ATV

Category: Lajme

  • Akuza e re nga Specialja: Bahtijari e Januzi deklarohen të pafajshëm

    Akuza e re nga Specialja: Bahtijari e Januzi deklarohen të pafajshëm

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë në përputhje me rregullën 90(3), Gjykatësja e Procedurës Paraprake, Marjorie Masselot mbajti seancë për paraqitjen e mëtejshme në procesin gjyqësor kundër Ismet Bahtijarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës.

    Në këtë seancë është paraqitur akuza e re kundër Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit, e cila akuzë i është shtuar aktakuzës së përbashkët kundër Ismet Bahtjarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës.

    Sipas akuzës së re, Bahtjari dhe Jonuzi, ata ngarkohen se përmes premtimit të një dhuratë ose formë tjetër përfitimi, përkatësisht duke ofruar ndihmë për dëshmitarin një (1), në qoftë se ai do të pajtohet për tërheqjen dëshmisë së tij.

    “Frikësim gjatë procedurës penale përmes premtimit të një dhuratë ose formë tjetër përfitimi, përkatësisht duke ofruar ndihmë për dëshmitarin një (1), në qoftë se ai do të pajtohet për tërheqjen e dëshmisë së tij në procedurat përpara Dhomave të Specializuara që është e dënueshme sipas parashikimit të nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019, dhe nenit 15, paragrafi 2 i Ligjit. Kjo vepër është kryer ndërmjet 5 dhe 12 prillit të vitit 2023”, thuhej në akuzën e re, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me këtë akuzë të re, të pafajshëm u deklaruan si Januzi, ashtu edhe Bahtijari, të cilët sot gjatë kësaj seancë u përfaqësuan nga avokatet, Hju Bouden (Jonuzi) dhe Felisiti Xherri (Bahtijari).

    Ndryshe, më 8 korrik, Gjykatësja e Procedurës Paraprake në çështjen Januzi, Bahtijari dhe Haxhi Shala konfirmoi ndryshimet në aktakuzën e përbashkët dhe urdhëroi ZPS-në të dorëzonte versionin e fundit të kësaj aktakuze deri më 10 korrik. Meqenëse pretendimet e reja faktike të akuzës së re kundër Januzit dhe Bahtijari ishin pjesë e aktakuzës fillestare kundër Haxhi Shalës, këtij të fundit nuk iu kërkua të ishte i pranishëm në seancë.

    Në fund të kësaj seance, avokati i Sabit Januzit, Hju Bouden tha se do të dorëzojnë mocion paraprak lidhur me këtë akuzë të re, ndërsa avokatja e Ismet Bahtijarit, Felisiti Xherri, lidhur me dorëzimin e mocionit paraprak, lidhur me këtë akuzë të re tha se nuk kanë vendosur ende dhe po presin të shohin parashtrimet e Sabit Januzit, për të vendosur.

  • Sllovenia do të dyfishojë numrin e ushtarëve në Kosovë gjatë vitit 2025

    Sllovenia do të dyfishojë numrin e ushtarëve në Kosovë gjatë vitit 2025

    Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka thënë se shteti i tij do të dyfishojë prezencën ushtarake në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s përgjatë vitit 2025, shkruan agjencia sllovene e lajmeve.

    Ai ka thënë se prezenca ushtarake e NATO-s në Ballkanin Perëndimor është rritur me nismë të presidentit amerikan, Joe Biden, duke qenë se ai e njeh rajonin mjaftë mirë.

    Liderët e shteteve të NATO-s kanë qëndruar në Washington ku edhe është mbajtur Samiti i NATO-s me fokus Ukrainën. Në kuadër të disa organizimeve të Samitit e ftuar ka qenë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Presidentja Osmani me ftesë të Biden ka përfaqësuar Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s në Washington D.C.

  • Raportohet për 32 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Raportohet për 32 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Sulmet izraelite kanë vrarë edhe 32 persona në Rripin e Gazës, tha Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Luftime janë raportuar nga veriu deri në jug të territorit, teksa bisedimet po vazhdojnë për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirim të pengjeve.

    Përmes një deklarate, Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha më 12 korrik se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

    Po ashtu, mediat e Hamasit kanë raportuar për “më shumë se 70 sulme ajrore” në disa pjesë të Rripit të Gazës, përfshirë në Qytetin e Gazës në veri, në kampin e refugjatëve Nusirat në pjesën qendrore të territorit, dhe në Han Junis dhe Rafah në jug.

