ATV

Category: Lajme

  • ​Osmani: Paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat

    ​Osmani: Paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat

    Në ditën e cila shënon 29 vjetorin e masakrës së Srebrenicës presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka përkujtuar djemt e burrat boshnjak që u vranë brutalisht nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit.

    Osmani tha se paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat.

    “Srebrenica nuk është vetëm një vend në hartë, por një simbol i nevojës së vazhdueshme për drejtësi, rëndësisë së të vërtetës dhe fuqisë së kujtimit. Tmerret e atij kapitulli të errët, kur mbi 8 mijë djem e burra boshnjakë u vranë brutalisht nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, janë kujtesë e mizorisë njerëzore. Sot, në Ditën Memoriale në shenjë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, nderojmë kujtimin e jetëve të pafajshme të humbura dhe ripërsërisim se paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat”, ka shkruar Osmani.

  • ​Anëtarët e NATO-s bashkohen kundër Rusisë dhe në mbështetje të Ukrainës

    ​Anëtarët e NATO-s bashkohen kundër Rusisë dhe në mbështetje të Ukrainës

    Shtetet e Bashkuara do të nisin dislokimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Gjermani më 2026, njoftuan dy shtetet gjatë takimit të aleancës së NATO-s. Ky konsiderohet një hap i madh që synon të luftojë, atë që aleatët e cilësojnë si kërcënimin në rritje që Rusia paraqet për Evropën.

    Sipas vendimit, Uashingtoni do të dërgojë në Gjermani armët më të fuqishme amerikane që do të vendosen në kontinentin evropian që nga Lufta e Ftohtë dhe ky vendim po shihet si paralajmërim i qartë për presidentin rus, Vladimir Putin.

    Në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga SHBA-ja dhe Gjermania u tha se “dislokimet episodike” ishin përgatitje për stacionim afatgjatë në Evropë të aftësive ushtarake që përfshijnë raketat SM+6, Tomahawk dhe dislokimin e armëve hipersonike me rreze të gjatë veprimi.

    Një dislokim i armëve të tilla do të ishte i ndalueshëm nga Traktati për forcat bërthamore me rreze të mesme veprimi, që SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik kishin nënshkruar më 1987. Por, ky traktat u zhbë më 2019.

    “Ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë e një sulmi kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të aleatëve”, thanë aleatët e NATO-s përmes një deklarate të lëshuar të mërkurën, më 10 korrik.

    Po ashtu, NATO paralajmëroi se më shumë ndihmë do t’i dërgohet Ukrainës, e cila po përballet me pushtimin rus që nga viti 2022.

    Në deklaratën e NATO-s u tha se aleatët synojnë t’i ofrojnë Ukrainës të paktën 40 miliardë euro ndihmë ushtarake vitin e ardhshëm.

    Në këtë dokument po ashtu është përdorur gjuhë më e ashpër ndaj Kinës, duke e akuzuar Pekinin se “mundëson” përpjekjet e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Në deklaratë u tha se Kina vazhdon të paraqesë sfida sistematike për sigurinë euroatlantike.

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u tha gazetarëve se për herë të parë 32 aleatët bashkërisht e kanë cilësuar Kinën si një shtet vendimtar në mundësimin e luftës së Rusisë. Ai tha se ky është një mesazh i rëndësishëm.

    Stoltenberg tha se aleanca nuk është një organizatë që vendos sanksione, por shtoi se “në fund të fundit, ky do të jetë një vendim për secilin aleat, por mendoj se mesazhi që ne dërguam nga ky samit i NATO-s është shumë i qartë”.

    NATO i bëri thirrje Kinës që të mos i dërgojë materiale dhe të mos i ofrojë mbështetje politike luftës së Rusisë.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, mirëpriti partnerët dhe aleatët e NATO-s në një darkë në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, për të festuar, siç tha ai, “aleancën më të madhe që bota ka pasur ndonjëherë”.

    Ai tha se është i kënaqur që të gjithë anëtarët e NATO-s po zotohen që të zgjerojë bazat e tyre industriale për të zhvilluar plane për prodhimin e armëve brenda shteteve të tyre.

    “Nuk mund të lejojmë që aleanca të mbetet prapa. Ne mund dhe do ta mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s dhe këtë do ta bëjmë së bashku”.

