ATV

Category: Lajme

  • Numri i të vrarëve në Gazë rritet në mbi 38.000

    Numri i të vrarëve në Gazë rritet në mbi 38.000

    Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se numri i palestinezëve të vrarë gjatë luftës pothuajse nëntëmujore ka kaluar shifrën prej 38.000.

    Kjo ministri tha se në 24 orët e fundit, në spitale janë dërguar trupat e 58 viktimave, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave të arrijë në 38.011.

    Po ashtu, autoritetet shëndetësore në Rripin e Gazës thanë se më shumë se 87.000 persona janë plagosur gjatë luftimeve.

    Kjo ministri nuk bën dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve, në shifrat që publikon për viktimat, por shumica e viktimave thuhet se ishin gra dhe fëmijë.

    Lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor, pasi radikalët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit. Nga sulmi i paprecedent i Hamasit, në Izrael u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë./REL

  • Ambasadori gjerman: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje

    Ambasadori gjerman: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë në njohje nëse të dy shtetet e duan anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

    Ai shtoi se në këtë proces duhen vendime të guximshme.

    “Normalizimi duhet të rezultojë në njohje, nëse të dyja, Kosova dhe Serbia, duan t’i bashkohen BE-së. Shumë shpesh ajo që është etiketuar “hap pas hapi” rezulton të jetë “tit for tat”* që nuk ndihmon asnjërën palë. Vendimet e guximshme janë shumë të nevojshme!”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social “X”.

  • Izraeli e shqyrton përgjigjen e Hamasit për propozimin për armëpushim në Gazë

    Izraeli e shqyrton përgjigjen e Hamasit për propozimin për armëpushim në Gazë

    Kabineti i Izraelit do të mblidhet të enjten për ta diskutuar përgjigjen më të re të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – për propozimin e SHBA-së për armëpushim me faza në Rripin e Gazës.

    Përpjekjet diplomatike për armëpushim në Gazë kishin ngecur në javët e fundit, por ato u ringjallën me vendimin e Izraelit për ta shqyrtuar përgjigjen e Hamasit.

    Shtetet e Bashkuara grumbulluan mbështetje për planin për armëpushim, i cili parasheh lirimin e të gjitha pengjeve që po mbahen ende nga grupi militant, në këmbim të një armëpushimi afatgjatë dhe të tërheqjes së forcave izraelite nga Gaza.

    Megjithatë, deri tani asnjëra palë nuk e ka pranuar plotësisht atë.

    Hamasi sugjeroi “ndryshime” në propozim muajin e kaluar, disa prej të cilave janë të pamundura sipas SHBA-së.

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar se propozimin origjinal nuk është bërë nga Izraeli, por ka ngritur dyshime nëse ai do t’i japë fund luftës – që është kërkesë kyçe e Hamasit.

    Hamasi konfirmoi të mërkurën se ua ka dorëzuar një përgjigje të re Egjiptit dhe Katarit, të cilat i ndërmjetësojnë bisedimet, pa dhënë hollësi. Një zyrtar amerikan tha se Administrata e presidentit Joe Biden po e vlerëson përgjigjen, duke e cilësuar atë si konstruktive. Zyrtari, i cili foli në kushte anonime, tha se nevojitet më shumë punë.

    Një zyrtar izraelit tha se Netanyahu do ta mbledhë Kabinetin të enjten, për të biseduar për zhvillimet e fundit rreth bisedimeve.

    Zyrtarët amerikanë kanë thënë se propozimi i fundit përmban gjuhë të re dhe iu paraqit Egjiptit dhe Katarit të shtunën. Ai adreson bisedime indirekte të cilat pritet të fillojë gjatë fazës së parë të marrëveshjes me tri faza, të cilën Joe Biden e shpalosi më 31 maj.

    Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.

    Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 38.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL

  • Hovenieri do të përformojë bashkë me Filarmoninë e Kosovës

    Hovenieri do të përformojë bashkë me Filarmoninë e Kosovës

    Filarmonia e Kosovës është në përgatitjet finale të koncertit përmbyllës të sezonit 2023-2024, të quajtur “Koncert për paqe”.

