan vetëm gjatë natës dhe në mënyrë ilegale në konspiracion të plotë0, punët teknike i kryente sekretari i komisionit kushtetues. Dhe kështu gjatë dy muajve është punuar në ilegalitet, në përgatitjen e tekstit të kushtetutës… Pasi që u përfundua puna në tekstin e Kushtetutës së Kosovës, i është dorëzuar sekretarit të komisionit dhe sekretari i komisionit ua ka dorëzuar delegatëve të deputetëve të kuvendit dhe në marrëveshje edhe kjo punë e deputetëve është kryer në mënyrë konspirative. Meqë ishte bërë e pamundur fizikisht hyrja në kuvend e deputetëve, është marrë vesh që teksti i Kushtetutës së Kosovës tu dorëzohet të debatohet dhe të aprovohet jashtë Kuvendit të Kosovës”, u shpreh ai.

    Para 34 vitesh është miratuar Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e cila u shpall nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Ky është akti që shënoi hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës. Miratimi i Deklaratës Kushtetuese u zhvillua në kushte të jashtëzakonshme, të rrethuara nga forca policore serbe./KP