ATV

Category: Lajme

  • ​Tajani: Meloni kërkoi që një italian të emërohet i dërguari i ri special jugor i NATO-s

    ​Tajani: Meloni kërkoi që një italian të emërohet i dërguari i ri special jugor i NATO-s

    Kryeministrja Giorgia Meloni ka kërkuar që një italian të emërohet i dërguari i ri special i NATO-s për frontin e saj jugor gjatë samitit të liderëve të vendeve që i përkasin aleancës në Uashington, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani.

    “Emërimi i të dërguarit të special të NATO-s për krahun jugor është një vendim i rëndësishëm,” tha Tajani në margjinat e samitit.

    “Është diçka për të cilën Italia luftoi dhe ne besojmë se është e drejtë që një italian të zgjidhet për atë rol”, i tha kryeministrja (Sekretarit të Përgjithshëm të emëruar të NATO-s) Mark Rutte sot.

    “Unë mendoj se është e drejtë duke pasur parasysh rolin që ka Italia, përfshirë numrin e personelit ushtarak që ka në misionet e NATO-s.

    Do të ishte një vlerësim për vendin tonë”./ANSA/

  • ​Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje në Gjermani

    ​Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje në Gjermani

    Sipas raportimeve të së enjtes, reshjet e dendura të shiut që filluan të mërkurën në mbrëmje vazhduan gjatë gjithë natës, duke çuar në përmbytje të përhapura në disa rajone të Gjermanisë.

    Në shtetin e Hesse, policia iu përgjigj shumë vendeve të prekura nga reshjet e dendura dhe përmbytjet. Në Diezenbach, një nënkalim u mbyll përkohësisht për shkak të përmbytjeve, siç raportojnë mediat gjermane.

    Qyteti i Hanau dhe rajoni Main-Kinzig në Hesse panë rrugë të përmbytura, puseta të tejmbushura dhe pemë të shumta të rrëzuara, duke komplikuar më tej kushtet lokale.

    Në Bavari, veçanërisht në Aschaffenburg, shirat e dendur përmbytën rrugët dhe bodrumet e ndërtesave.

    Ndërkohë, në shtetet gjermane lindore të Saksonisë, qytete si Gorlitz dhe Bautzen u përballën gjithashtu me përmbytje të rrugëve dhe përmbytje të bodrumeve. Në Bautzen, një tren u përplas me pemët e rrëzuara që pengonin shinat.

    Në kryeqytetin Berlin, bodrumi i arkivave të Bibliotekës Qendrore dhe Shtetërore u përmbyt pasi një tub kullimi i ujërave të shiut shpërtheu nën tendosjen e reshjeve të mëdha. Stafi i bibliotekës punoi urgjentisht, duke formuar brigada për të hequr ujin dhe për të parandaluar dëmtimin e qindra mijëra librave të ruajtura në arkiv.

    Jonas Fansa, drejtor i bibliotekës, përshkroi situatën për televizionin RBB, duke theksuar shkallën e paprecedentë të përmbytjeve brenda ndërtesës së tyre.

    “Nuk kam parë kurrë një vëllim të tillë uji në objektin tonë”, tha Fansa./AA/

  • Krivaça: Unë dhe Marigona kemi qenë përdorues të drogës

    Krivaça: Unë dhe Marigona kemi qenë përdorues të drogës

    Në seancën e rigjykimit të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari Dardan Krivaça gjatë dhënies së mbrojtjes deklaroi se ai dhe tani e ndjera Marigona Osmani, kanë qenë përdorues të drogës.

    Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, po akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Unë dhe Marigona e ndjera kemi qenë përdorues të drogës. E ndjera ka qenë përdoruese edhe para se të njoftohej me mua, edhe unë gjithashtu. Ndërsa prej ditës së parë që jemi lidhur, dytë kemi qenë përdorues të drogës të llojeve; Kremit, kokainës, ekstazi, speed, marihuanë, hashash, xanax, tramadol, po ashtu kemi qenë edhe përdorues të alkoolit”, tha Krivaqa.

    Seanca është duke vazhduar ende.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18-vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça, në qytetin e Ferizajt.

    LEXONI EDHE:

    “Ato pare që po i merr, kanë me t’u ba vitra”, përplasje verbale mes babait të Marigona Osmanit dhe avokatit të Dardan Krivaçës

  • ​S’kalon mocioni i PDK-së për tërheqjen e tre projektligjeve

    ​S’kalon mocioni i PDK-së për tërheqjen e tre projektligjeve

    Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar mocion, ku përmes rezolutës i obligohet qeverisë të tërhiqet nga tri projektligje. Opozita vlerëson se projektligji për Këshillin Prokurorial i Kosovës, për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për Zyrtarët Publik është në kundërshtim me frymën kushtetuese në Kosovë. Me këtë nuk është pajtuar partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se të tri këto projektligje kanë ndjekur të gjitha procedurat. Ky mocion nuk ka kaluar, për votuan 23 deputetë, kundër 53 dhe një abstenim.