    Shqetësimet për moshën dhe aftësinë e presidentit Biden për të udhëhequr me shtetin janë rritur, pasi shanset e tij për fitore në zgjedhjet presidenciale të nëntorit u dëmtuan nga paraqitja e tij në debatin e parë presidencial kundër Donald Trumpit muajin e kaluar.

    Teksa po mbahet samiti treditor i NATO-s në Uashington, kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, i tha Fox News Radio se ai nuk do të largonte shtetin nga NATO, por përsëriti qëndrimin e tij se dëshiron që shtetet e aleancës të paguajnë më shumë.

    “Vetëm dua që të paguajnë faturat. Ne po mbrojmë Evropën dhe ata po na shfrytëzojnë shumë keq”, tha ai.

    Gjatë samitit në Uashington, disa zyrtarë të lartë evropianë u takuan gjatë samitit me këshilltarin kryesor të Trumpit për politikën e jashtme, teksa paqartësia lidhur me të ardhmen e udhëheqjes amerikane ka ngritur shqetësime në mesin e aleatëve.

    Trump në të kaluarën kishte shtyrë republikanët në Kongresin amerikan që të vononin miratimin e një pakete të madhe të ndihmës për Ukrainën, por më vonë ai ndryshoi qëndrim.

    Sa i përket të ardhmes së Ukrainës në aleancë, në deklaratën e NATO-s u tha se aleanca do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën “në rrugën e saj të pakthyeshme të integrimit të plotë euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në NATO”./REL/

  • ​Sot protesta e opozitës, demokratët dhe qytetarët tubim para kryeministrisë në Tiranë

    ​Sot protesta e opozitës, demokratët dhe qytetarët tubim para kryeministrisë në Tiranë

    Ditën e sotme Partia Demokratike do të mbajë protestën e thirrur prej saj në orën 20:00 para kryeministrisë në Tiranë.

    Protesta u njoftua para disa javësh, kur Gjykata e Apelit i dha vulën e PD ish-kryeministrit Sali Berisha.

    Moto e protestës së demokratëve është “të bashkuar në betejë” kundër varfërisë dhe skandaleve ku janë të përfshirë disa zyrtarë pranë qeverisë.

    Prej disa ditësh, anëtarët e PD janë angazhuar dhe kanë dalë në terren për të shpërndarë fletëpalosje dhe për të ftuar qytetarët në tubimin e thirrur prej tyre.

    “Tirana po zien kudo! Padurimi i qytetarëve për protestën e nesërme është në limite! Jam i bindur se 11 korriku do të shënojë protestën më të madhe të organizuar ndonjëherë në vend!

    Mos mungo, eja dhe ti.

    Rinia, qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë do derdhen në bulevard, më shumë se kurrë e më të vendosur se kurrë”, shkruan Belind Këlliçi në një postim në rrjetin social Facebook.

    Por prijësi i këtij tubimi do të jetë ish kryeministri Sali Berisha. Edhe pse në arrest shtëpie, Berisha pritet të jetë i pranishëm virtualisht, ashtu siç ka ndodhur edhe në protestë të më parshme.

    Por në një kohë kur qytetarët dhe demokratët do protestojnë poshtë zyrës së tij, kryeministri Edi Rama nuk do të jetë në institucionin që drejton. Kjo pasi ai ndodhet në SHBA, ku mori pjesë në samitin e 75-vjetorit të NATO-s. Samiti nisi këtë të martë, 9 korrik, në Uashington dhe punimet do të zgjasin deri të enjten.

    Qëllimi i opozitës për këtë protestë është krijimi i qeverisë teknike.

    “Armiku ynë i përbashkët është Edi Rama. PD ka nevojë jo vetëm të bashkohet me të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, por ka nevojë të bashkohet më shumë se kurrë, me të gjithë spektrin opozitar.Detyra jonë është një dhe vetëm një, krijimi i Qeverisë teknike dhe shpëtimi i vendit nga ky regjim”, tha Berisha pak kohë më parë./vizionplus.tv

  • Kuvendi mban një seancë të jashtëzakonshme dhe një të rregullt

    Kuvendi mban një seancë të jashtëzakonshme dhe një të rregullt

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të jashtëzakonshme në përkujtim të viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe do të vazhdojnë seancën e rregullt, ku në rend dite janë paraparë 30 pika, ndër to edhe themelimi i Komisionit Hetimor për zjarret në IML

    Seanca e jashtëzakonshme nis në orën 09:30. Kurse, vazhdimi i asaj të rregullt pritet të nis në orën 10:00.