    Koncerti do të mbahet më 6 korrik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, teksa do të jetë përkujtim për dy përvjetorë të rëndësishëm: 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Madje e veçanta e kësaj mbrëmje muzikore do të jetë edhe prezenca e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, bashkë me Korin e Filharmonisë së Kosovës.

    “Jemi të nderuar që në mesin tonë, bashkë me 200 muzikantë, në skenë do të ngjitet edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Shkëlqesia e tij Jeffrey M. Hovenier”, ka njoftuar Filarmonia e Kosovës.

    Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti Baki Jashari, ndërsa në rolin e solistëve do të prezantohen Adelina Paloja (soprano), Liridon Sadriu (tenor) dhe Safet Berisha (bariton).

  • ​Zyrtari i lartë amerikan: Samiti i NATO-s do të zbulojë hapat konkretë për anëtarësimin e Ukrainës

    ​Zyrtari i lartë amerikan: Samiti i NATO-s do të zbulojë hapat konkretë për anëtarësimin e Ukrainës

    NATO do të hapë “mënyra konkrete” për të përshpejtuar anëtarësimin përfundimtar të Ukrainës në aleancën Atlantike gjatë një samiti javën e ardhshme në Uashington.

    Këtë e tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Douglas Jones, përcjell Ukrinform.

    “Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë aleatët e NATO-s kanë thënë se e ardhmja e Ukrainës është në NATO. Në këtë samit, ne do të zbulojmë mënyra konkrete në të cilat NATO mund të ndihmojë Ukrainën të mbrohet kundër agresionit rus, të ndërtojë forcën e ardhshme të nevojshme për të penguar Rusinë dhe zbatojë reformat që i nevojiten për ta bërë veten një kandidat më të fortë për anëtarësimin eventual në NATO. Së bashku, kjo është ajo që ne e përshkruajmë si një urë për anëtarësimin në NATO. Ndihma që ne do të japim në samit do të ndihmojë vërtet në përshpejtimin e Ukrainës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO”, tha Jones.

    Organizatorët e samitit kuptohet se po anojnë drejt gjuhës në një deklaratë përfundimtare që do të thoshte se rruga e Ukrainës drejt NATO-s është “e pakthyeshme”, por zyrtari thoshte vetëm se formulimi është ende duke u negociuar.

    Ministrat e Jashtëm nga 35 partnerë jo anëtarë të NATO-s janë të ftuar të marrin pjesë në samitin e Uashingtonit. Pjesëmarrësit e shquar përfshijnë ministrat e jashtëm të Izraelit, Egjiptit, Jordanisë, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

    Për samitin e tretë radhazi, krerët e shteteve nga të 32 aleatët e NATO-s do të angazhohen në diskutime me liderët nga partnerët e saj Indo-Paqësor: Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re.

    “Rusia po kërkon armë nga DPRK (Republika Popullore Demokratike e Koresë) ndërsa kërkon mënyra për të vazhduar sulmin dhe agresionin e saj kundër Ukrainës. Lidhjet janë të thella. Kjo është arsyeja pse ne do të kemi udhëheqësit e partnerëve të NATO-s Indo-Paqësorit në samit: për të diskutuar se si mund të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të bashkëpunojmë në adresimin e këtyre sfidave të përbashkëta të sigurisë”, tha Jones.

    Nga 9 korriku deri më 11 korrik, Uashingtoni do jetë nikoqire e 75-vjetorit të Samitit të NATO-s.

  • Zyrapi thotë se Thaçi nuk ka pasur rol në mbikëqyrjen punës së Gjykatës Ushtarake

    Zyrapi thotë se Thaçi nuk ka pasur rol në mbikëqyrjen punës së Gjykatës Ushtarake

    Dëshmitari Bislim Zyrapi para gjykatores në Hagë, mohoi që Hashim Thaçi të ketë pasur rol në mbikëqyrjen e punës së Gjykatës Ushtarake.

