ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje

    Kurti: Kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka alarmuar duke thënë se kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje. Sipas tij, një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë e Serbisë.

    Në një opinion të botuar në “The New York Times”, kur ka folur për rolin e NATO-s në Kosovë, Kurti e ka përmendur edhe sulmin terrorist në Banjskë, veprim ky që u cilësua destabilizues nga SHBA.

    “Megjithatë, edhe pse demokracia e Kosovës është në rritje, kërcënimet ndaj sigurisë së saj janë gjithashtu në rritje. Në muajin shtator, trupat paraushtarake serbe, të armatosura rëndë, të cilat ne besojmë se vinin nga Serbia, zunë pozicione në Manastirin Ortodoks të Banjskës, në atë që qeveria e SHBA-së, e quajti përpjekje shumë të organizuar që përfshinte armë të sofistikuara. Forcat ushtarake serbe u mobilizuan pranë kufirit tonë, një veprim i cilësuar nga Shtetet e Bashkuara si ‘destabilizues’.

    Mes tjerash, Kurti ka lëshuar akuza në drejtim të Serbisë për pengim të integrimit të serbëve në Kosovë.

    “Në vitin 2017, Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i propagandës nën udhëheqjen e Millosheviqit, u bë president i Serbisë. Ngritja e tij shënoi kthesë në politikën autoritare, etno-nacionaliste të Millosheviqit, veçanërisht në llojin ekspansionist. Politika autoritare e Beogradit ua vështirësoi jetën veçanërisht serbëve etnikë në Kosovë. Atyre iu desh të luanin rolin e tyre si pakicë, në një vend të ri me një popullsi prej përafërsisht 93 për qind shqiptarë etnikë dhe 7 për qind pakica të tjera, duke përfshirë romët dhe turqit. Serbia e ka penguar këtë integrim. U desh trimëri që serbët etnikë t’u bashkoheshin institucioneve dhe të bëheshin pjesëmarrës aktivë në vend”.

    Teksa e ka përmendur edhe rritjen e prezencës së trupave të NATO-s në Kosovë vitin e kaluar, nga 3770 në 4500, Kurti tha se Kosova njihet si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë kontribut të madh ka dhënë NATO-ja.

    “Ky transformim nuk është arritur vetëm si pasojë e veprimeve të NATO-s; është kërkuar përpjekje nga shumë parti, dhe më e rëndësishmja është vendosmëria e popullit kosovar, i cili u angazhua në procesin politik. Por NATO-ja e bëri të mundur këtë realitet dhe nuk është rastësi që lufta në Ukrainë shënon luftën e parë të madhe evropiane në mbi 100 vjet, në të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë marrë pjesë. Paqja është punë e vështirë dhe dinamike, ajo duhet të ruhet vazhdimisht”.

  • Deponohen gati një mijë euro të falsifikuara në një bankë në Prishtinë

    Deponohen gati një mijë euro të falsifikuara në një bankë në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për deponimin e gati një mijë eurove të falsifikuara në një bankat në Prishtinë.

    “Ankuesja femër kosovare zyrtare e një banke, ka informuar se nga klient janë deponuar 936€ para të falsifikuara”, thuhet në raportin 24 orësh.

    Monedhat janë sekuestruar dhe rasti është duke u hetuar.

  • Vriten pesë palestinezë nga një sulm izraelit në Bregun Perëndimor

    Vriten pesë palestinezë nga një sulm izraelit në Bregun Perëndimor

    Pesë njerëz janë vrarë gjatë një operacioni të ushtrisë izraelite në Bregun e uzurpuar Perëndimor të premten, tha Autoriteti Palestinez.

    Ushtria e Izraelit tha në një komunikatë se forcat e saj e rrethuan një ndërtesë në qytetin Xhenin, ku militantët ishin barrikaduar dhe se një avionë luftarak izraelit e goditi këtë zonë.

    Së paku 12 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite gjatë kësaj jave në Bregun Perëndimor, ku tensionet janë rritur shumë prej se nisi lufta në Rripin e Gazës në tetor.

    Trupat e rrethuan ndërtesën “ku terroristët u barrikaduan” dhe filloi një betejë me armë, tha ushtria izraelite.

    “Gjatë shkëmbimit të zjarrit, një avion luftarak i IDF [ushtrisë izraelite] i goditi disa terroristë të armatosur në këtë zonë”, thuhet në njoftim.

    Bregu Perëndimor është duke u përballur me dhunë të rritur prej se nisi lufta në Gazë më 7 tetor.

    Sipas figurave të Autoritetit Palestinez, së paku 565 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor gjatë sulmeve izraelite dhe dhunës me kolonët izraelitë, prej se Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kreu sulme në Izrael më 7 tetor.

    Së paku 16 izraelitë, përfshirë ushtarë, janë vrarë në Bregun Perëndimor gjatë periudhës së njëjtë, sipas shifrave izraelite.