    Njëra ndër pikat të cilat është në rend dite është votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.

    Po ashtu, në rend dite është edhe votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH.

    Si pikë e 28-të e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Rendi i ditës:

    1. Miratimi i procesverbaleve të seancave të mëparshme,

    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

    5. Votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë,

    6. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,

    8. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,

    9. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-296 për të huajt,

    10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-277 për Sport,

    11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-264 për Rininë

    12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,

    13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-256 për falimentimin,

    15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-261 për mbrojtje nga zjarri,

    16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin,

    17. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë,

    18. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr. 08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës,

    19. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr. 08/L-272 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-010 për noterinë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08/L-149,

    20. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr. 08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave,

    21. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr. 05/L- 031 për procedurën e përgjithshme administrative, faza e dytë,

    22. Shqyrtimi i dytë Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,

    23. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-304 për bankat,

    24. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-305 për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror,

    25. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

    26. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    27. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,

    28. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

    29. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

    30. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,

    31. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,

    32. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.

  • ​29 vjet nga masakra e Srebrenicës

    ​29 vjet nga masakra e Srebrenicës

    Bosnja e Hercegovina sot shënon 29 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

    Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziç lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.

    Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.

    Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç hyri në Srebrenicë.

    Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.

    Mlladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë se nuk kishin pse të kishin frikë. Forcat serbe të Bosnjës i futën refugjatët e frikësuar nëpër autobusë, për kinse të largoheshin. Shumë nga refugjatët u evakuuan në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej filluan të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.

    Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.

    Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

    Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem mendohet se u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

    Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.

    Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari.

  • Dita Botërore e Popullsisë

    Dita Botërore e Popullsisë

    Sot shënohet Dita Botërore e Popullsisë.

    OKB-ja vendosi 11 korrikun si Ditën e Popullsisë së Botës, për t’u kujtuar njerëzve se çdo njeri është i dobishëm, por ekziston vetëm një tokë për të gjithë.

    OKB-ja parashikon se numri i njerëzve në botë deri në vitin 2050 pritet të shkojë në 9 miliardë.

    Por krahas këtyre parashikimeve askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se çfarë pasoja do të ketë rritja e popullsisë së botës në mënyrën tonë të jetesës, por një gjë është e qartë:

    Nëse të gjithë njerëzit sot do të kishin të njëjtin stil jetese siç e kanë shtresat e mesme në vendet e pasura industriale, atëherë presioni ndaj burimeve të planetit tonë të kaltër do të rritej pamasë.

  • ​Moti sot në Kosovë, disa rekomandime për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta

    ​Moti sot në Kosovë, disa rekomandime për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se të enjten do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-36gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-4m/s.

    Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka dhënë disa këshilla dhe rekomandime për t’u mbrojtur nga nxehtësia dhe temperaturat e larta.

    Vala e të nxehtit që pritet të dominojë ditëve në vijim mund të ndikojnë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve dhe sidomos të grupeve të cenueshme.

    Periudhat e zgjatura me temperature të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres të grumbulluar në trupin e njeriut dhe rrisin rrezikun e sëmundjes dhe vdekjes nga ekspozimi ndaj nxehtësisë.

    Paaftësia e trupit për të rregulluar temperaturën e brendshme dhe për të eliminuar nxehtësinë e grumbulluar gjatë temperaturave të larta e rrit rrezikun e rraskapitjes nga nxehtësia dhe goditjes nga nxehtësia. Tendosja që i bëhet trupit ndërsa përpiqet të ftohet, streson gjithashtu zemrën dhe veshkat. Si rezultat, nxehtësia ekstreme mund të përkeqësojnë gjendjen shëndetësore të personave që kanë sëmundje kronike (kardiovaskulare, mendore, respiratore dhe sëmundje të lidhura me diabetin) dhe të shkaktojnë dëmtim të shpejtë të veshkave.

    Këshillat dhe ndërhyrjet praktike në nivel individual, por edhe në nivel të komunitetit dhe institucioneve, mund të shpëtojnë jetë.

    Çfarë veprimesh duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur nga nxehtësia?

    Qëndroni larg të nxehtit

    Shmangni të dilni jashtë dhe të bëni aktivitete të rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës .

    Qëndroni në hije . Mos harroni se temperaturat e perceptuara në diell mund të jenë 10-15 ˚C më të larta .