    “Sa më kujtohet mua jo. S’ka pas mundësi në atë kohë”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Më pas, Zyrapi u pyet nëse ka pasur juristë të tjerë që mund të emëroheshin në Gjykatën Ushtarake përveç Sokol Dobrunës.

    “Nuk e di, e di që edhe një sa më kujtohet ka qenë Agron më duket Berisha. Kanë qenë edhe hala të tjerë po nuk e di. Nuk jam marrë me atë çështje që të di se kush ka qenë e sa kanë qenë”, shtoi Zyrapi.

    Sipas avokatit Luka Mishetiq, dëshmitari i kishte thënë ZPS-së se të gjitha çështjet që kishin të bënin me disiplinën dhe respektimin e urdhrave në dhjetor të ’98-ës i kishin kaluar Sokol Dobrunës si shef i Drejtorisë Ligjore.

    “Po, e saktë është”, tha dëshmitari dhe theksoi se ai kishte edhe detyrën e ekzaminimit të veprave të rënda penale, ndërsa masat disiplinore i përkisnin komandantëve të zonave.

    Dëshmitari deklaroi se për vepra të rënda penale e kishte fjalën për arrestimin e civilëve, maltretimin e tyre dhe gjithashtu nëse ndonjë ushtar ose komandant e kishte shkelur rregullin duke përdorur armën, në veçanti në pikat e kontrollit ose kishte shkelur urdhëresat e eprorit të tyre.

    Gjithashtu për arrestimin e civilëve ai pohoi se nuk ishte çështje që merrej komandanti i zonave, por Sokol Dobruna.

    Më pas, dëshmitarit iu prezantua një dokument lidhur me një ankesë në dhjetor të ’98-ës për një ushtar i cili ishte dënuar. Dëshmitari tha se këtë dokument nuk e kishte parë më herët edhe pse e mbante emrin e tij, por që nënshkrimi i tij nuk figuronte. Madje, ai shtoi se nuk e mban mend asnjëherë të ketë nënshkruar dokument të tillë.

    “Sa e mbaj mend, asnjëherë!”, tha ai, kurse mohoi të ketë pasur rol në ekzaminimin e ankesave të dënimeve nga ana e Gjykatës Ushtarake.

    “Nëse ndonjë ankesë ka ardhë kah unë, atëherë e kam drejtuar në sektorin juridik dhe pastaj është marrë sektori juridik”, tha Zyrapi dhe shtoi se nuk është jurist me profesion.

    Këtë drejtim shkollimi sa i takon aspektit juridik, dëshmitari tha se e ka pasur edhe Fatmir Limaj. Gjithashtu, deklaroi se Policia Ushtarake ishte e obliguar që të respektonte urdhrat që dilnin nga sektori juridik dhe kishte kompetencën që të zbatonte urdhrin e Sokol Dobrunës për të arrestuar ndonjë person.

    Zyrapi pohoi se për ZPS-në kishte thënë se Policia Ushtarake ishte ndarë në dy grupe, ajo në nivel Shtabi si dhe ajo në nivel zone. Për Policinë Ushtarake në nivel zone tha se i kanë raportuar komandantit të zonës.

    Më kaq, përfundoi për sot dëshmia e këtij dëshmitari për ta vazhduar sërish një ditë tjetër. Seanca do të vazhdojë me dëshminë e dëshmitarit të 76-të, i cili mban kodin W04445.

  • ​Procedohen për seancë dy projektligje, opozita e ndarë në votime

    ​Procedohen për seancë dy projektligje, opozita e ndarë në votime

    Në Komisionin për Integrime Evropiane, me katër vota për dhe dy abstenime është miratuar Projektligji për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, e po ashtu është miratuar edhe Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, të cilat janë përcjellë për votim në seancën plenare.

    Kryetarja e këtij komisioni, Rrezarta Krasniqi ka theksuar se i njëjti ka për qëllim ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, duke shtuar se projektligji nuk rregullohet në mënyrë specifike me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

    “Ky projektligj ka për qëllim ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës. Ka tre nene dhe nuk ka ndonjë amandament nga komisioni funksional. Lidhur me përafrimin me legjislacionin e BE-së, ky projektligj nuk rregullohet në mënyrë specifike me legjislacionin e BE-së”, tha Krasniqi.

    Ndërkaq, sa i përket projektligjit për mbrojtjen e konsumatorit, deputeti nga partia në pushtet, Driton Hyseni ka thënë se synon në mënyrë më të avancuar mbrojtjen e konsumatorit duke përfshirë listën e direktivave kryesore evropiane që janë të aplikueshme për mbrojtjen e konsumatorit.

    “Projektligji synon në mënyrë më të avancuar mbrojtjen e konsumatorit duke përfshirë listën e direktivave kryesore evropiane që janë të aplikueshme për mbrojtjen e konsumatorit. Dhe meqë i tillë nuk bie ndesh me ligjet e BE-së”, tha Hyseni.

    Ndërkaq, abstenime kishte nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, dhe deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.

  • PDK-ja e cilëson si “joligjor” Planin Zhvillimor Komunal

    PDK-ja e cilëson si “joligjor” Planin Zhvillimor Komunal

    Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës e kanë lëshuar seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës të enjten, në të cilën në rend dite për votim është Plani Zhvillimor Komunal 2023-2031, raporton EO.

    Asamblisti i PDK-së, Leotrim Retkoceri, e ka cilësuar si “joligjor” Planin Zhvillimor Komunal.

    Sipas Retkocerit, është trajtuar nga një grup njerëzish në krye me Ramës ku ky plan ka shkelje procedurale dhe ligjore.

    “Kalimi i planit zhvillimor komunal 2024-2032 për diskutim publik dhe propozimin për ndryshimin e parcelimit dhe ndërtimin e destimimit të 200 hektarëve tokë në planit rregullues të Prishtina e re zona perëndim. Grupi I këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Prishtinës ka gjetur se ky plan ka të meta ligjore dhe procedural dhe është trajtuar nga një grup njerëzisht në krye me Përparim Ramën që plani zhvillimor të kryeqytetit e trajton si plan për biznes dhe grupit të interesit. Plani zhvillimor komunal përcakton zhvillimin e Prishtinës për 10 vitet e ardhshme. Ky plan duhet të bëjë vendin më të jetueshme por në realitet plani i propozuar është përpiluar pa transparencë ku janë kontrabantuar interesa individuale biznesore në dëm të interesit publikë të kryeqytetit”, tha Retkoceri.

    Tutje, ai tha se ky plan është i dëmshëm për kryeqytetin sepse ky plan ka pasur ndryshime dhe devijime të mëdha nga dokumenti i hartuar nga ish kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

    “Ky plan është I dëmshëm, është përgatitur nga një grup njerëzisht në krye me Përparim Rama ku është duke hetuar nga Prokuroria Speciale, ky dokument është jo ligjor për të hapur si diskutim dhe votim për arsye se nuk e kaluar vlerësimin nga organi kompetentë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, pra mundon dokumenti i vlerësimi strategjik mjedisor. Plani I vlerësimi strategjik hapësinor që e ka prezantuar Përparim Rama I takon një dokumenti tjetër që i hartuar nga Shpend Ahmeti e cila ishte e paligjshme, edhe pse ministria kishte gjetur përlot 28 shkelje ligjore. Dokumenti zhvillimor komunal si I tillë I sjellë para asamblistëve ka pasur ndryshime dhe devijimi të mëdha nga dokumenti I bazuar në qeverisjen e Shpend Ahmeti, po flasim për një dokument që nuk është hartuar nga kjo qeverisje, ka një mori shkelje procedurale dhe ligjore lidhur me krejt procesin dhe përmbajtjen e dokumentit”, tha ai.

