ATV

Category: Lajme

  • ​Deputetët miratojnë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave

    ​Deputetët miratojnë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave

    Me 59 vota për dhe dy abstenime, është miratuar Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave. Në seancën e sotme plenare janë miratuar edhe 93 amendamentet e këtij ligji.

    Deputetët të cilët abstenuan gjatë votimit të kësaj nisme legjislative ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Eman Rrahmani dhe Dimal Basha.

    Organizatat joqeveritare nuk e kanë mbështetur Ligjin për KPM-në, meqë kanë thënë se nuk janë marrë parasysh 80 për qind e rekomandimeve të Këshillit të Evropës.

    Ky projektligj, i dorëzuar më 27 dhjetor 2023, parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio e video materiale.

    Ndërkaq, Kuvendi nuk arriti ta miratoj në lexim të dytë ligjin për Zyrtar Publikë dhe si i tillë është bartur për një seancë të ardhshme.

  • ​Kurti: Kosova destinacion i leverdishëm për kompanitë nga Zvicra

    ​Kurti: Kosova destinacion i leverdishëm për kompanitë nga Zvicra

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, priti sot në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës Eric Nussbaumer me të cilin ka biseduar rreth marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe mundësitë e potencialin që mërgata jonë paraqet për fuqizim dhe thellim të mëtejmë të shkëmbimeve tona.

    Kurti falënderoi shtetin e Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme, rolin që ka luajtur sidomos përgjatë tri dekadave të fundit, dhe për vendimin për t’ia vazhduar mandatin Swisscoy-it, kontingjentit të trupave zvicerane në Kosovë në kuadër të KFOR-it, deri në 2026.

    Në lidhje me mërgatën tonë në Zvicër, ai theksoi interesimin dhe angazhimin e qeverisë për përfshirje dhe kontribut sa më të madh të saj në zhvillimin ekonomik të vendit.

    Kryeministri veçoi shembullin e konsorciumit “Orllati” nga mërgata në Zvicër, i cili doli fitues në ankandin e parë të energjisë solare dhe që planifikon investim prej 70 milionë euro. Ai shtoi se në Kosovë ka edhe shumë kompani zvicerane të suksesshme, duke e bërë atë destinacion të leverdishëm edhe për kompani tjera nga Zvicra.

    Kryetari i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer dhe delegacioni zviceran, i përbërë nga dy bashkëkryetarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Zvicër-Kosovë, Cédric Wermuth dhe Marc Jost si dhe zyrtarja nga Shërbimi Parlamentar, Sophie Lachat Rohrer, po qëndron në Kosovë nga dita e hënë.

    Ata kanë zhvilluar takime dypalëshe edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministren njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

  • ​Miratohet Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës

    ​Miratohet Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Miratimit të këtij ligji i ka paraprirë edhe votimi i 19 amendamenteve.

    Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në seancën e sotme plenare është miratuar ky ligj.

    Në seancën e sotme, Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar mocion, ku përmes rezolutës i obligohet qeverisë të tërhiqet nga tri projektligje. Opozita vlerëson se projektligji për Këshillin Prokurorial i Kosovës, për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për Zyrtarët Publik është në kundërshtim me frymën kushtetuese në Kosovë.

    Ky mocion nuk ka kaluar, për votuan 23 deputetë, kundër 53 dhe një abstenim.

  • ​Kuvendi miraton Ligjin për Sportin

    ​Kuvendi miraton Ligjin për Sportin

    Me 61 vota për është miratuar Ligji për Sportin bashkë me amendamentet.

    Me po kaq vota është miratuar në lexim të dytë edhe Ligjin për Rininë.

    Ndërkaq, Projektligji për Regjistrin e Pronarëve Përfitues është tërhequr nga rendi i ditës, meqë është vlerësuar që ka nevojë për konsultime të mëtutjeshme. Me 60 vota për është miratuar edhe Ligji për Letërnjoftimin së bashku me amendamentet.

    Në seancën e sotme plenare deputetët kanë miratuar edhe Ligjin për Falimentimin.

  • Idrizi viziton kompaninë që mbështet zbatimin e mësimit dual, nxënësit e falënderojnë për përkrahje

    Idrizi viziton kompaninë që mbështet zbatimin e mësimit dual, nxënësit e falënderojnë për përkrahje

    Kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi, ka vizituar kompaninë “Leoni Dekor”, ku për herë të parë ka filluar me mësimin dual për nxënësit e shkollës së mesme të lartë “Lutfi Musiqi”, raporton EO.

    I pari i Vushtrrisë ka parë nga afër se si po shkon puna e nxënësve në këtë kompani.

    Ai ka thënë se mësimi dual është bërë për herë të parë në Vushtrri, ku nxënësit e kanë mundësinë që përveç mësimit teorik të kenë edhe atë praktikë.

    Përveç kësaj, Idrizi ka njoftuar se nxënësit e kanë të hequr shujtën ditore, sigurimin shëndetësor dhe një stimulim material.

    “Jam shumë i lumtur kur i kam parë nxënësit dhe kemi filluar mësimi dual. Një koncept bashkëkohor i përgatitjes të rinjve për tregun e punës. Atë që e pamë në terren e pamë që nxënësit ishin shumë të kënaqur me arritjet e tyre të deritashme. Faton Hyseni është i pari që na ka hapur dyert këtyre nxënësve për tu përgatitur profesionalisht në vendin e punës me të gjitha kushtet qysh i kanë të rinjtë në vendet Perëndimore në vendet e zhvilluara, si në Suedi ose Finlandë. E kanë sigurimin shëndetësorë, shujtën ditore të ushqimit dhe një stimulim material”, ka thënë Idrizi.

    Drejtori i kompanisë “Leoni Dekor”, Faton Hyseni, ka thënë se ky proces është i nevojshëm për shkak se nxënësit iu ofrohen kushte më të mira në të ardhmen.

    “Dua ta falënderoj kryetarin për mundësinë e mësimit dual për nxënësit që janë duke e kryer praktikën këtu. Jemi shumë të kënaqur me këtë proces është proces shumë i nevojshme nxënësit janë duke e kryer këtë trajtim dhe janë duke u avancuar dhe shpresoj që në të ardhmen do të jenë bartës të trajtimit në kompaninë tonë po edhe kudo që e gjejnë vetën. Prej kryetarit kemi pasur shumë mbështetje ka qenë i nevojshëm ky proces dhe kryetari e ka mbështet”, u shpreh Hyseni.

    Kurse instruktori i kësaj kompanie, Riad Sejdiu ka thënë se të punësuar në këtë kompani janë 7 nxënës dhe në të ardhmen pret të ketë rritje të numrit.

    “Jemi duke zhvilluar mësimin dual për nxënësit e shkollës së mesme, për momentin jemi duke punuar në kompaninë me nxënësit. Me të vërtetë është bërë një punë e madhe, me këtë marrëveshje që arrit me shkollën dhe kompaninë nxënësit janë ngrit dhe zhvilluar në mënyrë profesionale, teorike dhe praktike. Për momentin janë shtatë nxënës, pasi që është hera e parë që është punuar besojmë që më vonë të rritet numri”, ka deklaruar Sejdiu.

    Nxënësja Leonita Deliu, është shprehur falënderues ndaj kryetarit për mundësinë e praktikës.

    “E falënderojmë kryetarin për mundësinë, jam në klasë të 10 jam në praktikë, po kalojmë shumë mirë me të gjithë. Është hera e parë që po punojmë nga shkurti kemi filluar të punojmë tani janë bërë gjashtë muaj punë”.

    Kurse nxënësi, Valmir Ismaili ka njoftuar që kalon shumë mirë në punë për shkak të kushteve të mira të ofruar nga kryetari.

    “Jam në shkollën e mesme teknike, në profesionin e zdrukthëtarisë. Ndihemi shumë mirë që shkolla na ka ofruar. Këtu kam mësuar shumë, kemi shujtën ditore, sigurimin shëndetësor, kushtet janë shumë të mira”, tha Ismaili.

  • Deklaratat për luftë, Mustafa: Liderët shtetërorë po zbaviten me përralla

    Deklaratat për luftë, Mustafa: Liderët shtetërorë po zbaviten me përralla

    Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, ka reaguar pas deklaratave të krerëve të shtetit për siç kanë deklaruar ata, rrezikun për luftë që i kanoset vendit nga Serbia.

    Sipas tij, kjo është një “udhë pa krye”, pasi konsideron se lidërët shtetërorë po “zbaviten” me “përralla sikur për fëmijë.”

    Mustafa, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se është e çuditshme sesi një çështje kaq serioze të mos ketë konfirmimin nga organizata ndërkombëtare sikurse është NATO.

    “Një udhë pa krye!

    Kur liderët institucional marrin në dorë “këmbanat e luftës” dhe na paralajmërojnë për ditët e luftës që po na presin, të gjithë duhet të ngrihemi në këmbë. Por, kur liderët tanë, zbaviten me këso kërcënime sikur të përralla për fëmijë, Pedri dhe Ujku i cili gënjente fshatarët me thirrjen “ndihmë, është ujku”, atëherë këta liderë janë për keqardhje.