    Kaloni 2-3 orë gjatë ditës në një vend të freskët .

    Jini të vetëdijshëm për rrezikun .

    Qëndroni të informuar për paralajmërimet zyrtare rreth temperaturave të larta.

    Mbajeni shtëpinë tuaj të freskët

    Përdorni ajrin e natës për të ftohur shtëpinë tuaj duke hapur dritaret në mbrëmje kur temperatura e jashtme është më e ulët se ajo e brendshme .

    Gjatë ditës kur temperaturat e jashtme janë më të larta se ato të brendshme, mbyllni dritaret dhe mbulojini ato me perde apo materiale që pengojnë rrezet e diellit të hyjnë drejtpërdrejt brenda.

    Fikni sa më shumë pajisje elektrike .

    Përdorni ventilatorë elektrikë vetëm kur temperaturat janë nën 40 ˚C.

    Nëse përdorni ajër të kondicionuar, vendosni termostatin në 27 ˚C dhe ndizni një ventilator elektrik – kjo do ta bëjë dhomën të ndjehet 4 ˚C më e ftohtë . Gjithashtu mund të kursejë deri në 70% në faturën tuaj të energjisë elektrike për ftohje .

    Mos harroni se mund të jetë më freskët jashtë në hije.

    Mbajeni trupin tuaj të freskët dhe të hidratuar

    Përdorni veshje të lehta dhe të lirshme, kryesisht nga pambuku.

    Bëni dush ose banjë të freskëta.

    Lagni lëkurën tuaj duke përdorur një leckë të lagur, spërkatje ose veshje të lehta të lagura.

    Pini ujë rregullisht ( 1 gotë ujë në orë dhe të paktën 2-3 litra në ditë).

    Kontaktoni rregullisht me njerëzit e pambrojtur në rrethin tuaj – veçanërisht njerëzit mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje të zemrës, mushkërive ose veshkave, me paaftësi dhe që jetojnë vetëm.

    Mbroni foshnjat dhe fëmijët

    Asnjëherë mos i lini fëmijët ose kafshët në automjete të parkuara për asnjë kohë, pasi temperaturat mund të rriten shpejt në mënyrë të rrezikshme.

    Shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve të pikut (11:00-17:00), duke kërkuar hije ose duke qëndruar brenda.

    Hija mund të zvogëlojë nxehtësinë që ndjeni me më shumë se 10 °C.

    Mos e mbuloni kurrë një karrocë / karrocë fëmijësh me pëlhurë të thatë – kjo e bën atë më të nxehtë brenda karrocës. Në vend të kësaj, përdorni një leckë të lagur, të hollë dhe lagni sërish sipas nevojës për të ulur temperaturën.

    Vishni fëmijët me veshje të lehta e të lirshme që mbulojnë lëkurën e tyre dhe përdorni kapele me buzë të gjera, syze dielli dhe krem mbrojtës për t’i mbrojtur ata nga rrezet e diellit.

    Ndiqni udhëzimet për ta mbajtur shtëpinë tuaj të freskët për të mbajtur një temperaturë të sigurt të brendshme.

    Të mërkurën moti parashihet të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat parashihen kryesisht gjatë relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-34 gradë celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.

    Ditën e enjte moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-36 gradë celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-4m/s.

    Të premten moti do të jetë me diell dhe pjesërisht i vranët, kryesisht vranësirat mund të shfaqen rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 32-37gradë celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperendimit me shpejtësi 1-4m/s.

    “Indeksi UV do të jetë shumë i lartë , parashihen rreth 60 orë me diell, prandaj kujdes kontaktit direkt me rrezet e diellit”, thuhet në njoftim.

    Tutje thuhet se personat me sëmundje kronike të ju shmangen këtyre rrezeve, ose të bartin masa mbrojtëse, syze kapelë, rroba me ngjyrë të lehta.

    Një kujdes i veçantë edhe pjesëmarrësve në komunikacion, sepse ky mot me vapë shkakton shqetësime, dobëson reflekset e ngasjes, gjithashtu në raste të veçanta mund të humbin edhe kontrollin. Konsumimi i shpeshtë i ujit të freskët është i këshillueshëm.

  • Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16

    Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16

    Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16, për ta ndihmuar të mbrohet kundër sulmeve ajrore ruse, tha Qeveria norvegjeze në një komunikatë të mërkurën.