    Ushtria izraelite tha të premten se trupat po vazhdojnë operacionet në Rafah, afër kufirit me Egjiptit.

    “Gjatë ditës së fundit, trupat kanë eliminuar një numër terroristësh gjatë luftimeve dhe sulmeve ajrore dhe kanë shkatërruar infrastrukturën e terroristëve në rajon”, u tha në deklaratën e ushtrisë.

    Lufta në Gazë nisi pas sulmit të paprecedent të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 37.000 persona./REL/

  • Arrestohet një i dyshuar për tentim vrasje në Gjilan

    Arrestohet një i dyshuar për tentim vrasje në Gjilan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar të enjten një i dyshuar për tentim vrasjen e ndodhur me 6 maj të këtij vitij në Gjilan.

    “VRASJE NË TENTATIVË – Gjilan/06.05.2024-18:20. Lidhur me rastin, me 11.07.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar”, ka njoftuar policia përmes raportit 24-orësh.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

     

  • Regjistrimi i popullsisë, Kastrati: Banorët që kanë refuzuar të regjistrohen do të gjobiten

    Regjistrimi i popullsisë, Kastrati: Banorët që kanë refuzuar të regjistrohen do të gjobiten

    Të gjithë banorët e Kosovës të cilët kanë refuzuar të regjistrohen do të gjobiten. Kështu, ka thënë në një konferencë për media ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.

    Ai tha se është një numër i vogël i atyre që nuk kanë dashur të regjistrohen dhe se bëhet fjalë për qindra persona, pa kaluar në mijëshe.

    Kastrati tha se për individ gjoba është 2 mijë euro, ndërsa për të tjerët deri në 20 mijë euro.

    Nga gazetarët u pyet nëse ka statistika se sa është numri i popullsisë sipas etnive, por se tha se deri më tani nuk ka statistika të ndara në këtë aspekt.

    Përveç kësaj, Kastrati tha se ende nuk mund të publikohen të dhënat nga shënimi i dëmeve nga lufta.

    Ndryshe, numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas rezultateve të ASK-së, është 1 milion e 586 mijë e 659 banorë.

    Ndërsa, nga diaspora deri më tani janë regjistruar rreth 600 mijë.

    LEXONI EDHE:

    Rreth 600 mijë mërgimtarë të regjistruar deri tash, procesi vazhdon deri në fund të gushtit

  • Kurti takoi ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı

    Kurti takoi ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

    Siç njoftoi Kryeministria, në këtë takim u diskutua rreth raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, marrëdhënieve ekonomike, bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe rreth zhvillimeve të fundit në vend.

    Ky takim u zhvillua si vazhdimësi e vizitës së kryeministrit Kurti në Republikën e Turqisë ditë më parë.

  • Rreth 600 mijë mërgimtarë të regjistruar deri tash, procesi vazhdon deri në fund të gushtit

    Rreth 600 mijë mërgimtarë të regjistruar deri tash, procesi vazhdon deri në fund të gushtit

    Përveç numrit të popullsisë rezidente, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar edhe numrin e mërgimtarëve që janë regjistruar deri tash.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, tha se janë regjistruar rreth 600 mijë mërgimtarë.

    “Të dhënat preliminare nga diaspora janë rreth 600 mijë deri më tani janë regjistruar. Sigurisht ka kohë edhe pak”, tha Kastrati.

    Regjistrimi i diasporës do të vazhdojë deri në fund të muajit gusht.

    Ndryshe, numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas rezultateve të ASK-së, është 1 milion e 586 mijë e 659 banorë.

    ASK-ja publikon të dhënat, popullsia e Kosovës përbëhet nga 1.5 milionë banorë

  • PIPS: Viti 2023 sfidues për MPJD-në, shkaku i dialogut Kosovë-Serbi

    PIPS: Viti 2023 sfidues për MPJD-në, shkaku i dialogut Kosovë-Serbi

    Tensionet në veri, acarimi i raporteve me aleatët ndërkombëtarë e sanksionet e BE-së, janë si rezultat i mungesës së dialogut të mirëfilltë Kosovë-Serbi. Kështu konstatohet në raportin vjetor “Vjetari i Politikës së Jashtme (2023)”, të publikuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), raporton Ekonomia Online.

    Aty u tha se qëllimi i këtij raporti është të dokumentojë të arriturat, sfidat dhe objektivat strategjike të Kosovës në lidhje me politiken e jashtme.

