ATV

Category: Lajme

  • ​Krasniqi uron pavarësinë e ShBA-së: Sot feston e gjithë bota e lirë dhe demokratike

    ​Krasniqi uron pavarësinë e ShBA-së: Sot feston e gjithë bota e lirë dhe demokratike

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ditën e shpalljes së pavarësisë.

    Krasniqi, ka shkruar se kjo është një ditë që e feston e gjithë bota e lirë dhe demokratike, krah për krah me Shtetet e Bashkuara.

    “Në përvjetorin e 248 të Pavarësisë së ShBA-së, u shpreh urimet e përzemërta stafit të Ambasadës Amerikane në Republikën e Kosovës, Ambasadorit Hovenier, pjesëtarëve të Ushtrisë Amerikane në Kosovë dhe të gjithë qytetarëve amerikanë. Para se gjithash, kjo është një ditë që e feston e gjithë bota e lirë dhe demokratike, krah për krah me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

    Sipas tij, përkushtimi dhe mbështetja e palëkundur e treguar nga ShBA-të kanë frymëzuar shtetet anembanë globit, përfshirë Kosovën, që të nisin një rrugë të re – atë të lirisë dhe të zhvillimit.

    “Vlerat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe barazisë, të promovuara nga ShBA-të, shërbejnë si udhëzues frymëzimi për të gjithë ato shtete që kërkojnë të ndërtojnë një të ardhme më të ndritur. Gëzuar 4 Korrikun!”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi.

  • ​LVV nuk do ta votojë planin zhvillimor të Prishtinës, qeverisja akuzohet për shantazhe

    ​LVV nuk do ta votojë planin zhvillimor të Prishtinës, qeverisja akuzohet për shantazhe

    Asamblistët komunal të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinës ritheksuan se nuk do të votojnë pro draft dokumentit të Planit Zhvillimor të Komunës (PZHK), pasi siç thonë ata ka shumë mangësi dhe se është në dëm të qytetarëve.

    Sot me ftesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është thirrur seancë e jashtëzakonshme e cila përmban dy pika, ndër to edhe miratimi i draft dokumentit për PZHK-në.

    Në një konferencë për media, kryetari i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla tha se dokumenti i Planit Zhvillimor Komunal, ka të meta procedurale, administrative dhe përmbajtjesore.

    Ai tha se ky është mandati i fundit i kryetarit Përparim Rama, duke shtuar se ky i fundit është marrë me kontrata të dyshimta dhe se janë subjekt i hetimeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

    “Si Lëvizje Vetëvendosje, si qendër e Prishtinës tashmë e kemi shprehur qëndrimin tonë për këtë çështje. Bëhet fjalë për dokumentin kryesor i cili i shërben planifikimit të qytetit në periudhën e ardhshme tetë vjeçare, or i cili fatkeqësisht përmban shumë të meta qoftë procedurale, administrative dhe përmbajtjesore…Ky është mandati i tij i fundit, prandaj nuk është udhës dhe nuk është në rregull për Prishtinën dhe për zhvillimin qytetit që një person i cili në praktikë e ka dëshmuar që nuk i shërben të mirës publike, nuk i shërben qytetarëve dhe nuk i shërben zhvillimit të qytetit ta determinojnë zhvillimin e qytetit për një periudhë kaq të gjatë…Zotri Rama dhe subjekti i tij politik janë marrë me kontrata të tjera të dyshimta, një pjesë e madhe e të cilave siç tash e dini janë subjekt i hetimeve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe çfarë po ndodhë, kur po hyjmë në fazën e fundit të mandatit të tij, ai na e sjell një Plan zhvillimor Komunal, i cili ka të gjetura 28 vërejtje administrative, ligjore dhe substanciale nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, tha Sveçla.

    Ndër të tjera, Sveçla potencoi se qeverisja aktuale në kryeqytet është qeverisje e shantazheve, bizneseve të fshehta dhe marrëveshjeve të dyshimta.