    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri kërkoi që përmes një rezolute të obligohet qeveria për tërheqjen e tri projektligjeve.

    “Propozojë një mocion përmbajtjesor i cili kërkon ndryshimin e rendit të ditës të kësaj seance. Ne si GP i PDK-së kërkojmë që përmes një rezolute ta obligojmë Qeverinë e Kosovës për tërheqjen e tri projektligjeve të cilat ne vlerësojmë që janë në kundërshtim me frymën kushtetuese. Procedimi sot i projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, procedimi i ligjit për Këshillin e Pavarur të Mediave dhe procedimi i ligjit për Shërbyesit Civil, janë tri projektligje në kundërshtim me frymën kushtetuese në vendin tonë. Ne si opozitë nuk duam që thjesht ta kemi një betejë politike në këto tri projektligje, mund të punojmë se bashku sidomos në ligjin i cili e cenon fjalën e lirë dhe mediat e lira në vendin tonë”, deklaroi ai.

    Kryetari i grupit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se vlerësojnë se mocioni për tërheqjen e këtyre tri projektligjeve është i arsyeshëm pasi janë anti-kushtetuese.

    Gashi tha se duhet të largohen nga rendi i ditës Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe projektligjin për zyrtarët publik, pasi do të ishin në vazhdën e ligjeve antikushtetuese.

    “Do të ishin tri projektligjet e radhës të cilat do të ishin me përmbajtje anti-Kushtetuese dhe si Kuvend i Kosovës nuk do të duhej të lejojmë të ndodh nën përkujdesjen dhe vetëdijen tonë” , tha ai.

    Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka dhënë detaje për tri ligjet të cilat opozita kërkoi që të mos votohen, duke theksuar dëmet që mund të jenë në të ardhmen.

    “Si opozitë mendojmë se kjo seancë mund të jetë si më e dëmshmja e kësaj legjislature për shkak se kjo seancë siç po shihet ka mundësi t’i miratoj tri ligje të cilat në esencë kanë vetëm një qëllim, kapjen e institucioneve të pavarura, të cila mbikëqyren nga bordet respektive dhe do të krijojnë dëme afatgjate”, tha ai.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi u shpreh i bindur se tri këto projektligje përmbushin standardet më të mira ndërkombëtare dhe se janë përgjigje ndaj fenomeneve shqetësuese në Kosovë.

    “Nuk mund t’i kërkohet sponzorizuesit përmes rezolutës tërheqjen e këtyre projektligjeve nga rendi i ditës. Për çka ne si grup parlamentar jemi kundër pa dyshim dhe qëndrojmë mbrapa qoftë propozimeve nga qeveria, qoftë nga amendamentet që janë bërë nga komisionet funksionale. Të tri projektligjet kanë ndjekur secilën procedurë në kuptimin e dëgjimeve publike, diskutimet me palët e interesit dhe secili deputet e ka pasur mundësinë që të bëjë vërejtje, sugjerime. Është e pashembullt se si deputetët e opozitës nuk japin asnjë kontribut në procedurat mes dy leximeve, nuk bëjnë asnjë vërejtje, asnjë kundërshtim, të mos them që nuk bëjnë asnjë propozim dhe ndërkohë vijnë në seancë plenare nëpërmjet një mocioni në mënyrë të përmbledhur kërkojnë që tri projektligje të tërhiqen nga rendi i ditës”, përfundoi ai.

  • ​Me një minutë heshtje nderohen të gjithë të rënët e Srebrenicës

    ​Me një minutë heshtje nderohen të gjithë të rënët e Srebrenicës

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nderuar me një minutë heshtje të gjithë të rënët e Srebrenicës. Në sallë alternative, po mbahet seancë e jashtëzakonshme për përkujtimin e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovicës, raporton KP.

    Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës u miratua shpallja e 11 korrikut si ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë, bazuar në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

  • A po ngriten çmimet e derivateve pas ardhjes së bashkatdhetarëve dhe fushatës së korrje-shirjeve?

    A po ngriten çmimet e derivateve pas ardhjes së bashkatdhetarëve dhe fushatës së korrje-shirjeve?