    Si ka mundësi, që për një çështje kaq serioze, ekzistenciale, pra se po rrezikohemi nga një luftë, të mos ketë konfirmim nga organizata më e fuqishme ushtarake në këtë rruzull tokësor -NATO- e cila është prezente në vendin tonë dhe ka për mision ta garantojë paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të Ballkanit e të Evropës. Si ka mundësi, që për një çështje kaq serioze, ekzistenciale, pra se po rrezikohemi nga një luftë, t’i paralajmërosh qytetarët, por mos ta diskutosh fare këtë kërcënim me Kuvendin e Kosovës, si organi i vetëm Kushtetues për shpalljen e gjendjes emergjente apo gjendjen e luftës. Si ka mundësi, që për një çështje kaq serioze, ekzistenciale, pra se po rrezikohemi nga një luftë, të gjesh kohë “ta korrësh grurin” në arat e Malishevës.

    Të gjithë po e kuptojmë se plasimi i këtyre kërcënimeve tek qytetarët e Kosovës ka për qëllim të krijojë pasiguri dhe ankth. Ky Pedri ynë që po na lajmëron se është ujku, a i shkon në mendje se si ndihen qytetarët tanë, e veçanërisht ata që janë afër kufirit me ujkun, pra ata të pjesës veriore të Kosovës kur dëgjojnë këto paralajmërime ogurzeza?

    Të jesh lider i një institucioni shtetërorë dhe të argëtohesh me këso “kërcënime” është e pafalshme.

    Qytetarët e Kosovës dhe Aleatët e saj më të fuqishëm në botë të cilët mbajnë 50% të ekonomisë botërore, i kanë treguar vendit tonë fqinj se ëndrra e saj për ri-kthim në Kosovë është e parealizueshme.”

    Ai ka thënë se Serbia tashmë e di se çka nënkupton të kesh një armik si Kosovën.

    “Fqinji ynë, tashmë e di se çka nënkupton të kesh një armik si Kosovën…

    Me luftën tonë dhe me mbështetjen e Aleancës Perëndimorë kemi fituar në rrethana shumë më të vështira sesa që jemi sot. Andaj, ju them qytetarëve të Kosovës, në veçanti atyre që jetojnë në veri të vendit tonë, si dhe të gjitha komuniteteve të tjera, që të qëndrojnë të qetë dhe të vazhdojnë ta zhvillojnë bashkëjetesën sepse demokracia, paqja, siguria e zhvillimi ekonomik është e ardhmja ynë në këtë shtetin e ri që e mban emrin Republika e Kosovës.”

  • PDK: Qeveria ia humbi Kosovës 21 milionë euro – të barabarta me 42 mijë paga mesatare në Kosovë

    PDK: Qeveria ia humbi Kosovës 21 milionë euro – të barabarta me 42 mijë paga mesatare në Kosovë

    Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Qeverisë Kurti për të t’i ndarë 21 milionë euro kompanisë “Contour Global” si epilog i procesit të arbitrazhit pas dështimit të ndërtimit të termocentralit, raporton EO.

    Anëtari i kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj në një konferencë për media tha se përtej humbjes financiare, menaxhimi i munguar dhe i dështuar i këtij projekti, dëshmon se Qeveria ka dështuar të ndërtojë një vizion të qartë dhe të qëndrueshëm për adresimin e nevojave të qytetarëve të Kosovës për furnizim me energji.

    “Dje Qeveria e Republikës së Kosovës vendosi që të paguajë 21 milion euro, si pasojë e humbjes së procesit të Arbitrazhit ndaj Kompanisë Coutour Global. 21 milion euro janë të barabarta me 42 mijë paga mesatare në Kosovë”, theksoi ai.

    Nikaj rikujtoi se Qeveria nuk ka arritur të përfundojë projektet e nisura, e as nuk ka nisur ndonjë projekt të ri në këtë fushë.

    “Përveç projektit të Termocentralit të Ri, qeveria e udhëhequr nga VV ka anuluar edhe projektin e gazit natyral, projekt i cili ishte nisur dhe përkrahur nga MCC, por edhe nga donatorë të tjerë siç janë EBRD dhe Komisioni Evropian. Rezultat i të gjitha këtyre dështimeve janë çmimet e larta të energjisë sot, të cilat qytetarët tanë i përjetojnë çdo ditë e çdo muaj në faturat e tyre, por edhe një pasiguri e skajshme e furnizimit posaçërisht në muajt e dimrit”, shtoi ai

    Ndërsa, anëtari i tjetër i kryesisë, Blerand Stavileci ka thënë se dështimi këtij projekti është një dëm i madh që i është shkaktuar buxhetit dhe ekonomisë së vendit tonë.

    “Gjendja në të cilën jemi, e mbi të gjitha, rritja e tarifave dy herë brenda dy viteve, edhe pse asnjë megavat nuk iu shtua sistemit, na tregon që dështimin e qëllimshëm të këtij projekti nga kjo qeveri, përveç parave të paguara nga buxheti i taksapaguesve do ta paguajmë edhe shumë vite më pas, sepse asnjë nga projektet aktuale nuk e zgjidhë ngarkesën e furnizimit bazë dhe siguria e furnizimit do të jete sfida më e madhe dhe problem i vazhdueshëm i sistemit dhe sektorit, e kjo do të thotë që do të vazhdojmë të jemi thellësisht e tmerrësisht të varur nga importi”, shtoi ai.

    Stavileci tha se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një vizion të qartë, i cili siguron qëndrueshmëri energjetike me çmime të përballueshme.

    “Të gjitha vonesat, mospuna dhe paaftësia e kësaj qeverie fatkeqësisht do të faturohen në kurrizin e qytetarëve, në dëm të së ardhmes së tyre. Ekonomia e vendit tonë dhe qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për energji dhe ekonomi të qëndrueshme dhe çmime të përballueshme në mënyrë që të kenë standard të mirë jetese. Fatkeqësisht kjo nuk mund të pritet nga qeveria e udhëhequr nga VV”, theksoi Stavileci.

  • Krasniqi për Srebrenicën: Qindra kriminelë serbë vazhdojnë të enden të lirë

    Krasniqi për Srebrenicën: Qindra kriminelë serbë vazhdojnë të enden të lirë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shkruar se në Kuvendin e Kosovës kanë miratuar Deklaratën për Mbështetjen e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.

    Ai thotë se kjo u bë për të dërguar një mesazh të qartë se nuk do të harrojnë se si regjimi kriminal serb, 29 vite më parë kishte kryer gjenocid në Srebrenicë, duke vrarë 8372 civil të paarmatosure.

    “Fatkeqësisht, edhe sot, qindra kriminelë serbë që sollën shumë vdekje e shumë dhembje në tërë Ballkanin, vazhdojnë të enden të lirë, pa marrë asnjëherë dënimin e merituar”, ka shkruar Krasniqi.

  • ​Haradinaj: Kurti dhe e gjithë klika e tij janë kriminelë

    ​Haradinaj: Kurti dhe e gjithë klika e tij janë kriminelë

    “Kriminelët kthehen në vendin e krimit shpesh sepse nuk janë ndëshkuar. Kurti dhe e gjithë klika e tij që kanë ndëshkuar kompaninë amerikane “Contour Global”, janë kriminelë. E pse kthehen këta në vendin e krimit dhe sa ishin të shpejtë me i pagua ato 21 milionë euro të rimbursimit, po se është projekt i tyre. Kurti e gjuan gurin e vjedh popullin e Kosovës”.

    Kështu, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media.

    Ai, ka thënë se Kosova në tre vitet e fundit ka blerë rreth 500 milionë euro rrymë të shtrenjtë dhe ia ka faturuar qytetarëve të Kosovës duka ua rritur çmimin e energjisë elektrike dy herë.

    “Investimi i “Contour Global”, prej 1.3 miliardë dollarë, ka qenë investimi më i madh i paraparë e i kontraktuar në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës…Termocentrali i ri “Kosova e Re”, prej 500 megavateve, do ti jepte Kosovës stabilitet dhe pavarësi të përhershme energjetike me çmime shumë më të ulëta sesa këto që janë në treg pas vitit 2021… Kosova, do të fitonte qindra miliona euro për shkak se çmimi i megavatëve të prodhuar në Kosovë do të ishte shumë më i lirë sesa çmimi i megavatëve në tregjet globale. Kosova do të shiste energji, do të fitonte qindra miliona euro. Me dështimin e këtij projekti, Kosova ndër vite, në tre vitet që shkuan ka blerë rreth 500 milionë euro rrymë të shtrenjtë dhe atë ia ka faturuar qytetarëve të Kosovës, duke ua rritë çmimin, pra Qeveria Kurti dy herë.”, ka thënë Haradinaj.

    Ramush Haradinaj, derisa ka folur për rritjen e çmimit të energjisë për siç ka thënë ai nga “Qeveria Kurti”, ka përmendur edhe ambasadorin Martin Berishaj.