    “Është dëshmuar që kjo qeverisje është qeverisje e shantazheve, qeverisje e bizneseve të fshehta, qeverisje e marrëveshjeve të dyshimta”, potencoi Sveçla.

    Ndërkaq, drejtoresha e Drejtorisë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, Nora Kelmendi tha se ministria ka gjetur 28 shkelje të Planit Zhvillimor Komunal dhe ka urdhëruar që të bëhen disa përmirësime.

    Ajo potencoi se ky dokument është i mangët sepse nuk e ka shkresën përcjellëse ku identifikohen dallimet në mes të kësaj PZHK-je dhe PZHK-së së vjetër, e cila ka qenë në fuqi.

    Si shkelje tjetër, Kelmendi përmendi se draft raporti i vlerësimit strategjik mjedisor i PZHK-së, është i vitit 2021 dhe se nuk është përditësuar.

    Kelmendi theksoi se ky plan nuk është përpiluar për qytetarët e këtij vendi por për realizmin e qëllimeve personale të kryetarit Rama.

    “Plani i dërguar te ne bazuar në dokumentacionin të cilin e kemi pranuar, është i mangët dhe nuk e ka shkresën përcjellëse ku identifikohen dallimet në mes të kësaj PZHK-je dhe PZHK-së së vjetër, e cila ka qenë në fuqi…Shkelje tjetër, draft raporti i vlerësimit strategjik mjedisor i PZHK-së, është i vitit 2021, tani kanë kaluar 3 vite dhe kryetari e sjellë një draft të vlerësimit të vitit 2021. Pra, ky draft nuk është përditësuar fare. Kjo tregon që komuna nuk është serioze…Edhe ky raport ka mangësi të shumta dhe nuk përkon fare me kërkesat e qytetarëve të parashtruara në këto diskutime…Në këtë dokument janë paraqitur 28 të gjetura, të cilat fare nuk janë inkorporuar me këtë draft PZHK të dorëzuar tek ne asambleistët. ‘PZHK-ja duhet të përmbajë planin e zonës urbane dhe zonës rurale dhe të plotësohet në çdo vendbanim me të dhëna për planifikim’…Ne këshilltarët komunal të LVV-së sot nuk do ta mbështesim këtë draft dokument i cili bie ndesh me kornizën ligjore. Ky plan nuk është përpiluar për qytetarët e këtij vendi por për realizmin e qëllimeve person ale të kryetarit me shokët e tij”, tha Kelmendi. /kp

  • ​Ambasada amerikane uron 4 Korrikun me himnin e kënduar nga Alma Bekteshi dhe ambasadori Hovenier

    ​Ambasada amerikane uron 4 Korrikun me himnin e kënduar nga Alma Bekteshi dhe ambasadori Hovenier

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka uruar 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë.

    “Gëzuar 4 Korriku! Këtu është Himni Kombëtar performuar nga Alma Bektashi dhe Ambasadori Hovenier në Pritjen e Ditës sonë të Pavarësisë këtë javë”, ka shkruar ambasada në platformën X.

    Kujtojmë se gjatë kësaj jave, Ambasada amerikane kishte organizuar pritje në nder të 248-vjetorit të Pavarësisë së ShBA-së.

    Të pranishëm në këtë ngjarje ishin personalitete politike, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave.

  • Gruaja në Prishtinë raportoi se është sulmuar fizikisht nga ortakja e saj

    Gruaja në Prishtinë raportoi se është sulmuar fizikisht nga ortakja e saj

    Policia ka njoftuar se një grua në Prishtinë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga ortakja e saj.

    Viktima ka pranuyar tretman mjekësor ndërsa e dyshuara është dërguar në mbajtje.

    “DHUNË NË FAMILJE- Prishtinë 03.07.2024 – 07:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga e dyshuara femër kosovare (ortakja e saj). Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

  • Lajçak takohet me Sekretarin spanjoll të Shtetit për BE, thotë se patën diskutim “të gjerë e të dobishëm” për dialogun Kosovë-Serbi

    Lajçak takohet me Sekretarin spanjoll të Shtetit për BE, thotë se patën diskutim “të gjerë e të dobishëm” për dialogun Kosovë-Serbi

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka njoftuar se në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror dhe në aktivitetet e think-tankut pan-europian, Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë në Madrid, është takuar me Sekretarin e Shtetit të Spanjës për BE, Fernando Mariano Sampedro Marcos.

    Me të, Lajçak tha se vazhdoi “konsultimet e rregullta me shtetet anëtare të BE-së”, por edhe për dialogun Kosovë-Serbi e çështje tjera të Ballkanit Perëndimor.

    “Ne patëm një diskutim të gjerë dhe të dobishëm rreth Dialogut dhe çështjeve më të gjera të Ballkanit Perëndimor”, shkroi Lajçak në “X”.

  • Edi Rama feston sot 60-vjetorin e lindjes

    Edi Rama feston sot 60-vjetorin e lindjes

    Ministrat dhe deputetët e Partisë Socialiste kanë surprizuar mëngjesin e kësaj të enjte kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për 60-vjetorin e tij të lindjes.

    I gjithë kabineti dhe deputetët kanë shkuar në ambientet e kryeministrisë, ku i kanë bërë një festë surprizë Ramës.

    Edi Rama feston këtë 4 korrik 60-vjetorin e lindjes.

  • ​Kuvendi i Shqipërisë një minutë heshtje për Ismail Kadarenë

    ​Kuvendi i Shqipërisë një minutë heshtje për Ismail Kadarenë

    Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë mbajtën sot një minutë heshtje në nderim të kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë më 1 korrik në moshën 88-vjeçare nga nëj arrest kardiak.

    Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se “në emër të Kuvendit seancën e sotme plenare ta nisim me nderimet për personalitetin e nderuar të letrave shqipe, shkrimtarin e madh Kadare që ditën e djeshme u përcoll në banesën e fundit. Të gjithë i jemi mirënjohës Ismail Kadaresë”.

    Kolosi i letërsisë shqipe, Ismail Kadare u përcoll dje për në banesën e fundit me të gjitha nderimet nga mijëra qytetarë e personalitete të jetës publike nga Shqipëria dhe Kosova.

  • Shpallet tenderi 45 milionësh për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc-Zahaq

    Shpallet tenderi 45 milionësh për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc-Zahaq

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka shpallur tenderin për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc-Zahaq, për katër lote. Vlera e parashikuar e kontratës është 45 milionë e 690 mijë euro.

    Në njoftimin për kontratë të publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik thuhet se kohëzgjatja e kësaj kontrate është për 36 muaj.

    Afati i fundit për pranim të tenderëve është 29 korriku, kur edhe do të bëhet hapja e tenderëve. i Tenderi duhet të dorëzohet vetëm në mënyrë elektronike.

    “Shuma e Sigurimit të Tenderit është për Lot 1 200,000.00€, Lot 2 220,000.00€, Lot 3 250,000.00€ dhe Lot 4 200,000.00€ për periudhë valide prej në ditë 120. Sigurimin e tenderit duhet të dorëzohet i skanuar së bashku me ofertë, ndërsa forma origjinale e sigurimit të tenderit do të kërkohet të dorëzohet nga një tenderues të cilin autoriteti kontraktues ka për qellim që ta shpërblej me kontratë. Mos dorëzimi i formës Origjinale të sigurimit të tenderit shpije në zbatimin e nenit 99.2 të LPP. Sigurimin e tenderit duhet të dorëzohet për te gjitha lotet nese dergon oferte ne te gjitha lotet”, thuhet në njoftim.

  • A po tërhiqet Biden nga gara, Shtëpia e Bardhë del me njoftimin e rëndësishëm

    A po tërhiqet Biden nga gara, Shtëpia e Bardhë del me njoftimin e rëndësishëm

    Pas debatit me Donald Trump, në publik u hodh ideja se Joe Biden do të tërhiqej nga gara. Mirëpo, tashmë nuk ka më dyshime. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi Biden është shumë i fortë për t’i shkuar deri në fund garës.