    Sipas tij, ky plan duhet anuluar sepse ka shkelje të pa tolerueshme.

    “Ky kuvend po ta kishte anuluar këtë plan do të ishte në rregull në bazë të ligjit, shkeljet e pa tolerueshme është se Plani Zhvillimor Komunal ka propozuar me ndryshime thelbësorë në vizionin e komunës pa analizë paraprake bazuar në statistika të vjetra. Hartat ekzistuese nuk janë në përputhje me ligjet si ato vendore dhe kombëtare, që do të thotë që zonat urbane nuk janë të kategorizuar sipas standardeve, prandaj ne si grup I këshilltarëve qëndrojmë kundër formës së këtij plani të kundërligjshëm që dëmton interesin e qytetarëve. Përparim Rama dhe ata që I qëndrojnë pas po tentojnë që këtë plan të bëjnë për interesave të ndërtuesve të caktuara dhe kundër qytetarëve të Prishtinës”, përfundoi ai.

  • Pavarësia e ShBA-së festohet edhe në Kosovë – Vlerësohet lartë kontributi për shtetndërtim

    Pavarësia e ShBA-së festohet edhe në Kosovë – Vlerësohet lartë kontributi për shtetndërtim

    Për nderë të 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së ShBA-së, Shoqata “Miqtë e Amerikës”, ka mbajtur disa aktivitete pranë shtatores së ish-presidentit Bill Clinton, raporton EO.

    Fillimisht, Zjarrfikësit e Prishtinës pastruan shtatoren e presidentit Clinton, ku më pastaj togu Ceremonial i FSK-së ngriti flamurin e ShBA-së.

    Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës” Agim Rexhepi ka thënë se kjo festë nuk është vetëm e Amerikës por e tërë Kosovës.

    Ai falënderoi Amerikën për kontributin që ka dhënë për Kosovën.

    “Ne sot po festojmë 4 Korrikun – Ditën e Pavarësisë së Amerikës, mirëpo kjo datë nuk është vetëm ditë ndërkombëtare e amerikanëve por edhe e Kosovës. Vlerësojmë veprimet e ShBA-së me aleatët që kanë bërë para luftës, gjatë dhe pas luftës për krijimin e Kosovës, institucioneve të saj dhe avancimin e tyre. Kjo festë nuk është vetëm e amerikanëve, falë jush ne mundemi të festojmë 4 Korrikun. 4 Korrikun e llogarisim si 28 Nëntorin e kombit tonë”, ka thënë Rexhepi.

    Drejtori për sigurinë e OSBE-së, Edward Andersan ka thënë se pas çdo sakrifice që ka pasur Kosova do të vijë diçka e mirë.

    “Mund të them personalisht në sakrificën e madhe dhe të tragjeditë e mëdha mund të ndërtohen gjëra të mëdha, qashtu siç ka ndodhur në Kosovë. Kjo ditë është për tu mbajtur mend që pas çdo gjëje mund të bëhet diçka e mirë”, u shpreh Andersan.

    Aktiviteti përfundojë me vizitën e ekspozitës me simbole të shtetit amerikan e shtetit të Kosovës.

  • “Termokos” vazhdon përgatitjet për sezonin e ardhshëm, nis zgjerimi i rrjetit në pjesë tjera të qytetit

    “Termokos” vazhdon përgatitjet për sezonin e ardhshëm, nis zgjerimi i rrjetit në pjesë tjera të qytetit

    Ngrohtorja e qytetit “Termokos”, ka vazhduar përgatitjet për sezonin e ardhshëm, duke zgjeruar rrjetin në pjesë tjera të Kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.

    Të enjten, ekipet e “Termokosit”, kanë punuar në zgjerimin e rrjetit dhe punimet në ndërtimin e objektit.

    “Vazhduam me implementimin e planit aksional, përmes së cilit synojmë ngritjen e cilësisë së shërbimit dhe në ditët në do të vazhdojmë me zgjerimin e rrjetit”, thuhet në njoftim.