    Sipas Haradinajt, Kosova vazhdon të mbetet e varur për energji nga ajo që prodhohet në Stanari të Bosnjës por edhe furnitorëve të tjerë duke përfshirë edhe GEN-in.

    “Në vitin 2016 u lëshua në prodhim në Stanari të Bosnjës termoelektrana Hamoviq, kompania EFT e pronarit Vuk Hamoviq është partnere në biznes me GEN-in serb dhe GEN-i serb është i njohur si partner për furnizim me energji për ambasadorin tonë që ende është ambasador Martin Berishaj e i cili është donator i Vetëvendosjes në zgjedhje. Edhe sot e kësaj dite Kosova vazhdon të mbetet e varur nga energjia e Stanarit por edhe furnitorëve tjerë edhe GEN-it dhe vazhdon me ble energji prej tyre edhe pse ka ndodhë pavarësimi energjetik pas katër viteve tash të Qeverisë Kurti ende e paguajmë energjinë e humbur në veri dhe suksesi më i madh ekonomik dhe jo vetëm ekonomik edhe gjeopolitik, edhe i sigurisë mbane në mend prej Serbisë dhe Rusisë është pikërisht dështimi i investimit në energji të termocentralit prej 500 megavatëve me teknologji të re, investim amerikan”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj, ka deklaruar se “kriminelët” kthehen shpesh në vendin e krimit sepse nuk ndëshkohen.

    “Kriminelët kthehen në vendin e krimit shpesh sepse nuk janë ndëshkuar, Kurti dhe e gjithë klika e tij që kanë dështuar “Contour Global”, janë kriminelë. Ne ende sot furnizohemi prej termocentraleve që janë mbi gjysmë shekulli të vjetra, që më shumë prodhojnë helm se energji fatkeqësisht dhe jo vetëm kaq por vazhdojnë me ble energji pikërisht prej atyre që fola. E pse kthehen këta në vendin e krimit dhe sa ishin të shpejtë me i pagua ato 21 milionë euro të rimbursimit, po se është projekt i tyre. Kurti e gjuan gurin, e e vjedh popullin e Kosovës, dy herë ka rritur çmimin e energjisë”, është shprehur ai.

    Qeveria e Kosovës të mërkurën ka marrë vendim që t’i paguaj mbi 21 milionë euro dëmshpërblim kompanisë amerikane “Contour Global”, pas humbjes në Gjykatën Arbitrazhit Ndërkombëtar vitin e kaluar.

  • ​Kuleba dhe Borrell diskutojnë mënyrat për të përshpejtuar dërgesat e armëve në Ukrainë

    ​Kuleba dhe Borrell diskutojnë mënyrat për të përshpejtuar dërgesat e armëve në Ukrainë

    Në një takim me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell në Uashington, D.C., Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba diskutoi përshpejtimin e furnizimit me armë dhe municione në Ukrainë.

    Këtë e tha kreu i diplomacisë ukrainase në një postim në platformën e mediave sociale X, transmeton Ukrinform.

    “Gjatë takimit tonë, Josep Borrell dhe unë diskutuam mënyrat për të përshpejtuar dërgimin e armëve dhe municioneve në Ukrainë, veçanërisht të mbrojtjes ajrore, pas sulmeve ajrore të intensifikuara të Rusisë”, shkroi Kuleba.

    Ai shtoi se ai theksoi rëndësinë e rritjes së mëtejshme të prodhimit industrial të mbrojtjes evropiane dhe përsëriti thirrjen e Ukrainës për qeveritë e BE-së që të investojnë drejtpërdrejt në prodhuesit ukrainas të armëve.

    “Kompanitë ukrainase mund të prodhojnë më shumë nëse kanë më shumë burime në dorë dhe investimi në to është mënyra më e shpejtë për të siguruar armë shtesë për luftëtarët tanë të vijës së parë”, theksoi ministri.

    Palët diskutuan gjithashtu përdorimin e aseteve të palëvizshme të Rusisë për përfitimin e Ukrainës dhe i kushtuan vëmendje të veçantë ndihmës së vazhdueshme të BE-së në rimëkëmbjen e Ukrainës.

    Kuleba falënderoi BE-në për gatishmërinë e saj për të ofruar pajisje shtesë të energjisë, si dhe për të ndihmuar në rikuperimin e spitalit të dëmtuar të fëmijëve Okhmatdyt në Kiev.

    Siç raportoi Ukrinform, gjatë seancës së parë plenare të Samitit të Uashingtonit, krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s diskutuan se si ta afrojnë Ukrainën me anëtarësimin në NATO dhe ta bëjnë këtë rrugë të pakthyeshme.