    Ky njoftim vjen në ditën kur liderët e vende anëtare të NATO-s po marrin pjesë në një samit në Uashington. Ata pritet të njoftojnë për ndihmën e re që do t’ia japin Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit nga Rusia, i cili nisi në shkurt 2022.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dëshiron që vendet anëtare t’i dërgojnë Kievit më shumë armë dhe para, si dhe t’i ofrojnë garanci të sigurisë, me shpresë se kjo do ta ndryshojë rrjedhën e luftës.

    Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere, tha se dërgimi i avionëve F-16 do të fillojë këtë vit.

    “Të kombinuar me sisteme mbrojtëse ajrore, avionët luftarakë do të jenë jetikë për t’ia mundësuar Ukrainës të mbrohet kundër sulmeve ajrore ruse”, tha Stoere në një komunikatë.

    Kryeministri për herë të parë njoftoi në gusht të vitit të kaluar se Norvegjia do t’i dërgonte Kievit avionë F-16, por nuk tregoi sasinë asokohe.

    Prej atëherë, Oslo i ka dërguar dy avionë F-16 në Danimarkë që ata të përdoren për trajnimin e pilotëve ukrainas.

    Ukraina ka kohë të gjatë që dëshiron t’i ketë në dorë avionët luftarakë F-16, për shkak të fuqisë së tyre shkatërruese.

    Ndërkohë, Danimarka është zotuar se do t’i dhurojë 19 avionë luftarakë në përgjithësi Ukrainës, ndërsa Holanda ia ka premtuar 24 sosh. Këto dy vende kanë qenë forcë shtytëse e koalicionit ndërkombëtar për furnizimin e Ukrainës me avionët F-16.

    Forca Ajrore e Norvegjisë i zëvendësoi avionët e vet F-16 me modelin pasardhës F-35./REL

  • Miratohet vendimi për shpronësimin e pronave për ndërtimin e kompleksit memorial ‘Masakra e Reçakut’

    Miratohet vendimi për shpronësimin e pronave për ndërtimin e kompleksit memorial ‘Masakra e Reçakut’

    Qeveria e Kosovës ka miratuar shqyrtim Propozim-vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit: Konservimi, Restaurimi dhe Ndërtimi i Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut”.

    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se në Komunën e Shtimes, departamenti i shpronësimit ka mbajtur në muajin qershor një dëgjim publik me pronarët e pronave.

    “Më 21.05.2024 ka miratuar vendimin për miratimin e kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme e cila preket me realizimin e projektit: Konservimi, Restaurimi dhe Ndërtimi i Kompleksit Memorial ‘Masakra e Reçakut’.

    Pas miratimit të këtij vendimi departamenti i shpronësimit më 18.06.2024 ka mbajtur dëgjimin publik në Komunën e Shtimes me pronarët e pronave dhe ka trajtuar gjatë dëgjimit të gjitha kërkesat e pronarve.

    Departamenti i shpronësimit i propozon Qeverisë së Kosovës që të nxjerr vendim që të miratohet vendimi preliminar për ligjshmërinë e procesit të shpronësimit për interes publik të pronës se paluajtshme e cila preket nga realizimi i projektit”, ka thënë Aliu.

  • Ambasda e SHBA veçon deklaratën e O’Brien: Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj si çdo vend tjetër

    Ambasda e SHBA veçon deklaratën e O’Brien: Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj si çdo vend tjetër

    Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka shpërndarë një citat të ndihmës Sekretarit, James O’Brien, ku ka folur rreth përkrahjes së SHBA-së për tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një forcë multi-etnike dhe të ndërveprueshme me NATO-n.

    “Kosova ka të drejtën për të mbrojtur territorin e saj sikur të gjitha vendet e tjera”, është citati i O’Brien që ambasada e SHBA e ka veçuar dhe e ka shpërndarë në faqen zyrtare në “facebook”.

    “1244 ka vendosur një proces politik për të diskutuar të ardhmen e Kosovës. Ky proces eci dhe rezultoi me pavarësinë e Kosovës. Kështu që Kosova sikur të gjitha vendet e tjera ka të drejtë të mbrojë territorin e saj. Kosova po e bën një gjë të tillë në një proces që është transparent dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si një mënyrë për të siguruar mbrojtjen e saj pa kërcënuar fqinjët e saj. Kështu që mendoj se në përgjithësi është një lëvizje drejt stabilitetit të rajonit. Dhe që ne do të vazhdojmë ta përkrahim nga SHBA”, citohet O’Brien.