    “Absolutisht jo. Gara është ajo ku presidenti është fokusuar, duke vazhduar të japë për popullin amerikan, ” tha sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre kur u pyet nëse Presidenti Joe Biden do të largohej.

    Së fundmi, ai ka zhvilluar një takim me Zëvendës Presidenten Kamala Harris, që është përfolur si një zëvendësuese e mundshme. Shtëpia e Bardhë u përpoq që ta minimizonte si takim, ndërsa nuk dha shumë detaje mbi atë se çfarë është duke u përfolur në këtë tryezë.

    “Ata hanë rregullisht drekë,” thotë ajo për Biden dhe Harris.

    Biden, 81 vjeç, pati performancë të dobët në një debat me rivalin e tij republikan Donald Trump, 78 vjeç, javën e kaluar dhe presioni është intensifikuar në ditët e ardhshme me sondazhet që nuk ishin pro tij.

  • Albert Zogaj rizgjidhet kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    Albert Zogaj rizgjidhet kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

    Me 10 vota për dhe 1 abstenim, anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) e kane rizgjedhur Albert Zogajn për kryesues të këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.

    Si abstenim u konsiderua vota e anëtares Andrija Miletiq, që nuk mundi të votonte për shkak se mbledhjen e ndoqi online, derisa procesi ishte i mbyllur.

    Mandati i Zogajt është trevjeçar.

    Në mbledhjen e KGJK-së e cila është mbajtur të enjten, Zogaj iu është drejtuar anëtarëve të KGJK-së me një fjalim, në të cilin ka folur për të arriturat si dhe vizionin e tij për të ardhmen e këtij institucioni.

    Ai ka thënë se faza e dytë e reformës në drejtësi ka përfunduar, ndërsa theksoi se KGJK-ja, ka qenë nxitëse për bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Prokurorial.

    “Duhet të punojmë në efikasitetin e sistemit gjyqësor në cilësinë e vendimarrjes së shërbimeve dhe ndërtimin e besimit të publikut. Reforma në drejtësi ka qenë objekti kryesorë, kemi implementuar 12 masa nga 13 në agjendën evropiane. KGJK-ja ka qenë nxitëse me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Prokurorial për bashkëpunim, shpresojmë të hapet rruga për reformë duke përmbushur një pjesë në kuptimin nacional. Kemi dhënë kontribut të jashtëzakonshëm dhe jemi në fazën e hartimit të drafkodit të procedurës penale”, tha Zogaj.

    Ajo se çka mbetet sfiduese te Gjykatat, sipas Zogajt është siguria nëpër Gjykata e që thekson se nuk është në nivelin e duhur.

    “Sfiduese mbetet siguria në Gjykata dhe duhet angazhim. Investimet nuk janë në nivelin e duhur”, ka thënë ai.

    “Të rritet transparenca duhet të pasqyrojmë më shumë punë japim idenë që brenda pak kohe të themelohet dhe publikohet çdo javë gjyqësori në javë apo dy javë. Të punojmë me akademinë e gjyqësorit, të promovohet vlera e raportimit në KGJK. Do të duhet me punu në qasjen në drejtësi, do të promovojmë fushata informuese, ta paguajmë posten 600 e 1 milionë euro në vit, kjo kosto pritet të ulët”, ka thënë Zogaj.

    Tutje, Zogaj kërkoi bashkëpunim më të gjitha institucionet.

    “Sistemi gjyqësor ka në dimension avancimin e sundimit të ligjit, një prej çështjeve me të cilën do të merrem është bashkëpunimi. me institucione ndërkombëtare dhe vendore jo me bojkot. Gjyqësorin e mbështesin duke e vlerësuar jemi të vetëm në nivel rajonal që e kemi bërë punën vetëm”, u shpreh ai.