    Palestinezët duan që Bregu Perëndimor, Jerusalemi Jugor – zona që u morën nën kontroll nga Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 – të jenë pjesë e shtetit të tyre të pavarur./REL/

  • Ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, arrestohet një burrë në Prishtinë

    Ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, arrestohet një burrë në Prishtinë

    Një burrë është arrestuar në Prishtinë pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

    “Prishtinë 03-04.07.2024-13:00 12:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Plagoset me armë AK-47 një person në Podujevë, arrestohen dy të dyshuar

    Plagoset me armë AK-47 një person në Podujevë, arrestohen dy të dyshuar

    Një person është plagosur pasditen e djeshme në fshatin Potok të Podujevës.

    Dy persona janë arrestuar si të dyshuar për këtë akt, ndërsa është konfiskuar edhe arma e zjarrit AK-47 që është përdorur në rast.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar. Si pasojë, i njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, kanë konfiskuar armën e zjarrit që është përdorur në rast AK-47 me një karikator dhe 9 fishekë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje” thuhet në njoftimin e policisë.

  • ​U arrestuan ditën e djeshme, Beqaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij dalin sot para gjykatës

    ​U arrestuan ditën e djeshme, Beqaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij dalin sot para gjykatës

    Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij të cilët u arrestuan dje për shpërdorim të fondeve të BE-së do të dalin sot para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar(GJKKO).

    Seanca pritet që të nisë në orën 09:30 minuta, ku të arrestuarit do të njihen me masën e sigurisë.

    Ndërsa, 4 të tjerë janë në hetim nën masat e sigurisë detyrim me paraqitje dhe 2 me arrest shtëpie.

    Masa e sigurisë u kërkua nga prokurorja e SPAK Elida Kaçkini e cila ka hetuar dosjen e SASPAK si dhe u mor nga nga gjyqtarja Rudina Palloi.

    Beqaj, akuzohet dhe për korrupsioni, mos deklarim të ardhurave duke fshehur pronësinë e një restoranti në Tiranë dhe të një automjeti.

    Drejt burgut ish ministrin Ilir Beqaj e çoi një procedim penal i nisur 6 shtatorin e vitit të kaluar, regjistruar në ngarkim të Ermal Kurtulajt, koordinatori i EUSAIR, projekt i rëndësishëm i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian dhe që menaxhohej nga Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), ku Beqaj ishte drejtor.

    SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes restorantit në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij./vizionplus.tv

  • Gërvalla priti në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë

    Gërvalla priti në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti në një takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo. Ministrja Gërvalla e falënderoi ambasadoren për rolin e saj si ambasadore në Kosovë, për mbështetjen e dhënë gjatë proceseve jo të lehta për sigurinë në Kosovë dhe rajon si dhe i uroi suksese të mëtutjeshme në misionin e ri.

    Gjatë këtij takimi, Ministrja Gërvalla dhe Ambasadorja Lobbezoo biseduan edhe rreth progresit të arritur viteve të fundit nga Republika e Kosovës në zhvillimin e demokracisë, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, si dhe në politikën e jashtme, proceset integruese si dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me shtete të ndryshme.

    Ministrja Gërvalla vlerësoi lart kontributin e ambasadores në fuqizimin e marrëdhënieve të qëndrueshme mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës si dhe rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

  • Zgjedhjet në Britani: Laburistët shënojnë fitore bindëse, Sunak e pranon humbjen

    Zgjedhjet në Britani: Laburistët shënojnë fitore bindëse, Sunak e pranon humbjen

    Partia Laburiste ka arritur fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Britani të Madhe të premten, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare nga Partia Konservatore.

    Laburistët e qendrës së majtë i kanë fituar shumicën dërrmuese të ulëseve në Parlamentin britanik, që përbëhet prej 650 vendesh, ndërsa Partia Konservatore e Rishi Sunakut e ka pësuar disfatën më të rëndë në historinë e vet.

    Mëngjesin e së premtes, Keir Starmer u zotua se do të sjellë ndryshime në Britani si kryeministri i ardhshëm i vendit.

    Sunak e pranoi humbjen më herët dhe tha se i ka telefonuar Starmerit për ta uruar për fitoren.

    Starmer tha gjatë një fjalimi mëngjesin e së premtes se “ndryshimi fillon tani”.

    “Ne kemi thënë se do t’i japim fund kësaj rrëmuje, dhe do ta bëjmë; ne kemi thënë se do t’ia nisim nga e para, dhe e kemi bërë. Sot, ne e fillojmë kapitullin e ri, e nisim punën e ndryshimeve, misionin e një ripërtërirje kombëtare dhe fillimin e ndërtimit të vendit tonë”, tha Starmer.
    Ndërkohë, Sunak e mori përgjegjësinë për disfatën e partisë së tij dhe kërkoi falje.

    “Ka shumë gjëra nga të cilat duhet të mësojmë dhe për të cilat duhet të reflektojmë dhe unë e marr përgjegjësinë për humbjen”, tha ai.

    Përderisa Britania e ka shmangur trendin e kthimit nga e djathta që është parë së fundi në Evropë, përfshirë në Francë dhe në Itali, shumë prej rrymave të njëjta populiste paraqiten në Britani.

    Udhëheqësi i Reform UK, Nigel Farage, bëri fushatë me mesazhe kundër emigrantëve dhe mori një pjesë të mbështetësve nga konservatorët, të cilët pritej të përballeshin me zhgënjim.

    Farage u bë deputet për herë të parë, pasi partia e tij i fitoi katër ulëse në Parlament në zgjedhjet e 4 korrikut.

    Britania ka përjetuar disa vite të trazuara – pjesërisht për fajin e konservatorëve – që kanë shkaktuar pesimizëm në mesin e shumë votuesve për të ardhmen e vendit të tyre.

    Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, pasuar nga pandemia e COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës i dhanë goditje të rënda ekonomisë, ndërsa festat që shpërfillën rregullat e izolimit, të organizuara nga kryeministri i atëhershëm Boris Johnson dhe stafi i tij, shkaktuan zemërim të gjerë.

    Pasardhësja e Johnsonit, Liz Truss, tronditi ekonominë edhe më tej me një pako shkurtimesh drastike të taksave, dhe qëndroi vetëm 49 ditë në detyrë.

    Sunak, i cili e zëvendësoi Trussin, më pak se dy vjet më parë, shpalli zgjedhjet e 4 korrikut pavarësisht sondazheve që parashihnin humbje të partisë së tij. Analistët vlerësuan se ai e pa arritjen e disa sukseseve në ekonomi – sikurse rënia e inflacionit dhe rritja ekonomike – si momentin më të mirë për të çuar vendin në zgjedhje.

    Sunak do t’ia paraqesë zyrtarisht dorëheqjen mbretit sot pasdite. Starmer, si udhëheqës i partisë fituese, do të takohet më pas me mbretin, i cili do t’i kërkojë atij ta formojë një Qeveri.

    Më pas, kryeministri i ardhshëm zakonisht shkon në Downing Street për ta mbajtur një fjalim para publikut.

    Gjatë ditëve në vijim, udhëheqësi i ri do ta fillojë emërimin e ministrave të Qeverisë, duke filluar nga postet e larta dhe duke kaluar në role me më pak përgjegjësi.

    Parlamenti pritet ta rinisë punën më 9 korrik. Kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit do të zgjidhet nga radhët e deputetëve të Parlamentit.

    Secili deputet më pas do ta bëjë betimin për besnikëri ndaj mbretit ose do ta bëjë një pohim solemn (deklarim se do ta thotë të vërtetën). Kjo procedurë zakonisht zgjat disa ditë.

    Hapja e Parlamentit dhe Fjalimi i Mbretit, që përcakton programin e legjislacionit të Qeverisë për seancën parlamentare, priten më 17 korrik, megjithëse kjo datë mund të ndryshohet nga Qeveria e ardhshme.

  • Sot hapet tuneli i Llogarasë, Rama: Do të ndryshojë udhëtimin drejt jugut

    Sot hapet tuneli i Llogarasë, Rama: Do të ndryshojë udhëtimin drejt jugut

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se sot do të hapet tuneli i Llogarasë.

    Edi Rama, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se hapja e këtij tuneli do të ndryshojë përgjithmonë udhëtimin drejt jugut.

    “Dhe me tunelin e Llogarasë, një nga veprat historike që do të ndryshojë përgjithmonë udhëtimin drejt jugut, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar kreu i Qeverisë, Edi Rama.

    Tuneli i Llogarasë, pritet që të shkurtojë distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta.

    Gjatësia e tunelit do të jetë prej afro 6 kilometrash.

  • ​248-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së, xhamia “Bedri Kamberi” ngre flamurin amerikan në Prishtinë

    ​248-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së, xhamia “Bedri Kamberi” ngre flamurin amerikan në Prishtinë

    Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në shenjë mirënjohje e falënderimi për të gjithë atë që ka bërë SHBA për popullin e Kosovës, xhamia “Bedri Kamberi” në Prishtinë ka ngritur sot flamurin amerikan.

    Hoxha i kësaj xhamie Labinot Maliqi duke shprehur mirënjohje të përzemërta ndaj SHBA-së është shprehur se Amerika ka luajtur rol të rëndësishëm në çlirimin e Kosovës. Sipas tij miku aleati dhe vëllai ynë i madh janë Shtetet e bashkuara të Amerikës.

    Maliqi: Miku, aleati dhe vëllai ynë i madh janë SHBA-të

    Video:

    “Më 12 qershor festuam 25-vjetorin e Kosovës, ndërsa sot 4 korrik shprehim mirënjohjen tonë ndaj SHBA-së, vend që e bëri çlirimin e vendit tonë. Miku, aleati dhe vëllai ynë i madh janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Maliqi.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot Ditën e Pavarësisë. 4 Korriku shënon 248-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Dita e Pavarësisë në SHBA festohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e fishekzjarrëve. /kp