    Çmimet e derivateve në vendin tonë kanë shënuar rritje këto ditë mbi pesë centë për litër. Çmimi për një litër naftë sot ka kushtuar deri 1 euro e 39 centë, ndërsa një litër benzinë tregtohet deri në 1 euro e 31 centë në tregun e Kosovës.

    Çmimet e derivateve ngriten për çdo vit në kohën e pushimeve kur vijnë në Kosovë bashkatdhetarët si dhe në sezonin e korrje-shirjeve për mekanizimin bujqësor.

    Sipas Shoqatës së konsumatorëve, çmimi i naftës është ngritur në kohën e ardhjes së bashkatdhetarëve dhe në fushatën e korrje-shirjeve. Ndonëse, naftëtarët mohojnë se kjo rritje e çmimeve ka ndodhur për mërgimtarët dhe bujqit.

    Kryetari i shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka thënë për KosovaPress se çmimi për një litër naftë sot është nga 1.28 euro-centë deri 1.38 euro centë, ndërsa ai për benzinë 1 euro e 31 centë.

    Kryetari Berjani pretendon se çmimet e karburanteve janë më të lira në Kosovë se në rajon, përveç Maqedonisë së Veriut.

    Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thekson për KosovaPress se ekziston mundësia se për arsye të ardhjes së bashkatdhetarëve në pushime në vendlindje, dhe nisjes së fushatës së korrje-shirjeve të shtrenjtohen derivatet nga naftëtarët.

    “Të dyja këto, bashkatdhetarët dhe bujqit, naftëtarët i shfrytëzojnë dhe i japin ‘yrysh’ për shtrenjtimin e naftës dhe benzinës. Prandaj, patjetër që duhet ulën këto çmime, sepse pësojnë edhe qytetarët tjerë. Kështu konsumatorët janë më të nëpërkëmburit, ani se qytetari-konsumator është taksa pagues dhe mbushës buxhetit nga paguhen qeveritarët”, theksoi ai.

    Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka mohuar të ketë rritje të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ardhjes se bashkatdhetarëve.

    “Jo nuk ka rritje të çmimeve që po vjen diaspora. Çmimin e percakton berëza dhe organizata prodhuese OPEC. Sa i përket korrjeve, besoj se bujqit tanë kanë subvencione nga Qeveria”, ka thënë Berjani në një përgjigje për KosovaPress.

    Në anën tjetër çmimet e naftës në bursën ndërkombëtare kanë rënë të martën pas përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe pasigurisë mbi kohën e uljes së normës së interesit të Rezervës Federale të SHBA-së (Fed).

  • ​Kuvendi miraton deklaratë për gjenocidin në Srebrenicë

    ​Kuvendi miraton deklaratë për gjenocidin në Srebrenicë

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar një deklaratë për gjenocidin serbë në Srebrenicë të ndodhur në vitin 1995.

    Ishin 84 deputetë që votuan pro deklaratës dhe asnjë kundër.

    Në vitin 2021 Kuvendi ka miratuar edhe rezolutë për gjenocidin serbë në Srebrenicë në vitin 1995.

  • “Ato pare që po i merr, kanë me t’u ba vitra”, përplasje verbale mes babait të Marigona Osmanit dhe avokatit të Dardan Krivaçës

    “Ato pare që po i merr, kanë me t’u ba vitra”, përplasje verbale mes babait të Marigona Osmanit dhe avokatit të Dardan Krivaçës

    Në Gjykatën Themelore të Ferizajt po mbahet sot seanca e rigjykimit të Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për dhunim dhe vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmanit, në gusht të vitit 2021. 

    Kjo seancë nisi me një incident, pasi që avokati i të akuzuarit Dardan Krivaça, Skender Musa kishte hyre duke buzëqeshur në sallë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i babait të Marigona Osmanit.

    “Ato pare që po i merr, kanë me t’u ba vitra”, i tha babai i Marigona Osmanit avokatit të Dardan Krivaçës.

    Në pamjet e siguruara nga ATV, shihet se pas kësaj përplasje verbale me avokatin Skender Musa, mbajtësit e rendit provojnë ta qetësojnë babain e Marigona Osmanit.

  • Ndarja e 21 milionë eurove nga Qeveria për humbjen me “Contour Globalin” nxit reagime në vend

    Ndarja e 21 milionë eurove nga Qeveria për humbjen me “Contour Globalin” nxit reagime në vend

    Qeveria e Kosovës ka ndarë 21 milionë euro pas humbjes që Kosova pësoi në Gjykatën e Arbitrazhit për rastin e Contour Global-it. Kryeministri Albin Kurti e ministri i Financave, Hekuran Murati, fajësuan Qeverinë Haradinaj. Ndërkohë, ndarja e 21 milionë eurove ka nxitur reagime edhe të politikanëve të tjerë.

    Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mërkurën, u mor vendim që të ndahet 21 milionë euro për pagesë ndaj humbjes së rastit të Kosovës me kompaninë Contour Global.

    Në këtë mbledhje, kryeministri Kurti e ministri Murati fajësuan ish-kryeministrin Ramush Haradinaj që kishte nënshkruar këtë kontratë.

    E reagimi i Haradinajt ishte i menjëhershëm. Ai nuk la gjë pa i thënë Kurtit, duke thënë se po dëshmon që është kryeministër i dobët e “njeri i poshtër”.

    “Albini çdo ditë po dëshmon se është edhe Kryeministër i dobët edhe njeri i poshtër. Me krenari dhe me lëvdata e ka pas shkelë kontratën me Contour Global (Ministrja e tij i ka dërgu letër dhe ia ka ndërprerë përkrahjen) e me faqe të zezë përgjegjësinë për dëmshpërblim po e heqë prej vetes. E pabesueshme ku ka mbërri logjika e politikës trushpërlarëse e Kurtit.” – ka shkruar ai në Facebook.

    Haradinaj ka akuzuar Kurti për ndërprerjen e këtij projekti.

    “Kurti e la Kosovën edhe pa 500 MW energji, ku që nga viti 2023 do t’i përfitonte Kosova me çmim prej 83€ e në ndërkohë ka blerë energji deri në 600€ e qytetarit të shkretë jo një por dy herë ia ka rritë çmimin e energjisë. Kjo është politika e mashtruesit Albin Kurti. E gjuan gurin, e vjedh popullin dhe në mënyrën më të poshtër e fsheh dorën.” – ka shkruar Haradinaj.

    Ndërkohë edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka kritikuar Qeverinë Kurti, që sipas saj, tentuan që ndarjen e 21 milionë eurove ta bëjë si të keqen më të mirë.

    “Humbja e 21 milionë eurove nga buxheti i shtetit për shkak të humbjes së lëndës në Gjykatën e Arbitrazhit për rastin e Contour Global-it dhe krenaria e rrejshme e Qeverisë Kurti se kemi mundur të humbim edhe më shumë, tregon për të satën herë, se këta me propagandë e demagogji, e bëjnë edhe limonin e ëmbël. Qeveri e mashtrimit të madh!” – ka shkruar ajo në Facebook.

    Ndërsa, deputeti i pavarur, Haki Abazi, përveç Kurtit ka përmendur ministren Rozeta Hajdari, e zyrtaren e VV-së, Dejona Mihalli, si treshe që i kanë humbur 21 milionë euro Kosovës.

    “Treshja Kurti- Mihaili- Hajdari i kushtojnë Kosovës 21 Milion Euro nga humbja në një arbitrazh. Kjo lëndë ka qenë krejt e lehtë që të vendoset në favor të Kosovës, por panjohuritë dhe mungesa e plotë e profesionalizimit ka bërë që jo vetëm në këtë rast të humbasim mundësitë për vendin!”

    “Ky nuk është ndryshimi, ky është vetëm vazhdimi i keq!” – ka shkruar ndër të tjera Abazi.

    Kujtojmë se Qeveria e Kosovës në qershor 2020 kishte njoftuar investitorin Contour Global për ndërprerje të marrëveshjes. Ndërsa me datë 19.11.2020, investitori Contour Global kishte paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit.

    Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017 pati arritur marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat.

  • ​67 vjeçari arrestohet për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje

    ​67 vjeçari arrestohet për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje

    Njësiti i hetimeve të Stacioni Policor në Partesh gjatë hetimit të një rasti të dhunës në familje, përmes rrugëve operative ka pranuar informacion se i dyshuari 67 vjeçar me inicialet M.J. është në posedim të një arme pa leje përkatëse.

    Sipas Policisë, me leje të Prokurorit të Shtetit, është realizuar kontrolle në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit ku gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar në cilësinë e provës materiale për gjykatën një armë zjarri pistoletë M57 me një karikator dhe tetëdhjetë e tetë copë fishekë të kalibrit 7.62mm.

    “I dyshuari është arrestuar dhe intervistuar në bazë të procedurave ligjore. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal për veprat penale ‘’Dhuna në familje’’ dhe ‘’Mbajtje në pronësi, kontroll të pa autorizuar të armeve dhe municionit’’, thuhet në njoftim.