    Jon Krasniqi, menaxheri i projektit në PIPS, tha se ky raport del çdo vit, kësaj radhe ka ofruar një analizë përgjatë vitit 2023 deri më 15 shkurt 2024. Të dhënat përfshijnë deklaratat e qeverisë, angazhimet që i kanë bërë në politikën e jashtme.

    “Raporti tregon se ky ka qenë viti më sfidues në politikën e jashtme të Kosovës. Kjo si rast të një procesi apo një shqetësimi që e ka pas Kosova gjatë vitit 2023 në dialogun Kosovë-Serbi, masat sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian gjithashtu edhe disa nga ShBA, tensionet apo incidentet që ndodhen në veri e deri tek sulmi në Banjskë që pastaj u ndërthuren me procesin e dialogut”.

    “Integrimi atlantik, moslëvizja e Kosovës për anëtarësim në BE, liberalizimi i vizave proces zvarritës, megjithatë sukses i politikës së jashtme. Rritje e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it, anulimi i aktiviteteve të ‘Defender Europe ‘23’ që lidhet me raportet me NATO-n. Performanca e MPJD-së, 403 takime 50 konsultime politike në vende të ndryshme, konferenca angazhime me shtetet e QUINT-it dhe BE-ja”, ka thënë ai.

  • Kurti: Realizimi i regjistrimit të popullsisë, ishte një nga projektet më me prioritet këtë vit

    Kurti: Realizimi i regjistrimit të popullsisë, ishte një nga projektet më me prioritet këtë vit

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, po merr pjesë në publikimin e të dhënave të para të regjistrimit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Kurti tha se realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një nga projektet më me prioritet të qeverisë gjatë këtij viti.

    “Realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një nga projektet më më prioritet të qeverisë gjatë këtij viti, duke marrë parasysh rëndësinë e të dhënave në kohë si dhe raundin e regjistrimeve globale 2015-2024, ku edhe Kosova do të jetë pjesë e këtij zhvillimi”.

    “Ky regjistrim është një reflektim i përkushtimit tonë për të kuptuar dhe adresuar nevojat e popullatës sonë, duke siguruar si shpërndarje të barabartë të burimeve, ashtu edhe për hedhje të bazave për vendimmarrje për të informuar që do të formësoj të ardhmen e Kosovës”.

    “Në një mënyrë, statistikat e mirëfillta janë si GPS-i për të ardhmen e vendit tonë. Me të dhëna të sakta, jemi të sigurt se nuk do ta humbim rrugën dhe do ta gjejmë destinacionin tonë, përndryshe pa to do të përfundojmë duke bërë rrotullime e rrjedhimisht të humbim resurse të vlefshme”, tha Kurti.

    Më tej, Kurti tha se nxjerrja e të dhënave të plota dhe të sakta do t’iu mundësojë vendimmarrësve, duke filluar nga niveli lokal e qendror për orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët.

    Pa statistika cilësore, edhe vendimet mund të jenë jo cilësore. Statistikat janë një e mirë publike dhe duhet përdorur për marrjen e vendimeve bazuar në dëshmi. Në demokraci, marrja e vendimeve politike duke u bazuar në dëshmi është shumë më rëndësi për të ofruar.

  • Katër të arrestuar në Pejë, dyshohet se e mashtruan një person duke ia marrë 280 mijë euro për një lokal

    Katër të arrestuar në Pejë, dyshohet se e mashtruan një person duke ia marrë 280 mijë euro për një lokal

    Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona në Pejë, të cilët dyshohen për mashtrim në vlerë 280 mijë euro.

    Viktima ka deklaruar në polici se këtyre personave u kishte dërguar 280 mijë euro që nga viti 2022 për blerjen e një lokali në Istog, që rezultoi se ishte pronë e komunës..

    “Viktima ka deklaruar se personave tё dyshuar iu ka dёrguar tё holla nё vlerё prej dyqind e tetëdhjetë mijё (280000) euro, mjete tё cilat viktima ja ka dёrguar qё nga vitit 2022, pёr blerjen e njё lokali. Pas njё pune intensive tё hetuesve Rajonal me datё 09.07.2024, janё arrestuar dy (2) persona tё dyshuar, nё vazhdën e hetimit tё rastit me datё 11.07.2024 janё arrestuar edhe dy (2) tё dyshuar tjerё”, thuhet në njoftim.

    Të arrestuarit janë: F.D, e lindur më 1999, B.M e lindur 1992, M.N I lindur me 1982 dhe L.D e lindur me 1994.

    Tutje, Policia njoftoi se tё gjithё tё dyshuarit pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё prokurorit tё shtetit janё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё.